• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, April 23, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në fshatrat e tyre mbërritën ushtritë greke; një lukuni egërsirash, të etura për gjak e plaçkitje, ishin mbledhur gjithë varfanjakët e Greqisë dhe mësynin myslimanët…”/ Libri i studiuesit nga Korça

“Shqipëria është Europë dhe s’duhet të jetojmë si kafshë, pasi çdo gjë ka një kufi dhe…”/ Dokumentet sekrete për traktet që u hodhën në Korçë në ’68-ën
“Vllehët e Pindit, të njohur zyrtarisht si bashkëpunëtorë të italianëve e gjermanëve, grabitën dhe shfrytëzojnë pasuritë e çamëve, bashkë me orthodoksit nga…”/ Refleksionet e studjuesit të njohur
“Mikut të tij, Jani Dani nga Popovi, Napolon Zerva i shkruante; Duhet t’u rikujtojmë bashkatdhetarëve tanë, se kush e çlirojë Çamërinë nga shqiptarët…”! / Historia e genocidit grek, mbi popullsinë çame
“Ismail Qemali, në vend që të përkujdesej për krijimin e një Xhandarmërie ose trupi ushteriak, u muar me çështjet e bankës dhe tramvajve…”/ Libri i priftit nga Përmeti në 1917-ën
“Gruaja sapo pa thikën, i ra zali, greku i rrëmbeu foshnjën nga duart, ajo ulëriti, ajy plasi foshnjën përdhe dhe zuri pas zakonit që kanë grekërit, ta ç’nderonjë…”/ Libri i priftit nga Përmeti, i vitit 1917
“Misioni sekret në Greqi me krerët e Partisë Komuniste që i sillja në vilën e fshehtë në Tiranë, kur ata i priste, Enveri dhe…”/ Dëshmia e ish-ushtarakut

Nga VEPROR HASANI

Pjesa e parë

Memorie.al / Mëngjesin e 5 dhjetorit 1912, sipas kalendarit allafrënga, ose më 18 dhjetor, sipas kalendarit allaturka, u përhap një lajm i frikshëm: ushtritë greke kishin hyrë në Devoll dhe po vinin drejt Korçës. Ata digjnin, vrisnin dhe shkatërronin gjithçka që gjenin përpara. Divizionet greke udhëhiqeshin nga një kolonel i quajtur Dhamiano. Myslimanët e fshatrave të Devollit u përfshinë nga paniku. Gjithë tmerri do të binte mbi ta. Vendosën t’i linin shtëpitë e tyre e të niseshin drejt Korçës, mbase atje do të ishin më të mbrojtur. Asgjë nuk ishte e sigurtë, por zgjidhje tjetër nuk kishin. Prisnin të binte errësira. Rrëfimet e asaj nate, duke u gdhirë 6/19 dhjetori, janë nga më rrëqethëset. Ata që morën udhët ishin të shumtë. Nuk mundën të merrnin asgjë me vete.

E kishin të pamundur. U duhej vetëm të iknin një minutë e më parë. E rëndësishme ishte të mbeteshin gjallë, nuk kërkonin asgjë tjetër më shumë. Me foshnja në krah, me pleq të sëmurë, me fëmijë përdore nxitonin asaj nate të zezë, për të mbërritur sa më parë në Korçë. Ishin të sigurtë; kudo që të trokisnin, myslimanët do t’ua hapnin derën. Edhe te ortodoksët mbyllur nuk do ta gjenin portën. Qanin fëmijët e vegjël, lotonin nënat e tyre: “Pusho, bir, edhe pak dhe arritëm”, por rruga dukej sikur nuk kishte të mbaruar. Deri atëherë natë më të frikshme për ta nuk kishte patur.

Gjithashtu mund të lexoni

“Hrushovi thoshte për udhëheqësit shqiptarë, sidomos për Enver Hoxhën kryeministrin Shehu dhe ministrin Balluku, se; ‘ata janë më keq se egërsirat’, …”/ Libri i historianit irlandez

“Mbreti Zog i ka dërguar një mesazh të gjithë diplomatëve shqiptarë jashtë vendit, duke përfshirë edhe Uashingtonin, ku thotë se…”/ Shkrimet e panjohura të shtypit botëror, për 7 prillin ‘39

Fatmirësisht arritën të largohen në kohë. Një çast më vonë në fshatrat e tyre mbërritën ushtritë greke; një lukuni egërsirash, të etura për gjak e plaçkitje. Ishin mbledhur gjithë varfanjakët e Greqisë. Mësynin shtëpitë e myslimanëve. Përpiqeshin kush e kush të rrëmbente më shumë. Kolonel Dhamiano ndiqte çdo lëvizje. Priste të merrte pjesën e vet. Pasi kontrollonin dhe shtëpinë e fundit, fshatit i vinin zjarrin. Fshatrat e myslimanëve po shndërroheshin në rrënoja. Pastaj, me të njëjtën egërsi, me urat e zjarrit në dorë, u turrën drejt fshatrave të tjerë. U ndalën në Plasë, në Kuç, në Dishnicë, në Mborje, në Kamenicë e gjetkë, ku nuk lanë gjë pa rrëmbyer.

Pasi largoheshin grekët, fshatrat e myslimanëve sulmoheshin nga ortodoksët e vobektë, romët dhe egjiptianët për të marrë edhe ata ndonjë gjë të vogël që mund të kishte mbetur. “Udha e Plasës dhe më të sipërm,- shkruan Petro Harizi, te libri i tij “Historia kronografike e Korçës”, – sikundër edhe udha e Dishnicës gjer në Korçë, nxinte mund të themi, nga njerëz që thamë më sipër, të cilët të ngarkuar vetë ose duke patur ngarkuar kafshët e tyre sillnin lloj-lloj plaçka dhe mobilie të shtëpive që kishin bërë plaçkë: kazanë, tenxhere, pasqyra, tryeza, karreklla si kundër edhe qe, lopë, dhen, dhi, pula, grurë, elb, mjellëra, djathëra, gjalpëra me qype dhe gallanoska, silleshin që nga fshatrat e prishura në Korçë”.

Një ditë më vonë, mëngjesin e 7/20 dhjetorit 1912 shefi i divizioneve greke, Dhamiano, hyri në Korçë me ushtrinë greke, u shtri deri në afërsi të fshatit Helmës. Divizioni i tretë qëndroi në qytetin e Korçës, ndërsa divizionet e tjera u kthyen në Follorinë. Banorë të Korçës, të rinj dhe pleq, që u ndodhën jashtë qytetit, e pritën miqësisht pararojën greke, (5 kalorës që udhëhiqeshin nga një oficer), madje duke iu treguar edhe udhët nga duhej të kalonin për të mbërritur në qytetin e Korçës apo nëpër fshatra të tjera ku dëshironin ata. Besonin se grekët po vinin për të festuar me vëllezërit shqiptarë që sapo kishin dalë nga pushtimi turk.

Ata ishin një popull i qytetëruar dhe nuk mund të rrinin pa ardhur për të gëzuar bashkë me fqinjët e tyre. Shqiptarët kishin ndihmuar shumë për pavarësinë e Greqisë. Miqësia mes dy popujve duhej të ishte e madhe dhe e përjetshme. Kështu shkruante edhe gazeta “Koha”, por jo pa ironi: “Këtë mëngjes arriti një nga fqinjët ta vizitojë e ta përhirojë atë popull, të cilin e kishte pasur ndihmësin e saj. Shqiptarët e mjerë, po si e kanë edhe prej fisi, duallë me nderimin e madh, siç e meriton një mik i ndershëm”. (Gazeta “Koha”, 13 maj 1915). Por kishin qenë të gabuar. Grekët vinin të rrëmbenin Korçën dhe Shqipërinë e Jugut. (Madje nuk e donin të bukur ashtu siç qe, por të djegur e të bërë hi).

Për njerëzit që u kishin dalë përpara (meqë u ndodhën aty rastësisht), nuk treguan asnjë lloj respekti. Çanë përmes tyre, hipur mbi kuaj, duke rrezikuar t’i shkelnin me këmbët e kuajve. Njerëzit u shtangën, mbetën të habitur dhe të zhgënjyer nga ajo që prisnin. Dikush që i ndiqte nxitimthi prapa kuajve, përpiqej t’u tregonte se ishte njeriu i tyre. U thoshte vazhdimisht, me zë të lartë: “ime elinas… ime elinas…” (“jam grek… jam grek…”), por ata nuk ia kthenin kokën. Kur ai tentoi përsëri, t’u dilte para kuajve, e pësoi edhe më keq. Kamxhiku i oficerit grek iu rrotullua pas qafe dhe i shkreti njeri për pak sa nuk mbeti i vdekur në mes të udhës. Me zor të madh u ngrit në këmbë. I vështroi gjithë mllef dhe i shau shqip. Kishte qenë një nga ata që e hiqnin veten si grekomanë, por tashmë po e shihte veten të menderosur.

Më në fund, pararoja greke hyri në qytetin e Korçës. E vështruan qytetin dhe mbetën të mahnitur. Korça ishte një qytet i bardhë, i gjithi i bardhë, shkëlqente. Të gjitha shtëpitë ishin të bardha, të lyera me të bardhë, me kopshte përpara dhe lule, të thurura me avlli ose kangjella. Pazari ishte një mrekulli tjetër, i bardhë dhe ai. Rrugët ishin të drejta e të pastra, me kalldrëme që laheshin përditë me ujë të bollshëm nga uji i lumit që zbriste prej maleve të Moravës. Nuk kishte asnjë shtëpi përdhese. Njerëzit ishin të sjellshëm dhe mikpritës.

Gazeta “Koha” në një përmbledhje kujtimesh të korrespondentit të saj në Korçë, e përshkruan kështu hyrjen e grekëve në qytet: “Ata pesë kalorës, si ca ujqër kur hyjnë në vathë, s’lanë rrugë të qytetit pa shëtitur, s’lanë xhepa pa kërkuar, duke marrë ato gjëra më të vyera dhe kujtimet e trashëguara nga gjyshërit…! Përveç kalorësve dhe oficerit, pa hyrë tjetër vizitor, kur shikojmë një tokicë njerëz; kapardisur me huta ndë dorë sikur kishin marrë kokën e krajlit, duke kënduar greqisht, u përhapën ndë qytet porsi të marrosur. Këta ishin andartët, mohonjësit e shtëpive të tyre.

Pas këtyre erdhi një tabor me ushtarë të rregullueshëm, (ushtria e rregullt greke), të cilët u përndanë në mëhallët e myslimanëve për të mbrojtur nderin e tyre, (të myslimanëve) gjoja! Vizitorët bukuroshë, (ushtarët grekë), si panë dritën e shkëlqimit të qytetit, ngulë këmbët e nisën të kapardisen; një javë s’lanë gjë pa bërë: çnderuan, prenë, vodhën e prishën xhami dhe teqe, dhe më pas vunë minaret në nishan dyfeku, këta që mos u mbiftë fara! … Pa shikoni sa bukur dhe sa i do muhamedanët qeveria greke! Si prushin në gji…”! (Gazeta “Koha” 14 oktobër 1915). Për myslimanët e Korçës kishin ardhur ditë të këqija.

Grekët e humbën krejtësisht arsyen, kur në një shtëpi gjetën me mijëra libra të shtypura në gjuhën shqipe. Nuk u besonin dot syve! Si ishte e mundur! Korça me libra të shkruara në gjuhën shqipe! Me mijëra libra! Përse u duheshin kaq shumë libra! I dogjën që të gjitha. Po nga ta dinin greket që ky qytet i ndërtuar vetëm 400 vjet më parë, fillimisht kishte menduar për librat dhe dijen. Kur hidheshin themelet e qytetit (1486) ngriheshin edhe muret e një shkolle për çupa e djem. Korça që nga shekulli i XIX-të kishte patur mjekë, që nga viti 1892 kishte barnatore.

Udhëtari August Dozon, më 1874, i shkruante qeverisë së tij: “Për të ardhmen mendohet krijimi i një spitali. Mbi të gjitha, ky qytet kishte për perëndi, Shkollën dhe Librin. Sipas udhëtarit të përmendur më sipër, Dozon, më 1874 Korça përgatitej për ngritjen e një tipografie, dhe e dini përse? Që të përkthente veprat e autorëve më të mëdhenj klasik të botës. Greku i urrente librat shqip, por edhe të gjuhëve të tjera. Pastaj shkuan në Plasë dhe dogjën të gjitha librat e vllehve të shkruara në gjuhën rumune.

Nuk kishte ditë që mund të kalonte pa ndonjë tmerr. Ishte koha kur mund të dëgjoje lajme nga më të pabesueshmet dhe të gjitha ishin të vërteta. Një muaj më pas dërguan si prefekt në Korçës një njeri të quajtur Kapçambelis, pastaj sollën edhe një gjykatës, edhe një sekretar me emrin Klosaqis. Që të gjithë ishin njëlloj: barbarë. Për grekët dhe andartët, Korça dhe Shqipëria e Jugut ishte dhe do të mbetej pjesë e Greqisë. Gjithë shtrirja deri në jug duhej të pastrohej nga myslimanët. Në këtë pjesë të vendit myslimanët ishin të tepërt.

Ushtria greke dhe andartët u bënë zot shtëpie në Korçë. Udhët e qytetit qëndronin bosh dhe dukeshin të frikshme. Askush nuk guxonte të dilte nga shtëpia. Ndodhte që njerëzve u pritej koka dhe i linin ashtu mes gjakut mbi kalldrëm. Ata nuk donin t’ia dinin në ishe i rritur apo fëmijë. U interesonte vetëm përhapja e panikut dhe arratia e myslimanëve, ikja e tyre përgjithmonë nga Korça. Shef policie u vendos një kapedan i quajtur Angjelidhis. Grekomanët më fanatikë, i veshën policë.

Ata përgjonin, ndiqnin dhe arrestonin çdo njeri që njihej si patriot, mysliman apo ortodoks; në këtë pikë nuk bënin asnjë dallim, por të ishe mysliman, ishte një tmerr i vërtetë. I rrihnin, i masakronin dhe ashtu të lidhur i dërgonin në burgjet e Selanikut dhe të Halkidhiqisë, nga ku nuk do të ktheheshin më. Për myslimanët nuk kishte asnjë lloj mëshire. Edhe pazarin ua shkretuan. Dyqanet, hotelet, kafenetë, magazinat, (prona të myslimanëve) u plaçkitën. E njëjta gjë vazhdoi përsa kohë që grekët qëndruan në Korçë.

Vijimësinë e plaçkitjeve e rrëfen edhe gazeta “Koha”: “Tregtia në Korçë është shumë e paktë, pazari nuk luan fare, tërë tregtarët dhe ditën e së shtunës rrinë me duart kryq dhe po hanë para të azërta, meqë myslimanët u prishën fare, dhe meqë të holla pe Amerike vijnë fort të pakta, tregtia sot e Korçës po qan dhe Çarshia po gjendet në hall të madh. Po edhe ata bukuroshë korçarë që rrëmbyen këtë behar sa plasën, rrinë dhe po u sosen të hollat dhe po mendohen se s’kanë nga ta zënë, edhe nuk gjejnë më të rrëmbejnë, se u mësuan ligsht pa punë…! Një shtrenjtësirë e madhe që nuk tregohet, vetëm mish shitet me të lirë sepse kasapët kanë edhe lopë edhe dhen të rrëmbyera…”. (Gazeta “Koha” 8 prill 1915).

Grekët nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga vrasjet, djegiet, mundimet, ashtu siç nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë as nga djegiet dhe shkatërrimet. Me këtë lloj tmerri mbërriti marsi i vitit 1913. Ata vazhdonin të tregonin forcën e ushtrisë së tyre dhe të grekomanëve që kishin rekrutuar. Por në këtë kohë nisi të përhapej një lajm tjetër, që i bëri shqiptarët të merrnin frymë thellë. Thuhej se Korça dhe Shqipëria e Jugut do t’i bashkohej Shqipërisë. Grekët duhet të linin Korçën dhe të shkonin andej nga kishin ardhur. Vendimi ishte marrë nga Konferenca e Londrës. Për herë të parë, pas kaq muajsh, Korça u gdhi ndryshe.

Vetëm atë mëngjes qyteti kuptoi se sa i lodhur paskësh qenë gjatë asaj kohe. Nuk e besonin dot që greku do të ikte. “Kur kishim Turqinë ndiznim nga një qiri që të na shporrej, por tani ndezim nga dhjetë që të thyejë qafën greku, po Zoti s’na dëgjon!” (Gazeta “Koha” 14 oktobër 1915). Kjo ishte shprehja e përhershme e banorëve të Korçës Tashmë ditët e lodhshme duhej të fillonin për grekët, por si gjithnjë, ata nuk dëshironin kurrsesi të dorëzoheshin. Mblodhën grekomanët dhe dolën në mitingje. “Ja bashkim, ja vdekje!”, ishin thirrjet e tyre. U endën nëpër rrugët e Korçës njësoj sikur të ishte dita e karnavaleve dhe më pas u kthyen në shtëpi, pa asnjë lloj droje dhe turpi.

Ushtria përsëri dilte në rrugë e demonstronte forcën. Breshëri plumbash dërgoheshin herë pas herë mbi lagjet e myslimanëve. Shpresonin që zëri i mitingjeve të tyre të shkonte deri në Londër e që andej të përhapej në të gjithë botën. Vendimet e Londrës e kishin alarmuar keqas Athinën. Mbretit Kostandin i ishte prishur gjumi. Duhej të niste birin e tij Jorgon, drejt Korçës që t’u maste pulsin shqiptarëve e të mendonin se ç’mund të bënin për Korçën. Dhe djali i mbretit ishte nisur për udhë.

Më 16 maj 1912, biri i Konstandinit, Jorgua, erdhi nga Manastiri posaçërisht në Korçë, i shoqëruar nga prefekti i Follorinës, kolonel Kondulis dhe nga disa oficerë grekë. U prit në Mitropoli nga dhespot efendiu, nga autoritete civile dhe ushtarake greke të Korçës. Kishin ardhur gazetarë nga Greqia dhe shtetet evropiane. Pritej çfarë do të ndodhte. Lajmet përcilleshin me shpejtësi. Për birin e mbretit u shtrua një darkë mbretërore që mbeti e paharruar. Të ngrënat dhe të pirat e asaj nate nuk patën të mbaruar deri në mëngjes. Pagesa u bë nga Llasoja, arka publike e banorëve ortodoksë të Korçës. (Grekët nuk dinin ta fusnin dorën në xhep asnjëherë).

Para se të largohej, Jorgua, doli në ballkon të Mitropolisë për t’u thënë njerëzve që ishin mbledhur në oborr se Korça do të ishte e Greqisë jetë e mot. Qëndroi në Korçë për tre ditë me radhë, vizitoi kisha dhe xhami si për t’u thënë myslimanëve se nën shtetin grek ata do të ishin po aq të preferuar sa edhe ortodoksët, por nuk kishte mysliman që mund ta besonte këtë gjë. (Ende nuk ishin harruar te vdekurit, shtëpitë e djegura dhe plaçkitjet). Ndërkohë biri i mbretit të Greqisë u nis drejt Ersekës, Leskovikut dhe Përmetit për t’u ndalur më pas në Gjirokastër. Vendin e prefektit Kapçambelis e zuri kolonel Kondulis. Ai do të ishte i gjithëfuqishëm, ishte njeriu i besuari i birit të mbretit.

Pas kaq kohësh pushtimi të Korçës, grekët kishin mundur të kuptonin një gjë: me myslimanët kundër, Korça nuk do të bëhej kurrë e Greqisë. Ata ose duheshin zhdukur, ose me ta duhej ndjekur një politikë tjetër. Ja si e përshkruan gazeta “Koha” sjelljen e kolonel Kondulis pas vizitës së princit Jorgo: “Koloneli Konduli, i njohur edhe më parë si qeveritar i Korçës në kohën e grekut, po përdor gjithë dhelpëritë dhe dinakërinë e diplomacisë, me të cilat pandeh se do të kandisë myslimanët dhe të krishterët të kërkojnë Greqinë dhe të shajnë e të mohojnë Shqipërinë.

Parësisë myslimane u rrëfehet si vëlla dhe si mik me gjithë zemër. Çdo të premte vete dhe Konduli në xhami dhe i lutet Allahut bashkë me myslimanët. Do të tregojë me këtë, që Greqia nuk është kundër myslimanizmin dhe nuk ua prish fenë, as dinë, as imanë, po përkundrazi do t’ua nderojë dhe forcojë. Ka zënë e po vete fshat më fshat dhe i ngushëllon myslimanët duke u thënë se i vjen keq edhe atij, edhe Greqisë që u ngjanë kaq dëme myslimanëve… dhe mbreti i saj, (Kostandini), do t’u paguajë myslimanëve dëmet që u janë bërë nga ana e andartëve. Dhe u thotë myslimanëve që tani e tutje të mos kenë frikë se asnjë njeri s’guxon t’i trazojë dhe t’i vrasë…”./ Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 23 Prill 2026

Next Post

“Ashtu si zotnija juej – jam i mendimit se politika e Titos, cilat do qofshin qëllimet e tij të mshefta, i ka sjellë nji dobi të madhe çâshtjes s’Kosovës...”/ Letrat e panjohura të Tahir Zajmit, për Mustafa Merlikën

Artikuj të ngjashëm

“Gjovalin Luka thotë se: Partia e Punës Shqipërisë, kërkon sot Kosovën që ta djeg dhe të vuaj edhe populli i saj, si ai i Shkodrës…”/ Përgjimet në Ishullin e Zvërnecit
Dossier

“Hrushovi thoshte për udhëheqësit shqiptarë, sidomos për Enver Hoxhën kryeministrin Shehu dhe ministrin Balluku, se; ‘ata janë më keq se egërsirat’, …”/ Libri i historianit irlandez

April 23, 2026
“Mbreti Zog i ka dërguar një mesazh të gjithë diplomatëve shqiptarë jashtë vendit, duke përfshirë edhe Uashingtonin, ku thotë se…”/ Shkrimet e panjohura të shtypit botëror, për 7 prillin ‘39
Dossier

“Mbreti Zog i ka dërguar një mesazh të gjithë diplomatëve shqiptarë jashtë vendit, duke përfshirë edhe Uashingtonin, ku thotë se…”/ Shkrimet e panjohura të shtypit botëror, për 7 prillin ‘39

April 22, 2026
“15 faktet me argumente historike dhe dokumente arkivore, që vërtetojnë se Enver Hoxha është një kriminel lufte…”/ Refleksionet e dy drejtuesve të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit
Dossier

“15 faktet me argumente historike dhe dokumente arkivore, që vërtetojnë se Enver Hoxha është një kriminel lufte…”/ Refleksionet e dy drejtuesve të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit

April 22, 2026
“Në vitin 1922, Armata e Tretë të Shkupit, me në krye kriminelët M. Stefanoviq dhe V. Angjellko, nën preteksin e grumbullimit të armëve…”/ Ana e panjohur e masakrave ndaj shqiptarëve
Dossier

“Në vitin 1922, Armata e Tretë të Shkupit, me në krye kriminelët M. Stefanoviq dhe V. Angjellko, nën preteksin e grumbullimit të armëve…”/ Ana e panjohur e masakrave ndaj shqiptarëve

April 21, 2026
“Qytetarët e Shijakut, kishin respekt për atë grua me kulturë dhe të gjithë e quanin; zonja Mici, megjithëse kjo fjalë para emrit, ishte e ndaluar të përdorej …”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur
Dossier

“Akuzat ndaj Baba Rexhebit nuk i përgjigjen së vërtetës, dhe vetëm ua hapin gojën më keq pinjojve ideologjikë të Bedri Spahiut e Ramiz Alisë, pasi…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës.

April 21, 2026
“Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës e, tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, të cilat…”/ Historia tragjike e masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve
Dossier

“Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës e, tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, të cilat…”/ Historia tragjike e masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve

April 21, 2026
Next Post
“Emin Biçaku nga Qarrishta, në 1944-ën, orientoi Mehmet Shehun me Brigadën e Parë, të ndiqte itinerarin drejt Qafës së Lespriskës, por pas mbarimit të Luftës, ata…”/ Historia e trishtë e familjes nacionaliste

“Ashtu si zotnija juej – jam i mendimit se politika e Titos, cilat do qofshin qëllimet e tij të mshefta, i ka sjellë nji dobi të madhe çâshtjes s’Kosovës...”/ Letrat e panjohura të Tahir Zajmit, për Mustafa Merlikën

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme