Nga ERALD KAPRI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Midis oficerëve britanikë që luftuan dhe drejtuan operacione lufte në Shqipëri në vitet 1943-1944, tre prej tyre ishin nga më aktivët dhe që qëndruan më gjatë. Billi Meklein, Dejvid Smajli dhe Julian Amery. Fillimisht, dy të parët erdhën më herët në Shqipëri, në prill të 1943, dhe formuan Brigadën e Parë. Më pas ata u rikthyen në pranverë të vitit 1944, për të qëndruar për disa muaj pranë shtabit të Abaz Kupit dhe mijëra forcave të tij. Në përfundim të luftës, të tre oficerët hartuan një memorandum prej mbi 40 faqesh dhe ia paraqitën Ministrisë së Jashtme Britanike, ku raportuan me hollësi për misionet e tyre.
Memorandumi i tre ushtarakëve britanikë në Shqipëri, në 1944
BETEJA FINALE E NACIONALISTËVE
Pozicioni i nacionalistëve u përkeqësua gradualisht aty nga muaji gusht. Kupi nuk kishte siguruar furnizime nga britanikët dhe influenca e tij kufizohej tashmë në Krujë dhe në Shijak, ndërsa Fiqiri Dine nuk arriti të siguronte as para kesh dhe as furnizime nga gjermanët, të cilët duke qenë mosbesues ndaj shqiptarëve, iu kundërvunë edhe ballistëve, duke ekzekutuar Skënder Muçon me dyshimin se kontaktonte me anglezët dhe dëbuan disa ballistë nga Vlora drejt kampit të përqendrimit në Zemun.
Sidoqoftë, natyra e propozimeve të Smithit, pavarësisht nga dështimi në pamje të parë, fakti se një mision britanik vazhdonte të kishte besim te Kupi dhe shembujt e revolucioneve rumune e bullgare, ku figura të tilla borgjeze dhe pjesë- marrëse aktive si Maniu dhe Giorgiefi ishin pjesë e qeverive të reja, i nxitën ata të besonin se britanikët nuk kishin për qëllim të lejonin që Fronti Nacionalçlirimtar të siguronte monopolin e pushtetit të pasluftës.
Më 18 gusht, Fiqiri Dine dhe gjenerali Prenk Previzi, shef i shtabit të ushtrisë shqiptare, u takua me Kupin në Luzë për të kërkuar këshillën e tij, lidhur me politikën që duhet të ndiqnin. Kupi propozoi që së bashku me Gjon Markagjonin dhe ballistët, ata duhet të largoheshin nga Tirana me të gjitha forcat që kishin në dispozicion dhe të bashkoheshin me të në male kundër gjermanëve.
Fiqiri Dinen dhe Prenk Previzin duket se i joshi ky propozim, por vendosën që më parë të kërkonin mbështetje nga anglezët. Në përputhje me rrethanat, Kupi na informoi lidhur me këto negociata, të cilave ne iu referuam si Forca 399, duke qenë të pasigurt nëse një plan i tillë do të pajtohej me politikën ndaj Shqipërisë, që ne e dinim se ishte në diskutim e sipër.
Më 24 gusht, një tjetër takim u zhvillua në Tiranë me pjesëmarrjen e Fiqiri Dines, Shefqet Vërlacit, Qemal Vrionit, Nuredin Vlorës, Mid’hat Frashërit dhe Ali Këlcyrës, ku u vendos të pranoheshin propozimet e Kupit për Fiqiri Dinen, në rast se do të vinin ndihma nga anglezët.
Më 29 gusht, sipas udhëzimeve të Forcës 399, ne e informuam Kupin që t’ua transmetonte nacionalistëve të Tiranës se do të përgatiteshim për të marrë në konsideratë qëndrimin tonë ndaj tyre në rast se ata do të paraqisnin propozimet e tyre. Po më 29 gusht, Kupi na informoi se kishte vendosur të rifillonte operacionet kundër gjermanëve dhe t’i sulmonte në Durrës. (Një plan për të cilin ne ia kthyem mendjen, pasi majori Smiley (Smajli) e njihte mirë kapacitetin mbrojtës të këtij qyteti).
Më 31 gusht, Fiqiri Dine dhe qeveria e tij dha dorëheqjen. Më 2 shtator, me kërkesën tonë, Kupi u zhvendos në zonën e Prezës për të ndihmuar në shkatërrimin e trupave të Turkmenistanit, që gjendeshin mes Durrës dhe lumit Ishëm. Më 5 shtator, u morën udhëzime nga “Forca 399”; “për të bërë ç’është e mundur që Kupi të hidhej në luftë”.
Më 6 shtator, një çetë zogiste nën drejtimin e djalit të madh të Kupit, Petritit, së bashku me një skuadër ushtarake të Turkmenistanit, sulmoi dhe mori nën kontroll shtabin e një baterie gjermane, duke vrarë 10 gjermanë dhe duke sekuestruar materiale luftarake. Operacione të mëtejshme nga ana e forcave zogiste u kryen më 9, 10, 11, 12, 14, 20, 21 dhe 24 shtator.
Më 6 shtator, si rezultat i garancive që na u dhanë, liderët e Ballit – Mid’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Koço Muka dhe Vasil Andoni, u larguan nga Tirana për t’u bashkuar me Kupin, duke sjellë me vete rreth 600 forca nën drejtimin e Abaz Ermenjit, të cilat u vunë nën komandën e Kupit. Të njëjtën ditë, Fiqire Dine, Prenk Previzi dhe Hysni Dema, u larguan gjithashtu nga Tirana për t’u bashkuar me Kupin.
Më 9 shtator (4 ditë pasi ne ishim udhëzuar të bënim ç’është e mundur që Kupi të hidhej në luftë) dhe tri ditë pas fillimit të operacioneve, u morën udhëzime nga “Forca 399” që urdhëronin kolonel-lejtënant McLean, majorin Smiley dhe rreshterët Jones and Jenkins, të ktheheshin në Itali për të raportuar.
Udhëzimet bënin të ditur më tej se nuk do të dërgohej asnjë furnizim për nacionalistët dhe se kapiteni Amery, i cili ishte shefi i përkohshëm i misionit, duhet të vepronte si vëzhgues i paanshëm dhe të mos inkurajonte Kupin për të luftuar.
Këto udhëzime u konfirmuan dy herë në telegramet që pasuan, veçanërisht në fillim të luftës civile dhe më vonë kur dështimi i misionit të Smithit u bë evident, pikërisht atëherë kur ne mund t’i kishim braktisur nacionalistët me një lloj konsistence në dukje. Sidoqoftë, për ta bërë këtë në momentin më oportun kur vareshim nga udhëzimet dhe garancitë që na jepte autoriteti i “Forcës 399”, ata sërish kishin fituar terren ndaj gjermanëve, ne e gjetëm veten të ekspozuar ndaj akuzave të rënda për mungesë mbështetjeje dhe prerje në besë që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa.
FAZA E FUNDIT
Vendimi për të mos u siguruar nacionalistëve mbështetje materiale apo propagandistike ishte dhe goditja vdekjeprurëse ndaj kauzës së tyre. Të dëbuar nga pjesa më e madhe e territorit që ata kontrollonin më parë, të gjendur në luftë si kundër Frontit Nacionalçlirimtar (FNÇ), ashtu edhe kundër gjermanëve, pa të drejtën për të hyrë në Mirditë, ndaluar nga Gjon Markagjoni nëse ata nuk paguanin, dhe të paaftë për të siguruar më ndihmë nga tregtarët tiranas, nacionalistët u gjendën në një krizë së cilës nuk do t’i mbijetonin.
Ndoshta do të ishte plotësisht e vërtetë të thuhej se nga ky moment asgjë nuk ishte më e vlefshme, me gjithë ndikimin e tyre të vogël që gëzonin ende, përveç zbarkimit të trupave britanike të përgatitura për t’i mbrojtur nacionalistët të paktën nga forcat e Frontit Nacionalçlirimtar. Por kjo shpresë e fundit u shua kur u detyruam të refuzonim një kërkese të Abaz Kupit në kohën e zbarkimit në Sarandë, për t’u ardhur në ndihmë të drejtpërdrejtë në operacionet në Durrës dhe në rrugën Tiranë- Shkodër.
Më vonë, pasi ai e kuptoi që largimi ynë ishte tashmë i përcaktuar, ai filloi të shpërndante trupat e tij, një vendim për të cilin ne ishim këshilluar ta përkrahnim, duke mos qenë në gjendje t’i mbante ata në mënyrë të pavarur dhe njëkohësisht duke refuzuar të kërkonte mbështetje nga kolaboracionistët e mbetur.
Më 12 tetor, Kupi zmbrapsi një sulm të forcave gjermane kundër bazës sonë në Velesh (Mali Velës) dhe pak ditë më pas së bashku marshuam drejt ultësirës bregdetare pranë grykës së lumit Mat, në pritje të evakuimit. Ndërkohë mbërritën lajmet për një sulm të forcave Nacionalçlirimtare kundër forcave të Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut, për arrestimin e Seitit dhe majorit Simcox dhe vrasjen e Fundos.
Lëvizja nacionaliste tashmë kishte pushuar së qeni si një ekzistencë e organizuar. Kupi vazhdoi me shpërndarjen e forcave të tij dhe, kur ky proces kishte arritur një pikë të caktuar, ai na kërkoi të organizonim largimin e tij. Autorizimi që duhej për këtë nuk po mbërrinte, prandaj e këshilluam të siguronte një varkë dhe të largohej vetë, diçka që ai e zgjidhi vetë me sukses. Më 28 tetor, i gjithë misioni u largua me sukses përmes detit./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














