Nga Njazi Xh. Nelaj
Pjesa e dytë
Memorie.al / Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit, Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv ‘MIG’-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë. Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Boston-in e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij, ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet. Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e, nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore. Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e, nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirë-menaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës, të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.
Autori
E zgjata ca, me këtë hyrje, tip ekspozeje, por nuk kam nga t’ia mbaj! Kështu më vijnë kujtimet edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite. Fliste Niko Hoxha e regjimenti përballë tij “nuk pipëtinte”. Komandanti, me një aeroplan luftarak të tipit ‘MIG’-17 F, mbasi kishte bërë kontrollin, në ajër të kushteve të motit, jepte udhëzimet, si duhej vepruar, në çdo çast e vend. Siç kujton piloti veteran Çobo Skënderi: “Niko Hoxha e bënte vetë ‘obljotin’ (zbulimin e kohës) dhe e bënte në mënyrë të përsosur.
Kur ulej në tokë e na jepte udhëzimet, para fluturimit, Niko sqaronte në detaje kushtet e fluturimit, në ‘sistem’ e në ulje, duke na dhënë informacion të plotë, ku kishte lëkundje ajri, ku kishte shkarkime e pilotët duhet të mbyllnin radion, sa metra ishte shtresa e poshtme e reve dhe shtresëzimet e reve gjatë marshrutës (rrugës ajrore), si ishte era dhe influenca e saj, në ajër e në ulje, etj”.
Koloneli fliste qartë, bukur, rrjedhshëm, me një shqipe të pastër e të pasur, me kompetencë e njohuri shkencore e në një dialekt Jugor, të theksuar, me zë melodioz të ëmbël. Udhëzimet e tij, në këtë rast, ishin konçize e të sakta. Koha, deri sa aeroplanët do të ngriheshin në ajër, ishte e kufizuar (disa minuta) dhe komandanti synonte t’u zinte vartësve sa më pak nga koha e çmuar e tyre. Kjo, gjithashtu ishte një vlerë e pakontestueshme e kolonelit.
Ishim të rinj, njëzetvjeçarë, siç qe i tillë vetë regjimenti, i cili u formua para një viti. Po e shikoja Niko Hoxhën, për herë të parë. Nuk e shikoja, por e “përpija”, me sy. Disa tipare e vlera, të veçanta të tij, m’u rrënjosën thellë në mendje e nuk mund të shkulen, prej kohës që kalon. Para së gjithash, më bëri përshtypje ai trup, i gjatë, i rregullt e shumë elegant. I kishte lezet uniforma e fluturimit, që kishte veshur. Komandanti qëndronte në këmbë, i mbështetur fort në të dyja këmbët, pak të hapura, me një krenari të natyrshme e seriozitet që i shkonte. Efektivët e regjimentit, të rreshtuar, përpara tij dëgjonin, me ëndje dhe sikur përpinin çdo fjalë e udhëzim që dilte prej gojës të atij burri.
Koloneli nuk merrte poza kapadaiu, por fliste thjeshtë, qartë e kursyer. Fjalët i kishte të pakta por të zgjedhura. Çdo fjalë e tij “ngulte gozhdë“, ishte në kohën e duhur dhe transmetohej tek vartësit me ëmbëlsi. Vangjel Koçi, një oficer veteran, i cili e nisi shkollën për pilot në Bashkimin Sovjetik në vitin 1960 dhe e sosi për sinoptikan në Shqipëri, pak ka jetuar e punuar me Niko Hoxhën, por zëri i tij i veçantë i ka mbetur në mendje. Kur bisedova, me shokun tim, në Voskopojë, ai më tha: “Niko Hoxha fliste bukur, fjala e tij melodioze i ngjante këngës së bilbilit”. Sa e ndjerë është konsiderata e këtij njeriu të thjeshtë, shumë të zgjuar e me burrëri!
Zëri i kolonelit, ishte ndoshta njëra nga vlerat më të spikatura të atij njeriu, të papërsëritshëm. Ta kishte ënda të dëgjoje të folurën e tij. E dëgjoje e të bënte për vete ai timbër, i qartë, i fortë, i kthjellët, si ujë burimi, i kuptueshëm nga të gjithë ata që e dëgjonin, konçiz e melodioz. Ja si e kujton piloti Serafin Shegani, këtë vlerë të komandant Niko Hoxha: “Në hyrje të viteve ’60, të shekullit të kaluar, unë dhe shokët e mi fluturonim në aerodromin e qytetit ‘Stalin’.
Kur ndodheshim në ajër, shpesh kalonim radion, në kanalin e punës të aerodromit të Rinasit, vetëm për të dëgjuar zërin e bukur të Niko Hoxhës, i cili ishte në drejtimin e fluturimeve të regjimentit që drejtonte”. E kam dëgjuar sa e sa herë atë zë të veçantë, kur isha në tokë e në ajër, jam mrekulluar prej tij dhe në këtë drejtim, them se kam qenë i privilegjuar.
Timbrin e ëmbël, melodicitetin, ngrohtësinë dhe butësinë, si mëndafsh kinez, të asaj të folure, nuk mund t’i harroj kurrsesi. Edhe pas kaq vitesh, në çaste qetësie apo në gjumë, më bëhet sikur po dëgjoj zërin e dashur të kolonelit, i cili nuk është në jetë prej shumë vitesh. Prandaj e them fort se zëri i Niko Hoxhës, më ka ardhur në kufje i veçantë, me qartësi e ëmbëlsi të pashoqe. Po çfarë kishte të veçantë, në zërin e atij burri? Po përpiqem të rendis disa vlera, i bindur se nuk mund ti sjell të gjitha, në këtë shkrim modest. E them këtë mbasi vlerat e zërit të kolonelit, në specifikën e detyrës të udhëheqësit të fluturimeve, ndoshta janë unike dhe vështirësish të përsëritshme.
Kush e ka dëgjuar atë zë, nëpërmjet kufjeve të shlemafonit vështirë se mund ta harrojë e ta krahasojë ëmbëlsinë, qetësinë, qartësinë, saktësinë dhe autenticitetin që të transmetonte. Koloneli u fliste pilotëve, sidomos atyre që ndodheshin në ajër, me qetësi e butë-butë. Është i njohur slogani që përdoret në mjedise shëndetësore se “qetësia shëron”. Kjo është më se e vërtetë. Por, në rastin tonë, kur komunikon udhëheqësi i fluturimit, me pilotin, në ajër, vlera e qetësisë shumëfishohet e bëhet, në ndonjë rast, shpëtimtar. Është e sigurt që zëri i Niko Hoxhës, kur u shkonte pilotëve në nevojë, në kufje, i ndihmonte ata për të dalë nga situata e nga rreziku.
Koloneli ishte pilot ushtarak i klasit të parë. Ai mbante shkallën më të lartë të kualifikimit si pilot dhe qëndronte, thuajse vazhdimisht në rolin e udhëheqësit të fluturimeve. Niko Hoxha kishte mbi supe një bagazh të madh fluturimesh, në aeroplanë të tipave të ndryshëm e, në kushte të motit me shkallë të lartë vështirësie. Koloneli fluturonte me aeroplanët reaktivë ‘MIG’-15 Bis; ‘MiG-17’ F dhe me gjuajtësit kapës supersonikë, me raketa ajër-ajër ‘MiG’-19 PM, ditën, në kushte të thjeshta të motit, ditën, në re, natën, në kushte të thjeshta dhe natën, në re.
Para se të fluturonte në aeroplanë reaktivë, komandanti kishte kaluar nga shkolla e aviacionit me helikë, ku kishte fluturuar me avionë gjuajtës dhe bombardues të tipave të ndryshëm. Me ajrin dhe avionët, koloneli ishte njohur qysh pas Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavi, më vonë në Bashkimin Sovjetik e së fundi në Shqipëri. Gjatë karrierës si pilot, komandanti, me siguri do të jetë ndodhur në situata të vështira ajrore, të cilat i ka kapërcyer falë vlerave të spikatura të karakterit dhe si pilot. Kësisoj, kur merrte në dorë mikrofonin e udhëheqësit të fluturimeve, Niko Hoxha, kishte çfarë t’u thoshte e dinte si ti orientonte pilotët, që kishin nevojë për ndihmën e tij.
Kur komunikonte me pilotët, koloneli bëhej më serioz, orientohej shpejt me situatat që përjetonin pilotët në ajër, merrte vendim, sa hap e mbyll sytë dhe ndërhynte shpejt e me takt, duke i thënë pilotit në nevojë fjalë të sakta, të zgjedhura mirë, falë reflekseve të shpejta që kishte individualisht. Por, vetëm këto ishin të pamjaftueshme, nëse koloneli nuk do të ndiqte, me syçelëti e hap pas hapi, çdo fluturim. Niko Hoxha i njihte, në detaje karakteristikat individuale të pilotëve që drejtonte dhe e thoshte fjalën, në kohën e duhur e me saktësi, sipas situatës ajrore. Këshillat e Niko Hoxhës, “të merrnin për dore” e të ndihmonin për të dalë nga situata.
Koloneli ishte pilot kurajoz dhe me vullnet të rrallë e këmbëngulje donte të fluturonte në të gjithë tipat e aeroplanëve që dispononte regjimenti. Në rrugë autodidakte, pa kaluar në kurse të posaçme, komandant Niko, përvetësoi fluturimin në aeroplanët reaktivë ‘MIG’-17 F dhe ‘MIG’-19 PM. Pozicioni i udhëheqësit të fluturimeve, në aviacion është i veçantë e delikat. Ia vlen t’i kthehem një herë tjetër, në mënyrë të posaçme. Niko Hoxha ishte ndoshta nga më të përkryerit udhëheqës fluturimi, që ka njohur aviacioni shqiptar. Zëri i ngrohtë i tij, sillte “ngrohtësi “e “siguri” në kabinën e avionit që ndodhej në ajër. Kur komunikonte me kolonelin, pilotit i dukej sikur e kishte atë, aty pranë, në kabinë dhe sikur po e plotësonin fluturimin së bashku.
Niko Hoxha nuk e hidhte fjalën “dëm”, por e thoshte atë me kompetencë e përgjegjësi dhe pilotët kishin besim në orientimet e tij. Kjo ishte e provuar në praktikë, jo në një rast. Komandant Niko jepte orientime të sakta për pilotët në ajër, nuk bënte zhurmë në radio, të cilat sjellin vetëm çoroditje e amulli. Fjala e ngrohtë e Nikos, të ngrohte e të bënte optimist. E kisha dëgjuar me dhjetëra here, kur u ndërhynte pilotëve për t’i ndihmuar dhe isha mrekulluar nga ai zë karakteristik. Në një rast e provova dhe tek vetja ime.
Në një ditë fluturimi, mbi aerodromin e Rinasit, po ushtrohesha në “luftim ajror”, në çift avionësh. Në formacion, i pari ishte kolegu Llazar Çupa e, pas tij fluturoja unë. Detyra ime ishte t’i futesha “në bisht” të parit e t’a sulmoja, duke e filmuar. Koloneli, në cilësinë e udhëheqësit të fluturimeve, na vrojtonte nga poshtë. Isha pilot i ri e po kënaqesha, duke u mbajtur në formacion në çift, kurse detyra ishte të sulmoja. Komandantit nuk i pëlqeu fluturimi im, mori mikrofonin dhe ndërhyri, me kujdes: “75, futu në bisht e sulmo, se u bëre satelit”! E dëgjova e u përpoqa të korrigjoj gabimin. Komunikimi me zë të ëmbël i kolonelit me pilotin në ajër, nuk shkaktonte alarme e shqetësim tek ky i fundit, por e qetësonte atë e i jepte kurajo, për të vepruar drejt.
Nuk mund të numërohen rastet kur komandanti u është gjendur pranë vartësve të ndodhur në vështirësi e, i ka ndihmuar ata për të dalë nga situata. Ndoshta nuk do ta kisha nisur tani këtë shkrim-portret, për heroin tonë, po të mos më kishte ardhur në kohë nxitja nga një grua labe, fisnike dhe burrërore, me prejardhje nga paraardhësit e Niko Hoxhës, nga Tragjasi. Gruaja që më nxiti e ka emrin Nurhan. Një emër interesant, madje pak i çuditshëm e i rrallë. Ajo është mbesë e Niko Hoxhës, bijë nga Xhuvelët e Tragjasit. Aty nga mesi i qershorit të këtij viti, shkova për pushime në Vlorë dhe u sistemova me gjithë familjen në një vilë, në Ujë të Ftohtë. Ishte shtëpia e Nurhanës dhe burrit të saj, Lavdoshit.
Gruaja e zgjuar labe, kishte marrë informacion për profesionin tim të dikurshëm dhe një ditë, natyrshëm më pyeti: “Pilot ke qenë ti”? Po, pohova unë, disi i papërqendruar në bisedë. “ pasur dajën pilot unë, ndoshta e ke njohur”, – tha gruaja. Si e kishte emrin, e pyeta unë. “Niko Hoxha”, tha ajo. Mornica më shkuan në trup dhe mendja më çoi në ato vite të largët ’60, të shekullit të kaluar. Shpejt e mblodha veten e i’u drejtova bashkëbisedueses, e cila vetiu kishte marrë një pamje solemne, pak të trishtuar. “Niko Selman Hoxha, nga Tragjasi”, – i thashë. Gruaja zgurdulloi sytë e tha: “Si, e paske njohur”?! Kur i thashë se me Niko Selman Hoxhën, kam punuar dikur, ajo u tjetërsua nga gëzimi e krenaria, që kishte takuar një njeri, i cili kishte punuar me dajën e saj të ndjerë.
Pak nga pak biseda jonë u gjallërua e mbesa 60 vjeçare e komandantit tim, nisi të më tregojë për jetën e heroit, në fëmijërinë e tij. Kur ishte gjallë e ëma, i kishte lënë Nurhanës një amanet, të cilin, si me drojë, por gjithmonë krenare e pak me nostalgji, ma besoi këtë intimitet të saj. “Kur të takosh shokë të Nikos, – i kishte thënë e ëma Nurhanës, – t’i respektosh e të m’i mbash në pëllëmbë të dorës” dhe e kishte vënë në be, në atë be, të cilën ajo nuk e zinte kollaj në gojë: “Për kockat e Nikos”, ishte betuar plaka e Xhuvelëve, para ndarjes nga jeta.
Me rrëfimet e saj, për jetën e kolonelit, fëmijë e adoleshent, Nurhana, e thjeshtë por kapedane, më futi në hullinë e të shkruarit për heroin, duke më dhënë një nxitje të fortë, që t’i përvishem një pune të vështirë për kapacitetet e mija dhe për shëndetin aktual. Mendova, në vetminë time; “Nuk qenkam fare pa fat”! Pas Nurhanës, piloti në pension Bahri Meshau, të cilin e kam shok prej më se 50 vitesh, më foli për kolonelin e më çoi në shtëpinë e pensionistit ish-pilot, Guri Merkaj, në Vlorë. Guri ka qenë njëri nga pilotët më të dalluar në aviacionin tonë, në vitet ’60 të shekullit të kaluar, por, pas një sëmundje të rëndë, kohët e fundit ka mbetur plotësisht i verbër. I shkuam në shtëpi shokut tonë e i folëm.
Bahrinë e njohu kurse mua jo. I kujtova se dikur kemi punuar së bashku instruktorë të pilotimit, në aerodromin fushor të Pishporos, madje i kujtova dhe studentët e kolegët, por Guri ma kishte harruar zërin. Prej mjaft kohësh nuk jemi parë, as nuk jemi dëgjuar. Pastaj i kujtova një detaj nga fluturimet e tij në aerodromin e Rinasit, ku Guri ulej shpesh tek kthesa e aeroportit civil dhe vendi ku preknin betonin rrotat e avionit ‘MIG’-19 PM, të cilin e drejtonte Guri, u “pagëzua”: “T-ja e Gurit”. Pas këtij detaji, shoku im u kujtua, u çua në këmbë e bërtiti: “Njazi, më ke bërë një surprizë të bukur, nuk të prisja sot, të më vije në shtëpi”. Piloti i moshuar u gëzua.
Biseduam, lirshëm e për probleme të ndryshme, në atë zagushi që të merrte frymën, në dhomën ku qëndronte Guri, atë ditë vere, të nxehtë, nën “monitorimin” e djalit të djalit, adoleshent. E pyeta shokun tim, nëse i kujtohej kolonel Niko Hoxha dhe ai, mbasi mori një pozicion më të kujdesshëm e solemn, u bë më serioz, “krojti” zërin e tha: “Niko Hoxha ishte njeri i besës e i fjalës së mbajtur. E mbaj mend si një komandant të zotin e, burrë tamam.
Në fluturim, ne, të rinjve na jepte iniciativë. Atë që thoshte, Niko Hoxha e bënte. Po-në e kishte Po dhe Jo-në e kishte Jo. Bënte shaka e qeshte me lot, kur vartësit e tij bënin shaka me të”. Rrëfimin e çiltër, për kolonelin që u vra përpara syve tanë, piloti pensionist, Guri Merkaj, e përfundoi me një psherëtimë, të thellë. Ai shqiptoi: “Burra si ai, nuk vijnë kollaj në këtë vend”!
U çmalla me shokun tim, pas kaq vitesh dhe u largova prej tij me një ndjenjë lehtësimi në shpirt, duke marrë me vete një entuziazëm e frymëzim të pazakontë. E bëra mendjen “top”: Do t’i futem, vendosmërisht punës’ për të shkruar këtë portret heroi. Duke ecur nëpër Vlorë, së bashku me Bahri Meshaun, duke soditur këtë qytet, të cilin e kam parë si është rritur e si ka ndryshuar, në kohë të ndryshme dhe si po shëmtohet së fundi.
Në kokë më “trokitën” lloj-lloj mbresash e episodesh, nga jeta dhe puna e përbashkët si fluturues, me Gurin, dikur në Rinas e’ më pas në Pishporo e’ në reparte të tjerë të aviacionit. Në pranverën e vitit 1966, kur ishim në një kurs metodik për instruktorë të pilotimit, Guri shkroi në bllokun tim, me të dhëna për konstruksionin dhe mënyrën e shfrytëzimit të aeroplanit MIG-15, me një shkrim të qartë e të bukur:
“Njazi, Dallgët e jetës na bashkuan e ato, prapë na ndanë. Po t’a lë këtë shënim, që ta kesh si kujtim nga unë, shoku yt i paharruar – Guri Merkaj. E ruajta bllokun, gjatë, si relike të çmuar, por për fatin tim të keq, ai diku mbeti, udhës, e unë nuk e disponoj atë. Uniforma, në trupin e atij ushtaraku të lindur, shkëlqente. I kishte lezet uniforma ushtarake atij që ishte i lindur për të drejtuar repartin, si në ajër Edhe në tokë. Niko Hoxha, në pamje të parë të krijonte përshtypjen e një atleti e gjimnasti, plot talent. Çdo gjë në qenien e tij më dukej e përkryer, si e bërë nga një dorë artisti. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm