Pjesa e dytë
Memorie.al / CIA ka zbardhur synimet që kishte Bashkimi Sovjetik për Shqipërinë gjatë bashkëpunimit të tyre në vitin 1954. Sipas një dokumenti të de klasifikuar, Moska po synonte që ta forconte Shqipërinë, për shkak të pozitës gjeografike. Më tej tregohet se si Mehmet Shehu u bë kryeministër me urdhër të tyre.
Shkurt 1950
Rregullore
Fermat individuale me deri në dhjetë kokë bagëti ose dhi për hektar, duhet t’i dorëzojnë shtetit 1.25 kg. lesh, ndërsa ato me 21 deri në 40 kokë, duhet të dorëzojnë edhe 0.7 kg. më shumë. Fermat kolektive të bagëtive duhet të dorëzojnë te shteti 0.4 kg. lesh për çdo kokë dele ose dhi.
Rezidentët qytetarë që zotërojnë pesë ose më pak bagëti, nuk janë të detyruar të dorëzojnë lesh. Leshi i dorëzuar sipas kuotave të mësipërme, duhet të jetë i pastër dhe i prerë nga gjedhët lokale, i thatë dhe me jo më shumë se 3 për qind lëndë të huaj. Leshi nga bagëtitë e ngordhura ose të pista, nuk pranohet.
Dorëzimet e detyrueshme të kuotave të leshit duhet të bëhen brenda datës 30 korrik, përveç rasteve kur individët ose fermat kanë afatin e tetorit. Fermat që nuk kanë bagëti mund të lejohen nga i plotfuqishmi të shlyejnë detyrimet e tyre në produkte të tjera sipas kësaj shkalle të krahasimit; 1 kg. lesh i barabartë me 5 kg. mish, katër kilogramë mish shpendësh, 60 vezë, 800 gramë gjalpë, 7 kg. fasule, 1 kg. dhjamë, 24 kg. drithë, ose 1 kg. vaj ulliri.
Çdo person që nuk plotëson kuotat e tij të dorëzimeve, pëson konfiskime të menjëhershme nga i plotfuqishmi. Ata që refuzojnë të bëjnë dorëzimet, fshehin apo shkatërrojnë leshin, ndiqen penalisht për pengim të tregtisë, spekulim, spiunazh dhe sabotazh. Fermerët që zotërojnë deri në 40 kokë lope, duhet t’i dorëzojnë shtetit 32 kg. mish për çdo hektarë tokë.
Plani i misrit
Sipas të dhënave të komitetit bujqësor, plani i mbledhjes së misrit në të gjithë Shqipërinë është realizuar në masën 71.1 për qind. Rezultate të mira u arritën në rrethin e Gramshit, ku plani u realizua në 94.6 për qind, Pogradec 86.5 për qind, në Peshkopi 88.3 për qind dhe në Korçë 85.2 për qind. Në zonat e tjera fushata e korrjeve ishte mbrapa me organizimin e punës. Në Vlorë plani u realizua në vetëm 48.3 për qind, në Fier 53.5 për qind, në Lushje 57 për qind dhe në Tepelenë 64.6 për qind. Afati i fundit për dorëzimet e misrit ka kaluar tashmë dhe komitetet ekzekutive të zonave shkelëse, duhet të marrin masa serioze edukative dhe organizative kundër kulakëve që pengojnë realizimin e planit.
Sipas vendimit të këshillit të ministrave të 31 dhjetorit 1949, pas realizimit të planit të dorëzimeve bujqësore, është e lejueshme shitja e lirë e tepricave të thekrës, tërshërës, elbit dhe produkteve të tjera dytësore në rrethet e Burrelit, Lushjes, Elbasanit, Beratit, Pogradecit e Tiranës. Vendimi lejon dhe shitjen e lirë të tepricave të misrit në rrethet e Pukës e Burrelit, pas realizimit në 100 për qind të planit të dorëzimeve.
Shkurt 1954
Hotelet dhe hanet
Në Shqipëri nuk ka hotele në pronësi private apo me administrim privat, ato të gjitha zotërohen dhe administrohen nga shteti. I vetmi hotel luksi në Shqipëri është hotel Dajti në Bulevardin Shqipëria e re. Ai është ndërtuar nga italianët në vitet 1944-1945, ndërsa tani përdoret për rezidencën e misioneve të huaja diplomatike ose të qytetarëve të privilegjuar shqiptarë si deputetë, anëtarë të komitetit qendror të partisë, ose drejtorë fabrikash e institucionesh. Çmimi për një dhomë është 300 lekë nata. Tirana ka gjithashtu hotele ku mund të qëndrojnë të gjithë qytetarët, që mund të bëjnë pagesën 100 deri në 200 lekë nata.
Dhomat janë me energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm. Në disa hotele dhomat kanë banjë private. Përveç rreth dhjetë hoteleve, në Tiranë është dhe Bujtina e Shoqatës së Invalidëve, fitimet e së cilës shkojnë për Shoqatën e Invalidëve. Në qytetin e Durrësit ka vetëm tre hotele: “Vollga”, Hotel “Adriatik” dhe “Shtëpia e Beqarit” ku mund të akomodoheshin vetëm oficerët e forcave të armatosura dhe pagesat u zbriteshin nga rrogat. Në Shkodër ka tre hotele me rrymë elektrike dhe ujë të rrjedhshëm, Hotel “Kafja e Madhe”, Hotel “Internacional”, Hotel “Ballkan”. Në qytetin e Kukësit ka dy hotele të njohur si “Hoteli 1” dhe “Hoteli 2”. Dhe në qytete të tjera të vogla të Shqipërisë hotelet mbajnë numra e, jo emra.
Hanet
Hanet janë tipi i cilësisë së ulët të hoteleve dhe ndodhen zakonisht në periferi të qyteteve të mëdha ose në qendra të vogla dhe nuk kanë as rrymë elektrike, as ujë të rrjedhshëm. Në rrethinat e Tiranës ka tre-katër hane, një në Kukës dhe tre në Shkodër. Dhomat e tyre ndriçohen me llamba vajguri dhe kanë legenë për larje. Ato nuk kanë as krevate të ndara dhe njerëzit rastis që flenë dhe 10-15 veta në një dhomë. Çdo klient merr vetëm dy batanije nga i zoti i hanit, dhe fle në rrogoz kashte. Çmimi për një person është 50 lekë nata ndërsa po aq kushton dhe strehimi i kafshës së tij të transportit ose të punës.
Dokumentacioni i kërkuar
Për t’u akomoduar në hotel nevojitet letërnjoftimi. Nëpunësi i hotelit shënon të gjitha të dhënat dhe ia kthen letërnjoftimin të zotit. Oficerët e Sigurimit mund të kontrollojnë hotelet gjatë natës, ose dhe dhomat e klientëve nëse ka dyshime për çifte të pamartuara. Sipas rregulloreve të hotelit, vetëm çiftet e martuara mund të qëndrojnë në një dhomë hoteli dhe për këtë duhet të kenë me vete dokumentin e celebrimit. Nëse një person nga Tirana shkon për shembull në Kukës, ai nuk ka nevojë të lërë letërnjoftimin në hotel.
Në qytezat e vogla nuk ka hotele ose hane dhe një qytetar i zakonshëm mund të gjejë akomodim vetëm duke trokitur në dyert e shtëpive dhe të kërkojë mikpritje. Kjo mënyra zakonisht sjell rezultat në veri të Shqipërisë, ku mikpritja i jepet çdokujt sipas rregullave të fesë myslimane, ndërsa në jug të Shqipërisë, situata varet nga zgjedhja e çdo familjeje.
Administrata e hoteleve
Hotelet shtetërore administrohen nga ndërmarrja tregtare e hoteleve e restoranteve e vendosur pranë ish-kafe “Berlin” në Bulevardin “Shqipëria e Re”. Ajo ndihmohet nga ndërmarrja tregtare e Vesh-mbathjes në “Rrugën e Barrikadave” dhe nga ndërmarrja e artikujve të përzier, në furnizimet e hoteleve e restoranteve, si dhe nga kooperativat e ndryshme për furnizimet ushqimore.
20 gusht 1954
Rekrutim i agjentëve në Durrës e Bari
Zyra jonë ka marrë informacione që prej pranverës se ka pasur një rritje të aktivitetit ushtarak e politik në Shqipëri. Situata të bën të besosh se Bashkimi Sovjetik mund të ketë ndërmend të përdorë pozitën gjeo-strategjike të Shqipërisë, më shumë nga sa besohej më parë. Prandaj ne kemi përqendruar burimet dhe personelin tonë për marrjen e informacione shtesë.
Informacione të besueshme
Gjatë muajve maj-korrik 1954, jemi siguruar nga burimet dhe me anë të observimeve se aktiviteti i trafikut detar mes BRSS-së dhe Shqipërisë, është shtuar shumë. Ka pasur shtim të materialeve të transportuara drejt Shqipërisë, i konfirmuar nga një burim i krijuar së fundmi. Ngarkesat e mallrave në portin e Durrësit janë shtuar dhe provat fotografike tregojnë se ka nisur puna në instilacionet e mbrojtjes.
Tre mjete detare janë dalluar së fundmi, një pranë Durrësit dhe dy në Vlorë, të vëzhguara nga mjetet e marinës italiane dhe të konfirmuara nga burimi ynë i ri në Durrës. Shtim të aktivitetit ka pasur edhe në qiejt shqiptarë, duke përfshirë stërvitje ajrore gjatë ditës në Durrës. Fuqia e personelit ushtarak sovjetik në Shqipëri është shtuar në 400 njerëz, ndërsa disa ushtarakë shqiptarë janë dërguar për stërvitje dhe trajnim në bazën sovjetike të Odesa.
Disa zyrtarë të forcave ajrore janë dërguar për stërvitje në Sevastopol. Kohët e fundit ka nisur një riorganizim i gjerë i forcave të armatosura shqiptare. Një numër ushtarakësh nga Gjermania Lindore ka ardhur në Shqipëri në rrugë detare nga Gdynia. Është raportuar prezenca e tre nëndetëseve ruse në ujërat shqiptare, teksa raportohet se së shpejti marina sovjetike do të kalojë një luftanije, tre korveta dhe tre barka më të vogla ushtarake, për ushtrinë shqiptare.
Aktiviteti politik
Padyshim, Enver Hoxha është zëvendësuar në postin e kryeministrit nga Mehmet Shehu, me urdhër të sovjetikëve. Ndryshime ka pasur dhe në organe të tjera të administratës, duke shtuar mjetet e kontrollit për sovjetikët si në nivele të larta edhe më të vogla. Duke pasur parasysh këtë situatë, mund të arrihet në konkluzionet se Bashkimi Sovjetik nuk e konsideron më Shqipërinë si një bazë të largët të pambrojtshme, por përkundrazi, duket se po përpiqet ta forcojë Shqipërinë ushtarakisht dhe politikisht, për ta kthyer në një pikë të shfrytëzueshme të zonës gjeografike të një aleance të re Ballkanike.
Sinjalizimet tregojnë se shfrytëzimi ushtarak i Shqipërisë mund të bëhet vetëm për qëllime ofensive, gjë që bie në kundërshtim me ritmin e ngadaltë politik dhe ekonomik të së shkuarës, që të bënte të besoje se strategjia sovjetike kishte vetëm qëllime mbajtjeje. Rikujtojmë se informacioni i referohet vetëm disa zonave të Shqipërisë, dhe për periudha kohe të caktuara. Por është logjike të supozojmë se rritja e aktivitetit të mësipërm mund të shtrihet në të gjitha zonat e Shqipërisë.
Monitorimet dhe rekrutimet
Operacione tona në Shqipëri aktualisht janë në faza të ngadalta, duke u fokusuar në ruajtjen e shërbimit të korrierëve me mjete detare, monitorimit të mjeteve italiane që kalojnë në portin e Durrësit. Kjo kryhet me anë të kontakteve me pronarët dhe kapitenët e mjeteve, duke arritur 54 ditë monitorimi, në një periudhë 90-ditore.
Kemi depërtuar gjithashtu në sektorin detar në Bari, i cili ka kontakte me Shqipërinë. Duke parë rritjen e interesit rus në Shqipëri, propozohet edhe intensifikimi i përpjekjeve tona në atë vend, duke nisur me shtimin e personelit për të përhapur rrezikun mbi vëzhguesit e monitoruesit e mjeteve.
Rekomandohet rekrutimi i të paktën katër njerëzve të trajnuar si makinistë e operator radio, për të operuar nga barkat që ndalojnë në portet shqiptare. Hapa duhet marrë për shtimin e kontakteve me pronarët e barkave që përdoren dhe ofrimi i formave të shpërblimit për pronarët, në këmbim të riskut të përfshirë, pasi deri tani u kemi ofruar naftë nga pikat e furnizimit. Sugjerohet që një barkë e kontrolluar nga shërbimi, me instilacione të veçanta dhe ekuipazh të zgjedhur, të punojë kundër Shqipërisë në Vlorë, në zonën e Porto-Palermos.
Një tjetër mjet i ngjashëm me të parin, mund t’i lejojë vetes të kapet nga forcat shqiptare, në mënyrë që të njohim metodat e sigurisë dhe të marrjes në pyetje, nga observuesit tanë profesionistë. Burimi ynë i ri në Durrës duhet të shfrytëzohet më intensivisht, duke siguruar se shpërblimi financiar do të paguhet te familja e tij. Agjenti ynë në Bari gjithashtu duhet të shfrytëzohet më shumë dhe duhet caktuar një shpërblim i rregullt për të.
Korrik 1965
Lufta psikologjike
Për shumë arsye popullatat e vendeve të bllokut sovjetik nuk preken nga fushatat e luftës psikologjike, pasi kushtet aktuale dhe mendësia popullore ndaj BRSS nuk i përshtaten teknikave të luftës psikologjike të përdorura njëzet vjet më parë. Kjo nuk do të thotë se në këto vende nuk ka disidencë apo grupe disidence. Por fjalët e vetme nuk mjaftojnë për të ndryshuar mësimet e hidhura të mësuara ngjarjet në Berlin në 1953 dhe Hungari në 1956, të cilat kanë sjellë gradualisht një regjim të përgjithshëm indiference dhe kompromisi mes popullit dhe regjimit.
Duhet të merret gjithashtu në konsideratë se vitet e fundit, me përjashtim të Bullgarisë e Shqipërisë, vendet lindore kanë arritur të miratojnë politika që reflektojnë interesat kombëtare, përkundër atyre që i interesojnë BRSS-së apo Bllokut sovjetik në tërësi. Pakënaqësia me BRSS-në për shumë aspekte të sistemit, është e përhapur gjerë por dallimi mes disidencës dhe rezistencës konkrete është i madh.
Prill 1977
Situata Jugosllavi-Greqi
Raportimet e javës së fundit nga Ballkani tregojnë për mundësinë e veprimit gueril të BRSS-së ndaj Jugosllavisë. Një veprim i tillë supozohet të nisë fillimisht drejt Maqedonisë nga Bullgaria, ku janë grumbulluar rreth 4.000 jugosllavë anti-Tito, si dhe nga grupe më të vogla disidentësh jugosllavë në Shqipëri dhe Hungari. Reagimi i mundshëm i Titos ndaj veprimeve të tilla do të ishte i ashpër prandaj mund të rezultojë dhe një sulm ushtarak ndaj Bullgarisë, që nga ana e tij do të sillte luftë të hapur mes satelitëve Ballkanikë. Ndërkohë, marrëveshjet e fundit mes Jugosllavisë dhe Evropës Lindore, tregojnë se Kremlini ende nuk ka ndërhyrë për pezullimin e lidhjeve të Jugosllavisë me vendet e orbitës sovjetike.
Arritjet e fundit të Aleancës së Atlantikut Verior dhe sfida e hapur e Titos ndaj BRSS-së po japin efekt në Evropën Lindore, me një rritje të shpresave të jo-komunistëve për një çlirim eventual nga kontrolli i Moskës. Por në të njëjtën kohë BRSS-ja po shtrëngon masat për forcimin e bastioneve komuniste në rajon. Elementet jo-komunistë tani besojnë se Perëndimi ka shprehur vendosmërinë e tij për të ndaluar përhapjen e komunizmit dhe rrjedhimisht do të nxisë çlirimin e Evropës Lindore.
Kjo lloj mendësie edhe pse e bazuar vetëm te dëshira, do të shtohet, sidomos në vendet kufitare të Bllokut komunist si Suedia, Gjermania, Austria e Italia. Ndërkohë edhe BRSS-ja po merr masat e tij për forcimin e komunizmit, eliminimin e influencave perëndimore etj. Në lidhje me propagandën e përforcimit të ideologjisë së tij, BRSS-ja duket se ka nisur një fushatë antisemite në mbrojtje të superioritetit të kulturës dhe racës ruse.
Hebrenjtë kanë qenë gjithmonë një grup i dukshëm jo-rus dhe i hapur ndaj influencave të huaja, prandaj dhe janë një objekt i thjeshtë demonizimi. Autoritetet ruse kanë ndaluar disa publikime hebreje si dhe kanë sulmuar shkencëtarë të veçantë hebrenj e anëtarë të inteligjencës, duke i etiketuar si “kozmopolitanë të pastrehë” apo; “endacakë pa pasaportë”. Kjo ndoshta ka si qëllim nxitjen e emigrimit të tyre të detyrueshëm në koloninë hebreje Birobixhan në Siberi.
Jugosllavia
Raportimet për prezencën e mundshme të rreth 4.500 jugosllavëve të armatosur anti-Tito në Bullgari, tregojnë për intensifikimin e fushatës ruse anti-Tito dhe përgatitje të mundshme për nisje të fushatës guerile nga Maqedonia. Këto forca do të ishin një instrument i dobishëm në rast fushate guerile, të ngjashme me atë të pas-luftës në Greqi, nga Shqipëria. Grupe më të vogla disidentësh po organizohen gjithashtu në Hungari dhe Shqipëri. Disa transmetime të kohëve të fundit në radion bullgare kanë përmendur trajtimin e padrejtë të maqedonasve nga Tito, çka mund të jetë propagandë për nxitjen e veprimit direkt./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















