Fatos Kola, skulptor
In memoriam, 1 vit pas vdekjes së papritur
Memorie.al/Ndarja nga jeta e piktorit Mustafa Arapi shkaktoi një dhimbje të thellë tek familjarët, të afërmit dhe miqtë, por edhe një humbje të parakohshme e të pakompensueshme për ikonografinë dhe pikturën shqiptare. Fusha këto ku kontributet, prurjet cilësore teoriko-profesionale dhe sidomos risitë, e kualifikojnë dhe e hierarkojnë atë tek personalitetet më të shquara të artit dhe kulturës kombëtare.
Me Mustafain dhe bashkëshorten e tij, skulptoren Hatixhe (të famshmen zyshë Xhixhin, të cilën e njeh e gjithë Tirana si mësimdhënëse e shquar dhe zbuluese e kultivuese talentesh në ish Pallatin e Pionierëve), pata fatin dhe nderin të njihem qysh në vitet studentore e të miqësohem me ta.
Tek Mustafai më tërhoqi mirësia, thjeshtësia, vetëpërmbajtja, modestia, e plot virtyte dhe tipare që e karakterizonin.
Ia pëlqeja vështrimin e kadifejtë, butësinë e qenies, ngrohtësinë e timbrikës dhe ndjeshmërinë, të cilat të ngjallnin respekt dhe të inkurajonin të miqësoheshe me këtë njeri paqësor dhe shpirtmadh.
Shkurt, Faja ishte bash tiranasi fisnik që pëlqehej prej gjithkujt e që ofronte vetëm vlera të larta njerëzore.
Ashpërsia e sistemit, kohët tragjike dhe terreni tejet rrëshqitës i botës së artit pamor as që mund ta ndryshonin Fajen, ta rrezikonin apo ndërsenin ndaj të tjerëve.
Babaxhan, i brishtë, meditativ dhe introspektiv, ai premtonte prototipinë klasike të artistit me stof vëzhguesi e hulumtuesi, gjithmonë lundrues në ujëra të qeta, larg tallazeve e sherreve që shpesh viktimizojnë artistët.
Rivendosja e kontakteve tona si pedagogë të Akademisë në fillimvitet ’90 dhe sidomos ekspozita e përbashkët 3-javore në Hollandë në vitin 2002, na mundësuan njohjen e thelluar dhe shkëmbimin e pikëpamjeve akademike e profesionale.
Padyshim, Faja kish shkuar shumë larg teorikisht, ishte shndërruar në një studiues të mirëfilltë dhe ekspert elitar të arteve pamore të Antikitetit, Mesjetës, Bizantit dhe Rilindjes së lartë italiane e asaj evropiane, deri tek arti modern dhe postmodern. Perla teorike këto midis të cilave tek Faja shkëlqente plot dritë Ikonologjia dhe Ikonografia bizantiniste shqiptare, si majë e ikonografisë botërore, pjalmuar dhe ngjizur ndër iliro-arbërit në kuadër të Bizantit, kësaj perandorie kulturore dhe politike ku ne shqiptarët bëmë pjesë gjatë shekujve 4-15 pas Krishtit.
Bizanti u shemb si perandori politike në vitin 1453, por siç e dimë, fryma bizantiniste në kulturën dhe në religjionin ortodoks vazhdoi të mbijetojë në trojet tona jugore. Tashmë kjo mbijetesë u realizua nëpërmjet plejadës së artistëve të mëdhenj, ku kulmuan piktorët e famshëm bizantinistë të ikonografisë, që projektuan veprat e tyre gjeniale në objektet e kultit të besimit ortodoks. Objekte të cilat perandoria e re Otomane nuk i shembi, çka u dha shansin plejadës së piktorëve tanë bizantinistë të realizonin misionin e tyre artistik, kulturor dhe atdhetar. Thënë ndryshe, Otomanët vërtet e pushtuan Bizantin ushtarakisht dhe politikisht, por “u pushtuan prej tij kulturalisht”.
Në antitezë dhe kontrast me Otomanët dhe komunistët, Mustafai më fliste me dhimbje dhe pasion për faktin se piktorët shqiptarë, ku fuste edhe vetveten, këta bij pasardhës të Onufrit gjenial nuk e patën fatin e gjyshërve bizantinistë nën perandorinë e Kuqe, sidomos pas vitit 1967.
Mustafai që e njihte shkëlqyeshëm historinë e artit dhe historinë e popullit tonë, i bënte të qarta paragonet dhe dallimet, madje filloi të më fliste me superlativa për intelektualin mendjendritur Gani Strazimiri, i cili në postin e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës bëri të pamundurën ta shpëtonte këtë trashëgimi gjeniale nga shembja që pasoi fushatën e barbarisë së 6 shkurtit 1967.
Pasi shpëtoi shumëçka, sipas rrëfenjës së Fajes, Strazimiri kish siguruar fonde dhe kish organizuar përgatitjen e grupeve të specializuara të restauratorëve, ku përfshiu edhe Mustafain, dhe më pas edhe të bijën piktore akademiste, Mirelën. Këto grupe Strazimiri i kish trajnuar intensivisht dhe i specializoi deri edhe jashtë shtetit. Kësisoj Faja, ky ithtar i Gani Strazimirit, ndihej krenar që ishte pozicionuar si misionar për lëvrimin dhe shpëtimin e trashëgimisë sonë bizantiniste dhe asaj religjive e kulturore në përgjithësi, ku përfshiheshin objektet e kultit: katolike, islamike, pagane, si dhe vlerat arkitektonike të trashëguara.
Kontaktet e mia dhe të Fajes me trashëgiminë e qindra piktorëve gjenialë hollandezë të viteve 1400-1900, nga të cilët mbi 20 syresh konsiderohen ndër më të mëdhenjtë e artit botëror – na ndërgjegjësuan për kryevlerat e trashëgimisë sonë bizantiniste, të cilat ne të dy i njihnim shumë mirë.
Në emër edhe të Fajes që nuk jeton më, sot kam rastin t’i shpreh mirënjohjen e thellë ish ambasadorit tonë të asokohshëm në Hollandë, diplomatit të shquar z. Qirjako Qirko, për pritjen e shkëlqyer 3-javore atje, teksa na u vu në dispozicion dhe na hapi të gjitha dyert për ekspozimin dhe na mundësoi kontaktet me artistët dhe studiuesit më të shquar hollandezë të arteve pamore.
Faja u prezantua në Hagë me ekspozitën vetjake që përfshinte një cikël grafik mbi legjendat shqiptare, ndërsa unë me ciklin në skulpturën plurimateriale, titulluar “Dashnia hyjnore”.
Zotëri Qirjako Qirko në ditën e hapjes së ekspozitës kish ftuar gjithë trupin diplomatik të akredituar në Hagë, si dhe të gjithë profesoratin e Akademisë së Amsterdamit, krahas dhjetëra zyrtarëve të artit, kulturës dhe piktorëve e skulptorëve vendas, të cilët morën pjesë pa përjashtim dhe e vlerësuan maksimalisht ekspozitën tonë.
Në këtë mjedis tejet elitar, zotëri Qirko bëri edhe moderatorin e ekspozitës sonë, që pati pasqyrim edhe në mediat pjesëmarrëse.
Në këtë aktivitet ne konstatuam se z. Qirko gëzonte respekt të padiskutueshëm tek kolegët diplomatë dhe autoritetet zyrtare holandeze. Madje ai na mundësoi edhe vizita në muzetë më të famshëm hollandezë, në tre qytetet kryesore: Amsterdam, Roterdam dhe Hagë, në të cilat na shoqëroi personalisht.
Të tilla kushte dhe prezantime me artin dhe kulturën hollandeze z. Qirko ua kish krijuar më parë edhe artistëve të njohur shqiptarë nga të gjitha fushat, teksa ishte shndërruar kësisoj në një ambasador të vërtetë të Kulturës, që përfaqësonte dhe prezantonte me cilësi dhe dinjitet maksimal kulturën kombëtare, Shqipërinë dhe artistët e shquar të saj.
Asokohe, kryetemë e diskutimeve tona në Hollandë, ishin: Estetika si filozofia e artit dhe evoluimi i teorisë së artit sidomos gjatë shekujve 19 dhe 20, kryesisht nëpërmjet diskursivitetit alternativ dhe paradigmave në kontekstin e transformimit konceptual teoriko-filozofik; Dehumanizimi i artit në komunizëm prej diktatit të shtetit dhe në kapitalizëm prej lakmisë së fitimit; Krizat e Artit si dëshmi e rritjes së tij gjatë shtegtimit nëpër rrugën e vështirë që ai përshkon; “Vdekja e Artit” si pasojë e krizave, moskuptimit dhe injorimit të rëndësisë së tij kapitale për individin dhe shoqërinë njerëzore; Dialektika e Formës Artistike; Rëndësia madhore e ruajtjes së strukturës dhe integritetit të artit, si dhe e teknikave të prodhimit artistik në kushtet e modernizmit teknologjik dhe riprodhimit për qëllime fitimi, duke e shtyrë dhe hedhur artin në kthetrat e konsumerizmit që rrënon unikalitetin e veprës së artit, që shndërrohet kësisoj në mall të shumëfishuar konsumi që kënaq shijet dhe trillet e fashave sociale të pakulturuara; Karakteri antiestetik i postmodernitetit në art; Reflektimi estetik brenda kufijve të disiplinave të studimit të krijimit dhe produktit artistik; Raporti midis krijimit artistik si produkt transhendental dhe pasqyrim i botës shpirtërore, përkundër fantazisë marroqe që buron nga iracionaliteti i psihës së sëmurë prej sëmundjesh e prej droge, që e shtyn “artistin” të ngarendë kah theqafja në pseudoart; Rëndësia dhe evoluimi ndër mijëvjeçarë i shenjave, simboleve dhe simbolikave, për të mbërritur tek Simbolizmi si rrymë arti; Ndikimi i formalizmit dhe i strukturalizmit si drejtimet dhe rrymat përfaqësuese më promovuese në teorinë e artit të shekullit XX; si dhe diskutimet e pafundme sidomos për temat e preferuara të bizantinistit Mustafa, sikurse ishin: Raportet midis Abstraksionit, Shpirtërores dhe Shpirtërizimit në Art; Roli i besimit fetar, i Hyjnores dhe i Misticizmit në arte dhe veçanërisht në artet pamore; Marrëdhëniet simbiotike midis Ikonografisë dhe Ikonologjisë; Detyrat dhe kufijtë e Ikonologjisë, etj..
Ky shkëmbim i pikëpamjeve të sipërcituara filloi si refleksion i trysnisë dhe i sfidës që ushtroi mbi ne gjenialiteti i pikturës hollandeze të shekujve 14-17, shekuj në të cilët ky vend kish lindur vetëm piktorë gjenialë. Si bij të Onufrit gjenial me shokë, që përballeshim me piktorët gjenialë hollandezë, ne ishim tejet të ngarkuar emocionalisht dhe shkëmbyem intensivisht dhe vazhdimisht pikëpamje me kolegët akademistë të Amsterdamit, të cilët plot nderim na ftuan të vizitonim akademinë e tyre.
Ne i njohëm kolegët tanë me të kaluarën tonë gjeniale antike, dhe sidomos me epokën e ndritur bizantiniste, kurse ata na njohën me problemet e akademizmit dhe zhvillimet e artit bashkëkohor në Hollandë dhe më gjerë.
Debatet mbi këto tema dhe afërsia e qëndrimeve e forcoi miqësinë dhe besimin e ndërsjelltë midis meje dhe Mustafait, dhe pika më e fortë e njësimit të pikëpamjeve tona për artin ikonografik bizantin që e adhuronim, ishte konkluzioni i përbashkët se: Thelbi estetik tejet i sofistikuar i këtij arti i pati fillesat e ngjizjes pikërisht në Bizant (pra edhe në trojet shqiptare), për t’u kulmuar në Europë gjatë periudhës së Iluminizmit, çka në rrafshin e lëvrimit të kritikës artistike, pikërisht ky thelb i supersofistikuar nëpërmjet frymës dhe mjeteve shprehëse të brendësuara në Artin epokal bizantin, e vështirësonte maksimalisht zbërthimin e vlerave dhe hierarkimin e merituar të tyre nëpërmjet kritikës, qoftë kjo edhe e specializuar… Dhe për ne të dy ky konkluzion-produkt i një operacioni logjik kishte kuptimin se bota dhe kritika artistike e kishte dhe do ta kish të vështirë edhe në të ardhmen evidentimin, strukturimin dhe përcaktimin e gamës e të madhësisë së formatit vleror të ikonografisë bizantiniste shqiptare si maja më e lartë dhe kurora e artit bizantin dhe e mbarë ikonografisë botërore. Madje me Mustafain u bashkëpajtuam në mendimin se qendra botërore e studimeve ikonologjike dhe ikonografike bizantiniste nuk kish përse të mos transferohej në ardhmëri në truallin shqiptar, sa kohë që bota kristiane ortodokse ende nuk ka nxjerrë më të mëdhenj se Onufri ynë. Dhe për këtë dëshmojnë faktet (artefaktet e realiteti), që padyshim do të shërbenin si shtysë që UNESCO, një ditë të bukur ta mbështeste me projekte e ta financonte këtë zhvendosje.
Paskëtaj Mustafai, shumë nga këto tema dhe pikëpamje i trajtoi në shkrimet teorike pasardhëse, për çka i jam mirënjohës personalisht.
Me humbjen e tij pa kthim, akademizmi, Ikonologjia dhe Ikonografia shqiptare, krahas shkollës kombëtare të restaurimit të kryeveprave tona të artit bizantinist, pësuan një goditje rrënuese dhe të gjitha arritjet dhe projektet e Mustafa Arapit mbetën në rrugë të madhe.
Kësisoj kultura kombëtare po humbet me ritme të frikshme bash kryevlerat e trashëgimisë artistike e shpirtërore dhe shqiptarët po humbasin asetin më të vyer të arteve epokale që ne lëvruam sa kohë që ishim pjesë e perandorive politiko-kulturore me rrezatime kulturore të përbotshme.
Përvojat, studimet dhe hulumtimet bizantiniste të Mustafa Arapit humbën pa kthim, pasi tashmë nuk na ka mbetur askush që të ketë dijet dhe fuqinë e tij. Madje shkolla shqiptare ka bjerrë përfundimisht shansin për të prodhuar estetë dhe studiues e restauratorë të nivelit sipëror të bizantinistit të shquar Mustafa Arapi.
Duket sikur fataliteti dhe tragjika kanë dënuar përjetësisht Shqiptarinë lidhur me trashëgiminë bizantiniste, sa kohë që mungojnë edhe politikat shtetërore dhe ato akademike për të mbajtur gjallë dijet akademike ikonologjike dhe asetet brilante kulturore e ikonografike, të cilat i kemi më të kulmuarat në botë për nga supercilësia e lartësuar në gjenialitet. Kësisoj fati ynë tragjik, edhe me ndihmën tonë, bëhet me fqinjët mëtonjës të kësaj trashëgimie, që fatkeqësisht kanë marrë në dorë edhe kishat tona ortodokse, ku ndodhen shumica e aseteve më të vyera të trashëgimisë bizantiniste (kryesisht ikona, ikonostase dhe piktura murale e afreske, që po grabiten, po braktisen qëllimshëm dhe po rrënohen çdo ditë e më tepër).
Sa për politikat akademike të mësimdhënies dhe lëvrimin e teknikave të restaurimit në lidhje me artin bizantin, do të mjaftonte fakti se në Akademinë e Arteve të pasviteve ’90 fillonte alarmi nëse lajmërohej se po afroheshin studiuesit e shquar Mustafa Arapi e Gjin Varfi.
Tashmë dhe paskëtaj, studentët tanë të arteve pamore as që do të munden të dijnë më shumë për artin gjenial bizantin që kemi trashëguar, përveçse 4-5 emrave të piktorëve tanë që mahnitën planetin, ndërkohë që veprat e tyre murale po zhduken një e nga një.
Kjo ishte dhe do të mbetet drama më e madhe e mikut tim Mustafa Arapi, çka e bën edhe më të dhimbshme humbjen e tij tragjike, teksa u nda prej nesh me pengun e madh të bjerrjes së idealeve të tij bizantiniste, bash në kulmin e pjekurisë dhe prurjeve profesionale të mrekullueshme e të shumta. E humbëm kur po jepte aq shumë, athua se po nxitonte për diku…
***
Kolana e pambarimtë e kontributeve shkencore, didaktike e profesionale të Mustafa Arapit ngrihet gradualisht dhe kulmon bujshëm në harkun kohor të 4 dekadave (1980-2020).
Fashetat më të ndritshme të saj na kumtojnë se ky personalitet unikal i arteve tona pamore shpërfaqet gjithanshëm si bashkautor tekstesh akademike, si autor monografish shkencore dhe si ligjërues i dhjetëra studimeve shkencore e trajtesave profesionalo-publicistike në institucionet studimore, në aktivitetet shkencore dhe në mediat e shumta, brenda e jashtë vendit. Pa përfshirë këtu kontributet teoriko-akademike si pedagog-lektor në Institut-Akademinë e Arteve, si pedagog në shkollën e Restaurimit, si kontributor në zbulimin, evidentimin shkencor, restaurimin pasues, muzealizimin, ekspozimin, promovimin dhe publikimin teorik të mjaft kryeveprave të ikonografisë bizantiniste, apo në ndihmesat për hartimin e teksteve të katalogjeve dhe promovimin e ekspozitave dhe prurjeve të kolonive të piktorëve në mediat vizive dhe publicistikë.
Ndaj meritueshëm Mustafai emërohet: Shef i Departamentit të Artit Bizantin dhe anëtar i Këshillit Shkencor të Restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë; anëtar i Komisionit të Lartë Shtetëror të Pullës Postare Shqiptare; anëtar i Këshillit Kombëtar të Restaurimit.
Mustafa Arapi është autor dhe bashkautor në hartim projektesh dhe restaurimesh personale të ikonave të piktorëve gjenialë të ikonografisë shqiptare, si Onufri (babai), Nikolla Onufri (biri), Onufër Qiprioti, Kostandin Shpataraku, Joan Athanasi, Çetiri, Kostandini dhe Athanasi nga Korça.
Ai është autor dhe bashkautor në restaurimin e ikonostaseve, pikturave murale, afreskeve, tavaneve të kishave dhe të një pafundësie objektesh e ndërtesash të konsideruara si monumente të vyera të trashëgimisë kulturore në mbarë vendin.
Ai është: autor dhe zbatues projektesh ekspozimi të kryeveprave të ikonografisë shqiptare në muzeumet e Shqipërisë dhe ekspozitat ikonografike brenda e jashtë vendit; është fitues i çmimeve dhe dekoratave të larta për kontributet shkencore e profesionale; është autor dhe bashkautor ekspozitash të pambarimta pikture, vetjake e në grup, brenda e jashtë vendit, ku shquhet edhe për çmimet e shumta të fituara dhe vlerësimet e larta prej qarqeve profesionale e rrjeteve mediatike.
Pra nëse metaforizojmë, mund të themi pa droje se veprimtaria studimore dhe ajo profesionale e artistit Mustafa Arapi tashmë janë shndërruar në një galaktikë vezulluese brenda universit të artit pamor shqiptar.
Korpusi i veprës që ai la pas është sintezë botëndjesish, dijesh e botëkuptimesh mbi kulturat, filozofitë, idetë, konceptet dhe ligjërimet teorike të sistemit tonë pamor.
Trajektorja e veprimtarisë së tij dhe gama e interesave teoriko-profesionale na përcjellin mesazhin se perceptimi i Mustafait për botën nuk është gjithmonë i njëjti, ngaqë ai ka ndryshuar kah lartësimi vleror, i ndikuar nga filozofitë politike, shkollimi dhe përvojat e ndryshme për dy kohë botëkuptimore estetiko-filozofike brenda historisë së jetës së tij.
Veprimtaria krijuese e tij dhe ajo shkencore janë bangoprova ku ai u kultivua dhe u maturua në afro gjysëm-shekulli jetë artistike intensive.
Produkti i krijimtarisë së Fajes është kaq i qashtër, sa na emeton konkluzionin se ndjesitë, syri dhe mendja e tij na shfaqen të mbarsura me një sistem viziv kompleks. Dhe bash këtu vërejmë se bota pamore e hulumtuar dhe e krijuar prej tij është e mbushur me musht e kuptimësi idesh dhe thagmash të projektuara mbi kuadrate të transfiguruara pasunisht e plot me kahje figuracioni realist e shpesh të abstraguar…, ku transfigurimet iluzive bëjnë që shumësi sendesh dhe objektesh të kapërthyer nën metafora vizuale, të na shpalosin ide që kurrë më parë nuk janë perceptuar e konceptuar kësisoj.
Nëse do të vëzhgojmë fillesat e udhëtimit të Mustafait në botën e krijimit, konstatojmë se ai mbështetet tek përshkrimi i atmosferës rrethuese. Kjo vërehet si tek pejzazhet grafike ashtu edhe tek ato ngjyrore, ku gjithëherët marrin parapëlqim ndjenjat dhe mjetet pasqyruese me të cilat ai përshkruan në mënyrë rigoroze dhe të detajuar realitetin… Ngjashëm me një kronist pedant e skrupuloz, që e vendos theksin jo vetëm tek tematika, por edhe tek gjuha dhe mjetet shprehëse për të kapur në një impresion pamor pohim-farkëtimin e një çasti mbi letër apo telajo. Dhe kjo bash nën ritmet e penelatave të çlirta përplot me tonalitete të ndritshme, që fokusohen enkas prej tij për t’i dhënë një vlerë speciale dritës. Kësisoj autori dalëngadalë ngërthehet tek trajtmi estetik i ngjyrës si protagonistja kryesore drejt vizionit të personalizuar e të shprehur fort me anë të saj. Ndaj dhe fenomenet optike të rrokura me shënime të shpejta e të marra drejtpërsëdrejti nga natyra, bëhen kërkim i përftimit të ekspresionit shprehës, ku penelatat e dendura dhe ngjyrat e forta ia dalin mbanë të shformojnë realitetin.
Pikërisht në këtë fazë që përkon me dekadën 1990-2000, vërejmë se Mustafai është ndikuar dukshëm prej koncepteve dhe rrymave artistike si impresionizmi, neoromanticizmi, realizmi magjik supernatyral, metafizik, surreal.
Madje ndikimet tek ai të këtyre korrenteve të Realizmit i gjejmë të emetuara tek veprat e peizazheve të drejtpërdrejta marrë nga natyra, si edhe tek ato të modifikuara në studion-laborator të tij.
Më vone tek Mustafai vërejmë përpunime të reja të gjuhës dhe sistemit të ligjërimit, sikurse janë tonalitetet statike që vijnë duke e qetësuar harmoninë dhe timbrikën ngjyrore, e ku parregullsitë ritmike pasurojnë fuqishëm lëvizjen e brendshme nën iluzionin se gjithçka po lëviz drejt eksplodimit.
Në një cikël tjetër të peizazheve vërejmë se Mustafai shpalon një vëmendje të shtuar ndaj kompozicionit dhe e ndërton atë me skemë kromatike me akord prej tre njollash të mëdha, të cilat na emetohen si tre tise që veshin peizazhin…, tashmë nën ritin hije-dritëhije, e ku drita fokusohet kryesisht në qendër, si për vendosjen e hije-dritëhijeve në kompozicionin horizontal lart-poshtë mbi tablo, ashtu edhe për atë vertikal nga e majta në të djathtë, si edhe tek ajo e pjerrët diagonale nga njëri skaj i poshtëm i kuadratit tek skaji tjetër i kundërt. Më pas, të tre sektorët e tiseve i nënshtrohen përpunimit të brendshëm kontrapunktik koloristik brenda familjes së njollës, për t’i gjallëruar ato në të tre sektorët, por në të gjitha rastet qendrat e dritshme janë më eksploduese.
Në këto kuadrate vërejmë se ngjyra perceptohet më subjektive dhe e personalizuar si përzgjedhje kodesh të paletës së tij, ndaj e kësisoj akordi ngjyror i është nënshtruar një parapërpunimi duke u bërë konceptual. Ndërsa përpunimi brenda çdo njolle të akordit i lihet improvizimit intuitiv e spontan, deri tek njollat më intime.
Në përpunimin e detajit ndeshim me parapëlqimin e fantastikes, ku realiteti deformohet duke pasuruar imazhin me vlera emotive dhe ekspresive të pavarura ndaj natyrës.
Në kulmin e pjekurisë profesionale të dy dekadave të fundit, tek gama e tij krijuese vërehen një seri veprash të frymëzuara e të ndërtuara mbi bazamentin e parimeve të mega-kulturës bizantine… Parime të cilat nëpërmjet iluzioneve optike të shndërruara në aforizma pamore na dëshmojnë se e shkuara bizantiniste shqiptare në artin pamor të Mustafait nuk mund të lihet aq kollaj mënjanë e më pas të rimerret në fokus bash nëpërmjet kryepersonazhit-kryetemë dhe objekt estetik i botës religjive dhe i kulturës kristiane, sikurse është Krishti.
Madje Jezui, ky realitet-mit kolektiv, jo vetëm tek veprat studimore e shkencore dhe ato të restauruara…, sikurse tek ikonat e piktorëve të mëdhenj bizantinë, por edhe tek tablotë e krijuara nga Mustafai, teksa zgjedh të trajtojë e pikturojë…, gjithmonë Ai, pra Jezui-mbret, Perëndi dhe Bir Perëndie, gjithmonë shpërfaqet në gjendje vetmie dhe ka pamje vetmitare… Pamje ku herë na shfaqet me pësimet e dhunës së ushtruar mbi të, e herë na shfaqet si triumfator që i flet kohës.
***
Pas mohimit të dhunshëm të Krishtit prej ideologjisë komuniste, pas fillimviteve ‘90 tek piktori dhe studiuesi Mustafa Arapi lindi një interes i natyrshëm për individin dhe besimtarët që kishin humbur udhët e lidhjeve me traditat religjive. Ndaj dhe Faja i çliruar nga tutela përfshihet ethshëm në studime e krijime veprash të bazuara mbi këtë ringjallje shpirtërore.
Kish ardhur koha që transformimet sistemike të bashkëshoqëroheshin me risi tematike dhe teknikash shprehëse edhe në kulturë dhe artet tona pamore. Ndaj edhe në krijimet e Mustafait e gjejmë me shumicë këtë transformim, kryesisht në gjininë e pejzazhit, ku ai trajton motive që variojnë qysh nga ato me natyrë idilike, e deri tek ato konvencionale të karakterit historiko-përkujtimor, përfshirë edhe ato që paraqesin transformimin e pejzazheve urbane brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pejzazhe këto të paraqitura shpesh edhe në formën e Denoncimit dhe Provokimit, dy rryma kryesore këto të Artit konceptual.
Ngjyra-formë si element bazë i shprehjes dhe i komunikimit pamor në pikturë, e që përdor pamjen në vend të fjalës, na shfaqet përplot laryshi qëndrimesh në veprat e Mustafait, ku artisti na njeh me pejzazhin natyror që po transformohet në peizazh urban, që i ngjan një kaosi në të gjithë territorin shqiptar.
Pejzazhet e tij “denoncuese” na njohin me materialet dhe teknikat ndërtimore tradicionale, por edhe me ato moderne të përdorura pa kriter, larg zgjidhjeve që preken me masa ideale të hapësirës dhe vëllimit në relacion me funksionin…, e ku bien në sy hapësira dhe objekte të vendosura në kakofoni, ku njeriu jo vetëm nuk është në gjendje të meditojë, por shpesh gjendet në situata alarmi dhe tejet i stresuar.
Teksa konsiderojmë këtë mision të artit konceptual, rrokur dhe emetuar prej Mustafait, i gjithë ky korpus veprash është dashur të latohet nëpërmjet gjuhës dhe ligjësive pamore të pasuruara me ndikim të drejtpërdrejtë të artit modern dhe postmodern.
Por a ka mundur Mustafai të krijojë një gjuhë individuale brenda asaj universale përgjatë të shprehurit të koncepteve dhe sistemeve që ai ndërton në veprën e tij? A ia ka dalë mbanë që me këto koncepte e sisteme të realizojë transplantin shpirtëror për t’i shprehur qartë ndjenjat e të vërtetat sipas tij? A krijon monologu i tij shanse për një dialog unikal e të papërsëritshëm me shpirtrat tanë? Cili është arsenali i mjeteve që e mundëson këtë dialog ndjenjash dhe idesh?
Fillimisht në udhëtimin tim brenda botës së veprave të Mustafait po mundohem që pas hulumtimit të ekspozoj për publikun me kultivim profesional e më gjerë, disa nga tiparet thelbësore të sistemeve dhe gjuhës vizuale që kanë ruajtur koherencë pavarësisht ndryshimeve në kohë dhe hapësirë, si kërkesë bazike kjo për çdo artist, në udhëtimin e tij brenda botës së artit. Ndaj i ndaluar para korpusit të veprave të tij, konstatoj se: Veprat e Mustafait rrokin një gamë të gjerë konceptesh, duke filluar nga Realizmi, me të gjitha zhvillimet brenda tij, e deri tek konceptet abstrakte të korrenteve të Realizmit.
Shpesh herë veprat e tij lindin prej referimesh të koncepteve formale, apo ideve brenda të cilave duhet të shquajmë nëse ka prezencë të “Un-it” të tij, apo kemi përftuar shtampën e radhës, sipas matricës konceptuale të ngulitur në kokë? Ndaj dhe duhet të zgjidhim dyzimin dilematik: A kemi, në këto amplituda lëvizjesh referuese, ruajtje të tipareve homogjene, apo kemi vetëm zgjidhje të reja formale? Dhe kemi të drejtë të arsyetojmë dhe formulojmë kësisoj teksa pranojmë se Mustafai jetoi dhe krijoi në kohë transformimesh të mëdha të ideve shoqërore dhe artistike… Sidomos ngaqë bota artistike në të cilën ai jetoi ishte përplot rreziqe përsa i përket zhvillimit normal të ngjarjeve estetike: fillimisht prej dogmës së imponuar soc-realiste në dekadën e parë, pas përfundimit prej tij të akademisë (pra bëhet fjalë për vitet 1980-1990), e më pas prej ngulfatjes dhe mes peripecish të tij në liri, gjatë tre dekadave pasuese 1990-2020.
Gjithsesi qysh në krye të herës më duhet të pohoj se Mustafai kishte formim akademik si grafist. Madje na lipset të shquajmë edhe mënyrën sesi e sheh një grafist botën pamore brenda ligjësive të artit, ku koncepti grafik paraprin ngjarjet e tjera të estetikës pamore.
Nga ky shqyrtim konstatojmë këto dukuri: Është kontrasti i fortë grafik që dominon në veprat e tij, duke mundësuar që figurat të dalin në pah me forcë, tashmë të formësuara me ritme kontrapunktike frenetike, që krijojnë pamjen sikur po eksplodojnë.
Ky tipar ruhet jo vetëm në veprat në teknikat e grafikës, por edhe tek i gjithë korpusi i veprave të ngjyrta, teksa ngjyra tek ai përsëri ruan perceptime vizive të forta e ku gjithmonë ato gjallërojnë dhe shkëlqejnë.
Konfiguracionet ngjyrore të ndërtuara prej tij mund t’i ndajmë në dy etapa; a) Periudha e parë shfaqet me kontrapunktin harmonik brenda familjeve ngjyrore, dhënë me gjendje dhe ekuilibër të stabilizuar. Në këtë periudhë Mustafain e preokupon qasja që në veprat e tij të dominojë ligji i harmonisë brenda një bote kundërtish, gjithëherët i aftë të krijojë një vizion të njësuar. b) Ndërsa në periudhën e dytë në tablotë e tij ndeshemi me ngjyra që eksplodojnë sidomos në qendër të tyre, realizuar me sistemin ngjyror të gradacionit në ulje me skemë rrethore, vertikale lart-poshtë, horizontale majtas-djathtas e të kryqezuar… Duke bërë që këto qendra frenetike ngjyrore vajtje-ardhje të rrethohen gradualisht nga oaze të qeta që transfigurojnë pamjen e një “bing-bengu” që shpërthen e që qëndron në hapësira të pezullta.
Qendrat e tablove të tij shfaqen si figurë që çkontraktohet mbi sfondet e skajshme të kuadratit duke krijuar skema të pamjeve dyfishe. Eksperienca këto të përftuara nga piktorët Dali, Vazarel dhe Escher, të cilët e nkanë hulumtuar suksesshëm këtë fenomen perceptualo-pamor të dypamësisë midis figurës dhe sfondit. Fenomen iluziv ky i krijuar nga format e figurave qendrore, të cilat nuk janë të mbyllura në vetvete, por janë të shpalosura në hapësirë.
Mustafai e realizon këtë qasje konceptuale nëpërmjet kontrastit të ngjyrave, apo nga kontrasti i sipërfaqeve me karakteristika të ndryshme.
Mjaft i pasur shfaqet figuracioni i tij lidhur me kufijtë iluzorë të figurave imagjinare që vijnë si anormalitet dhe duken sikur dalin nga hiçi për të zënë sipërfaqe boshe të formave të pakompletuara.
Vend të dukshëm në tablotë e tij zënë pamjet ireale, absurde, shpesh shqetësuese dhe të ankthshme…, shpesh duke e vënë theksin tek fantazia, bota e ëndrrave dhe kah çlirimi i pavetëdijes larg çdo lidhjeje me racionalen, por duke ruajtur figuracionin, i cili në tablo të tjera zhytet në abstraksion pa gjurmë të realitetit. Këtë qasje ai e realizon nëpërmjet kompozimeve me struktura asimetrike, të cilat i shtojnë dramacitetin pamjes, duke theksuar copëzimin e rregullit dhe cenimin e ekuilibrit.
Në fundore mund të shprehemi me plot gojën se Mustafai ia ka dalë mbanë të modernizojë edhe imazhet për temat e traditës religjive kristiane, duke riinterpretuar lirshëm këto tema me vizione të reja shprehëse.
Në veprat e Fajes një rol të dukshëm merr pasurimi i imazhit me të dhënat e thellësisë për të dyja konceptet mbizotëruese për perspektiven: Qoftë ajo e perspektivës bizantine, duke shfrytëzuar pasunisht iluzionin optik të humbjes së perpektivës, ku figurat ndjehen si të rrafshta e me pak vëllim në një hapësirë dy-dimensionale, qoftë ato të perspektivës së artit të Rilindjes, ngjarjet e të cilit u zhvilluan kryesisht në Itali e në Perëndimin europian me të gjashtë format që njihen prej profesionistëve nga mënyra sesi i percepton syri ynë objektet dhe sfondet në natyrë, sikurse janë: 1) Hijezimet – zona në hije e kundërvendosur me atë në dritë mbi objekte që na ndihmojnë për të kuptuar format e një objekti solid (hija e vet), si dhe hija që objekti projekton mbi planin mbështetës. 2) Madhësia – ku objektet e afërta duken më të mëdha se ato që ndodhen larg. 3) Mbivendosja – objektet që ndodhen para mbajnë të fshehura pas tyre ato objekte që pjesërisht shikimi ynë do t’i perceptonte se ndodhen mbrapa. 4) Dendësia – sa më shumë rritet distanca prej nesh, aq më të vogla na duken objektet, gjithmonë të mbivendosura ose të afruara me njëra-tjetrën. 5) Ngjyra – objektet në sfond janë më pak të gjalla se ato në plan të parë dhe perceptohen të ftohta, ndërsa objektet në plan të parë kanë ngjyra të dendura dhe të ngrohta. 6) Deformimi – është iluzion që krijohet nga perceptimi ynë, i cili objektet i sheh teksa zvogëlohen në përmasat e tyre, sa më thellë që ato ndodhen… Si p.sh. ndërtesat, pemët, rrugët, pllakat, etj..
Të gjitha këto të dhëna të thellësisë u zbuluan e u përdorën nga piktorët qysh nga vitet 1400 e tëhu, për të komunikuar idenë e dimensionit të tretë të objekteve dhe hapësirës.
Në këtë iluzion të perspektivës, dritat dhe hijet alternohen duke krijuar një pafundësi të qartësisë dhe errësirës.
Kjo pasuri mjetesh e vizionesh, jo vetëm që e karakterizon mbarë krijimtarinë e tij, por gjithashtu na dëshmon se Mustafai ka njohje të thellë për eksperiencat e reja që sollën: Arti informal; arti optikal dhe ai i korrenteve të ndryshme të abstraksionimit në shekullin XX, për të cilët ekspertët dhe kritikët dakordësohen se ia dalin mbanë të sugjerojnë dhe krijojnë ndjesi të forta të thellësisë.
Gjithashtu shqyrtimi i kujdesshëm na ndih të perceptojmë se tek vepra e Fajes kanë ndikime të forta edhe eksperiencat e artit kinetik-vizual dhe të atij xhestual. Koncepte këto që kanë modernizuar teknikat e realizimit dhe janë bërë mitra që ka pjellë fenomene të këtyre stileve të reja, të cilat ia dalin mbanë të na sugjerojnë ndjesi të forta të lëvizjes edhe pa paraqitur elementë të botës së jashtme.
Ky instrumentarium i pasur e i zotëruar pa sforco, e bën Mustafain të shquhet për një gjuhë vizive të pasur në varietete, falë kulturës njohëse mbi këto fenomene pamore, ndajshtuar dhe krahas edhe mjeshtërisë së tij për t’i organizuar nëpër kompozime të gjitha këto elementë, madje në kombinime pambarimisht të ndryshme.
Dialogu dhe komunikimi i pambarimtë i Mustafait me artet epokale, me shkollat dhe korrentet krijuese e me teknikat e pasuruara pafundësisht nëpërmjet eksperimentimit dhe laboratorit krijues, ndër dekada i kanë mundësuar atij të evoluojë pikëpamjet, si për konceptet grafike, ashtu edhe për konceptet ngjyrore. Madje lidhur me ngjyrën, Faja e ka përpunuar skajshmërisht paletën e tij të preferuar, ku bien në sy ngjyra drite që shprehin entuziazmin, pastërtinë shpirtërore, dëshirën për t’u kuptuar dhe për t’u pëlqyer të tjerëve, njëkohësisht edhe tejet joshëse për të grishur forca të mira dhe pozitive.
Bluja, jeshilja, viola, okra, grixho e ngjyrtë marrone, roza dhe e bardha – motivohen brenda kuadrateve të tij kryesisht tek pejzazhet me fuqi shëruese dhe ringjalljeje, e që tregojnë thellësinë, shpirtmadhësinë, urtësinë… Vlera këto që krahas me përdorimin mjeshtëror të çifteve të kontrasteve, na ndihin të përftojmë pamje ku ngjyrat dalin në pah në maksimum, duke krijuar gjendje të tejmbushjes së natyrës me imazhin e ringjalljes dhe të transformimit.
E kuqja dhe portokallija tek veprat e tij janë ngjyra që dalin në pah dhe tërheqin me forcë vëmendjen, duke krijuar e nënvizuar energjinë, pushtetin dhe autoritetin e tyre në raport me ngjyrat e tjera. Kësisoj Faja na shfaqet si piktori që i dëshiron dhe i tenton eksperiencat e forta. Madje ai, nëpërmjet ngjyrave-dritë, sikurse e verdha dhe portokallija, gjallëron dhe shpërndan plot hare kumtet e tij.
Ai është i vetëdijshëm se me to ri-thërret dhe emeton tek shikuesit diçka të çmueshme e të denjë për adhurim.
Këto bindje tekniko-profesionale janë përftuar dhe konsoliduar tek ai nëpërmjet përvojës vetjake, gjatë studimit të thelluar dhe restaurimit të kishave dhe ikonave të artit mesjetar bizantinist, vepra te cilat kanë sfond të artë, çka e ka lidhur fort Mustafain me idetë e piktorëve bizantinistë, sipas të cilëve maksimumi i dritës dhe ndriçimit hyjnor ndodhet bash në qiell, ku edhe ndodhet vetë Shtëpia e Zotit.
Janë pikërisht këto ide-imazhe që e kanë ndikuar fort Mustafain të pasurojë e të transfigurojë në vepra konceptet e tij mbi ngjyrën, duke na u shpaluar si një piktor që e respekton traditën mbi besimin dhe aktin hyjnor të lidhur me njeriun dhe fenomenet natyrore.
Paletën vetjake ngjyrore Mustafai e përdor suksesshëm në tablo me domethënie simbolike. Ndërsa tablotë me përmbajtje drmatike denoncuese, ai preferon t’i formësojë me variacionet tonale të grixhos, shoqëruar me kontrapunkte të së bardhës dhe të së zezës, gjithmonë me synimin për të nënvizuar gjendjen e protestës, emocionet e frikës, depresionin, mungesën e jetës, vetminë, ftohtësinë, humbjen dhe tragjizmin.
Tablotë e Fajes janë tërheqëse falë aftësisë së tij për të organizuar struktura të kompozura mbi bazën e kritereve që mbështesin në mënyrë perceptive pamjen, siç janë: pesha, linjat-forcë dhe ritmi.
Laryshitë kompozicionale janë mbrujtur tek Faja falë ligjërimit të çlirët dhe me efikasitet lidhur me peshat ku ai vetëm me zhvendosjen e peshës përcakton një tip ndryshe të kompozimit, prej nga edhe përftojmë domethënie të ndryshme. Ndaj dhe shpesh në tablotë e tij i gjejmë peshat të vendosura në qendër të pamjes, ose drejt-poshtë, teksa komunikojnë stabilitet dhe e bëjnë më të qëndrueshëm kompozimin. Por, siç e theksova edhe më lart, në kërkimet e tij për të modernizuar temat religjive, Mustafai ia del me sukses të na shkaktojë emocione të forta me kompozime ku peshat janë të zhvendosura lart, e prej të cilave përftohet paqëndrueshmëri, ekuilibër jo i sigurtë dhe përplot me dinamizëm pikërisht sepse na duket sikur peshat kanë thyer forcën e gravitetit.
Po t’u shtojmë këtyre edhe linjat-forcë të pjerrta, të thyera, si dhe linjat shumë të harkuara dhe josimetrike, me të cilat Mustafai ka për zemër t’i mbarsë kompozimet e tij, pamjet e përftuara duket sikur po shpërthejnë dhe bash aty ne ndjejmë mundin e Sizifit që e ka kaplu qenien e tij në rrekjen trandëse për të stablizuar lidhjet midis pjesëve që e përbëjnë kompozimin, krahas angazhimit për të përballuar ritmet e alternuara të ngjyrës dhe trokun galopues të penelatave që e bëjnë veprën të duket sikur po dihat nën pesha të papërballueshme e të dhëna me dendësi mjetesh që shprehin vërshime emocionale të furishme.
Thelbi i botës së krijimit është estetika e të ndryshmes, e të papriturës, e të begatshmes…, ku forma ekzaltohet dhe bëhet fuqi e një bukurie të lirë dhe të pakushtëzuar. Ndaj dhe monologu i ndërtuar prej Mustafait në tablotë e tij, krijon me shpirtërat tanë një dialog unikal e të papërsëritshëm, përplot musht jete e të vërteta të thëna me kahje të qarta bindjesh estetiko-filozofike. Madje Mustafai ia arrin lehtësisht të përflakë çdo shpirt që ndeshet me tablotë e tij, teksa nëpërmjet sentencave ngjyrore rrok thelbin e shpirtit dhe e bën të ndjejë e ritmojë nën gjendje të kondensuara emocionale.
Studimet e tij mbi artin bizantinist e kanë shtyrë Mustafain të shfaqet i hapur ndaj kulturave, sikurse bizanti magjik që ai brendësoi dhe që e ndihi të krijojë një botë pamore ku harmonizimi i kundërtive brenda një vizioni të njësuar dhe ndjenja e unitetit brenda një përfaqësimi, ishin koncepti bazë filozofik i universit të tyre.
Por mbi të gjitha, Mustafa Arapi pati meritën të na e bëjë prezente këtë kulturë, si nga pikëpamja shkencore, ashtu edhe nga pikëpamja artistike. Ai madje e hulumtoi këtë kulturë gjeniale si bazë njohjeje ndaj besimeve, por kryesisht u ndalua në këtë kulturë: për të eksploruar alternativat që ajo shpaloste në botën e estetikës; për të hulumtuar unikalitetin brenda artit botëror lidhur me konceptin mbi figurën artistike; për të përthithur e brendësuar alternativat dhe risitë e shpirtit krijues në hapësirë dhe në gjithëkohësinë e botës së artit, si bazë për njohjen e nënshtresave tona historiko-kulturore dhe orientimin tonë botëkuptimor drejt ardhmërisë.
Trashëgimia dhe kontributet teoriko-profesionale të veprës së Mustafa Arapit janë sintezë e bindjes së pakundërshtueshme se mjedisi kulturor shqiptar në artet epokale, sikurse ai bizantin, është krijuar bash prej “bing-bengut” ndanë udhëkryqit të kulturave Lindore dhe Perëndimore, e ku dialogu i epokave ka formësuar yllnajën kulturore të qytetërimit tonë të lashtë.
Ndaj dhe Mustafai si jetësues i veprës dhe kontributeve madhore të tij, na kumton se vlerat shekullore të artit kanë përmbajtje objektive për shkak të origjinës transhendentale të tij dhe se ato nuk konsiderohen thjesht si produkte subjektive dhe arbitrare të “Un-it”, edhe për shkak të faktit se bota e artit, ndryshe nga botët e tjera, meret me sublimen, me të përjetshmen.
Përgjatë udhës së kërkimit për zbulimin e enigmave dhe çlirimin e formave shprehëse krahas evoluimit mjeshtëror dhe artistik të Mustafait, vërejmë se vatrat e frymëzimit pas viteve ’90 ai i ka gjetur jashtë kornizave kohore dhe hapësinore të Realizmit Socialist. Vepra e tij na kumton se nuk është më figuralja e përsëritur, referuar një modeli estetik që të kthen në hije të vetvetes, por është shumësia e modeleve estetike të arteve epokale të tretësuar në kulturën mbarëbotërore që ai hulumtoi, e që në fundore e ndihën që figurën artistike ta pasurojë pambarimisht me vizione dhe emocione.
Vepra e tij nuk i nënshtrohet më ideores së ideologjizuar që prish shijen e përjetimit unikal.
Kryevepra e tij, kompozimi figural “Froni”, është krijimi ku shfaqen dukshëm konceptet e reformuara të Mustafait, e ku tradita dhe risia rivendosin krijueshëm dialogun.
Kjo vepër të ndërmend me disa elementë pamorë një nga pionierët e perspektivës vizuale në artin e Rilindjes së lartë italiane, fiorentinin Paulo Uccello. Por në shumë elementë të tjerë ajo tingëllon e transformuar.
Ideuar dhe formësuar me një alegori të mençur, vepra në fjalë krijon një figuracion të ngjashëm me subjektet me ndikim të mitologjisë dhe e degdis fantazinë në krijimin e legjendës mbi Njëshin (Zotin), madje pa e shfaqur fare atë, i vesh atributet e qenieve fantastike, kult apo hyjni, të cilët kanë si destin vetëm Fronin, që i pret të shfaqen. Kjo është një gjuhë e shenjave të abstraguara në metaforë ndjesore metafizike…, është një realitet subjektiv i përjetimit intelektual.
Zbraztësia metafizike e qendrës (Froni), është skajshmërisht shqetësuese dhe plot makth. Heshtja që pezullon në ajrin rrethues është heshtje që na fton që ta duam atë që do të vijë, e që patjetër do të jetë në rolin e prijësit-shpatar “mbret”.
Vepra të godet në psiqikë dhe në kujtesë. Ajo është një përpjekje e suksesshme për të gjetur ekspresionin artistik, që depërton në dilemën që thelbëson misterin…, dhe kjo shihet në përfaqësimin që Mustafai i bën figurës njerëzore, të cilën e transfiguron në manekinë të pafytyrë por me qëndrim të ndërgjegjësuar të një turme që ka shumë koka por vetëm një tru të ndaluar tek pritja e ardhjes së Atij, “njëshit”-fantazëm, që përfaqëson pushtetin mbi ta.
Një karrige-fron dhe një shpatë e braktisur tregojnë praninë e dikujt që është larguar e pritet plot ankth dhe nderim se do të vijë…
Atmosfera e krijuar me ngjyra drite në të artë, rrezaton kontrapunkt të fortë grafik e koloristik midis oazit të djelltë të Fronit që përthyhet në mijëra grimca shpërndarë mbi ushtat dhe flamujt, por që përthyhet në argjend mbi mburojat dhe skafandrat metalike në grixho të errta, që i veshin kokë e këmbë figurat kalorsiake kristiane të mesjetës evropiane, që presin me nderimin në drejtqëndrim e me këmbë në tokë, rreth Fronit, që duket si një trup i mbyllur në vetvete, i palëvizshëm dhe absolutisht i heshtur.
Kjo mënyrë paraqitjeje merr një domethënie ekspresive dhe simbolike brenda një gjuhe të figuracionit transhendental e metafizik.
Veprat e Mustafa Arapit na vijnë si imazhe që përfshihen në një dialog të pandërprerë estetik e shpirtëror brenda botës së artit pamor dhe që e bëjnë autorin të qëndrojë dinjitoz mes mjeshtrash të mëdhenj pararendës dhe bashkëkohës.
Dialogu ku ai grish dhe merr pjesë, i mundëson të shprehë “Un-in” e tij të derdhur në dhjetëra cikle dhe vepra të realizuara në shumë nga teknikat e grafikës dhe sektorëve të tjerë të gjuhës së pikturimit.
Kjo trashëgimi vlerore na sjell pranë shpirtin e tij të projektuar mbi vepra përplot ngadhnjim.
Shpirti i tij që endet midis nesh, na kujton se Mustafai ia doli mbanë që mundimshëm të shenjëzojë, ngjyrojë e fytyrëzojë qiejt e vetvetes.
U prehsh përjetësisht në amshim dhe në paqen që e deshe aq shumë, miku im i paharruar.
Tiranë, më 15 shkurt 2021
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016