Nga Zhani Ciko
Memorie.al / Me Dhimitër Shuteriqin jam njohur apo më saktë e kam parë nga afër fillimisht diku nga viti 1958, kur unë isha nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe shkolla na dërgoi për të dhënë një koncert te Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, godina e së cilës asokohe ishte aty ku para disa vitesh ishte Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në krah të Teatrit Kombëtar. Unë në atë kohë isha në orkestrën e Liceut si violinist dhe kam përshtypjen apo ashtu m’u duk mua se pasi mbaroi koncerti, profesor Dhimitri bëri lidhjen duke thënë: djali i Cikove ky? Disa vjet më vonë, diku aty nga viti 1962-1963, përsëri isha me orkestrën e shkollës për të dhënë një koncert tjetër te Lidhja e Shkrimtarëve, që me thënë të drejtën nuk më kujtohej se me ç’rast organizohej ai.
Unë luaja në violinë ndërsa në piano më shoqëronte Bebi Kristidhi dhe pjesët që interpretonim ishin të huaja. Në përfundim me sa kuptova nga qëndrimet e mësueseve ndaj meje, pata një lloj vlerësimi pozitiv për sa i përket interpretimit që i bëja partiturave të pjesëve që u luajtën aty dhe sigurisht që m’u bë qejfi dhe u gëzova nga ai fakt. Por më shumë u gëzova kur pas koncertit erdhi profesor Dhimitër Shuteriqi, i cili më komplimentoi gjatë, ku mes të tjerash e kujtoj si tani që më tha: “Më bëhet qejfi shumë që violina shqiptare ka ecur shumë dhe aq më shumë me pjesët e huaja. Do ja them dhe babait, Mihalit, këtë gjë”.
Pas pak ditësh na lajmëruan se unë me prindërit duhet të paraqiteshim në godinën e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, doktor Kristidhi më duket na lajmëroi me telefon, duke i thënë babait që ne duhet të paraqiteshim urgjent atje. Me thënë të drejtën ajo gjë na vuri në një ankth dhe një lloj frike të gjithëve si familje, pasi në atë godinë nuk të thërriste njeri për mirë dhe deri në momentin që ne e mësuam të vërtetën përse na kishin kërkuar aty, ndjeheshim të frikësuar familjarisht.
Ishte Tefik Çaushi ai që na priti pasi mbulonte artin e kulturën në aparatin e Komitetit Qendror, i cili na tha shkurtimisht, se ishte menduar që: unë do të shkoja për studime në Austri, për t’u perfeksionuar më tej në instrumentin e violinës. Dhe kjo gjë bëhej, pasi ato ditë kishte ardhur në Tiranë vetë ministri i Kulturës së Austrisë, i cili kishte qenë i pranishëm në koncertin që kisha dhënë unë në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pasi më kishte dëgjuar, u kishte thënë atyre që e shoqëronin se: ai ishte gati menjëherë që të më akordonte një bursë, që unë të ndiqja mësimet më tej në shkollat përkatëse të Austrisë.
Dhe kjo gjë si duket kishte shkuar deri tek Enver Hoxha, i cili e kishte aprovuar dhe kështu ishte bërë alarm dhe ne na i kërkuan urgjent që të përgatisnim dokumentet që duheshin për atë gjë. Por edhe pse ne arritëm që t’i bënim dokumentet që na kërkoheshin sipas urdhrit që ishte dhënë nga “lart”, vajtje ime në Austri nuk ishte e thënë të bëhej, pasi ato ditë, një student apo mjek që ishte me specializim në Austri, (me mbiemër Gjini në mos gaboj), kërkoi azil politik dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Gjë e cila e vuri në alarm udhëheqjen e lartë dhe Mehmet Shehu urdhëroi që asnjë nxënës apo student shqiptar, të mos shkonte më jashtë me studime apo për specializim.
Për të mos u zgjatur më në këtë ngjarje, po kthehemi tek figura e Dhimitër Shuteriqit, të cilin në atë kohë ne me shokët artistë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, pra në rrethin tonë shoqëror, e diskutonim dhe e vlerësonim me superlativa. Kështu për ne, Dhimitër Shuteriqi ishte një dhe i vetmi intelektual në sferën e artit që ishte i kompletuar me të gjitha njohuritë e duhura e sigurisht bashkëkohore. Ky mendim ishte unanim te të gjithë ne, pasi Shuteriqi i përkiste të majtës franceze dhe mua më dukej apo e përfytyroja si Lui Aragon. Për ne Shuteriqi ishte një pikë referimi e një intelektuali evropian dhe veç të tjerash këtë gjë ia jepte edhe pamja e tij e jashtme, me veshjen shik dhe sigurisht sjelljen e tij prej një xhentëlmeni, në të gjitha ambientet ku ai shfaqej.
Në atë kohë profesori herë mbante në kokë kapele republike dhe herë beretë, gjë e cila ne na bënte shumë përshtypje dhe më vonë mësuam se, kur ai kishte kapelën republike, punët i kishte disi mirë, ndërsa e kundërta, kur mbante beretë, kishte mjaft probleme. Nuk e di se sa të vërtetë ka tek kjo gjë, por ky ishte mendimi dhe konstatimi ynë për profesor Shuteriqin në atë kohë. Në këtë kuadër, pra të adhurimit që kishim ne për profesor Shuteriqin, unë fillova ta lexoj pasi më pëlqente shumë si krijues, kryesisht ato tregime me temë nga antikiteti. Një nga këto tregime p.sh., ishte “Ditët e mbrame të Gjorg Golemit”, të cilën unë e diskutoja me dajën tim, kompozitorin Nikolla Zoraqi dhe libretistin, Zef Zorba, për ta bërë Opera, por kjo nuk u arrit për shkaqe të ndryshme. U bë vetëm një uverturë dhe kaq.
Më pas u arrit të realizohej dhe të shfaqej opera “Fundi i Golemëve”, me libret të bazuar sipas tregimit të Shuteriqit. Por edhe kjo operë u ndalua menjëherë, pasi kishte “probleme” në libretin e saj, sepse akti final mbyllej me një prift ortodoks që ishte diku në një fshat të Beratit, i cili u lidh me litarin e kambanores pas trupit dhe u lavjerr aty për të dhënë sinjalin e alarmit fshatarëve që duheshin të largoheshin, pasi po vinin turqit. Kjo gjë, pra finalja e libretit të asaj opere, u quajt shumë e gabuar pasi: së pari heroi pozitiv ishte një prift, (gjë e cila konsiderohej herezi dhe nuk kishte ndodhur kurrë në letërsinë e realizmit socialist kjo gjë), dhe aty nuk dilte fare figura e Skënderbeut.
Pra, opera nuk mbaronte me lavdinë e Skënderbeut, pasi ngjarjet ishin zhvendosur pas vdekjes së tij. Në të vërtetë finalja e asaj opere me priftin që lavjerrej në litarin e kambanores (me trupin e pajetë i goditur nga shigjetat e ushtarëve turq), duke dhënë jetën e tij që të shpëtonte fshatarët, ishte një gjë e jashtëzakonshme, një gjetje artistike që nga ne u vlerësua shumë, por nuk mendonin kështu ata që kishin në dorë fatin e asaj opere, e cila siç thashë u ndalua menjëherë. Pra, po të analizojmë finalen e atij libreti, del se Shuteriqi nuk ishte mohues ndaj së kaluarës dhe sigurisht që ai u mërzit shumë për ndalimin e operës, por ai nuk hapej dhe nuk bisedonte me njeri për atë gjë, pasi ishte shumë i kujdesshëm në këtë drejtim.
Aty nga viti 1967, mua më emëruan në Opera si violinist në orkestrën e saj dhe më pas më bënë udhëheqës artistik të Operës dhe Baletit, edhe pse nuk isha më shumë se 24 vjeç. Në atë kohë,kur sapo isha emëruar në atë detyrë që konsiderohej dhe ishte mjaft të rëndësishme, mua bashkë me Ksenofon Dilon, Dhimitër Shuteriqi na ftoi në një turne që ai do të bënte në Jug të Shqipërisë, si Gjirokastër, Sarandë etj. Ne shkuam me kënaqësi dhe qëllimi i tij ishte që donte të dinte mendimet tona, përkatësisht për anën muzikore dhe atë figurative, ku prof. Dilo ishte nga më të njohurit, pasi kishte studiuar edhe në Pragë dhe ishte dekan i asaj dege në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Gjatë atij udhëtimi që zgjati disa ditë, në ndalesën që bëmë në Gjirokastër, Shuteriqi shkoi në Komitetin e Partisë dhe u interesua për dy shkrimtarët, Koço Kostën dhe Pano Çukën, të cilët asokohe i kishin sulmuar organet partiake aty në rrethin e tyre dhe Dhimitri donte që t’i ndihmonte. Dhe me sa kuptova, ky kishte qenë edhe një nga qëllimet kryesore të atij udhëtimi në qytetet dhe rrethet e Jugut të Shqipërisë. Kjo gjë filloi me ndalimin në qytetin e Fierit, ku Shuteriqi shkoi në Komitetin e Partisë për t’u interesuar për kompozitorin Simon Gjoni, të cilin e kishin degdisur në atë qytezë naftëtarësh të Ballshit, për “riedukim në gjirin e klasës punëtore”! Dhe nga sa kujtoj në atë kohë, thuhej se vetëm ndërhyrja dhe interesimi i Shuteriqit, bëri që ai t’i shpëtonte hekurave të burgut.
Prof. Shuteriqi duke shfrytëzuar staturën e tij dhe sigurisht edhe funksionin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, po bënte çmos që t’i shpëtonte ata shkrimtarë dhe artistë nga dënimet apo ndëshkimet që u ishin dhënë apo pritej t’u jepeshin, pasi veç të tjerave, në atë kohë Tirana pothuaj ishte e zbrazur nga shkrimtarët dhe artistët, të cilët sipas urdhrave dhe porosive nga “lart”, ishin dërguar të gjithë në bazë, disa për “riedukim” dhe disa të tjerë “për të njohur jetën në gjirin e klasës punëtore apo fshatarësisë kooperativiste”.
Nga të gjitha bisedat që bëmë me Shuteriqin gjatë atij udhëtimi, pashë se ai ishte mendje-hapur dhe na dëgjonte me vëmendje, duke na aprovuar dhe na mbështetur në disa mendime që duhet thënë se për kohën ishin pak të përparuara. Pas kësaj, Dhimitër Shuteriqi nga pozicioni i kreut të Lidhjes, më kooptoi mua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, edhe pse unë isha shumë i ri dhe pa përvojën e duhur. Në këtë kohë, pra diku aty nga viti 1971, u mbajt plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve për Muzikën Instrumentale, ku unë dola me konkluzionin, se: “Tradita popullore në muzikën tonë nuk mund të quhej e realizuar, pse aty do të shtonim një vegël muzikore si instrument popullor, apo tekste si ‘Qaj Minushi’ etj., por për shpirtin e popullit që ajo duhej të mbartte…”!
Pra, kjo ishte pak a shumë ajo që nxora unë si konkluzion në atë Plenum, ku ishin dhe ndesheshin dy rryma: konservatorët dhe liberalët, po themi. Dhimitër Shuteriqi e vlerësoi dhe e mbështeti diskutimin tim dhe konkretisht ai në fjalën e tij citoi dhe përdori për herë të parë fjalën “Pluritraditës”, gjë e cila as nuk ishte dëgjuar ndonjëherë nga askush si term. Pra, me pak fjalë, më mbështeti fuqishëm dhe nuk ishte pak kjo gjë për mua që isha në atë moshë të re dhe në atë pozicion drejtues në Teatrin e Operës. Në fillimin e janarit të vitit 1973, pak kohë pasi kishte përfunduar Festivali i 11 Kombëtar i Këngës në Radio Televizion, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve erdhi një ekip nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe na thërritën për një mbledhje, e cila u mbajt te zyra e Hamide Stringës, që mbulonte seksionin e Muzikës në Lidhje.
Dhe, aty, midis të tjerash, më akuzuan edhe mua për “shmangie nga tradita popullore”. Kjo gjë, në një farë mënyre, nuk ishte një goditje vetëm ndaj meje, por indirekt edhe ndaj Shuteriqit, i cili pak kohë më parë më kishte mbështetur mua në Plenumin e Lidhjes për Muzikën Orkestrale. Në parantezë desha të them se: Shuteriqi e kishte zakon që, në çdo mbledhje apo takim pune ku ai ishte i ftuar, mbante vetë një procesverbal, duke shkruar shumë shpejt me një shkrim të imët, ku shënonte gjërat kryesore që thuheshin apo ngriheshin aty. Dhe sapo u artikulua ajo akuzë ndaj meje, Shuteriqi menjëherë propozoi e kërkoi pesë minuta pushim dhe doli menjëherë nga mbledhja, për t’u kthyer pak minuta më vonë me dhjetë fletore të trasha (16 lekëshe me 64 fletë), që i kishte marrë në zyrën e tij.
Dhe i hapi e lexoi disa pjesë nga procesverbalet që kishte mbajtur në mbledhjet ku kisha folur unë, gjë të cilat nuk korrespondonin fare me akuzat që më bëheshin aty, për “shmangie nga tradita!” Kjo gjë që bëri Shuteriqi ishte shpëtimtare për mua. Kështu ndodhi edhe në një mbledhje tjetër që u mbajt në Opera, ku donin të më “fundosnin”, por vetëm fjala e Shuteriqit më shpëtoi nga akuzat që më bëheshin për “frymë liberale” apo “shmangie nga tradita” etj. Pak kohë më vonë, më 9 janar 1973, Enver Hoxha mbajti një fjalë në Presidiumin e Kuvendit Popullor, ku hodhi akuzat e para ndaj Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion. Pas kësaj na thirrën në një mbledhje urgjente në Lidhjen e Shkrimtarëve që drejtohej nga Shuteriqi, ku na i komunikuan ato që kishte thënë “shoku Enver”, gjë e cila kuptohet ne na ra si bombë.
Pas kësaj, nga pozicioni i kreut të Lidhjes, Dhimitër Shuteriqi tha: “Shoku Zhani Ciko ngarkohet që të bëj një raport për Festivalin e 11-të dhe për këtë gjë do të ketë edhe ndihmën e Dritëro Agollit”. Më kujtohet se një nga arsyet që përdori Shuteriqi si argument ndaj një pyetje që lindte natyrshëm se: “përse ajo gjë i ngarkohet shokut Zhani Ciko”, ishte sipas tij se: “Zhani është më i paanshëm”. Pra, pasi unë nuk isha pjesë e festivalit dhe si i tillë do t’i gjykoja më drejt se çfarë kishte ndodhur aty. Ajo detyrë që më ngarkoi Shuteriqi, sigurisht që ishte një gjë që mbarte mbi vete shumë përgjegjësi dhe tejet delikate, pasi ishe në mes dy zjarresh: nga njëra anë ishte fjala e Enver Hoxhës që e kishte anatemuar Festivalin e 11-të dhe nga ana tjetër ishin krijuesit, shkrimtarë, artistë, poetë, kompozitorë, muzikantë, skenaristë etj., për të cilët duheshin dhënë mendime e gjykime në atë material që m’u ngarkua mua.
Sidoqoftë, unë e bëra raportin dhe pasi e mbarova ia dhashë Dritëro Agollit që ta shikonte dhe ai rregulloi pak nga ana politike, ku unë nuk dija dhe nuk kisha shkruar gjë fare. Pas kësaj u organizua një diskutim krijues në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku mungonin krerët kryesorë të Lidhjes, si Shuteriqi etj., apo Dritëro Agolli që nuk e mbaj mend fare nëse ishte apo jo prezent në atë mbledhje. Fillimisht nuk e morëm vesh mungesën e krerëve kryesorë të Lidhjes në atë diskutim krijues, por nga zhvillimi i mbledhjes, e kuptuam qartë se përse bëhej ajo gjë. Aty ishin ftuar një pjesë e madhe e krijuesve jo profesionistë, madje mediokër dhe të paaftë, të cilët ishin ankuar deri “lart” në Komitetin Qendror të PPSH-së, me letra anonime apo dhe me emra, ku akuzonin kolegët e tyre pjesëmarrës të Festivalit, si dhe organizatorët që ishin marrë direkt me të, që nga Radio-Televizioni, Kryesia e Lidhjes, Ministria e Arsim-Kulturës, etj., etj.
Këta persona, i dhanë një shtysë më të madhe, në mos kryesoren e asaj që ndodhi më pas me shkrimtarët dhe artistët, poetët e kompozitorët e gjithë ata që u morën me organizimin e atij festivali, ku siç dihet tashmë një pjesë përfunduan burgjeve dhe internimeve e të tjerë u shkarkuan apo u hoqën nga profesionet e tyre, duke përfunduar për “riedukim në gjirin e klasës punëtore apo fshatarësisë kooperativiste”. Dhe një ndër ta isha dhe unë që më hoqën nga Opera dhe kryeqyteti e, më dërguan në Patos, ku punova për vite me radhë në Shtëpinë e Kulturës së asaj qyteze. Nuk e di dhe nuk e pyeta kurrë Shuteriqin, edhe pas viteve ’90, kur gjërat ndryshuan, se përse ma ngarkoi mua atë gjë, pra përgatitjen e atij raporti për Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion.
Por, gjithashtu, nuk kam dyshuar kurrë që nga ai moment, por edhe vite më pas dhe as tani nuk dyshoj se ai, pra Shuteriqi, u mundua për mirë, pavarësisht se nuk shkoi ashtu siç mund ta kishte menduar, pasi gjërat shkuan keq e më keq. Por kur e analizoj atë gjë, them dhe e besoj këtë, se përveç asaj që tha publikisht Shuteriqi në atë mbledhje, ku ma ngarkoi atë detyrë, pra: “si i paanshëm”, ai më zgjodhi mua në radhë të parë si profesionist, pra njohës i muzikës, dhe duke menduar se nuk isha i indoktrinuar apo dhe pak liberal nga natyra. Dhe kështu do të hartoja një raport me kritika të buta, ndryshe nga sa mund ta bënte dikush tjetër që ishte e kundërta e natyrës sime. Pra, qëllimi i Shuteriqit ishte që: duke ma ngarkuar mua atë gjë, të shpëtohej çka mund të shpëtohej nga gjithë ajo furtunë që po parapërgatitej për të goditur Festivalin e 11-të të Këngës, por që fatkeqësisht nuk pati forcë as Shuteriqi dhe asnjeri tjetër për ta ndalur atë gjë, që siç dihet ndodhi më pas.
Pavarësisht këtyre që ndodhën me atë festival, pra edhe me largimin tim nga Tirana dhe më pas edhe shkarkimin e Shuteriqit, ne e ruajtëm miqësinë me njëri-tjetrin dhe kur u riktheva në Tiranë, shkonim dhe vinim te njëri-tjetri familjarisht. Madje kur babait tim, Mihalit, i organizuan një përvjetor ditëlindjeje, diku aty nga viti 1982, ne kishim të ftuar edhe Dhimitër Shuteriqin, edhe pse ai shihej si “pjesë” e të ashtuquajturit “Grupi liberal në art e kulturë”, me në krye Todi Lubonjën e Fadil Paçramin. Me Shuteriqin dhe zonjën e tij, Myneverin, ne e ruajtëm miqësinë dhe na binte rasti të takoheshim herë pas here derisa profesori u nda nga kjo jetë. / Memorie.al
Marrë nga libri “Dhimitër S. Shuteriqi, rilindasi i fundit dhe regjimi komunist”, i autorit Dashnor Kaloçi, Shtëpia Botuese ‘Mediaprint’ Tiranë, qershor 2026
















