Nga Njazi Xh. Nelaj
Pjesa e tretë
Memorie.al / Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit, Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv ‘MIG’-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë. Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Boston-in e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij, ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet. Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e, nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore. Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e, nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirë-menaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës, të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.
Autori
Fytyra fisnike e kolonelit ishte e bukur, bojëgruri. Niko kishte sy të mëdhenj, bojëkafe. Vetullat i kishte të theksuara, por jo “kaleshe”. Ballin të lartë, flokët bojëkafe, me një cullufe, të cilën, pëlqente ta mbante poshtë strehës së kapelës, të anuar në të majtë. Koloneli mbante mustaqe. Ndoshta për të “maskuar” hundën. Mustaqet e Nikos, ngjyrë-gruri, në çdo kohë ishin të rregullta, të pastra, të prera bukur e i jepnin hijeshi fytyrës simpatike të tij. Ai pinte shumë duhan, në të dyja brimat e hundës, mustaqet e Nikos ishin të zverdhura nga nikotina. Fytyra e Niko Hoxhës ishte e bukur, kur qeshte dhe bëhej po aq simpatike, kur bëhej serioz. Pamja e jashtme e kolonelit ishte shprehje e kulturës dhe dashurisë të tij për ushtrinë, rregullin e disiplinën dhe tregonte respekt për njerëzit me të cilët punonte.
Bisedova me 85 vjeçarin Bajram Hitaj, i cili ka qenë pilot i të vetmit aeroplan bombardues shqiptar IL-28. Kur e pyeta, kur dhe si e ka njohur ai Niko Hoxhën, Batja (kështu e thërrisnim dikur), me seriozitetin karakteristik tha: “Niko Hoxha ishte i lindur për ushtarak. Atij i kishte dhënë zoti të gjitha bukuritë e një komandanti dhe oficeri brilant”. E dëgjoja Batjen dhe sillja ndërmend, si e shikonim kolonelin, në dritë të syrit, e vrojtonim atë e nuk ngopeshim duke e soditur atë portret ushtaraku, sikur të ishte qëndisur nga një dorë mjeshtërore.
Komandant Niko, vinte shpesh për të na parë si e zhvillonim përgatitjen fizike, ne pilotët e rinj. Një ditë po ushtroheshim në vegla gjimnastikore, nën drejtimin e instruktorit përkatës. Ishim radhitur pranë hekurit gjimnastikor. Më erdhi radha e tentova të ngjitesha lart. Kërceva, por nuk e kapa dot veglën. Koloneli, siç bënte zakonisht në të tillë raste, vuri duart në bel, qeshi me të madhe e tha: “Po ti nëntoger, çe ke këtë bark gjenerali”?!
U turpërova e që atë ditë nisa të ushtrohesha intensivisht, nëpërmjet ushtrimeve e veglave speciale, për të ulur barkun tim. T’ju them të drejtën, pa mburrje, kur iu futa punës për të shkruar këtë monografi, nuk më shkonte mendja, që do ta kisha kaq të vështirë. E mora me lehtësi këtë punë, por nuk më doli e tillë. Tani që jam “futur në ujë” e po mësoj “si notohet”, e kuptova se “i paskam hyrë detit, në këmbë”!
Këtë nuk e them për tu justifikuar, për vështirësitë që më kanë dalë rrugës, por për të theksuar një gjë: Vetitë dhe virtytet e atij njeriu “të mbinatyrshëm”, janë aq të shumta e të ndryshme sa, nuk gjendet tregimtar e s’ka tregim që t’i nxërë brenda. Kohët e fundit, me qëllim që të mësoja diçka më tepër për jetën dhe aktivitetin e kolonelit 39 vjeçar, i cili rrojti pak, por “paq”, u takova e bisedova me mjaft njerëz, të profesioneve të ndryshëm, nga ata që kanë qenë pranë, kanë punuar me të ose kanë qenë bashkudhëtarë të komandantit trim, Niko Selman Hoxha.
U takova jo me pak por me rreth 35 persona, e ata më numëruan aq shumë gjëra, të thëna e të pathëna, saqë kur matem për t’i hedhur në këtë tregim, zhytem në to e nuk di kë të marr e kë të lë, pasi secili nga rrëfimet ka vlera më vete. Diku më sipër, në këtë shkrim, duke menduar se i jepja heroit diçka nga ajo që meritonte, e quajta atë “div”, një ofiq ky plotësisht i justifikuar.
Por, kur fola me shokët, 85 vjeçari Haki Jupasi, kolonjar, pilot i klasit të parë, me një kolonjarçe të llastuar më tha: “Ç’ne, bre ‘div’, ai ishte ‘luan’, se me luanin ngjante”. Nuk e pata kurajon, as argumentin për ta kundërshtuar komandant Hakiun. Piloti Çobo Skënderi, edhe ai me klasin e parë të pilotit, bashkëkohës i Niko Hoxhës dhe njohës i mirë i tij, si për t’i shtuar diçka asaj figure të ndritur’ tha: “Niko Hoxha mund të krahasohej vetëm me një ‘Zgalem’”.
As këtë nuk pata dëshirë ta kundërshtoja, se më erdhi pas midesë. Çobo është njeri i letrave dhe ka shkruar për kolonelin. Mirë ka bërë, çdo njeri prej nesh që e kemi njohur komandantin, kemi detyrimin për ta përjetësuar figurën e tij edhe nëpërmjet shkrimeve. Për kolonelin, thuaj çdo epitet pozitiv e, ai ka për të ngjitur, se i tillë ishte ai njeri. Niko Hoxha “na u gjend“ kur na duhej aq shumë e me qëndrimin e tij na u bë “nënë”, ”babë”, “vëlla”, ”motër” e shok i mirë.
Zemra e tij e bardhë e bujare, ishte aq e madhe, sa kishte hapësirë për të gjithë ata që e meritojnë ta kenë dashurinë e tij. Koloneli dinte të përshtatej, sipas moshave, profesioneve, krahinave e niveleve të njerëzve. Nuk e teproj po të shkruaj se komandanti, me njerzillëkun e dashamirësinë e tij, u përshtatej edhe huqeve të njerëzve, jo tekave të disave apo prapësive të tyre.
Niko Hoxha gëzohej e lumturohej pa masë, kur pilotët që ai komandonte, fluturonin mirë dhe kur punët i shkonin për mbarë. Jo vetëm pse në këta raste shikonte të materializuar mundin dhe djersën e tij, punën vetëmohuese që bënte, por dhe për shkak të shpirtit të gjerë e zemrës së bardhë që kishte. I shndrinte nuri e bëhej shend e verë kur punët i shkonin mbroth. Më vjen në mend, i freskët, një rast.
Në vjeshtën e vitit 1963, kur pilotët e rinj fluturonin për të marrë klasin e tretë të pilotit, në një ditë fluturimi, ndodhi diçka për t’u harruar. Ishte konditë “sine qua non” fluturimi në formacion skuadrilje (12 aeroplanë), në lartësinë 10.000 m. nga niveli i detit. Në ajër u ngrit formacioni i parë, i cili doli në lartësinë e caktuar. Dymbëdhjetë vija të bardha, paralel e pranë njëra – tjetrës, zbukuruan hijshëm atë qiell të kaltër vjeshte.
Koloneli, zbriti nga makina e udhëheqësit të fluturimeve, doli në lëndinën e gjelbër të aerodromit, vështronte lart, kënaqej me atë pamje që të magjepste dhe gëzonte e qeshte, si fëmijë. Hera herës përplaste duar e këmbë dhe nuk zinte vend. Pas pak, në ajër u ngrit skuadrilja e radhës, në formacionin e të cilës bëja pjesë dhe unë. Do të ndiqnim të njëjtën rrugë ajrore e do të plotësonim të njëjtën detyrë. Në lartësinë 7.000 m., kur më duhej të takoja forsazhin, me qëllim që t’i jepja motorit të avionit fuqi shtesë, mekanizmi nuk funksionoi.
Aeroplani që drejtoja unë, mbeti pas avionëve para meje dhe formacioni “u shkërmoq”. Nuk mbërritëm të bashkuar në lartësinë e caktuar 10.000 m., por mbërritëm një nga një. Koloneli, i cili na vrojtonte nga toka, kur pa katrahurën që qullosëm ne, u mërzit shumë, vuri duart në bel, si shenjë pakënaqësie dhe tha: ”Buza e plasur, nuk qesh kurrë”! Pasionin për fluturimin dhe dashurinë për ajrin, komandanti e shfaqte dukshëm e çiltër.
Kur nuk fluturonte, për shkaqe që nuk vareshin prej tij, nuk guxonte t’i dilte njeri përpara Niko Hoxhës, i cili në këtë rast, nxinte e sterronte. Por fytyra e tij çelej e bëhej “behar”, kur ngrihej në ajër. Motoja e kolonelit ishte: “Pilot është ai që ngrihet në ajër e fluturon”. Dhe këtë nuk e thoshte si slogan, sa për t’u mbushur mendjen vartësve dhe kolegëve por, e vinte në jetë praktikisht.
Pilotët, sidomos e shikonin Niko Hoxhën në dritë të syrit. Komandant Nikon, e shikoje gjithë ditën e çdo ditë, nëpër aerodrom, me shlemafon në dorë, duke “gjuajtur” kushtet meteorologjike, të cilat jo gjithmonë favorizonin fluturimet. Siç kujton pensionisti Gëzdar Veipi, pilot i klasit të parë: “Ne e morëm klasin e parë të pilotit, me vendosmërinë e Niko Hoxhës. Çdo ditë prisnim kohën, në aerodrom, me shlemafon në dorë, që të kapnim ‘retë e mira’, jo ‘retë agresive’”!
Jo vetëm kaq. Disa nga pilotët që fluturonin për të marrë klasin e parë, në vitet ’60-të, ishin familjarë e banonin në Tiranë (në qytetin e Tiranës). Niko Hoxha, duke qëndruar tërë ditën nëpër aerodrom, në pritje të kushteve të përshtatshëm për të fluturuar, kur e vinte re këtë, sidomos kur kushtet ishin të përshtatshëm për të fluturuar, për të marrë klasin e parë (natën, në re), shkonte në çdo shtëpi, me makinë e i grumbullonte pilotët.
Mbasi u bënte një përgatitje të shkurtër, sa për t’u rikujtuar shprehitë e këtij lloj fluturimi, së bashku me ta, realizonte detyrën ajrore. Në grupin e pilotëve që fluturonin për klasin e parë, në vitin 1964, bënin pjesë: Anastas Ngjela, Lulo Musai, Kosta Dede, Gezdar Veipi, Çobo Skënderi, Mahmut Hysa (Uku), Halit Bulku dhe Bajazit Jaho. Po kthehesha nga Tirana, kur u ul piloti i fundit atë natë.
Me një grup shokësh, beqarë, u ndodhëm në fundin Jugor të aerodromit të Rinasit. U mrekulluam kur pamë si u ndriçua e llamburiti qielli mbi aerodrom, nga raketat sinjalizuese që zbrazi udhëheqësi i fluturimeve, Niko Hoxha. Ai, nga gëzimi që ndjeu kur pilotët e grupit që plotësuan programin e klasit të parë, kishin realizuar një objektiv madhor, i zbrazi të gjitha raketat sinjalizuese, të cilat ndodheshin rreth tij. Kishte përse të gëzonte e të krenohej koloneli.
Me këmbënguljen dhe përkushtimin e tij të paparë, Niko Hoxha e kishte shtyrë mjaft përpara çështjen madhore të kualifikimit të pilotëve. Mbasi “mbylli” natën e fluturimit, komandanti, mblodhi pilotët, jo për t’u bërë vërejtjet për zhvillimin e fluturimeve, siç bënte zakonisht, por i çoi ata në bufenë e aeroportit civil, ku i qerasi, me shpenzimet e tij. I tillë ishte koloneli, me pasionin dhe përkushtimin e tij të rrallë, në shërbim të rritjes së mjeshtërisë të pilotimit.
Nga vlerësimet e shumta të shokëve dhe bashkëkohësve të kolonelit, u përpoqa të veçoj disa, ato që m’u dukën më të spikatura e që na japin një pamje më të qartë të cilësive të tij. Nga biseda që pata me veteranin Bajram Hitaj, mësova se: “Si pilot, Niko ishte trim e guximtar. Ai ishte njeri i besës, tolerant e dashamirës. Nuk mbante mëri e nuk e njihte hakmarrjen“. Batja rrëfeu dhe një rast, nga marrëdhëniet e tij me kolonelin.
“Në një rast, kur po bënim shikim rreshtor, unë nuk e kisha aq të bardhë këmishën; Niko më bëri vërejtje, por pa dashje më ofendoi. Iu kundërvura me thënien: Shoku major, për këtë ofendim, nuk ndahemi mirë bashkë! Kaq duhej, shikimi rreshtor u prish e njerëzit u shpërndanë. Komandanti vajti në zyrë e ndezi një cigare. Ai dërgoi një oficer, e më thirri. Shkova në zyrë e iu paraqita ushtarakisht. Koloneli, u ngrit, në këmbë e më tha: ‘Unë, për këtë mund të bëj autokritikë, para rreshtit, por ti, Bajram Hitaj, me këtë që më bëre, më ke dhënë një mësim të madh, për tërë jetën, si ushtarak’. E lamë me kaq; dolëm në shkallë, ndezëm nga një cigare dhe shtabi na pa të pajtuar. Pas kësaj, nuk më mbajti mëri”.
Koloneli i donte aq shumë aviacionin dhe fluturimin, edhe për arsyen e thjeshtë se ai, vetë, e themeloi, e organizoi dhe e drejtoi aviacionin shqiptar, qysh nga fillimet e tij. Në vitin 1951, Niko Hoxha organizoi në aerodromin e Laprakës, skuadriljen e parë të aviacionit shqiptar, me aeroplanë të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore dhe mblodhi e futi në fluturim pilotë të shkollave të ndryshme, të kthyer nga Jugosllavia e nga Bashkimi Sovjetik.
Për meritë të Niko Hoxhës, u formua, u organizua dhe u vu në udhë të mbarë stërvitja ajrore e regjimentit të aviacionit gjuajtës-bombardues në “Qytetin Stalin“, (Kuçovë) në vitin 1954. Me niciativën dhe këmbënguljen e kolonelit, u çel e para shkollë për pilotë, në vitin 1958, me dy skuadrilje; njerën me helikë e, tjetrën me aeroplanë reaktivë ‘MIG’-15. Ja si e kujton hapjen e shkollës së parë të aviacionit shqiptar, ish-kursanti i kësaj shkolle, veterani Bahri Meshau, nga Bubësi i Përmetit:
“Niko Hoxha ishte i lindur për ushtarak. Si komandant, të vlerësonte siç e meritoje dhe nuk të shiste në asnjë rrethanë. Niko shkonte shpesh, pasditeve, tek ushtarët, e ata i mblidheshin atij, si bleta luleve. Ditëve të diela, kur të tjerët bënin pushim, qëndronte 2-3 orë, me pilotët e gatshëm e bisedonte me ta. Në vitin 1960, kur Niko Hoxha ishte komandant i regjimentit në “Qytetin Stalin”, kishte në vartësi dy skuadrilje, të cilat mësonin kursantë për pilotë, njërën në Pishporo, tjetrën në qytetin “Stalin”.
Koloneli shkonte tek të dyja skuadriljet, jo për t’i parë, por për të fluturuar, me instruktorët dhe me kursantët. Ai nuk të ofendonte kurrë, edhe kur të gjente në gabim. Me shaka, dikujt i thoshte: “qurrash”, ose; “i ke brekët nëpër këmbë”. Me kursantët sillej mirë, si shok. Një tjetër pilot veteran, Bardhyl Lubonja, i cili sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më telefonoi nga Bostoni e, më tha:
“Kam qenë kursant, për pilot, në vitin 1960, në ‘Qytetin Stalin’ e Niko Hoxha, mbasi më kontrolloi në ajër, u bind që unë mund ta drejtoja i vetëm aeroplanin, firmosi, e unë u ngrita vetëm, në ajër, për herë të parë. Komandanti ndiqte vazhdimisht aktivitetet tona sportive. Në regjimentin e Rinasit na vinte shpesh pasditeve, veshur me një kostum sportiv, me ngjyrë të verdhë dhe luante lojëra të ndryshme, së bashku me ne pilotët e rinj beqarë”.
Në jetën e shkurtër të Niko Hoxhës, si komandant ushtarak e si pilot, spikatin disa momente në të cilët ai është shfaqur protagonist e, ka vepruar si udhëheqës i vërtetë. Pa iniciativën e tij, nuk do të ishte çelur e rihapur, pas një ndërprerje, as shkolla e aviacionit, që përgatiti pilotë. Pikërisht me vendosmërinë dhe këmbënguljen e kolonelit, dhe me kompetencën e nën përgjegjësinë e tij, si pilot guximtar e i kualifikuar, u mundësua rifillimi i fluturimeve në aerodromin fushor të Pishporos, në verën e vitit 1960, pas katastrofës ajrore ku gjeti vdekjen kursanti nga Boboshtica, Jovan Kacori.
Komandant Niko u gëzua shumë kur rifilluan fluturimet me kursantët, pas asaj traume që kaluan por u dëshpërua mjaft kur, në ditën e parë të këtij rifillimi, kursanti për pilot, Petraq Qafëzezi nga Kolonja, në një fluturim pilotazhi, në zonë, ra në një pozicion të vështirë e për pasojë, braktisi aeroplanin me katapultë. Pas kësaj ngjarje e cila ishte e jashtëzakonshme dhe e mbarsur me rreziqe për jetën e pilotit (avioni i braktisur prej tij u shkatërrua plotësisht nga përplasja me tokën), Shkolla e Aviacionit u mbyll, e kursantët u dërguan për të vijuar stërvitjen ajrore në Bashkimin Sovjetik. Kjo ishte një goditje e madhe për aviacionin shqiptar, i cili po mëkëmbej dhe për vetë kolonelin që e kishte aq për zemër.
Në vitin 1958, kur koloneli ishte komandant i regjimentit të aviacionit, në “Qytetin Stalin”, një grup pilotësh, më të përparuarit, u dërguan në Bashkimin Sovjetik, për të përvetësuar aeroplanin supersonik (me dy motorë reaktivë), të pajisur me raketa të drejtuara ajër-ajër, ‘MiG’-19 PM. Ky avion, për kohën ishte nga më të sofistikuarit. Grupit të pilotëve nga Shqipëria që shkuan për specializim u takoi të përballeshin e të kapërcenin, më tepër me guxim e kurajë sa me nivele e shkallë kualifikimi disa vështirësi të rritjes, të cilat nuk i kishin kolegët e tyre të vendeve të tjera, të Lindjes.
Niko Hoxhës, edhe ne ketë rast i takoi të mbante mbi supe, një barrë të rëndë. Ai përzgjodhi, me shumë kujdes e përgjegjësi listën e pilotëve që do të bënin kalimin në avionin e ri dhe me pilotët që mbetën në regjiment, i duhej të siguronte gatishmërinë luftarake dhe të punonte për rritjen e nivelit dhe të aftësive të tyre. Koloneli programoi, organizoi e drejtoi, personalisht stërvitjen ajrore të pilotëve të mbetur dhe brenda vitit (kohë në të cilën grupi i pilotëve të kualifikimit ndodhej në Bashkimin Sovjetik), arriti me ta nivelet më të përparuar të regjimentit. Kësisoj, Niko Hoxha, i njohur për iniciativë e kompetence, u ndesh me më të vështirën dhe e mposhti atë, duke thyer njëherazi koncepte e prirje frenuese. Memorie.al