• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, May 14, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“S’do të mjaftonte ky qëndrim armiqësor ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu jashtë Shqipërisë, Rexhep Qoses…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja

Si u bë i mundur botimi i “Lahuta e Malcisë” dhe fjala e prof. Aleksandër Xhuvanit në varrimin e Fishtës më 31 dhjetor 1940
“Në librin ‘Historia e Letërsisë Shqiptare’, gjenden shumë të pavërteta, shpifje e fyerje për Faik Konicën, duke e etiketuar si; ‘reaksionar’, ‘i paskrupull’, ‘mistik’, etj.  …”! / Refleksionet e publicistit të njohur
Si u bë i mundur botimi i “Lahuta e Malcisë” dhe fjala e prof. Aleksandër Xhuvanit në varrimin e Fishtës më 31 dhjetor 1940
NË DITËN KUR FILLOI PËRJETËSIA E POETIT AT’ GJERGJ FISHTA
Historia e panjohur e Hafiz Ali Tarit që foli në varrimin e Fishtës dhe vuajti 20 vite burg, se denoncoi ideologjinë komuniste në Kinema Rozafat
Kalendari Historik 23 Tetor

Nga Agim Xh. Dëshnica

Pjesa e parë

                     At Gjergj Fishta dhe profesorët mjeranë të realizmit socialist

Memorie.al / Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare – 1983”, u synua të hidhej poshtë vepra e poetit kombëtar At Gjergj Fishta me fjalë si këto: “Përfaqësuesi kryesor i klerit Gjergj Fishta (1871 – 1940), poet, publicist, pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhërit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike ‘Lahuta e Malësisë’, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman.

Gjithashtu mund të lexoni

“Marrëveshja midis Hasan Riza Pashës dhe atdhetarëve shkodranë për ngritjen e flamurit shqiptar në kala, krahas atij turk, u sabotua me vrasjen e pabesë të tij…”/ Dëshmia e historianit të njohur nga Shkodra

“Hasan Riza Pasha, që para Shpalljes së Pavarësisë, i kishte propozuar Patër Gjergj Fishtës të shkruante një marsh në gjuhën shqipe, për ushtarët shqiptarë myslimanë …”/ Dëshmia e rrallë e historianit të njohu

Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e stilit, gjer në banalitetit, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste”.

Nuk do të mjaftonte ky qëndrim armiqësor ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu jashtë Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit – për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….”!

Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën “Zëri Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin përbuzjen e kundërshtimin, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit Enver Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se; “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara ‘Epopesë së Ballit Kombëtar’ të Shefqet Musarajt”(?!) Mirëpo, ai ishte ndër të parët, që me vargjet e veta qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo si poet i ndjesive atdhetare, që i zienin në zemër, u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut.

Në kohët e sotme aty – këtu vihet re, se si disa të ashtuquajtur Prof. Dr. kundër çdo rregulli, dëmtojnë dhunshëm me ndreqje antishkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin e vargjeve të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit tashmë të nderuar, dhe me frymëzim tymnajë, noton pa shpresë përmes dallgësh, në kërkim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish.

Krijimtaria e botuar e Fishtës

Poezinë e parë Fishta, e botoi më 1900, në revistën “Albania” të Faik Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanshme, përveç poemës epike, “Lahuta e Malsis”, rreshtohen veprat: “Kangë Popullore”, “Viersha t‘përshpirtme”, “Pika voeset”, “Anxat e Parnasit”, “Mrizi i Zanave”, “Vallja e Parrizit”, “Shën Françesku i Asizit”, “Gomari i Babatasit”, “Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend”, “Shna Ndou i Padues”, “Juda Makabe”, “Vllaznija”, “Odisea Ifigjenija n’Aulli”, “Shqyptari i qytetnuem”, “Shën Luigji Gonzage”, “Barijt e Betlemit”, “Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena”, “Jerina ose mbretëresha e luleve”, e të tjera. Në vëllimin “Mrizi i Zanave”, renditet edhe poezia “Lule Vjeshte”, nga më të dhimbshmet e më të bukurat e letërsisë sonë.

Me prozën e rrjedhshme Fishta u shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen “Hylli i Dritës.” Në vitet e diktaturës, kur vepra e Fishtës ndalohej, një veprim i tillë, nuk ndodhte askund, madje as në shtetet fqinjë veriorë. Emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës, përmendej me përcaktimin: “At Gjergj Fishta, Poet Kombëtar Shqiptar etj…“

Fishta dhe “Lahuta e Malësisë”

Gjatë kohës së diktaturës, sado që disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin: “Shkundu pluhnit pra, Shqypni! Ngrehe ballin si mbretneshë!/ Pse me djelm, qi ngrof ti, /Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë”! Vargje si këto në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it, “vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund te kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund te kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahuten e Malësisë” të At Gj. Fishtës”.

Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl, Erëin Stranik, Gustav Veigand, etj. Veigandi, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht (Lahuta e Malcis von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Lajpcig 1925), kurse Lambertz po në gjermanisht (Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino (Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës “Lahuta e Malësisë“, u njoh në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck (The Higland Lute, Londër, Nju Jork, 2005).

Poemën “Lahuta e Malcisë”, Fishta e filloi më 1905, me këngën e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën e tridhjetë “Konferenca e Londonit”. Në shënimet e veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin bashkë. Nga Marashi, Fishta dëgjoi rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e hershme të malësorëve shqiptarë dhe malazes, edhe për betejën e rreptë në Urën e Rrazhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë. Fishta vijoi ta botonte e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. “Lahuta e Malsisë”, me gjuhën e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Poema në vargje tetë rrokësh sado me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është histori në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Ded Gjo Luli, Oso Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit. Rimat, herë janë të përputhura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë të hovshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, medituese dhe filozofike, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare. Nga kjo kryevepër epike, po japim pjesë vetëm nga pesë këngë./ Memorie.al

LAHUTA E MALËSISË

C U B A T

“Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk’rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,

frymën tue ia xanun njak,
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër spari,
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari,
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer:

e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu’ i dhanë bulkut shum mërzì,
me u vu s’ ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt mësue

s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej,
pagë e t’dheta me i là kujë:
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
e as kurrkujë n’ këto troje t’ veta

mos me i bà kurr tungjatjeta,
n’braz me Turk kurr nuk kanë rà
e as kurr pushkën s’ ia kanë dà;
por t’janë grì me tè e t’janë vrà,
si me kenë tu’ u vrà me Shkjà

E prandej si pat fillue
Turkut Ora m’ iu ligështue,
e nisë pat m’ iu thy’ atij hovi,
m’ qafë përditë tu’ i mbetë Moskovi:
e ato fiset e Ballkanit

zunë me i dalë dore Sulltanit,
nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
si Shqipninë me e skapullue
zgjedhet t’ Turkut: qi si motit
n’ ato kohët e Gjergj Kastriotit,

krejt e lirë kjo t’ishte, e askujë
n’daç t’jetë Krajl a Mbret i huej,
me i bà kurr mà tungjatjeta,
kurr me i là mà pagë e t’dheta:
edhe Flamuri i Shqipnisë,

si fletë Engj’lli t’Perëndisë,
si ajo flaka e rr’fesë zhgjetare,
me u suvalë prap n’tokë shqiptare.
Kur qe ai Knjazi i Malit t’Zi,
Knjaz Nikolla, ‘i gërxhelì:

gërxhelì, por belaçì:
na dyndë top, na dyndë ushtrì
edhe del e bjen n’Shqipnì,
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
shka merr Drinin për s’të gjatit

der’ n’ Kalà të Rozafatit,
ku ai me ngulë do’ “trobojnicën”,
do’ m’ ia vu Shkodrës “kapicën”:
me bà Shkodrën Karadak,
mbasi ‘i herë ta kisht’ là n’gjak!

VRANINA

“Vojti fjala te Çetina:

-Vallë! ç’po ban mi Shkja Vranina!
Vallë! ç‘po ban Vranina m‘Shkje?
rob tue xanë e gjind tue pre,
tue pre gjind, tue xanë kajduka
qysh se duel njaj Oso Kuka!
Oso Kuka, ’i burrë Shkodran,
shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë
për kah besa e kah trimënia,
qi zanatë i ka Shqipnia.
Kaleshan e sy-përgjakun,
mje m’sylah mustakun:
ushton mali, thonë, kur t’flasë,
dridhet fusha kah t’vikasë,
e kah t’dredhë të rrebtë taga‘n
thue se rr’feja shkrepë për anë
kaq vringllim ai shkon tu‘ i dhanë!

MARASH UCI

“Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
dy djelm t’lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m’ dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
me armë n’ dorë, me zjarm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n’ kushtrim e n’gjýq t’bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba e e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n’kohë jetike
pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike:
e na doli barí malit,
i shmrijak me t’ bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t’ Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s’ bardhës Fé
bate dekën si me lé;
e u permendte Orë e Zana,
edhe u thotë shum punë t’ mëdhana, +
për lugat kur xehet hana,
e për luftë, qi me drangona, +
ban kulshedra n’ vise t’ ona;
edhe i njifte ai ma s’ mirit
sa drangoj janë rodit t’ njerit +
mbi Ranë t’ hjedhne e n’ Urë t’ Vezirit.
Prande’ e dojshin gjith barija
e ndigiojshin fjalët e tija
si kah pushka ashtu ka’ urtija.
Po shka, Zot, ka Mashi sot,
Qi na a vra e nuk ban za”?

TE KISHA E SHINJONIT

“Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
s’ lete anmik, jo, me i u afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kisht’ mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
( Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
veç nji troe t’ tokës Shqiptare
m’ e rëmue dora grabitçare?
Ah! jo kurr: t’ isht’ çue mbarë bota…
pse ndo ‘i Lekë, a ‘i Gjergj Kastriota
do t’ kisht’ dalë, atë dorë rrëmbyese
m’ e cungue me armë ngallnjyese,
t ‘ cilat n’ shekull do t’ permenden
hanë e hyj sa qiellëve t’ enden.
Por kanë ndërrue sot moti e stina
për dhé t’ ngrît, ku rreh “martina“!
Gjinde e mbajtun me lot t’ shu‘mit
qi n’ djersë njomë busat e umit,
ja qi n’ kullmë rreshket kumbuese,
ja n‘për dét bjen valës shkumuese,
për me mbajtë nji grue te shpija
s’ cilës bukë i lypin fëmija,
edhe i len ndoshta me kjá,
përse e mjera bukë nuk ká:
gjinde, s’ cilës Zot i asht ari,
t’ zezën tokë qi i ngratë Shqiptari
shtrejt me gjak e pat fitue,
pa ndo ‘i dhimbë, kjoshin mallkue!
Sot m’e dá duen copa – copa:
e përse? Pse don Europa…
Lum, oj Zana e Veleçikut,
qi m’ ia lshon ti namët anmikut,
qi m’ i uron djelmët e Malsísë,
qi m’ i a kjánë hallin Shqipnísë;
kësaj Shqipníe, e cilla motit,
n’ za kah pushka e besa e Zotit,
pat kenë çmue prej fisesh t‘ tana
kah bien dielli e kah merr hana”!

TE URA E RZHANICËS

“Riza Pasha del n’ kalá:
‘Madhi Zot, se shka me pá!
‘Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:
Hazna e madhe për bulqí!
T’ u ngjatët jeta! i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojn me Mal të Zí”.
 

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

"Në vitin 1938, muzika bëhet një mjet i fuqishëm i propagandës së Rajhut III-të dhe Gjermania u shpall ‘Vendi i muzikës’...”/ Ana e panjohur e raporteve të nazizmit me artin e kulturën

Artikuj të ngjashëm

“Marrëveshja midis Hasan Riza Pashës dhe atdhetarëve shkodranë për ngritjen e flamurit shqiptar në kala, krahas atij turk, u sabotua me vrasjen e pabesë të tij…”/ Dëshmia e historianit të njohur nga Shkodra
Personazh

“Marrëveshja midis Hasan Riza Pashës dhe atdhetarëve shkodranë për ngritjen e flamurit shqiptar në kala, krahas atij turk, u sabotua me vrasjen e pabesë të tij…”/ Dëshmia e historianit të njohur nga Shkodra

May 14, 2026
“Hasan Riza Pasha, që para Shpalljes së Pavarësisë, i kishte propozuar Patër Gjergj Fishtës të shkruante një marsh në gjuhën shqipe, për ushtarët shqiptarë myslimanë …”/ Dëshmia e rrallë e historianit të njohu
Personazh

“Hasan Riza Pasha, që para Shpalljes së Pavarësisë, i kishte propozuar Patër Gjergj Fishtës të shkruante një marsh në gjuhën shqipe, për ushtarët shqiptarë myslimanë …”/ Dëshmia e rrallë e historianit të njohu

May 13, 2026
“Kulmi mërrîjti kúr në vendin e flamurit serb, ngritëm pranë atij të Francës, flamurin e Skanderbeut, qi e kishin punue murgeshat Stigmatine, me urdhën të…”/ Ditari i panjohur i Karl Gurakuqit
Personazh

“Kulmi mërrîjti kúr në vendin e flamurit serb, ngritëm pranë atij të Francës, flamurin e Skanderbeut, qi e kishin punue murgeshat Stigmatine, me urdhën të…”/ Ditari i panjohur i Karl Gurakuqit

May 11, 2026
“Kur më erdhi në qeli prokurori Asaf Kondi, unë e pyeta; Si jurist i regjur që duhet të jeni, desha të di prej jush se, a dënohet mendimi, i cilitdo qoftë, ai më tha…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
Personazh

“Ishte në agoni, vetëm më shtrëngonte dorën me të cilën u mundoja me e qetsue, por dikur ra në njëfarë qetësie dhe dha shpirt. I bana kryq dhe pastaj erdhën dy policë…”/ Si e mbytën në qelitë e Sigurimit, Injac Baqlin?!

May 7, 2026
“Pasi i pushkatuan vëllain, Abdullain, e motra, Hajria, gruaja e Qazim Mulletit, me të birin, Reshtin, u internuan në Myzeqe, kurse Hysenin, 10 vjet burg…”/ Historia e futbollistit të famshëm të Sport-Klub “Tiranës”
Personazh

“Pasi i pushkatuan vëllain, Abdullain, e motra, Hajria, gruaja e Qazim Mulletit, me të birin, Reshtin, u internuan në Myzeqe, kurse Hysenin, 10 vjet burg…”/ Historia e futbollistit të famshëm të Sport-Klub “Tiranës”

May 5, 2026
“Në kampin e Fush-Krujës, kishte dhe të burgosur ordinerë, si shkrimtari Selman V., ish-kreu i organizatës Pionerit, i cili me Janaq T., në 1946-ën, organizuan rrahjen time në gjimnaz…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës
Personazh

“Në Burrel gjeta edhe babanë, u bëmë atë e bir në burg, po vdiste se qe plak, as gatuante, e as ishte në gjendje t’i shërbente vetes, aq sa…”/ Dëshmia e trishtë e Sezari Maliles nga Gjirokastra

May 3, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme