• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, November 30, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Antarë të kolonisë së Konstancës dhe të gjithë të mbledhurit e përgëzuan e iu falën nderit z. Ismail Qemal Beut…“/ Shkrimi i panjohur i Asdrenit te gazeta “Shqipëria e Re“, Rumani, 29 nëntor 1929

“Sipas Ismail Qemalit, Shqipëria do të ndahej në tre kantone, me kryeqytete Shkodrën, Durrësin, Vlorën, që do qeveriseshin nga Preng Bibë Doda, Esat Pasha…”/ Refleksionet e historianes së njohur
“Kur Sigurimi i Shtetit, sipas orientimeve të oficerëve të KGB-së, i propozuan Hamit Matjanit, që të vazhdonte lojën me amerikanët, ai…”/ Historia e panjohur rebelit antikomunist
“Feja kryesore në Kosovë ka qenë dhe është nacionalizmi shqiptar, ku ka ortodoksë, katolikë e myslimanë…”/ Libri i ri i studiuesit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Edhe pse një bashkëpunëtor i ngushtë i Sulltanit, Ismail Qemal Vlora ishte një nga politikanët e paktë të asaj kohe që trajtoi ‘çështjen armene’…”/ Ana e panjohur e Plakut të Vlorës në diplomacinë europiane
Shtypi grek: “Atentatori qëlloi mbi Hasan Prishtinën, pasi ai s’i dha 6000 dhrami që i’a kishte premtuar për vrasjen e…”/ Ngjarja e panjohur në 1933-in në Selanik
“Antarë të kolonisë së Konstancës dhe të gjithë të mbledhurit e përgëzuan e iu falën nderit z. Ismail Qemal Beut…“/ Shkrimi i panjohur i Asdrenit te gazeta “Shqipëria e Re“, Rumani, 29 nëntor 1929
“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova
“Antarë të kolonisë së Konstancës dhe të gjithë të mbledhurit e përgëzuan e iu falën nderit z. Ismail Qemal Beut…“/ Shkrimi i panjohur i Asdrenit te gazeta “Shqipëria e Re“, Rumani, 29 nëntor 1929
“Kur Ahmet Zogu, mori rrugën e kthimit për në Shqipëri, ai ka bujtur një natë së bashku me 200 burra, në shtëpinë e Halimit në Tetovë, pasi…”/ Historia e panjohur e patriotit të famshëm
Kalendari Historik 11 Prill
Kalendari 12 Shkurt 2026

Nga Eugen SHEHU*

Pjesa e dytë

Memorie.al / Në panteonin e lavdisë së kombit tonë, padyshim Ismail Qemali zë vendin e nderit. Vitet e historisë shqiptare përkulen me veneracion përpara këtij burri, ashtu siç janë përkulur breza të tërë shqiptarësh, këto vite historie të fillim-shekullit, posaçërisht e kanë nderuar trimin, ngase në supet e tyre ka rrahur e lirë flatra e shqipes tonë dykrenore. Ismail Qemal Vlora, ka lindur në qytetin e Vlorës, me 24 janar 1844. Në fakt, origjina e Ismailit, ka rrjedhur nga fshati Kaninë, nga ajo fortesë e mrekullueshme natyrore, nga ai shkëmb gjigant në këmbë të të cilit, shtrihet qyteti piktoresk i Vlorës. Në defterët e turqve është përmendur me mijëra faqe trimëria e Sinan Pashës, i cili u vra në Vlorë në vitin e largët 1503, duke luftuar kundër ekuipazhit të disa anijeve Raguziane që donin të pushtonin skelën. Sinan Pasha (ndër paraardhësit e Ismail Qemalit), u varros me nderime në oborrin e Teqes së Kaninës, pasi aty e kish lënë amanet.

                                                    Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Ekstremistët maoistë janë përfshirë kohët e fundit në protesta të dhunshme në Itali dhe lideri i tyre është Fosco Dinuçi, të cilit në Shqipëri iu bë…”/ Shkrimi i panjohur i gazetës “New York Times”

“Pasi pyeti për shëndetin e udhëheqësit tonë të dashur, Enver Hoxha, shoku Park Gum Çol na tha se…”/ Raporti i panjohur i Sul Bahollit dhe Todo Manços, për vizitën e tyre në Korenë e Veriut, shtator 1964

Ismail Qemali, mbante kontakte të vazhdueshme me krerët kryesorë të rezistencës në Kosovë dhe përpiqej me çdo mjet t’i tregonte Evropës, se shqiptarët janë një popull autokton, me historinë e kulturën e tyre. Por edhe Hasan Pristina e Nexhip Draga, filluan të denoncojnë këto krime në parlamentin turk. Zëri i tyre bubullues, gjëmoi ngaherë duke nxjerrë përpara atij parlamenti, të vërtetat ngjethëse mbi ngjarjet në Kosovë.

Mandej, vlen të thuhet se protestat e tyre ndaj turqve të rinj, ishin të tilla saqë, shpesh kundërshtarët detyroheshin t’i dëgjonin kokë-ulur. Duke potencuar tragjedinë e atdheut të vet, Hasan Prishtina arriti deri sa të kërcënojë turqit e rinj se; “në të ardhmen vendi i juaj do të jetë në Gjygjin e Naltë (Divan alij)”. Pikërisht në fund të vitit 1911, Ismail Qemali shkon sërish në Stamboll. Aty plaku i Vlorës takohet me personalitetet atdhetare shqiptare dhe hedh idenë e një kryengritjeje mbarëshqiptare, e cila do të çlironte krejtësisht shqiptarët nga zgjedha osmane pesë shekullore.

Një prej tyre, e përshkruan bukur Hasan Prishtinën i cili thotë;

“Mbledhja u mbajt nën kryetari të Isamil Qemalit…! Mbas mbarimit filloi kuvendi. U numëruan dhe u përmenden edhe një herë krejt mizoritë e turqve të rinj në Shqypni, si edhe politika e tyne në çështje të shkollave e të shkronjave që pat shkue gjithmonë tue u rreptësue. Kuvendi nuk zgjati shumë e të gjithë shokët u bashkuen në këtë pikë: Për me i dhanë fund politikës turke në çështje të kulturës kombëtare e, për me sigurue disa privilegje politike për Shqypni, nuk ka tjetër mjet veçse me fitue me nji kryengritje të përgjithshme.

Kështu pra u vendue që të organizohej kryengritja e biseda nisi me rrjedhë mbi kët pikë të dytë: Qysh do t’u organizonte kjo lëvizje e kur kishin me fillue veprimet? Në këtë mes rolin ma të çmueshëm kishte për ta luajt Kosova. Për këtë arsye u vendue me gjetë e me i futë nga Mali i Zi në Kosovë pesëmbëdhjetë mijë pushkë, e me majtë në urdhën tem, pos këtyre, edhe dhjetë mijë napoleona ari”. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi Hasan Prishtina, “shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912 “faqe 74).

Besoj komentet janë të tepërta. Idetë dhe vendimet më kryesore të kuvendit madhor të Vlorës, janë marrë pikërisht në Stamboll prej burrave të tillë të shquar si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga e dhjetëra të tjerëve, zemra e të cilëve rrihte veç për lirinë e trojeve tona arbërore. E ideuar aty, kjo kryengritje do të fillonte pikërisht në kullat e Isa Boletinit, për të zbritur më pas valë-valë deri në gjirin e bukur, në Prevezë të Çamërisë sonë martire.

Ajo do t’i zgjonte shqiptarët prej atij gjumi të zi dhe muaj më vonë, kur në Vlorë do ngrihej flamuri kuq e zi, atyre do t’u dukej si një ëndërr e llahtarshme. Në fillim të vitit 1912, Ismail Qemali kthehet në Shqipëri. Ai pritet sërish me madhështi dhe populli është i etur të dëgjojë si flet goja dhe zemra e tij. Plaku i urtë e kupton dëshirën e madhe të tyre dhe nuk mungon në biseda e kuvende t’u thotë se; liria vjen vetëm prej grykës së pushkës, ngase atë nuk ta dhuron kush. Bën disa kuvende në Vlorë, Fier, Mallakastër e Berat, ku populli i këtyre zonave i kërkon armë e udhëheqje për të luftuar.

Nga maji deri në nëntor të vitit 1912, plaku i urtë niset sërish në Evropë. Ate s’mund ta mposhtë as sakrificat, as lodhjet, as rrugët e gjata dhe as mosha ngase në shpirt i vlonte ideali i madh i lirisë. Kudo ku shkonte, bisedat e tij janë të pjekura, të zgjuara, emocion sjellëse. Politikanë e diplomatë të huaj, përkulen me respekt përpara ideve të tij, ndërsa shqiptarët e thjeshtë, mërgimtarët, e adhurojnë deri në dashuri.

Aleksandër Stavre Drenova – (Asdreni), ndër atdhetarët aktiv të kolonisë shqiptare në Rumani, shkruan: “Mbledhjet u mbajtën disa ditë radhazi në hotel ‘Kontinental‘, në të cilin ardhë edhe anëtarë të kolonisë së Konstancës. U bisedua gjerë e gjatë mënyra, udha dhe mjetet që lypeshin përdorur për të përballuar rrezikun edhe sa të mundet pa vonuar për të vajtur sa ma shpejt në Shqipëri, për të gjetur edhe aty anëtarë besnik të kësaj ideje të shenjtë, të ngjitjes së flamurit të Kastriotit dhe të zbritjes së flamurit të gjysmëhënës…! Të gjithë të mbledhurit e përgëzuan e iu falën nderit z. Ismail Qemal Beut”. (Gazeta “Shqipëria e Re“ – Rumani , 29 nëntor 1929).

Kështu për të ardhur në nëntorin e lavdishëm të vitit 1912. Vetëm dy muaj më parë, Ismail bej Qemalit i ishte ofruar posti ministrit të punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Përpara këtij fakti, plaku i Vlorës u përgjigj pa hezitim se nuk pranonte, ngase “ka ardhur ora që Shqipëria të shkunde zgjedhën e të bëhet komb i pavarur e më vete”.

 Duke siguruar së pari mbështetje të plotë të atdhetarëve shqiptarë, e më pas disa mijëra armë e para, Ismail bej Qemali ndjente së thelli se momenti i duhur kish ardhur. Ora e historisë po binte, shqiptarët parashihnin lirinë e nesërme. Prej Bukureshti, me 5 nëntor 1912, Ismail Qemali u jepte miqve të vet në Shqipëri lajmin: “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar. Telegrafoni kudo, të kenë besim ndër fatin e atdheut”. (AQSH,Fondi 245/1 dosja 1 fleta 14).

Odiseja e udhëtimit për në Vlorë ishte gati në kufijtë e një drame. Por shpirti i madh i Ismail Qemalit nuk u përkul askurrë. Brenda tij, si brenda gjoksit të një shkëmbi, kishte bërë folenë shqiponja e flamurit kuqezi. Në qytetin bregdetar e presin krahëhapur. Tashmë jo vetëm Vlora, por krejt vilajetet shqiptare ishin njohur mbi çka do ndodhte. Tragjedia qëndronte në faktin se nëse Vlora priste festën e madhe nën tingujt e këngëve, krahinat e tjera shqiptare përcillnin e prisnin krismat e pushkëve.

Por edhe pse, përmes krismave e plumbave, delegatët erdhën nga gjithë Shqipëria dhe në datën e lumë të 28 Nëntorit. Burrat e kombit vendosën një zëri shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Brenda këtij akti të madh historik, ishin edhe luftërat shekullore të shqiptarëve për liri, edhe mijërat e të rënëve, edhe mijërat e shpresave të ardhme. Plaku i Vlorës, për këtë çast do të kujtonte:

 “Kongresi i hap menjëherë. Në seancën e tij të parë, me 28 Nëntor 1912, u votua njëzëri ç’pallja e pavarësisë. Mbledhja në këtë kohë u ndërpre dhe delegatët lanë sallën për të ngritur në shtëpinë time, ku isha lindur dhe ku të parët e mi kishin jetuar, midis brohoritjeve të mijëra njerëzve, flamurin lavdiplotë të Skënderbeut… Qe një çast i paharrueshëm për mua dhe duart mu drodhën nga shpresa dhe kryelartësia që më vlonin në shpirt, në kohën kur po ngritja flamurin e Sovarnit të fundit të Shqipërisë. Mu duk sikur shpirti i heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit”. (Ismail Qemali “Kujtime“, Toronto, Kanada, faqe 268 ).

Natyrisht akti i ngritjes së flamurit në Vlorë, do të kumtonte një ardhmëri tjetër në trojet shqiptare. Tashmë ishte hedhur tej sundimit osman pesë shekullore e përmes rrezeve të shpresës shqiptarët mund të shihnin nëpër mugëtirë pak dritë mbi fatin e tyre. Në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, plaku i Vlorës që në ditët e para u angazhua tërësisht me formimin e ministrive, organizimin dhe funksionimin e tyre.

Vendi ishte i varfër, arkë s’kishte aspak dhe përmes këtyre vështirësive Isamil bej Qemali do të punonte pa ndërprerje, duke larguar lodhjet e moshës. Natyrisht në shoqërinë tij tani ishin burrat e lavdishëm të kombit. Isa Bolentini, Mehmet Pashë Deralla, Sali Gjuka, Vehbi Dibra, Dom Nikollë Kaçori, Luigj Gurakuqi, Mid’hat Frashëri, Murat Bej Toptani, Ahmet Zogu, Myfit bej Libohova e dhjetëra patriot të tjerë, do të ndanin kurdoherë hallet me plakun e Vlorës.

Shpallja e pavarësisë, njëherazi vlente të shoqërohej edhe në një përpjekje madhore në rrafsh të diplomacisë perëndimore. Ismail Qemali, si diplomat i klasit të lartë, u ul dhe përpiloi vetë një tekst të shkurtër e konciz, ku njoftonte Fuqitë e Mëdha për këtë akt të shqiptarëve. Në këtë notë pos të tjerave, thuhej se; ”Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatë të krejt viseve shqiptare, e mbledhur në qytetin  e Vlorës, shpalli pavarësinë politike të Shqipërisë. Qeveria e përkohshme është e ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar i cili kërcënohet me shuarjen nga ushtria serbe.

Duke paraqitur këto fakte, – vazhdonte nota në fjalë, – kam nderin t’i kërkoj Qeverisë së Madhërisë së tij Britanike, që të njohë këtë ndryshim në jetën politike të Shqipërisë. Shqiptarët që hynë në familjen e Evropës Perëndimore, janë kryelartë të mburren sepse janë këtu më të vjetrit, kanë vetëm një qëllim, të jetojnë në paqe me gjithë popujt ballkanik dhe të bëhen element i drejt peshimit. Ata janë të bindur se Britania e Madhe, sikurse e gjithë bota e qytetëruar, do t’i presin përzemërsisht këto ngjarje, duke i mbrojtur kundër çdo sulmi që mund t’i bëhet qenies së tyre kombëtare, ose copëtimit të vendit të tyre”.

 Kjo notë e hartuar prej Ismail bej Qemalit natyrisht nuk do të kalonte pa vëmendjen e Fuqive të Mëdha. Pavarësisht prej ekuilibrave politike të mëvonshme, këto Fuqi të Mëdha, zbuluan përmes ngritjes së flamurit në Vlorë të vërtetën e thjeshtë se Shqiptarët mund të vet-qeverisen. Njëherazi ata siguronin se duke ruajtur pavarësinë aq shumë të ëndërruar, tek e mbramja ato do të mbeteshin kurdoherë simbiozë paqeje në Ballkanin e trazuar.

Por ndërsa plaku i Vlorës, me kabinetin e tij, ishin në ditët e para të asaj qeverisjeje aq të vështirë, fqinjët tanë nuk reshtën nga synimet dhe kërcimet e hapura. Disa luftanije greke qëlluan disa herë Vlorën duke shkatërruar ndërtesa e shtëpitë. Rreth 400 ushtarë grek që ishin në Himarë, zhvilluan disa ditë luftime por patriotët vlonjat i zmbrapsën disa herë duke zënë pozicione në Dukat”. (AQSH, fondi 71, dosja 1, dokumenti nr.11,4043).

Nga fundi i dhjetorit i vitit 1912, në drejtim të Vlorës u drejtuan edhe nja 200 kalorës të ushtrisë turke. Përballë tyre, në rrethinat e Vlorës, u vunë disa dhjetëra burra të Shqipërisë të komanduar prej Murat Bej Toptanit. U deshën vetëm dy – tri orë debate e mandej kalorësit u larguan. Ndërsa serbët kishin kaluar prej kohësh Drinin, po bënin reprezalje në Dibër, Mat e Librazhd. Kësisoj, “foshnja e porsalindur“, Qeveria e Përkohshme, u gjend e vetmuar në tallazin e detit.

Ismail bej Qemali duke paraparë vështirësitë e mëdha gjithfarëllojshme, ndërmerr pas kësaj një udhëtim në Evropë. Në krah të tij, rijnë Luigj Gurakuqi e Isa Bolentini, të cilët patën ndjekur njëri me pendë e tjetri me pushkë, ngjarjet e mëdha të atyre viteve. Ata dukej se vinin tashmë t’i jepnin zemër plakut të Vlorës, por ky ndërsa largohej prej gjirit të bukur të qytetit pikëllohej edhe më tepër. Në bisedat e gjata diplomatike në Romë, Vjenë, Paris dhe Londër, me të drejtë, nuk u arrit diçka konkrete.

Ngulmimi i plakut të Vlorës ishte që të ruhej sa të ishte e mundur tërësia tokësore e trojeve shqiptare, ngase ngjarjet në Ballkan sa vinin e bëheshin më të koklavitura. Ato probleme po zgjoheshin tash me largimin e Turqisë prej skenës Evropiane, duke ringjallur mëri të vjetra e orekse të reja, sllavo-greke.

Veçmas në Londër, me personalitete të shquara diplomatike, Ismail Qemali u përpoq të nxirrte në pah se Shqipëria ish një komb që paraqiste vlera të mëdha për shkak të lashtësisë, guximit dhe shërbimeve që i pat sjellë evropës. Ndërkohë, biri i Vlorës, përcolli në Londrën plot mjegull e prapaskena politike, mesazhin se shqiptari as kërkonte gjë tjetër, veç lirinë e trojeve të tij. Ai natyrisht kërkonte të rronte në fqinjësi të mirë me çdo fqinj, pavarësisht nga e kaluara e largët apo e afërt.

“Po simpathija që m‘u shfaq ndaj misionit që kesh ndërmarrë, qe ngushëllimi i vetëm për zemrën e copëtuar të Shqipërisë kur muarën vesh vendimet e marra nga konferenca. Më shumë se gjysma e tokës së vendit, u ish dhanë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Qytetet më të lulëzuara dhe pjesët më të begatshme të vendit qenë shkëputur dhe Shqipëria qe regjur e mbetur vetëm me pjesët më të thata, mbushur me gurë e shkëmbenj”. (Ismail Qemali, “Kujtime” Toronto – Kanada, faqe 271).

Prej vitit 1913 e deri më 1919, jeta e plakut të Vlorës, rrodhi kurdoherë me atë shqetësimin e madh, për fatin e atdheut që e lindi. Edhe kur në Shqipëri vjen Princ Vidi dhe Ismaili beu largohet për në Francë, tok me familjen, ai sërish dërgon letra, telegrame, takon miq e diplomat të huaj, i bindur sidoqoftë se çdo tragjedi e shqiptarëve, niste padyshim nëpër kancelaritë evropiane. Kështu derisa zemra e lodhur prej derteve të Shqipërisë, një ditë pushon së rrahuri. Ishte 24 janari i vitit 1919.

Trupi i tij u dërgua në Vlorë, për t’u varrosur në teqenë e Kaninës. Ky ishte amaneti i fundit i plakut të pavarësisë, i birit të Vlorës, i krejt kombit e Shqipërisë. Varrimi i tij qe madhështor. Ullishtat e Vlorës u mbushën me mijëra njerëz që donin të flisnin për të fundit herë me burrin e madh. Era e ftohtë e janarit, tundte lastarët e ullinjve që u ngjanin duarve të dridhura të plakut që ngriti flamurin.

Në fjalën që mbajti në varrimin e Ismail Qemalit, profesor Jani Minga, shprehej; “Popull i përzishëm, shumë të brengosur dhe shumë të vrenjtur të shoh sot. Vallë ç’gjëmë e tmerrshme të ka gjarë e ç‘ mandat të zezë ke dëgjuar? Pyes me pikëllim shpirtin, pyes me zemër që dridhet. Po mjerisht kudo që rrotulloj synë, kudo që mbajnë veshët, një zë përgjigjet në çdo anë, nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja dhe del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar, dëgjohet se vdiq Ismail Qemali, vdiq plaku i Shqipërisë.

Heu! Thuaj më mirë, o i mjerë popull, vdiq burri më i madh i Shqipërisë, luftëtari ma i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburesa ma e fortë dhe ma e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh, dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë Evropiane…!

Po ti komb mos u dëshpëro, ka pjellë kjo tokë kaq e vjetër në Sinist të Ballkanit, Kastriotët e Qemalët, ka pjellë të tjerë burra, të cilët do të ecin kurdoherë pas gjurmëve të mëdha të këtyreve e, do ta mbajnë atdhenë e dashur e të shenjtë në mëvetësi e në liri të plotë me emrin e At të madhit Zot”. (Gazeta “Kuvendi” – Romë , mars 1919 ). Shumë vjet më pas, me kërkesë të popullit të Vlorës, trupi i Ismail bej Qemal Vlorës u rivarros në qendër të qytetit. Lavdia ende prehet aty. Që gjeneratat e tjera shqiptare, të mësojnë prej këtij Panteoni./ Memorie.al

 Bern –Zvicër*

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 30 Nëntor 2026

Next Post

“Ekstremistët maoistë janë përfshirë kohët e fundit në protesta të dhunshme në Itali dhe lideri i tyre është Fosco Dinuçi, të cilit në Shqipëri iu bë...”/ Shkrimi i panjohur i gazetës “New York Times”

Artikuj të ngjashëm

“Si u detyrova dhe i vura fletë-rrufe kolegut tim të punës, i cili nuk ktheu përgjigje, por kur e pa Gogo Nushi…”/ Dëshmia e rrallë e ish-instruktorit të Bashkimeve Profesionale në Tiranë
Dossier

“Ekstremistët maoistë janë përfshirë kohët e fundit në protesta të dhunshme në Itali dhe lideri i tyre është Fosco Dinuçi, të cilit në Shqipëri iu bë…”/ Shkrimi i panjohur i gazetës “New York Times”

November 30, 2026
“Enver Hoxha, për interesin e tij personal, e dobësoi rolin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, pasi ai nuk permëndi rezistencën e Zogut në prillin e ’39-ës…”/ Refleksionet e analistit të njohur
Dossier

“Pasi pyeti për shëndetin e udhëheqësit tonë të dashur, Enver Hoxha, shoku Park Gum Çol na tha se…”/ Raporti i panjohur i Sul Bahollit dhe Todo Manços, për vizitën e tyre në Korenë e Veriut, shtator 1964

November 29, 2026
“Jugosllavia s’ishte Çekosllovakia, por përgjigja e saj e shpejtë ndaj kërcënimit rus dhe lidhjet e saj rajonale si Rumania dhe Shqipëria, e bënë ndërhyrjen sovjetike …”/ Refleksionet e analistit Milorad Laziç
Dossier

“Jugosllavia s’ishte Çekosllovakia, por përgjigja e saj e shpejtë ndaj kërcënimit rus dhe lidhjet e saj rajonale si Rumania dhe Shqipëria, e bënë ndërhyrjen sovjetike …”/ Refleksionet e analistit Milorad Laziç

November 29, 2026
“Nisur nga fakti, se Ismail Qemali ishte nipi i Ibrahim Pashë Vlorës dhe ky kishte miqësi të ngushtë me Napolonin e madh, këta ndërhynë në konsullatën franceze…“/ Historia e panjohur e Plakut të Vlorës
Dossier

“Nisur nga fakti, se Ismail Qemali ishte nipi i Ibrahim Pashë Vlorës dhe ky kishte miqësi të ngushtë me Napolonin e madh, këta ndërhynë në konsullatën franceze…“/ Historia e panjohur e Plakut të Vlorës

November 30, 2026
“Shumë armiq kanë punuar kundër partisë sonë, por nëse dy ose tradhtarë zbulohen brenda partisë, ne nuk i lëmë asnjëherë pa i dënuar, duke…”/ Biseda e Enver Hoxhës me Gardistët e Kuq të Kinës, 8 korrik ‘67
Dossier

“Shumë armiq kanë punuar kundër partisë sonë, por nëse dy ose tradhtarë zbulohen brenda partisë, ne nuk i lëmë asnjëherë pa i dënuar, duke…”/ Biseda e Enver Hoxhës me Gardistët e Kuq të Kinës, 8 korrik ‘67

November 27, 2026
“Në dokumentin e aktit të Pavarsisë që u gjet në sëndukun e firmëtarit të saj, Aristidh Ruci, në 1950-ën, thuhet…”/ Historia e panjohur e patriotit që njihej, si “Mëndja e Vlorës”!
Dossier

Austro-Hungaria ishte pro një shteti të fuqishëm shqiptar, ku të përfshiheshin të gjitha trojet e banuara prej tyre, pasi në këtë mënyrë, Vjena donte të pengonte daljen e Serbisë në Detin Adriatik

November 27, 2026
Next Post
“Si u detyrova dhe i vura fletë-rrufe kolegut tim të punës, i cili nuk ktheu përgjigje, por kur e pa Gogo Nushi…”/ Dëshmia e rrallë e ish-instruktorit të Bashkimeve Profesionale në Tiranë

“Ekstremistët maoistë janë përfshirë kohët e fundit në protesta të dhunshme në Itali dhe lideri i tyre është Fosco Dinuçi, të cilit në Shqipëri iu bë...”/ Shkrimi i panjohur i gazetës “New York Times”

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme