Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e Përgjithshëm Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Edhe pse rendi i ditës ishte paracaktuar në tre pika kryesore, ku predominonte ajo për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, pothuaj gjatë gjithë punimeve të atij plenumi (sidomos te pika 4, “Të ndryshme”), u diskutua dhe u debatua ngjarja e atyre ditëve, e njohur ndryshe si “2 korriku i ambasadave”. Në atë plenum ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretarët e parë të komiteteve të partisë të rretheve, ministra, kuadro kryesorë të sektorit të arsimit, kulturës, shkencës, ekonomisë, drejtues të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së, Radio-Televizioni, ATSH-ja etj., mungonin Nimet Cani, Ali Vukatana, Reiz Malile, Shpëtim Çaushi, Zylyftar Ramizi, Qemal Lame, Zef Loka, Pirro Kondi dhe Hekuran Isai, të cilët prej disa ditësh ishin “në terren”, duke “menaxhuar”, ngjarjen e ambasadave.
Pas hapjes së mbledhjes nga Ramiz Alia, fjala iu dha ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushit, i cili mbajti dhe raportin përkatës, (“Për përsosjen e sistemit arsimor dhe forcimin e mëtejshëm cilësor të shkollës”), kryefjala e atij plenumi ishte “ngjarja e ambasadave”, duke diskutuar dhe analizuar me detaje se si dhe pse ndodhi ajo, (“roli i agjenturave të huaja”), e deri tek detyrat që dilnin për menaxhimin e asaj situate në ato ditë të nxehta korriku, ku mbi pesë mijë shtetas shqiptarë nga të gjithë rrethet e vendit, ndodheshin në ambientet e brendshme të disa prej ambasadave kryesore në Tiranë, në pritje të largimit nga Shqipëria.
Përveç kësaj, gjatë gjithë asaj mbledhje, por kryesisht në pikën nr. 4 të rendit të ditës, (që u diskutua në seancën e fundit), u morën në analizë edhe disa prej ngjarjeve kryesore që kishin ndodhur në rrethe të ndryshme të vendit gjatë atij viti, si; protestat në Shkodër në muajin janar për heqjen e bustit të Stalinit; ngjarjet në qytetin e Kavajës ku populli i atij qyteti u përlesh me forcat e policisë; arratisjet masive nga kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë e Greqinë, grumbullimet masive në vende të shenjta fetare, si Kisha e Shën-Ndout në Laç të Kurbinit; lejimi me ligj i besimeve fetare dhe hapja e objekteve të kultit; apo probleme të tjera që shtroheshin për zgjidhje, si; bisedimet e faktorin ndërkombëtar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës, Bashkimin Sovjetik, (bisedimet e zhvilluar me zv. ministrin e Jashtëm sovjetik në Sofie nga Sofokli Lazri); problemi i Kosovës; presioni ndërkombëtar për hapjen e Shqipërisë me botën dhe aderimi i saj në disa konventa ndërkombëtare; privilegjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së e familjeve të tyre që jetonin kryesisht në “Bllok”; fjalët që qarkullonin në popull për familjen e Enver Hoxhës dhe raportet e Ramizit me Nexhmijen; ndryshimi i legjislacionit dhe kodit penal; lirimi i të burgosurve politikë; pisja me pasaporta e shtetasve që kërkonin të dilnin si vizitorë tek të afërmit e tyre jashtë vendit; mekanizmi i ri ekonomik; strehimi dhe zënia me punë e shumë shtesave në të gjitha rrethet e vendit; dhënia e tokës dhe bagëtive fshatarësisë kooperativiste; e deri të furnizimi i popullsisë së qyteteve me produktet bazike ushqimore e mallrave të ndryshme industriale.
Siç do të shohim dhe nga dokument arkivore që i përkasin plenumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat theksojmë se publikohen për herë të parë, përveç udhëheqjes dhe disa prej funksionarëve të lartë të asaj kohe, në atë mbledhje kanë diskutuar apo janë përmendur edhe disa figura të tjera të larta që vazhduan karrierën e tyre politike edhe pas viteve ’90-të, si p.sh.; Skënder Gjinushi, Fatos Nano, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Gramoz Pashko, Spiro Dede, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Mehmet Elezi, Lisen Bashkurti, Koço Kokëdhima, Ylli Popa, Aleks Luarasi etj.
Po kështu në dosjen voluminoze të këtij plenumi, me mjaft interes janë edhe ato dokumente që i përkasin sekretarëve të Komiteteve të Partisë së rretheve apo “Grupit të informacionit” të cilët kanë shkuar në të gjitha rrethet e vendit dhe kanë evidentuar të gjitha problematikat kryesore që kanë dalë në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku është diskutuar “Mbi letrën e Komitetit Qendror”, dokumente që përbëjnë dhe pjesën më të madhe dhe gjithashtu më të rëndësishme të dosjes në fjalë. Madje mund të thuhet nga më të rëndësishmet të gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, pasi ajo periudhë kohe me ngjarjet që u zhvilluan, shënoi dhe prologun e rënies së atij regjimi.
Po kështu me mjaft interes janë dhe dokumentet që i përkasin seancës së fundit të asaj mbledhje me pikën nr. 4 të rendit të ditës “Të ndryshme”, e cila përbën edhe pikën më të nxehtë të gjithë plenumit, ku u diskutua, madje me debate të ashpra, edhe lirimi nga detyrat dhe nxjerrën në pension të tre anëtarëve të Byrosë Politike (Rita Marko, Manush Myftiu dhe Prokop Murra), apo lirimi nga detyrat ministrore apo funksionet e tjera të larta që mbanin prej vitesh të disa “udhëheqësve” të tjerë, si Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Lenka Çuko, Vito Kapo, Pirro Kondi, Jovan Bardhi, etj., dhe emërimin e “shokëve të rinj” në udhëheqjen e forumet e larta të Partisë dhe Shtetit, si; Xhelil Gjoni, Abdyl Backa, Niko Gjyzari, Kiço Mustaqi, etj. Lidhur me këto etj., na njohin dokumente në fjalë të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
RAPORT-INFORMACIONI I SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT TË VLORËS, HALIL HASKO, DËRGUAR SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, RAMIZ ALIA
KONKLUZIONE E DETYRA QË DALIN NGA DISKUTIMI I LETRËS SË KQ TË PARTISË.
Sakrificat janë nga më sublimet, nga 70 mijë partizanë, afro gjysmën e lamë në fushën e nderit. Në qëndrimin ndaj këtyre elementëve t’i shkojmë edhe më tej, t’i heqim nga ajo punë e t’i çojmë në punë më të vështira, të mos u ndahemi, s’a t’u zbulojmë lidhjet dhe organizimin. Ajo pastaj i çon edhe para gjyqit të popullit. Dhe këto të mos ja lënë vetëm Degës së Punëve të Brendshme, kritikën ndaj të cilave Partia e ka bërë të qartë e duhet të reflektojnë me shpejtësi. Militantizmi dhe vigjilenca popullore janë shumë më tepër se sa disa “Degë” të marra së bashku.
Armiku përgatit skenarë pas skenarësh. Organizoi ngjarjet e ambasadave. Finalen, që të krijohen kampe refugjatësh brenda vendit, nuk e realizoi. Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ua dogji kartat në duar, por sidoqoftë për situatën e brendshme dhe imazhin e Shqipërisë në botë, pasojat nuk ishin të mira. Edhe nga rrethi ynë 26 veta u futën në ambasada, 60 të tjerë shkuan në Tiranë me këto motive. Nga elementë rrugaçë e të gënjyer, arriti puna që këto mendime të shpreheshin edhe hapur, të komunikojnë nga një qytet në tjetrin. Dëgjojnë komunistë, kuadro e familjarë në lagjet e qytetit të Vlorës, në Nartë, Selenicë e gjetkë, por ç’bënin?
Një pjesë u vu në pozitat e sehirxhiut, e të atij që pret ç’do të ndodh, apo të transmetuesit, se dëgjova kështu e dëgjova ashtu. Komunisti, kuadri, shoku, i afërmi nuk është asnjëherë i tepërt për atë që do, t’i flas e ta kthejë në rrugë të mbarë. Shqetësim e të tilla kemi e mund të nxiten përsëri nga armiku. Detyra komuniste e qytetare është t’i marrim vesh, t’i thërrasim e të këshillojmë edhe shoqërisht dhe zyrtarisht në qendrën e punës e në lagje, kudo të krijojmë një front të vetëm unik. Në këtë çështje nuk ka vend për asnjë lloj nënvleftësimi. Të dallojmë ligjin nga norma morale.
Në qoftë se ligji arratisjen e quan shkelje të paligjshme të kufirit, moralisht ne e quajmë tradhti ndaj Atdheut. Pyetim: nga ç’norma morale u nisën organizatat-bazë të Partisë të Parkut të Tregtisë, NG Çimentos etj., që ndaj prindërve komunistë që ju ikën fëmijët në ambasadat mbajtën qëndrime zbutëse?! Përse duhet të thirren disa herë sekretarët e tyre në Komitetin e Partisë? Nuk është e kuptueshme se komunistë të tillë nuk mund të luajnë rolin e agjitatorit, frymëzuesit e organizatorit të masave.
Pas ngjarjeve të ambasadave skenari i ri i armikut është të nxit pakënaqësitë në njerëzit tanë, që të ngrihen kundër pushtetit. Këtu shfrytëzohen dhe disa mungesa e dobësi tonat. Kemi mungesa në mallra, thatësira po na dëmton rëndë, pa mohuar dhe zvarritjet e të metat e organizimit. Detyra jonë është që të mos lemë asnjë të bjerë në prehrin e armikut. Tentativat t’i mbytim që në embrion, duke përgatitur opinionin në Parti. Por a jemi gjithmonë e për gjithçka në krye të këtij opinioni? Në uzinën e sodë-PVC-së disa elementë negativë gjejnë terren e mbledhin punëtorët për disa kërkesa të jashtëligjshme, sepse komunistë e një pjesë e kuadrove ishin prononcuar vet me ta.
Të tjerët thoshin: “Dëgjuam diçka, por nuk e morëm vesh mirë”. Punë Partie, militantizëm e vigjilencë është kjo? Sigurisht që jo. Shoku Osman Jazaj si kandidat i Byrosë së Rrethit duhej të kishte vlerësuar më me seriozitet situatën. Këto simptoma u shfaqën qysh në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve me rastin e sqarimit të disa problemeve politike. Në vend që të nxirrte konkluzione, qëndrimi i tij ishte disi justifikues. Forcimi i punës së Partisë e veçanërisht rritja e frymës militante për ne nuk kanë të reshtur. Letra dha efektin e saj, por nuk ka vend për eufori e kapadaillëk se “armiku u mund”.
Këto janë mendime të gabuara e mendjelehta. Intensiteti i luftës ndaj nesh varet nga taktikat e armikut. Tani jo më pak po synon edhe fshatin. E pa që me dhënien e bagëtive e zgjerimin e oborrit mbi 60% e popullsisë u qetësua, i forcoi lidhjet e besimin te Partia. Prandaj armiku përpiqet të përçajë, të verë në konflikt me Partinë dhe pushtetin popullor, duke shfrytëzuar psikologjinë e pronës private. Parullat se “do prishen kooperativat” në disa fshatra ndikoi në shumë. Ngrihen fshatarë nga Gumenica të marrin toka në Mavrovë.
Në Trevllazër e Sevaster mbi këto motive i fryjnë ndarjes së kooperativës etj. Armiku do të vazhdojë të nxisë, të shpifë, të denigrojë, të bëj të pakënaqur. Veçanërisht tani kjo i intereson shumë për të larguar vëmendjen nga Jugosllavia dhe terrori në Kosovë. Kjo situatë na tërheq të gjithëve për vigjilencë, edhe për vete edhe për Kosovën që i ka sy të nga Shqipëria. Kuadrot të jenë të organizuar në turne, me organizim të punojnë e të vigjilojnë edhe komunistët. Sy të e veshët hapur. Të japim përgjigje çdo momenti e tentative të qëllimtë.
Shoku Ramiz këto ditë do të niset në OKB. Kjo është një ngjarje e rëndësishme. Atje do të mbaj edhe fjalim. Me dashurinë e krenarinë për udhëheqësin tonë të dashur, për misionin fisnik që po kryen për popullin e tërë komb in tonë, në këto kushte të vështira historike, ne të përgjigjemi menjëherë. Të punojmë, të shprehim mbështetjen e solidarizimin tonë, aq më tepër me vigjilencë, unitet e gatishmëri, me disiplinë e organizim të lartë në punë.
- Të rritim punën organizative të Partisë për zbatimin e detyrave të Plenumit të 10-11-të të Komitetit Qendror në fushën e ekonomisë.
Gjithë njësitë e ushqimit social dhe të frutave e perimeve në ndërmarrjet tregtare, prej 1 shtatorit, kanë kaluar me llogari më vete. Po ashtu edhe njësitë e shërbimit artizanal në qytet e në fshat, 10 ndërmarrje kanë kaluar pjesën më të madhe të sektorëve etj. Para një muaji u organizua një përgjithësim në Ndërmarrjen e Mish-Qumështit. Eksperienca e deritanishme është e pakët, por e përgjithshmja është tendenca e forcimit të njësive bazë, me një administratë qendrore më të reduktuar.
Ka një rritje të përpjekjeve për bazën materiale dhe shqyrtim më të kujdesshëm të shpenzimeve. Është rritur numri i “llogaritarëve” sepse ka interesim edhe nga punëtorët. Edhe ndërmarrjet që nuk janë futur kanë kryer studime për strukturën organizative, përmirësimin e raportit midis punëtorëve prodhues e punëtorëve ndihmës etj. Legjitimiteti, mekanizmi ekonomik, nuk mund të themi që është kuptuar. Studimet për shtimin e prodhimit, për përsosjen tekniko-teknologjike, për shfrytëzimin e kapaciteteve e në fund të fuqisë, të të ardhurave neto, në disa ndërmarrje janë mbrapa, ndërkohë që viti i ri po troket.
Në Ndërmarrjen Bujqësore Llakatund, Kotë, Rinia, Instituti i Ulli Agrumeve e në disa ndërmarrje të tjera që pretendojnë se kanë fuqi punëtore të tepërt, ende nuk kanë studiuar rrugët e zënies në punë, përmes kulturave më intensive ose përmes veprimtarive të reja prodhuese. Ndërmarrjet bujqësore kanë probleme të fondeve për investimet e kryera gjatë vitit 1989 e në vazhdimësi, nëpër projektet dhe preventivat pa të cilat nuk mund të bëjë studimet e plota. Disa ndërmarrje kanë probleme të sistemimit të debi-kredive (si në NGP Drithi, Ndërmarrje Banesa, e Kripës, e Bitumit, Kombinati Konservave, Vaj-Sapuni, PAM etj.) të tjera të mallrave stoqe e ne qarkullim të ngadalshëm.
Sipas projekt planeve, pak kolektiva arrijnë të marrin shtesë mbi pagën bazë. Kjo çështje meriton një studim të vëmendshëm e me përgjegjësi, tani e gjatë tetorit që do të bëjmë diskutimin përfundimtar të planit. Rrumbullakosja e planeve në këtë mënyrë “për të qenë brenda” do të thotë moskuptim e likuidim i mekanizmit nxitës, që është edhe përmbajtja dhe e reja e kësaj mënyre drejtimi. Grupet e ngritura nga Komiteti Ekzekutiv i KP të Rrethit të mos mbeten në pozita udhëzuese, por të ndihmës konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve, të venë në lëvizje aparatet që të qartësojnë mirë punëtorët të rritet iniciativa e kërkesa e tyre ndaj administrata ve, kontributi e mendimi krijues i vet punëtorëve. Paralelisht të ushtrohet kërkesa për realizimin e detyrave të këtij viti, mbi nivelet e të cilit ngrihet projekti i vitit 1991.
Me këmbëngulje e shpirt praktik nga sektorët dhe vet ndërmarrjet kërkohet të punojnë edhe në drejtim të shërbimeve ndaj popullit. Tani nuk ka më vend për t’u justifikuar me mungesën e lokaleve. Të nxitim edhe njësitë private por të vendosim kontrollin e plotë higjeno-sanitar ndaj tyre, ndjekjen e të ardhurave dhe shërbimin e kulturuar për të cilat populli ka paraqitur ankesa edhe gjatë diskutimit të Letrës së KQ të Partisë. Sa më parë, brenda javës të ndahen edhe ato 600 Ha tokë që kanë mbetur pa u ndarë për oborrin. Edhe po të jenë të zëna, të caktohen, që secili, të dijë ku e ka tokën që i jepet në përdorim vetjak. Zvarritja nuk po na sjell asgjë të mirë; veç sherrit, orekseve për ta marrë të gjithë nën ujë e ndër tokat më të mira.
Në disa kooperativa si në Brataj; Mekat, Gjorm; Shkozë edhe pse janë më pak tokë është tendenca të marrin normën maksimale, tokat më të mira e nën ujë. Po kooperativa? Prandaj edhe një herë fshatçe, të diskutoni nga pozitat e ruajtjes fortë të kooperativës, të prodhohet buka, por të sigurohen edhe të ardhurat. Shembullin në këtë drejtim ta japin komunistët dhe kuadrot. Ata ta marrin të parët tokën, rreth shtëpisë apo mbi ujë aq sa do vendoset, tu vihet fre disa prirjeve të forta të psikologjisë të pronës private.
Si në bujqësi edhe në industri një problem i madh dhe shqetësues është qëndrimi ndaj punës dhe pronës, e në tërësi çështja e disiplinës. Në Kropisht 15 ha misër nuk u gjendet as nishani. Në Panaja u zhduk parcela e domates dhe po sulmohen brazjoret. Në Sherishtë dhe Llakatund ka dëmtim në misër etj. Ku vemi kështu? Dhe të gjithë qahen se “vijnë të gjithë si fshat, nuk ke ç’farë bëjnë etj.” Kjo nuk është e vërtetë”. E vërteta është se ku nuk ka punë, ka justifikim. Asgjë nuk u ndodhi brigadiereve dhe kuadrove të pastër që rrinë në krye të punës. Ju ndodhi kështu atyre që janë të molepsur e kompromentuar.
Përmendëm më sipër se në Himarë ka probleme. Disa djemve ju është ngritur mendja se do të gjejnë “parajsën” në Greqi dhe nuk dalin në në punë. Kishte brigada që ishin katandisur me 10-15 veta, nga 50 që ka brigade, ndërsa sekretarit të organizatës-bazë të Partisë, “Heroit të Punës Socialiste”, brigadierit Koço Çoro, në ato rrethana e në atë ambient i mungonin vetëm 2 veta. Në një aspekt tjetër shqetësimi i disiplinës është edhe në ndërmarrjet ekonomike. Nga kontrollet e bëra janë konstatuar se turni i dytë në Uzinën Mekanike kishte ikur nga puna dy orë përpara, në Llampa ikën laborantja që la dha të tjerët pa punë, diku nuk gjen njeri të administratës. Pas Letrës së KQ ka reflektime, megjithatë disiplina në të gjitha aspektet e saj mbetet problem dhe shenjë reflektimi në situatat që kalojmë.
Kudo, si në fshat edhe në qytet ka një frymë kërkesash të papërballueshme. Kërkohet asfaltim rrugësh, pallate kulture, ujësjellës para kohe edhe pse shpjegohet se nuk ka tubo, kanalizime, shtëpi, rritje pagash, ulje pensionesh, kur ne i kemi ndër më të ulëtat në botë. Suedia moshën e pensionit e ka 70 vjeç, Gjermania Perëndimore 65 vjeç dhe për gratë 60 vjeç.
Kërkesat në krahun tjetër, si të forcojmë disiplinën, si të realizojmë detyrat, ç’ti japim më shumë eksportit, si të ulim importin etj., pra kërkesat ndaj vetes nuk ndihen. Si të pretendojnë e të marrin më shumë, kur nuk prodhojmë më shumë! Këto 10 vjet, ndërkohë që prodhimi shoqëror është rritur 17%, fondi i pagave është rritur, del e qartë se në ç’pozita të zhdrejta kanë ecur. Çështje të tilla janë detyra të drejtpërdrejta të Partisë e të kuadrove të saj. Me argumente e me kërkesën e disiplinës të edukojmë të rrënjosim tek njerëzit norma të drejta morale, para se t’i kërkojmë shoqërisë, t’i japim asaj.
Këto ishin disa nga konkluzionet e detyrat kryesore që mendoj se dalin nga Letra e KQ të Partisë. Çështja është që t’i shpiem ato më tej. Letra nuk është vetëm për sot, është edhe për të ardhmen, ajo shtron çështje themelore, çështjen e Partisë dhe çështjen e pushtetit, të cilat janë e do të jenë objeksioni i armikut. Detyra jonë është në secili anëtar i Plenumit, si udhëheqës i Partisë i rrethit, të verë të gjitha forcat për revolucionarizimin e organizatave-bazë të Partisë që ato t’i dalin zot situatave, të vihen në krye të punëve e të veprojnë me iniciativë, pa pyetur se mblidhen njëherë në tre apo pesë ditë, se mblidhen natën apo ditën.
Çështja është që Partia të jetë në komandë, të funksionojë në çdo moment, të kalitë komunistë militantë e revolucionarë për t’i dhënë punëve një shtytje të re përpara, mendojmë që konkluzionet që do të dalin nga Zhvillimi i punimeve të Plenumit të përmbledhim dhe, anëtarët e Plenumit dhe kuadro të tjerë kuadro që marrin pjesë ti punojnë të shërbej kjo për një sqarim të atyre çështjeve që ende kanë mbetur të paqarta dhe për konkretizimin e detyrave që dalin për forcimin e punës së Partisë mbylljen me rezultate sa më të mira të vitit 1990 që është edhe viti i fundit i 5-vjeçarit të 8-të? / Memorie.al
P/BYRONË E KOMITETIT PARTISË RRETHIT
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT PARTISË RRETHIT
Halil Hasko
Vlorë, më 20.9.1990























