Nga Agim Popoci
Pjesa e parë
Memorie.al / Një analizë e Ministrisë së Jashtme Jugosllave, hartuar në vitin 1952, mbi raportet e shërbimeve sekrete në Shqipëri, botohet për herë të parë, duke hedhur dritë mbi shumë çështje, që lidhen me marrëdhënien mes dy vendeve, por mbi të gjitha parapërgatitjen për atë çka do të ndodhte më vonë në Kosovë. Gazetari Agim Popoci, përkthen dhe përshtat në gjuhën shqipe këtë raport sekret, duke e pajisur me shpjegimet përkatëse nën titullin “Parathënie e terrorit serb ndaj shqiptarëve”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Një libër që u vjen në ndihmë historianëve dhe studiuesve për të hedhur dritë dhe qartësuar disa elementë që kanë karakterizuar raportet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, si ka funksionuar agjentura në Shqipëri, si infiltrohej, sa paguhej, si edhe të rrëzojë disa mite në lidhje me disa figura të historisë shqiptare, si për shembull Ahmet Zogu, i cili u kthye në pushtet dhe rrëzoi qeverinë e Fan Nolit, pikërisht me ndihmën e jugosllavëve.
Siç me të drejtë e shpjegon autori i librit, në parathënien e tij, ishte ky rrjet i ngritur, politikat e ndjekura në periudhën mes dy luftërave botërore, që do t’i paraprinin veprimtarisë së komunistëve shqiptarë Popoviç, Mugosha e të tjerë dhe rolin e tyre në krijimin dhe zgjedhjen e lidershipit të Partisë Komuniste Shqiptare.
PARATHËNIE E TERRORIT SERB NDAJ SHQIPTARËVE
Është e njohur se Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ), nga viti 1939, kishte mandatin për komunistët shqiptarë. Për këtë arsye, në vitin 1941, komunistët jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, kanë qëndruar në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje, Bllazho Jovanoviç, më 13 tetor të vitit 1948, në Cetinje ka lënë këtë shënim:
“Nga fundi i shtatorit të vitit 1942, më ke thirrur (Tito-B.P.) në Gllamoç dhe unë kam ardhur nga Prozori. Atëherë më ke thënë se duhet të shkoj në Shqipëri, si delegat i Komitetit Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave, dhe meqë nuk mora përgjigje nga ‘Deda’, më duhet të pres ca ditë”.
Në letrën të cilën e mori pas disa ditësh në Pidrish, kur Jovanoviç ishte nisur me Dushan Mugoshën, shkruante: “Pas dakordimit me ‘Dedën’, ti duhet të shkosh në Shqipëri dhe detyra jote është: 1. Të zgjedhësh një Komitet Qendror të sigurt në Konferencën vendore të Partisë Komuniste të Shqipërisë; 2.
Të bartësh përvojën e Luftës Nacionalçlirimtare në rrethanat e atjeshme; 3. Mundohu që detyrimisht të depërtosh, sepse është e një rëndësie të madhe; Unë menjëherë – më 3 tetor – jam nisur në rrugë me shokun Dushan Mugosha dhe 15 shokë të tjerë, nga Mali i Zi.
Prej aty jemi nisur, unë, Dushan Mugosha dhe gjeneral-major Vojo Todoroviç. Atje kemi zhvilluar mbledhje partie dhe konferenca nga celulat deri te Konferenca I-rë vendore në Shqipëri, ku është zgjedhur Komiteti Qendror i Partisë Komuniste i Shqipërisë dhe u fillua me formimin e njësiteve ushtarake”.
Por, për shumë krime të komunistëve shqiptarë, pikërisht këta dy protagonistë, Milladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, do të rezultojnë si instruktorë të krimit, edhe pse prania e tyre në Tiranë, ishte e shoqëruar me zyrtarë të shumtë serbë, madje edhe me grada shumë më të larta se Popoviç e Mugosha.
Një analizë konfidenciale, e bazuar nga raportet e Shërbimit Sekret serb, e titulluar: “Shqipëria mes dy luftërave”, përveç se dëshmon se prania e tyre në Shqipëri nuk ishte rastësi, pavarësisht se trajtoheshin si vëllezërit serbë, tregon se ky ishte një epilog i një pune shumëvjeçare të një strukture të tërë, për të cilën ishin angazhuar edhe vetë kryeministrat serbë, me misionin e qartë, të shkeljes dhe okupimit të tokës shqiptare, me çdo çmim. Për fat të keq, në këtë çmim ishte përfshirë edhe terrori serb ndaj shqiptarëve.
Edhe kjo nuk ishte rastësi! Për territorin serb janë bërë studime të shumta, por këto dokumente sekrete nga Arkivat e Njësive Armiqësore dhe Instituti Historik Ushtarak i Armatës Popullore Jugosllave në Beograd, në bazë të të cilave është hartuar kjo analizë në 12 kapituj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, më 1952 në Beograd, përveçse japin shumë përgjigje në marrëdhëniet zyrtare Beograd-Tiranë, delegacionit shqiptar me urdhër të Beogradit, në Konferencën e Paqes në Paris, rolit të Zogut, rënies së Qeverisë Noli, etj.
Si dhe përdorimit serb të Republikës së Mirditës, themelimin e Kishës Orthodokse Shqiptare, protokollin e përcaktimit të kufirit të Shqipërisë dhe kujdesin e shtuar të Beogradit zyrtar në marrëdhëniet italo-shqiptare, si pengesë e vazhdueshme për “okupimin serb të tokës shqiptare”, dëshmojnë edhe për mendësinë e krijuar shtetërore serbe, kryesisht në bazë të këtyre raporteve të Shërbimit Sekret serb, pse terrori është mjeti i vetëm dhe i domosdoshëm për të mbajtur Kosovën dhe për të luftuar për të siguruar daljen në det, të paktën nga Shkodra.
Cili ishte qëllimi i hartimit të kësaj analize? Pas përplasjeve të para për pushtet të dy diktatorëve, Enver Hoxha – Josip Broz Tito, Shërbimi Sekret serb, UDB-a, vazhdoi punën në tokën shqiptare ku, përveç përfaqësisë diplomatike, punëtorët e saj në terren vazhduan me raportimet e rregullta drejt Beogradit. Por, si do të vazhdohet me Shqipërinë, e cila për momentin i kishte shpëtuar okupimit serb?
Kjo është pyetja, për të cilën më së shumti u shqetësua Beogradi zyrtar dhe kjo mund të jetë edhe arsye që u aktivizua i gjithë aparati shtetëror, për të hartuar një plan të mirëfilltë afatshkurtër dhe afatgjatë, për llogari të të cilit u hartua edhe analiza e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë: Shqipëria në mes të dy luftërave! Sa janë të besueshme të dhënat nga kjo analizë?
Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një dokument konfidencial për përdorim të brendshëm, ky dokument flet për bashkëpunëtorë shqiptarë të shtetit serb, me emër dhe mbiemër, që janë protagonistë të ngjarjeve shumë të rëndësishme. Sipas këtyre të dhënave, ata mund të bien ndesh ose të përgënjeshtrojnë fakte të shumta të historisë aktuale shqiptare, për çka opinionet mund të jenë të ndryshme.
Ama, çdo fakt nga ky dokument, që përcillet deri te shuma e parave të dhëna nga shteti serb për bashkëpunëtorin përkatës, mund të krahasohet me produktin ose zhvillimin e ngjarjes. Dhe kjo, pa dyshim që u takon historianëve, të cilët tashmë kanë në dispozicion këtë dokument të ri.
“Zbërthimi” që ky dokument i bën Konferencës së Paqes në Paris (1946), do të jetë një çështje shumë e rëndësishme për studiuesit, ashtu si edhe veprimtaria dhe bashkëpunimi i Beogradit me shqiptarët, nga Esad Pasha deri në vitin 1939.
Dëshmi konkrete për çështjen e Shën Naumit dhe Vrakës, luftimit të Komitetit të Kosovës dhe pamundësinë e blerjes së të vetmit shqiptar, i cili, siç thotë dokumenti, përveçse i papërmirësueshëm si anti-serb, mbeti edhe shqiptari i vetëm i pakorruptueshëm, Hasan Prishtina.
Ahmet Zogun, komunistët shqiptarë mund të vazhdojnë ta quajnë satrap e tradhtar për interesa të Serbisë, por nga kjo analizë ai nuk rezulton i tillë. Arsyet janë të shumta, madje Beogradi fajëson veten, pse Zogu “devijoi” nga Serbia drejt Italisë.
Për politikën, ekonominë, sigurinë, madje edhe Kishën Orthodokse shqiptare, Beogradi akuzon Zogun si mashtrues, por është ky i fundit që për herë të parë krijoi një politikë, ekonomi dhe siguri shqiptare ndryshe, ndërkohë që ky dokument i jep edhe meritat e panjohura deri më sot, për krijimin e Kishës Orthodokse Shqiptare Autoqefale…!/ Memorie.al














