Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të delegacionit shqiptar të kryesuar nga zv/ministri i parë i Punëve të Brendshme, kolonel Nesi Kerenxhi që morri pjesë në mbledhjet e UNSKOB-it që u zhvilluan në vitin 1947, për të diskutuar lidhur me mosmarrëveshjet që kishin në mes tyre dy vendet ballkanike. Dëshmitë e ish-zv/ministrit të Punëve të Brendshëm (për Zbulimin me Jashtë) në vitet 1945-1948, Myftar Tare, i cili ishte pjesë e atij delegacioni ku bënin pjesë edhe kolonel Kadri Hazbiu, Shefi i Sigurimit të Ushtrisë, Vango Mitrojorgji, ushtarak i lartë i Ministrisë së Brendshme si dhe shkrimtari Aleks Çaçi që shoqëroi delegacionin në funksionin e gazetarit, lidhur me përplasjet e konfliktet me delegacionin grek, për masakrat që kishin bërë bandat e gjeneralit famëkeq, Napolon Zerva, ndaj popullsisë shqiptare çame që jetonte në trojet e veta në Greqi. Si arritën shërbimet sekrete shqiptare të asaj kohe të rrëmbenin nga kasaforta e kryetarit të misionit britanik në Tiranë, gjeneralit, Hodgson, raportin sekret të kolonelit Palmer, ku denoncoheshin me hollësi të gjitha masakrat e bandave zerviste ndaj popullsisë çame në Greqi?
Zoti Myftar, si i kujtoni shpërnguljet e popullsisë çame drejt Shqipërisë pas masakrave të bandave zerviste greke në vitin 1945?
Shpërnguljet e para të popullsisë çame nga trojet e tyre etnike drejt Shqipërisë, kanë ndodhur që në muajt gusht-shtator të vitit 1944, pra pa mbarur ende lufta në Shqipëri. Në atë kohë, pra më 1943-‘44-ën, gjenerali famëkeq Napolon Zerva, i cili kryesoi dhe kreu gjenocidin e paparë ndaj popullsisë shqiptare myslimane të Çamërisë, kishte filluar të bashkëpunonte hapur me pushtuesit gjermanë në Greqi. Në kuadër të këtij bashkëpunimi të ngushtë, i cili funksiononte në bazë të një sërë marrëveshjesh të nënshkruara nga të dy palët, forcat ushtarake të gjeneralit Zerva dhe ato gjermane, filluan masakrat ndaj popullsisë çame, duke bërë vrasje masive dhe duke djegur fshatra të tërë. E mbetur në mëshirë të fatit dhe duke mos pasur asnjë mbrojtje nga forcat qeveritare greke, popullsia çame u detyrua që të shpërngulej nga trojet e tyre shekullore dhe të largohej për në drejtim të Shqipërisë e Turqisë. Madje një pjesë e madhe e popullsisë çame, emigruan me motobarka dhe anije të vogla edhe drejt Italisë, duke u vendosur në jug të gadishullit Apenin. Ky eksod masiv i popullsisë autoktone çame të Greqisë ka ndodhur në fund të vitit 1944 dhe në fillim të ‘45-ës, kohë në të cilën unë shërbeja si zv/komisar i Divizionit të Gjirokastrës, ku dhe kam pasur rastin që t’i shikoja me sytë e mi, të gjithë çamët që erdhën në kufijtë jugorë të Shqipërisë
Shpërngulja e popullsisë çame drejt Shqipërisë, që në fillim ishte masive?
Siç thashë dhe më lart, nga shtatori i ’44-ës e deri nga fundi i atij viti, fillimisht ata vinin grupe grupe, por më pas ata erdhën në mënyrë masive me qindra dhe mijra vetë. Numri i përgjithshëm i popullsisë çame që erdhi në Shqipëri, arriti deri në 26 mijë veta dhe kjo gjë është me statistika të sakta, të pranuara edhe nga misionet e huaja diplomatike që ishin asokohe të akredituara në vendin tonë.
Çfarë masash mori qeveria shqiptare e asaj kohe për strehimin e tyre dhe ku u sistemuan ata?
Duhet thënë dhe kjo gjë është një fakt i njohur, se që me ardhjen e grupeve të para të popullsisë çame drejt territorit shqiptar, pra nga fundi i vitit 1944 dhe fillimi i 1945-ës, qeveria shqiptare e asaj kohe e kryeministrit Enver Hoxha, mori masa të menjëhershme duke u impenjuar me të gjitha mundësitë që kishte për t’ju ardhur në ndihmë atyre. Çamët e parë që erdhën, një pjesë e tyre u strehuan tek afërmit që kishin në Konispol, Sarandë, Delvinë etj., ndërsa pjesa tjetër që nuk kishte të afërm në ato qytete dhe krahina të Jugut të Shqipërisë, me ndihmën dhe mjetet e qeverisë, u transportua dhe u strehua në qytete të tjera më në thellësi të vendit, si në: Vlorë, Fier, Elbasan, Cërrik Rrogozhinë, Kavajë, Durrës, Tiranë, e deri në qytetin e Shkodrës. Pjesa më e madhe e tyre u sistemuan në çadra dhe baraka dërrase të cilat u ngritën edhe me ndihmën e UNRRA-s, e cila asokohe ishte prezent në vendin tonë dhe luajti një rol shumë të madh në strehimin, veshmbathjen dhe ushqyerjen e tyre.
E ngriti qeveria shqiptare e asaj kohe zërin në arenën ndërkombëtare për masakrat e bandave zerviste?
Si fillim desha të them se që gjatë vitit 1944, kur bandat famëkeqe të gjeneralit Napolon Zerva vazhdonin masakrat, vrasjet, djegiet e fshatrave dhe dëbimet masive të çamëve nga trojet e tyre, një kolonel anglez i quajtur Palmer, ndodhej ne territorin e Çamërisë, duke evidentuar gjithçka ndodhte aty. Pas kësaj ai hartoi një raport të plotë dhe të hollësishëm për masakrat greke ndaj popullsisë çame, duke përshkruar me detaje të gjitha ato që ai kishte parë me sytë e tij në krahinën e Çamërisë. Një kopje të këtij raporti, koloneli Palmer i’a dërgoi qeverisë së tij në Londër, kurse një kopje tjetër i’a dërgoi kryetarit të Misionit Anglez në Shqipëri, gjeneralit Hodgson, i cili e kishte selinë e tij në Tiranë.
Ju u shprehët se në atë raport, koloneli Palmer, kishte përshkruar me hollësi të gjitha masakrat e bandave zerviste greke ndaj popullsisë çame, nga e dinit ju këtë?!
Edhe pse koloneli Palmer nuk i dha qeverisë shqiptare asnjë kopje të raportit të tij, ne mundëm ta shitnim në dorë kopjen e vetme të raportit që ai kishte bërë për gjeneralin Hodgson në Tiranë. Ajo gjë u bë e mundur aty nga fundi i vitit 1945, kur me anë të njeriut tonë, (XH.Ç, më pas gjeneral i njohur i Ministrisë së Punëve të Brendshme), i cili shërbente pranë misionit diplomatik britanik në Tiranë, ne arritëm të merrnim nga kasaforta e gjeneralit Hodgson, kopjen e atij raporti që do të na shërbente më pas për ta përdorur në shumë mbledhje dhe takime ndërkombëtare jashtë vendit ku ne denoncuam masakrat që kishin bërë bandat zerviste ndaj popullsisë çame.
Çfarë bëtë me raportin e kolonelit Palmer?
Në vijim të demarsheve që qeveria shqiptare bëri në arenën ndërkombëtare për sensibilizimin e çështjes çame dhe mbrojtjen e tyre, ajo dërgoi një delegacion zyrtar në Greqi, për të marrë pjesë në mbledhjen e UNSKOB-it, e cila do të zhvillonte punimet e saj në disa vende ballkanike, ku si pjesëtar i atij delegacioni isha dhe unë. Kjo mbledhje organizohej dhe mbahej nën patronazhin direkt të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ishte angazhuar për zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve që kishin vendet ballkanike në mes tyre. Në këtë mbledhje ku përveç delegacioneve zyrtare të disa vendeve ballkanike si: Shqipëria, Jugosllavia, Greqia, Rumania, Bullgaria, merrnin pjesë edhe përfaqësues zyrtarë të SHBA-ës, Britanisë, Australisë, Italisë, Polonisë etj.
Kush ishin pjesëtarët e tjerë të atij delegacioni zyrtar shqiptar, që mori pjesë në atë mbledhje?
Kryetar i delegacionit zyrtar shqiptar që mori pjesë në të gjitha mbledhjet e zhvilluara në kuadrin e UNSKOB-it, ishte zv/ministri i parë i Punëve të Brendshme, Nesti Kerenxhi, i cili duhet thënë se ishte mjaft i përgatitur nga ana intelektuale dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. Nesti ishte diplomuar në Liceun francez të Korçës dhe fliste mjaft mirë frëngjishten. Ndërsa si anëtarë të delegacionit, përveç meje, ishin edhe kolonel Kadri Hazbiu, i cili në atë kohë mbante detyrën e shefit të Sigurimit të Ushtrisë dhe Vango Mitrojorgji, me detyrë të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bashkë me ne në atë delegacion merrte pjesë edhe gazetari e shkrimtari Aleks Çaçi, i cili njihte mjaft mirë gjuhën greke. Ndonëse Nesti Kerenxhi ishte kryetar i delegacionit tonë, puna më e madhe atje binte mbi mua, pasi në atë kohë unë isha zv/ministër i Punëve të Brendshme për Zbulimin, pra për organet tona të Sigurimit të Shtetit që vepronin jashtë Shqipërisë. Të gjitha udhëzimet për paraqitjen tonë atje dhe vijën që do ndiqnim, i kishte marrë Nesti Kerenxhi nga Enver Hoxha që në Tiranë.
Po me jugosllavët patët lidhje dhe rakordim të punëve përpara nisjes suaj për në Greqi?
Jo vetëm që patëm lidhje tepër të ngushta, por si të thuash, ne ishim një delegacion i vetëm me jugosllavët, të cilët si kryetar delegacioni kishin ambasadorin e tyre në Tiranë, Josip Gjergja, që ishte me origjinë nga shqiptarët e Zarës së Dalmacisë.
Ku u takuat me delegacionin jugosllav?
Me jugosllavët ne u takuam në Shkup ku shkuam fillimisht dhe pasi u bashkuam me ta, me mjetet e tyre ne udhëtuam në drejtim të Greqisë.
Ku u zhvillua fillimisht mbledhja e parë dhe se e kujtoni atë?
Mbledhja e parë u zhvillua në Selanik dhe më pas ajo u zhvendos në Athinë. Që në ato dy mbledhje të para, delegacioni ynë me anë të Nesti Kerenxhit, ngriti si çështe kryesore, dy gjëra: Provokacionet e forcave qeveritare greke (që ne në atë kohë i konsideronim monarko-fashistë), në kufijtë tanë të Jugut dhe strehimin që u kishte bërë qeveria greke të arratisurve politikë nga Shqipëria, ku shumë eksponentë kryesorë si: ish-kryeministri Koço Kota, gjeneral Prenk Pervizi, kolonel Hysni Dema, kolonel Muharrem Bajraktari, ish-kryeministri Fiqri Dine etj., mbaheshin në disa kampe të shtetit helen. Ne ata i konsideronim si “kriminelë lufte” dhe i kërkonim qeverisë greke që t’i ekstradonte në Shqipëri, për të dhënë llogari para gjyqeve të popullit.
Çështjen çame nuk e ngritët në këto mbledhje?
Çështja çame ishte një pikë kryesore e jona dhe ajo u ngrit me të madhe nga ne në mbledhjen që UNSKOB-i mbajti në Janinë, e cila i zhvilloi punimet aty nga data 17 deri më 20 mars 1947. Me anë të Nesti Kerenxhit ne paraqitëm kopjen e raportit origjinal që kishte bërë koloneli anglez Palmer për qeverinë e tij në Londër. Pas paraqitjes së atij raporti, delegacioni grek mbeti i shtangur pasi ata nuk kishin dijeni se ai disponohej prej nesh.
Kishit ju dokumente dhe dëshmi të tjera të masakrave greke ndaj popullsisë çame për t’i paraqitur në atë mbledhje?
Në mbledhjen e Janinës ne paraqitëm edhe mjaft dokumente dhe dëshmi të tjera të cilat kishim mundur t’i siguronim nëpërmjet njerëzve tanë që vepronin ilegalisht në Greqi që pas mbarimit të luftës, por edhe nga shumë shtetas grekë që na ndihmonin me dëshirën e tyre. Po kështu ne paraqitëm aty edhe mjaft deklarata dhe dëshmi të marra nga popullsia shqiptare myslimane e Çamërisë, ku tregohej gjenocidi dhe masakrat e papara që kishin bërë bandat zerviste ndaj asaj popullsie shqiptare të pambrojtur që ishte detyruar të largohej me dhunë nga vatrat e tyre.
Cili ishte reagimi i grekëve dhe i delegacioneve të tjera në atë mbledhje pas raportit të Palmerit dhe dëshmive të tjera që paraqitët ju?
Grekët shtangën dhe nuk i pranonin si të vërteta ato që kishte shkruar Palmeri për masakrat e bandave zerviste ndaj popullsisë çame të Greqisë, ndërsa anglezët dhe amerikanët heshtnin dhe nuk prononcoheshin fare për gjithçka dëgjonin aty. Por duhet thënë se edhe qëndrimi i tyre në atë mbledhje ishte në unison me palën e qeverisë greke. Kjo gjë vinte pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Anglinë dhe SHBA-ës, e gjithashtu për shkak të politikës anti perëndimore që ndiqte qeveria komuniste e Tiranës në atë kohë.
Sa kohë zgjatën punimet e asaj mbledhje?
Ajo mbledhje vazhdoi rreth një muaj rresht në atë frymë, pra me akuza dhe kundër akuza ndërmjet nesh dhe palës greke. Pas një muaji, me kërkesën tonë mbledhja u zhvendos në Selanik, dhe më pas me kërkesën e palës greke, mbledhja u zhvendos në qytetin e Korçës. Pala greke insistoi që mbledhja të behej në Korçë, pasi ajo shpresonte se në atë qytet do gjente ndonjë shqiptar që dëshmonte në favor të tyre. Por gjatë dy ditëve të qëndrimit në Korçë, ata nuk arritën të gjenin asnjë shqiptar që do dëshmonte se në territorin e vendit tonë, përgatiteshin dhe nxiteshin trazirat e luftës civile që po ndodhte në Greqi në mes forcave qeveritare greke që ne i quanim monarko-fashistë dhe forcave komuniste greke të gjeneralit Markos Vafjadhis që në atë kohë kishin nën kontroll 1/3 e territorit të Greqisë.
Ku vazhdoi punimet mbledhja e UNSKOB-it?
Pas Korçës mbledhja u zhvendos përsëri në Janinë dhe që andej me kërkesën tonë, shkuam në Filat dhe Igumenicë, ku pamë me sytë tanë fshatra të tërë që ishin djegur dhe shkatërruar nga bandat famëkeqe të gjeneralit Napolon Zerva. Në shumë fshatra nuk kishte mbetur qoftë dhe një shqiptar i vetëm, pasi ata ishin detyruar të largoheshin për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt që i priste. Pas Filatit, ku ishin djegur dhe rrafshuar edhe të gjitha xhamitë, ne shkuam në fshatin Skorcë, i cili ishte djegur dhe shkatërruar fund e krye. Ne i’a treguam atë pjesëtarëve të delegacionit grek të cilët nuk mund të flisnin asnjë fjalë para atyre që shihnin aty, si dhe delegacioneve të tjera që na shoqëronin. Më pas, bashke me delegacionet e tjera shkuam në qytezën e Konispolit, ku gjetëm shumë burra, gra, e pleq të popullsisë çame, të cilët na dhanë dëshmi të hollësishme për masakrat që kishin bërë bandat zerviste greke ndaj tyre. Aty ishte dhe një grua nga familja myslimane çame e Adem Kleftit, e cila nxori dhe na tregoi një kafkë të djalit të saj të vogël 8 vjeçar, të cilin e kishin masakruar bandat zerviste greke. Kjo gjë shkaktoi një irritim të madh edhe të delegacioneve të tjera, të cilat nuk flisnin pasi ishin kundër nesh, për shkak të politikës anti-amerikane që ndiqte qeveria komuniste e Tiranës. Pas Konispolit ne u kthyem përsëri në Filat e Janinë dhe shëtitëm pothuaj në të gjithë krahinën e Çamërisë ku gjetëm vetëm 16 familje shqiptare, të cilët ishin vënë në shërbim të grekëve dhe ishin kthyer në ortodoksë. Ato 16 familje kishin ardhur nga Konica dhe kishin zënë shtëpitë e shqiptarëve myslimanë çamë në Filat. Njëri prej tyre ishte Mersin Haxhi nga Trikrifa, i cili kishte qenë bashkëpunëtorë i ngushtë me gjermanët, dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit nga grekët, foli dhe dëshmoi kundër nesh në Filat.
Pati ndonjë shqiptar tjetër që ishte vënë në shërbim të grekëve për të folur dhe dëshmuar kundra shqiptarëve?
Përveç disa prej eksponentëve kryesorë nga radhët e të arratisurve politikë shqiptarë që mbaheshin në kampet e Greqisë, të cilët folën dhe dëshmuan kundër politikës së egër e të dhunshme që po ndiqte regjimi komunist i Enver Hoxhës në Tiranë, kishte tek tuk edhe ndonjë shqiptar tjetër që i detyruar dhe i shtrënguar nga grekët, pranoi të fliste kundër nesh. Në Selanik p.sh., na doli dëshmitar kundër nesh një ish-oficer policie me origjinë nga fshati Bozhigrad i Korçës, i quajtur Mehmet Karafili, i cili pasi ishte çmobilizuar si efektiv i Ministrisë së Brendshme në Tiranë, kishte shkuar në fshatin e tij të lindjes dhe që andej ishte arratisur për në Greqi. Ai dëshmoi për ndihmat dhe përgatitjet që u jepte qeveria komuniste e Tiranës, komunistëve grekë të gjeneralit Marko Vafjadhis. Mirëpo kjo gjë, e cila në fakt ishte plotësisht e vërtetë, e dëmtonte punën tonë në mbrojtje të çështjes çame, për të cilën ne kishim shkuar në Greqi dhe u jepte material palës greke për të na sulmuar.
Cili ishte rezultati përfundimtar i atyre mbledhjeve dhe çfarë u arrit aty?
Të gjitha pretendimet tona, pra të delegacionit zyrtar shqiptar që u ngritën ndaj palës greke në mbledhjen e UNSKOB-it, (bashkë me pretendimet e shteteve të tjera ballkanike që kishin mosmarrëveshje ndërmjet tyre), shkuan në Zvicër, ku si përfaqësues i delegacionit zyrtar shqiptar, mori pjesë vetëm Nesti Kerenxhi. Në Zvicër çështja çame mori rrugë, pasi pretendimet tona të ishin të mbështetura dhe bazuara në fakte të pakundërshtueshme. Më pas i gjithë dokumentacioni që ishte paraqitur në Zvicër, u dërgua në zyrat e OKB-së në Nju Jork, ku problemet u zvarritën dhe nuk morën kurrë rrugën që shpresonim dhe pretendonim ne. Siç thashë dhe pak më lart, e gjitha kjo erdhi për shkak të politikës anti perëndimore që po ndiqte regjimi komunist i Tiranës, prej së cilës u dëmtua dhe mbeti pa u zgjidhur deri në fund edhe çështja çame.
Jeta dhe peripecitë e ish-zv/ministrit të Brendshëm, Myftar Tare
Myftar Tare ka lindur në vitin 1921 në fshatin Starje të Kolonjës prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij, një nga më të dëgjuarat e asaj krahine, ku të parët e saj ishin shkolluar në Greqi dhe Turqi. Në fundin e viteve ’30, Myftari ndoqi si mësimet si konviktor në shkollën “Normale” të Elbasanit, ku edhe ra në kontakt me idetë komuniste. Më 7 prill të vitit 1939, ai ishte një ndër organizatorët kryesorë të studentëve normalistëve që shkuan dhe rrëmbyen armë në kazermat e Krastës, me qëllim për të luftuar kundër italianëve në qytetin e Durrësit. Pas përfundimit të “Noramle”-s së Elbasanit, ai u kthye në vendlindjen e tij ku dhe u aktivizua me Lëvizjen Antifashiste si një nga shefat kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare për zonën e Kolonjës. Mbarimi i luftës në vitin 1944 e gjeti Myftarin me gradën e majorit dhe në vitin 1945 ai u emërua me detyrën e zv/komisarit të Divizionit në Gjirokastër. Pasi shërbeu për disa kohë në atë detyrë, në vitin 1945 ai u thërrit në Tiranë dhe u emërua në detyrën e zv/ministrit të Punëve të Brendshme për Zbulimin (Drejtoria e Sigurimit të Shtetit që vepronte jashtë Shqipërisë), ku i’u dha edhe grada e kolonelit. Në kuadër të asaj detyre, në vitin 1946, Myftari shoqëroi Enver Hoxhën në udhëtimin e tij për në Konferencën e Paqes në Paris. Po në vitin 1946, në funksion të detyrës që kryente, Myftar Tares i’u ngarkua detyra për të udhëhequr “Operacionin 10”, i cili kishte të bënte me ndihmën ilegale që qeveria komuniste e Tiranës jepte për Partinë Komuniste Greke dhe forcat e armatosura të gjeneralit Markos Vafjadhis, të cilat luftonin kundra forcave qeveritare greke. Nga viti 1946 deri në vitin 1948, Myftari u mor me koordinimin e të gjitha ndihmave në armatime, veshmbathje, ushqime etj, që vinin në Shqipëri nëpërmjet vendeve të Europës Lindore, duke i dërguar ato ilegalisht tek komunistët grekë, si dhe strehimin e shoqërimin e të gjithë funksionarëve të lartë të Partisë Komuniste Greke që strehoheshin në Tiranë e disa qytete të tjera të Shqipërisë. Në vitin 1948 kur Enver Hoxha goditi “Grupin e Koçi Xoxes”, Myftari u mbajt disa kohë i arrestuar nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar se atë e kishte dërguar Koci Xoxe që të eliminonte fizikisht Enver Hoxhën gjatë udhëtimit të tij për në Konferencën e Paqes në Paris. Por ai mundi të shpëtojë vetëm në saj të ndërhyrjes së Enver Hoxhës, i cili u shpreh se Myftarin e kishte zgjedhur vetë dhe nuk i’a kishte dhënë Koci Xoxe. Pas kësaj, edhe pse Ministri i ri i Brendshëm, Mehmet Shehu, i kërkoi Myftarit që të kthehej në Sigurim, ai nuk pranoi dhe u largua nga radhët e Ministrisë së Brendshme, duke shërbyer në detyra civile deri sa doli në pension./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016