• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Thursday, March 23, 2023
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kalendari Historik
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kalendari Historik
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Intervista

“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri

“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri
“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri
“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri
“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri
“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri
“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri
“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri
“Në ’86-ën i kërkova Ramizit të dënonte figurën e Enverit si agjent i ‘Deuxième Bureau’ franceze që…”/ Dëshmia Koçi Lubonjës ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, që e mbyllën në Psikiatri
25
Shares
7.5k
VIEWS

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të ish-majorit të Sigurimit të Shtetit, Koçi Lubonja, i cili pasi kishte dalë partizan që në moshën 17 vjeçare, me gjithë vëllezërit e motrat, duke luftuar si komandant kompanie në Brigadën e IV-të Sulmuese, për çlirimin e Tiranës, pas vitit 1944 shërbeu si Komandant i Burgut të Tiranës dhe më pas si Shef i Sigurimit të Aviacionit Luftarak, e pedagog në Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit në Sauk të Tiranës.

Si e çmobilizuan Koçin nga radhët e Sigurimit të Shtetit, pas qëndrimit që ai mbajti në Konferencën e Partisë së Tiranës në vitin 1956, ku ai bëri pyetjen se: në çfarë ligjesh ishte mbështetur arrestimi i Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, gjë e cila u bë shkak, që ndaj tij të përgatiteshin prangat, por mundi që të shpëtonte vetëm pse ishte i vëllai i Xhaferr Cenko Lubonjës, “Dëshmor i Atdheut” dhe themeluesi i Armës së Sigurimit të Shtetit. 

Si mundi që të punonte Koçi si Jurist në Ndërmarrjen e ALB-IMPORTIT, deri në vitin 1975 që e dërguan në Librazhd, ku e përjashtuan nga partia dhe po përgatitej arrestimi i tij, si “agjent dhe armik i popullit”, pasi për nevoja pune, kishte shoqëruar në disa qytete një bullgar, me bashkëshorten e tij hollandeze.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në Degën e Brendshme të Durrësit, ndërhyra për dy mësues nga Vlora, të cilët akuzohehsin se kishin kapur dy vajza nga Elbasani dhe…”/ Dëshmia e rrallë e Xhaferr Kananit, që sfidoi regjimin komunist

“Në Degën e Brendshme të Shkodrës, u paraqita si major i Sigurimit, i dërguar me shërbim nga Kadri Hazbiu dhe ata…”/ Dëshmia e rrallë e Xhaferr Kananit, që sfidoi regjimin komunist

Si iu akumuluan Lubonjës, pakënaqësitë ndaj regjimit komunist dhe figurës së Enver Hoxhës, deri sa në vitin 1986, ai i shkroi një letër të gjatë, anonime prej 56 faqesh Ramiz Alisë, duke i kërkuar që të dënonte figurën e Enver Hoxhës, gjë e cila solli dhe arrestimin e e dënimin e tij, duke e mbyllur si “të papërgjegjshëm mendërisht” në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, (pas një “pakti” mes Hetuesisë dhe mjekëve që u kundërshtua nga Zylyftar Ramizi),  nga ku u lirua vetëm në nëntorin e  vitit 1989.

Nga analiza e veprimtarisë së Enver Hoxhës dhe nga verifikimi i së kaluarës së tij, kam arritur të nxjerr përfundimin e pa kontestueshëm, që: ai ka qenë një agjent i spiunazhit francez (“Deuxième Bureau”). E vërteta është se Enveri u aktivizua në Francë, por jo në favor të komunizmit, por në shërbim të zbulimit francez, sipas udhëzimeve dhe detyrave të ngarkuara prej tij. Gjithë jeta e Enverit, është e dyshimtë dhe me një mori pikëpyetjesh të pashpjegueshme. Të gjithë e kanë ditur se vendi i Sekretarit në Konsullatën e Brukselit, ishte posti organeve të spiunazhit dhe detyrë e tij funksionale, për të cilën  paguhej, për të shkatërruar lëvizjen e majtë. Ai nuk ka marrë pjesë asnjëherë në grupet e majta komuniste të Francës dhe as ka shkruar kurrë në gazetat ”Sazani” dhe “Ymanite”. Këtë e ka pohuar edhe komunisti dhe militant Qamil Çela, i cili nuk pranoi të shkruante ato gënjeshtra në “Zëri i Popullit”, kur ja kërkuan. Pikërisht se nuk pranoi të lëshonte ato deklarata të pathemelta për Enver Hoxhën, ai u internua dhe vazhdon të persekutohet mizorisht“.

Këto pohime dhe të tjera për figurën e Enver Hoxhës, ju bënë Ramiz Alisë më 11 tetor të vitit 1986, me anë të një letre të gjatë prej 56 faqesh, nga Koçi Lubonja, ish partizan me funksione drejtuese dhe pas Luftës, komandant i Burgut të Tiranës, Shef i Sigurimit të Aviacionit Shqiptar me gradën e majorit dhe pedagog në Shkollën e Sigurimit të Shtetit e jurist në ALB-IMPORT.

Lidhur me këto e peripecitë që i erdhën prej saj, si dhe ngjarje të tjera nga jeta e tij, që nga koha kur komandonte një kompani partizanësh në çlirimin e Tiranës, e deri në fundin e viteve 80-të, kur përfundoi qelive të Sigurimit të Shtetit, i akuzuar si “armik i popullit”, na njeh një intervistë që i’a kemi marrë Koci Lubonjës, vite më pare, të cilën po publikojmë ekskluzivisht për Memorie.al.

Zoti Lubonja, fillimisht diçka për origjinën e familjes suaj?

Unë kam lindur në prill të vitit 1925, në fshatin Lubonjë të Korçës, prej nga është dhe origjina e familjes sime. Babai im Avdurraman Lubonja, ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Petro Nini Luarasit dhe së bashku me të në vitin 1905, kanë ngritur në Ohio të SHBA-së, të parën shoqëri patriotike shqiptare të quajtur “Malli i Mëmëdheut”. Më vonë, si shok dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, babai im ka marrë pjesë në formimin e shoqërisë “Vatra” në Boston të SHBA-së, duke qenë në kryesinë e kësaj shoqate, deri në vitin 1920-të kur u kthye në atdhe. Ai u vra nga trimat e Maliq bej Frashërit, në vitin 1930-të, duke na lënë jetim ne pesë fëmijët të vegjël.

Kur jeni angazhuar si familje në Luftën Nacionalçlirimtare?

Familja ime ka qenë një nga bazat e para të Luftës dhe aty është formuar çeta e parë partizane e zonës, ku vëllai im, Xhafer Cenko Lubonja, u caktua komisar i kësaj çete, pasi më parë ishte dhe komunist i Grupit të Korçës. Pas vëllait Xhaferrit, në Luftë kemi marrë pjesë si partizan dhe unë (në moshën 17 vjeçare), së bashku me dy motrat, Bajamen e Resmijen. Unë kam qenë komandant kompanie në Brigadën e katërt dhe kam marrë pjesë në të gjitha luftimet e kësaj Brigade, deri në çlirimin e Tiranës, ku kam komanduar dy toga partizanësh, në sheshin “Skënderbej”. Duke qenë bazë kryesore e Luftës, shtëpia jonë u dogj dy herë nga italianët, dhe pas kësaj ne u vendosëm në Korçë. Edhe aty shtëpia jonë ishte bazë lufte dhe ime motër, Bajamja, pasi u plagos në një demonstratë, u burgos nga fashistët bashkë me nënën. Po kështu vëllai, Xhaferi, u vra në luftë kur ishte me detyrën e Shefit Informativ të Divizionit të Parë në Veri të Shqipërisë dhe është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Pas Luftës, ku keni shërbyer ju?

Mbarimi i Luftës mua më gjeti me gradën e togerit dhe në ditët e fundit të çlirimit të Tiranës, nga ana e qeverisë, mu caktua detyra e komandantit të një grupi partizanësh, që do të merrja në dorëzim Bankën Kombëtare. Atë detyrë unë e bëra me përpikëri të lartë, deri sa erdhi dhe e mori në dorëzim një komision qeveritar me në krye Sejfulla Malëshovën.

Është e vërtetë rrëmbimi i arit nga gjermanët dhe cila ishte sasia?

Nga inventari i bërë në atë kohë nga specialistët e Bankës, që ishin të gjithë italianë dhe banonin po aty, doli se gjermanët kishin marrë gjithsej 14 kv. ar dhe kishin lënë aty një sasi diçka më të vogël, se ajo që morën. Për të gjitha tërheqjet e arit nga thesari i Bankës, gjermanët kishin lënë dokumenta të rregullta.

Pas kësaj detyre, ku vazhduat?

Duke qenë se nga kjo detyrë mbetën të gjithë të kënaqur, më caktuan Komandant të Burgut të Tiranës, (sot Reparti 313) detyrë të cilën e mbajta deri në qershorin të po atij viti. Më pas, m’u ngarkua një detyrë e rëndësishme, nën varësinë operative nga Sigurimi i Shtetit dhe pikërisht nga Vaskë Koleci, Nesti Kerenxhi, Teme Sejko e Nesti Zoto. Nga ana ushtarake, do të varesha nga Brigada e Parë e Mbrojtjes, që komandohej nga Zija Kambo e Mihallaq Ziçisht.

Përse ju larguan nga komandanti i Burgut?

Pasi mbaroi Gjyqi Special në vitin 1945, lejova të behej një takim në zyrën time dhe në prezencën time, të ish-kryeministrit, Koço Kotes, me të shoqen, por kjo u morr vesh dhe që atë ditë u informua Ministria e Brendshme dhe Brigada e Mbrojtjes. Për këtë më zëvendësuan me Janaq Karapataqin dhe më lanë në dispozicion.

Gjatë periudhës që ishit drejtor i Burgut 313, ka pasur raste të eliminimit pa gjyq të kundërshtarëve të regjimit, ose reaksionarëve siç i quanit ju?

E them me përgjegjësi, se: gjatë asaj kohe, unë nuk di të ketë pasur vrasje pa gjyqe, kjo ka ndodhur në ditët e çlirimit të Tiranës, kur ka pasur raste të tilla. Në atë kohë Sigurimi i Shtetit kur donte të vriste njeri, nuk e kishte të vështirë për t’i bërë ndonjë gjyq, sa për të thënë. Ka pasur plot rase të vrasjeve pa gjyqe, por ato bëheshin në hetuesi dhe jo në burgje.

Ku punuat më pas?

Në vitin 1949 kur Enver Hoxha dënoi Koçi Xoxen, mua më çuan të vazhdoja shkollën e Sigurimit të Shtetit në Sauk dhe pas mbarimit të saj, në vitin 1950, më emëruan si Shef të Sigurimit në Aviacion. Më pas ndoqa Juridikun natën dhe fillova punë si pedagog në Shkollën e Sigurimit, ku në vitin 1959, më çmobilizuan si person të padëshirueshëm, pasi nuk ma kishin harruar atë që unë kisha bërë kur isha delegate në Konferencën e Tiranës në vitin 1956..

Çfarë kishit bërë në Konferencën e Tiranës?

Unë kam qenë delegate i Shkollës së Sigurimit në atë Konferencë. E kujtoj mirë kur erdhi Enveri, në sallë i xhindosur, duke ju drejtuar delegatëve dhe në veçanti kolonel Iljaz Ahmetit duke i thënë: “Unë do t’ju tret plumb ne gojë të gjithëve… Të gjithëve atyre që do të guxojnë të ngrihen kundra meje”. Dhe ato fjalë që Enveri i tha në sallë, i bëri realitet, sepse ishte atakuar lavdia e tij.

Konkretisht në ç’mënyrë?

