Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur se si hynë për herë të parë në Shqipëri idetë e majta komuniste aty nga fundi i viteve ‘20 dhe fillimi i viteve ’30, nëpërmjet librave, revistave dhe literaturës, të cilat vinin nga vendet e Evropës Perëndimore, ku studionin shumë studentë shqiptarë dhe ku ishte vendosur një pjesë e mërgatës politike antizogiste, e cila ishte larguar nga Shqipëria me dështimin e qeverisë së kryesuar nga Fan Noli në dhjetorin e vitit 1924. Kjo mërgatë antizogiste që u grupua në Vjenë formoi KONARE-n (Komiteti Nacional-Revolucionar) e cila drejtohej nga Fan Noli, Lano Borshi, Ibrahim Jakova, Qamil Bala, Bedri Pejani, Nush Bushati, Kostandin Boshnjaku etj., të cilët financoheshin nga Internacionalja Komuniste me qendër në Moskë. Organizata e KONARE-s asokohe pati një aktivitet të dendur politik, duke nxjerrë dhe gazetën e saj “Liria Kombëtare” që e drejtonte Halim Xhelo dhe Lano Borshi dhe një ndihmë të madhe ajo pati veçanërisht nga komunistët gjermanë të cilët drejtoheshin nga Vilhelm Pik, i cili i priste herë pas here krerët e këtij grupimi politik.
Idetë e majta komuniste për herë të parë hynë në Shqipëri aty nga fundi i viteve ‘20 e fillimi i viteve ’30, nëpërmjet librave, revistave dhe literaturës të cilat vinin nga vendet e Evropës Perëndimore, ku studionin shumë studentë shqiptarë dhe ku ishte vendosur një pjesë e mërgatës politike antizogiste e cila ishte larguar nga Shqipëria me dështimin e qeverisë së kryesuar nga Fan Noli në dhjetorin e vitit 1924, pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet. Kjo mërgatë antizogiste që u grupua në Vjenë formoi KONARE-n (Komiteti Nacional-Revolucionar) e cila drejtohej nga Fan Noli, Lano Borshi, Ibrahim Jakova, Qamil Bala, Bedri Pejani, Nush Bushati, Kostandin Boshnjaku etj., të cilët financoheshin nga Internacionalja Komuniste me qendër në Moskë. Organizata e KONARE-s asokohe pati një aktivitet të dendur politik, duke nxjerrë dhe gazetën e saj “Liria Kombëtare” që e drejtonte Halim Xhelo dhe Lano Borshi dhe një ndihmë të madhe ajo pati veçanërisht nga komunistët gjermanë të cilët drejtoheshin nga Vilhelm Pik, i cili i priste herë pas here krerët e këtij grupimi politik. Për herë të parë KONARE-ja mori pjesë në një kongres ndërkombëtar që u mbajt në Berlin në vitin 1931, në të cilin asistoi dhe Gjegj Dimitrovi, ku ajo u përfaqësua me Lano Borshin. Krerët e KONARE-s me në krye Nolin, asokohe ndikuan pranë Kominternit dhe bënë të mundur nxjerrjen e bursave të një grupi prej 18 studentësh shqiptarë, të cilët vazhduan studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Ky grup studentësh i cili studioi në universitete të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, përbëhej nga: Ali Kelmendi, Asllan Pejani, Haki Stërmilli, Qamil Çela, Fetah Ekmekçiu, Demir Godelli, Fetah Meqemeja, Ymer Domi, Naum Prifti, Rexhep Fillati, Reshat Këlliçi, Reshit Daci, Sejfulla Malëshova dhe Selim Shpuza. Në fillimin e viteve ‘30 ashtu si në shumë shtete të Evropës Lindore ku kishte penetruar propaganda e majtë komuniste nën shembullin e Bashkimit Sovjetik, edhe në Shqipëri kjo gjë filloi të bëhej e modës. Në ato vite një rol të madh në përhapjen e ideve të majta komuniste luajtën edhe studentët shqiptarë që u kthyen nga universitetet e Bashkimit Sovjetik. Po kështu në përhapjen e këtyre ideve një rol kryesor patën dhe shumë emigrantë shqiptarë që ishin vendosur në Francë, Itali, Austri, Belgjikë, Zvicër etj., që më pas u kthyen në Shqipëri, siç ishin Qamil Çela, Qamil Bala, Bedri Pejani, Ali Kelmendi, Zai Fundo, Zef Mala, etj. Lëvizja komuniste në Shqipëri filloi të merrte një farë organizmi aty nga gjysma e dytë e viteve ’30, me krijimin e disa celulave të vogla kryesisht në qytetet e Shkodrës dhe Korçës. Kjo gjë erdhi pas Kongresit të VII-të të Kominternit i cili u mbajt në Moskë në vitin 1937, ku Gjergj Dimitrovi duke parë rrezikun që i kanosej Evropës nga nazizmi gjerman, insistoi në organizimin e financimin e partive të majta komuniste në vende të ndryshme të Evropës, për t’ju kundërvënë atij. Në këtë kontekst në një mbledhje të veçantë që e organizoi seksioni Ballkanik i Kominternit, u lanë detyra të veçanta edhe për Shqipërinë.
Krijimi i grupeve të para komuniste
Kjo gjë u duk në qytetin e Korçës ku asokohe ishte krijuar dhe grupi i parë komunist, ku bënin pjesë: Andrea Zisi, Aristidh Qëndro, Zai Fundo, Koci Xoxe, Miha Lako, Gaqo e Pilo Peristeri, Sotir Vullkani, Koci Bako, Sotir Gurra, Petraq Titani, Stefo Grabocka etj. Një ndikim të madh në krijimin e konsolidimin e atij grupi, patën dhe lidhjet që ata kishin me Greqinë dhe lëvizjen komuniste greke, nga e cila u përkrahën moralisht dhe materialisht. Duke pasur një organizim të mirë dhe si rezultat e ndihmës së komunistëve grekë, “Grupi Komunist i Korçës” i maskuar nën Shoqërinë “Puna”, në votimet për zgjedhjet lokale të vitit 1938, fitoi të drejtën e përfaqësimit në postin e nënkryetarit të Bashkisë, me kandidatin e saj Koci Xoxen. Po kështu asokohe ishte krijuar edhe grupi tjetër komunist i Shkodrës, që përbëhej nga: Zef Mala, Qemal Stafa, Vasil Shanto, Qamil Gavoçi, Çun Jonuzi, Tuk Jakova, Qemal Draçini, Niko Xoxi etj. Edhe ky grup mundi që të krijohet e konsolidohet në sajë të ndihmës së madhe të komunistëve malazezë, të cilët hynin e dilnin lirisht në Shkodër që nga fillimi i viteve `30, duke sjellë dhe literaturën e nevojshme bolshevike. Ky grup drejtohej nga Zef Mala, i cili pas bursës së dhënë nga Mbreti Zog, kishte studiuar për dy vjet në Fakultetin e Filozofisë në Vjenë të Austrisë, ku dhe ra në kontakt me idetë e majta evropiane me anë të literaturës që ai studionte rregullisht. Duke qenë një karakter rebel, Zef Mala mori pjesë në të gjitha lëvizjet dhe protestat e sindikalistëve vjenezë, ku dhe u arrestua nga policia si tepër aktiv. Pasi u mbajt për disa kohë në arrest për shkak të veprimtarisë së tij politike, ai u lirua dhe u detyrua që të kthehej në atdhe, pasi mbeti pa asnjë mjet jetese, për shkak se i’u pre bursa nga Ministria e Arsimit e qeverisë shqiptare, për shkak të thyerjes së statusit të studentit. Nën drejtimin e Zef Malës, Grupi Komunist i Shkodrës asokohe filloi të nxirrte dhe “Buletinin Jeshil” (u quajt kështu për shkak të kapakëve jeshil që kishte) me anë të cilit propagandonin idetë komuniste dhe hapi seksionet e tij edhe në disa qytete të tjera, si në Dibër, Kukës, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër e deri në Kosovë. Përveç Korçës dhe Shkodrës ku asokohe lëvizja komuniste pati një përhapje më të gjerë, ajo gjë u ndje dhe në Tiranë, ku në mesin e viteve `30, nxënësit e Teknikes së Fultz-it filluan që të lexonin e përhapnin literaturën bolshevike. Pas kësaj aty nga viti 1936-’37, në këtë shkollë u krijua dhe Grupi Komunist i të Rinjve, i cili kryesohej nga Anastas Lula, Sadik Premtja e Sadik Staveleci. Ndërmjet tre grupeve komuniste që asokohe vepronin të shkëputur nga njeri tjetri, kishte divergjenca të mëdha, pasi secili grup pretendonte se kishte mbështetjen e Kominternit dhe vulën përkatëse. Kjo gjë vinte për shkak të botëkuptimeve që ata kishin, ku një pjesë udhëhiqej nga idetë e majta social-demokrate liberalë të Evropës Perëndimore dhe pjesa tjetër që ishin konservatorë dhe prireshin nga e majta e Evropës Lindore dhe Bashkimit Sovjetik. Regjimi monarkik dhe personalisht Zogu, ishte kundër lëvizjes komuniste dhe mundohej ta luftonte atë, ndonëse me disa komunistë, siç ishin Tajar Zavalani, Koci Xoxe, Ali Kelmendi e ndonjë tjetër, ishte mjaftuar vetëm me ndonjë arrestim të përkohshëm apo internim që ata e kishin si vakanca.
Zef Mala krijon Partinë Komuniste në 1939-ën
Vetëm në vitin 1938, kur Lëvizja Komuniste në Shqipëri, nuk ishte më “punë kalamajsh”, Mbreti Zog u detyrua dhe arrestoi e nxori para gjyqit si të pandehur, rreth 73 komunistë të Grupit të Shkodrës me në krye drejtuesin e saj Zef Mala. Gjyqi ndaj këtij grupi, u zhvillua më 4 shkurt të vitit 1938 në sallën e madhe të Bashkisë së Tiranës dhe përveç Zef Malës, i cili u arrestua ndër të fundit nga 73 të pandehurit, në bankon e të akuzuarve ishin dhe vartësit e tij, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Qemal Draçini, Niko Xoxi etj. Zef Mala i pranoi të gjitha akuzat që i’u bënë, duke mbrojtur pikëpamjet e tij të majta dhe si rezultat i kësaj, trupi gjykues i dha dënimin maksimal, duke e dënuar me gjashtë vjet burg, kurse Qemal Stafa, Vasil Shanto e të tjerët, morën dënime më të lehta. Në vitin 1939 pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Zef Mala u lirua nga burgu i Beratit ku vuante dënimin dhe në korrikun e atij viti, ai bëri tentativën e parë për të krijuar Partinë Komuniste. Këtë gjë ai mundi që ta realizonte me sukses dhe rreth tij u mblodhën një pjesë e madhe të rinjsh që e quanin veten komunistë, kryesisht nga ish Grupi i tij i Shkodrës, të cilët ishin liruar nga burgjet. Ky grupim që konsiderohej si Parti dhe përfaqësonte rrymën e dytë komuniste (e para ishte ajo bolshevike e Moskës) që ishte futur në Shqipëri nga vendet e Evropës Perëndimore, pati një aktivitet të dendur politik deri në nëntorin e atij viti kur u arrestua dhe Zef Mala. Arrestimi i Malës erdhi pas demonstratave të mëdha që ai organizoi në disa qytete kryesore të vendit, ku kishte seksionet e saj ajo parti. Italianët e kishin Zef Malën në krye të listave për ta arrestuar që me ardhjen e tyre në Shqipëri në prillin e ’39-ës, pasi ai ishte denoncuar rregullisht pranë tyre nga disa eksponentë të majtë, që e shihnin atë si rivalin kryesor për tu vënë në krye të udhëheqjes së lëvizjes komuniste shqiptare. Pas arrestimit, italianët e mbyllën Zef Malën në kampin e Ventotenes në Itali, ku ishin të internuar dhe shumë shqiptarë të tjerë me pikëpamje komuniste. Edhe pas internimit të Malës në Ventotene, bashkëpunëtorët e tij kryesorë të Grupit të Shkodrës, si Qemali, Vasili e Tuk Jakova, jo vetëm që nuk i shkëputën lidhjet me të, por me anë të letrave, i kërkonin atij mendime se si duhet të vepronin, që të mos e ndërprisnin aktivitetin e tyre komunist. Nga internimi i Zefit, erdhi dhe dobësimi i atij grupimi politik që konsiderohej prej tyre si Parti Komuniste, pasi shokët e tij nuk kishin mundësi që të mbanin lidhje me të, gjë e cila dalë nga dale, çoi në shkrirjen e asaj partie.
Koço Tashko, në Itali në ‘41-in për Partinë Komuniste
Përpjekje për krijimin e një Partie Komuniste, asokohe pati dhe nga persona e grupe të tjera. Njëri prej tyre ishte dhe Koço Tashko, i cili kishte studiuar dhe mbaruar për dy vjet në Moskë shkollën e Kominternit, ku ishte përgjegjës i sektorit anglo-amerikan i asaj shkolle, ku studionte dhe shoku i tij, Sejfulla Malëshova. Gjergj Dimitrovi që asokohe mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kominternit, e kishte caktuar Tashkon si të dërguar nga Kominterni për Ballkanin. Pasi kishte qëndruar për dy vjet (1935-‘37) në Francë dhe Belgjikë me detyrë nga Kominterni për të organizuar emigracionin shqiptar me idetë e majta revolucionare, Tashko u dërgua në Shqipëri nga Dimitrovi, për të krijuar Partinë Komuniste. Ai mundi që të kthehet në Shqipëri me literaturën e nevojshme të Kongresit të VII-të të Kominternit, vetëm në vitin 1938, kur Mbreti Zog i fali atij dënimin me vdekje. Pas kësaj ai u vendos në Tiranë, ku hapi një kinkaleri të vogël tek rruga “Konti Çiano” në pronat e familjes së Qazim Mulletit. Veprimtarinë kryesore komuniste Tashko e zhvilloi në qytetin e Korçës, ku ishte dhe qendra e Grupit Komunist me të cilin ai mbante lidhjet. Gjatë viteve 1938-’39, Tashko zhvilloi një aktivitet të dendur politik në qytete të ndryshme, duke u maskuar si shoqërues i motrës së tij, këngëtares lirike, sopranos Tefta Tashko. Gjatë kësaj kohe me iniciativën e tij, Grupi Komunist i Korçës mundi që të krijonte në Tiranë dhe një filial të vetin dhe një nga personat që ai afroi aty ishte dhe Enver Hoxha, të cilin kur ishte në Korçë, Pilo Peristeri dhe Miha Lako, kishin refuzuar ta pranonin në grupin e tyre, për shkak të qëndrimeve tepër të dyshimta që ai kishte shfaqur. Duke pasur mandatin e Kominternit dhe duke e quajtur veten një “revolucionar profesionist”, për dy vjet me radhë (1939-‘40) Tashko punoi pa ndërprerë për të sheshuar kontradiktat tepër të acaruara që ekzistonin asokohe në mes tre grupeve komuniste. Gjatë kontakteve që Tashko ndërmori asokohe me disa nga krerët kryesorë të grupeve komuniste për sheshimin e kontraditave që ekzistonin ndërmjet tyre, ai u takua dhe me Qemal Stafën e Vasil Shanton, të cilëve i’u kërkoi që të bashkoheshin për të krijuar Partinë Komuniste. Qemali me Vasilin të edukuar me disiplinën e partisë, i thanë Tashkos, se do t`i kthenin përgjigje, pasi të konsultoheshin me kryetarin e tyre Zef Malën, i cili ishte i internuar në Itali. Për këtë gjë aty nga vera e vitit 1941, ata dërguan në Itali që të merrte kontakt me Zefin dhe ta pyeste atë se ç`mendim kishte për krijimin e një partie të re komuniste, gruan e tij, Afërditën e cila kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Francë dhe ishte një militante e vjetër komuniste që me krijimin e Grupit të Shkodrës. Zef Mala iu përgjigj atyre duke u thënë se: me Koço Tashkon dhe ata që ishin mbas tij, e shumta mund të bënin një koalicion për të luftuar pushtuesit italianë, po kurrsesi t`ju besonin fjalëve të tyre. Por pas atij hezitimi që patën fillimisht, Vasili me Qemalin pranuan të merrnin pjesë në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit të vitit 1941 ku si “ndërmjetës” për sheshimin e grupeve komuniste kishin ardhur Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç (të dërguar të Partisë Komuniste Jugosllave), e cila më pas nxori në krye Enver Hoxhën dhe në vitin 1944 ai mori pushtetin, duke e qeverisur vendin me dorë të hekurt për afro gjysëm shekulli me radhë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016