Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëmbëdhjetë
NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET
PARATHËNIE
Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.
Kapitulli II – të MUZIKA
Muzika shpesh ka shërbyer si një art i madh për regjimet diktatoriale. Për nazistët ajo do të bëhet një armë e fuqishme për demonstrimin, njëkohësisht, të gjenisë së përjetshme të popullit gjerman dhe të superioritetit arian. Pushteti i saj është përdorur nga nazistët si një armë e përsosur propagandistike, si një forcë goditëse. Është domethënës fakti që edhe gjatë bombardimeve të fundit nga ana e aleatëve, pra kur gjithçka kishte marrë fund praktikisht, vazhdonin koncertet në Gjermaninë naziste dhe krerët nazistë, të gjithë, vazhdonin të merrnin pjesë në këto koncerte.
Që para ardhjes së tyre në pushtet, nazistët i shihnin letërsinë, artet vizuale, teatrin si mjete të rëndësishme për indoktrinimin e masave, për krijimin e një lëvizjeje masive nacionaliste. Për të njëjtin qëllim ata vlerësuan muzikën si artin më të aftë për të tërhequr dhe manipuluar turmat, në mënyrë edhe më të fuqishme, më të plotë. Vetë Gëbelsi, ministri gjerman i Propagandës, do të shprehet: “Muzika prek zemrën dhe emocionet më tepër se intelekti. Dhe ku pra mund të rrahë më fuqishëm zemra e një kombi përpos se tek masat, në gjirin e të cilave kjo zemër ka gjetur vatrën e saj të vërtetë”?
Si pasojë e masave përjashtuese dhe ushtrimit të një kontrolli absolut partiak dhe shtetëror në të gjitha sferat e lidhura me veprimtarinë muzikore, gjendja edhe në këtë sektor do të ndryshojë në mënyrë radikale në krahasim me vitet pararendëse të vitit 1933, që shënon ardhjen e nazizmit në pushtet. Dëshmi e këtij realiteti të zymtë është edhe një numër i pafund kompozimesh të kohës, të marsheve, por edhe të muzikës së lehtë, të luajtura gjatë ngjarjeve të rëndësishme zyrtare partiake apo shtetërore, por edhe jashtë tyre, kushtuar Hitlerit, Gjermanisë dhe të ardhmes së lavdishme të Rajhut! “Në vitin 1938, muzika bëhet një mjet i fuqishëm i propagandës së Rajhut III-të dhe Gjermania u shpall ‘Vendi i muzikës’. I njëlloj muzike, sigurisht. Muzika gjermane duhet të zotërojë botën muzikore, njëlloj si Rajhu III-të Europën”.
Nazizmi i jep muzikës një pushtet shumë të madh. Ajo nuk u pa prej tij thjesht si një formë artistike midis të tjerave, por si “më gjermania” midis të gjitha arteve. Për këtë u shfrytëzua edhe mendimi se Gjermania, kombi gjerman, kanë formuar identitetin e tyre nga muzika, nga krijimtaria e shumë kompozitorëve gjermanikë barokë, klasikë dhe romantikë, të cilët ndikuan fuqishëm në jetën muzikore europiane dhe ndërkombëtare. Mozarti, Bachi, Beethoveni, Haydni, Schuberti dhe Wagneri, por edhe mjaft drejtues orkestrash dhe muzikantë, ishin një burim i madh krenarie në fillim të shekullit XX-të. Në planin social muzika u vlerësua dhe u përdor nga hitlerianët si një mjet i përzgjedhur për të ju rikthyer “vlerave gjermane”, nacionalizmit dhe për të propaganduar “Bashkësinë e popullit”.
Sipas tyre, sikurse do të shkruajë doktori nazist në muzikologji, Hans Schnoori, në librin ‘Oratorien und weltliche Chorwerke’ (‘Oratorio dhe vepra korale’) botuar në vitin 1932 në 120 mijë kopje, “Gjermania e re shpirtërore përmban… popullin dhe Führerin, atdheun, gjakun dhe tokën (‘Blut und Boden’) racën, mitin, historinë e heronjve…”! Mbi këto piketa të hekurta do të shtrijë veprimtarinë e tij çdo kompozitor, interpret, orkestër e orkestrant, çdo spektakël muzikor, të gjitha gjinitë muzikore në Rajhun e III-të.
Nazi-socialistët, siç është edhe rasti i Hans Schnoorit, kërkojnë një muzikë gjermane “të pastër”. Ata shtiren si ithtarë të një muzike të zhveshur nga intelektualizmi dhe kozmopolitizmi, në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me popullin, të një muzike, që u këndohet fëmijëve që në djep, që e ka burimin në “rrënjët” e popullit, në “muzikën popullore”, në “muzikën e popullit”, në “këngët e popullit”. Është kjo muzikë, që sipas Hitlerit do të çojë përpara popullin gjerman, atë që ai e cilëson si “shpirti popullor” gjerman.
Në Gjermaninë hitleriane muzika zinte vend të rëndësishëm edhe në veprimtaritë partiake. Hitleri personalisht është marrë me emërimin e drejtuesve të orkestrave dhe shpërndarjen e titujve të nderit lidhur me muzikën, me miratimin dhe financimin e disa institucioneve dhe individëve, përdorimin e disa kompozimeve si, p.sh., të marshit ushtarak ‘Badenweiler Marsch’ (‘Marshi i Badenweilerit’) apo të ‘Nibelungenmarsch’ (‘Marshi i Nibenlungenit’) që luhej vetëm në raste zyrtare të Partisë Naziste. Ai ka përcaktuar kohën e autorizuar për Deutchlandlied (himni kombëtar) dhe për Horst-Wessel-Lied (himni i Partisë Naziste Gjermane).
Për nazistët muzika në përgjithësi duhet të jetë me puls, e rreshtuar në kuadrat, tiranike, ritmike, ashtu sikurse duhet të jetë edhe qytetari nazist. Kënga dhe teksti i saj duhet të jenë energjikë, me një ritëm të prerë dhe të artikuluara fort dhe qartë. Muzika, kompozimet e këtyre viteve, janë himne kushtuar kreut të Partisë Nacional-socialiste, “martirëve”, të kthyer tashmë në heronj, d.m.th. shokëve të Hitlerit, që humbën jetën gjatë puçit të dështuar të Munihut. Këngët i kushtohen lavdisë së atdheut, flamurit, thirrjes nën armë. Ato nuk harrojnë as armikun ndërkombëtar.
Rajhu III-të e përdor muzikën si instrument emocional për indoktrinimin e popullsisë në tërësi dhe të grupimeve të të rinjve fanatikë e të dhunshëm hitleriane, të rinisë si rezervuari kryesor i rekrutëve mish për top. Këtë rol luajnë këngët korale, me një ritëm përsëritës dhe me një dinamikë grupi si dhe marshet e paradave ushtarake (Marschlieder). Nëpërmjet tyre synohet të mësohen të rinjtë të marshojnë me hap të njëjtë, nën të njëjtin ritëm, synohet militarizimi i botëkuptimit të tyre, një disiplinë e hekurt dhe shpirti i bindjes pa kushte. “Përpara! Përpara! Rinia nuk pyet për rrezikun. Führer, ne të përkasim. Të gjithë shokët të përkasin. Dhe flamuri ne na udhëheq drejt përjetësisë! Po, flamuri është më i fortë se vdekja”. Këto vargje janë nxjerrë nga teksti i Himnit të Rinisë Hitleriane.
Në këtë “familje” bën pjesë edhe kënga Volk ans Rifle (Njerëzit nën armë) e shkruar në vitin 1931 nga Arno Parduni, që i është kushtuar Joseph Gëbelsit. Gjatë luftës kjo këngë u përdor si marsh ushtarak. Teksti i saj përmban vargje të mbrujtura me ideologjinë naziste dhe frymën e saj siç është, p.sh., kërkesa për një hapësirë jetike në Lindje; “A e shihni ju agimin në Lindje”? Antisemitizmi i egër zen vend gjithashtu në këto vargje: “Gjermania u zgjua, Juda vdes”. Po kështu edhe edhe thirrjet militariste: “Populli në armë, Populli në armë”! Ja një strofë e plotë e saj: “A e shihni ju agimin në Lindje?/ Një shenjë e lirisë, e diellit!/ Ne qëndrojmë të bashkuar, të gjallë apo të vdekur/ Çfarëdo të arrijë!/ Përse të dyshojmë tani, të pushojmë së foluri/ Gjaku gjerman rrjedh gjithnjë në damarët tonë./ Populli në armë! Populli në armë”!
Pas Himnit të Partisë Naziste, një nga këngët më në zë të Nacional-socialistëve gjermanë është ajo e titulluar ‘Es zittern die morschen Knochen’ (‘Kockat e kalbura dridhen’). Kjo këngë u shkrua në vitin 1932, nga poeti dhe kompozitori nazist Hans Baumann. Ja disa vargje nga teksti i kësaj kënge: “Ne do vazhdojmë të marshojmë / ndërsa gjithçka përmbyset/ Sepse Gjermania sot na pret/ Dhe nesër bota mbarë ne do të na presë”. Të njëjtin rol kanë edhe ato këngë, që mund të grumbullohen në tematikën e përbashkët ‘Blut und Boden’ (‘Gjak dhe Tokë’) që ekzalton fshatarin dhe Tokën Nënë, apo Nënën Natyrë, si burim i jetës dhe vazhdimësisë së saj, shkurt: Tokën dhe Atdheun. Si shembuj mund të përmenden këngët Wir kämpfen für Ehre (Ne luftojmë për nder), Die Regimentskinder (Fëmijët e regjimentit), fjalët e të cilave janë në harmoni më se të plotë me ideologjinë dhe orekset naziste.
Në përputhje me këtë ideologji dhe me këto orekse, nazistët nuk kanë nguruar të kalojnë në ekstreme edhe në fushën e muzikës, të përvetësojnë, p.sh., Internacionalen duke e emëruar Hitlernationale dhe të ndryshojnë tekstin e saj nga “Ngrihuni ju o të mjeruar” në “Ngrihu popull i Hitlerit, shtrëngo radhët”. Nazistët krijuan organizata të shumta muzikore, organizuan festivale të këngës dhe të muzikës, manifestime muzikore etj., për të përcjellur muzikën e tyre “gjermane” në çdo vatër familjare, në çdo shkollë, në çdo kazermë, në manifestimet dhe festat e tyre gjigantes. Ata krijuan, shkolla të muzikës për fëmijë dhe për të rinj, të quajturat Jugendmusikschulen.
Disa organizata si Shërbimi i Punës i Rajhut (Reichsarbeitsdienst) që kishte për detyrë dërgimin e fëmijëve për gjashtë muaj në fshat, për punë vullnetare në bujqësi (Kinderlandverschickung) i grumbullonin ata në kampe ku muzika luante rolin e saj “edukativ” dhe propagandistik. Kreu i rinisë hitleriane, Baldur Benedikt von Schirachi, përgjegjës për edukimin fizik, ideologjik dhe moral të rinisë, i emëruar nga Hitleri në këtë post, krijoi një program për mësimin e muzikës nga kjo rini. Edhe ushtarët në front duhet të merrnin pjesë në veprimtari kulturore, në mbrëmje me këngë. Gjatë viteve 1933-1945, sidomos gjatë viteve të luftës, u botua për ushtarët një numër i madh përmbledhjesh me këngë. Mund të përmendet Das Lied der Front (Këngët e Luftës) e Alfred Ingemar Berndit, gazetar, shkrimtar dhe i afërt i Joseph Gëbelsit.
Das Lied der Front është një përmbledhje marshesh ushtarake dhe këngësh luftarake për t’u mësuar në shkollat dhe korret popullore gjermane. Shtëpitë e regjistrimeve muzikore, fillimisht të rezervuara ndaj muzikës naziste, e kuptuan shpejt se duhej ndërruar disku. Shumë prej tyre u vunë në shërbim të nazizmit me të gjitha kapacitetet. Electorola, p.sh., prodhoi në vitin 1933 shtatë regjistrime kushtuar marsheve dhe këngëve me frymë nacionaliste naziste. Deutsche Grammophon nxjerr në shitje katalogun 1939-1940 me njëqind e tetëdhjetë marshe naziste, tetë versione të ndryshme të Horst Wessel Lied dhe gjashtë të veprës së preferuar të Hitlerit Badenweiler March.
Hitlerianët e karakterizojnë jetën muzikore gjermane si një Musikkulturkampf (Betejë kulturore për muzikën) kundër ndikimeve armiqësore dhe shkatërrimtare nga një kulture e zonës së dytë, e cila, në thelb, nga pikëpamja racore është e huaj. Në librin e tij Mein Kampf, në faqen 273, (botim i Franz Eher Verlag, Munich, 1925) kreu i nazizmit gjerman, Adolf Hitleri, shkruan për degjenerimin artistik dhe për degjenerimin shpirtëror të Gjermanisë, për rrënimin e saj politik dhe kulturor si kurrë më parë. Ai nuk kursen, me këtë rast, edhe bartësit e këtij realiteti, ata që i stigmatizon si “të degjeneruar”, si “të çmendur”, me të cilët, sikurse shkruan autori i Mein Kampf, gjermanët janë familjarizuar. Si “recetë” për kalimin e kësaj gjendjeje, hitlerianët praktikuan unifikimin e artit me partinë dhe me shtetin, asimilimin e plotë të tij me nazizmin, kontrollin e plotë të tij.
Në fushën e muzikës, është RMK ose Dhoma e Muzikës e Rajhut, e drejtuar nga Joseph Gëbelsi, që ka për detyrë të kujdeset për “shëndetin shpirtëror” të popullit, duke kontrolluar çdo veprimtari muzikore kudo dhe pavarësisht përmasave apo karakterit. Kjo Dhomë përbën një nga shtatë dhomat e Reichskulturkammer (RKK) apo Dhomës së Kulturës së Rajhut, të ngritur më 22 shtator 1933. Në vitin 1937, Gëbelsi, për të kontrolluar më drejtpërdrejt veprimtarinë muzikore në vend, ia kalon shërbimet e Dhomës së Muzikës Ministrisë së Propagandës, pranë së cilës u ngrit Këshilli i censurës muzikore të Rajhut apo Reichsmusikprüfstelle. Detyrë e këtij Këshilli është kontrolli i të gjitha botimeve, programeve, emisioneve dhe regjistrimeve muzikore.
Ky Këshill harton dhe shpërndan, gjithashtu, listën e veprave të ndaluara. Sipas artikullit 10 të Reichsmusikkammer, një muzikant nuk mund të jetë anëtar i saj apo, nëse është, mund të përjashtohet po qe se “nuk ka cilësitë profesionale apo integritetin e duhur moral” sipas metrit nazist. Angazhimi politik i çdo muzikanti, dhe jo talenti, u bë kriteri bazë në vlerësimin e tij. Kjo çoi edhe daljen në plan të parë të artistëve mediokër, por skllevër të sistemit, të politikës, të atyre që u përdorën rregullisht si shërbëtorë të propagandës së Rajhut. Nga ana tjetër, gjithnjë sipas artikullit 10 të Reichsmusikkammer, iu ndalua ushtrimi i profesionit çdo muzikanti, që shihej si jo i përshtatshëm për Gjermaninë hitleriane, sidomos muzikantëve hebrenj ose atyre që ishin shquar gjatë viteve të Republikës së Weimarit.
Dhoma Muzikore (RMK) në përzgjedhjen e anëtarësisë së saj bazohej në kritere raciste. Çdo lloj angazhimi në fushën muzikore, çdo lloj punësimi apo perspektive për karrierë, u rezervohet “arianëve”. Kompozitorët jo konformistë dhe kompozimet e tyre u damkosën ndërkohë si “asgjësues të shpirtit heroik” dhe të “kulturës së një populli”, si “antimilitaristë”, “demoralizuese”, si “korruptues të moralit” të rinisë. Një tjetër etiketë, që iu vendos atyre ishte ajo e përhapjes së “degjenerimit”. Në Duseldorf, në vitin 1938, u përurua edhe ekspozita Entartete Music (Muzikë e degjeneruar) sipas modelit të ekspozitës Entartete Kunst (Arti i degjeneruar) që u hap një vit më parë në Munih. Për nazistët muzika e “degjeneruar” ishte një rrezik, që duhej luftuar me vendosmëri si armik i popullit gjerman, i ringjalljes së tij.
Duhet kaluar në shekullin XIX dhe në fushën e mjekësisë për të kuptuar frikën, që bartte cilësori “i degjeneruar” në mendimin e kohës dhe përse nazistët e riaktivizuan, i dhanë jetë, e bënë atë një lloj busulle të politikës tyre, një dominante me forcë shkatërruese. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX termi “degjenerim” përdorej nga mjekët për të dalluar ata, që ndryshonin nga tipi njerëzor i konsideruar si normal, sepse nervat e tyre ishin shkatërruar, sepse ata kishin trashëguar tipare jonormale, sepse tregonin dobësi morale apo ishin jonormalë në jetën e tyre seksuale.
Kuptohet, për rrezikun që paraqisnin për shoqërinë, këta të çekuilibruar, të rrjedhur, nuk mund të liheshin të lirë. Kështu, sipas logjikës naziste, artistët modernë, të gjithë ata që nuk pajtoheshin me linjën zyrtare, riprodhonin në veprën e tyre thjesht de formacionin e tyre nervor, anomalitë, monstruozitetin, shëmtinë e tyre. Ata ishin të zhveshur nga çdo mundësi apo lehtësi vëzhgimi realist dhe, për pasojë, në krijimtarinë e tyre, zotëronin format e parregullta. Në vitin 1937, më saktë, më 18 korrik të këtij viti, gjatë përurimit zyrtar të Shtëpisë së Artit Gjerman, Hitleri deklaroi: “Veprat e artit, që nuk mund të kuptohen dhe që kanë nevojë të shoqërohen me një grumbull shpjegimesh për të provuar kështu të drejtën e tyre për të ekzistuar, dhe që prekin nervozët e ndjeshëm ndaj budallallëqeve dhe pafytyrësive të këtij lloji, nuk do të munden të prekin më kombin gjerman. Askush të mos ketë ndonjë iluzion!
Nacionalsocializmi ka për detyrë të shpëtojë Raihun gjerman dhe popullin tonë nga të gjitha këto ndikime, që kërcënojnë ekzistencën e tij dhe karakterin e tij. Hapja e kësaj ekspozite shënon fundin e çmendurisë në fushën artistike dhe, me të, të ndotjes artistike të popullit tonë”. Kundërshtarët e regjimit, apo edhe ata, që thjesht nuk donin të ishin vegla të verbra të tij, u akuzuan nga nazistët edhe si përhapës të “kulturës bolshevike” në fushën e muzikës. E quajtura “Kulturë bolshevike” lidhej nga nazistët drejtpërdrejt me kulturën hebraike, apo sipas termit të përdorur prej tyre, me kulturën çifute. Ajo, gjithnjë sipas nazistëve, ishte shprehje e saj, ndërsa bolshevikët, thjesht vegla të “çifutërisë”.
Në Gjermaninë hitleriane, me ligj, siç janë ligjet e Nurembergut të shtatorit të vitit 1935, iu ndalua edhe “gjysëmçifutëve” ose grave të martuara me hebrenj, që të kompozojnë ose të ushtrojnë përgjegjësi artistike. Nazistët goditën edhe fushën e botimeve muzikore. Qindra botues dhe punonjës të shtëpive botuese muzikore u përndoqën, u persekutuan apo u burgosën. Sipas Hans Joachim Moserit, një nga autoritetet në sektorin e muzikës në Ministrinë e Edukimit të Popullit dhe të Propagandës së Rajhut, peizazhi muzikor i Gjermanisë naziste përcaktohet me fjalët: “Si në të gjitha fushat e tjera, çifutëria ka depërtuar në sferën muzikore të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës; botuesit, agjentët dhe shtypi kanë arritur të vendosin bashkudhëtarët e tyre të racës pothuajse në të gjitha postet kyçe, duke provuar kështu t’i imponojnë publikut shijet e tyre…!
Por, nëse që nga 1933 ata janë përjashtuar nga sfera jonë kulturore, kjo ka ardhur si pasojë e një nevoje urgjente dhe të ligjshme për të mbrojtur popullin arian përballë tiranisë intelektuale dhe ekonomike, që na është imponuar nga çifutëria”. Të njëjtën politikë përjashtuese, raciste, ushtruan hitlerianët edhe në sferën e muzikës operistike, në repertorin e Teatrit të Operës. Në qershor të vitit 1935, Kryetari i Dhomës së Kulturës së Rajhut, Richard Shtraus, nxori një regjistër ku përfshiheshin tri kategori operash, që mund të luheshin në skenat e Gjermanisë. Disi më pas ai nxori edhe një listë, që përmbante 108 kompozime të cilat “nuk duhet të luheshin kurrë”. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