Pas Konferencës së Tiranës, shumë prej delegatëve pësuan goditje me arrestime dhe internime. Një nga këta isha edhe unë, që gjatë Konferencës bëra një pyetje se në çfarë ligji ishte mbështetur arrestimi i Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës. Në një mbledhje që u bë pas Konferencës, në Shkollën e Bashkuar, i deleguari Mehmet Shehu na tha: Tani po u them pikën e fundit nga radha, por e para nga rëndësia. Ju jeni në dijeni se çfarë ndodhi në Konferencën e Tiranës. Si rrjedhim i veprimtarisë së elementit antiparti në shkallë vendi, një numër i madh komunistësh, janë përjashtuar nga partia dhe të tjerë do të përjashtohen akoma. Pas kësaj më thirrën në organizatën e partisë dhe munda të shpëtoj nga përjashtimi dhe nga burgu, vetëm pse isha vëllai i Xhafer Cenko Lubonjës (Dëshmor i Luftës), por kjo nuk zgjati shumë në 1959 më çmobilizuan.

Çfarë bëtë më pas?

Me anë të disa miqve munda të rregullohem me punë si jurist në ndërmarrjen e Albimportit, deri në vitin 1975, kur më qarkulluan nga kjo punë dhe më dërguan në Librazhd. Aty më filluan peripecitë, më përjashtuan nga partia si borgjez e revizionist dhe i dyshuar si agjent.

Përse ajo akuzë ndaj jush?!

Akuza si agjent më bëhej sepse nga fundi i viteve ‘70-të, kur punoja në Tregtinë e Jashtme, solla dhe shëtita nëpër Shqipëri për nevoja pune, një hollandez të quajtur, Van Lar dhe të shoqen e tij bullgare Stafanka. Ata që më sulmonin dhe sekretari i parë i rrethit, (M.X.), thanë se hollandezi kishte qenë kolonel i NATO-s, kurse e shoqja, kapiten e Traktatit të Varshavës.

Si shpëtuat nga këto akuza kaq të rënda?

Shpëtova se ato ishin vetëm shpifje dhe intriga, të cilat Sigurimi i Shtetit nuk mund t’i provonte dot kurrë, pasi ishin absurditete.

Po letrën drejtuar Ramiz Alisë kur e shkruat dhe nga se u nisët?

Letrën që i dërgova Ramiz Alisë, fillova ta shkruaja në korrik të vitit 1986. Unë prej vitesh kisha akumuluar pakënaqësi të cilat u bënë shkak, për ta shkruar atë letër të gjatë prej 56 faqesh, duke u nisur nga situata katastrofike në të cilën ndodhej vendi dhe për këtë, bëja fajtor vijën e gabuar të Partisë dhe personalisht Enver Hoxhën, aventurierin politik.

Si e argumentonit atë që shkruanit, pra që Enveri ishte aventurier politik?

Sepse ai ishte përgjegjësi për gjithçka, që nga prishje me Bashkimin Sovjetike, me Kinën, politikën e tufëzimit, marrja e tokës, lufta kundër fesë, bunkerizimi i vendit, plenumet e 4,5,6,7, për çështjet ideologjike, ushtarake dhe ekonomike, aprovimin e kushtetutës që ishte një litar i lidhur rreth fytit të popullit shqiptar. Për të gjitha këto, i kërkoja Ramiz Alisë, dënimin e figurës së Enver Hoxhës, si një nga shkaktarët kryesor të të gjitha fatkeqësive që kishin ndodhur në Shqipëri, që nga koha e Luftës e më pas.

Konkretisht, për çfarë e akuzuat ju Enverin në atë letër?

Akuzat e mija ndaj Enverit e kanë zanafillën që nga periudha e para Luftës, kur ai kishte shkuar për studime në Francë, e deri në vitin e fundit kur vdiq. Në këtë letër drejtuar Ramiz Alisë, midis të tjerash i shkruaja se: nga analiza e tërë veprimtarisë së Enverit dhe verifikimi së kaluarës, arrij në konkluzione të pa kontestueshme, se Enveri ka qenë agjent i spiunazhit francez,”Deuxième Bureau”. Gjithë jeta e tij është e dyshimtë dhe me një mori pikëpyetjesh të pa shpjegueshme. Konkretisht në historinë e Partisë së Punës, është thënë se Enveri aktivitetin e tij komunist, e kishte nisur në Francë, ku ishte lidhur me grupet e majta komuniste dhe shkruante në gazetën “Sazani” dhe “Ymanite”.

Pse mendonit se nuk janë të vërteta këto?

Kjo është një gënjeshtër e madhe, këtë e konfirmonte komunisti Qamil Çela. Kur e pyetën Qamilin, për këtë dhe i thanë të shkruante në “Zërri i Popullit”, ai e hodhi poshtë si të pathemeltë dhe në mënyrë kategorike refuzoi të bënte atë. Për këtë Qamili u përjashtua nga partia, u internua për më shumë se 30 vite, nën një persekutim mizor. Të gjithë e dinin që posti që mbante Enveri si Sekretar në Konsullatën e Brukselit, ishte post i organeve të spiunazhit dhe detyrë e tij funksionale, për të cilën paguhej. E vërteta është që në Francë, Enveri u aktivizua, por jo në favor të komunizmit, por në shërbim të Zbulimit francez.

Si u morr vesh se ju ishit autori i asaj letre dhe pas sa kohësh?

Letrën unë e postova më 11 tetor të vitit 1986 dhe në fund të saj, unë nuk e vura emrin tim, jo se kisha frikë, por nuk doja që atë letër, ata të ma merrnin për karrierizëm dhe motive personale. Pas gjashtë muajsh nga postimi i letrës, Sigurimi i Shtetit, pas dyshimeve dhe survejimeve të shumta, futi një njeri për të verifikuar nëse kisha makinë shkrimi në shtëpi. Ky person ishte një mësuese, fqinja jonë, e cila një ditë erdhi dhe i tha time shoqe që t’ja jepte pak makinën, se do të bënte disa teza provimesh. Gruaja ime, duke mos pasur fare dijeni për letrën që kisha bërë unë, ia dha makinën e shkrimit asaj dhe nisur nga ky fakt, pas disa ditësh, ndaj meje filloi një survejim i rreptë nga ana e organeve të Sigurimit.

Konkretisht si?

Ata më ndiqnin në çdo hap që bëja, nga afër e në distancë dhe bënin shërbim me radhë poshtë shtëpisë sime. Ata kishin rënë në gjurmët e mija dhe prisnin që të gjenin se me kë kisha lidhje. Ata si duket, kishin krijuar bindje të plotë, se kishin të bënin me një organizatë kundër-revolucionare dhe donin të gjenin se kush ishte “koka drejtuese” e saj. Nga disa burime tepër të besueshme, që më kanë konfirmua pas viteve ’90-të, unë mësova se Ramiz Alia, kishte dhënë urdhër të prerë që të gjendej me çdo mënyrë dhe me çdo kusht, autori i letrës dhe nisur nga ky fakt, Sigurimi i Shtetit vazhdonte punën e tij duke më gjurmuar e survejuar kudo.

Sa zgjati kjo gjë, pra survejimi juaj?

Kjo gjë zgjati plot dy vjet, deri kur më arrestuan më 19 tetor të vitit 1988.

Si e kujton, në ç’rrethana ndodhi arrestimi juaj?

Atë ditë, pra më 19 tetor 1988, teksa isha duke ecur në rrugë, afër monumentit të Qemal Stafës, pas meje ndali një “Gaz” i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, dhe nga aty doli Zylyftar Ramizi, që mbante postin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministrit të Punëve të Brendshme. Ai menjëherë më kapi nga krahu duke më futur me shpejtësi në makinë dhe më çuan në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, ku më futën direkt në qeli. Nga mënyra dhe procedura se si u krye arrestimi im, ai ishte një arrestim tepër sekret.

Përse ishte sekret dhe ku ndryshonte nga arrestimet e tjera?

Ky lloj arrestimi njihej në metodat e punës së Sigurimit të Shtetit dhe aplikohej për disa arsye. Kështu ndodhi dhe me mua dhe kur më çuan në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, që tek dera e jashtme dhe deri në qeli, nuk pashë asnjë njeri, pasi i kishin larguar të gjithë rojet e shërbimit deri sa të më fusnin mua aty brenda. Pas kësaj menjëherë filloi hetimi, ku para meje u paraqit letra e shkruar nga unë, duke më pyetur nëse isha unë autori.

E pranuat se ishit autor i letrës?

Në fillim deri kur po plotësohej 72 orëshi, unë nuk e pranoja se isha autor i letrës dhe në fund të atij afati, duke mos pasur rrugë-dalje tjetër, e pranova

Pasi e pranuat se ishit ju autori i letrës, çfarë ju thanë?

Ata më pyetën se që kur, unë kisha rënë në ato pozita dhe unë ju përgjigja, duke u thënë se nuk më kujtohej saktësisht, pasi ajo gjë nuk kishte ndodhur as për një ditë dhe as për një shkak. Pas kësaj përgjigje që ju dhashë, ata më kërkuan që të bëja autokritikë me shkrim, duke e hedhur poshtë të gjithë atë letër armiqësore, që kisha shkruar dhe t’i kërkoja falje Partisë.

Si iu përgjigjët ju asaj “oferte”?

Unë u thashë: asaj letre unë nuk i lëviz asnjë germë dhe koha do ta tregoj nëse kam, apo jo të drejtë. Duke mos pranuar asnjë gabim dhe as një pendesë, nuk u dhashë mundësi, që të siguronin së paku prova materiale për arrestimin e menjëhershëm, nxjerrjen në gjyq dhe dënimin sipas nenit 55/1 të Kodit Penal.

Çfarë ju thanë pas kësaj?

Ndërsa po vazhdonin seancat e pyetjeve ndaj meje, kur po mbushej 72 orëshi i arrestimit, për çudi mua më liruan duke më porositur, se për çka kishte ndodhur me mua, as varrit nuk duhej t’ja tregoja, se ndryshe, do shkoja përsëri aty dhe nuk dihej nëse dilja më i gjallë që andej. Këtë të dytën nuk ma thanë hapur, por e lanë më nënkuptim siç e kishin zakon ata.

Në shtëpinë tuaj me familjarët, ç’kishte ndodhur ndërkohë, që ju u arrestuan dhe ju futën në qeli?

Mbas arrestimit tim, Sigurimi i Shtetit kishte bërë kontroll në banesën time, duke më sekuestruar disa libra dhe dorëshkrime, ku më kryesorja për të cilën u krye dhe kontrolli, ata instaluan disa përgjues, apo Teknikë Operative siç quhej në terminologjinë e atyre organeve.

Pse ju liruan?

Sigurimi i Shtetit më liroi për të vazhduar survejimin ndaj meje dhe për të parë, se me kë do takohesha, me kë kisha lidhje, nga kush isha nxitur, etj., etj., duke shpresuar se do të kapnin dhe arrestonin “kokën” e organizatës kundër-revolucionare, që mendonin se ekzistonte, bindje e cila u ishte krijuar nga letra e gjatë dhe përmbajtja e saj gjithashtu.

Si vazhdoi survejimi ndaj jush?

Pas lirimit ata më vunë agjentë dhe provokatorë që më ndiqnin kudo dhe inskenonin gjëra nga më të ndryshmet, që unë të bija në grackat e tyre. Ata më ndaluan që të largohesha nga Tirana, pa lejen e tyre dhe më kërkonin në takime të ndryshme te Hotel “Tirana” dhe aty vazhdonin presionet që unë të “laja gabimet”. Pra që të vihesha në shërbim të tyre.

Si reagonit ju ndaj këtyre veprimeve dhe presioneve që iu bëheshin?

Aty unë nuk durova më dot dhe iu drejtova njërit prej tyre, duke i thënë: “Më vjen keq që nuk më paskeni njohur deri tani, sidomos ti, që të kam pasur dhe student. Mua, siç më njeh, më thonë Koçi Lubonja dhe kam hedhur pushkën në krah që 17 vjeç, duke dalë partizan, ku kam komanduar burra dy herë mosha ime dhe kam luftuar rrugëve të Tiranës, kundra gjermanëve, pa më dridhur qerpiku. Që tani unë i futem varrit për së gjalli, se për së vdekuri i futen të gjithë, prandaj lërini këto metoda me mua, se nuk ju shkojnë dhe bëni çfarë keni për të bërë, se ato poshtërsira që kërkoni prej meje, nuk kam për t’i bërë kurrë.

Çfarë bënë ata pas kësaj?

Që të nesërmen më arrestuan dhe më dërguan në qelitë e Burgut 313, që ndodhet edhe sot afër Arkivit Qendror të Shtetit dhe për gjashtë muaj që më mbajtën aty në qeli, nuk më ka takuar asnjeri përveç hetuesit.

Çfarë ju pyesnin gjatë atyre muajve, ç’kërkonin të dinin nga ju?

Në hetuesi më pyetën se mos kisha lidhje me ndonjë organizatë kundër-revolucionare. Ata u sollën në mënyrë korrekte me mua, nuk më prekën me dorë. Unë u thashë hetuesve se: atë letër, e kisha shkruar vetë, pa dijeninë e nxitjen e asnjë njeriu dhe nuk lëvizja asnjë presje prej saj. Po kështu u thashë se: “Nëse Enver Hoxha nuk kishte pasur turp t’i bënte të gjitha ato poshtërsi, përse duhet të kisha unë turp që t’i shkruaja ato. Po të duash unë kam dhe shumë gjëra të tjera për Enver Hoxhën dhe po t’i them tani të gjitha”.

Si iu përgjigj hetuesi?

Ai u tremb dhe i zverdhur në fytyrë, pa mbaruar unë mirë fjalën, më tha: Jo, jo, mos më thuaj asgjë’. Pas kësaj hetuesia kishte rënë në hall dhe ajo bëri një pakt me doktorët e Psikiatrisë, që të më nxirrnin të sëmurë mendor, dhe ashtu u bë. Doktorët firmosën që unë isha i papërgjegjshëm. Mirëpo këtë pakt që bënë hetuesit me mjekët, nuk e pranuan ata të Sigurimit, të cilët insistonin në dënimin tim. Kështu, Zylyftar Ramizi u telefonoi hetuesve duke u thënë: “Nuk ka asnjë mundësi që Koçi Lubonja të jetë i çmendur. Ai është shumë në rregull, vetëm nëse është çmendur tani aty në Hetuesi”?!

Çfarë u bë me ju?

Pas shumë peripecive më nxorën në gjyq duke bërë disa seancave gjyqësore. Duke më ndihmuar disa mjekë psikiatër (kolegë të gruas sime), mua më nxorën të papërgjegjshëm dhe gjyqi vendosi që mua, të më mbyllnin në spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Por përpara se të më dërgonin në Spitalin e Elbasanit, mua më mbajtën 21 ditë në qeli, ku unë mendova se do të më zhduknin përfundimisht. Mbas 23 ditëve, mua më dërguan në Psikiatrinë e Elbasanit, ku nuk më ngacmuan më dhe ilaçet që më jepnin, unë nuk i pija fare. Gjë e cila më tolerohej si duket edhe nga kujdesi i mjekëve, kolegë dhe të njohur të gruas sime. Por unë isha i detyruar që ta luaja deri në fund lojën, duke u bërë si i sëmurë i vërtetë.

Dhe sa vazhdoi, pra sa ju mbajtën në Psikiatri dhe kur u liruat?

Ajo gjë vazhdoi deri në nëntorin e vitit 1989, kur mua më nxorën nga ai spital, pasi situata politike kishte filluar të ndryshonte dhe kishin filluar plasaritjet e para të atij regjimi, që kishte mbajtur një popull të tërë në skllavëri. Ku me, apo pa dashje, në ingranazhet e dhunës së tij, siç ishte Sigurimi i Shtetit, isha përfshirë dhe kisha shërbyer edhe unë, por pa dëmtuar njeri./Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

Share25TweetPinSendShareSend

Previous Post

“Unë isha ministër i Brendshëm kur u bë Masakra e Tivarit, ja tregova Enverit dhe ai…”/ Dëshmia e Haxhi Lleshit dhe dokumenti sekret, ku Hoxha ia 'faturoi’ Koci Xoxes

Next Post

“Ja si do e demaskoni qeverinë e De Gasperit që mbron kriminelët e luftës, si; Dosti, Koliqi e Kol Bib Mirakaj…”/ Urdhëri i Enverit në ’53-in, për Legatën shqiptare në Romë

Artikuj të ngjashëm

“Nga ‘Vila Lule’ që arkitekt Sotiri, i’a bërë dhuratë të shoqes, te Pista ‘Iliria’, me dashuritë e fshehta të vajzave gjermano-lindore që, për t’ju shmangur Sigurimit, ato…”/ Historia e panjohur e Plazhit të Durrësit
Intervista

“Në Degën e Brendshme të Durrësit, ndërhyra për dy mësues nga Vlora, të cilët akuzohehsin se kishin kapur dy vajza nga Elbasani dhe…”/ Dëshmia e rrallë e Xhaferr Kananit, që sfidoi regjimin komunist

March 22, 2023
“Në Degën e Brendshme të Shkodrës, u paraqita si major i Sigurimit, i dërguar me shërbim nga Kadri Hazbiu dhe ata…”/ Dëshmia e rrallë e Xhaferr Kananit, që sfidoi regjimin komunist
Intervista

“Në Degën e Brendshme të Shkodrës, u paraqita si major i Sigurimit, i dërguar me shërbim nga Kadri Hazbiu dhe ata…”/ Dëshmia e rrallë e Xhaferr Kananit, që sfidoi regjimin komunist

March 21, 2023
“Duke qenë një sportist i famshëm, Panos i shkonin vajza të reja dhe e prisnin pas stërvitjes te Klubi ‘Partizani’, e kur vinte në shtëpi…”/ Dëshmia e rrallë, e gruas së legjendës të futbollit shqiptar
Intervista

“Duke qenë një sportist i famshëm, Panos i shkonin vajza të reja dhe e prisnin pas stërvitjes te Klubi ‘Partizani’, e kur vinte në shtëpi…”/ Dëshmia e rrallë, e gruas së legjendës të futbollit shqiptar

March 13, 2023
“Përplasja ime përfundimtare me Enver Hoxhën, ndodhi në 1960 dhe kur i tregova Ramizit, zëvëndësit tim, ai më tha për Enverin…”/ Dëshmitë e panjohura të Liri Belishovës, para se të ndahej nga jeta
Intervista

“Enveri e ndërroi disa herë fjalën dhe kur unë u ngrita të shkoja e ta kundërshtoja, Ramizi më kapi për krahu e më tha…”/ Dëshmia e panjohura të Liri Belishovës, para se të ndahej nga jeta

March 10, 2023
“Djali i madh i Enverit, Iliri, është ca i trashë nga trutë, Sokoli është ndryshe, ndërsa për Nexhmijen, Nako më ka thënë…”/ Dëshmitë e panjohura të Liri Belishovës, para se të ndahej nga jeta
Intervista

“Djali i madh i Enverit, Iliri, është ca i trashë nga trutë, Sokoli është ndryshe, ndërsa për Nexhmijen, Nako më ka thënë…”/ Dëshmitë e panjohura të Liri Belishovës, para se të ndahej nga jeta

March 9, 2023
“Përplasja ime përfundimtare me Enver Hoxhën, ndodhi në 1960 dhe kur i tregova Ramizit, zëvëndësit tim, ai më tha për Enverin…”/ Dëshmitë e panjohura të Liri Belishovës, para se të ndahej nga jeta
Intervista

“Kur Josif Broz Tito u takua me Stalinin dhe i paraqiti pretendimet për disa vende të Ballkanit, ai e pyeti për Shqipërinë dhe Tito i tha se; me Enverin…”/ Dëshmitë e panjohura të Liri Belishovës

March 7, 2023
Next Post
“Ja si do e demaskoni qeverinë e De Gasperit që mbron kriminelët e luftës, si; Dosti, Koliqi e Kol Bib Mirakaj…”/ Urdhëri i Enverit në ’53-in, për Legatën shqiptare në Romë

“Ja si do e demaskoni qeverinë e De Gasperit që mbron kriminelët e luftës, si; Dosti, Koliqi e Kol Bib Mirakaj…”/ Urdhëri i Enverit në ’53-in, për Legatën shqiptare në Romë

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2020 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kalendari historik
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!