• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, April 16, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion, pasi me këtë nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se ne…”/ Fjala e panjohur e At Anton Harapit me intelektualët korçarë, korrik 1944

“Kur Padër Anton Harapi ndodhej aty, shkuan një oficer me disa ushtarë për kontroll, mirëpo Padër Ludovik Kiri, i rrejti ushtarët e i futi në…”/ Dëshmia në hetuesi e Padër Filip Mazrrekut, nëntor ‘46
“Kur më arrestuen në tetorin e ’89-ës, në Rragam, tuj dhanë meshë te shpia e mikut tim, Ndrecës, shoferi i Degës së Mbrendshme, një komunist lunatik, u tregu aq i egër, sa…”/ Dëshmia e ish-Ipeshkvit të Shkodrës
“Enver Hoxha e masakroi në mënyrën më barbare klerin mysliman në Shqipëri dhe ndaj tij s’ka pasur tolerance tolerancë, siç thuhet me…”?! / Refleksionet e studiuesit të njohur
”Kur qeveria e mësoi se disa pronarë banjash private në Vlorë, ua kishin rritur çmimin një grupi turistësh gjermanë…”/ Libri suedezit që vizitoi Shqipërinë në ’35-ën
“Teologu Justin Rrota, personalitet dhe dijetar i shquar i kulturës sonë, i pari që solli në Shqipëri fotokopjen e ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut, e Prof. Çabej…”/ Si vdiq në mjerim dhe i vetmuar, shkencëtari famshëm!
“Te Instituti i Historisë dhe Etnografisë në Tiranë, takova Skënder Luarasin, por e humba simpatinë për të, se fliste për fitime, kurse Sejfula Malëshova…”/ Kujtimet e fratit të famshëm

Nga AT ANTON HARAPI

Pjesa e parë

Memorie.al / Më falni për guximin: Due të përballoj çështjen ma delikate në jetën Shqiptare. Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmënisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte që nuk lanë me luejtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombëtare. Përsa di unë deri më sot, kjo çështje kurrë nuk kjé përballue kjartë e mirë, sa herë kjé kallë, menjëherë edhe kjé mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duejë, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, se sa për inat e për parti.  Ndër çastet ma të vështirë të jetës sonë kombëtare, njëmend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementë, porse në fund të punës mbeti një tharm, një fond rryme e partie, sa me të trembë e demoralizue.

Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementët fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e oportunistët, thonë se jo: Né shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma! Këta shpresoj t’i përballoj njëherë tjetër, këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë të patënzonë. Fjalën këtë herë e kam me besimtarët e tre elementëve.

Gjithashtu mund të lexoni

“Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 9 shkurt 1913 i shkruan Vjenës, se Imzot Mjeda raportonte duke u bazuar te Dom Zef Ramaj…”/ Kur Europa tmerrohej nga masakrat serbe ndaj shqiptarëve

“Konsullata austriake në Prizren, përmes zv. konsullit Prochaska, më 29 korrik 1907, njofton se Imzot Troksi shuguroi Dom Zef Ramajn…”/ Historia e panjohur e priftit që pagëzoj fëmijën Gonxhe Bojaxhi në Shkup

Pa kontestim né jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një histori, e po të ishim edhe të një besimi, patëm me kenë edhe ma të bashkuem, ma homogjen, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se né jemi pra myslimanë, ortodoksë e katolikë, e si të tillë duem të rrojmë në një harmoni vllaznore. Unë thom se për këtë punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.

Pra, tezën time e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerëzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombëtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me kenë të damë e të përçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombëtare e fetare.

PENGIMI I MADH: FANATIZMI

Pengim i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton. Besimi në një Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instinktit, ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit.

Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin këmbë për një bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me këtë ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për një parim të arsyeshëm, ndësa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye: Njeriu me karakter tregon një zotësi morale, ndërsa fanatiku dëshmon një dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin dhe egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligsht, karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në vés e në egërsi. Fanatizmi asht antinjerëzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor.

Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim. Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, domethanë nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrat e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjëmend në veté, ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi.

Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për një çdo tjetër arsye të jashtme sot duhet të dimë çka të besojmë dhe pse të besojmë lypet ta justifikojmë; nëmose para vetés, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: Besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për një gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndjesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtue në një sistem jete. Kjo domethënë kulturë fetare.

TË RROJMË SHOQNISHT E VLLAZNISHT

Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e myslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht. Pa kulturën njerëzore, nuk jemi pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.

Kam pa myslimanë dhe kristjanë që me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër, sado heroike, nuk shfaqin një madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qëndresa e tyne, të shumtën e herës, bazohet, thjesht, në një zakon, në një traditë, në një moskuptim të jetës fetare që e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.

Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit, asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këtë fenomen të çuditshëm: Kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari im. Ky para vendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.

Më ka ra rasti për vjet e vjet të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çështjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë e ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush një mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenjë antagonizmi e luftimi. Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e një tjetri, asht dobësi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këtë përbindësh të individualizmit egoistik.

Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me një kokë, as nuk kërkohet të kemi të njëjtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, por në atë mënyrë si kërkojmë që të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dimë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë një rrugë a një parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush né edhe po t’jemi gabim, ashtu as né mos të përbuzim askënd.

Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshim edhe besimesh së ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kujt, shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këtë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.

SHKAQET E DASISË

Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime: E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndërrojnë, prandaj, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin.

E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arsyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy! Problemi vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet që janë: 1. In toleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqërore-qytetare, 3. Toleranca shoqërore-politike.

Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijët, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi in-tolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin.

Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë që në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë që ndërgjegjja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë një parimi, të cilin e ka për ideal të parë.

Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë që nuk baret as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zitë e thoit. Fjalë që me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mos-afrim me kurrnjë mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë e arsyeshme, e drejtë: E vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqëror-fetar.

Ja edhe arsyeja e thënies sime: Një besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt një çfarëdo kredoje tjetër, do të përgjigjet me një “jo” kategorike të preme.

Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnjë besim përnjëmend, thotë se besimet janë njënjë të vërtetë, si t’ ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njënjë për të plotësue një nevojë të jetës. Po kjé si njëna dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njënjë si e vërteta si e kundërta, atëherë Zoti asht “hartuesi” i gabimit, i rrênës, dhe i përçamjes.

Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në një shtet, në një popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatike. Lëne, e për njëherë ashtu po e zamë, edhe po i vemë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këtë themel, bie fjala, Krishti kjé a s’ kjé Zot, Muhamedi kjé a s’ kjé Profeti i Zotit, në këtë rast për mue do t’ ishte një për një; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: Si Krishti e Muhameti të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë kenë hipokritë e mashtrues, si të kenë kenë të ndershëm e të drejtë.

Kush nuk e sheh këtë dobësi mendore a morale? Njeriu, të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje dhe atë për çka asht i bindun se asht gabim, kurrë nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm një detyrë e fetarit, por një detyrë e secilit njeri të ndershëm e të arsyeshëm. Në emën të së vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit: Luftë çdo gabimi, kudo që t’a gjejmë, edhe ndër kërkime shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave.

Për këtë intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndërsa këtë in-tolerancë e gjejmë edhe ndër njerëzit e ditunisë, të artit e politikës, për shka u përket parimeve të tyne. Këta, e dimë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë. Këtë po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, e si për besimtarë.

NJË FORMË E INTOLERANCËS: POLEMIKA

Në formën e intolerancës asht polemika, e cila po kjé serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtetë ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerëzore e fetare që kemi, thom se polemika nuk asht për né. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çështje, kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrênën, të falsifikojmë historinë, të shtimë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion.

Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këtë parim, na dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht personi e tjetër asht vepra: Personin e falim, veprën e gabueme e dënojmë; këtë e mërijmë; atë e bartim, këtë nuk e durojmë. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim.

Natyra na mëson këtë parim: Ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban një harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon: Si, bie fjala, ndër né të marrunit me ndoré, besa, mikpritja, kjé se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin.

Këtë shoqni që na mëson natyra, na imponon jeta; po njëkëte na urdhnon besimi, cilido të jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se një i njëjti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një. Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti.

Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim. Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta : Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit: Për kurrnjë arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kënd; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët.

Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron këtë asht me të vërtetë i madh. Toleranca qytetare – shoqnore e gjenë plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njëpërnjë të tria besimet në Shqipni; shteti njëmend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit:

Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnjë elementi; të gjitha ligjët, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: Të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetët ndër zyrtarët, sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi.

Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementëve fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: Toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.

Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë së bashku, jo si përdhuni, por me vetëdashje; këtë punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndjejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht një virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: Me ditë me kenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla.

Kështu, pra, nuk janë besimet ato që e shqetësojnë jetë vllaznore në Shqipni, por gabimet, pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato që krijojnë çështjen fetare në vendin tonë. / Memorie.al

Korçë, Korrik 1944.

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 16 Prill 2026

Next Post

“Nëse s’do e vrisnin dot, apo ta helmonin, variant tretë ishte që ta merrnin të gjallë Enver Hoxhën e, ta dërgonin në Moskë...”/ Zbulohen dokumentet e bujshme të Sigurimit për “Bandën Xhevdet Mustafa”

Artikuj të ngjashëm

“Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 9 shkurt 1913 i shkruan Vjenës, se Imzot Mjeda raportonte duke u bazuar te Dom Zef Ramaj…”/ Kur Europa tmerrohej nga masakrat serbe ndaj shqiptarëve
Personazh

“Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 9 shkurt 1913 i shkruan Vjenës, se Imzot Mjeda raportonte duke u bazuar te Dom Zef Ramaj…”/ Kur Europa tmerrohej nga masakrat serbe ndaj shqiptarëve

April 16, 2026
“Konsullata austriake në Prizren, përmes zv. konsullit Prochaska, më 29 korrik 1907, njofton se Imzot Troksi shuguroi Dom Zef Ramajn…”/ Historia e panjohur e priftit që pagëzoj fëmijën Gonxhe Bojaxhi në Shkup
Personazh

“Konsullata austriake në Prizren, përmes zv. konsullit Prochaska, më 29 korrik 1907, njofton se Imzot Troksi shuguroi Dom Zef Ramajn…”/ Historia e panjohur e priftit që pagëzoj fëmijën Gonxhe Bojaxhi në Shkup

April 14, 2026
“Në njëvjetorin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës ‘Shkëndija’ më 1941, Koliqi boton syzimin, ‘Fishta interpret i shpirtit shqiptar’, ku ai shprehet…”/ Refleksionet e studiueses së njohur
Personazh

“Ndonëse dekoratën e fashizmit e ktheu mbrapsht, duke thënë; ‘kjo s’asht për mue’, Gjergj Fishta pranoi t’emërohej anëtar i Akademisë italiane, sepse…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

April 13, 2026
“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova
Personazh

“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova

April 12, 2026
“Sotir Peci, si mësuesi i shkencave, formuloi dhe krijoi për herë të parë në Shqipëri, terminologjinë kimike, fizike dhe atë të shkencave natyrore…”/ Historia e panjohur e “babait” të arsimit shqiptar
Personazh

“Sotir Peci, si mësuesi i shkencave, formuloi dhe krijoi për herë të parë në Shqipëri, terminologjinë kimike, fizike dhe atë të shkencave natyrore…”/ Historia e panjohur e “babait” të arsimit shqiptar

April 11, 2026
“Kryetari i Qeverisë shqiptare, Mustafa Kruja, në qershor 1942 bëri një vizitë në Kosovë dhe gjatë aktiviteteve të zhvilluar aty, ai dekoroi Sak Fasllinë për…”/ Historia e panjohur e bajraktarit të Rugovës
Personazh

“Kryetari i Qeverisë shqiptare, Mustafa Kruja, në qershor 1942 bëri një vizitë në Kosovë dhe gjatë aktiviteteve të zhvilluar aty, ai dekoroi Sak Fasllinë për…”/ Historia e panjohur e bajraktarit të Rugovës

April 10, 2026
Next Post
“Veprimet e ngathëta të kryetarit të Degës së Brendshme, shokut Kapllan Shehu, i cili vetëm pas gjetjes së kufomës së zv/shefit të Policisë…”! Zbulohet raporti sekret për “Bandën Xhevdet Mustafa”, tetor ‘82

“Nëse s’do e vrisnin dot, apo ta helmonin, variant tretë ishte që ta merrnin të gjallë Enver Hoxhën e, ta dërgonin në Moskë...”/ Zbulohen dokumentet e bujshme të Sigurimit për “Bandën Xhevdet Mustafa”

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme