• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, October 9, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

Ati, gjaku dhe kujtesa në një libër për atin

Ati, gjaku dhe kujtesa në një libër për atin
“Më 2 tetor 1948, çeta ra në përpjekje në Kamçisht, ku u vra toger Xhezo Makashi, shefi i Sigurimit të Tepelenës dhe më pas, ata u drejtuan nga Berati…”/ Historia e panjohur e kryengritjes së Zhapokikës
Ati, gjaku dhe kujtesa në një libër për atin
Ati, gjaku dhe kujtesa në një libër për atin
Historia e panjohur e kapedanit Zylyftar Poda / Nga oborri i Pashait të Janinës, te rebelimi kundër Portës së Lartë dhe busti në Muzeun e Luvrit që e vizitoi Enveri në shtatorin e ’46-ës
“Më 11 shtator 1943, Këshilli Ministror i Shqipërisë nën kryesinë e Iljaz Agushit, nën-kryeministër dhe ministër i Punëve Botore, shpalli ‘Pavarësinë e Shqipërisë’ me kufijtë..”/ Historia e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrenit

Nga Sadik Bejko

1. Refleksione për dy libra të Ibrahim Vasjarit 

Memorie.al/ “Kristale në errësirë”, Ibrahim Vasjari. Kemi përpara një libër që sjell pushkatimin e katër personave në Gjirokastër më 1948. Këta janë: – Syrja bej Vasjari, i diplomuar për inxhinieri agrare në Francë, kryetar i një çete nacionaliste deri në vitin 1943. Për rezistencën antifashiste të tij, dëshmojnë disa nga komandantët partizanë të kohës, si dhe djegia e shtëpisë nga fashistët. Pas këtij viti, për arsye se lufta mori shfaqjet e përplasjes midis shqiptarëve, Syrja bej Vasjari e shpërndan çetën dhe u kthye në jetën private. – Zenel Shehu, me arsim të mesëm (shkolla Tregtare e Vlorës), ish komisar i një batalioni partizan dhe kryetar i Komitetit  Ekzekutiv të rrethit Tepelenë, deri më 1947, kur arrestohet.  – At Gjergj Suli, klerik orthodoks dhe Baba Shefqet Koshtani, klerik bektashi.

Veç dëshmive, fakteve e dokumenteve mbi veprimtarinë politike dhe jetësore të katër personazheve të këtij libri, na shpaloset dhe një histori pak ose aspak e njohur e familjes Vasjari, me një traditë mbi dyqindvjeçare. Përfaqësuesit më të përmendur të oxhakut të Vasjarasve janë: Ago Vasjari, i cili që nga viti 1870, si oficer i lartë u vu në shërbim të Ali Pashë Tepelenës; Veiz Vasjari, i cili krahas Tafil Buzit dhe Çelo Picarit, përmenden si heronj në këngët e epikës historike, si prijësa të kryengritjeve të kohës së Tanzimatit; Ibrahim Vasjari, përfaqësues i Tepelenës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit etj.

Gjithashtu mund të lexoni

Në shtator 1943, në Berat, gjermanët lëviznin lirshëm nëpër qytet dhe kjo marrëveshje u bë prej Gjin Markut dhe gjermanëve, nëpërmjet Iljaz Sevranit…”/ Letra Mit’hat Frashërit, për britanikët, prill ‘45

“Kur profesorja e Solfezhit po mësonte të vilte pambuk nëpër arat e Lushnjës, një kooperativiste e dalluar e fshatrave të këtij rrethi, Lenka Çuko…”/ Historia e panjohur e tre kushërirave të Enver Hoxhës

Duke ndjekur linjën e kujtimeve dhe të mbresave personale, stili herë-herë merr tiparet e shkrimit artistik: gjyshi i autorit të librit, është vizatuar me dorën e një prozatori të vërtetë. Në tërësinë e tij libri e ka të pandarë një sens artistik: në frazën, në konceptimin e kapitujve të veçantë, në organizimin e mbresave. Një strukturim i tillë i materialit e ka bërë më të lehtë kalimin nga mbresat a kujtimet, te dokumentacioni dhe, më tej, te shtjellimi i argumenteve mbi faktet e dokumentet e paraqitura.

Ndjeshmërinë e rrit edhe ajo që ky është libër i shkruar nga i biri për të atin e vrarë nga shteti komunist, një viktimë e luftës së klasave. Ai fillon, shtjellohet e mbaron si i tillë: libër i birit për të atin e vdekur e pa varr, vdekur në rrethana të errëta e pa asnjë justifikim. Në fund ndahesh me mbresën se ke lexuar një vepër artistike. Nga ana tjetër, për të na e bërë të qartë se ky është një libri mbi ngjarje të vërteta, autori në fund të çdo kapitulli jep referencat nga libra a dokumentet mbi të cilat është mbështetur. Pas kësaj paraqitjeje në vija të përgjithshme të librit, po ndalem në atë çfarë na thotë autori nëpërmjet tij.

Kulturologët ngulmojnë se feja, autoriteti dhe tradita kanë qenë në themel të qytetërimit perëndimor. Këto, feja, autoriteti, tradita, të vënë në lidhje (religo) me të kaluarën tënde dhe të japin identitetin si person, por dhe më përtej se një identitet fare personal. Krijojnë e çimentojnë vazhdimësinë e kulturave. Autori i këtij libri ka pasur një lidhje, një vargan lidhjesh me të kaluarën, të cilat më 1948-tën u prenë, për t’u zëvendësuar nga disa të tjera.

Ati i tij u vu në radhën e “armiqve shekullorë të popullit” dhe u vra. Ky ishte termi i kohës për të gjithë ata që kishin një titull fisnikërie, që kishin gjë e pasuri të trashëguar nga familja. Po ndërronte rendi i botës dhe rendi i vlerave. Për ta zëvendësuar rendin e vjetër, me vlerat e reja komuniste, duhej që t’i vrisje nën termin “armiq shekullorë” të gjithë ata që kishin krijuar vlera deri atëherë.

Kështu, personazhet e këtij libri, viktima të luftës komuniste të klasave, u vranë për ideologji, u bënë fli në themelet e një rendi të ri që kërkonte me çdo kusht eliminimin e të vjetrit. U vranë për një faj që vërtitej në ajër, për një faj përtej tyre dhe sipër tyre. Fatalisht. U vranë me plumb bashkë të lidhur dorë për dorë dy klerikë, një ish- komisar nga një familje e dëgjuar klerikësh që kishte dhënë gjithçka për luftën, dhe një bej që, më shumë se sa pasuri, (në Tepelenë nuk ka pasur bejlerë klasikë), kishte autoritetin e një tradite të dëgjuar familjare dyshekullore.

Mund të thuash se u vranë shëmbëlltyrat përfaqësuese të një kohe, të “botës së vjetër”, simbolet e saj. Ata që do të krijonin një “botë të re” vranë, pushkatuan “të vjetrën”, Shqipërinë historike, fetare, zakonore, tradicionale. Duke na kthyer prapa në kohët me plagë, ky është një libër për kujtesën.

Themeli i shpirtit është te kujtesa (Shën Augustini).

Fisnikëria e këtij libri është se, i nisur si një libër për atin, shkruar nga i biri, del përtej kësaj kornize, duke na dëshmuar se në këtë vend po vritej Ati, (me shkronjë të madhe), krijuesi i jetës, i traditës, i historisë. Tani gjithçka do të fillonte nga e para. “Bota e re” ngrihej mbi themele gjaku, mbi gjakun e së vjetrës. Po ngrihej jo vetëm mbi prerje njerëzish, por dhe mbi krimin e shkëputjes, prerjes nga një botë në vazhdimësinë e saj të natyrshme, të provuar.

Gjaku po vihej në themelin e kohëve, perdja e gjakut ndehej në kufirin ndarës midis dy botëve. Brezat e sotëm e harrojnë. Por gjer dje komunistët ishin krenarë kur përmendnin gjakun. Mjafton të hapësh faqet e gazetave a të fjalimeve të kohës, që ta shohësh. Atyre u duhej një perde gjaku për të ndarë epokat dhe për të fshehur të kaluarën. Një mur gjaku që të mos shohësh më, të mos depërtosh përtej tij.

Ka dhe diçka më shumë se kaq. Llogaritë bëheshin për të ardhmen. Duhet të derdhej pa fund e pa shkak sa më shumë gjak. Të hapej një llogari gjaku që nuk mund të shpaguhej me asgjë tjetër. Në këtë bankë gjaku, në marrjen e kokave për mospërputhje në ide, mospërputhje në ideologji, në pasuri, në rang e autoriteti, gjaku i të mundurve duhet të rridhte pa u ndaluar. Dhe llogaria do të mbetej e hapur. Ata që ikën, e dhanë gjakun, ju, pasardhësit e tyre, do të jepni për ne gjakun, por më shumë jetën tuaj.

Nuk do të keni kurrë një jetë tuajën. Do të jetoni si nën njerëz, në kushte nën njerëzore. Kështu do të jetoni ju dhe gjithë ç’vjen prej jush. Në murin e gjakut që ndan botët, ju do të muroheni si kufoma politike, pa të drejta. Jetës suaj i është tharë gjaku që kur atit tuaj ia premë damarët me plumb për ta shkulluar nga gjakun. Kjo llogari gjaku kurrë nuk do të reshtej.

Gjaku i dëshmorit, gjaku i ri, gjaku i partizanit, gjaku i freskët i pionierit, i të riut, gjaku i ushtarit të kuq të partisë. Komunistët kishin idolatrinë e gjakut, e yllit të kuq me gjak. Këto klishe të sloganeve me gjak përsëriteshin në çdo festë, në çdo përvjetor të fitoreve komuniste. Madje dhe në mbledhjet banale të mëngjesit, kur brigadierët u ndanin vendet e punës njerëzve. Dhe ai i veçonte në punët më të rëndomta bijtë e “armiqve” të klasës.

Ata nuk ishin nga gjaku i kuq, nga gjaku ynë proletar, revolucionar. Krimi, kur nuk pranon arsye, ndërton mite. Miti i “armikut” e kishte ngrirë jetën. Jeta, kjo ngjizje e gjakut, kjo tabu që, nëse e prek, e vret, do shpagën barabar me gjakun e derdhur, kishte ngrirë. Mitet e kohës që nuk ngopeshin … majmeshin me gjakun e armikut. Perdja ndarëse prej gjaku nuk kishte kthim. Mitet e botës së hijeve të kthenin në hije po t’i prekje.

Odiseja i Homerit që të fliste me hijet në Hades, derdhi gjakun e freskët të një qengji. Rrjedhën e ngrohtë e gjakut shpoi perden e botës së hijeve dhe lidhi të gjallin me të vdekurin. Odiseun me nënën e tij të vdekur. Cili është, ku ta gjejmë atë qengj të therur, që me rrjedhën e gjakut të tij, na zbret në Hadesin e hijeve të pa depërtuara? Komunistët veç perdes së gjakut, ngritën dhe një perde plumbi për të na veçuar nga armiqtë, nga tradita, për të mos depërtuar në të kaluarën. Duhej një fli baras me kokën që t’i nëpër kaloje këto perde. Nga ana e Ibrahim Vasjarit, cila qe flija? Ç’sakrificë i ngjalli të vdekurit e tij, cila fli i bëri hijet të gjalla, sa të kenë gojë e të flasin në këtë libër? Patjetër që duhet të ketë një fli si në çdo themel të ri?

Kthesa e re politike pas ’90-tës lejoi hapjen ndaj së kaluarës sonë tragjike. Pengu i pashlyer i autorit ndaj një ati të munguar, të poshtëruar dhe pas vrasjes duhej dëshmuar. Agonia e durimit të një jetë të shkuar nën dhunë e nën përbuzje, ndjenja e dhunuar pandreqshëm e atësisë duheshin dëshmuar. Balzaku te Xha Gorio thotë: “Atdheu do të shkatërrohet, në qoftë se etërit do të merren nëpër këmbë”. Autori merr përsipër të ndërtojë diçka që ishte shkatërruar rëndë në themelet e atdheut. Të ringjallë etërit e vrarë dhe të përbaltur edhe pas vdekjes.

Ndaj në ndjenjën dhe në kuptimësinë më themelore të tij ky është një libër hamletian. Shqipërinë e kanë quajtur prej vitesh tokë hamletiane. Ibrahimi “ngjall” atin dhe të tjerët që dorë për dorë me të u pushkatuan më 1948. Pengu prapë mbetet i pashlyer deri në fund. Biri nuk mund t’u japë një varr të vdekurve. Ata që i vranë, patën kujdes që t‘u shkulnin dhe kockat, që shenjë e varr për ta të mos mbetej.

  1.  “Kur treten hijet”, Ibrahim Vasjari

Është guxim të bësh një libër me poezi. Në çdo kohë. Jo vetëm tani, në veçanti në moshë e gjyshërve. Por ai ia doli mbanë. “Kur treten hijet”, Tiranë 2024, është libri më i ri i I. Vasjarit. Ditën, kur mora librin prej tij, ia qëlloi të jetë dita e Shën Gjergjit. Një festë që kur ishim fëmijë, gjyshet tona na i mbushnin duart me kuleç gruri, kuleç me mjaltë, me bulmet të ri e me lule përsipër. Poeti Ibrahim Vasjari zbukuroi ditën e Shën Gjergjit me poezi, zbukuroi jetën tij me këtë libër të ri poetik.

E kam lexuar në dorëshkrim “Kur treten hijet”. Është një libër i tipit album me krijimtarinë më të mirë të autorit. Është një udhëpërshkrim poetik… duken aty zymtitë në rrjedhjen tronditëse të viteve. Ibrahim Vasjari i ri botonte poezi në shtypin e kohës. Por për “biografi të keqe” ia prenë me sopat vargjet. Prapë në heshtje ai ëndërroi ta realizonte atë që ia ndërprenë në rini. Pas rënies së diktaturës, ia doli që të botojë disa libra në prozë dhe në poezi. Librat sjellin plagët e jetuara… historitë tona të rënda, jo aq të rrëfyeshme me gojë… qoftë dhe me letërsi.

Por jeta duhet jetuar, na thonë librat e Ibrahimit. Edhe në të keq

Libri “Kur treten hijet” në strukturën e tij i thyen frakturat poetike, procedimet e gjuhës dhe të mendimit në përputhje me thyerjet e jetës sonë nëpër vite. Kujtesa është hambari që e ushqen poezinë e këtij libri. Kujtesa e një poeti është një organo që mjeshtërisht tingëllon e i kthen të ngjarat e jetës në letërsi.

I.

Vasjari është ndjekës i poezisë së vargut dhe të ndërtimit klasik. Vargjet e tij mjeshtërore rrëshqasin me shkëlqimin e lëmuar të mëndafshit në lirikat me natyrë intime dhe në ato meditative. Vargu i tij është muzikor, i pasur me tringëllima: “Shterpon diku rreth nesh fushnajë e Shkretës” (poezia “Makth” fq. 61). Kjo poezi është e denjë për antologjitë më përfaqësuese të poezisë sonë. Si një një tablo rrëqethëse personazhi i poezisë “Makth” endet me një fener në dorë i rrethuar nga zogj ciatës nëpër natën e fushnajës së Shkretës. Një makth që atij i përsëritet nëpër net.

Edhe kur subjektet janë dramatike, poezia e Ibrahimit di të jetë e përmbajtur. Herë-herë, midis vargjeve rrëshqet humori i mezi-dukshëm. Libri “Kur treten hijet” ka njëqind poezi, poezia “Vorbulla jete” hap librin që më tej ndahet në tre cikle me nga 33 poezi secili. Në fund të librit përfshihen rreth dyzet faqe prozë nga esetë e kumtesat e zgjedhura të autorit. (Autori pas disa muajsh bëri një botim të ri të librit. Arsyet i sqaron në një shënim).

Në ciklin e parë “Jehonë rinore” vijnë poezi të natyrës lirike. Cikli fillon me poezinë “Kujtimet”, me tej dhe një poezi me titull “Copëza jete”. Kjo na flet për lëndën poetike të këtyre poezive, për atë që ato janë reflektime mbi ngjarje a çaste të jetës së dikurshme të viteve të hershme të autorit. Cikli i dytë, “Mozaik nate” vjen me një përbërje tematike më të pasur. Veçohen aty poezitë për Vlorën, baladat me temë historike. Për nga realizimi artistik cilësor dhe tragjizmi therës renditen disa nga poezitë me tema mitologjike si: Polifemi, Magjistarja Circe, Në Had.

Sarkastik e dramatik njëherësh, autori aludon për çnjerëzimin që pësoi nën diktaturë njeriu i mjediseve tona: “Sa ndenjëm, s’di?! Në hiçin e pamatë/ Koha si ne gërhinte derrërisht/ Nderonim shkopin me gërreç të thatë/ Dhe na pëlqente qenia jonë me bisht”. (Magjistarja Circe).

Në ciklin e fundit të këtij libri ka një fluturim reflektimesh, një filtrim të hollë të mendimit dhe të ndjenjës. Një gjendje mendore të lartësuar mbi kohët, mbi politikat, mbi atë kimi që herë ngjiz diell e herë hedh breshër. Një si ecje në tavanin mbi retë. Kjo i jep librit një kahje kohore të pakohë. Autori është i rreshkur në tragjedi, në tallandi e dhunë. Ai na sjell poezinë, na sjell dritën e Shën Gjergjt, shenjtit përtëritës.

Pas dimrave të rëndë, gjithmonë vjen kthimi përsëmbari i motit. Koha e shtimit të zogjve e të bagëtive, koha e begatimit me gjeth e me drith të ri të maleve e të dherave pjellore. Jemi bij të këtij planeti. U nënshtrohemi ligjeve të lashta e të përjetshme të tij. Jetojmë, vuajmë, gëzojmë këtu, në tokë. Kjo është një filozofi jetësore. “U thamë përditë, u zverdhëm nëpër natë/ Nën një copë hënë me kokë të varur drapër/ Po mundin na e di veç toka-mëmë,/ toka ku mbimë, ku hodhëm rrënjë”.

Në bisedë herë me nipin, herë me gjyshin e vdekur, autori do të ngrihet mbi të përditshmet, mbi dertet e plagët, për te një filozofi e ciklit jetik që ndjek rrjedhën nga gjyshi i dikurshëm te nipi i sotëm. Në faqen e fundit të librit vjen imazhi i një lejleku plak mbi kambanore, i cili, mbas një ngurrimi, vendos: “Po nisem me të gjallët, të ndjek jetën. Që vdekja të më gjejë në fluturim”. Është poezi e një jete dhe aty ka shumë vargje për njerëz të afërm, për miq, siç ka dhe poezi përçmuese për kohërat që sjellin më vete brenga e padrejtësi të pa ngushëlluara kurrë.

Nga realizimet më të trishtuara të librit është ajo me titull “Babait”. Babai i autorit u pushkatua si “armik i popullit” dhe mbeti i tillë armik edhe i vdekur. I biri e mbart atin e vdekur e të pa varr, e ngujon në gji. Korbat e kërkojnë të vdekurin dhe kafshojnë të gjallin. Plumbat, shefat e kuadrit, përgjuesit e zinj ndjekin të birin – njësh me të atin. Kjo gjallje-vdekje e pezullt e birit me atin përbrenda pret ditën kur të dy të flenë në qetësi. Poeti Qazim Shemaj poezinë “Babait” e quante një “diamant… të zi”./Memorie.al

BABAIT

“Ti nuk ke varr…!

Ti thellë vdekjes endesh.

Pa arkivol, pa rrasë, pa gur, pa ritual.

Sikur të të thërrisnin legjendat e ringjalljes

Mbi ç’kalë do të hipje, si do të vije, vallë?!

Ti nuk ke varr…

Ashtu, përgjakur plumbash,

Unë 40 vjet të mbajta ngujuar thellë në gji.

Rreth meje retë nxinin përzisht si në balada

Dhe korbat krakëllinin… Ç’llahtari!

Ti nuk ke varr…

Dhe korbat të kërkonin.

Kafshonin thellë meje për të të gjetur ty.

Një vaj I largët vinte përmallshëm nga baladat

Kur korbat hanin vetulla dhe sy.

Si të varros?!

S’mund të të shkul nga gjoksi.

Unë 40 vjet të mbajta ngujuar thellë në gji.

Dosjet e kuadrit, plagët, përgjimet bashkë i kemi.

Gjersa të dy të flemë në qetësi”. 

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 9 Tetor 2026

Next Post

“Balluku ishte i paaftë t’u jepte një përgjigje delegatëve, prandaj telefonoi Enver Hoxhën e Mehmet Shehun dhe u tha të ktheheshin menjëherë në Tiranë, pasi...”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

Artikuj të ngjashëm

Në shtator 1943, në Berat, gjermanët lëviznin lirshëm nëpër qytet dhe kjo marrëveshje u bë prej Gjin Markut dhe gjermanëve, nëpërmjet Iljaz Sevranit…”/ Letra Mit’hat Frashërit, për britanikët, prill ‘45
Personazh

Në shtator 1943, në Berat, gjermanët lëviznin lirshëm nëpër qytet dhe kjo marrëveshje u bë prej Gjin Markut dhe gjermanëve, nëpërmjet Iljaz Sevranit…”/ Letra Mit’hat Frashërit, për britanikët, prill ‘45

October 7, 2026
“Atë dita mbushja 10 vjeç dhe nata e parë që fjetëm në internim, ishte e tmerrshme, pasi fshatarët e kishin përdorur atë vend për banjë dhe kundërmonte vetëm erë…”/ Dëshmia e trishtë e Alma Liços
Personazh

“Kur profesorja e Solfezhit po mësonte të vilte pambuk nëpër arat e Lushnjës, një kooperativiste e dalluar e fshatrave të këtij rrethi, Lenka Çuko…”/ Historia e panjohur e tre kushërirave të Enver Hoxhës

October 6, 2026
In memoriam / Teodor Laço, rrëfimtari e protagonisti i letrave dhe politikës shqiptare
Personazh

In memoriam / Teodor Laço, rrëfimtari e protagonisti i letrave dhe politikës shqiptare

September 27, 2026
“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes dhe…”/ Refleksione mbi estetikën e ligjërimit të Prof. Dr. Spiro Qirko
Personazh

“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes dhe…”/ Refleksione mbi estetikën e ligjërimit të Prof. Dr. Spiro Qirko

September 23, 2026
DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ
Personazh

DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ

September 23, 2026
“Gjergj Kokoshi, kishte besim tek misionet anglo-amerikane në Shqipëri dhe influenca e tyre mbi qeverinë e Enver Hoxhës, për t’i bërë presion, për shtyrjen e zgjedhjeve…”/ Libri i studiueses dhe historianes së njohur
Personazh

“Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, tre ditë pa bukë e ujë, 20 ditë në çimento, pa shtrojë e mbulojë dhe…”/ Zbulohet letra e ish-deputetit të Shkodrës, Riza Dani, para pushkatimit

September 21, 2026
Next Post
“Balluku ishte i paaftë t’u jepte një përgjigje delegatëve, prandaj telefonoi Enver Hoxhën e Mehmet Shehun dhe u tha të ktheheshin menjëherë në Tiranë, pasi…”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

“Balluku ishte i paaftë t’u jepte një përgjigje delegatëve, prandaj telefonoi Enver Hoxhën e Mehmet Shehun dhe u tha të ktheheshin menjëherë në Tiranë, pasi...”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme