Rrëfimi nga Ilya Zhegulev
Kontribuoi në këtë rrëfim Konstantin Benyumov
‘Më kryqëzoni këtu’ Jeta post-presidenciale e Mikhail Gorbachev
Memorie.al / Për një shekull, udhëheqësit e qeverive sovjetike dhe ruse, ose vdiqën pa lënë postet e tyre, ose u larguan nga pushteti për një pension të qetë dhe u mbyllën në jetën e tyre private. Përjashtimi i vetëm nga ky rregull ka qenë i fundit, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Sovjetike dhe presidenti i parë i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Sergeyevich Gorbachev. Pasi dëshmoi kolapsin e vendit, që drejtonte dhe i’a dorëzoi pushtetin njërit prej kundërshtarëve të tij politikë, Gorbaçovi përdori statusin e tij, si një nga politikanët më të njohur në botë, për të siguruar jetesën e tij dhe për të mbledhur fonde gjerësisht, për projekte kërkimore dhe shërbimi në dobi të njerizimit. Në këtë proces, ai gjithashtu bëri përpjekje të shumta, për të rifituar autoritetin politik në atdheun e tij. Në 27-vjetorin e rënies së Bashkimit Sovjetik, korrespondenti i ‘Meduza’, Ilya Zhegulev, raportonte se si ish-udhëheqësi sovjetik, e ka kaluar kohën e tij në pension.
Zoti Gorbachev, më kujton mua?
Para Mikhail Gorbachev qëndronte një burrë i veshur me një kostum të shtrenjtë. Ishte Mikhail Khodorkovsky, njeriu më i pasur në Rusi dhe kreu i kompanisë më të madhe të naftës në vend, ‘YUKOS’. Takimi i tyre, siç zbuloi ish-presidenti sovjetik në librin e tij, ndodhi afër fundit të shekullit të njëzetë e një, kur Khodorkovsky kishte arritur zenitin e fuqisë së tij. Unë mbetem optimist,
“Epo, më kujtohet”, u përgjigj Gorbachevi. “Por a më kujton mua”?
Shumica e krerëve të qeverive sovjetike sunduan deri në vdekjen e tyre, ose si Nikita Hrushovi, nuk kishin zgjidhje për t’u larguar nga politika. Presidenti i parë dhe i fundit i BRSS-së, Mikhail Gorbachev, nënshkroi letrën e tij të dorëheqjes, në dhjetor të vitit 1991, pasi kaloi gjashtë vjet në krye të qeverisë së vendit të tij. Siç kujtoi më vonë Gorbaçovi, dorëheqja në fakt e bëri atë të qeshte – dukej sikur po pushonte.
Gorbachev dha dorëheqjen disa javë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Belavezhës, e cila zëvendësoi Bashkimin Sovjetik me Komonuelthin e Shteteve të Pavarura. Që atëherë, ai ka jetuar për të parë zhvillimin e Rusisë post-sovjetike, pasuese e shtetit që ai qeveriste, në të gjitha fazat e saj të panumërta. Ai pa Mikhail Khodorkovskyn, të bëhej një nga njerëzit më me ndikim në vend dhe e mbrojti atë, kur u dërgua në një koloni burgu siberian. Ai ende nuk ka bërë paqe me kundërshtarin e tij kryesor politik, Boris Yeltsin, i cili zuri vendin e Gorbaçovit në Kremlin, por ai mori pjesë në funeralin e Jelcinit dhe qëndroi në rresht, së bashku me të gjithë të tjerët edhe në turmë u drejtua në hyrje të VIP-ave. Marrëdhënia e tij me Vladimir Putinin, ka ndjekur një hark të lëkundur nga respekti i ekzagjeruar, deri në indiferencën sfiduese. Ai ka punuar në politikë, filantrop dhe zhvillim mediatik, por ka mbetur gjithmonë më i kërkuar dhe më popullor në Perëndim, sesa në atdheun e tij.
Duke lënë mënjanë dramën politike, ish-presidenti 87-vjeçar, bën udhëtimin pothuajse çdo ditë jave, prej shumë kohësh, nga shtëpia e tij, (në ish-vendin e Ministrit Sovjetik të Bujqësisë, në autostradën Rublyovskoye), për në zyrën e fondacionit të tij, në autostradën ‘Leningradskoye’. Gorbachev jeton vetëm. Anëtarët e familjes së tij, janë shpërngulur të gjithë në Gjermani dhe ish-udhëheqësi i BRSS-së, merr ndihmë në shtëpi, vetëm nga një shërbëtore e punësuar dhe agjentët e Shërbimit Mbrojtës Federal, të cilët janë caktuar me ligj, për ish-presidentët.
Ndonjëherë, agjentët përballen me probleme që për dikë në linjën e tyre të punës, mund të jenë aspak të parëndësishme. “Vetëm sot, po largohesha nga shtëpia dhe ngrita sytë, tavani po rridhte dhe po vërshonte kudo”, tha ish-presidenti për ‘Meduza’. Ai pranoi se gjatë gjithë viteve të qëndrimit në shtëpi, nuk ka porositur një here, riparime gjithëpërfshirëse. “Jo shumë kohë më parë, u ktheva në shtëpi dhe kishte katër kova të vendosura në dysheme, për të pritur ujë,” tha ai.
PJESA 1
Duke ecur nëpër pyll
Në dhjetor të vitit 1991, presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste Ruse, Boris Jelcin, u largua nga Moska për në pyllin Belavezha, për t’u takuar me kolegun e tij bjellorus, Stanislav Shushkevich. Një delegacion ukrainas ishte planifikuar të bashkohej me ta. Politikanët synonin të diskutonin, ndër të tjera, një marrëveshje të re midis tre republikave, që ishte projekti kryesor i Gorbaçovit në atë kohë. Qëllimi i tij ishte të shpëtonte BRSS-në, duke forcuar të drejtat e nënshtetasve të saj. Këto subjekte, nga ana tjetër, kishin pak entuziazëm për marrëveshjen, veçanërisht pas përpjekjes së pasuksesshme të grushtit të shtetit të gushtit 1991, kur anëtarët e Partisë Komuniste të linjës së ashpër, i’u përgjigjën përpjekjeve të Gorbaçovit për të decentralizuar BRSS-së, duke u përpjekur ta rrëzonin atë. Para largimit të tij, Jelcin u ndal në zyrën e Gorbaçovit. Ky i fundit më pas kujtoi fjalët e tij të ndarjes si vijon: “Flisni me ta, veçanërisht Kravchuk. Ukraina duhet të jetë pjesë e kësaj – pa to, nuk mund të ketë Bashkimi Sovjetik”.
Më 8 dhjetor, një ditë para se të mbahej një ceremoni nënshkrimi për marrëveshjen e re në Moskë, Jelcin, Kravchuk dhe Shushkevich, përfunduan negociatat e tyre dhe shpallën ‘Marrëveshjen e Belavezhës’, e cila diktonte se qeveria e BRSS-së, do të pushonte së ekzistuari.
Gorbachevi, presidenti i asaj qeverie, nuk u përpoq të përdorte forcën, për të mbajtur veten në pushtet. “Unë mendoj se e gjithë kjo, ishte një erë, si një luftë civile”, shpjegon ai. “Do të dukej sikur kisha marrë masa ekstreme, për të mbajtur postin tim, kur çështja duhej të ishte vendosur në mënyrë demokratike”. Në fillim, Gorbaçovi shpresonte që ‘Marrëveshja e Belavezhës”, të mos ratifikohej nga parlamentet lokale të përfshira, por shpresa e tij ishte e kotë: edhe Partia Komuniste Ruse votoi pro, megjithëse Gorbachevi më vonë pretendoi se një udhëheqës i partisë, Genadi Zyuganov, bëri përpjekje të jashtëzakonshme, për të bindur kolegët e tij, për të nënshkruar (një akuzë për Zyuganov, i cili mbetet lider i Partisë edhe sot e kësaj dite, e ka mohuar).
Më 25 dhjetor 1991, Mikhail Gorbachev, po shoqërohej nga një mori intervistash me gazetarë rusë dhe ndërkombëtarë. Në vazhdën e atij publiciteti, ai gjeti kohë për telefonata private me liderët e tjerë botërorë (thirrja e tij e fundit ishte me presidentin e atëhershëm të SHBA-ve, George H.W. Bush). Më pas, atë mbrëmje, ai mbajti një fjalim televiziv dhe njoftoi se do të largohej nga posti i tij si president i BRSS-së “si një çështje parimore”.
“Linja e argumentit që favorizon copëtimin e këtij vendi dhe shpërndarjen e qeverive të tij, ka mbizotëruar dhe unë nuk mund të pajtohem me të,” tha ish-sekretari i përgjithshëm i një Partie Komuniste Sovjetike, që tashmë nuk ekzistonte më. Gorbachev nuk e kishte paralajmëruar Jelcinin para kohe për përmbajtjen e fjalimit të tij dhe Jelcini u inatos, aq sa nuk e lejoi Gorbaçovin, t’ia dorëzonte personalisht çantën bërthamore sovjetike. Aleksandr Korzhakov, i cili atëherë ishte truprojë i Jelcinit, kujton momentin kur gjenerali i KGB-së, Viktor Boldyrev, thjesht hyri në zyrën e shefit të tij duke mbajtur çantën dhe i kërkoi një sekretari, që t’i thërriste Jelcinit ta merrte atë.
Gorbaçovit iu dha një javë kohë, për t’u larguar nga zyra e tij presidenciale, apartamenti dhe vila e tij. Megjithatë, pas vetëm dy ditësh, ndërsa ish-presidenti ishte në rrugën e tij për në Kremlin, për një intervistë me gazetarët japonezë, një roje sigurie i telefonoi dhe i tha atij, se Yeltsin, sekretari i atëhershëm i shtetit, Genadi Burbulis dhe Kryetari i Sovjetit Suprem, Ruslan Khasbulatov, ishin ulur të gjithë në zyrën e tij dhe po pinin. Gorbaçovi anuloi intervistën e tij dhe i kërkoi shoferit të tij, të kthehej dhe të shkonte në shtëpi.
Në vitin 1992, Mikhail Gorbachev, u bë një qytetar privat. Apartamenti i tij qeveritar, (me tre dhoma) në rrugën “Kosygin” duhej të boshatisej me nxitim, dhe Gorbachev më vonë u ankua, se ndërsa po ngarkonte makinën e tij, “të gjithë këta tipa të dyshimtë, po vërshonin për një lloj kontrolli – ata menduan se Gorbachev, mund të ishte duke vjedhur pronën e qeverisë”. Sipas Dmitry Muratov, themeluesi i gazetës së respektuar të pavarur “Novaya Gazeta” dhe një mik i mirë i Gorbachev-it, këta oficerë humbën një tryezë të vogël, të bërë me thupër kareliane në numërimin e tyre të parë, por më vonë e gjetën të paprekur.
Udhëheqësit e Komonuelthit të ri të Shteteve të Pavarura, vendosën të lejojnë Gorbachev-in, të mbajë truprojat e tij, automjetin e tij zyrtar dhe një apartament në të njëjtën ndërtesë, në rrugën “Kosygin”. Ky apartament i’u shit në fillim të viteve 2000, kompozitorit Igor Krutoy; por Gorbachev u zhvendos me familjen e tij, në një vilë në Kalchuga, një fshat në autostradën Rublevo-Uspenskoye. Ishte e njëjta vilë ku kishte jetuar, kur u zhvendos nga Stavropol në Moskë, shumë përpara se të bëhej sekretar i përgjithshëm.
Gorbachev i kaloi 26 vitet e ardhshme në atë shtëpi dykatëshe. Kati i parë kishte një kuzhinë dhe një dhomë ngrënie, kati i dytë dy dhoma, zyre dhe një dhomë gjumi. “Është dhjetë herë më e vogël, se të gjitha shtëpitë e tjera pranë saj, në autostradë. Nuk është thjesht modeste – është një shtëpi, që thjesht bërtet për modesti”, tha Muratov, një mysafir i shpeshtë në shtëpinë e Gorbachev-it. Siç raportoi gazetari amerikan, William Taubman, në biografinë e tij të fundit, të presidentit sovjetik, “vajza e Gorbachev-it, Irina, tha se ndërtesa nuk ishte vetëm modeste, por në gjendje shumë të keqe. Qeveria, megjithatë, refuzoi ta riparonte atë dhe Raisa Maksimovna Gorbacheva, zonja e parë e fundit e Bashkimit Sovjetik, refuzoi të ulte veten në nivelin e kërkimit të ndihmës”.
Nga ana e sipërme, vila e vjetër sovjetike, ishte e rrethuar nga pothuajse dhjetë hektarë pyll me pisha. Në javët pas dorëheqjes së tij, Gorbachev dhe gruaja e tij, bënin shëtitje çdo ditë rreth një shtegu rrethor, në perimetër 0.6 milje – dhe ato shëtitje të përditshme një orëshe në pyll, u bënë një zakon afatgjatë për çiftin. Heshtja absolute që mbretëroi në shtëpinë e Gorbachev-it, ishte në kontrast të fortë me jetën e përditshme të Mikhailit, në vitet e mëparshme.
Siç kujton Irina Gorbacheva në librin e Taubman-it, zilja e telefonit që e shqetësonte, dukej se u qetësua menjëherë. Edhe disa njerëz që Gorbachevi i konsideronte miq të ngushtë, dukej se e harruan atë. Një laureat i Çmimit ‘Nobel’ për Paqe, njeriu i parë në historinë moderne të vendit të tij, që hoqi dorë vullnetarisht nga pushteti, i’u desh të rifillonte jetën e tij shoqërore praktikisht nga e para.
PJESA 2
Shkolla e Leninit
Në fund të vitit 1991, kur Gorbachev-it ju bë e qartë, se dorëheqja e tij ishte e pashmangshme, presidenti i luftuar filloi të mendonte për të ardhmen e tij. Ai vendosi të ndiqte shembullin e presidentëve të fundit amerikanë: Ai do të krijonte qendrën e tij kërkimore, një forum për të rimenduar të kaluarën dhe për të analizuar të tashmen. Ai e quajti atë “Fondacioni për Kërkime Socio-Ekonomike dhe Politike”, megjithëse do të njihej thjesht, si “Fondacioni Gorbachev”. Boris Jelcin, siguroi disa nga burimet e nevojshme, për themelimin e tij.
Pavarësisht tensioneve që vazhduan mes dy politikanëve, presidenti i ri i Rusisë, shpresonte të ndahej me paraardhësin e tij, në kushte të mira dhe ai i dha Gorbachev-it, përdorimin e plotë të Institutit të Shkencave Sociale. Instituti kishte qenë më parë një universitet, nën kontrollin e divizionit ndërkombëtar të Komitetit Qendror, – qëllimi i tij praktik, ishte të krijonte personel për partitë komuniste, në të gjithë botën. Për këtë arsye, ajo njihej edhe si “Shkolla Ndërkombëtare e Leninit”.
Gorbachevi kishte në dispozicion një ndërtesë të madhe në “Leningradsky Prospect”, me të gjithë stafin e saj të pa ndryshuar: “750 punonjës që kishin ende paga qeveritare”, tha një burim i afërt me ish-sekretarin e përgjithshëm. “I gjithë Instituti i Shkencave Sociale, u shndërrua në “Fondacionin për Kërkime Sociale dhe Politike”, shpjegoi Pavel Palazhchenko, përkthyesi i Gorbaçovit, i cili ka punuar për fondacionin që nga themelimi i tij. “Ne zbritëm marksizmin dhe leninizmin, dhe doli që të gjithë këta, ishin njerëz mjaft kompetent”. Sipas Vladimir Poliakov, mikut të Gorbachev-it dhe sekretarit shumëvjeçar të shtypit, vetë Gorbachevi, siguroi disa nga fondet fillestare të organizatës, por qeveria pagoi për të gjithë punonjësit dhe objektet e saj. Poliakov, kujton se një numër njerëzish e këshilluan Gorbachev-in, të privatizonte pronën e fondacionit, por ai nuk pranoi.
Jelcin i dha Gorbachev-it institucionin që donte, me një kusht: ish-presidenti premtoi të mos kthehej në politikë (vetë Jelcin e bëri publik premtimin e Gorbachev-it, në një konferencë shtypi në Tashkent). Megjithatë, nga këndvështrimi i presidentit të ri të Rusisë, Gorbachevi e theu këtë premtim, kur filloi të lëshonte kritika të mprehta, ndaj regjimit të ri. Qysh në mars të vitit 1992, ai shpalli vlerësimin e tij, duke thënë se: “vendi ka nevojë për mua” dhe jo shumë kohë më pas, solli shembullin e fatit të Charles de Gaulle, i cili iu bashkua forcave opozitare, në vitet e fundit të karrierës së tij dhe përfundimisht u kthye në pushtet në Francë, si rezultat: “Charles de Gaulle, e rifitoi pozicionin e tij si kreu i shtetit, kur ishte në moshën 68 vjeç”, tha Gorbachev në një intervistë për “Nezavisimaya Gazeta” (Gazeta e Pavarur). Ai shtoi, “unë jam vetëm 61 vjeç”.
Doli se Gorbachevi e kuptoi premtimin e tij ndaj Jeltsin-it, në të njëjtën mënyrë, siç e kuptoi Mikhail Khodorkovsky, premtimin e tij, ndaj Putinit, kur Khodorkovsky tha se do të qëndronte jashtë politikës, pasi të lirohej nga burgu në 2013-ën. Gorbachev donte të thoshte se ai nuk do ta përdorte fondacionin e tij, për të formuar një parti politike, por ai nuk ka dashur të thotë se: nuk do të flasë për aktualitetin. Jelcini shpejtoi të ngulte këmbë mbi këtë akuzë: më 2 qershor 1992, sekretari i tij i shtypit, Vyacheslav Kostikov, akuzoi Gorbachevin, “për destabilizimin e gjendjes sociale dhe politike të vendit” dhe njoftoi se presidentit, do t’i duhej “të merrte disa të masa të nevojshme dhe plotësisht ligjore, për të parandaluar dëmtimin e rrjedhës aktuale, të reformës kombëtare”.
Në të vërtetë, “masa e caktuara” pasuan shpejt: shoqëruesi privat i Gorbachev-it, u hoq nga shërbimi i tij dhe makina e tij “presidenciale” e markës “ZIL”, u zëvendësua me një “Vollgë” modeste, në pronësi të shtetit. Gorbachevi nuk kishte mundësi t’i blinte vetes një makinë të re: truprojat e tij të caktuar, nuk e lejuan atë të blinte ndonjë automjet, që nuk ishte i çertifikuar nga Kremlini. “Zoti Gorbachev ishte në një udhëtim në Gjermani dhe atij i’u dha “Mercedesi”, që kishte marrë me qira atje, si dhuratë. Makina u transportua në Moskë, por nuk kishte asnjë mënyrë, që ai ta përdorte atë”, kujton Poliakov. “Makina duhej të licencohej nga agjencia që ruante (Gorbachevin) dhe ata refuzuan t’ia jepnin atë licencë”.
Përplasja vazhdoi. Në shtator 1992, Gorbachevi refuzoi të dëshmonte në gjykatë, mbi kushtetutshmërinë e urdhrit të Jelcinit, për suprimimin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ai shkroi një letër të hapur, për të thënë se një veprim i tillë: “mund të sinjalizojë një shtypje të mospajtimit dhe të rifusë në një atmosferë, në të cilën persekutimi i bazuar në pikëpamjet politike edhe një herë, bëhet i pranueshëm”. Në një intervistë me David Remnick, asokohe korrespondent i “The Washington Post”, ish-presidenti u shpreh edhe më troç: “Unë nuk kam ndërmend të marr pjesë në atë gjyq marrëzie”!
Në fund të tetorit, Jelcini ja dorëzoi papritur Institutin e Shkencave Sociale (ku ishte vendosur “Fondacioni Gorbachev”) Akademisë Financiare dhe objektet e Fondacionit, u reduktuan ndjeshëm në madhësi nga 54.000 metra katrorë, në rreth 7.500 metra katrorë. Dhomat përtej asaj hapësire, u mbyllën dhe policia ishte vendosur te dyert e saj. Lëvizja e Fondacionit nga ato hapësira, ndihej si një detyrë speciale: Drejtori i Punëve të Brendshme të Moskës, Arkady Murashov, madje e mbikëqyri vetë procesin.
“Ata nuk lanë askënd të hynte”, kujtoi sekretari i shtypit i Gorbachev-it. “Arritëm në punë atë mëngjes dhe të gjithë qëndruam në shkallë. Në atë kohë nuk kishte telefona celularë. Megjithatë, kishte një kabinë telefonike, në këndin përballë ndërtesës dhe unë e përdora atë, për të thirrur të gjithë gazetarët”. Gorbachev-it i’u desh t’i informonte, po ata gazetarë që nga shkallët, që të çojnë në hyrje të ndërtesës.
“Ishte në ato ditë, – kujton Palazhchenko, – që Gorbachev-it iu mor pasaporta e jashtme, duke e bërë të pamundur udhëtimin ndërkombëtar. Gjykata Kushtetuese e Rusisë e kishte ndaluar ish-presidentin, të largohej nga vendi, për shkak të refuzimit të tij për të bashkëpunuar në gjyqin, në lidhje me ndalimin e Jelcinit ndaj Partisë Komuniste Sovjetike, por Gorbachevi dhe aleatët e tij, ishin të sigurt se, Gjykata kishte edhe motive të tjera. Popullariteti që lideri i fundit i BRSS-së, ende komandonte jashtë vendit, e la Jelcinin, jashtëzakonisht të frustruar: ai besonte se Gorbachevi, udhëtoi ndërkombëtarisht me qëllimin specifik, për të organizuar liderët botërorë, në kundërshtim me të.
Në të njëjtën kohë, presidenti i ri rus, nuk kishte dëshirë të prishte marrëdhëniet e tij ndërkombëtare, për shkak të një grindjeje, me një kundërshtar politik të brendshëm. Kur Gorbachevi u ftua disa javë më vonë në funeralin e politikanit gjerman, Willy Brandt, Ministria e Brendshme, ia ktheu pasaportën. Faza më e zjarrtë e konfliktit përfundoi aty, por “Fondacioni Gorbachev”, që atëherë është vetëfinancuar dhe mbetet pa një seli të plotë.
Për disa vite, Gorbachevi donte të ndërtonte objektet e tij, për fondacionin pranë pronës së tij, me qira në autostradën “Leningradskoye”, por ai nuk kishte kapital të mjaftueshëm edhe me akses në një linjë kredie, nga Deutsche Bank. Një mik i vjetër i Gorbachve-it, milioneri amerikan dhe themeluesi i CNN, Ted Turner, ndërhyri për t’a ndihmuar. Siç zbuloi Taubman, në librin e tij, Gorbachevi u takuan me Turner dhe Jane Fonda, (të cilët ishin martuar në atë kohë), në Kaliforni, në vitin 1997. Gjatë takimit, Raisa Gorbacheva, nuk mundi t’i frenonte shqetësimet e saj, për pengesat financiare të burrit të saj.
“Ted pyeti shumë drejtpërdrejt, se sa para do t’u duheshin për ndërtimin e ndërtesës”, tha Pat Mitchell, një menaxher i lartë i CNN dhe organizator jofitimprurës, i cili ishte i pranishëm gjatë takimit. “Presidenti Gorbachev, nuk u përgjigj menjëherë. Ai vazhdoi ta shikonte Tedin drejt e në sy, ndërsa Raisa, shpjegoi në mënyrën e saj të qetë, por bindëse, se një milion dollar, do t’i lejonin ata të vazhdonin të punonin. Ted i hodhi një vështrim Xhejnit – ajo tundi kokën, për të treguar mbështetjen e saj dhe kjo ishte ajo”. Raisa Gorbacheva, krijoi gjithashtu një skicë arkitekturore, për ndërtesën dhe dizajnoi brendësinë e saj, e cila mbetet e pandryshuar edhe sot e kësaj dite. Memorie.al
Marrë nga meduza. io
Shqipëroi Sara Molla
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016