Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dhjetë
NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET
PARATHËNIE
Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.
Në vitin 1919 vetëvritet shkrimtari dhe fotografi Leonid Nikolaieviç Andreiev. Në vitin 1921 u pushkatua poeti Nikolai Gumiliev, bashkëshort i poetes Ana Akhmatova. Boris Viktoroviç Savinkovi vritet nga agjentët e GPU (ГПУ) në vitin 1925. Një fat të trishtuar pati edhe poeti Sergei Jesenin. Në valën e një fushate antisemite, Jesenini u kërcënua me një proces gjyqësor. Pasi kaloi një krizë nervore, në fund të vitit 1925, ai u shtrua në një klinikë psikiatrike nga ku mori një çertifikatë, që konfirmonte se për shkak të shëndetit të tij, nuk mund të merrej në pyetje në gjykatë. Menjëherë pas kësaj, ai u largua, shkoi në Leningrad, ku u vetëvar në Hotelin “Angleterre” më 28 dhjetor 1925.
Vdekja e Jeseninit nuk i pengoi autoritetet shtetërore të rinisin një fushatë kundër tij. Ai u akuzua për korruptim të rinisë. Autoritetet komuniste, të cilët e shihnin me dyshim poezinë, “huliganizmin” dhe individualizmin e Jeseninit, e dënuan krijimtarinë e autorit. Ata e deklaruan poezinë e Jeseninit si në kundërshtim me doktrinën e Realizmit Socialist dhe i ndaluan botimet e tij. Mbi fundin e Sergei Jeseninit, përveç versionit zyrtar, ekziston edhe një version tjetër, i mbështetur nga shumë ekspertë, sipas të cilit poeti është vrarë nga autoritetet sovjetike.
Një tjetër poet, i njohur edhe si “poeti i revolucionit”, Vladimir Majakovski, i rraskapitur, në moshën 37-vjeçare, qëlloi veten në zemër më 14 prill 1930. Ai shkroi epitafin e tij dy ditë para vdekjes: “Varka e dashurisë është përplasur me jetën. Siç thuhet, dosja është mbyllur. Me ju jemi të larë. Mos fajësoni askënd për vdekjen time. I ndjeri i urren thashethemet. Në ferr shkofshin dhimbjet, ankthet dhe gabimet e ndërsjellat! Qofshi të lumtur! …kjo nuk është rruga (nuk ja rekomandoj askujt), por për mua nuk ka rrugë tjetër të mundshme”.
Evgenia Iaroslavskaia-Markon, u pushkatua në vitin 1931 në një gulag të ishujve Solokovski. Juri Dombrovski, duke filluar nga viti 1932, u arrestua pesë herë. Ai kaloi 25 vjet të jetës në burgje dhe si i përndjekur. Në vitin 1933 u arrestua dhe u dënua Anatoli Ribakovi, me 3 vjet dëbim, pa të drejtë të kthehej në Moskë, ndryshe rrezikonte një arrestim të dytë. Në maj të vitit 1934, arrestohet Osip Mandelsdtami, që përfundon më pas në një kamp përqendrimi pranë Vladivostokut, ku edhe vdes i dërmuar, i uritur. Sipas një varianti tjetër, ai është pushkatuar. Fakt është se trupi i tij i hedhur në një varr të përbashkët me viktima të tjera të regjimit, nuk është gjendur edhe sot e kësaj dite.
Edhe shkrimtari Boris Savinkov, pasi u arrestua nga Tcheka në gushtin e vitit 1934, sipas versionit zyrtar, u vetëvra në burgun e Lubiankës në Moskë. Në vitin 1937, arrestohet Evguenia Guinzburgu, që përfundon në gulagët sovjetikë. Po këtë vit arrestohet edhe Katajev Ivan Ivanoviç si dhe poeti Nikolai Oleinkov, i cili u pushkatua më 24 nëntor 1937. Vitit 1937 nuk kurseu as Varlam Shalamovin, shkrimtar, poet, gazetar. Pasi u arrestuar më 19 shkurt 1929, dhe pasi u dërgua për tre vjet në një kamp pune në Vishera, në Uralet Qendrore, 12 janari i viti 1937 e ktheu atë në Gulag, në Kolyma, një rajon në Lindjen e Largët të BRSS-së, mbi Rrethin Arktik, i njohur si; “vendi i vdekjes së bardhë”!
Shalamovi i varfër, i dobësuar, i sëmurë, vdes në një spital psikiatrik në Moskë. I arrestuar në vitin 1930, Isak Iliç Rubini pushkatohet nga GPU në vitin 1937 në burgun e Aktiubinskut. Në të njëjtin vit, më 28 tetor 1937, arrestohet Boris Pilniak. Ai pushkatohet më 21 prill të vitit 1938. Nikolai Alekseieviç Zabolotski, shkrimtar dhe poet, dënohet në vitin 1938 dhe dërgohet në Goulag në Siberi. Ai lirohet përkohësisht në vitin 1944. Në vitin 1953 Zabolotski internohet sërish. Më 31 gusht të vitit 1941, në internim në Republikën e Tartarisë, e vetmuar, e papunë, varet edhe poetesha e njohur ruse Marina Tsvetaieva. Varri saj edhe sot e kësaj dite mbetet i panjohur.
Në vendin e sovjetëve askush, edhe më besniku qoftë, nuk mund të ndihej i sigurtë, i paprekshëm, i pa poshtëruar. Pas një zhgënjimi të thellë, më 13 maj 1956, tre muaj pas Kongresit XX, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, Aleksandër Fadajev, do ta mbyllë jetën e tij me vetëvrasje me një armë zjarri në shtëpinë e tij në Peredelkino. Letra e lamtumirës e Fadajevit, drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e sekuestruar nga KGB-ja, nuk u botua deri në vitin 1997.
Në këtë letër ai shkruan: “Nuk shoh mundësi të vazhdoj të jetoj, pasi vepra, së cilës i kushtova jetën, është shkatërruar nga injoranca dhe arroganca e partisë dhe tani nuk mund të korrigjohet më. […] Jeta ime si shkrimtar humbet kuptimin e saj dhe unë, me shumë gëzim, shpëtoj nga kjo ekzistencë e neveritshme, ku poshtërsia, gënjeshtrat dhe shpifjet bien mbi ju. Shpresa ime e fundit ishte të dëgjohesha nga burrat që qeverisin shtetin tonë, por në tre vjetët e fundit, pavarësisht kërkesave të mia, nuk ka pasur njeri që të më priste. […] Kërkoj të më varrosin pranë nënës sime”!
Si parantezë mund të shtojmë se përveç mjaft shkrimtarëve dhe poetëve, në burgjet apo në gulagët e komunizmit kanë kaluar dhe kanë lënë kockat miliona qytetarë dhe fshatarë sovjetikë. Ky realitet, sigurisht, nuk mund të gjendet në letërsinë e Realizmit Socialist. Kjo nuk do të thotë se ai nuk është trajtuar. Kjo është bërë, por gjithnjë duke respektuar zinxhirët e lumturisë komuniste, të jetës së re dhe të ardhmes së ndritur të papërcaktuar, utopike, mashtruese. Këtë e gjejmë, p.sh. në romanin “Наказание без преступления” (“Ndëshkim pa krim”) të Aleksandër Advenkos.
Në faqet e tij, duke bërë fjalë për jetën në kampet e përqendrimit apo në burgjet e diktaturës bolshevike, autori shkruan: “Barakat janë zbardhur me kujdes. Vendkalimet janë mbuluar me rërë të verdhë ose të bardhë dhe janë rrethuar me bar e lule…! Kudo sheh stola të lyer me të bardhë, ku janë ulur njerëz të shëndetshëm dhe të gëzuar. Në baraka sheh shtretër dykatësh me dyshekë të trashë, çarçafë dhe mbulesa, jastëkë të pastër. Tavolina është shtruar me një mbulesë të pastër. Ka edhe një gazetë muri. Të burgosurit, me një pamje të gëzuar e të gjallë, u përgjigjen pa ngurrim të gjitha pyetjeve. Po, ata kanë vjedhur, kanë plaçkitur, ata janë dënuar. Ata janë bërë punonjës të fuqishëm, bëjnë tarraca, presin drunj, bëjnë betonim, ndërtojnë diga”.
Le të vazhdojmë me faktet e renditura kronologjikisht dhe që dëshmojnë për përndjekjet e vazhdueshme, burgosjet, internimet, dëbimet e shumë shkrimtarëve nga diktatura bolshevike. Aleksandër Vedenski, poet, i përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve më 1931, u arrestua si i dyshimtë më 27 shtator 1941 dhe u ekzekutua nga shoqëruesit e tij në një stacion të një fshati të humbur. Një tjetër poet, Danil Harmsi, pasi u internua në Kursk në vitin 1931, u arrestua në vitin 1941 për “disfatizëm” dhe përfundoi në një spital psikiatrik, ku edhe vdes më 2 shkurt të vitit 1942 në moshën 36-vjeçare.
Pas Luftës II-të Botërore, Lidhja e Shkrimtarëve sovjetikë u përfshi drejtpërdrejt në denigrimin dhe arrestimin e shkrimtarëve, veçanërisht në vitin 1946, gjatë fushatës kundër letërsisë “apolitike” dhe, që nga viti 1948, kundër atyre që u treguan “servilë para Perëndimit”, kundër “kritikëve jo-patriotë” dhe kundër “kozmopolitëve”. Për pasojë, lista e të përjashtuarve nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e të dëbuarve, e të dënuarve, do të vazhdojë të rritet. Në vitin 1946 në këtë listë do të përfshihen autorët më të mirë, si Anna Akhmatova dhe Mikhail Zoshchenko. Si pasojë e fushatës antisemite, të filluar në vitin 1949 nga Stalini, kundër intelektualëve me origjinë hebreje, pas pushimit nga puna të disa qindrave prej tyre, më 12 gusht të vitit 1952, u pushkatuan 24 shkrimtarë çifutë të gjuhës jedish,”për komplot kundër popullit sovjetik”.
Në vitin 1953 do të dëbohen nga Lidhja e Shkrimtarëve edhe poetët Zabolotsky, Smeliakov dhe Martynov. Poeti rus Vadim Kozovoi u syrgjynos në gulag nga viti 1957, deri në vitin 1963. Në vitin 1958, autoritetet sovjetike, duke e konsideruar Pasternakun, autor i “Доктор Живаго” (“Doktor Zhivago”) si një “agjent të Perëndimit kapitalist, antikomunist dhe anti-patriot”, e përjashtuan edhe atë nga Lidhja e Shkrimtarëve. Vladimir Semitchastny, kreu i ardhshëm i KGB-së, në një fjalim të mbajtur me këtë rast në Komitetin Qendror të Rinisë Komuniste, e akuzoi Pasternakun që, sipas tij, u ka “pështyrë njerëzve në fytyrë” dhe se është më i ulët se një derr, i cili; “nuk dhjet kurrë aty ku han”.
Lista e të përjashtuarve nga nga Lidhja e Shkrimtarëve do të vazhdojë të rritet në vitet në vazhdim. Në vitin 1968, përjashtohen prej saj Andrei Siniavski dhe Juli Danieli, në vitin 1969, Alexandër Solzhenicini, që do të kalojë 8 vjet të jetës së tij në gulak dhe pastaj do të emigrojë në Francë. Më tej lista mund të vazhdojë me Alexandër Galichinin në 1971, Vladimir Maksimovin në 1973, Lidia Tchoukovskaian dhe Vladimir Voinoviçin në 1974, Vladimir Kornilovin dhe Lev Kopelevin në 1975, Raisa Orlovën dhe Felix Svetovin në 1980 dhe të tjerë. Sikurse është shprehur Aleksandër Solzhenici: “Qindra autorë të tjerë, absolutisht të pafajshëm, u arrestuan dhe Lidhja e Shkrimtarëve i braktisi me bindje në fatin e tyre si të burgosur dhe të internuar”.
Mund të shtojmë këtu, p.sh., Bulgakovin, Platonovin, Grosmanin, Nekrasov Viktor Platonoviçin, Andrei Siniavskin, Guinzbourgun, Galanskovin, Lachkovan, etj. Në vitin 1977, shkrimtari disident Georgi Vladimov, pasi braktis Lidhjen e Shkrimtarëve, në një letër të hapur, do ta akuzojë atë si një “aparat policor”, i cili përndjek autorët, i kërcënon dhe i ndëshkon ata. Në këtë letër, përveç të tjerave, Vladimov shkruan: “Bëni atë që ju shërben dhe për të cilën jeni të devotshëm: shtypni, persekutoni dhe mos lejoni. Por pa mua”. Ata, thekson nga ana e saj shkrimtarja Lidia Tchoukovskaia, duke treguar autoritetet shtetërore dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve, “duan të frikësojnë…! Ata duan që njerëzit të mohojnë veten, të pendohen, të shpifin ndaj njëri-tjetrit”.
Në Lidhjen e Shkrimtarëve si edhe në organe e mekanizma të tjerë të censurës dhe të kontrollit, zinte një hapësirë zotëruese KGB-ja me agjentët e saj. Sikurse do të shkruajë Vladimir Voinoviçi, në Lidhjen e Shkrimtarëve do të kishte “po aq kolonelë dhe gjeneralë sa edhe në Shtabin e Përgjithshëm dhe se, në pjesën më të madhe, ata vinin nga KGB-ja”. “Sipas arshivave të Liubiankës (seli e Tchekas, OGPU, NKVD-së, KGB-së si dhe e FSB-së të ditëve tona), rreth 2.000 shkrimtarë janë arrestuar, 1.500 prej tyre kanë vdekur në kampe ose janë pushkatuar”. Për çdo shkrimtar, sikurse edhe për çdo gazetar, ishte hapur një dosje nga shërbimet e kontrollit e të censurës, praktikisht nga organet e policisë sekrete.
Dosja përmbante jo vetëm të gjitha veprat dhe të gjitha deklaratat publike të shkrimtarëve, por edhe të gjitha vlerësimet, të gjitha kritikat apo lavdet që mund t’u jenë bërë atyre në Bashkimin Sovjetik apo jashtë shtetit, në shtyp, në radio a në televizion. Ky material voluminoz u shërbente autoriteteve për të mbajtur nën vëzhgim shkrimtarët, për të vendosur lidhur me botimin ose mosbotimin e një vepre, për dhënien apo mosdhënien e një vize për udhëtim jashtë shtetit, etj.
Edhe në periudhën post-staliniane vazhdon në Rusi përndjekja e shkrimtarëve jo të pranuar nga Kremlini. Kështu, p.sh., poeti Josef Brodski, fitues i ardhshëm i Çmimit ‘Nobel’ për Letërsinë, u dënua në vitin 1963 me pesë vjet punë të detyrueshme nën akuzën për “parazitizëm social”, një damkosje kjo e ngjashme me të tjera të përdorura pa kursim në Bashkimin Sovjetik si: “nepërkë epshore, mi i neveritshëm, dosë e ndyrë, qen i tërbuar”, etj. Në janarin e vitit 1968, autoritetet sovjetike kurdisën një proces farsë për intelektualët Juri Galanskov, Aleksandër Ginzbourg, Aleksei Dobrovolski dhe Vera Lakhkova.
Ata u gjendën “fajtorë” sepse kishin botuar krijimet e tyre jo në ndërmarrjet shtetërore. Të katër u dënuan dhe u degdisën nëpër gulagët sovjetikë ose në spitalet psikiatrike. Një tjetër shkrimtar, Brodski, i ndjekur vazhdimisht, u dëbua nga BRSS-ja në qershor të vitit 1972. Pas një qëndrimi të shkurtër në Vjenë, ai u vendos në Shtetet e Bashkuara. Dy shkrimtarë të tjerë, Andrei Siniavski, i mbijetuar i Gulagut sovjetik (ish-i burgosuri i Perm dhe Juli Markoviç Danieli, gjithashtu ish i mbijetuar i Gulagut, u arrestuan në shtator 1965. Danieli u lirua në 1970. Siniavski u lirua në 1972. Ai u dëbua nga vendi dhe u vendos në Fontenay-aux-Roses (Francë) me gruan e tij Maria Rozanova. Në vitin 1974 ai u emërua profesor i letërsisë dhe qytetërimit rus në Sorbonë. Në vitin 1976, Sasha Sokolovi vendoset në SHBA-ës, ku edhe botoi romanet ‘Школа дураков’ (‘Shkolla për budallenjtë’) dhe ‘Между собакой и волком’ (‘Midis qenit dhe ujkut’).
Një tjetër shkrimtar, Sergei Dovlatovi, do të emigrojë po në SHBA në vitin 1979. Vladimir Voinoviçi njihet për romanin e tij ‘Жизнь и необычайные приключения солдата Ивана Чонкина’ (‘Jeta dhe aventurat e jashtëzakonshme të ushtarit Ivan Shonkin’) botuar në vitin 1969 dhe ‘Антисоветский Советский Союз’(‘Bashkimi Sovjetik anti-sovjetik’) botuar në vitin 1985. Në vitin 1974, pasi botoi një letër në mbrojtje të shkrimtarit disident Aleksandër Solzhenicin, ai përjashtohet nga Lidhja e Shkrimtarëve Sovjetikë, që do të thotë se ai nuk mund të botonte më. Në vitin 1980, Voinoviçi vendoset në Gjermaninë Perëndimore.
Në vitin 1981 atij i hiqet qytetaria sovjetike. Në vitet në vazhdim më 20 dhjetor 2023, në orën 19.14, në një klimë të rritjes së shtypjes ndaj kritikëve të Kremlinit, autoritetet ruse vendosën në listën e personaliteteve “terroriste dhe ekstremiste” autorin Boris Akunin, në mërgim në Londër që prej vitit 2014. Ai akuzohet për; “terrorizëm dhe shpërndarje të lajmeve të rreme në lidhje me ushtrinë”. Akunini është historian, përkthyes, eseist dhe dramaturg, autor i më shumë se 70 titujve, të përkthyer në më shumë se 30 gjuhë. Ai është një nga shkrimtarët më të njohur rusë të dy dhjetëvjeçarëve të fundit.
“Ende, me 3 gusht të vitit 1984, kreu i Glavlit i kërkon Komitetit Qendror autorizimin për të tërhequr disa libra nga bibliotekat dhe nga shitja: ato të Vasili Aksionovit, të Guergui Vladimovit, Vladimir Voinoviçit, Aleksandër Zinovievit apo të Lev Kopelevit, të cilëve u është hequr shtetësia si pasojë e “aktiviteteve të tyre antisovjetike”. Në Bashkimin Sovjetik të djeshëm dhe në Rusinë e sotme, që ëndërron restaurimin e perandorisë sovjetike, asnjë shkrimtar nuk është ndier dhe nuk ndihet i sigurtë. Kanë qenë dhe janë ende aktuale fjalët e Ilia Ehreburgut: “Nëse në Bashkimin Sovjetik shkrimtarët janë ende gjallë, kjo ndodh sepse ata janë akrobatët më të mëdhenj në botë”.
Pavarësisht nga sa më sipër, duhet thënë se në Bashkimin Sovjetik është lëvruar edhe një letërsi tjetër, e ndryshme nga ajo zyrtare apo propagandistike, një letërsi e fshehtë që përshkruan me realizëm jetën e gulagëve. Ajo, sigurisht, nuk i përket Realizmit Socialist. Janë disa autorë, që duke qenë të mbyllur në gulaget bolshevikë, kanë shkruar dhe, më pas, kanë botuar një sërë veprash letrare të gjinive të ndryshme, të cilat pasqyrojnë ferrin dhe tmerrin e këtyre kampeve.
Njihet botërisht Aleksandër Solzhenicini me ‘Одио н день Ивао на Денио совича’ (‘Një ditë e Ivan Denisoviçit’) dhe ‘Архипелао г ГУЛАо Г’ (‘Arqipelagu i Gulagut’) si edhe disa poema e pjesë dramatike në vargje. “Arqipelagu Gulag”, është vlerësuar si një nga veprat madhore të shekullit XX-të mbi sistemin e kampeve të përqendrimit. Ai u shkrua në copëza të vogla letre, që u groposën në kopshtet e miqve të autorit.
Një kopje u dërgua prej tyre në Perëndim. Botimi i veprës u bë pasi Elizabet Voronianskaia, një nga asistentet e tij, u gjet e varur më 23 gusht 1973. Pas pesë ditësh pyetjesh dhe torturash në zyrat e KGB-së, ajo tregoi vendin e fshehtë ku gjendej një kopje e veprës. Ndër autorët e “letërsisë së gulagëve”, mund të renditen edhe Andrei Siniavski, Varlan Chalamovi Juri Veinerti, Jakov Kharoni, Robert Stilmarku, Danil Andrejevi, Pavel Florenski etj. Një lloj tjetër letërsie, klandestine, lidhet me atë që njihet si “samizdat”, d.m.th. me libra dhe revista të vetë-botuara, që u përhapën gojë më gojë në qarqet kulturore dhe kryesisht i shpëtuan censurës zyrtare.
Si roman i parë i kësaj letërsie njihet Doctor Zhivago, i shkruar nga Boris Pasternaku në vitin 1957. Në këtë mënyrë u botuan dhe u shpërndanë shumë revista, kryesisht revista letrare, si ‘Синтаксис’ (‘Sintaksis’) e vitit 1959, themeluar nga Alexander Ginzburgu dhe ‘Бумеранг’ (‘Bumerang’) e vitit 1960 , themeluar nga Vladimir Osipovi. Po këtu mund të përmendet edhe ‘Хроника Текущих Событий’ (‘Kronikë aktuale’) e vitit 1968, themeluar nga poetja Natalia Gorbanevskaja, shkrimtari Ilia Gabai dhe fizikanti Pavel Litvinov. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













