Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al / Më 25 dhjetor 1989, ndërsa kishte gati tre muaj që ishte rrëzuar Muri i Berlinit dhe Blloku Lindor po shembej dita ditës e, në Rumani po atë ditë pas një gjyqi të shpejtë ekzekutohej me pushkatim diktatori Nikolae Çaushesku së bashku me gruan e tij, Elena, (pamjet e së cilës asokohe bënë xhiron e botës dhe u ndoqën me interes të madh edhe në Shqipërinë komuniste), udhëheqja e lartë e Partisë së Punës me në krye Ramiz Alinë, u mblodh me urgjencë në Tiranë. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor me siglën “Sekret”, ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku morën pjesë Ramiz Alia, Pirro Kondi, Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, i cili zbulon ankthin e regjimit përballë trazirave që po përfshinin Europën Lindore, e kryesisht Rumaninë e Çausheskut.
Në këtë mbledhje, udhëheqësit më të lartë komunistë, përveç problemeve sociale të ditës, si strehimi, apo furnizimi i popullit me produkte ushqimore, veshmbathje, e artikuj industrial të përdorimit të përditshëm, morën në analizë dhe diskutuan me shqetësim të madh edhe për disa informacione konfidenciale, siç ishte një thirrje telefonike në redaksinë e gazetës “Zëri i Rinisë”, ku nga ana tjetër e telefonit dikush u bënte të ditur për krijimin e një partie demokratike, etj.
Po kështu në dokumentin në fjalë, udhëheqja e lartë e PPSH-së, ka marrë në analizë edhe reagimet spontane apo fjalët e përhapura prej disa shtetasve, si në autobuzët urbanë etj., të cilët kanë bërë analogji me ngjarjet e Rumanisë, si dhe lajmet e agjensisë “TANJUG” apo “reaksionit grek”, për demonstrata në Shkodër e incidente në zonën kufitare në jug të vendit, ku katër shtetas të vrarë në kufi, i kishin tërhequr zvarrë në karrocerinë e një kamioni etj..
Përballë kësaj situate kritike, duket se Ramiz Alia ka nisur të hedhë idetë e para për reforma të kontrolluara ekonomike, ndryshime në konceptin e luftës së klasave dhe abuzimin e organeve partiake e shtetërore me biografinë e njerëzve, që shkonin deri te gjyshi e gjyshja, gjë e cila duket qartë se është një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur në këmbë pushtetin.
Krahas këtyre masave që kishin të bënin me situatën brenda vendit, në atë mbledhje Ramiz Alia ka folur edhe për çështjet e politikës së jashtme të Shqipërisë, duke artikuluar qartë me gojën e tij, edhe rishikimin e marrëdhënieve me Tregun e Përbashkët Europian, apo ato diplomatike me SHBA-ës dhe Bashkimin Sovjetik, pasi sipas tij; argumentet e përdorura deri në atë kohë për prishjen e marrëdhënieve diplomatike me ta, u kishte kaluar koha dhe nuk vlenin më.
Madje, kreu i Shqipërisë komuniste, Ramiz Alia, në atë mbledhje ua ka bërë të qartë sekretarëve të Komitetit Qendror, se; “në rast se përfaqësues të SHBA-ve do kërkojnë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ne do u themi se do ta studiojmë këtë çështje”. Pasi sipas tij; “nuk mund të ecët më me inate politike, se politika nuk bëhet me inate”. Por, në këtë pikë, pra rishikimin e politikës së jashtme dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës dhe Bashkimin Sovjerik, Ramiz Alia shfaqet disi kontradiktor, pasi pak më lart shprehet se: “Me këtë nuk dua të them të vendosim marrëdhënie me SHBA-ës, por të përdorim një argument tjetër”.
Ndoshta dhe me shumë gjasa, krahas karakterit dyzues së Ramiz Alisë, ai ka hedhur atë ide për t’ju matur pulsin vartësve të tij në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, e për të dëgjuar mendimet e tyre mbi atë çështje, madje më të rëndësishmet që mund të ishte diskutuar ndonjëherë nga Tirana zyrtare që nga viti 1946, kur misioni amerikan mori urdhër të prerë të largohej menjëherë nga Shqipëria! Lidhur me këtë etj., do njihemi në dokumentin në fjalë i cili është nxjerrë së fundmi nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, 25 DHJETOR 1989
MBLEDHJE E SHOKËVE SEKRETARË TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË
Më 25 dhjetor 1989
Në mbledhje marrin pjesë shokët: Ramiz Alia, Foto Çami, Hekuran Isai, Lenka Çuko dhe Pirro Kondi. Mbledhjen e drejton Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, shoku Ramiz Alia.
Në këtë mbledhje shoku Pirro Kondi informon sekretarët e Komitetit Qendror mbi punimin e fjalës së shokut Ramiz Alia, mbajtur në plenumin e Këshillit Qendror të BPSH, në organizatat e Partisë të rrethit dhe problemet që kanë dalë nga kjo. Gjithashtu ai u raporton shokëve edhe për gjendjen e furnizimit në kryeqytet. Shoku Ramiz hedh disa ide për zgjidhjen e problemeve të zhvillimit të sotëm në fushën e ekonomisë e në çdo sektor tjetër.
SHOKU RAMIZ ALIA: Një pushtet i tillë, ku ekonomia ngeci në vendin ku sundonin padrejtësitë, ngjalli pakënaqësi te masat, ndaj dhe ato u ngritën kundër klikës së Çausheskut. Mirëpo atyre u mungonte ndërgjegjja e shëndoshë revolucionare dhe shkuan në ekstrem, u ngritën kundër komunizmit, çdo gjëje socialiste, shkuan deri atje sa hoqën stemën e republikës socialiste, që e kishin fituar me gjakun e djersën e tyre.
Pra njeriu në jetë gjithmonë bën atë që di. Dhe rinia në Rumani, duke qenë pa përvojë, nuk diti të gjejë rrugën e vërtetë për vendosjen e drejtësisë komuniste, e bëri të bardhën të zezë, përkrahu rrugën kapitaliste.
Ky rrezik ekziston edhe këtu tek ne, të mos kemi iluzione, sepse ndërtimi socialist, sidomos në kushtet e sotme ndërkombëtare, has në vështirësi të shumta e nxjerr probleme të reja, bile disa herë të komplikuara. Probleme kemi për të zgjidhur në fushën e zhvillimit e të drejtimit të ekonomisë, ashtu dhe në atë të kulturës e të thellimit të demokracisë socialiste.
Këto probleme duhet të hidhen në diskutim dhe të nxitet debati i lirë që punonjësit, kuadrot e specialistët t’i thonë hapur mendimet e tyre për rrugët e zgjidhjes. Ndonjë mund të ketë dhe mendime të gabuara, por kjo nuk do të thotë se ai është armik, pra të mos u vihet epitet njerëzve.
Në raste të tilla personi duhet sqaruar përse mendimi i tij është i padrejtë. Pra debati do të bëjë që të shoshiten mirë mendimet e të arrihet në konkluzione të drejta e racionale. Vetëm në këtë mënyrë mund të gjendet rruga e drejtë për zgjidhjen e problemeve.
Problem tjetër evident sot janë edhe shfaqjet e dublimit e të paralelizmit në punën e organeve të Partisë, të pushtetit e të ekonomisë. Ndodh shpesh që organet e organizatat e Partisë merren direkt me probleme që u takojnë t’i zgjidhin organet e pushtetit e të ekonomisë, shkojnë deri në spostim të punës së tyre.
Sekretari i parë i rrethit shkon deri atje sa jep dhe mendim të arrestohet apo të mos arrestohet një person! Pse të merret sekretari i parë i rrethit me këto probleme, kur ka organe të posaçme për zbatimin e ligjeve? Natyrisht komiteti i Partisë nga ana e tij duhet të ndjekë konfliktin se si zbatohet vija e Partisë në këto organe.
Po edhe organet shtetërore merren me probleme të ekonomisë. Për shembull, Ministria e Industrisë, e Minierave dhe e Energjetikës merret me problemet e furnizimit materialo-teknik, të transportit, të eksport-importit, të lëndës së parë, të fuqisë punëtore, etj, bile nuk e teproj të them që ministri di sa punëtorë mungojnë në ditë në degën e kromit, ta zëmë, ose ç’bazë materiale ka?!
Këto probleme duhet t’i zgjidhin ndërmarrjet e industrisë së naftës, të industrisë së rëndë e mekanike. Kurse detyra e ministrisë është të bëjë politikën ekonomike të Partisë në fushën e industrisë së rëndë.
Në analogji me këtë po marr Ministrinë e Arsimit. Ministria e Arsimit bën politikën e Partisë në fushën e arsimit. Ministri këtu merret me studimin e problemeve të sistemit të arsimit, të programeve teksteve mësimore dhe nuk di sa nxënës mungojnë në shkolla, morën nota të mira apo të këqija.
Natyrisht ai interesohet për çështjen e frekuentimit e të përparimit të nxënësve e të studentëve në shkollë, por nuk i ndjek përditë. Po pse me dikasteret ekonomike ndodh ndryshe? Edhe kjo ka shpjegimin e saj.
Ekonomia për ne ka qenë thembra e Akilit, se shteti socialist, ndryshe nga ai kapitalist, ka një rol të veçantë në ekonomi. Ai edhe sot duhet ta luajë këtë rol, por në një formë tjetër, se kështu ekonomia po shkrihet me pushtetin, po i njësojnë punët. Me ndarjen e kooperativave të mëdha u ndanë edhe këshillat popullore e organizatat e Partisë.
Para disa vjetësh ishin 10 kooperativa në një lokalitet. Pse të mos kemi dhe sot këtë organizim të pushtetit?! Duhet të jemi konsekuentë në idetë tona, të pranojmë që atëherë e kemi pasur gabim o të justifikojmë këtë organizim që bëmë sot.
Por dhe organet shtetërore bëjnë presion mbi organet e Partisë për t’i tërhequr në zgjidhjen e problemeve ekonomike, që duhet t’i zgjidhim vetë, bile po teprohet me disa aktivitete të përbashkëta midis organeve të Partisë, të pushtetit e të ekonomisë.
Shfaqjet e paralelizmit dhe të dublimit çojnë në dobësimin e rolit udhëheqës të Partisë, ulin efektivitetin e veprimtarisë së organeve e organizatave bazë të saj, por nga ana tjetër zbutin përgjegjësinë dhe funksionet e organeve të pushtetit e të ekonomisë. Me këtë problem janë ndeshur edhe vendet revizioniste, por këta i dhanë një zgjidhje antimarksiste, e likuiduan fare Partinë, duke ua dorëzuar pushtetin forcave antikomuniste e reaksionare.
Organet e pushtetit kanë për detyrë të kontrollojnë zbatimin e ligjeve e të vendimeve që merr Qeveria për zhvillimin e ekonomisë e të tërë jetës së vendit, të cilët mishërojnë vijën e Partisë. Kurse organet e ekonomisë duhet të merren me problemet e furnizimit materialo-teknik, të drejtimit e të administrimit të prodhimit etj.
Partia udhëheq në tërë sistemin e diktaturës së proletariatit. Prandaj organet e Partisë duhet të ndjekin e kontrollojnë si zbatohen direktivat e orientimet që jep udhëheqja e Partisë nga organet e pushtetit e të ekonomisë, t’u hapin horizont atyre për zgjidhjen e problemeve e t’u kërkojnë llogari për mbarëvajtjen e punëve.
Ato duhet të shtrojnë përpara organeve shtetërore e ekonomike dhe gjithë organizmave të tjerë probleme të rëndësishme që u përgjigjen kërkesave të zhvillimit të sotëm dhe perspektivë. Vështirësitë e pengesat që hasim rrjedhin nga prapambetja që kemi trashëguar, nga kërkesat e rrepta të zhvillimit ekonomik të pavarur dhe nga zhvillimet ndërkombëtare.
Në vështirësitë e zhvillimit ndikon edhe mungesa e përvojës. Prandaj të jemi të ndërgjegjshëm se jo çdo gjë e kemi zgjidhur e zgjidhet në mënyrë të përsosur. Probleme të shumta kemi për të zgjidhur në fushën e ekonomisë. Me metodologjinë e planifikimit që kemi sot shumë kompetenca në fushën e planifikimit janë përqendruar te organet qendrore, për çdo gjë vendos Komisioni i Planit të Shtetit, madje edhe për problemet e furnizimit.
Kongresi i 9-të i Partisë shtroi çështjen të zhvillohet iniciativa e masave. Por iniciativa e masave nuk mund të rritet me këtë centralizëm që kemi sot në drejtim të ekonomisë.
Prandaj, që t’i hapësh rrugë shpalimit të iniciativës së masave, duhet t’i jepen më shumë kompetenca në planifikim, gjë që nënkupton një kalim të veprimtarive drejtuese nga qendra në rrethe dhe nga rrethet në ndërmarrje, kooperativa e institucione. Kjo kërkon një konceptim të ri për strukturën e prodhimit dhe për marrëdhëniet midis bazës dhe qendrës.
SHOKU PIRRO KONDI: Me format e organizimit që kemi sot e ardhura neto e ndërmarrjes duhet të kalojë në shtet. Sot ndërmarrja s’bën dot një magazinë, bile një dritare, në qoftë se nuk i jep fonde ministria.
SHOKU RAMIZ ALIA: Në mbledhjen e fundit të Byrosë Politike, shtrova që e ardhura neto t’u lihet ndërmarrjeve, duke hequr pjesën që do të marrë shteti për amortizimin e përgjithshëm. Edhe komitetet ekzekutive të rretheve duhet të marrin nga ndërmarrjet një përqindje të ardhurash mbi prodhimin. Kjo mund të jetë 0,2 ose 0,5 për qind.
Këtë fond këta ta përdorin për rregullimin e rrugëve, për të ngritur dyqane e objekte të tjera që sot bëhen me fondet e shtetit ose me punë vullnetare e rrugë të tjera. Në këtë mënyrë komiteti ekzekutiv i rrethit do të luftojë më shumë që të tejkalohet plani i prodhimit.
Në kuadrin e këtyre ndryshimeve është e domosdoshme të shikohet çështja e kompetencave. Komitetet Ekzekutive të rretheve, duke përjashtuar ndërmarrjet e mëdha, duhet të kenë kompetenca të plota për drejtimin e ekonomisë, për furnizimin dhe të përgjigjen ato e jo shteti për mangësitë që krijohen në furnizimin e tregut. Por kompetencat duhen shtrirë më gjerë edhe në bazë, duke kufizuar drejtimin e centralizuar atje ku është i tepërt.
Ndërmarrjet dhe kooperativat sot nuk kanë kompetenca të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për zgjidhjen e problemeve që kanë, për çdo gjë duhet të marrin miratimin e komitetit ekzekutiv të rrethit. Është fakt që shumë probleme ndërmarrjet i zgjidhin në rrugë njohjeje, prandaj ndodh që ai drejtues që është i zgjedhur në forume udhëheqëse i plotëson kërkesat e nevojat që ka ndërmarrja, apo institucioni, kurse të tjerët që nuk e kanë këtë mundësi nuk bëjnë gjë.
Pastaj njerëzit flasin që filani kuadër është i zoti, di t’i vërtetojë, ndërsa filani jo. Po problemi kryesor që të shqetëson është se kjo rrugë është e pakontrollueshme dhe çdo gjë që është e pakontrollueshme mbart gjithmonë rrezikun në vetvete, u lë shteg abuzimeve, allishverisheve etj., me një fjalë shkelje të ligjeve. Kuadrot tanë janë të partishëm e të ndershëm, por ka dhe nga ata që punojnë me paragjykime.
Vështirësitë e problemet që hasin ndërmarrjet duhet të zgjidhen në rrugë legale, çdo gjë të bëhet në bazë të ligjeve. Në këto kushte është e domosdoshme të bëhen ndryshime në format e drejtimit e të organizimit të ekonomisë, të bëhen përmirësime e plotësime në kompetencat, po kurrë nuk do të lejojmë shkeljen e ligjeve themelore të socializmit.
Këto ndryshime i diktojnë kushtet e nevojat tona dhe u nënshtrohen vetëm interesave të popullit e të socializmit. Analizat e vlerësimet e reja ideologjike, politike e ekonomike për problemet e zhvillimit të brendshëm e të jashtëm do të bëhen gjithmonë në bazë të marksizëm-leninizmit, në interes të socializmit e të popullit.
Në muajin janar mendoj se duhet të bëjmë mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë për çështjet e politikës së brendshme dhe të jashtme. Në këtë plenum nuk do të ketë të ftuar. Shokëve të Plenumit nuk do t’u jepet tema e mbledhjes me përpara, siç kemi bërë herë të tjera.
Në fillim të mbledhjes do të shtrohen problemet, pastaj do të diskutojmë e shkëmbejmë mendime për ato që do të vendosim. Kryesorja është që të arrijmë në një emërues të përbashkët, në një mendim racional për ndryshimet e zgjidhjet e reja që do të bëhen në fushën ekonomike e në politikën e jashtme./ Memorie.al
SHEFI I SEKTORIT TË PËRGJITHSHËM
Famir Zaloshnja














