• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Tuesday, July 1, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Nga dritarja e komandës, një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve, njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe pa gjakun e vet…”! / Ana e panjohur e Revoltës së Qafë-Barit

“Zai Fundo braktisi ideologjinë komuniste që i’a kalon edhe Satanait për nga ligësia’ dhe i shkruan Imzot Fan Nolit e del hapur kundër regjimit pervers…”/ Refleksione të ish-të dënuarit politik
“Të dënuarit u nxitën nga element armiq të betuar, si Dalip Zhabolli dhe Hajredin Fratari, bir krimineli dhe sabotator, të cilët…”/ Zbulohet dokumenti i “Revoltës së Qafë-Barit”, 22 maj 1984   
“Kryetari i Degës së Brendshme Pukë, urdhëroi që vend-roja nr.1, të përdorte armën, ndaj të dënuarve, M. Leka, K. Gjordeni dhe T. Ndoja, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i Revoltës së Qafë-Barit, 22 maj ‘84
“Të dënuarit u nxitën nga element armiq të betuar, si Dalip Zhabolli dhe Hajredin Fratari, bir krimineli dhe sabotator, të cilët…”/ Zbulohet dokumenti i “Revoltës së Qafë-Barit”, 22 maj 1984   
“Nikoll Th., nga veriu, i përdorur si spiun birucash i Feçor Shehut, kishte zbuluar 5 kg. flori një tiranasi të arrestuar, shoku im, Kujtim Prendi, e rrahu për vdekje, pasi…”/ Kujtimet e ish-oficerit të Marinës
“Ndërkohë që Rexhepi shkoi rreth 25 m. larg hyrjes së galerisë dhe ngriti në krah një shtyllë betoni, u dëgjua breshëria e ‘Kallashnikovit’ dhe ai…”/ Historia tragjike e tropojanit, që u vra 4 ditë para lirimit

Nga Visar ZHITI

Pjesa e parë

Memorie.al /...Filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet “Dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? – po ja, ngaqë ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur. Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr.

-“Çfarë ka ndodhur, pse na mbajnë? Dy Nduet, Pisha dhe Nikolla, nuk kanë realizuar normën”. -“Po pse”?! – “S’kishte material dhe s’duan të kthehen të minierë, po kundërshtojnë”. E kishin gërryer materialin me lopatë, “asgja s’ka mbetun, s’lamë kokërr minerali, dyshemeja ngjan si e fshime, s’ka ma, doli dhé”! “Jo, – bërtiste policia, – duhet të ktheheni. Urdhër i komandës. Prapë në ndërresën e parë”! “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim”! -“S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën”! “Në darkë prapë”. “Jo, tani”! “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë”! “Po i kujt, yni”? – bërtisnin policët.

Gjithashtu mund të lexoni

“Gjatë atyre 64 ditëve, që unë me Pjetër Arbnorin, prisnim të na merrnin nga qelia, për të na ekzekutuar, Pjetri ishte shumë i sigurtë, që neve do të na falej jeta, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

“Duke udhëtuar nga Ura e Bunës në Shirokë, motobarka ‘Mitro Xhani’, nga ngarkesa e madhe u mënjanua dhe ranë në ujë 50 veta…”! / Dokumentet sekrete të tre ngjarjeve që tronditën Shkodrën, në ’79-ën

“Po i kujt? Juaji”! – ia kthenin të burgosurit.

Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka. Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart…!

Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës, për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën, sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? – “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi”, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…”!

U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë. Një si kënetë e ngritur lart në qiell. Ajo e ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të bjerë mbi ne pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të plakura, kafka…!

Mbështeta bërrylat mbi siprinën e pistë të tryezës së gjatë, ende e pafshirë, thërrime buke të ndërresës së parë, lëngje të derdhura, copa kocke. Edhe tryezat e tjera po ashtu. Miza të mëdha, të zeza endeshin me zukatje aspak bezdisëse. Përkundrazi, na nanurisnin vëmendjen nga ajo që do të ndodhte e, s’dihej ç’ishte. Mjafton që jemi bashkë, të gjithë.

U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar, ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira, aq sa s’njiheshin. Ata…! Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht, nuk përshëndeti, s’kishte pse.

“Ce s’e betë normën (j) uve, të dënuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë, apo s’u rri bytha rehat uve? Me uve po flas. Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin! Maskarenj, pisa”!

“Pisat e sat ëme”, – mërmëriti një zë pas meje. Zëri i oficerit të rojës binte erë groshë ushtrie, të djegura, përzier me dhjamë derri e partishmëri idiote komuniste. – “Ce, ë”? – pyeste, pa e pasur mendjen te pyetja. Sikur shkulte gozhdë të ndryshkura me sqepar, ngjirnin ato “ce”-të e tij të fëlliqura. Pu, sa fjalor i paktë, shumica fjalë banale, me dialekt Jugu e Veriu.

U bë gati të përgjigjej andej nga kreu një i burgosur nofull-shtrënguar, i lidhur me tel, prandaj dhe i spikaste vertikaliteti i leckosur. “Mos fol, – iu hakërrua polici. – Po flet oficeri i rojës. Je dhe përsëritës”! “Në çfarë”? – pyeti gjëmshëm i burgosuri. “Në faj. Në krim, – bërtiti oficeri i rojës. – Kush e hodhi dyshekun e shtetit nga dritarja, ushtari im apo ti, armiku”? Kashtë heshtjeje u përhap nëpër ajër. Oficer “Ce”-ja tha: “Zbatoni porosinë, veproni”! Goja iu hap dhe iu mbyll si të ishte lyer me graso armësh.

Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shkelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, ua dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.

“U-u-u-u-u-u-u-u-u”, – u ngrit një ulërimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë. Policët e lanë për një hop spektaklin e tyre barbar, sikur djalli t’ua kishte ndërprerë korrentin. Oficeri i rojës urdhëroi: vazhdoni, le të hungërijnë armiqtë! Rrahja rinisi më me zell e zërat tanë të përzier buçitën: “Eeeeejjjj, ç’bëëëëëniiiii”?! Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj.

– “Mjaaaft, s’keni tuuuurp”? – thirrën zërat më të guximshëm. “Kri-mi-ne-lë! Hapu, – dëgjova një gulç pranë, – çohuni”! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten.

Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzohej. Policët u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë, me fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye.

Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur, britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot. Të tjera tryeza u ngritën havadan. Dera qe bllokuar nga të burgosur.

Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash. Sportelet, ai i bukës dhe i supës, hapeshin, ndonjë nga kuzhinierët zgjaste kokën për këtej, ia shkulnin skufjen e bardhë ose garuzhdën, pastaj tjetërkush ia mbyllte me tërsëllëm sportelin nga brenda. “Mos shiko, – u ndie një çjerrje, – ç’të duhet të dalësh dëshmitar?” Gota të mbetura alumini, pjata të tjera, sende të pakuptueshme vërviteshin sa andej-këndej në ajër, përplaseshin mureve sikur një shtrëngatë burgu të qe marrosur, as ikte e as pushonte. Epilepsi.

Krrrraaaaauuuu bënin mes zhurmave të çliruara të të gjallëve tryezat që shqyheshin. Shumë të burgosur tani ishin me dru në dorë dhe kërkonin të mbërrinin ku ishte përleshja më e madhe, shtyhuni, hapu, s’e kam me ty, por me diktaturën, të hidheshin mbi policët, që s’po dinin si të mbroheshin. Qëlloheshin nga të gjitha anët, thërrisnin “mos”!

Oficeri i rojës, ndërsa përpiqej i tulatur të zbuste gjendjen, po e acaronte më tepër. “Hiquani prangat bashkëvuajtësve, ku i latë çelësat, kriminelë”?! Mensa ngjante tepër e vogël për betejën. Të gjithë pengonin njëri-tjetrin. Po të hapje krahun për të goditur dikë, ushtarak natyrisht, do të godisje një tjetër, të burgosur. – “Shqyjeni derën, shtyhuni”, palli një zë. – “Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi”!

Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anekënd. –“Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mensës. Ia nguli në bark”? “Kujt? Of-icerit…”?! Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva”! – thirri Vllas Koçi, – “Poshtë Partia e këtyre”! Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga këmbët e të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m’u duk, e ka nga fshati maskaranë, se kush klithi.

Oficeri i rojës, i çoroditur, s’po kuptonte pse urdhrat e tij s’kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi. “Si është e mundur? Ç’po ndodh?! Mosni, – kuisi, – ka pasoja të rënda kjoooo-oh”! Dhe u prapsua teksa shihte të burgosur që hidheshin mbi policët, e të burgosur të tjerë, që mundoheshin të përmbanin shokët e tyre. Po priste i pataksur të hidheshin edhe mbi të, u nëpërmend që revolver s’kishte. Pse s’lejohej ta kishte me vete mes të burgosurve? Veç këllëfi i tij bosh i varej mbi brez pa kuptim.

Më mirë, se do t’ia kishin rrëmbyer armiqtë. Po ç’të bëj? Të rri, të iki, po nga? Ku? Dolën në oborr kacafytje të tjera, të filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë. Në sallë, pa lëvizur, i vetmuar, po rrinte vetëm Zoi i Myzeqesë. “S’dal, – thoshte, – pa u dhënë urdhri. S’i shkel rregullat unë. Jam kundërshtar si Sokrati. Këtu do të rri, një orë, dy ditë, një javë, derisa të vijë urdhri”. E ngrinte zërin që të kishte dëshmitarë, se kishte thënë pikërisht kështu gjatë gjullurdisë. Punonte te motorët e ajrit, vend pëllumbash për në burg. Pupla në ajër, shkrofëtima.

Oficerit të rojës iu qas një bashkëfshatar i burgosur. – “Çdo ai, ka ndonjë hakmarrje për të kryer”? “Ik, – i tha, – mbathja, shpëto kokën! Nuk e kupton? Kryengritje! S’dihet ku do të dalë. Ik, të thashë…”!? Një urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i rojës nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u ngut drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës.

Ndjeu të thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s’e paskan me mua, iu duk se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi mendimin e mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët? – ç’pastrim i keq kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, mos ishin të burgosurit? – Mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta linçonin…? – dhe ia dha vrapit me ulërima për t’i dhënë kurajë vetes.

Do të përgjigjej që e la kapelën me yll të kuq, në dorë të armikut. Por s’kthehej dot më. Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës, një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet midis gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh!

Plumbi për fat nuk i qe futur thellë në mish. S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyhu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. -“Të dhemb”? – “Jo, më djeg pak”. – “Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun”, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më parë.

– “Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur, si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak”. –“Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë…”! -“Rroftë Flamuri pa yll”! – kishte thirrur Hysen Xhani në Spaç. – “Poshtë qeveria e Tiranës”! – “Ja vdekje, ja liri”! – u dëgjuan thirrje të tjera. – “Nuk punojmë në galeri…”! “Rroftë Bashkimi Europian”! – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?

-“Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale…”!

Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash. Edhe këtej nga ne, brenda telave me gjemba, rrëmuja po qetësohej, ndërkohë dëgjoheshin zëra të alarmuar: “Çdo të bëjmë”? -“T’i mbajmë peng policët? Lirojini robërit, o robër”, se kush thirri.

BASHKIMI I DY REVOLTAVE…!

Policët e mbetur, ashtu të shqyer dhe me vurrata të zeza në fytyrë, pa folur, morën udhën për nga porta e madhe. –“Kush i ka çelësat, kush, t’ua marrim”? –“Jo, jo, as ata s’kanë çelësa, kur futen brenda, por i kanë jashtë te komanda. Të vërsulemi, nuk duroj dot”. Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz. Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. –“Vërtet, s’ka më fare? Çfarë? Policë. Jo, jo…”!

“Të li-rë”!?… Na kapi një ndjenjë e flatërt, mund të fluturonim tani, pa policë, sa bukur, të lirë brenda robërisë sonë, qielli epohej, gati të binte. Shikoi retë. More shikomë nga pas kurrizit, mos po më dalin flatra? Rrëmuja po shqetësohej ndryshe. Pa panik, po as e urtë, herë kalonte andej, herë shpërngulej matanë. Ç’të bëjmë tani? Më të zellshmit, ndezësit e këtij rebelimi, po kërkonin ata të dikurshmit, të mbeturit gjallë nga revolta e Spaçit, rebeluesit e mëdhenj.

-“Ah, ç’revoltë ishte ajo! Ku jeni, pse s’ngjalleni tani? Pse kaq të nemitur? Jo të gjithë, jo”, – kryet e rëndë në heshtje. “Spiro Nasho, fol”! Shihnin me sy si të përqarët dhe enigmatikë. – “Të thashë, jo të gjithë. E dimë ne se çdo të ndodhë”, – dukej sikur thoshin. – “As varrit s’ia rrëfejmë dot, ç’na kanë bërë këta atëherë”. – “Mbushni ujë, le të jetë për çdo rast…” – mërmëriti Spiroja, por kur Napoleoni…! –“O, e di, e di…! Në Spaç derdhnim kazanët me gjellë te këmbët e policëve, si shenjë proteste. Se qeveria, a partia, a ç’dreqin e sundon këtë vend, kundërshtoi Helsinkin, firmosjen e Kartës së Madhe për Bashkimin dhe Sigurimin Europian. E quajti farsë kapitalisto-revizioniste…”!

Natën shkruanim mureve të burgut parulla kundër: “Poshtë komunizmi dhe Enver Hoxha”! “Rroftë liria, Europa, Amerika”! Një kryengritës i ri tundte nga krahët shokët – ngadalë se më shqeve edhe më – të ngremë një barrikadë, thoshte, mbi udhën nga do të vijnë policët dhe oficerët e komandës. –“Të vëmë tryezat e mensës, stolat, dyshekët, barakën e berberit, kazanët e mensës, stendat e emulacionit, bibliotekën të gjithë, trupat tanë”.

Ndodhi ajo që s’do të besohej kurrë. Të burgosurit zbythën një dyndje policësh, donin të hynin në kamp, të paarmatosur ishin; por u plogështuan menjëherë, ndërsa binin mbi ta gurë, pjata, sharje, libra të trashë të Enverit. Policët morën urdhër të prapseshin. Gjendja diku lehtësohej dhe menjëherë rëndohej diku tjetër, si për baraspeshë. Bëheshin dhe zhbëheshin grupe të burgosurish, liria e të cilëve tani dukej sikur kishte përsipër një si rrjetë, tyl të zi… vejushash. –“Poezi do të shkruash ti kështu”? “Ju na i veshët gratë me të zeza”! – u përsërit jehona e kësaj thirrjeje.

Flitej me zë të lartë, na kishte marrë malli për zërat tanë. Ç’shpresë kishte e ç’mund të bëhej? – “Të bëjmë atë që na takon”. – “Çfarë, thuaje”. – “Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve nuk na vrasin dot…! Ja vdekje, ja liri”! – “Nga erdhi kjo britmë prapë, ç’kryengritës e sollën”? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e tani buçiti para meje, përbetim i gjallë! – “Ku jemi, në Spaç, në revoltë? Si atje…! Do ta ngremë prapë flamurin”? U gjend dikush që dha një urdhër: “Ti, ti, ti, shkoni me vrap në lavanderi e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët, kazanët dhe tenxheret.

T’i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do të shkoj dhe unë”,- tha Skënder Tufa, më i riu, por fare i dobët, sa as në galeri nuk duhej ta futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet, por ai shtynte vagonë me mua. – “Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, – tha, – grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim…! Ata do të presin ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa ujë pesë ditë…! Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe te berberi, të mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdat. Dhe dërrasat e shqyera. Grumbulloni gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë. Ia vlen të vdesim si kryengritës, jo si të burgosur…! Di unë ku ka gurë e tulla shumë, shembim murin. Si u bë i plagosuri? Jashtë rrezikut”. Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Dhionis Karbunarën, ish-këshilltarin e konsullatës italiane, e torturonin që të tregonte vlonjatët që kishin marrë para për pushtimin e Shqipërisë, por Hysni Kapo, i tha...”/ Dëshmia e rrallë e ish-ballistit nga Vlora

Next Post

“Kur Klubi ‘Bashkim e Përparim’ në Vlorë u pajtua me qëndrimin e xhonturqve, të cilët e izoluan Ismail Qemalin, si i burgosur në shtëpinë e tij, atëhere Saliu...”/ Historia e panjohur e patriotit vlonjat, Hallkokondi

Artikuj të ngjashëm

“Tiranasi që i kërkoi komandantit të rrinte më shumë në qeli, pasi…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, për historitë e çuditshme në burgjet e Enver Hoxhës
Dossier

“Gjatë atyre 64 ditëve, që unë me Pjetër Arbnorin, prisnim të na merrnin nga qelia, për të na ekzekutuar, Pjetri ishte shumë i sigurtë, që neve do të na falej jeta, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

June 30, 2025
Dossier

“Duke udhëtuar nga Ura e Bunës në Shirokë, motobarka ‘Mitro Xhani’, nga ngarkesa e madhe u mënjanua dhe ranë në ujë 50 veta…”! / Dokumentet sekrete të tre ngjarjeve që tronditën Shkodrën, në ’79-ën

June 30, 2025
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
Dossier

“Kur kryetari i trupit gjykues, Llazi Polena, na komunikoi vendimin, ku unë dhe Pjetër Arbnori, ishim dënuar me vdekje, me pushkatim, menjëherë ndjeva se…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

June 29, 2025
“Duam të ndërtojmë një aerodrom më në Veri, për të goditur në thellësi të Jugosllavisë, – na thanë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Beqir Ballukun…”/ Dëshmia e rrallë e specialistit të aerodromeve ushtarake
Dossier

“Duam të ndërtojmë një aerodrom më në Veri, për të goditur në thellësi të Jugosllavisë, – na thanë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Beqir Ballukun…”/ Dëshmia e rrallë e specialistit të aerodromeve ushtarake

June 28, 2025
“Për ish-oficerin e Marinës, xha Dauti tha; Larg spiunit, është hafije i Sigurimit, mos e afro, se sa ka ardhur ai në burg, veç birucë më birucë ka bredhur! Turpi i Beratit dhe…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik   
Dossier

“Kryetar i trupit gjykues në gjyqin tonë, ishte Ll. Polena, me ca veshë si opingë, prokuror S. Kapllani, kurse antar, R. Nepravishta, një kapadai, që hiqej si intelektual, pasi ai…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

June 28, 2025
Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare
Dossier

Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare

June 28, 2025
Next Post
“Mbledhja e parë e Kuvendit, u hap më 28 nëntor 1912, në ora 4 pasdreke, në shtëpinë e Xhemil Beut, kushëririt të Ismail Qemalit, i cili…”/ Ana e panjohur e shpalljes së Pavarësisë

“Kur Klubi ‘Bashkim e Përparim’ në Vlorë u pajtua me qëndrimin e xhonturqve, të cilët e izoluan Ismail Qemalin, si i burgosur në shtëpinë e tij, atëhere Saliu...”/ Historia e panjohur e patriotit vlonjat, Hallkokondi

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme