Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të Et’hem Bashiqit me origjinë nga Plava e Gucisë, familja e të cilit gjatë periudhës së Luftës, 1939-‘44, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste në Jugosllavi dhe vëllai i tij, Beqo, si komunist i 1938-ës, u zgjodh si drejtuesi kryesor i Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Malin e Zi, gjë për të cilën u burgos nga italianët dhe u internua në kampin e Peqinit në Shqipëri, ku ai u njoh edhe me Miladin Popoviçin. Anëtarësimi i Et’hemit në Partinë Komuniste Jugosllave dhe fitimi i një burse në vitin 1949, për të ndjekur studimet e larta për Hidro – Biologji në Zemjaninë të Novi Sad, ku ai u arrestua nga UDB-ja dhe u burgos në Goli – Otok, duke u akuzuar se kishte shpërndarë literaturë me përmbajtje anti titiste që shtypeshin në Moskë, nga mërgata politike jugosllave. Presionet e UDB-së jugosllave që e detyruan Bashiqin, të firmoste në mënyrë fiktive bashkëpunimin me ta dhe lirimi nga burgu, arratisja në Shqipëri, duke kaluar kufirin në zonën e Çeremit të rrethit të Tropojës, ku atë e strehoi familja Çela. Dorëzim në organet kompetente që e akuzonin si agjent të UDB-së dhe internimi më pas në kampin e fshatit Llakatund të Vlorës, ku mbahej emigracioni jugosllav anti titist dhe më pas dërgimi për të vazhduar studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, sipas porosisë së Vilson Pecanit dhe Rita Markos.
“Pasi unë nuk pranova, në mënyrë kategorike që të rekrutohesha nga shërbimi i fshehtë jugosllav, dy oficerë të UDB-së më erdhën në qeli, duke më bërë presion psikologjik dhe duke më gjuajtur me pistoletë, me fishekë manovre. Por pas gjithë atyre presioneve dhe shantazheve, unë nuk u theva, kështu që ata më transferuan në burgun e Goli Otokut, ku ishin afro 600 të tjerë. Por edhe aty në burg, oficerët e UDB-së, vazhduan shantazhet ndaj meje, që të firmosja bashkëpunimin me ta. Pasi unë u konsultova dhe me shokët e mi, ata më thanë që ta firmosja deklaratën dhe menjëherë të arratiseshin për në Shqipëri”. Kështu e kujtonte Et’hem Bashiqi,historinë e tij të dhimbshme, me organet e UDB-së dhe arratisjen nga Jugosllavia për në Shqipëri në vitin 1950. Por, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë që jetonin në trojet e tyre etnike në Jugosllavinë e asaj kohe, që për t’i shpëtuar represionit serb erdhën në Shqipëri, nuk e kishin kuptuar se “nga shiu, po binin në breshër”?! Kështu duket se i ndodhi edhe Et’hem Bashiqit, ku pas ardhjes së tij në Shqipëri, organet e Sigurimit të Shtetit, dyshonin se mos ai ishte agjent i UDB-së dhe i dërguar me misionin prej tyre dhe e mbajtën për disa kohë në kampin e Llakatundit në Vlorë. Lidhur me këto dhe historinë e tij, nga origjina e familjes dhe si shkoi fati i tij në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, na njeh vetë z. Bashiqi, në intervistën e tij ekskluzive që Memorie.al e publikon në këtë shkrim.
Zoti Et’hem, fillimisht a mund të na tregoni pak për prejardhjen e familjes tuaj?
Unë kam lindur në vitin 1924, në Plavë të Gucisë, në Malin e Zi, ku të parët e fisit tim, jetonin prej gjysëm shekulli. Origjina e hershme e familjes sime është nga fshatrat e rrethit të Lezhës, kur gjatë sundimit të Bushatllinjve, ishin shpërngulur prej andej për probleme hasmërie me fisin Kelmendi.
Prej sa vetash përbëhej familja juaj?
Unë jam fëmija i pestë, nga gjashtë djem dhe dy vajza, që kishte im atë, Rustem Bashiqi, i cili në atë kohë ishte shumë i njohur si zanatçi dhe merrej me qepjen e kostumeve kombëtare shqiptare.
Çfarë ju kujtohet nga fëmijëria juaj dhe nga koha e pushtimit?
Mësimet e para fillore unë i mori në vendlindje, nga ku do të vijonin më pas ciklet e tjera arsimore, në qytetin e Beranës. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Jugosllavisë, familja ime, Bashiqi, u lidh ngushtë me Lëvizjen Komuniste, pasi vëllai, Beqo Bashiqi, ishte komunist i 1938-ës, dhe figura kryesore e Partisë Komuniste Jugosllave për zonën e Plavës dhe Gucisë. Gjatë kësaj periudhe, Beqo, arriti që të zgjidhej në postin e Sekretarit Organizativ të Partisë Komuniste Jugosllave për të gjithë Malin e Zi. Për këtë arsye, ai u burgos nga italianët dhe u dërgua në Pejë dhe më pas në kampin e internimit në Peqin. Aty ai, u njoh me shumë antifashistë të tjerë, midis të cilëve dhe me Miladin Popoviçin.
Si vijoi më pas historia e vëllait tuaj?
Ai u lirua nga ky kamp në vitin 1942, pasi komunistët malazezë, paguan një shumë të madhe parash. Pas kësaj, Beqo u anëtarësua në Rininë Komuniste Jugosllave, në vitin 1943 dhe tre vite më vonë, u pranua në radhët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, që udhëhiqej nga Josip Broz Tito.
Ju u angazhuat në këto instanca partiake?
Unë u anëtarësova në Partinë Komuniste Jugosllave me rekomandimin e Ibrahim Rexhepagiç, i cili ishte mik me xhaxhanë tim. Të dy këta, u vranë gjatë Luftës Antifashiste dhe u shpallën dëshmorë, pasi xhaxhai im, u vra duke luftuar kundër forcave të Prek Calit, në ndihmë të partizanëve shqiptarë, që i kishin rrethuar ata në malet e Malësisë së mbi Shkodrës, ku ishin strehuar.
Si vazhdoi rrjedha e jetë suaj pas luftës?
Pas Luftës së Dytë Botërore, duke qenë se unë kisha bërë pesë klasë në Beranë, m’u dha mundësia që të shkoja si bursist i Malit të Zi, për në Novi Sad të Vojvodinës, që asokohe ishte nën Serbinë.
Për çfarë studiuat?
Më 3 mars të vitit 1949, ndërsa vazhdoja shkollën e lartë për Hidro-Biologji në Zemjaninë, u nisa për në Zemun të Beogradit, ku dy oficerë të UDB-së, më vunë pistoletat në kokë dhe më hodhën prangat. Pasi më arrestuan, më dërguan në burgun “Franjo Josif” të Zemjaninës, ku më mbyllën në një qeli të ngushtë.
Cilat ishin arsyet që ju arrestuan?
Që ditën e parë ata më bënin pyetje dhe më akuzonin se kisha shpërndarë gazeta, me përmbajtje anti titiste, siç ishin “Napred” dhe “Socialiçeskij Jugoslavi”, që shtypeshin në Moskë nga mërgata politike anti titiste jugosllave. Pas këtyre akuzave, ata më propozuan që të bashkëpunoja me UDB-në për zbulimin e organizatave klandestine.
Pas propozimit që ju bënë, çfarë vendosët?
Po ta bëja këtë bashkëpunim me ata, premtuan se do të më kthenin përsëri në shkollë dhe do kisha favore të tjera. Por unë e refuzova kategorikisht bashkëpunimin dhe ata më thane: “Shteti jonë të jep një bursë prej 5 mijë dinarësh në muaj, kurse ti i fut thikën pas shpine Partisë sonë”! Disa ditë më vonë, në qeli më erdhi një sekretar partie, i cili më përjashtoi nga radhët e Partisë Komuniste Jugosllave, në bazë të statutit të saj. Pasi unë nuk pranova rekrutimin nga UDB-së, dy oficerët e saj më erdhën në qeli duke më bërë presione psikologjike, duke më gjuajtur me pistoletë me fishekë manovre. Gjatë kësaj kohe, ngjitur me qelinë time, ishte ish-shefi nazist i Gestapos për Vojvodinën, Shpiler. Ai, u mësonte oficerëve të UDB-së, shumë tortura të panjohura për ta, të cilat gjatë Luftës, ishin përdorur me sukses nga ana e Gestapos gjermane, jo vetëm në Jugosllavi, por kudo ku ata kishin qenë si pushtues.
Çfarë ndodhi mbas refuzimit nga ana juaj të propozimit që ju bënë?
Edhe pas gjithë atyre shantazheve, unë nuk u theva dhe ata më transferuan në burgun famëkeq të Goli – Otokut, ku bashkë me mua, ishin edhe 600 shtetas të tjerë, nga kombësi të ndryshme të Jugosllavisë. Por edhe aty në burg, oficerët e UDB-së vazhduan shantazhet ndaj meje, që të firmosja bashkëpunimin me ta. Pasi unë u konsultova dhe me shokët e mi, ata më thanë që ta firmosja deklaratën dhe menjëherë të arratisshim për në Shqipëri.
Cila ishte përmbajtja e kësaj deklarate, e firmosët atë?
Deklaratën do të firmosja vetëm formalisht, kështu unë e firmosa deklaratën e bashkëpunimit me UDB-në dhe ata më caktuan vendin dhe orën e takimit për tek zyrat e tyre.
Çfarë ndodhi në atë takim?
Aty unë do të merrja udhëzimet për zbulimin e grupeve klandestine që vepronin kundër Titos në Jugosllavi.
Pas nënshkrimit të bashkëpunimit, ju lanë të lirë?
Pasi u lirova nga Goli – Otoku, unë shkova në vendlindjen time, ku u paraqita në zyrat e UDB-së për të marrë detyrat.
Cilat ishin këto detyra?
Unë nuk u paraqita menjëherë në zyrat e tyre, pasi u thashë që më parë do të takoja njerëzit e shtëpisë. Në atë kohë, unë u njoha me Mihajlo Bokiç, që kishte qenë luftëtar i vjetër dhe ish deputet i Plavës.
Çfarë diskutuat me Mihajlo Bokiç?
Të dy bëmë planin për tu arratisur në Shqipëri dhe planin tonë e shpejtuam, pas disa vrasjeve që ndodhën në atë kohë.
Kur u arratisët dhe në çfarë pike kufitare vendosët të kalonit?
Në 19 shkurt 1950, unë u vesha mirë dhe pasi mora një pistoletë e disa bomba, shkova drejt kufirit shqiptar në zonën e Çeremit, në rrethin e Tropojës, ku pasi qëndrova tre ditë i vetëm në malet me borë, u strehova tek familja Çela, të cilët më pritën shumë mirë. Të nesërmen ata më shoqëruan për tek posta kufitare dimërore, ku më priti një oficer me origjinë nga Vlora që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik.
Si ju pritën në pikën kufitare dhe çfarë të pyetën?
Me atë oficer unë komunikova në rusisht, pasi nuk e njihja shumë mirë gjuhën shqipe. Nga aty më shoqëruan për në Degën e Punëve të Brendshme të Tropojës, ku më mbajtën për 15 ditë. Ata më bënin presion që unë të pranoja se isha agjent i UDB-së dhe fatkeqësisht aty unë u përballa po me të njëjtat metoda e taktika, që më kishte bërë më parë UDB-ja në burgun e Goli – Otokut.
Pas këtyre presioneve, ku ju çuan?
Më pas më dërguan në Tiranë, ku më mbajtën dhe 15 ditë të tjera, duke më bërë të njëjtat pyetje. Por pasi u bindën që unë nuk isha agjent i UDB-së, më dërguan në fshatin Llakatund të Vlorës, ku ndodheshin shumë emigrantë jugosllavë, që kishin kërkuar azilin politik në Shqipëri.
Në Llakatund, kishit apo gjetët ndonjë të njohur?
Gjatë kësaj kohe, unë shpëtova nga një kurth i UDB-së, që më kishin ngritur me anë të një ballisti nga Drenica, që ishte aty bashkë me ne.
Çfarë kurthi?!
Është një problem i kaluar dhe i mbyllur, e nuk kam dëshirë t’i kthehem më për ta kujtuar.
Sa vite qëndruat në Llakatund?
Në Llakatund, kam qëndruar deri në vitin 1952, e në atë kohë u lirova dhe shkova në Tiranë për të ndjekur studimet e larta.
Ju liruan, menjëherë nuk patët ndonjë problem?
Mua më liruan në vitin 1952, pasi Sigurimi i Shtetit, u bind që unë nuk isha agjent i UDB-së dhe se këta të fundit, më kishin shkatërruar familjen, duke më vrarë vëllanë, Halimin, nëpërmjet një atentati. Në atë kohë më thirri Vilson Pecani me Rita Markon, të cilët më komunikuan rehabilitimin nga ana e PPSH-së dhe më thanë që isha caktuar që të vazhdoja studimet e lartë në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Pas mbarimit të studimeve, ku u sistemuat?
Pasi mbarova studimet, më caktuan që të shkoja si arsimtar në Divjakë të Lushnjes. Në vitin 1959, gjatë vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri, një grup emigrantësh politikë jugosllavë, që më parë kishin shërbyer në ushtrinë e Titos, morën një vendim që të hartonin një letër, ku i kërkonin Hrushovit që t’i ndihmonte për të luftuar regjimin e Josip Broz Titos.
U mor në konsideratë kjo letër?
Atë letër e firmosën 200 emigrantësh, ku midis të cilëve isha dhe unë. Në këtë kohë, ne si përfaqësi emigrantësh, patëm një takim me Ramiz Alinë, të cilin e njihnim që nga koha e Luftës.
Çfarë ju premtoi Ramizi?
Ai na premtoi që qeveria shqiptare nga ana e saj, do të bënte çdo gjë për të realizuar kërkesat tona, por përgjigja përfundimtare, duhet të vinte nga Hrushovi, pasi Shqipëria ishte një vend i vogël dhe nuk mund të krijonte konflikte me shtetet fqinje.
Morët ndonjë përgjigje për kërkesën tuaj?
Dy tre ditë më vonë, na erdhi përgjigja nga Hrushovi, i cili na deklaroi, se nuk kishte mundësi që të na priste për shkak të agjendës së ngjeshur.
A keni mbajtur shënime për të gjitha këto që keni kaluar për t’i botuar në një libër si dëshmi e një kohe ku ju u përballët me dy regjime?
Unë kam shkruar herë pas here disa kujtime nga jeta ime, por jo me mendimin për t’i botuar në një libër, të cilat po u’a dhuroj juve, që mund t’i botoni.//Memorie.al
Zoti Bashiqi, falemnderit
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016