Dashnor Kaloçi
Pjesa e dhjetë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe perkusioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Raport-informacion i bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Vëzhguesi”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit
Duke më folur për parandjenjat e gruas së tij, më tha se sikur të kisha dëgjuar gruan, e cila më tha se të mos dilja të shëtis kur po zhvillohej Konferenca e Tiranës, nuk do të isha në Zvërenec. E pyeta: Po ti a akuzohesh për Konferencën e Tiranës? “Po’ më tha, ‘sepse kam biseduar me Ihsan Budon që ishte delegat, në pushimin e Konferencës dhe asgjë tjetër. Por sigurisht dyshojnë se mos ishte e organizuar Konferenca”, shtoi duke përsëritur “asgjë, asgjë” dhe duke kujtuar këshillat e gruas.
Peço Fidhi, është një element llafazan që e ka në majë të gojës majasëllin, gjithë ditën duke dërdëllitur dhe duke marrë njerëz nëpër gojë. Është shumë mëndje lehtë, mendoni, ky ka mbaruar për Filozofi Materialiste, e megjithatë gjithë ditën rri duke shtënë fall me letra dhe beson në fall, mbasi thotë se gruas së tij, një arixhofkë i paska gjetur me fall shumë gjëra. Nga bisedat, këngët dhe sjelljet e tija, të jep përshtypjen se është grek dhe jo shqiptar. Shkrihet kur hapet muhabeti për Greqinë. Çdo ditë paska dëgjuar Radio-Korfuzin, thotë: Këndon këngë greke, në majë të gjuhës e ka muhabetin për sjelljet e mira të grekëve me Shqipërinë në vitin 1940. Greko mania e tij arrin deri në budallallëqe, kur thotë se: “Qytetërimi grek nuk është arritur sot akoma në asnjë vend tjetër të botës”. Po siç duket e paska për traditë, mbasi na tregoi se një familjar i tij paska qenë i internuar në kohën e Zogut, si filogrek dhe kur paskan hyrë ushtarët grekë në Gjirokastër, ky paska hipur në Sheshin e Çerçizit: “Zito more, se plasa”!
Në muhabete dhe ironira ka patur shfaqje të hapta anti-sovjetike, p.sh., ka thënë: kur bisedonim për dashurinë dhe familjen në Bashkimin Sovjetik, më mirë të mos kesh familje se sa të jesh si familjet sovjetike. Tregon shpesh meselera vajzash sovjetike të korrupsionuara. Duke folur për divorcet në Shqipëri me ngjyrat më të zeza, tha: “Ky është një proces që nuk mund të ndalet në Leningrad. Veçanërisht në Leningrad ishin të mbushura me shpallje divorcesh”. Për letërsinë sovjetike, thotë se: duke përjashtuar disa romane kryesore, të tjerat nuk të tërheqin, fillojnë me oxhaqet e fabrikave. Edhe botimet tona, nuk bëkan asnjë dyshkë (me përjashtim të romanit të Petro Markos). Sa herë që kemi përmendur emrat e shkrimtarëve tanë, ose kuadrove të Universitetit, të gjithë u vënë nga një emër: “Gomar”, “Mut”, “Dallkauk”, “Servil”, e çfarë nuk nxjerrin nga goja!
Duke folur për aeroplanët me reaksion, mbasi i tregova se si lëndë djegëse mund të djegin benzol, ai tha: “Ahh benzol, a e dini se makinat e udhëheqsave nuk përdorin benzinë, por benzol. Edhe benzinën e kanë të ndryshme, ti nuk i din këto, se ke qenë brenda, por më mirë që s’i din, vetëm mos u çudit kur t’i dëgjosh”. Për vetëvrasjen e Mynyr Kokalarit, tha se atë e vrau…..dhe tani burri i botës është në Byronë Politike”!
I bisedon në mënyrë skandaloze rastet e divorceve në udhëheqësit, p.sh., atë të Jorgjie Premtit, të Haxhi Lleshit, të Myslym Pezës etj., duke theksuar se masat kundër divorceve nuk mund të kenë efekt kur nuk fillojnë nga lart. Po kështu ekzagjeron duke folur për jetën përrallore që paskan bërë ata që në kohën e triskave, kishin “Blloqet’. Që nga dita që u kthyen nga Vlora, ku sipas tij qenka marrë në pyetje në lidhje me Konferencën e Tiranës, vihet re njëfarë ftohje në mes të Peços dhe Pëllumbit, që të dy janë shumë të alarmuar.
Më 13 tetor, Peço erdhi me vrap, dyll i verdhë dhe pasi bisedoi me Pëllumbin, tha: “Shenjë e keqe, po vjen makina-burg, dikush arrestohet prej nesh, sigurisht unë”. Kur u pyet nga Gjovalini: “pikërisht pse ti”, tha: Sepse unë e di se në çfarë kallëpesh deshën të më fusnin në Vlorë kur më pyetën. Nën këtë tension qëndruan deri sa u err dhe kur pyetën përgjegjësin e rojës, se çfarë qe ajo makinë, na paskësh qenë auto-kinemaja, që kishte ardhur për të dhënë shfaqje në fshatin Zvërnec. Xhavit Qesja qëndron shumë gjakftohtë, i matur dhe rrallë merr pjesë në bisedime, tue qenë shumë i rezervuar. Vetëm këto raste ka pasur.
Duke folur për shkollën e Partisë në Moskë, ka bërë akuzim për dogmatizëm, duke thënë: “Vetëm prej profesor Denizovit mund të mësojshe diçka të re, nga pedagogët e tjerë, asgjë më tepër. Denizovi, tha që secili duhet të ketë personalitetin e vet, të shfaqi mendimin e vet mbi një çështje të dhënë, pavarësisht se si mund të mendojnë të tjerët”. Edhe Xhaviti merr pjesë me Peçon, në rastet e imoralitetit në Bashkimin Sovjetik: “Për mua është e poshtër dhe jo komuniste, që një vajzë të shoh pozitën për martesë, siç ndodh në Bashkimin Sovjetik”.
Na ka treguar se si së bashku me sekretarin e partisë së Qarkorit që studionin në shkollë, ka dalë për t’u takuar me dy vajza, se si tallesh ky me to…..! Duke biseduar me Peçon për mobiliet finlandeze dhe hungareze që paska blerë Vasil Nathanaili dhe Mihal Prifti, tha: “Ky është degjenerim”. Një ditë tha se në Tiranë, ka më shumë kurva dhe shtëpi publike ilegale se sa në kohë të Zogut. Duke fol për kuadrot, tha se: privatja lot shumë. Kuadrot as gjysmën e kohës së punës nuk e shfrytëzojnë, kanë halle ekonomike, kush mendon për lopën, kush për bahçen, nuk ua premton gjendja ekonomike.
Xhaferr Vokshi, e ka bërë zakon që të bisedojë si pleqtë: i lini këto muhabete, se këto janë pronë qeverie. Një ditë e pyeti Gjovalinin se çfarë nënshtetësie kishte: “Të paska zënë meraku’ i tha, ‘unë kam vetëm nënshtetësinë shqiptare”. Po në Gjakovë, i thamë, nuk ka qejf me shkue: Unë Gjakovën e kam në Fier, u përgjigj, kam gruan dhe fëmijët. Kur Peço hapi çështjen e triskave dhe ‘Blloqeve’, Xhaferri tha: “Hallaile, mos m’i përmend blloqet, ç’mu desh mua që bisedova për blloqet, rri or budalla në punën tënde”. Një ditë Xhaferri hapi çështjen e shkollave shqipe në Kosovë, atëhere Xhaviti e pyeti: “Pse paska shkollë shqipe në Kosovë, gazetat tona kanë shkruar se s’ka”. Xhaferri i’u përgjigj: “Si s’ka shkollë shqipe, a se thonë gazetat: Jo në Kosovë që ka, por edhe në Zadar ka shkollë shqipe. Ata (Jugosllavët), nuk janë budallenj, don me mësue atë që mendoj unë, na mësoje me gjuhën tënde”? Xhaferi shoqërohet më shumë me Rasim Tahirin, jo vetëm pse paskan qenë njoftë në Kosovë, por edhe për komedirat që bëjnë këtu.
Rasim Tahiri: Ky është një tip kokëderri, inatçi, sarkastik. Kurrë nuk merr pjesë në diskutime. “Unë or vëlla’, thotë ‘dua me shkue te shtëpia në kullat e të ris kalamajtë”. Vetëm njëherë kur i tregova se si u rrah me një zogistë “Bishtuku” në burg, më tha: “Allah, shumë muhabet është bë në shtëpi të tij, hajt ti se i di unë punët e krajlnive na thonë te “Bishtuku”, por s’paska pas ditë kurrgjë”. Kur fillon ndonjë bisedim, ai ja fillon ngërdheshjeve me gjuhë e me sy. Përsërit shpesh këto fraza boshe: “Ka pas thënë Gjergj Mullaga”, “fundi i dalt për hair”, “atë ka piku tavani”, e shumë llafe të tjera shkodrane.
Nuri Huta, ky nuk para flet, rrinë më i larguar, tregohet i habitur për gjërat që ndigjon, mbasi ky ka qenë në burg më parë.
Më datën 15/X/1958 “VËZHGUSI”
Informata u shtyp në 6 kopje, njëra do t’i jepet kolonel Januz Mersinit për ta parë dhe të tjetrit do të vendosen në dosjet e secilit.
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, major Gole Bashari, me të dhënat e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra në Ishullin e Zvernecit, nga të internuarit: Xhevit Qesja, Pëllumb Dishnica, Peço Fidhi, Nuri Huta, Gjovalin Luka, Xhaferr Vokshi, Rasim Tahiri, etj.
I N F O R M A T Ë
Prej datës 11/X/1958 deri më 24/X/1958
Gjatë këtyre ditëve është biseduar nga personat e poshtëshënuar këto çështje:
Peço Fidhi: ka qëndruar në pritje të gruas së tij dhe të tjerët muhabetin e kanë bërë rreth ardhjes së gruas të Peços, tue thënë Peçoja se të shtunën do vij, mbasi nuk i erdhi të shtunën, Peçoja është sëmurë. Por këtë zemërim nuk e ka shfaqur, por ka thënë: “Vetë në mënyrë zyrtare, më thanë se do ta dërgojmë gruan”. Peçoja, mbasi e pyeti Gjovalini: pse kërkon kaq me këmbëngulje që të vijë gruaja, Peçoja tha se: kam nevojë për të, mbasi kam një punë misterioze, prandaj mos më pyetni pse ngul këmbë që të vijë gruaja. Peçoja, duke qëndruar me Rasim Tahirin dhe Xhafer Vokshin, ju ka thënë se: ç’mu desht mua që të shkoja tek Hulusi Spahiu, kur partia kishte marrë masa kundër tij, tha ç’mu desh të shoqërohem me Pëllumb Dishnicën e me Nikon (Emigrant Jugosllav), kjo doli nga Peçoja, se është pyetur për këta persona dhe Xhaferi tha që Peçoja e ka rëndu Pëllumb Dishnicën.
Gjithashtu Peçoja tha se e ka biseduar kur ishte profesor në Tiranë, me Vasil Micin, e dy sekretarët e tjerë, Njiazi Jaho e atë që është sot N/Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorës dhe për këtë, thotë Xhaferi, se kur ranë nga vendet që kishin, sigurisht që Peçoja i ka denoncuar.
Peçoja, duke biseduar mbi prerjen e marrëdhënieve midis Egjiptit e Tunizisë, tha që: Naseri është anti-komunist i tërbuar dhe një Duçe i dytë. Këtë ja kundërshtuan Xhavit Qesja e gjithë të tjerët. Duke biseduar me Nuri Hutën mbi çështjet shkencore e filozofike, Peçoja tha që: Vishnski është demaskuar shumë nga Lisenko dhe i konsideroj të pa vlefshme punën e tyre, kurse Gjovalin Luka, ja kundërshtoj duke i thënë se: për ato që kanë bërë kanë meritat e tyre dhe për gabimet që kanë bërë, Partija i kritikon. Peçoja tha që Historia e Partisë Komuniste e Bashkimit Sovjetik, nuk punohet në shkollën e Partisë në Bashkimin Sovjetik. Këtë ja ka thënë Xhavit Qesja.
Këtë Peçoja e ka marrë se historia e P.K. të B.S. është hequr mbasi ka shumë gabime, kurse në Shqipëri historia e P.K. e B.S. nuk është hequr dhe këtu venë në pikëpyetje. Peçoja thotë se: tashti Stalini duall strateg, kurse në Kongresin e XX-të u kritikua rëndë, d.m.th., se po shikohet dhe puna e Stalinit dhe për këtë Xhavit Qesja, nuk qe dakord, dhe tha që vendimet e kongresit po zbatohen. Përsa i përket qëndrimit të Peços me Pëllumb Dishnicën, tashti rrinë më rrallë dhe nuk bisedon si më përpara, por më datën 20/X/1958 kanë shkuar bashkë në pyll dhe kanë qëndruar rreth një orë.
Për Peçon nuk kanë opinion të mirë këta persona: Nuri Huta, thotë që është pa karakter. Gjovalin Luka, thotë është provokator dhe do të ketë marrë njerëz në qafë. Xhafer Vokshi, thotë se do ketë ngarkuar njerëz që të shpëtojë vetë, nuk ka besim tek Peçoja. Tashti Gjovalini ka filluar t’i afrohet Rasimit, por nuk bisedon me të.
Gjovalin Luka: ka thënë se: në Tiranë zien përsëri dhe se çuditem që Kin Dushi nuk po shkruan. Këtë ja ka thënë Rasimit. Gjithashtu ka thënë që as për kongresin e XXI-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, nuk do e kemi punën më lehtë por më rëndë, në u bëftë, këtë e tha mbasi Rasimi i tha që ishalla me rastin e Kongresit XXI-të, na lirojnë. Përsa i përket çështjes ekonomike, Gjovalini thotë që: anëtarët e kooperativës bujqësore nuk kanë ndonjë të ardhur të mirë, por si nënpunësa të vegjël dhe këtë ja vërtetoj dhe Xhafer Vokshi, tue pru si shembull Ballshin.
Xhafer Vokshi, thotë se ka qëndruar me Petro Bullatin, por nuk thotë se ç’ka biseduar. Gjithashtu thotë se sa ka bërë Frano Jakova aq ka bërë dhe Filip Jakova e Kolë Jakova, por ata kanë ditë me ruajt veten dhe kanë bërë autokritikën. Tashti nuk flet fare Xhaferri, por thotë: kam fol ç’ka kam fol, por këtu nuk flas, mbasi të folurit më pruni këtu. Por thotë se ai që do flas këtu dhe po të më pyesin se ai që do flas këtu dhe po të më pyesin se çka kanë folë në Zvërnec, unë i them. Xhaferri thotë se ka ndej me Nurinë në Ballësh gati çdo natë, por nuk ka biseduar gjë, kjo për mendimin tim nuk është e vërtetë.
Pëllumb Dishnica: ky nuk flet, rin, këto ditë i është hequr frika, rin i qetë.
Xhavit Qesja: ky nuk flet, rin e dëgjon më tepër. Por i është bë merak ardhja e nënës së tij dhe mos takimi me Xhavitin dhe këtë e mendon se e ëma, thotë se do ja ken mbytur djalin!
Nuri Huta: që kur ka ardhë Peço nuk flet, por bën ma tepër muhabete mjekësi dhe shkencore. Peço Fidhi lëvdon shumë Braho Toton, i cili rin në Fermën “Çlirimi” në Fier dhe thotë se dënimi i Brahos, si element anti-sovjetik, nuk ka qenë i drejtë, sigurisht Peço ka biseduar me Brahon.
Dt.24/X/1958 “VIGJILENTI”
Shënim: Implikimi për Braho Toton u nxuar dhe i’u dërgua Fierit.
Major Gole Bashari
Masat operative:
Të shtypet në 5 kopje. Nga një kopje të vendoset në dosjen e secilit dhe një kopje t’i jepet udhëheqjes. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
PUNËTORI OPERATIV
N/Kolonel(Raqi Zavalani)
Tiranë më 3/XI/1958
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016