Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1973, ku bëhet fjalë mbi një raport-informacion të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit, Mirditë, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe personalisht Ramiz Alisë, (sekretarit që mbulonte propagandën, artin dhe kulturën), lidhur me mbledhjet e shumta të organizatave bazë të partisë dhe atyre të masave që ishin mbajtur në atë rreth në luftën kundër çfaqeve të huaja, “nën frymën e fjalimit të shokut Enver Hoxha mbajtur në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror dhe aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, për problemet e kulturës, letërsisë dhe arteve”. Të gjitha kritikat dhe akuzat që janë bërë në mbledhjet e Mirditës, jo vetëm për problemet e atij rrethi, por edhe për Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, revistat ‘Shqiptarja e Re’, dhe ‘Ylli’, si dhe gazetën ‘Zëri i Popullit’, e cila kishte publikuar një kryeartikull të gazetarit e poetit të njohur, Xhevahir Spahiu, që vetëm para pak kohësh ishte kritikuar nga ‘shoku Enver’!
Ai lloj liberalizmi që u shfaq, apo u tolerua po themi nga vetë regjimi komunist Tiranës në fundin e viteve ’60-të dhe fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila preku pothuaj të gjithë jetën e vëndit dhe spikati më shumë në artin, kulturën dhe letërsinë, ndaloi si me komandë në janarin e vitit 1973, kur Enver Hoxha hodhi kritikat e para ndaj Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio Televizion. Ky festival për të cilin mund të thuhet se ishte dhe “maja” e liberalizmit në jetën artistike e kulturore të vëndit dhe u prit mjaft mirë e me shpresa të mëdha, si nga rinia ashtu dhe nga ajo pjesë e inteligjencës shqiptare që ndiqte me vëmendje hapat dhe kursin politik që po ndërrmerte regjimi komunist i Tiranës, pas kritikave të para të “udhëheqësit kryesor”, befas u shëndrua në një “tabelë qitje” si nga udhëheqja e lartë, ashtu dhe nga e gjithë hierarkia partiake e sistemit deri në organizatat bazë dhe gjithashtu nga të gjitha organizatat e masave që ishin nën varësi dhe nën komandën e Partisë. Kritikat apo më saktë pakënaqësia që shprehu Enver Hoxha që në ditët e para të janarit të vitit 1973 ndaj Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës, vazhduan më tej prej tij me fjalën e mbajtur më 15 mars të po atij viti në organizatën bazë të partisë së aparati të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, për të vazhduar më pas në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku si temë kryesore ishte: “Lufta ndaj çfaqeve të huaja dhe liberale në art, kulturë dhe letërsi”. Ashtu siç do të shohim edhe në mjaft nga kapitujt pasardhës të këtij libri, fjala e Enver Hoxhës e 15 marsit dhe ajo në Pleniumin e III-të “pati një jehonë të madhe” në të gjithë jetën e vëndit dhe si rezultat, u mbajtën mbledhje të shumta jo vetëm nga institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës dhe në mbarë vëndin, por edhe nga të gjitha komitetet e partisë në rrethe dhe dikastere e institucione të ndryshme, organizatat bazë, si dhe nga të gjitha organizatat e masave, si p.sh.: Bashkimi i Rinisë së Punës së Shqipërisë, Bashkimet Profesionale, Organizata e Gruas, Organizata e Veteranëve, etj. Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, asokohe u mbajt edhe mbledhja e Pleniumit të Komitetit të Partisë së Rrethit të Mirditës, e cila zhvillohej pas një sërë mbledhjesh që ishin bërë në atë rreth, si nga organizatat bazë, ashtu dhe ato të masave. Lidhur me këtë bën fjalë dokumenti arkivor që po publikojmë në këtë pjesë të librit, ku Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Mirditës, Jovan Bardhi, informon Komitetin Qëndror të PPSH-së (këto raport-informacione i dërgoheshin personalisht Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që mbulonte propagandën, artin dhe kulturën), lidhur me zhvillimin e atij Pleniumi dhe gjithë problematika që ka dalë në atë mbledhje. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, ajo që vihet re aty, ndryshe nga shumë rrethe të tjera, ku nëpër mbledhjet që janë zhvilluar në atë kohë pikërisht për të njëjtën teme (“Lufta kundër shfaqjeve të huaja nën frymën e fjalimit të shokut Enver Hoxha në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror të Partisë dhe Presidiumin e Kuvendit Popullor, për problemet e Kulturës, Letërsisë dhe Arteve”), nuk është diskutuar dhe janë ngritur probleme për çështje që preokuponin vetëm rrethin e Mirditës, si p.sh. ‘rastet e vjedhjes nga nxënësit në konviktet e shkollave të mesme të Rubikut e Rrëshenit’, ‘vjedhjes së lekëve të një mësuesi nga nxënësit e shkollë së Rubikut’, ‘vjedhjes së dyqanit të Repsit nga nxënësit e shkollës 8-vjeçare të atij fshati’, ‘moda e flokëve dhe favoriteve të gjata’, ‘mosrealizimet e planeve të ndërrmarjet dhe minierat e rrethit’, ‘kuadrot që kërkonin të largoheshin nga rrethi i Mirditës’, etj., etj., por edhe për probleme nga më të ndryshmet të artit e kulturës në shkallë vëndi. Kështu, sipas raportit të Jovan Bardhit, nga komunistët dhe kolektivat punonjës të rrethit të Mirditës, janë ngritur probleme dhe është diskutuar gjatë edhe për revistat ‘Nëntori’, dhe ‘Shqiptarja e Re’, Radio-Televizionin Shqiptar, madje deri për gazetën ‘Zëri i Popullit’, e cila “nuk duhet ta kishte botuar kryeartikullin e Xhevahir Spahiut, pikërisht pas kritikës që iu bë atij nga shoku Enver”. Lidhur me këto dhe të tjera nga ato çka janë diskutuar në Pleniumin e Komitetit të Partisë së Mirditës, na njeh dokumenti në fjalë, i cili publikohet me disa shkurtime në këtë pjesë të librit.
Raport-informacioni i Sekretarit të Parë të Mirditës, Jovan Bardhi, për Komitetin Qëndror të PPSH-së
DISA PROBLEME QE DALIN NE RRETHIN E MIRDITES PER LUFTEN KUNDER ÇFAQJEVE TE HUAJA NE FRYMEN E FJALIMIT TE SHOKUT ENVER NE PLENIUMIN E 3-të TE K.Q. DHE NE PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR, PER PROBLEMET E KULTURES LETERSISE DHE ARTEVE
Fjalimi i shokut Enver Hoxha mbajtur në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror të Partisë dhe Presidiumin e Kuvendit Popullor për problemet e Kulturës, Letërsisë dhe Arteve, u punuan dhe u zbërthyen nga shokët e Pleniumit, aparatit, të organizatave të masave, sekretarët e org. bazë të Partisë dhe me të deleguarit në shkallë rrethi. Në të njëjtën kohë u dhanë orientimet se si duhet të punoj për njohjen, zbërthimin dhe zbatimin e tyre dhe për organizimin e diskutimit të këtyre problemeve në organizatat bazë të Partisë dhe në masat.
Mbas studimit të hollësishëm të fjalimeve të shokut ENVER, Byroja e Komitetit të Partisë së Rrethit, në mbledhjen e saj të zgjeruar me pjesëmarjen e përgjegjësave të organizatave të masave dhe të sektorëve në aparatin e Komitetit të Partisë, u ndal në çfaqet e huaja, në shkaqet, në burimet, dhe në punën që duhet zhvilluar kundër tyre.
Raste vjedhjesh ka edhe nga nxënësit. Kështu thyhet dyqani i shitblerjes nga një grup nxënësish të shkollës 8-vjeçare Reps. Në Rubik ka pas raste kur nxënës të veçantë ose në grup, vjedhin. Një rast edhe lekët e mësuesit. Vjedhje nga nxënësit ka edhe tek njëri tjetri, si lekë, plaçka, sidomos në konviktin e shkollës së mesme, Rubik e Rrëshen. Tregohet kujdes i pakët për edukimin e fëmijëve nga ana e familjeve.
Ka mjaft fëmijë që në qytet sillen deri vonë në orët e natës dhe nuk kujdeset prindi për to. Disa fëmijë përdorin fjalë fyese, pinë duhan pa gjë të keq, në ndonjë rast në grupe të vegjëlish, shtrohen dhe pinë alkool. Prishin dritat në shkollë, thyejnë xhamat me llastiqe. Ka mungesë respekti për mësuesit dhe për më të rriturit. Kjo duket veçanërisht në shkollat e qytetit: Rrëshen, Rubik, Reps dhe Kurbnesh.
Në inteligjencën teknike, arsimore dhe të shëndetësisë si dhe ndër nxënës të shkollave, çfaqet duken edhe në paraqitjen e tyre. Ka nga ata me flokë të gjata dhe me favorite. Këta janë punonjës që kanë ardhur nga rrethe të tjera, ka edhe nga ata që janë të rrethit tonë, por që kanë mbaruar studimet në qytetet e mëdha, sidomos në Tiranë. Çfaqe të tilla, sidomos në vitin e fundit, janë vënë re edhe tek të rinjtë që janë punëtorë dhe kooperativistë. Disa prej tyre që mbajnë flokë të gjata e favorite, thonë vetë se e kuptojnë se nuk na pranon opinioni, por ç’tju bëjmë shokëve kur shkojmë në qytet, ata na thonë, je malok, ose sa shpejt u bërë fshatar.
Nga kuadrot e rretheve të tjera që punojnë në Mirditë, veçanërisht ato inxhiniero-teknik, të arsimit dhe të shëndetësisë, ka mbi 90 kërkesa për t’u larguar me pretekste të ndryshme se; kemi plotësuar “stazhin”, “mjaft kemi qëndruar në Mirditë”, e konsiderojnë veten provizorë, etj. Vetëm nga tre ndërrmarjet ekonomike, si Metalurgji e Gjeologji në Rubik, e minierë në Kurbnesh, janë 19 kuadro të lartë të cilët kanë kërkuar të largohen, gjë që në disa raste nuk ndikon për mirë në cilësinë e punës.
Sekretariati i Komitetit të Partisë së Rrethit është ndalur në këto çfaqe, janë zbërthyer ato për dëmin që sjellin dhe janë trajtuar në organizatat bazë të Partisë dhe ato të masave për kuptimin e tyre politik dhe ideologjik. Me gjithë efektin që po bën përsëri bëhen presione për t’u larguar. Në inteligjencën shfaqet dhe një fenomen tjetër, disa prej tyre nuk martohen. Kam mbi 100 raste të tilla që i kanë kaluar të 30 vjetët dhe disa nga ata që janë të rretheve të tjera, shpesh herë e justifikojnë që presin të transferohen, pastaj të fejohemi dhe të martohemi.
Në fushën e krijimtarisë muzikore nuk i kushtohet kujdes sa duhet muzikës popullore. Kjo gjë në disa raste nënvleftësohet, duke i dhënë prioritet muzikës së lehtë. Në ndonjë rast, ky i rrallë, gjatë shpjegimit në shkollë i jepet rëndësi letërsisë së huaj se sa letërsisë shqipe. Ka nga ata që jo vetëm ndëgjojnë emisionet e muzikës së huaj, por edhe shikojnë në televizion emisionet që jepen nga Italia dhe Jugosllavia dhe në mjaft raste bisedohet si për gjëra të zakonshme.
Kjo dhe shfaqje të tjera të huaja në kushtet konkrete të rrethit tonë, bazën dhe burimin e kanë në psikologjinë mikroborgjeze të pronës private që ka rrënjë të thella në ndërgjegjen e punonjësve, në rënien mbas interest personal, në punën e pa mjaftueshme që ka zhvilluar Komiteti i Partisë, organizatat bazë dhe ato të masave.
Theksin në punën tonë e kemi vënë më shumë në luftën kundër zakoneve prapanike, besimeve fetare, në luftën kundër bajraktarizmit e hakmarrjes. Nuk kemi luftuar gjithnjë me të njëjtën forcë, në të njëjtën kohë edhe kundër çfaqeve të huaja dhe të liberalizmit. Këto çfaqe i kemi shikuar e luftuar si fenomene të shkëputura në disa organizata bazë partie e ato të masave. Pa nxjerrë konkluzionet përgjithësuese në shkallë rrethi.
Për çfaqet e huaja tek ne ka ndikuar edhe presionet e ideologjisë së huaj e cila ka depërtuar nëpërmjet kanaleve të ndryshme, sidomos nëpërmjet radio-televizionit të huaj.
Nga diskutimet në Byronë e Komitetit të Partisë Rrethit doli se çfaqet e huaj, në disa raste janë përhapur nga edhe nga radio-televizioni ynë, nga organet e shtypit, të botimeve dhe nga puna e pakët e pamjaftueshme që bëhet në disa raste në institucionet e larta arsimore e kulturale, bën që disa të rinj dhe të reja, mbasi mbarojnë studimet, disa çfaqe të huaja i dërgojnë nëpër rrethet ku dërgohen me punëra. Disa nga vërejtjet më konkrete, ishin:
Në shtypin letrar siç është gazeta “Drita”, dhe revista “Nëntori”, nuk ka kritikë konkrete, por më shumë teorizojnë. Në kritikat ndaj shkrimeve nisen më shumë nga konsideratat për shkrimtarin, se sa për përmbajtjen e veprës që ai shkruan. Edhe organet e tjera të shtypit kanë të meta në drejtim të luftës kundër çfaqeve të huaja. Kështu në revistën “Shqiptarja e Re”, ndodh që të botohen edhe modele të modës së huaj në veshje, kurse revista “Ylli”, edhe në numrin e dytë të këtij viti, boton 10 fotografitë e futbollistëve të Europës me paraqitje të shëmtuar.
Në disa raste, sipas nesh, në redaksitë e gazetave ka çfaqe të familjaritetit, kjo duket edhe në mos zhvillimin sa duhet të kritikës, për problemet e letërsisë dhe artit. Në këtë kuadër edhe kryeartikulli i gazetës ‘Zëri i Popullit’, datë 18.II.1972, i Xhevahir Spahiut, “Fundi i vitit, fundi i hekurudhës”, u tha në Byro se jo vetëm nuk ishte për kryeartikull, se kishte dhe të meta, por nuk pati njeri tjetër të shkruante, vetëm Xhevahir Spahiu, fill mbas kritikës që i bëri shoku Enver autorit.
Pati kritika pse nuk u shikua më parë Festivali i 11 i Kangës që u dha në Radio-Televizion, kështu po ndodh edhe në raste të tjera. U tha se Komiteti i Partisë së Tiranës duhet të ushtrojë më shumë kontroll dhe ndihmë në organizatat bazë të institucioneve arsimore dhe kulturore, të redaksive të ndryshme.
Problemet për të cilat bëjnë fjalë në fjalimet e shokut ENVER, u trajtuan nga ne në forumet e organizatave të masave të rrethit. Diskutimi vazhdon në organizatat e Partisë dhe të masave. Në organizatat bazë të Partisë dhe të masave, ku problemet kanë qenë më të mprehta, janë dërguar shokë më të përgatitur, që njihnin gjëndjen, për të ndjekur më nga afër problemet që dalin gjatë diskutimit për të metat që vihen re.
Organizata e bashkimeve profesionale e Elektrolizës në Uzinën e Bakrit në Rubik, mbasi diskutoi çfaqet e huaja, mori iniciativën për të fituar titullin individ dhe kolektiv i dalluar në shoqëri dhe në familje, duke përcaktuar disa nga drejtimet kryesore për të fituar këtë titull. Shkolla e mesme në Rubik, e filloi diskutimin me ballafaqimin e 13 nxënësve të vitit të tretë të shkollës së mesme industriale, të cilët mashtronin familjet e tyre në ndryshimin e notave që u dërgohen prindërve në mbyllje të semestrit të parë.
Më parë u dhanë mendime nëpërmjet fletë-rrufeve, u bë ballafaqimi i 13 nxënësve dhe i prindërve të tyre me mësuesit. Pati mjaft debate. Ndonjë prind u shpreh se; ne ja kemi dorëzuar shkollës fëmijën, prandaj bëni ç’të doni ose merrni çdo masë për të. Diskutimi u thellua në organizatën e rinisë dhe në organizatën profesionale të shkollës nga shtrimi i problemit, doli familjariteti i sëmurë tek nxënësit dhe ndonjë mësues zhvillimin e kritikës dhe të autokritikës e indisiplinime të tjera.
Shkolla 8 vjeçare Rubik trajtoi disa tema me mësuesit për edukimin e fëmijëve, pastaj e punuan punëtorët dhe në organizatën e Frontit të lagjes, duke e lidhur me rastet konkrete të çfaqeve në Rubik. Në kooperativën bujqësore Blinisht, Byroja e organizatës së Partisë, në luftën kundër indiferentizmit në qëndrimin ndaj punës, përdorën fletë-rrufetë, ballafaqimet në brigadë dhe këto po japin efektet për daljen në punë dhe në shfrytëzimin e kohës së humbur. Ata kanë marrë iniciativën, asnjë mungesë të pa arsyeshme në punë dhe të plotësojmë normën çdo ditë e muaj.
Organizata bazë e Partisë e NSHN në minierën e Kulmes, gjatë diskutimit, duke kritikuar lëshimet, liberalizmin, rritën kërkesat ndaj vetvehtes, komunistët e punëtorët morën një iniciativë të shkurtonin 6 punëtorë në sektorët jo prodhues dhe kalimin e tyre në sektorë të tjerë prodhues. Gjatë diskutimit popullor po përpiqemi të luftojmë dhe të metat që vihen re si, gjatë zgjedhjeve nuk pati mundësi që në mbledhjet e organizatave bazë të bëhej analizë, çfaqeve të huaja, prandaj po i rikthehemi përsëri diskutimit.
Në këto diskutime në ndonjë rast janë munduar të ja u hedhin fajin të tjerëve, sidomos nga qëndra e institucionit të Tiranës. Këto janë dënuar, mbasi në fakt nuk largohemi nga përgjithësia. Ka pak iniciativë në luftën kundër shfaqjeve të huaja si për qëndrimin ndaj punës, pronës, në mësim e për probleme shoqërore, po i orientojmë që problemet jo vetëm të ngrihen e të kuptohen por edhe të korigjohen.
Organet e pushtetit dhe ato të ekonomisë më me vonesë u futën në këto problem. Këto ishin disa problemet që dolën jashtë këtij diskutimi në Byro dhe si fillim i punës në organizatat e Partisë dhe ato të masave. Problemi po ndiqet, ne do të informojmë herë pas here Byronë e Komitetit të Partisë së Rrethit, do të u rikthehemi për problemet në org. e Partisë dhe ato të masave dhe për çështjet që do të dalin do të informojmë herë pas here aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH./Memorie.al
SEKRETARI I I-rë I KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT
Jovan Bardhi
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016
Ky shkrim është marrë nga libri, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, i gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti