Nga Xhahid Bushati
-SHËNIME PËR LIBRIN “QYTETI I VUAJTJES”, TË AUTORIT MARK ZADEJA-
Memorie.al / Mark Zadeja u lind në Shkodër, në një familje qytetare shkodrane. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Vasil Shanto”, ndërsa gjimnazin, në shkollën “Ali Laçej”, më 1965. Universitetin e Tiranës, fakultetin e Mjekësisë, degën stomatologji e kreu më 1971. Në vitet 1971 – 1973, ka punuar si mjek stomatolog në qytetin e “Bajram Currit”. Nga viti 1973 deri më 1991, ka punuar në rrethin e Shkodrës. Prej vitit 1992 deri më sot, jeton e punon në Gjermani dhe është nënshtetas gjerman. Ka dhënë me sukses provimet në mbrojtje të temës; “Mbrojtja kundër rrezeve atomike”. Ka studiuar për vite me radhë filozofi, privatisht. Prej kohësh është anëtar i përjetshëm i Akademisë Evropiane të Arteve; vlerësues dhe specialist i artit të vjetër. Veçanërisht është njohës e kritik i artit bashkëkohor.
Është autor i librit “Forca e mendimit” (Botimet “Shkodra”, Shkodër, 2011), me të cilin shpalos me pasion dinjitetin njerëzor në mendimet e tij origjinale, librin “Kolë Idromeno (jeta dhe vepra. Shkodër, 2018), për këtë figurë të madhe patriotike, historike, arti dhe kulture të kombit shqiptar, librin “Vogëlushja” (Shkodër, 2019) si dhe librin që po i jep lexuesve në dorë tashti, “Qyteti i vuajtjes”.
Që në rininë e hershme, është filatelist e anëtar i Filatelisë Shqiptare. Merret edhe me numizmatikë. Është autor i lirë dhe ka në dorë shumë vepra në dorëshkrim, të cilat do të botohen në të ardhmen.
Duke ndjekur me kujdes, me shënime gjatë leximit dhe rileximit, krijimtarinë e pasur letrare, historike e filozofike të autorit Mark Zadeja, dhe e kam fjalën për atë prurje artistike të ofruar deri tani, është e pamundur të mos vëresh disa karakteristika, që vijëzojnë profilin e Markut në disa plane, të cilat shpesh dhe gërshetohen, sidomos në atë filozofik, historik e letrar, ku fakti është argumenti më i pakundërshtueshëm, ku historia dhe koha e saj, është e pranishme dhe e vërtetë, ku letrarja dhe artistikja, marrin vlera të veçanta përmes një spektri ngjyrash, sa qiellore, aq dhe tokësore.
Kur flas për filozofinë, ajo është e shpërfaqur sipas mendimeve vetjake e koncepteve të autorit. Kur flas për historinë, autori krijon një realitet tjetër, atë të gjurmuesit të traditës. Optika e Markut është e atillë, sa këtë periudhë kohe së bashku me personazhin kryesor, e bën të jetueshme. Frymëmarrja e saj është aktuale, si për ta bërë më jetëgjatë, e bashkëshoqëron si identitet me relike të çmueshme. Kur flas për nocionin letrar, rrëfimi artistik i Markut, është: real, i besueshëm, dashurues, qiellor e shpirtëror.
E pashë të udhës për të bërë këtë hyrje, që ishte e domosdoshme, sepse, mendoj, aty, gjenden çelësat për të zbërthyer kodin e librit “Qyteti i vuajtjes”, i sapodalë në qarkullim, është një rrëfim i dhimbshëm, real, një kujtesë që nuk duhet harruar e humbur, por që duhet kujtuar dhe rikujtuar…! Është një rrëfim, ku plagët kullojnë gjak, ku varret flasin dhe shumë varre kanë humbur. Është një rrëfim, ku zërat njerëzorë flasin e flasin, gjithnjë për lirinë.
Është një rrëfim që paraqet dëshmi tronditëse e çnjerëzore të kryera nga sistemi komunist. Është një rrëfim tronditës, që kërkon drejtësi e të falë paqe njerëzore. Është një rrëfim lakonik, plot ngjyra (edhe shprese), që flet në emër të dinjitetit, moralit dhe personalitetit njerëzor. Një rrëfim për qytetin e lindjes, për Shkodrën e dashur të autorit, por jo vetëm…!
Historia, në këtë rrëfim udhëton…, ka kodet e shenjat e saj, dramaticitetin, të pathënat që duhen bërë të thëna e të njohura. Një rrëfim njohës për vendlindjen dhe vlerave të patjetërsueshme të saj, si për të na thënë: “Nëpër kohëra Shkodra ka qenë dhe mbetet një qytet evropian”. Në një nga faqet e librit, dhe është faqja hyrëse, në mes të tjerave lexojmë: “E kam jetuar, përjetuar, mbijetuar kohën e diktaturës komuniste.
I gjithë ky shkrim i kushtohet qytetit tim ku jam lindur, Shkodrës, qytetit të vuajtjes. Në thelb libri përmban epokën e vuajtjes nën regjimin diktatorial, por edhe pas tij, “arritjen”, paraqitjen e vuajtjes së shpirtit. Ai njeri që beson, do të gjejë aty vetveten. Familja ime dhe unë personalisht e kemi vuajtur lirinë e shpirtit së bashku me qytetin tim. (f. 5).
Kujtimet, faktet sjellin, padyshim, përpjekjet për rifreskimin e ngjarjeve. Është shumë domethënëse kur kujtimi ndalon në çastet kur viziton vorrezën katolike të Rrmajit. Këto vore i kam parë qëkur isha në moshën 6-vjeçare. (f. 7) Nuk isha më shumë se 12-vjeçar, kur dëgjova, mësova nga babai im, për herë të parë, se murin e pasëm të varrezave katolike, ai e kishte pagëzuar me emrin “Muri i gjakut”. (f. 9).
Kjo është formula, një formulë shenjtërie e rrëfimit të autorit Mark Zadeja, në librin e tij “Qyteti i vuajtjes”. E përsëris, për ta ritheksuar si domosdoshmëri, i gjithë materiali është i ndërtuar mbi ngjarje reale e, në një kontekst historik të caktuar. Ngjarja e rrëfyer është jo vetëm reale por e dhimbshme sa lodh shpirtin, mek zemrën e loton syrin, ku ndërthuren filozofia dhe kujtimet përmes argumentit bindës e një stili të qartë e konciz, që përbëjnë tharmin autentik të çdo faqe libri.
Po ndalem tek stili i autorit. Për stilin si nocion, shkrimtari Mario Vargas Llosa, thoshte: “Stili është një element i qenësishëm, ndonëse jo i vetmi, i formës së rrëfimit”. Po çfarë vëmë re si dukuri në stilin e rrëfimit të autorit Mark Zadeja?
Është një stil i efektshëm, dobiprurës, i cili parakupton: se tregimet e historitë që rrëfen Marku, përmbajnë për një kohë të gjatë iluzionin e jetës, ëndrrën e vërtetë të jetës së vërtetë, lirinë e vërtetë të shumë ëndërruar, që u bë realitet me ndryshimin e sistemeve, por liria e demokracisë mbeti e brishtë, e brishtë siç është dhe sot. Po vazhdoj interpretimin e stilit të autorit, duke e zgjeruar edhe me elemente të tjera, si koherenca dhe thelbësorja.
Kur flasim për koherencë, flasim për besueshmëri. Në sajë të koherencës stili bëhet i efektshëm. Kur flasim për thelbësoren, flasim për cilësinë për të qenë sa më bindës, pra, atë e shohim parësore, e përfytyrojmë, e inskenojmë, e jetojmë, e mbajmë të gjallë, i japim jetë, i japim shpresë, i japim ëndrra, kujtesë dhe mos-harresë.
Sepse, e vetmja mënyrë për të treguar një histori, dhe, këtu, autori Zadeja ka vepruar drejt, është gjetur rrëfimi, ku fjalitë me ndërtimet e tyre tekstuale kanë ngjyrë, ritëm të brendshëm, metafora e simbolika etj, që rezonojnë me shpirtin, e thënë: me shpirtëroren.
Siç thoshte Gustav Floberi: “… tek stili duhet gjetur fjala e duhur”. Dhe këtë urtësi të Floberit, e gjejmë në tekstin e Markut. Gjejmë fjalën e duhur si gjymtyrë në frazat apo në periudhat e fjalive. Duke gjetur dhe shënjuar fjalën e duhur, shpërfaqet dhe theksohet ideja e saktë.
Saktësimin e ideve Marku, përveç rrëfimit, që përdor në tekstin e tij, i ka materializuar edhe në tubën e poezive, të cilat nga mënyra se si janë strukturuar ruajnë dhe shprehin realen, kujtesën dhe mos-harresën, nderimin, dhimbjen dhe monumentalitetin. Edhe në këto vargje flet Historia. Historia flet edhe përmes setit të fotografive, që janë treguese e të vërtetave reale. Janë dëshmi të një kohe të egër. Flasin qartë.
Në përfundim të shënimeve të mia, ky libër, me përmbajtjen e tij të vlefshme e me një rrëfim interesant dhe autentik, na tregon e mëson se Historia nuk duhet harruar, aq më shumë kur ajo është e dhimbshme, plot lot e plagë. Gjithashtu na mëson se ajo Histori dhe segmente të saj nuk duhen të përsëriten; ndryshe, Shkodra do të jetë përsëri Qytetit i Vuajtjes. Ky Qytet, ku autori Mark Zadeja shpreh gjithë dashurinë e tij, dhe ku rrëfimet kanë vlera të çmuara. Memorie.al