Dashnor Kaloçi
Memorie.al/Historia që na rrëfen Frrok Mëlyshi ekskluzivisht për Memorie.al ka lidhej me familjen e tij, gjyshin,prej nga ka trashëguar dhe emrin, si dhe babanë, Zef Mëlyshin, e cili në moshën 13 vjeçare, iku nga internimi dhe për gjithë natën, udhëtoi i vetëm, rrugë pa rrugë në kërkim të eshtrave të të atit …?! Në prezencë të gjithë mirditorëve të atyre fshatrave që i kishin sjellë me detyrim, kufomën e gjyshit tim, Frrokut, e spërkatën me një bidon vajguri dhe i vunë flakën, duke i terrorizuar të gjithë të pranishmit. Thuhet dhe ka njerëz ende gjallë, që kanë qenë prezent, disave u humbi mëndja kur shikonin se si digjej kufoma e Frrok Mëlyshit dhe se si lëvizte trupi nga djegia. Ka ende burra gjallë sot në Mirditë, që e kanë parë atë skenë! Dëshmon për herë të parë për Memorie.al, këtë ngjarje të denjë vetëm për filmat horror, 54-vjeçari, Frrok Mëlyshi me origjinë nga Serishta e Mirditës, i cili ka jetuar në qytetin e Laçit dhe që prej më shumë se dy dekadash, jeton në Bruksel. Edhe pse prej kaq vitesh larg Shqipërisë, Frroku nuk ka reshtur asnjë herë së kërkuari e mbledhur dokumente, foto, fakte e dëshmi për historinë e familjes të tij, një nga më të njohura në Mirditë edhe për shkak të librave, që janë bërë për fisin e tij, si dhe filmin “Operacioni zjarri” ku “Kreshnik Martini” i luajtur me mjeshtëri, nga i madhi Llazi Serbo, është personazh real dhe kushëri i parë i babait të Frrokut.
Z.Mëlyshi, mund të na njihni me historinë e familjes, Mëlyshi?
Gjyshi im, Frrok Mëlyshi ka lindur në Serishtë të Mirditës, më 10 gusht të vitit 1908, ai ishte djali i vetëm i Mark Mëlyshit, që kishte dhe dy vajza, njëra e martuar në Orosh dhe tjetra fshatin Shqalsh. Kur gjyshi ishte në moshën 8 vjeçare, mbeti jetim, i vdiqën të dy prindërit dhe axha i vet, Gjon Mëlyshi, që ishte dhe i pari i fisit tonë dhe gjithashtu bajraktari i Kthellës, e rriti atë, me një përkujdesje shumë më të madhe se fëmijët e tij. Ndërsa Frroku po rritej para kohe dhe duke parë tek ai disa cilësi të veçanta, axha i tij, Gjoni, dalëngadalë, po ia lëshonte drejtimin e bajrakut edhe pse, ai ishte ende shumë i ri. Kur mbushi moshën për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, atë e mobilizuan në Gardën Mbretërore në Tiranë, ku ra në sy për përgatitje të lartë, disiplinë dhe besnikëri, gjë e cila bëri që Mbreti Zog, ta gradonte jashtë radhe me gradën e togerit.
Sa kohë shërbeu Frrok Mëlyshi në Gardën Mbretërore?
Ai shërbeu aq sa ishte koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por edhe pse Mbreti Zog donte ta mbante si efektiv të rregullt, axha i tij, Gjon Mëlyshi, nuk pranoi, duke i dërguar fjalë Mbretit, se Frroku ishte jetim dhe djalë i vetëm. Por në shenjë mirënjohje për respektin që po tregonte Mbreti, ai i tha se do t’ju jap një djalë tjetër dhe i dërgoi, Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, personazhit të njohur tashëm edhe nga librat e Mark Dodanit dhe filmi “Operacioni zjarri”, historinë e së cilit, regjimi komunist e shtrembëroi, falsifikoi dhe e përdori, për qëllimi të veta dhe për të përçarë fisin Mëlyshi, që ishin të gjithë antikomunistë të vendosur. Por kjo është një histori më vete dhe nuk besoj se është vendi ta trajtojmë këtu!?
Po përqendrohemi tek gjyshi juaj, Frrok Mëlyshi…
Siç ju thashë, Frrokun nuk e lejoi axha i tij, Gjoni, që të rrinte në Gardën Mbretërore dhe në vend të tij ai dërgoi Nikoll Mëlyshin, i cili u shkollua dhe morri gradën e kapitenit të parë. Ndërsa Frrok Mëlyshi u kthye në Mirditë, ku morri drejtimin e bajrakut, tashmë më i pjekur dhe i burrëruar. Kjo kohë koinçidoi me pushtimin e Shqipërisë, nga Italia fashiste në prillin e ’39-ës, ku Frroku ishte një nga vullnetarët mirditas, që arritën të shkonin në Durrës, për të luftuar përkrah forcave qeveritare, që ishin nën komandën e major Abaz Kupit. Në atë kohë në Durrës, ka qenë dhe Nikoll Mëlyshi, me gradën e kapitenit të parë, i cili në librin e tij, “Ngjarje, të pame dhe të jetueme”, të botuar në 1975-ën, në SHBA ku ka jetuar si emigrant politik mbas vitit 1944, i ka përshkruar gjatë, jo vetëm pjesëmarrjen e tij në atë ngjarje, por ka bërë dhe një analizë si ushtarak, se si mund dhe duhej organizuar ajo rezistencë më 7 prill 1939.
Çfarë aktiviteti pati gjyshi juaj, Frrok Mëlyshi, në periudhën e pushtimit të vendit, pra 1939-1944?
Në atë periudhë Frrok Mëlyshi, vazhdoi si ushtarak aktiv në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, duke marrë pjesë në Luftën italo-greke dhe si shumë ushtarakë të tjerë shqiptarë, dezertoi nga ajo luftë që në fillimet e saj. Më vonë për dy tre vjet, ka shërbyer në rrethin e Matit në armën e Xhandarmërisë, dhe aty është respektuar shumë edhe si ish-besnik i Mbretit Zog.
Po më pas?
Ai ishte efektiv në batalionin e xhandarmërisë të komanduar prej major Dod Nikollës, i cili në vitin 1943 u dërgua nga qeveria, për të vendosur rendin në Jug të vendit, ku forcat partizane kishin pushkatuar njerëz të pafajshëm, sidomos në Qarkun e Gjirokastrës, kryesisht ato të Ballit Kombëtar. Në këtë kuadër, Frroku morri pjesë në luftimet, që zhvilloi batalioni i major Dod Nikollës, në fshatit Sinanaj të Tepelenës, ku atij iu vranë dy djem nga Puka dhe major Doda kaloi në depresion të thellë. Pas asaj ngjarje major Dod Nikolla, humbi mendjen dhe thonë se atë e morën forcat gjermane, për ta kuruar dhe nuk dihet dhe nuk u morr më vesh kurrë fati i tij.
Çfarë aktiviteti tjetër pati Frrok Mëlyshi?
Frroku u kthye në Mirditë dhe më pas shkoi në qytetin e Shkodrës, ku ishte krijuar “Besëlidhja e Shkodrës” që udhëhiqej prej Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, ku i biri, Mark Gjon Marku, ishte në postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Frroku me Mark Gjon Markun, kishin lidhje të afërta gjaku nga nëna. Në atë kohë, (diku nga fundi i muajit nëntor), në qytetin e Shkodrës, para Kafes së Madhe, komunistët vranë me atentat major Ndrec Prengën, (të birin e Preng Marka Prengës, bajraktar i Oroshit), që ishte Qark-Komandant i Xhandarmërisë së Shkodrës dhe nënkolonel, Adem Buletinin, (djali i Isa Buletinit), gjithashtu oficer madhor në atë qytet. Kjo ngjarje, apo më saktë kjo vrasje, që u bë me pabesi, irritoi Kapidanin e Mirditës, Gjon Markagjonin dhe të birin e tij, Markun, të cilët u dërguan fjalë krerëve kryesorë komunistë të Shkodrës, që të vinin të bisedonin dhe të tregonin, përse e kishin bërë atë vrasje. Por ata nuk iu përgjigjën thirrjes së Kapidan Gjonit dhe kështu u vendos që të merrej haku i tyre, me çdo kusht, duke u ndarë detyrat gjithsecilit nga besnikët e tij dhe zonat ku ata do të vepronin.
Frroku u caktua për të marrë hakun e major Ndrecës dhe nënkolonel Boletinit?
Frroku ishte nga të parët dhe më besnikët e Kapidan Gjonit dhe ndër të vetmit, që kreu detyrën e ngarkuar, gjë të cilën ai ia raportoi në darkë, kur u bë mbledhja e “Beslidhjes Shkodrane”, te Kulla e Kapidan Gjonit.
Pas asaj ngjarje, ç’ndodhi me Frrokun?
Pas asaj ngjarje, Frroku u detyrua që të largohej nga Shkodra, pasi Qarkori Komunist i drejtuar nga Vasil Shanto, e dënoi atë me vdekje, duke nxjerrë komunikata në rrugët e qytetit të Shkodrës. Pasi ka dalë nga qyteti i Shkodrës, ai fillimisht është strehuar te familja, Cara, në Vaun e Dejës dhe më pas ka vazhduar rrugën në malësinë e Lezhës, që kufizohet me Mirditën, duke bujtur te familja Luli. Dhe nga aty në Mirditë, ku u morr me organizimin e rezistencën antikomuniste deri në mbarimin e Luftës.
Pse nuk u largua Frrok Mëlyshi nga Shqipëria si Gjon Markagjoni etj, pasi ai e dinte se ishte i dënuar me vdekje që nga koha Luftës?!
Gjyshi Frroku, i kishte të gjitha mundësitë që të largohej nga Shqipëria, ashtu siç dhe u largua Kapidan Gjoni e shumë të tjerë, por ai nuk donte të largohej, se ishte betuar dhe kishte një urrejtje të madhe, ndaj komunistëve, të cilët i kishin vrarë me atentate, disa nga shokët e tij më të afërt. Dhe nisur nga ky fakt, ai qëndroi në Shqipëri dhe ka jetuar pesë vjet, në malet e Mirditës e krahinat përreth. Pas vrasjes së Mark Gjon Markut, në katundin Prosek të Mirditës dhe më pas vëllait të tij, Lleshit, Frrok Mëlyshi, për disa kohë morri komandën dhe udhëhoqi “Komitetin e Maleve”, në rezistencën antikomuniste në rrethin e Mirditës dhe më gjerë. Por desha të theksoj, se kur u vra Mark Gjonmarku në Prosek, Frroku me 50 burra, që ishin nën armë, ka qenë në fshatin Perlat, duke vajtur humbjen e Markut, aty janë rrethuar dhe kanë qenë duke u vrarë të gjithë. Por i ka shpëtuar vetëm ndërhyrja dhe zgjuarsia e Frrokut, i cili udhëhoqi atë grup burrash, duke dalë nga rrethimi nëpërmjet rrugës kryesore, ku komunistët nuk kishin vënë prita, nuk e mendonin kurrë, se ata do të kalonin aty. Dhe pasi kanë dalë nga ai rrethim, janë futur në fshatin Shqalsh ku përfundimisht, u larguar nga rrezja e rrezikut dhe aty janë shpërndarë, duke lënë pika dhe vende të caktuara takimi, gjë e cila ka vazhduar deri në gushtin e vitit 1948, kur dhe ndodhi ngjarja me të, në fshatin Lajthizë të Fanit, në kufi me rrethin e Kukësit.
Çfarë ndodhi në Lajthizë?
Në fshatin Lajthizë, Frroku, me ata që e shoqëronin, të gjithë pjesëtarë të rezistencës antikomuniste dhe të sprovuar në disa beteja, kundër reparteve të Divizionit të Mbrojtjes, kanë qëndruar tre ditë, në pritje të Marka Jak Bajraktarit, që ishte në Qafë Mali, afër Fushë-Arrëzit. Dhe kur arriti Marku aty, Frrok me njerëzit që komandonte, ishte i rrethuar nga të katër anët, nga forcat komuniste, ndërsa Marku mbeti jashtë rrethimit, pa mundur me u taku me ta. Por në momentin që rojet e Frrokut, dëgjuan zhurma nga ata që po i rrethonin dhe i raportuan atij, ai u tha të mos shqetësoheshin, se duhet të ishte Marka Jak Bajraktari, që po e prisnin. Dhe në këtë moment, kur ai është ngritur në këmbë, një plumb e morri në brinjë duke i përshkuar trupin. Në atë moment, ai ka hequr një rrobë të trupit dhe ka lidhur plagët që mos t’i kullonte gjaku e u ka bërë thirrje shokëve të tij, që të shpërndaheshin të gjithë me shpejtësinë më të madhe.
A e zbatuan shokët e tij atë që u tha Frroku, u larguan?
Po ata do të largoheshin se nuk mund të qëndronin më aty, pasi do vriteshin të gjithë, por te Frroku është afruar vetëm një djalë i ri i shtëpisë së Lufit, që shtëpia jonë e Mëlyshëve me ta, ishin miq dhe armiq.
Ne kishim qenë miq me ta, por pastaj ishim bërë armiq, për arsye të ndryshme, por ai djali i shtëpisë së Lufit rrinte në grupin e Frrokut, më i sigurt se me ndonjë tjetër, që nuk kishte armiqësi, pasi gjakmarrja ishte e ndaluar dhe kush merrte gjakun në mal, binte në gjak me shtëpinë e Gjonmarkut të Oroshit të Mirditës. Pra edhe jeta e malit ku ndodheshin grupet e rezistencës antikomuniste, funksiononte në bazë të Kanunit.
Kthehemi tek plagosja e Frrokut?
Djali i është afru dhe tepër i pezmatum, thonë me lot ndër sy, i ka thënë: “A ngele o Frrok…”?! Dhe i kërkoi që të rrinte me të deri në fund, por Frroku pasi i ka dhënë një çantë ku mbante dokumentet, i ka dhënë disa porsi gojarisht dhe e ka urdhëruar, që të largohej menjëherë që aty.
Ku duhet ta çonte atë çantë me dokumente?
Sipas porosive që i dha Frroku, ai djali i shtëpisë së Lufit duhet ta çonte atë në fshatin Ndërfushas te motra e Mark Gjonmarkut, që ishte martuar me Gjon Fushën, një njeri mjaft i njohur, jo vetëm në atë zonë dhe në Mirditë, por edhe në Tiranë, ku ka pas edhe shtëpinë e tij, që nga koha e Monarkisë së Zogut. Dhe të gjitha porositë që i dha Frroku ai djali i zbatoj me përpikmëri dhe ajo çantë, është gjetur vetëm pas viteve ’90-të, pasi e kishin fshehur për shkak të dokumenteve tepër të rëndësishme, që kishte për grupet e rezistencës antikomuniste.
Çfarë ka pasur të shkruar aty?
Çanta është gjetur e degraduar dhe dokumentet, ishin bërë të palexueshme, pra ajo nuk kishte më asnjë vlerë dokumentare, pasi vetëm shenjat kishin mbetur.
Ç’ndodhi me të pas ikjes së atij djalit?
Frroku, ka qëndruar aty për disa orë i futur, në një zgavër lisi shekullor dhe me armët e fishekët që kishte, qëllonte herë pas herë, në atë drejtim nga i kishin ardhur plumbat. Dhe në fund, kur nuk kishte më fishekë, duke e para ndjerë atë që do të ndodhte më të, po ta kapnin të gjallë ata që e kishin rrethuar, ai vrau veten, duke qëlluar me një plumb në kokë. Dhe ashtu e kanë gjetur Forcat e Divizionit të Mbrojtjes që e kishin rrethuar. Menjëherë pasi e kanë gjetur të vetëvrarë, është dhënë urdhri, që të gjithë banorët e fshatrave të asaj zonë, të mblidheshin në Shpal që ishte dhe qendra administrative e Mirditës në atë kohë, pasi aty do çonin trupin e Frrokut me qëllim që të bënin terror në popull.
Si reagonte populli në fshatrat ku e ndalonin?
Populli sigurisht ndjente keqardhje, pasi Frrok Mëlyshi, kishte emër të mirë në të gjithë Mirditën, por komunistët përdorën një dredhi të paparë, deri atëhere, pasi në çdo fshat ku e çonin, mblidhni të gjithë popullin dhe fillimisht i pyesnin se: a e njihte njeri atë? Dhe kush thoshte se e njoh, ky është Frrok Mëlyshi, siç dhe ndodhi në disa fshatra, atë në moment e kapnin e lidhnin dhe e torturonin, duke i thënë: “Ku e ke pa ti Frrok Mëlyshin, si e ke pa, dhe pse nuk e ke denoncuar”, etj.
Shokët e tij, dolën nga rrethimi?
Ata dolën të gjithë nga rrethimi dhe po atë ditë, ata kanë udhëtuar në drejtim të kufirit shtetëror, me Jugosllavinë, duke dalë në Kosovë dhe aty gjurmët e tyre, kanë humbur përgjithmonë. Pra dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë të dhënë, se ku kanë përfunduar grupi i Frrok Mëlyshit.
Familja e tij a kishte dijeni, se çfarë kishte ndodhur?
Kur u hap lajmi nëpër fshatra që duhet të mblidheshin të gjithë në Shën Pal, se kishin vrarë Frrok Mëlyshin, e morri vesh e motra e tij, Bardha, që ishte e martuar në Orosh, ajo u nis menjëherë në drejtim të Shën Palit. Sa mbërriti atje dhe e pa trupin e të vëllait, ashtu gjysëm të zhveshur, iu afrua ia rregulloj ato rroba, ashtu si mundi dhe i veshi një palë çorape leshi të reja që i kishte marrë me vete.
Nuk i thanë gjë, nuk e ndaluan…?
Një oficer iu afrua dhe e pyeti se kush ishte ajo dhe çfarë e kishte kufomën. Dhe kur ajo i tregoi se ishte e motra, ai oficeri shtoi: “Po mirë, kur qenke e motra, pse nuk e ke mësuar vëllain që të mos përfundonte kështu”?
Si iu përgjigj ajo?
Bardha i tha: “Ky nuk ishte burrë që dëgjonte gratë”. Oficeri mbeti i ofenduar nga ajo përgjigje dhe urdhëroi që ta hiqnin që aty Bardhën, por ajo i kundërshtoi duke u thënë: mos më prekni, se iki vetë. Pas këtij momenti, sapo u largua Bardha, në prezencë të gjithë mirditorëve, të atyre fshatrave që i kishin sjellë me detyrim, kufomën e Frrokut e spërkatën me një bidon vajguri dhe i vunë flakën duke i terrorizuar të gjithë të pranishmit.
Si reagoi populli në atë moment kur shihte atë skenë?
Thuhet dhe ka njerëz gjallë që kanë qenë prezent aty, se disave u humbi mëndja kur shikonin se si digjej kufoma e Frrok Mëlyshit dhe se si lëvizte trupi nga djegia. Kur u shua zjarri, një nga oficerët, nxori lekët nga xhepi dhe i tha dikujt aty, që të shkonte të blinte edhe një bidon vajguri, pasi e solli ai, ia rivunë edhe njëherë flakën. Ka ende burra gjallë sot në Mirditë që e kanë parë atë skenë!
Bardha ishte aty në atë moment?
Jo, ajo u largua pasi e parandiente se diçka të rëndë do ndërmerrnin komunistët, ndaj kufomës së vëllait, por kurrë nuk e kishte menduar se do e digjnin.
Ç’ndodhi me familjen e gjyshit tuaj, a u hakmorën komunistët?
Filloi menjëherë persekutimi. Të shoqen e Frrokut, Gjelën, (gjyshen time) e internuan fillimisht te Kisha e Rubikut dhe më vonë në Kalanë e Beratit e në Tepelenë, u lirua kur u mbyll kampi. Gjela, ishte bashkë më katër fëmijët e saj, dy djemtë: Zefin (babai im), Gjergjin, Dranen e Rozën. Ndërsa vajza tjetër, Dava, (që ishte më e madhja e fëmijëve) nuk u internua, pasi ajo ka qenë e martuar dhe kështu ajo mundi të shpëtonte nga vuajtjet dhe tmerret që hoqi nëna e saj, vëllezërit e motrat.
Sa kohë qëndruan te Kisha e Rubikut?
Aty kanë qëndruar 8 muaj dhe babai im, Zefi i cili ishte vetëm 13 vjeç në atë kohë, sapo mësoi ngjarjen, se të atin ja kishin vrarë dhe trupin e tij i’a kishin djegur, kur mbaroi familja apelin e darkës, pa i thënë njeriu, ikën nga shtëpia dhe duke ecur gjithë natën, shkon në Shën Pal, për të kërkuar varrin e të atit. Por para se të nisej, ai kishte biseduar edhe me një polic, që po të vonohej ai në mëngjes, ky ta justifikonte që të mos merrej vesh.
Si quhej Polici?
Jak Lala, quhej ai dhe ishte nga fisi i Qypit të Malit të Bardhë të Kurbinit, me të cilin familja jonë kishte miqësi.
Arriti babai juaj, Zefi që të mësonte vendvarrimin e të atit, Frrokut?
Po, sapo shkoi në Shën Pal, baba trokiti te një shtëpi, që kishte dëgjuar nga bisedat në familjen tonë, se ishin miqtë tanë dhe u kërkoi ndihmë. Edhe pse ishte frikën e madhe dhe mund të kishe pasoja, ata pranuan dhe u treguan të gatshëm, të dilnin menjëherë duke marrë një thes lini me vete dhe shkuan te vendi, ku ishte groposur kufoma gjysëm e djegur e Frrokut.
Dhe i gjetën…?
I gjetën, pasi aty nuk ishte varrë i thellë, por thjesht një grope, ku ata kishin hedhur kufomën e Frrokut, gjysëm të djegur dhe e kishin mbuluar me dhé, jo më shumë se 10 cm. Kështu na tregonte baba dhe ato i zbuluan me shumë vështirësi, pasi nuk kishin as kazëm dhe as lopatë me vete. Nuk i morën që të mos kuptoheshin.
Çfarë bënë pasi e gjetën vendin ku e kishin futur?
Baba na tregonte se ai i kishte gjetur pothuaj pjesën më të madhe të eshtrave, ato kryesoret dhe kafkën e kokës me vrimën e plumbit. Të gjitha ato ai i futi në thesin e linit, baba Zefi nga Shpali, udhëtoi për në fshatin tonë të origjinës, Serishtë, që nuk është shumë larg, ku ndodheshin shtëpitë tona të djegura, pas internimit, që i kishin bërë familjes së Frrokut.
Çfarë bëri aty?
Aty gjeti një vend në qoshe të kullës, duke i mbuluar me gur, me mendimin që do vinte një ditë tjetër po natën dhe t’i merrte për t’i groposur. Pas kësaj, udhëtoi për gjithë natën dhe në mëngjes të ishte në Rubik, ku u bë apeli dhe ai nuk pati asnjë problem.
Ç’ndodhi më pas me ato eshtra?
Pas 8 muajsh familjen e Frrokut, nanë Gjelën, Zefin e Gjergjin, si dhe dy vajzat, Roza dhe Dranja, i internuan, fillimisht në kalanë e Beratit, më pas në Tepelenë dhe ky internim zgjati 8 vjet. Kur u kthyen nga internimi, baba shkoi menjëherë aty ku i kishte mbuluar eshtrat, por nuk gjeti asnjë shenjë, pasi edhe gurët i kishin lëvizur. Baba tregonte se atë gjë mund ta kishin bërë kafshët e egra, apo dhe ndonjë njeri, që kishte shkuar për të marrë gurët.
A i mbeti merak babës kjo histori, humbja e eshtrave të të atit?
Shumë, baba këtë gjë e përmendte shpesh pas viteve ’90-të dhe ai ndërroi jetë, me një merak të madh. Por para se të vdiste, ai i bëri një varr simbolik të atit, në fshatin Malaj te Kisha e Shën Vlashit, ku në pllakën që vihet te koka, ka shkruar “Këtu pushon shpirti i tij”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016