• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, November 12, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Edhe pse u gjend përballë një realiteti të vështirë ekonomik e shoqëror, Mirdita nuk iu bë asnjëherë një vend armiqësor, por…”/ Historia e panjohur e intelektualit kosovar që vuajti në burgjet e Enver Hoxhës

“Edhe pse u gjend përballë një realiteti të vështirë ekonomik e shoqëror, Mirdita nuk iu bë asnjëherë një vend armiqësor, por…”/ Historia e panjohur e intelektualit kosovar që vuajti në burgjet e Enver Hoxhës
“Edhe pse u gjend përballë një realiteti të vështirë ekonomik e shoqëror, Mirdita nuk iu bë asnjëherë një vend armiqësor, por…”/ Historia e panjohur e intelektualit kosovar që vuajti në burgjet e Enver Hoxhës
“Edhe pse u gjend përballë një realiteti të vështirë ekonomik e shoqëror, Mirdita nuk iu bë asnjëherë një vend armiqësor, por…”/ Historia e panjohur e intelektualit kosovar që vuajti në burgjet e Enver Hoxhës
“Edhe pse u gjend përballë një realiteti të vështirë ekonomik e shoqëror, Mirdita nuk iu bë asnjëherë një vend armiqësor, por…”/ Historia e panjohur e intelektualit kosovar që vuajti në burgjet e Enver Hoxhës
“Edhe pse u gjend përballë një realiteti të vështirë ekonomik e shoqëror, Mirdita nuk iu bë asnjëherë një vend armiqësor, por…”/ Historia e panjohur e intelektualit kosovar që vuajti në burgjet e Enver Hoxhës
“Edhe pse u gjend përballë një realiteti të vështirë ekonomik e shoqëror, Mirdita nuk iu bë asnjëherë një vend armiqësor, por…”/ Historia e panjohur e intelektualit kosovar që vuajti në burgjet e Enver Hoxhës

Nga Arif Ejupi

Pjesa e parë

– Refleksione mbi veprën e autorit Ymer Adem Llugaliu, i cili nuk pranoi ta shiste ndërgjegjen –

Memorie.al / Në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit XX, ekziston një kategori krijuesish, veprat e të cilëve nuk mund të kuptohen plotësisht pa njohur tragjedinë e jetës së tyre. Ata nuk ishin thjesht poetë, shkrimtarë apo intelektualë të përndjekur. Ishin njerëz që u gjendën përballë një zgjedhjeje ekzistenciale: të pranonin nënshtrimin për të siguruar një jetë më të qetë, apo të ruanin lirinë e mendimit duke pranuar pasojat e rënda të kundërshtimit. Në këtë kategori krijuesish bën pjesë edhe Ymer Adem Llugaliu (1936–2022), mësues, poet, studiues i gjuhës shqipe, poliglot dhe intelektual me formim të gjerë kulturor. Ai lindi në Surkish të Podujevës, nga prindërit Ademi dhe Arzija.

Gjithashtu mund të lexoni

“Miranda kishte dinjitetin dhe sjelljen e një zonje, sepse ishte dhe mbeti e tillë, sharmi aristokratik ia vinte më në pah, aty në internim në Kurbnesh mes maleve…”/ Refleksionet e publicisit dhe gazetarit të njohur

“Ata fëmijë, që jetonin mes maleve të ashpra, në një qytet të izoluar si Kurbneshi, ëndërronin të ishin Beni, ndërsa unë, Beni i ekranit, do të…”/ Historia e rrallë e aktorit të njohur

Që në fëmijëri, Ymeri u dallua për aftësi të jashtëzakonshme intelektuale dhe për dashurinë ndaj dijes, gjuhës dhe letërsisë shqipe. Qysh si nxënës në Progjimnazin e Podujevës, ai nisi të shkruante e të botonte krijime letrare, duke dëshmuar prirjen e hershme për artin e fjalës. Formimi i tij intelektual u thellua më tej në Universitetin e Tiranës, ku përfundoi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, me rezultate të shkëlqyera.

Pas përfundimit të studimeve, Ymeri priste të emërohej asistent në lëndët e fonetikës dhe të sintaksës, por u dërgua me detyrim të punonte si mësues në Mirditë, një ndër krahinat ekonomikisht më të pazhvilluara të Shqipërisë së asaj kohe. Kjo kthesë në jetën e tij përbën një moment me rëndësi të veçantë për të kuptuar personalitetin dhe krijimtarinë e mëvonshme të poetit.

Në vend që t’i jepej mundësia të vazhdonte veprimtarinë akademike, të cilës i ishte përkushtuar me shpirt. Llugaliu u gjend përballë një realiteti të vështirë ekonomik e shoqëror. Megjithatë, Mirdita për të nuk u shndërrua asnjëherë në vend armiqësor. Përkundrazi, banorët e kësaj krahine malore, ndonëse jetonin në kushte varfërie të skajshme, e pritën me bujari, respekt dhe ngrohtësi vëllazërore.

Në jetën e malësorëve të Mirditës, mësuesi i ri njohu dinjitetin, besën, mikpritjen dhe solidaritetin e njerëzve që, pavarësisht mungesave materiale, ruanin pasurinë shpirtërore.  Kjo marrëdhënie e ndërsjellë njerëzore la gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e tij. Ymeri nuk i pa nxënësit e Mirditës vetëm si fëmijë që duhej të mësonin gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Ai i konsideroi bartës të shpresës për një shoqëri më të arsimuar, më të drejtë dhe më njerëzore. Prandaj, në poezinë “NDERGJEGJE E NGRIME”, të shkruar më 1974, figura e mësuesit nuk shfaqet rastësisht. Ajo është themeli emocional dhe moral mbi të cilin ndërtohet gjithë poezia.

Nga dashuria për nxënësit, te zhgënjimi për shoqërinë

Poezia hapet me një rrëfim të thjeshtë, por jashtëzakonisht prekës:

“Fort i kam dasht
dikur nxansit e mij,
si poeti Lulin”.

Këto tri vargje zbulojnë natyrën e vërtetë të Ymer Llugaliut. Ai nuk e fillon poezinë me akuzë politike, me urrejtje ndaj persekutorëve apo me përshkrimin e vuajtjeve personale. E fillon me dashurinë. Kjo zgjedhje është shumë domethënëse. Për poetin, dashuria ndaj nxënësve është një prej përvojave më të pastra të ekzistencës njerëzore.

Krahasimi me poetin që do Lulin, sjell ndër mend Migjenin dhe botën e fëmijëve të varfër, të cilët bëhen përfaqësues të një shoqërie të privuar nga mundësitë e barabarta për jetë dhe zhvillim. Te Migjeni, fëmija shpesh shfaqet si viktimë e mjerimit shoqëror. Te Llugaliu, nxënësi është njëkohësisht viktimë e rrethanave dhe shpresë për kapërcimin e tyre. Kjo lidhje shpirtërore thellohet në vargjet:

“Nder lojnat e tyne
kam marr pjese si femij”.

Mësuesi nuk qëndron mbi nxënësit si një autoritet i ftohtë institucional. Ai zbret në botën e tyre. Merr pjesë në lojëra, gëzohet me gëzimin e tyre dhe përpiqet ta kuptojë jetën nga këndvështrimi i fëmijës. Ky është një koncept thellësisht humanist i edukimit. Në vend të marrëdhënies së mbështetur në frikë dhe disiplinë të verbër, Llugaliu vendos marrëdhënien e mbështetur në mirëkuptim dhe dashuri.

Vargjet: “Me buzqeshjen e tyne/ kam stolis zymtsine time”, përmbajnë një kontrast të mrekullueshëm poetik. Në njërën anë është buzëqeshja e fëmijëve, simbol i pafajësisë dhe i jetës. Në anën tjetër është zymtësia e mësuesit, që mund të lexohet si shenjë e përvojave të vështira, shqetësimeve dhe zhgënjimeve të tij.

Buzëqeshja e nxënësve bëhet kështu një burim drite në botën e brendshme të poetit. Folja ‘stolis’, ka rëndësi të veçantë artistike. Ajo sugjeron se dashuria e fëmijëve nuk e zhduk domosdoshmërisht dhimbjen, por ia ndryshon pamjen, duke i dhënë jetës një kuptim më të lartë.

Mësuesi si bartës i së ardhmes

Një nga figurat më origjinale të kësaj poezie shfaqet në vargjet:

“Me hallet e tyne jam ngarkue
mbi supe si hamall
ardhmenis nder bujtinat tona
valixhet me ja sjell”.

Këtu poeti krijon një metaforë të jashtëzakonshme të profesionit të mësuesit. Ai e krahason veten me një hamall që bart mbi shpinë peshën e halleve dhe të së ardhmes. Por kjo nuk është thjesht pesha e librave, e mësimeve apo e përgjegjësive profesionale. Është pesha e fatit të një brezi. Mësuesi e ndien veten përgjegjës për të ardhmen e nxënësve të tij dhe, përmes tyre, për të ardhmen e shoqërisë.

Figura e valigjeve të ardhmenisë është veçanërisht domethënëse. E ardhmja paraqitet si diçka që duhet të bartet, të sillet dhe të vendoset në shtëpitë e njerëzve. Në këtë mënyrë, dituria nuk është një zbukurim intelektual, por një pasuri që duhet t’u shpërndahet të gjithëve. Në kontekstin e Mirditës së varfër, ku Llugaliu punoi dhe jetoi mes banorëve të krahinës, kjo metaforë merr përmasa të fuqishme shoqërore.

Ai nuk dëshiron thjesht t’u mësojë fëmijëve leximin dhe shkrimin. Dëshiron t’u hapë dyert e një jete më të mirë. Prandaj dashuria e tij për nxënësit shndërrohet në një përgjegjësi qytetare. Mësuesi nuk është vetëm përcjellës i njohurive. Ai është bartës i shpresës.

Trëndafili dhe dielli – filozofia e shpresës

Në vazhdim poeti shkruan:

“Dashunin e çilet
me shpresa te pa thyeme
ne nji dite ma te mire,
si bindje e tranafilit
se ngrohtsi e diellit
gonxhet ja çel”,

Këtu poezia arrin njërin prej momenteve më të bukura lirike. Trëndafili, gonxhja dhe dielli krijojnë një sistem simbolesh të mbështetur në marrëdhënien mes natyrës dhe shpresës njerëzore. Trëndafili nuk dyshon se dielli do t’ia çelë gonxhet. Ky besim natyror shndërrohet në metaforë të besimit të mësuesit se arsimi, dashuria dhe përkushtimi do të mundësojnë zhvillimin e nxënësve. Në rrafshin filozofik kemi të bëjmë me një optimizëm humanist. Njeriu, sipas këtij botëkuptimi, nuk lind i dënuar të mbetet në errësirë.

Ai mund të zhvillohet dhe të përparojë nëse shoqëria i krijon kushtet e nevojshme. Por tragjedia e poezisë qëndron pikërisht në faktin se kjo bindje do të përballet me një realitet historik të kundërt. Në vend të diellit që hap gonxhet, shoqëria e sunduar nga frika dhe kontrolli politik prodhon mosbesim, heshtje dhe nënshtrim. Kështu, simbolika e natyrës së lirë vihet përballë një rendi shoqëror që kufizon lirinë e njeriut.

Tragjedia e besimit të thyer

Pjesa e parë e poezisë përfundon me një pohim tronditës:

“Kjo qe kur besova
pa asnji dreqni,
se ndigjuesit nder banka
jane nxansit e mij”.

Këto vargje përbëjnë pikën e parë të madhe të kthesës dramatike. Poeti dallon mes atyre që fizikisht ndodhen në bankat shkollore dhe atyre që, në kuptimin shpirtëror, mund të quhen nxënës të tij. Shprehja pa asnji dreqni nënvizon sinqeritetin e dikurshëm. Ai kishte besuar pa dyshime, pa prapamendime dhe pa hipokrizi. Por tani, nga pozita e një njeriu të zhgënjyer, ai e rishikon atë besim. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se poeti i akuzon nxënësit e vet për tradhti.

Përkundrazi, vargjet mund të lexohen si një pyetje më e thellë mbi aftësinë e një sistemi arsimor për të krijuar njerëz të lirë. A mjafton që një fëmijë të ulet në bankën e shkollës për t’u bërë nxënës i vërtetë i një mësuesi humanist? A mund të mbijetojë edukimi moral në një shoqëri ku mendimi i pavarur ndëshkohet? A mund ta ruajë njeriu personalitetin e vet kur prej tij kërkohet bindje ndaj një autoriteti absolut? Këto janë pyetjet që e shndërrojnë poezinë nga një kujtim personal në një meditim të gjerë filozofik.

Nga mësuesi i dashur, te i burgosuri politik

Për të kuptuar kalimin e ashpër nga lirizmi i pjesës së parë te revolta e pjesës së dytë, është e domosdoshme të merret parasysh jeta e autorit. Sipas rrëfimit biografik për Llugaliun, pas viteve të përkushtimit në arsim, atij iu vesh akuza politike e “agjitacionit dhe propagandës”. Në këtë akuzë u përfshinë edhe pretendime se qëndrimet e tij ndikonin në ftohjen dhe prishjen e marrëdhënieve me jugosllavët. Për një intelektual shqiptar me prejardhje nga Kosova, i cili kishte zgjedhur të jetonte në Shqipëri, duke ushqyer ideale kombëtare dhe kulturore, një akuzë e tillë kishte peshë të rëndë politike.

Ajo e vendoste njeriun në një pozitë ku mendimi, prejardhja dhe marrëdhëniet e tij personale mund të interpretoheshin si çështje sigurie shtetërore. Si pasojë e dënimit politik, Llugaliu kaloi vite të rënda burgimi, ndër të tjera në Spaç dhe Ballsh. Këto institucione ishin pjesë e sistemit të burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar të Shqipërisë komuniste. Por ajo që ka rëndësi për interpretimin letrar, është fakti se përvoja e burgimit nuk e zhduku vetëdijen krijuese të poetit.

Përkundrazi, kjo përvojë i dha poezisë së tij një dimension të ri. Mësuesi që kishte ëndërruar të ardhmen e fëmijëve tani përballej me një sistem ku liria e individit ishte e kushtëzuar nga besnikëria ideologjike. Në këto rrethana, poezia nuk ishte më vetëm art. Ajo u bë një mënyrë për të ruajtur personalitetin, kujtesën dhe ndërgjegjen.

Hekata, mitologjia dhe errësira e pushtetit

Pjesa e dytë hapet me thirrjen: “Mesho, mesho Hakate e zbet”! Kjo thirrje ka karakter dramatik dhe mitologjik. Hekata, hyjni e njohur nga mitologjia greke, lidhet me natën, udhëkryqet, magjinë dhe botën e nëndheshme. Përdorimi i figurës së saj i jep poezisë një atmosferë të errët, pothuajse tragjike. Në këtë kontekst, Hekata mund të interpretohet si mishërim simbolik i një fuqie që sundon nëpërmjet frikës dhe errësirës. Përsëritja; Mesho, mesho, krijon përshtypjen e një urdhri ritual, të një veprimi që përsëritet pandërprerë.

Kjo përsëritje sjell ndër mend mekanizmin e dhunës institucionale, ku shtypja e individit nuk është një rastësi, por pjesë e një funksionimi të vazhdueshëm. Poeti nuk e identifikon drejtpërdrejt Hekatën me një person të caktuar. Ai përdor mitologjinë për ta zgjeruar kuptimin e poezisë përtej një ngjarjeje të vetme historike. Diktatura nuk paraqitet vetëm si pushtet politik. Ajo shfaqet si një gjendje e errët e marrëdhënieve njerëzore.

Galeria e personazheve – anatomia morale e shoqërisë së deformuar

Një nga veçoritë më të rëndësishme të poezisë është përdorimi i figurave të njohura nga mitologjia, letërsia dhe tradita kulturore:

“Dinakve model epu Glaukun,
koprracve Gopsekun,
hipokritve Tartufin,
intrigantve Jagon,
vllavrasve Kainin
me dorzat e stines”.

Këtu Llugaliu krijon një galeri personazhesh që mishërojnë vese të ndryshme njerëzore. Gobseku i Balzakut përfaqëson koprracinë dhe pushtetin e parasë. Tartufi i Molierit është simboli klasik i hipokrizisë, veçanërisht i moralizimit të rremë. Jagoja i Shekspirit mishëron intrigën, manipulimin dhe shkatërrimin e tjetrit nëpërmjet mashtrimit.

Kaini, personazhi biblik, përfaqëson vëllavrasjen dhe shkeljen e lidhjes më themelore njerëzore. Përmendja e Glaukut mund të lidhet me horizontin klasik të autorit, megjithëse identifikimi i saktë i figurës kërkon një shqyrtim më të hollësishëm filologjik.

Rëndësia e kësaj galerie qëndron në faktin se poeti nuk përshkruan vetëm individë të këqij. Ai paraqet një shoqëri ku veset mund të kthehen në modele sjelljeje. Në një rend të tillë, hipokrizia shpërblehet, intriga përfiton, ndërsa ndershmëria dhe mendimi i pavarur shndërrohen në burime rreziku për individin.

Vargu me dorzat e stines, mund të kuptohet si një figurë e përshtatjes së vazhdueshme të së keqes me rrethanat. Veset ndërrojnë pamje, përdorin gjuhën e kohës dhe marrin forma të reja, por natyra e tyre mbetet e pandryshuar. Në këtë kuptim, Llugaliu kalon nga kritika e një sistemi konkret politik, në kritikën e mekanizmave të përgjithshëm të degradimit moral.

Kur heshtja bëhet kusht për mbijetesë

Në vazhdim lexojmë:

“Burrat le te mbyllen
nder kullat mesjetare,
jo, le te marrin kazmen
me nxjerr kercuna,
gojes me i vu tegel”

Këto vargje përmbajnë një ironi të mprehtë. Figura e burrit, që në traditën shqiptare lidhet me nderin, guximin dhe fjalën e dhënë, përballet me urdhrin për t’u mbyllur, për t’u larguar nga jeta publike dhe për të heshtur. Shprehja; “gojes me i vu tegel” është një metaforë e fuqishme e censurës. Tegeli përdoret për të bashkuar pëlhurat, por në poezinë e Llugaliut ai shndërrohet në mjet simbolik për mbylljen e gojës. Kështu krijohet një figurë pothuajse fizike e dhunës mbi fjalën. Nuk është fjala vetëm për ndalimin e botimit.

Është fjala për mohimin e së drejtës për të shprehur mendimin. Në një sistem ku fjala e lirë mund të sillte ndëshkim, heshtja bëhej mekanizëm mbijetese. Por, Llugaliu e përjetonte këtë heshtje, si një gjymtim të qenies njerëzore. Për një mësues të gjuhës dhe letërsisë, mbyllja e gojës ka një kuptim edhe më tragjik. Atij i mohohej pikërisht instrumenti themelor i profesionit dhe i identitetit: fjala.

Intelektuali përballë shkatërrimit shpirtëror

Veçanërisht të rëndë janë vargjet:

“Melankoliket mund
te shkojne ne çmendine,
intelegjentet lejohet
me e vra vehten”.

Këto vargje nuk duhen interpretuar si miratim i vetëshkatërrimit. Ato janë një shprehje e ironisë së zezë dhe e protestës morale. Poeti paraqet një realitet të përmbysur, ku shoqëria nuk i krijon njeriut mundësi për të jetuar me dinjitet, por e shtyn drejt izolimit, dëshpërimit dhe shkatërrimit. Veçanërisht domethënëse është fjala lejohet. Ajo krijon përshtypjen se edhe fati më intim i njeriut duhet t’i nënshtrohet një autoriteti që vendos çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë individi.

Kështu poeti demaskon absurditetin e pushtetit që pretendon të rregullojë gjithçka. Për Llugaliun, intelektuali nuk është vetëm njeriu që zotëron dije. Ai është njeriu që mendon, dyshon, gjykon dhe mban përgjegjësi për fjalën e vet. Prandaj shkatërrimi i lirisë intelektuale është njëkohësisht shkatërrim i dinjitetit njerëzor./ Memorie.al

                                                                 Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 12 Nëntor 2026

Next Post

“Ma ndryshuan emrin, se një primobalerinë s’duhet të kishte emër rus, por pas punës së lodhshme, shkoja në shtëpi dhe ngjisja ujë me kova në katin e 6-të...”/ Dëshmia e rrallë e legjendës së Operës dhe Baletit

Artikuj të ngjashëm

“Kur Agron Aranitasi, do vijë në Rrëshen për të sjellë fëmijët te ish- gruaja e tij, do përgjojmë banesën e Medin Çollakut, pasi ai…”/ Relacioni i Degës së Brendshme të Mirditës, qershor ’83
Personazh

“Miranda kishte dinjitetin dhe sjelljen e një zonje, sepse ishte dhe mbeti e tillë, sharmi aristokratik ia vinte më në pah, aty në internim në Kurbnesh mes maleve…”/ Refleksionet e publicisit dhe gazetarit të njohur

November 10, 2026
“Vëllai im Petriti, do fejohej me vajzën e Enverit, por Ramizi me Nexhmijen, e prishën atë, kishin frikë se pas vdekjes së udhëheqësit, babai, Kadriu,…”/ Raporti Sigurimit, me bisedën e Agron Hazbiut
Personazh

“Ata fëmijë, që jetonin mes maleve të ashpra, në një qytet të izoluar si Kurbneshi, ëndërronin të ishin Beni, ndërsa unë, Beni i ekranit, do të…”/ Historia e rrallë e aktorit të njohur

November 6, 2026
“Një nënë me një foshnje pesë muajshe në gji, po të drejtohem ty si prind, si baba fëmijësh, por edhe si baba të Partisë, pasi…”/ Letra e rrallë e të shoqes së Lazër Radit, drejtuar nga internimi Enver Hoxhës
Personazh

“Një nënë me një foshnje pesë muajshe në gji, po të drejtohem ty si prind, si baba fëmijësh, por edhe si baba të Partisë, pasi…”/ Letra e rrallë e të shoqes së Lazër Radit, drejtuar nga internimi Enver Hoxhës

November 4, 2026
DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ
Personazh

“Në dy udhëtimet që bëri Sartri në SHBA-ës, ishja përkëthenjsi i konferencavet të tija, si në Universitetin t’im në Indiana dhe në…”/ Historia e panjohur e “ballistit” të famshëm, që iku nga Shqipëria në 1944

November 3, 2026
“Më arrestuan bashkë më vëllanë, kapitenin e parë, Gajur Deralla, pasi Prefekti i Tetovës, Mynir Tërshana, me të cilin kisha folur, më spiunoi te gjermanët…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Tetova
Personazh

“Më arrestuan bashkë më vëllanë, kapitenin e parë, Gajur Deralla, pasi Prefekti i Tetovës, Mynir Tërshana, me të cilin kisha folur, më spiunoi te gjermanët…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Tetova

November 1, 2026
“Më 5 korrik 1950, Blanche paraqiti një kërkesë për mbrojtje juridike pranë organizatës për refugjatët dhe në formular ajo shkruante se…”/ Historia e panjohur e mbesës së parë të Ismail Qemalit
Personazh

“Më 5 korrik 1950, Blanche paraqiti një kërkesë për mbrojtje juridike pranë organizatës për refugjatët dhe në formular ajo shkruante se…”/ Historia e panjohur e mbesës së parë të Ismail Qemalit

October 30, 2026
Next Post
“Ma ndryshuan emrin, se një primobalerinë s’duhet të kishte emër rus, por pas punës së lodhshme, shkoja në shtëpi dhe ngjisja ujë me kova në katin e 6-të…”/ Dëshmia e rrallë e legjendës së Operës dhe Baletit

“Ma ndryshuan emrin, se një primobalerinë s’duhet të kishte emër rus, por pas punës së lodhshme, shkoja në shtëpi dhe ngjisja ujë me kova në katin e 6-të...”/ Dëshmia e rrallë e legjendës së Operës dhe Baletit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme