Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Gjeloshi nga Trieshi i Malit të Zi, nëpërmjet dëshmive të Zef Dod Gjeloshajt, njërit prej pinjollëve të saj, i cili në janarin e vitit 1950, pas konflikteve që familja e tij pati me regjimin titist, ku mbetën të vrarë disa djem të tyre si dhe ngjarjes kur familja Gjeloshi luftoi për disa orë kundra forcave ushtarake serbo-malazeze, pasi nuk pranoi ta dorëzonte një oficer serb (nipi i Gjoko Mirashoviç, “Hero i Popujve të Jugosllavisë” që ka dy buste në Mal të Zi), u kishte kërkuar besë, ai u detyrua dhe u arratis nga Mali i Zi, duke ardhur në Shqipëri, si emigrant politik. “Stabilizimi” i Zefit në kampin e Llakatundit të Vlorës, ku regjimi komunist i Enver Hoxhës mbante të izoluar rreth 800 shtetas jugosllavë me origjinë shqiptare, të cilët për shkak të politikës diskriminuese të regjimit titist ndaj popullsisë shqiptare, që jetonte në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe krimeve të Rankoviçit ndaj tyre, ishin arratisur dhe kishin ardhur në Shqipëri. Emërimi i Zefit, si mësues në rrethin e Lushnjes, ku në vitin 1951, Ministria e Punëve të Brendshme e thirri në Tiranë, dy oficerët, Petrit Arbana dhe Vilson Pecani që mbulonin emigracionin jugosllav në Shqipëri, e ngarkuan me një mision sekret, duke e dërguar në Jugosllavi së bashku me kolonelin serbo-malazez, Petër Bllazhoviç, i cili kishte braktisur funksionin e Shefit të UDB-së, për Malin e Zi dhe kishte dalë në arrati. Çfarë detyrash kreu Zef Gjeloshaj në Jugosllavi, si përfundoi misioni sekret që i’u ngarkua nga Ministria e Brendshme në Tiranë dhe përse ai u dënua me 15 vite burg në Shqipëri, duke u akuzuar, se me dorën e tij kishte vrarë kolonelin e UDB-së?!
Zef Gjeloshaj dhe historia e familjes së njohur në Triesh të Malit të Zi
Zef Gjeloshaj, lindi në vitin 1931, në krahinën shqiptare të Trieshit në Malin e Zi, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila rrjedh nga fisi i njohur Lulnikajve, ku bëjnë pjesë dhe dy degë fisesh të tjera, ai i Arapajve dhe Margilajve. Ndër burrat më të njohur të këtyre tre fiseve kanë qenë: Tom Hasi i Gjeloshajve, Gil Doshi i Margilajve dhe Malot Gjeka, i Arapajve.
Ndërsa ndër burrat më të njohur që kanë dalë nga fisi i Gjeloshajve, ka qenë Marash Mark Gjeloshaj, i cili ishte kapedan dhe i pari i atij fisi. Ai ka lindur rreth viteve 1830, dhe që në moshë fare të re, ka qenë i njohur si një njeri me autoritet të madh, jo vetëm në atë krahinë por dhe më tej. Me detyrën e komandantit të vendit, Marash Marku i Gjeloshajve, kishte marrë pjesë në të gjitha luftërat që patën zhvilluar malësorët e asaj treve, kundër forcave turke dhe serbo-malazeze.
Një ndër historitë më të njohura të Marash Markut, thuhet se ka qenë ajo e Urës së Zharnicës, ku në prezencën e Krajl Nikollës, Marku i grisi Vezirit turk fermanin e Sulltanit, në të cilën ishin bërë pazarllëqe në kurriz të trojeve shqiptare. Pas vdekjes së Marash Markut, vendin e tij në krye të komandës së vendit, e zuri Zef Lokja dhe pas Zefit, atë e trashëgoi, Nik Zek Gjeloshaj, i cili e mbajti atë deri në vitin 1944, kur aty hynë forcat partizane të Josif Broz Titos.
Historia e familjes së njohur të Gjeloshajve, vazhdon me Dod Smajlin, babain e Zef Gjeloshajt, i cili u lind në vitin 1886, në katundin Nikmarashaj të Trieshit dhe ka qenë një nga burrat më të njohur e në zë, jo vetëm të asaj familjeje, por edhe ndër të gjithë shqiptarët e Malit të Zi. Bashkëshortja e Dod Smajlit, Prenda Nikprelaj, pati shërbyer për të gjithë pjesëmarrësit të Memorandumit të Greçes, i cili u mbajt në atë krahinë në vitin 1911.
Ndërsa vetë Doda, mori pjesë me armë në dorë në çetën e Dedë Gjo Lulit, kurse vëllai i tij, Tom Gjeloshaj, ishte mësues i parë i gjuhës shqipe në Malin e Zi. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, familja e Dod Smajlit mbajti një qëndrim neutral, duke përkrahur Lëvizjen Antifashiste dhe duke ndihmuar si brigadat partizane serbo- malazeze, ashtu dhe ato të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare të Enver Hoxhës.
Dod Smajli, nuk pranoi që të merrte një funksion të lartë në qeverinë shqiptare, të periudhës së pushtimit gjerman, ofertë që ja bëri vetë ministri, Kolë Bibë Mirakaj, i cili shkoi në shtëpinë e tij në Triesh. Dy djemtë e Dodës, Noshi me Nikollën, u radhitën me brigadat partizane serbo-malazeze e shqiptare, ku morën pjesë aktive në shumë beteja, ndërsa shtëpia e tyre u kthye në spital partizan.
Pas mbarimit të Luftës, në kuadrin e politikës së “Bashkim -Vllazërimit” që filloi të ndiqte regjimi i Titos, familja e Dod Smajlit nuk pati probleme me komunistët serbo-malazez dhe dy djemtë e tij, Noshi me Nikollën, u futën në radhët e Armatës Jugosllave, ku shërbyen si ushtarakë. Por ajo “miqësi” me komunistët serbo-malazez, nuk zgjati shumë dhe në vitin 1946, në mes shtëpisë së Dod Smajlit dhe regjimit titist, filloi çarja e madhe.
Kjo erdhi pas vrasjes që i bëri Nikolla, një oficeri serb në Beograd, i cili e pati ofenduar atë në publik. Gjyqi ushtarak e dënoi Nikollën me vdekje, por pas ndërhyrjes së Dod Smajlit, pranë Marshallit Tito, atij ju fal jeta me dekret të veçantë dhe mundi që të dilte nga burgu i tmerrshëm i Goli-Otokut. Por vetëm pak kohë pas daljes nga ai burg, si rezultat i torturave çnjerëzore që i ishin bërë, Nikoll Gjeloshaj ndërroi jetë.
Katër vite pas vdekjes së djalit të Dodës, në familjen Gjeloshaj ndodhi një ngjarje tragjike, e cila bëri bujë të madhe, në të gjithë shqiptarët e Malit të Zi. Në shtëpinë e Dod Smajlit në Triesh, kërkoi strehim një oficer serb, i cili ndiqej nga regjimi i Beogradit, pasi kishte dalë hapur në mbrojtje të xhaxhait të tij, Gjoko Mirashoviç, i cili njihej si Heroi i Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, i dekoruar dy here, “Hero i Popujve të Jugosllavisë” që ishte mbyllur në burgun e Goli-Otokut.
Pasi Doda e mori në besë atë, shtëpia e tij u rrethua nga 300 forca ushtarake serbo-malazeze, të Reparteve të Ndjekjes, të ardhur urgjent nga Titogradi. Duke parë gjendjen e krijuar, Doda i nxori jashtë shtëpisë, gratë dhe fëmijët, e qëndroi brenda vetëm me të birin, Martinin, e mikun që i kishte kërkuar besë. Pasi Doda nuk pranoi të dorëzonte majorin serb, filloi një luftë e ashpër, e cila zgjati nga mbrëmja deri në mëngjes, ku Doda me mikun serb, tentuan të çanin rrethimin.
Ata nuk i’a arritën dot dhe Doda, mbeti i vrarë në pragun e shtëpisë së tij, me 17 plumba në gjoks, së bashku me majorin serb. Ndërsa vetëm Martini, mundi që të dilte i gjallë nga ajo shtëpi, duke çarë rrethimin ashtu i plagosur dhe duke u fshehur maleve të Kelmendit, ku e gjetën gjysëm të vdekur disa barinj.
Pas kësaj ngjarje, regjimi titist, arrestoi menjëherë djalin tjetër të Dodës, Noshin, që ishte ushtarak në Kotorr dhe e burgosi atë në Goli-Otok. Pas kësaj në shtëpinë e Gjeloshajve, mbeti vetëm nëna Prenda, me një vajzë të vogël. Zefi, për t’i shpëtuar hakmarrjes së serbëve, u arratis dhe erdhi në Shqipëri. Për historinë e familjes së Dod Smajlit në Triesh të Malit të Zi, është shkruar shumë në libra dhe gazeta të ndryshme nga autorë të njohur si Aleks Çaçi, Masar Shehu, Mark Gurakuqi, Dr. Myslym Hotova, Prenk Gruda, Shaban Braha, Resul Bedo etj. Po kështu, në vitin 2011, Zef Gjeloshja, shkroi dhe botoi edhe një libër me kujtime për jetën e tij, me parathënie nga shkrimtari i njohur dhe patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli.
Zoti Zef, përse u larguat nga vendlindja juaj Trieshi, dhe si erdhët në Shqipëri?
I detyruar nga përndjekjet dhe gjenocidi serbo-malazez, pas vdekjes së babait tim, Dod Smajlit dhe torturave që u ishin bërë vëllait tim, Nikollës, në burgun e Goli-Otokut, si dhe burgosjes së dy vëllezërve të tjerë, në fillimin e vitit 1950, unë u arratisa dhe erdha në Shqipëri.
Pas ardhjes tuaj në Shqipëri, kush mbeti në familjen tuaj në Mal të Zi?
Në familjen time mbeti vetëm nëna ime plakë, Prenda, me një vajzë të vogël. Është e tmerrshme që të mendosh, se në një familje me 14 anëtarë, ajo të rrinte për gati një dekadë e vetme!
Kur erdhët në Shqipëri, çfarë qëndrimi u mbajt karshi jush nga organet përkatëse, të Ministrisë së Punëve të Brendshme?
Autoritetet shtetërore që ishin të ngarkuara me emigracionin jugosllav, pasi më morën në pyetje për të mësuar arsyet e arratisjes sime, më internuan në kampin e Llakatundit në Vlorë. Asokohe në atë kamp, ishin të internuar afro 800 vetë, të cilët regjimi i quante pinjollë të familjeve reaksionare dhe i trajtonte si armiq.
Sa kohë ju mbajtën në atë kamp?
Në kamp ku ndodhej pjesa më e madhe e inteligjencës shqiptare të shkolluar në Perëndim, më mbajtën për disa muaj dhe më pas më liruan prej andej. Lirimi im erdhi pasi autoritetet shqiptare e mësuan të vërtetën për përndjekjen e familjes sime në Triesh.
Ku ju dërguan më pas?
Nisur nga fakti që unë kisha mbaruar shkollën Pedagogjike në Gjakovë, më dërguan të punoj si mësues në fshatrat e Leshnjes, pasi në atë kohë atje, kishte shumë nevojë për arsimtarë.
Në periudhën që ju erdhët në Shqipëri, kishte emigrantë të tjerë që arratiseshin nga Jugosllavia për të ardhur në vendin tonë?
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pas vitit 1948, shumë komunistë jugosllavë që simpatizonin Moskën, erdhën në Shqipëri dhe kërkuan azil politik. Numri i atyre emigrantëve që erdhën në atë kohë, ishte aq i madh, saqë atyre i’u lejua që të nxirrnin një gazetë në gjuhën e tyre. Po kështu në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ekzistonte një drejtori e posaçme, që merrej vetëm me problemet dhe çështjet e emigracionit politik jugosllav në Shqipëri. Në atë drejtori, punonin emra të njohur, si Vilson Pecani, Petrit Arbana, etj.
Sa kohë punuat si arsimtar në fshatrat e Lushnjes?
Në Lushnjë unë punova si mësues deri nga shtatori i vitit 1951 dhe në atë kohë, mua më thirrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Aty më ngarkuan për të kryer një mision tepër sekret në Jugosllavi, së bashku me një kolonel serbo-malazez, që kishte shërbyer se shef i UDB-së për Titogradin.
Pse u ngarkuat ju për këtë mision, në një kohë që ishit një mësues i thjeshtë?
Unë nuk kisha asnjë lloj lidhje me Ministrinë e Brendshme në Tiranë, por duke pasur statusin e emigrantit politik, njëkohësisht si të gjithë emigrantët e tjerë edhe unë isha aktivist i KOMINTERNI-t, për filialin e Shqipërisë. Kjo ishte një nga arsyet kryesore që unë u ngarkova për kryerjen e atij misioni sekret në Jugosllavi, me ish-kolonelin e UDB-së dhe arsyeja tjetër, ishte se unë njihja gjuhën serbe e vendet ku do të realizohej ai mision në Mal të Zi.
Kush ishte koloneli dhe e dini ju, se në ç’rrethana kishte ardhur në Tiranë?
Koloneli jugosllav quhej, Petër Bllazhoviç dhe ai ishte me origjinë nga fshati Piperi, i Malit të Zi, i cili gjatë viteve të Luftës (1939-’44) ishte kthyer në një nga bazat, më të fuqishme të Lëvizjes Antifashiste. Prejardhja e hershme e familjes së tij, ishte nga Shqipëria dhe në ato vite, pra për periudhën që po flasim në vitet 1945–‘48, nga rrethi farefisnor i kolonelit Bllazhoviç, kishte shumë ushtarak të lartë, madje edhe gjeneral e ministra që shërbenin në radhët e Armatës Jugosllave. Pasi kishte qenë i lidhur me Lëvizjen Antifashiste në Jugosllavi, Peter Bllazhoviç, deri në vitin 1948, shërbeu si shef i UDB-së për Titogradin, me gradën e kolonelit. Por në atë kohë, pra prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë dhe Rezolutës së Kominternit, koloneli Bllazhoviç, e braktisi detyrën e tij dhe doli maleve në arrati.
Përse ndodhi kjo?
Fshati Piper i Malit të Zi, (nga ishte koloneli Bllazhoviç), duke qenë një nga fshatrat që gjatë Luftës mbështeti më shumë Lëvizjen Antifashiste në Mal të Zi, ishte njëkohësisht i lidhur shpirtërisht edhe me Moskën e Stalinit. Por pas prishjes së marrëdhënieve në mes tyre, ata u kthyen të gjithë kundër politikës së regjimit të Titos, duke përkrahur politikën e Stalinit dhe u bënë anti-titist të zellshëm. Një ndër ata kuadrot që denoncoi politikën e regjimit titist dhe mbështeti atë të Bashkimit Sovjetik, ishte dhe koloneli Bllazhoviç, dhe për këtë arsye, ai e braktisi detyrën si Shef i UDB-së për Titogradin, e doli maleve në arrati.
Si mundi që të vinte në Tiranë koloneli Bllazhoviç?
Për arratisjen e tij, sigurisht që ishin vënë në dijeni edhe organet përkatëse të Zbulimi Shqiptar me anë të kanaleve të tija të posaçme që merreshin me atë punë dhe pas asaj, me anë të njerëzve të tij, Zbulimi Shqiptar kishte mundur që të hynte në kontakt me të, në ato vende ku fshihej ai, në malësitë e Malit të Zi. Në ato takime atij i ishte propozuar që të vinte në Shqipëri, pasi Zbulimit Shqiptar dhe filialit të Kominternit në Tiranë, i interesonin në radhë të parë njerëzit e fisit që vazhdonin të mbanin poste të larta drejtuese në Armatën Jugosllave, UDB-në dhe qeverinë e Malit të Zi. Kjo mendoj unë, ishte një nga arsyet që atij i’u bë kërkesë që të vinte në Shqipëri, gjë të cilën ai e pranoi si kërkesë, pasi në atë kohë Shqipëria ishte e lidhur ngushtë me Moskën e Stalinit./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016