Nga Brikena Bogdo
Memorie.al / Shqiptarët e njohin luftën për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës në vitin 1880, por dinë shumë pak për figurën që e udhëhoqi këtë luftë. Pas Plavës dhe Gucisë, e gjithë rezistenca e Lidhjes së Prizrenit, u zhvendos në Shkodër, ku figura qendrore ishte Hodo Pashë Sokoli, e njëjtë për nga statura me Ali Pashë Gucinë dhe Abdyl Frashërin. Gjatë viteve 1920-1930, janë botuar këngë popullore, kushtuar ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, por edhe figurave udhëheqëse, si dëshmi e jehonës, në ndërgjegjen popullore. Aty përmenden edhe udhëheqësit e shquar të lëvizjes, Abdyl Frashëri, Ali Pash Gucia, dhe Hodo Pashë Sokoli. Këtyre tre figurave qendrore, udhëheqëse të Lidhjes së Prizrenit, populli u thuri vargje. Por fatkeqësisht, e gjithë historia e jeta e Hodo Pashë Sokolit, luftëtarit që udhëhoqi 10 mijë ushtarë, në luftë për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare, për të cilin poeti kombëtar At Gjergj Fishta, tek “Lahuta e Malësisë”, shkruan: “Hodo Begu si bubullima / N’shtat’ Krajlit i shkoi ushtima…”, u deformua nga regjimi komunist i para viteve ’90-të?!
“Hodo Pashë Sokoli shkriu tërë pasurinë e tij për të mbajtur dhe udhëhequr një ushtri prej 10.000 luftëtarësh”, – shprehen sot pas 134 vitesh mbesat e tij, Fitret (90 vjeçe) dhe Sabrije Sokoli, 88 vjeçe. “Ato toka që i mbrojti Hodo Pashë Sokoli me 10.000 luftëtarët, nuk arritën më t’i marrin të huajt”, – tregojnë thjesht mbesat e tij.
Fatkeqësisht, gjatë regjimit komunist, kjo derë e madhe e Sokolajve (Ramadan Sokoli, Hodo Sokoli, Ibrahim Sokoli), nipat e tij, vuajtën në burgjet komuniste, duke kryqëzuar plotësisht këtë, kësaj figure legjendare.
Për pasojë, u deformua historia e familjes, si dhe u shtrembëruan fakte serioze, për figurën e Hodo Pashë Sokolit. Regjimi do të depërtonte në vargjet e popullit, për ta zhbërë si emër, ngjarje, figurë kardinale e një lufte ndaj Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë, për autonomi, deri pavarësi të plotë.
Ajo figurë mbeti legjendë me gjithë përpjekjet për t‘i zhdukur realitetet. Një familje legjendare e skalitur në legjenda, e cila tregon se, si nga kjo familje u larguan 25 burra për të luftuar kundër Vezirit të Turqisë dhe u kthyen vetëm dy, njëri Aftabegu, legjenda e Shkodrës, paraardhësi i Hodo Pashë Sokolit. Aftabegu sapo hyn në pazarin e Shkodrës, i drejtohet një të moshuari: “Mirë se rri o plaku i mirë i Shkodrës”.
Ai i kthehet: “Mirë se vjen o Aftabeg i Shkodrës”. Aftabegu, i çuditur, e pyet se nga e njohu, pasi ai kishte vite larg, në luftra. “Nga arma” – i përgjigjet i moshuari. Nëse armët e kësaj familje ishin gati-gati një legjendë, oxhaku i saj, është një legjendë e prekshme, ende sot.
Stërmbesa e tij Teuta (Haxhihyseni) Bogdo, e rrëfen si përrallë përjetimin e saj fëminor. “Shtëpinë, në odën kryesore, e zinte oxhaku i rrallë, i gdhendur me mjeshtëri, ndërsa dhoma e madhe ishte e mbushur me armë argjendi, mes të cilave qëndronte madhërishëm shpata e Hodo Beg Sokolit”.
Diktatori Enver Hoxha, duhet të zhbënte pikërisht legjendën, duhet të zhbënte thelbin e kësaj familjeje, duhet të asgjësonte identifikimin e saj, armën. Dhe legjenda vazhdon tregimin, që në periudhën komuniste, Enveri mes shumë rrugëve diabolike, për ta zhbërë familjen (duke futur të gjithë burrat e familjes në burg), ndoqi atë të minimizimit të fuqisë së kësaj familjeje, pikërisht armën.
“Thembra e Akilit”, fuqia e familjes ishte arma, dhe pikërisht shpatën e Hodo Pash Sokolit, Enveri ia dhuroi Stalinit. Ai arrin dy qëllime, tenton të zhbëjë një legjendë dhe fiton një aleat, duke u treguar shërbëtori besnik. Plëngprishësi i familjes së tij, i legjendave të historisë së kombit të tij, sigurisht që do të mund të ishte shërbëtori më besnik. Haraçi ishte shumë i lartë. Duke i mohuar thelbin, gjithçka do të ishte shumë më e lehtë për ta spostuar figurën, për ta deformuar historinë.
Hodo Sokoli, nipi i tij (emrin ia kanë vënë për nder të kësaj figure), mbante në gisht unazën e Hodo Pashës, me një vlerë të rrallë, të cilën nuk e hiqte kurrë nga gishti. Kjo unazë ishte timbri i Hodo Pashës, me të cilin ai vinte firmën. Kur u arrestua nga regjimi komunist, Sigurimi i Shtetit ia sekuestroi, për të mos ia kthyer më kurrë, duke zhdukur përfundimisht, identifikimin e personalitetit të tij prej udhëheqësi.
Nëse shpatës së argjendtë të Hodo Pashës, i dihet fati, kësaj unaze nuk i dihet. Por, një fakt qartësohet, që Enveri donte ta shpërbënte nga thelbi këtë figurë heroike, duke i zhdukur armën dhe unazën (firma) e tij, që kishin vlera kombëtare, historike, por padyshim edhe monetare.
Figura të papërsëritshme dhe të pazëvendësueshme mbas epokës Skënderbe-iane. Këto dy epoka legjendare, i lidh e njëjta psikë: figura që dinë të bashkohen, për t’u shndërruar të pathyeshëm. Ishin këto figura, pas epokës së Skënderbeut, që dolën së bashku, në një luftë krejt të pabarabartë, kundër Portës së Lartë, Fuqive të Mëdha, për t’i zmbrapsur ata. Figura, që ditën të bashkojnë forcat, me moton bashkimi bën fuqinë. Kjo i shndërron, në të papërsëritshëm për fatet e kombit.
Hodo Sokoli lindi më 17 nëntor 1834. Me kohën mundi të fitojë një kulturë të mirë, nga ndjekja e shkollës “Ruzhdije”. Një burrë i lartë, i pashëm dhe shumë autoritar, por mbi të gjitha, trim dhe i njohur për virtyte të larta. Rrjedhur nga një familjeje me tradita të hershme në Shkodër, fitoi një vend nderi të merituar.
Për talentin e tij ushtarak, u emërua kapiten i rojës së ishujve të liqenit, kufi me Malin e Zi. Ishte kapiten, që në kohën kur ishte guvernator Abdi Pashë Çekrezi, në vitin 1860. Më vonë, gradohet major i xhandarmërisë ushtarake, e formuar rishtas në atë kohë.
Me rastin e ardhjes së Dervish Pashës, si Vali në Shkodër, më 1869, qe transferuar në formë internimi, në Stamboll. Veprimtar i Lidhjes së Prizrenit dhe kryetar i Lidhjes Shqiptare, me qendër Shkodrën. Që në 19 prill 1880, del hapur kundër vendimit të Portës së Lartë, për dorëzimin Malit të Zi, krahinat e Hotit dhe Grudës, duke hedhur për tokë medaljet dhe nderimet që kishte fituar gjatë karrierës ushtarake, në xhandarmëri.
Fakti që këmbeu uniformën, me veshje tradicionale shqiptare në mbledhje, e forcon edhe më tepër këtë vepër simbolike. Këtë ditë e tregon me hollësi Dom Pal Shantoja, në formën e një artikulli. Më 19 prill 1880, të nesërmen e nënshkrimit, në Stamboll, të “Protokollit për kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”, u zhvillua në Shkodër një nga manifestimet më të mëdha që kishte parë ai qytet.
Atë ditë, në sheshin përpara ndërtesës së bibliotekës, rrëzë Rozafatit, u mblodhën të gjithë qytetarët, së bashku më mijëra fshatarë të rrethit. Sipas letrës, që shkroi dy ditë më vonë Engjëll Çoba, në miting u fol për vendimet që kishte marrë Komiteti Ndërkrahinor, në lidhje me mbrojtjen e Hotit dhe Grudës.
Ai e përshkruan mitingun popullor me njoftime politike sensacionale. Letra e tij, e shkruar në trajtë reportazhi, drejtuar gazetës “Algemeine Zeitung”, u botua më 20 prill, në një nga shtyllat e saj, dhe u ribotua, pothuaj në të gjitha gazetat e Evropës. Ajo që la përshtypje të thellë në opinionin evropian, ishte një frazë paralajmëruese: “Në qoftë se, Fuqitë e Mëdha kanë hequr dorë nga parimet e drejtësisë, shqiptarët do të derdhin gjakun e tyre, për lirinë e shenjtë”.
Mitingu popullor u zhvillua, nën udhëheqjen e Hodo Bej Sokolit, ku u bë e qartë se, shqiptarët janë të vendosur që të mbrojnë deri në fund Hotin dhe Grudën. Sipas letrës së Dom Pal Shantojës, në mitingun e Shkodrës, më 19 prill 1880, Hodo Sokoli, kryetari i Shtabi Ushtarak të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Shkodrës, mbajti një fjalim të zjarrtë.
Ai tha ndër të tjera: “Të nderuar vëllezër të Lidhjes Shqiptare! Ministrat e Fuqive të Mëdha, që u mblodhën në Berlin, vepruan me një padituri të plotë për vendin tonë dhe me banorët e tij, kur na shitën neve, ne që jemi raca më e pastër dhe më fisnike e botës.
Por ne, stërnipërit e Skënderbeut, dhe të bashkëluftëtarëve të tij, të braktisur nga të gjithë dhe të rrethuar nga një kope ujqërish të uritur, në pritje të presë, ne do të dimë të mbrojmë vetveten dhe të nderojmë varret e etërve tanë. Ne e shtypëm hidhërimin tonë dhe i shkelëm ndjenjat tona më të shenjta, atëherë kur dorëzoheshin te armiku, vëllezërit tanë të Podgoricës dhe Shpuzës. Ne, as tani nuk duam ta ndryshojmë me forcë gjendjen e sendeve.
Për ne, ky ishte lëshimi i fundit që mund të bënim, kurse nesër, përsëri do t’i jepen armikut, vëllezërit tanë të Hotit, Kastratit dhe të Kelmendit. A do ta lejoni ju këtë”? Një “Jo” e fuqishme – vazhdon letra e Pal Shantojës, e cila doli nga mijëra e mijëra gjokse, ishte përgjigja që iu dha aty për aty, Hodo Sokolit.
Pastaj oratori vazhdoi: “Edhe unë nuk dua të lejoj këtë lëshim. Sot, që mora vesh shpirtin e lig të Sulltanit dhe vullnetin e tij të prerë, që ai ka për të na shitur ne si skllevër dhe për të na shkatërruar si racë, që nga ky çast, po shkëputem prej tij dhe nuk kam ndërmend të njoh, as Padishah, as Stamboll.
Menjëherë, pasi shqiptoi këto fjalë – thuhet më tej në letrën e përmendur, plaku trim shkëputi spaletat e arta nga uniforma e tij ushtarake, shkëputi po nga gjoksi i tij dekoratat e shumta, i flaku në tokë dhe i shkeli me këmbë. Shembullin e tij e ndoqën 150 oficerë që ishin të pranishëm në kuvend. Pastaj Hodo Beu thirri: “O burra! Le të tregojmë botës se, kush jemi ne dhe çfarë dëshirojmë me të vërtetë. O bajraktar i Hotit, kryeje pra detyrën tënde”!
Menjëherë doli në ballkonin e ndërtesës, Ismail Marku, bajraktar i Helmit (Hot), trupmadh me fytyrë të pjekur nga dielli, i cili me një të qëlluar të jataganit, theu shtizën ku valëvitej flamuri i gjysmëhënës. Flamuri i Sulltanit ra përdhe, në pluhur. Pastaj, bajraktari i Hotit, Çun Mula, midis brohoritjeve të papërmbajtura, valviti flamurin e kuq kombëtar”.
Gjithsesi, se kush realisht e ngriti flamurin kuq e zi atë ditë, është shumë e diskutueshme. Ka versione që, tregojnë se flamurin e ngriti vetë Hodo Sokoli. Sipas letrës së Shantojës, fjalën e mori përsëri Hodo Sokoli. Ai shpjegoi me elokuencë pasqyrën e gjendjes së punëve dhe parashtroi mendësinë e fitores së luftës, që do të ndërmerrej kundër Malit të Zi.
“Armë kemi, madje kemi me bollëk, municionet nuk na mungojnë, madje për të luftuar disa vjet, vetëm të hollat na mungojnë, pasi shqiptarët janë trima por, të varfër”. Në këtë çast, kryetari i esnafit të reshperëve dha aty për aty, si ndihmë, për të përballur nevojat e luftëtarëve, që ndodheshin nën armë, 500 lira flori, dhe premtoi se së shpejti do të jepte edhe më shumë. Megjithatë, letra e Pal Shantojës, pati një jehonë të thellë, në opinionin publik evropian.
Ana sensacionale e saj, qëndron në faktin që, përveç se pritej një luftë midis shqiptarëve dhe malazezëve, tashmë po paralajmërohej edhe një shkëputje e shqiptarëve, nga sundimi shekullor osman. Kjo erë baruti nxiti disa organe të shtypit evropian, të dërgonin korrespondentët e tyre të posaçëm për të ndjekur nga afër, ngjarjet tronditëse shqiptare.
Por, figura e Hodo Pashës, kishte filluar të diskutohej në rrethet diplomatike, edhe më përpara datës 19 prill. Lidhur me këtë, Kirby Green, konsulli anglez në Shkodër, i shkruan markezit Salisbury, Ministër i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe: “Imzot, trazirat këtu, lidhur me lëshimin e parashikuar të disa malësive katolike për Malin e Zi, në shkëmbim të Gucisë, ende vazhdojnë, por është mjaft e vështirë të kuptohet se, si do të përfundojë.
Disa persona që, luajnë rol udhëheqës në to, më kanë siguruar se, është menduar që të rrëzohet Izet Pasha, guvernatori i përgjithshëm, dhe të caktohet në vend të tij, Hodo Beu, kryetari i policisë dhe kreu i njërës nga familjet myslimane, më me ndikim në këtë qytet”. (Shkodër, 29 mars, 1880).
Por, Shqipëria rezultonte e vetme. Vëmendja e popullsisë së Shkodrës, u drejtua edhe një herë nga kufiri, edhe për një arsye tjetër, kësaj here e provokuar nga Fuqitë e Mëdha. Me pëlqimin e tyre, Anglia kërkoi ta shtrëngonte Portën e Lartë që, të vendoste kordonin ushtarak, në zonën e Hotit dhe të Grudës, për të penguar vajtjen e vullnetarëve në zonën e Tuzit.
Qeveria e Stambollit, përpiqej me çdo mënyrë, të evitonte ballafaqimin me popullsinë shqiptare. Pyetjes së ambasadorit britanik, lordit Goshen, se çfarë e pengonte Portën që, të vendoste kordonin ushtarak, Savas Pasha, iu përgjigj me fjalët e valiu të Shkodrës se, po të vendosej ai në sektorin e Tuzit, shqiptarët kishin kërcënuar se, do të sulmonin Malin e Zi, për të rimarrë Podgoricën.
Veç kësaj, pyetjes tjetër të Goshen-it se, si shpjegohej fakti që, një zytar artë si Hodo Sokoli, ishte bërë udhëheqës i kryengritësve, Savas Pasha iu përgjigj: “Ai ishte shqiptar dhe si i tillë, kishte hyrë në komitetin e Lidhjes së Shkodrës, pa pëlqimin dhe autorizimin e qeverisë osmane, si rrjedhim ai kishte humbur funksionet e tij zyrtare”.
Hovin që morri lëvizja autonomiste në Shkodër, J. Haxhivasiljeviçi, e quan; “revolucion kombëtar”. Fillimin e tij ai e sheh, në mitingun e 19 prillit, kur Hodo Sokoli hoqi spaletat dhe titujt dhe me të u bashkuan shumë funksionarë të tjerë, si dhe ngriti flamurin shqiptar, ngjarje të cilën e quan si grusht shteti. Sipas tij, rrezet e këtij revolucioni u shtrinë edhe në Kosovë. Këtu grushti i shtetit ndodhi, në Prizren, më 12 maj 1880. Atë ditë, kosovarët dëbuan nga Prizreni mytesarifin e Portë së Lartë, Ahmet Spahiun.
Rritja e lëvizjes autonomiste, në të katër anët e vendit, u pasqyrua edhe në faqet e shtypit ndërkombëtar. Ndonjëri mendoi se, tashme Shqipëria do të fitonte autonominë, madje do të ngrihej, siç shkruante gazeta “I foni tis Alvanias”, më 24 maj 1880, në shkallën e një principate të pavarur.
(Hodo Bej Sokoli, komandant i xhandarmërisë së vilajetit të Shkodrës, veprimtar i shquar i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, komandant i Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbrojtje të Hotit dhe Grudës, nga forcat e ushtrisë malazeze). Memorie.al
*Materiali është shkëputur nga recensioni, i përgatitur nga Brikena Bogdo, mbajtur në simpoziumin e organizuar nga shoqata “Trojet e Arbrit”, gusht 2014.