Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, të cilat i përkasin vitit 1984 dhe “Tepër sekret”, ku ndodhet edhe një plan-masash i përpiluar nga zv/ministri i Punëve të Brendshme, Agron Tafa dhe i miratuar nga ministri Hekuran Isai, që njëkohësisht mbante edhe postin e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me masat që do merreshin nga ana e asaj ministrie për Kampet e Riedukimit, nëpërmjet Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, Drejtorisë së Kuadrit, Drejtorisë së Kontrollit të Zbatimit të Vendimeve Penale, Drejtorisë së Prapavijës, si dhe disa dikastereve të tjera, për parandalimin e ngjarjeve të ndryshme, siç ishte ajo që kishte ndodhur në kampin e Qafë-Barit, më 22 maj të vitit 1984. Dokumenti i plotë me urdhëresat përkatëse që do të zbatoheshin nga titullarët dhe kuadrot më të lartë të Ministrisë së Brendshme, që nga Agron Tafa, Zylyftar Ramizi, Dhimitër Krisafi, Ferit Zeneli, etj.
Afro 39 vjet më pare, në 22 majin e vitit 1984, në kampin-burg të Qafë Barit në rrethin e Pukës ky vuanin dënimet një numër i madh të dënuarish politik të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme, që tashmë është e njohur si “Revolta e Qafë Barit”, ku diktatura komuniste në shenjë hakmarrje, më pas dënoi me vdekje dhe pushkatoi dy të dënuarit, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, të akuzuar si organizatorët e asaj revolte. Si dhe ri dënoi me burgime të rënda një numër të madh të dënuarish të tjerë, të cilët u etiketuan dhe u akuzuan si përgjegjësit kryesorë të asaj ngjarje. Po kështu nga torturat ç’njerëzore dhe keqtrajtimi brutal që i’u bë një numri të madh të dënuarish (që u konstatuan apo u akuzuan si, nxitësit, përgjegjësit dhe organizatorët kryesorë të asaj revolte, si Dalip Zhabolli, Hajredin Fratari, Agim Hoxha, etj.), nga ana e forcave ushtarako-policore dhe efektivat e tjera të repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë (Rep.326 Tiranë) që erdhën në përforcim nga kryeqyteti, mbeti i vdekur edhe i dënuari politik, Sandër Sokoli, ish-kuadër i lartë ushtarak, që ishte diplomuar në Bashkimin Sovjetik, i cili ishte nipi i gjeneral-leitnat, Sadik Bekteshit, i dënuar me burg politik si “bashkëpunëtor i Beqir Ballukut.
Për më shumë, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin po e publikojmë me faksimilet përkatëse.
Relacioni sekret me planin e masave të përpiluar nga zv / ministri i Punëve të Brendshme, Agron Tafa, i miratuar nga ministri, Hekuran Isai, pas ngjarjes së Qafë-Barit, në majin e vitit 1984
MIRATOHET Sekret
MINISTRI I PUNËVE TE BRENDSHME Ekzemplar. Nr 1
HEKURAN ISAI Tiranë…….1984
PLAN – MASASH
PËR ZBATIMIN E DETYRAVE QE DOLËN NGA KONTROLLI
NE REPARTET E RIEDUKIMIT DHE DETYRAT E DALA NGA ANALIZA QE I BERI KOLEGJIUMI NGJARJES SE QAFE BARIT TE DATËS 22.V.1984
Me qëllim që në repartet e riedukimit dhe burgjet të parandalohen ngjarjet e jashtëzakonshme, të forcohet vigjilenca në regjimin e të dënuarave dhe masa parandaluese operative-ushtarake për sigurimin e plotë të dënuarave në ruajtje, si në regjimin e fronteve të punës, veç detyrave që u janë lënë komandave të reparteve nga Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale, në zbatim me drejtorinë e I-rë të Sigurimit të Shtetit dhe drejtorinë Ekonomike, të merren edhe këto masa dhe detyra konkrete.
- Të bëhet mbledhje me gjithë kryetarët e degëve të punëve të brendshme, komandat e reparteve dhe punëtorët operativë të reparteve të riedukimit dhe të punohen konkluzionet e ngjarjes së datës 22. V.1984 të Qafë Barit, duke vënë theksin në mangësitë dhe dobësitë në regjimin e brendshëm.
Koha e kryerjes deri në 20.5.1984. Ngarkohet: Dh. Krisafi. F. Haxhiu. Kontrollon: A. Tafa.
- Të bëhet një përshkrim për mangësitë që janë vërtetuar në rregullin e brendshëm në repartet e riedukimit, duke vënë shembull konkrete, shkaqet e këtyre mangësive dhe masat që duhen marrë.
Koha e kryerjes, deri më 18.6.1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
- Për të stabilizuar regjimin e brendshëm të dënuarve në disa reparte riedukimi ku vazhdimisht kemi pasur shqetësime, si në Sarandë, Batër, Lezhë dhe Spaç, të bëhen kontrolle të befasishëm nga Drejtoria e Kontrollit të Zbatimit Vendimeve Penale me forca të batalionit 326 të policisë, deri 1 togë.
Koha e kryerjes, Qershor – Korrik 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
- Për të meta dhe dobësi të theksuara që janë gjetur në repartet e sigurimit të të dënuarave dhe metodën e punës së komandave të reparteve, të thirren në raport tek zëvendësministri, komanda e repartit 305 Sarandë dhe 301 Batër dhe të paralajmërohen dhe t’u vihen detyra për përmirësimin e gjendjes.
Koha e kryerjes, Qershor 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
- Drejtoria e I-rë e Sigurimit të Shtetit të bëjë një studim të thellë të veprimtarisë armiqësore në repartet e riedukimit dhe në burgjet dhe të përcaktohen masa konkrete për sektorin operativ ashtu dhe ushtarak në bashkëpunim me Drejtorinë e Zbatim Vendimeve Penale, për të parandaluar çdo të papritur e veçanërisht të goditen e shpartallohen format e organizuara të kësaj veprimtarie.
Koha e kryerjes, Qershor-Korrik 1984. Ngarkohet F. Haxhiu Dh. Krisafi. E kontrollon Z. Ramizi A. Tafa
- Drejtoria e I-rë e Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kuadrit të studiojë dhe të marrin masa për zëvendësimin e kuadrit punëtor operativ në repartet e riedukimit e burgje që janë të paaftë dhe me dobësi, me kuadro të aftë.
Deri në shtator 1984. Ngarkohet F. Haxhiu. E kontrollon Z. Ramizi
- Drejtoria e Zbatim Vendimeve penale në bashkëpunim me Drejtorinë e Kuadrit të marrin masa urgjente për plotësimin me kuadro të aftë disa kuadro kryesorë të reparteve të riedukimit, si:
-Të emërohet komandanti i Repartit 303 Lezhë që mungon.
-Të emërohet komisari i Repartit 311 Qafë Bari.
-Të transferohet shefi i stërvitjes të Repartit Qafë Bari për të meta dhe të caktohet një kuadër i aftë.
-Të shkarkohet komandanti i Repartit 301 Batër si i paaftë nga ana shëndetësore dhe për dobësi në punë dhe të emërohet një kuadër i aftë.
-Të shkarkohet komandanti i togës së policisë në repartin 302 në Lezhë si i paaftë dhe të emërohet oficer pune në një repart tjetër.
- Drejtoria e Zbatim Vendimeve e Penale me Degën e Organizimit dhe Degët e Punëve të Brendshme Pukë, të transferojë nga reparti 311 në Pukë policët që kanë lidhje gjinie dhe krushqi ndërmjet tyre, me policë të rinj ose nga repartet e tjera.
Koha e kryerjes deri në dhjetor 1984. Ngarkohen Dh. Krisafi. L. Lena. Kontrollon A. Tafa F. Zeneli
- Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale në bashkëpunim me Drejtorinë Ekonomike të marrin masa për sigurimin e të dënuarave dhe plotësimin e kushteve siç janë:
-Të sigurojë tel me gjemba për rrethimin e pavijonit 7 në spitalin e burgut, të burgut të Burrelit dhe rrjetë teli për pavijonin e sanatoriumit
-Të bëhet preventivi dhe të bëhen disa adaptime në Burgun e Burrelit për zvogëlimin e dhomave dhe rritjen e kapacitetit të tij.
-Të kompletohen repartet be riedukimit dhe burgjet me kundra-gaz, helmeta, bomba gaz lotësjellës, bilbila dhe elektrik dore sipas nevojave për të rritur gatishmërinë.
-Të studiohen mundësitë që norma e ushqimit të repartit 321 Burrel, 302 Lezhë, 301 Sarandë, 313 e 325 Tiranë, për vështirësitë e shërbimit, t’u jepet norma, Dy.
-Të merren masa që të bëhet më mirë furnizimi i reparteve të riedukimit me veshjet për të dënuarve të një ngjyre (të verdhë) me batanije, çarçafë dhe mjete të tjera të nevojshme.
-Në repartin 303 Spaç të zgjidhet problem i depos së ushqimeve e furrës së bukës të efektivit brenda vitit 1985 duke bashkëpunuar me ndërmarrjen e minierës si dhe problemi i furnizimi me ujë të togës së II-të
Koha e kryerjes, gjatë vitit 1984. Ngarkohet M. Sako Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa H. Shahu
- Për të rritur aftësitë profesionale të efektivit kuadër dhe policë në kuadër të zbatimin e kërkesave të rregulloreve të reparteve të riedukimit, me të gjithë të organizohet ripunimi i rregulloreve dhe të mbahen seminare të drejtuara nga Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale për të parë më mirë shkallën e njohjes dhe mënyrën e zbatimit të tij në praktikë.
Koha e kryerjes, brenda muajit tetor 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa
- Të gjithë komandat e reparteve të riedukimit dhe burgjet në bashkëpunim me D.Z.V.P. me çetat që janë planëzuar për sigurimin e reparteve për kohë paqe dhe lufte, të organizojnë stërvitje të veçanta për njohjen më mirë të rajoneve të mbrojtjes e bllokimit.
Koha e kryerjes, brenda muajit shtator 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa
- Të organizohet një seminar një ditor me komandantët e togave të policisë ku të trajtohet me ta problemet e forcimit të rregullit të brendshëm, të forcimit të kontrollit kur të dënuarit futen në regjim, mbi aftësimin e efektivit të policisë për këto probleme etj.
Koha e kryerjes, korrik 1984. Ngarkohen Dh. Krisafi, N. Hasani, L. Imeri. Kontrollon A. Tafa
- Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale të dendësojë ndihmën e kontrollin në bazë, kryesisht problemet e forcimit të regjimit, zbatimin të rregulloreve në tërë veprimtarinë e efektivit duke ndihmuar për përmirësimin e gjendjes në repartet ku ka më tepër probleme.
Koha e kryerjes, gjatë vitit 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. E Kontrollon A. Tafa.
- Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale me Drejtorinë e Ndërlidhjes të studiojnë dhe të marrin masa për riparimin e linjës Qafë Bari – Fushë Arrëz dhe ndërlidhjen me radio të tipit “Sterrno”, repartin 305 Sarandë, të cilët kanë një numër të madh të dënuarish që punojnë në sipërfaqe të pyllëzuar.
Koha e kryerjes, brenda vitit 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi, Kontrollon Q. Jaçellari./Memorie.al
ZEVENDESMINISTRI I PUNEVE TË BRENDESHME
AGRON TAFA
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016