Nga Dashnor Dervishi
Pjesa e parë
Memorie.al / Në Romë mbërritëm më 14 shtator 1988. Periudha prej katër vjetësh e qëndrimit në Itali, do të kthehej në sprovën më të vështirë dhe më të rëndësishme të veprimtarisë sime në marrëdhëniet me jashtë. Roma, në vitet që do pasonin, do të kthehej në qendrën kryesore të referimit të të gjithë spektrit shoqëror, ekonomik dhe politik të shqiptarëve, në marrëdhëniet me jashtë. Italia u kthye në “Far Westin” e shqiptarëve. Më shumë se çdo herë tjetër, në atë periudhë u bë reale shprehja se “të gjitha rrugët të shpien në Romë”.
Ngjarjet që po ndryshonin Europën, në Shqipëri kishin trokitur shumë më herët se në vendet e tjera të Lindjes. Në Ambasadën Italiane në Tiranë kishin mbetur të ngujuar 6 pjesëtarët e familjes Popaj qysh prej 12 dhjetorit 1985 dhe nuk kishte asnjë shenjë për zhbllokim të situatës.
Edhe në Itali kishin ndodhur ngjarje të rëndësishme historike. Krizat nën ndikimin e Luftës së Ftohtë, që kishin tronditur opinionin me zbulimin e strukturave paramilitare të së djathtës, të njohura me emërtimin “Gladio”, me rrëmbimin dhe vrasjen e Aldo Moros dhe historitë me “Brigadat e Kuqe”, ua kishin lënë vendin kompromiseve të mëdha historike, duke krijuar për herë të parë në historinë e Italisë një koalicion qeverisës midis demokristianëve të Arnaldo Forlanit e Xhulio Andreotit dhe socialistëve të Bettino Craxit.
Në Italinë demokratike po frynin erërat e reformave akoma më të thella, që do sillnin furtunën e prokurorit Di Piero. Pavarësisht nga krizat dhe ndryshimet e shpeshta të qeverive, që ishin bërë një dukuri normale, në Itali kishin ndodhur disa ndryshime cilësore.
Në rrethin diplomatik në atë kohë qarkullonte historia me Presidentin amerikan Xhorxh Bush, që përjetoi ndryshimin e qeverisë gjatë ditëve të vizitës së tij në Itali. Habisë së tij se si ka mundësi të ndodhnin këto gjëra kaq shpesh në Itali, Kraksi iu përgjigj se, po ta dinim, nuk do të na ndodhnin.
Italia konsiderohej si partneri kryesor i Shqipërisë, por ngjarja në Ambasadë me familjen Popaj pothuaj i kishte ngrirë marrëdhëniet, megjithëse bëheshin përpjekje artificiale për ta injoruar atë, duke e shtyrë zgjidhjen nëpërmjet “lodhjes” me kalimin e kohës. Dhe në fakt lodhja kishte bërë efektet e saj.
Përpara se të nisesha në Romë, bëra disa takime me ambasadorin italian në Tiranë, De Andreis, në kuadrin e njohjeve dhe shkëmbimit reciprok të informacioneve. Ai kishte zëvendësuar ambasadorin italian, Françesco Carlo Gentile, që kishte përjetuar fillimin e ngjarjes dhe ndihej viktimë e kësaj situate.
Tek ambasadori De Andreis pashë lodhje dhe nervozizëm. Ai shprehte jo vetëm nervozizmin e tij, por edhe atë të pjesëtarëve të familjes Popaj, me të cilët kohët e fundit pothuaj nuk arrinte të komunikonte. Nga të gjitha palët kishte një mungesë të madhe besimi. Nga ana tjetër, kishte humbur edhe besimi në gjetjen e një rrugëdaljeje, që në pamje të parë dukej se e dëshironin të gjithë.
Them në dukje, sepse zhvillimet e mëvonshme treguan se ngjarja me familjen Popaj ishte vetëm preludi i ngjarjeve që do të ndodhnin më vonë. Me sa duket, ajo që nisi në Shqipëri ua la vendin ndryshimeve të dhimbshme në Rumani, ndërsa Shqipëria do të kufizohej me kalime të buta, vetëm me histori ambasadash.
Largimi i familjes Popaj në maj 1990, do të pasohej me dyndjen masive nëpër ambasada më 13 korrik të po atij viti e do të përfundonte me largimet në mënyrë spektakolare të më shumë se 5.500 qytetarëve me 6 anije drejt brigjeve të Italisë.
Motrat Popa, Maria dhe Zhaneta
Është interesant për t’u vënë në dukje fakti se, paralelisht me ngjarjen në Ambasadën Italiane në Tiranë, pavarësisht me dyndjen masive jo vetëm të gjashtë anijeve të para, por edhe të disa trageteve e mjeteve të tjera lundruese drejt Italisë, marrëdhëniet midis qeverive, që pasuan njëra-tjetrën në Tiranë dhe asaj italiane, jo vetëm që nuk patën ndonjë krizë, por përkundrazi, ato u karakterizuan nga një frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, që erdhi gjithnjë në rritje, deri në mars të vitit 1992. Dukej sikur zhvillimet dhe ndryshimet e mëdha në Shqipëri po i përjetonim të dyja vendet së bashku.
Disa ditë para se t’i dorëzoja kredencialet Presidentit të Republikës, më 16 shtator, mora takim me Drejtorin e Protokollit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Franco Ferreti, për t’u njohur me procedurat e ceremonisë. Me ambasadorin Ferreti ishim miq të vjetër, pasi kishim qenë së bashku në Meksiko. Ai ishte transferuar në atë post disa ditë para se të merrja edhe unë emërimin në Itali.
Në Ambasadën Italiane në Meksiko, kur ne ishim në një aktivitet të përbashkët, ndodhi e njëjta ngjarje si në Tiranë. Një grup meksikanësh u futën me forcë në Ambasadën Italiane, për t’i bërë presion qeverisë së Meksikës, për realizimin e kërkesave të tyre. Ambasadori Ferreti u kthye urgjentisht në ambasadë dhe pa asnjë hezitim kërkoi ndërhyrjen e forcave të rendit për nxjerrjen e tyre. Ngjarja u mbyll pa bujë.
Ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti Francesko Cossiga u bë më 27 shtator 1988. Takimi dhe biseda me Cossigën ishte mjaft e ngrohtë dhe miqësore. Në atë takim ai do të shprehte njëfarë afiniteti me vendin tonë, “që ndodhej përtej Adriatikut, brigjet e të cilit ka raste që shikohen nga ato të Brindisit; afërsia dhe historia e përbashkët që kemi na bëjnë të ndihemi si kushërinj, pavarësisht nga ftohje të përkohshme”, tha Cossiga.
Më vonë, gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në Itali, Presidenti asnjëherë nuk m’u drejtua me titullin si ambasador, por gjithmonë me “cugino”. Takimet dhe bisedat me Presidentin Cossiga u bënë të shpeshta. Ai nuk hezitonte të priste çdo delegacion që vinte nga Shqipëria, edhe kur protokolli nuk e përmbante nivelin. Po ashtu, ai bëri dy vizita të njëpasnjëshme në Tiranë.
Në fillimet e para, ministër i Punëve të Jashtme ishte Giulio Andreotti. Ndërsa interlokutori im më i shpeshtë ishte Bruno Bottai, sekretar i përgjithshëm i MPJ-së, një funksionar me autoritet në MPJ, jo vetëm si një përfaqësues i vjetër i demokristianëve, por edhe për emrin e njohur që kishte trashëguar nga familja e tij Bottai dhe me një karrierë të gjatë e të rëndësishme diplomatike.
Bottai ndiqte më nga afër çështjen shqiptare dhe me të takoheshim sa herë kishim komunikime të rëndësishme. Me kalimin e kohës, me ndryshimet e qeverive, këta funksionarë u ndërruan me të tjerë. Ndërsa si pikë kontakti e përhershme mbeti Pietro Ago, specialist në MPJ, që mbulonte edhe Shqipërinë në Drejtorinë e Ballkanit. Edhe ky vinte nga një familje e njohur nga rrethet demokristiane.
Një personazh interesant që vinte nga rrethet e majta ishte senatori Serri, anëtar i Komisionit të Jashtëm në Senat, i cili kishte marrë pjesë në delegacionet e para që kishin qenë në Shqipëri, menjëherë mbas ndodhisë në Ambasadë dhe ndiqte me njëfarë shqetësimi dhe preokupimi situatën për zhbllokimin e saj, duke marrë e dhënë me ide e propozime, herë si të tijat e herë si të sugjeruara, por që me kalimin e kohës do të dilte gjithnjë e më shumë jashtë loje.
Në takimet e mia të 6 – 7 muajve të parë, është e kuptueshme që krahas shkëmbimit të mendimeve dhe përpjekjeve për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, gjendja e bllokuar në Ambasadën Italiane në Tiranë qëndronte si hije në çdo hap, dhe synimi për gjetjen e rrugëve të zgjidhjes ishte një synim parësor.
Zgjidhja nuk mund të bëhej vetëm me skema apo me shkëmbimin e propozimeve e kundër-propozimeve, të cilat kishin arritur pothuaj në ezaurim të plotë dhe herë pas here ktheheshin andej nga kishin filluar, duke ardhur rrotull brenda një rrethi vicioz.
Nisma për hedhjen e hapit fillestar drejt lëshimeve reciproke dhe vendimmarrja kërkonte edhe një ambient e atmosferë më bashkëpunuese e mirëbesimi, kërkonte më shumë tolerancë, por edhe garanci për më shumë perspektivë për liberalizimet që do të vinin më pas, pa “lënduar” sedrën e ndërhyrjes në punët e brendshme.
Në tetor të vitit 1988, situata kishte arritur deri në këtë formulim:
Pala shqiptare: ishte e gatshme të pajiste të gjashtë anëtarët e familjes Popaj me pasaporta shqiptare dhe t’i shoqëronte deri në aeroport, për t’u larguar me avion në drejtim të Italisë.
Pala italiane: nga frika dhe dyshimi se autoritetet shqiptare mund të arrestonin anëtarët e familjes, sapo ata të dilnin nga territori i Ambasadës Italiane, edhe nën presionin e familjes Popaj, nuk e pranonin këtë variant, por kërkonin që të shoqëroheshin nën petkun e imunitetit diplomatik, të shoqëruar nga diplomatë të ambasadës, nga dalja prej ambasadës deri në hipjen në avion.
Në datën 16 nëntor 1988 arrita të siguroj një takim me Bettino Craxi-n, i cili ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste Italiane. Në koalicion me Partinë Demokristiane, kishte disa ministra në qeveri, ndërmjet të cilëve edhe Ministrinë e Jashtme.
Gjatë bisedës, përveç shprehjes së vullnetit të mirë për bashkëpunim si dy vende fqinj, u prek edhe çështja e ambasadës dhe familjes Popaj.
I propozova që të bënte një vizitë në Shqipëri dhe me këtë rast mund të bëhej protagonist i zhbllokimit të situatës dhe nismëtar i fillimit të një faze të re në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. I pëlqeu ideja dhe në parim e miratoi propozimin.
Në praninë time mori në telefon Giulio Andreotti-n dhe i kërkoi mendim. Ai, mesa duket, nuk i dha ndonjë përgjigje të prerë dhe la një takim me të, për ta diskutuar më mirë. Mua më tha se do të më njoftonte më vonë për vendimin që do të merrte. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














