Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Gjatë gjithë periudhës afro 45 vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, nga fillimi i vitit 1945, e deri në 1991-in, ujërat territoriale shqiptare, nga kufiri i skajit më verior afër ishullit Franc Jozef të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, e deri tek Kepi i Stillos në skajin më jugor të vendit në kufi me Greqinë, ka pasur me qindra incidente detare ndërkufitare, pasi ato janë janë shkelur shpesh herë nga anije të huaja dhe mjete të tjera lundruese, si motobarka, skafe, jahte etj., të cilat i përkisnin shteteve të ndryshme. Duke filluar na ato të vendeve fqinje, si greke, italiane dhe jugosllave, e deri tek ato izraelite, amerikane dhe sovjetike, që për Tiranën zyrtare dhe kreun e saj, Enver Hoxha, konsideroheshin tre vendet më armike, me të cilat Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, nuk kishte dhe s’pranonte të lidhte marrëdhënie zyrtare, në mënyrë kategorike.
Po t’i hedhim një sy dokumenteve arkivore ku ndodhen komunikatat operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se shkelja e ujërave territoriale nga ana e anijeve të huaja ka qenë më e theksuar nga viti 1968, e deri në 1990-ën, kur regjimi komunist në fuqi filloi të lëkundet, gjë e cila çoi edhe rrëzimin e tij në fillimin e 1991-it. Dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, vendi ku ka pasur më shumë incidente detare dhe janë kapur më shumë anije dhe motoskafë të huaja, rezulton të jetë zona e ishullit të Sazanit dhe ajo përgjatë bregdetit të Vlorës, duke filluar nga Porto-Palermo, Zvërneci, e deri në afërsi të derdhjes së Semanit.
Nisur edhe nga situata e atyre viteve që njihet tashmë si periudha e “Luftës së ftohtë”, pothuaj të gjitha anijet dhe mjetet e lundrimit të huaja që shkelnin ujërat territoriale shqiptare, nga ana e regjimit komunist në fuqi, konsideroheshin “armiqësore” dhe se “ato vinin për qëllime zbulimi dhe diversioni”, gjë e cila bënte që ato të ndiqeshin dhe shoqëroheshin nga anijet e Flotës Luftarake Detare Shqiptare (Kateret silurues) për në portet më të afërta, si Saranda, Vlora, Durrësi dhe Shëngjini. Lidhur me këto etj., na njohin një sërë dokumentesh arkivore sekrete (tashmë të de klasifikuara), të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 9 JANAR 1971, PËR KAPJEN E ANIJES TURKE “ISMAIL GILJE GLU SOMSUN” NË GJIRIN E SAZANIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 9.1.1971
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 8
VLORA
Më 8.1.1971, ora 24.00, një anije turke me emrin “Ismail Gilje – Glu Somsun”, për shkak të kohës së keqe, u fut në gjirin e Sazanit në Vlorë dhe kërkoi strehim e uli spirancat. Në vend shkoi një kater i flotës tonë ushtarake dhe e ftoj të vinte në port, por ekuipazhi turk nuk pranoi dhe atëhere kateri jonë qëndroi në roje të tij. Në orën 6.40 të datës 9.1.1971, ngriti spirancat dhe mori drejtimin për t’u larguar. Është njoftuar Ministria e Mbrojtjes Popullore. Mbas 5 orësh, anija turke refuzoi të kthehej në portin e Vlorës. Çështja ndiqet nga Dega e III-të. Shoku ministër u njoftua nga Drejtori i Drejtorisë së I-rë.
9/1.1971 ZV/DREJTORI
PETRIT HAKANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 23 JANAR 1971, PËR KAPJEN E ANIJES GREKE “SHËN – SOFIA” NË MES SAZANIT DHE KARABURUNIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 23.1.1971
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 19
VLORA
Më 22.1.1971, ora 9.00, anija greke “Shën Sofia”, që shkonte nga Greqia në Itali e ngarkuar me Manjezium, është futur në ujërat tona territoriale në kanalin midis Karaburunit dhe Sazanit. Anija është me ekuipazh prej 9 personash, pretendojnë se erdhën aty për shkak të kohës së keqe dhe kërkojnë ndihmën tonë. Anija është mbajtur në radë nën kontrollin e anijeve tona luftarake deri sa të sqarohet çështja.
ZV/DREJTORI
PETRIT HAKANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 3 SHKURT 1971, PËR KAPJEN E ANIJES ITALIANE “KINIFORD” NË AFËRSI TË ISHULLIT TË SAZANIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 3.2.1971
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 27
VLORA
Anija çisternë italiane “Kiniford” me ekuipazh 10 veta, duke udhëtuar nga Konstanca e Rumanisë për në Venecia, rreth orës 10.00 të datës 2.2.1973, hyri në ujërat tona 2 milje larg Sazanit dhe mori drejtimin për në Durrës. Në afërsi të derdhjes së Vjosës, 3 milje larg bregut, kapet nga një flotilje e forcave tona dhe shoqërohet për në Vlorë. Pretendojnë se u futën në ujërat tona për shkak të kohës së keqe, gjë e cila vërtetohet edhe nga organet tona kompetente. Në pasditen e datës së sipërme, anija u la e lirë për në destinacion.
DREJTORI
Pilo Shanto
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 13 PRILL 1985, PËR ANIJEN TREGTARE RUSE “BALLTIK”, QË ISHTE FUTUR NË GJIRIN E RODONIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, 13.4.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 86
LEZHA
Më datën 12.4.1985, ora 22.00, Flota Luftarake Detare Shëngjin, ka njoftuar se një anije tregtare e huaja që vinte nga Veriu, është futur në Gjiun e Kepit të Rodonit, për arsye të kohës së keqe. Pas verifikimit rezulton se anija është transporti ruse “Balltik”, e ngarkuar me drith me 18 veta, e cila vinte nga Bari e lundronte për në Odesë. Vazhdon të qëndrojë e ankoruar për shkak të kohës së keqe.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 15 PRILL 1985, KU NJOFTOHET PËR NJË ANIJE CISTERNË SOVJETIKE E CILA ISHTE FUTUR NË UJËRAT TONA TERRITORIALE AFËR KSAMILIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, 15.4.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 84
Dt. 14.4.1985
Ora 8.15
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 87
SARANDA
Më datën 14.4.1985, ora 7.45, nga Marina njoftohemi se në Pelingun 190, distance 3, (përballë Ksamilit), është futur në ujërat tonë një anije cisternë sovjetike. Nga ana jonë doli Katëri me motoskafin e, me shumë kujdes për ta shoqëruar, që ajo të dalë nga ujërat tona. Anija sovjetike lëviz me drejtim Veri-Perëndim.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 11 PRILL 1986, PËR KAPJEN E NJË MOTOSKAFI ITALIAN NË AFËRSI TË ISHULLIT TË SAZANIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, 11.4.1986
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 86
Më datën 11.4.1986, ora 21.30, në pjesën perëndimore të ishullit të Sazanit, në afërsi të brigjeve, është akostuar një motoskaf i huaj i cili u shoqërua nga një kater i Ushtrisë për në Portin e Vlorës. Në të ndodheshin një djalë dhe një vajzë, shtetas italian: Marko Govani, vjeç 27, veteriner i lartë, Rita Gethi, vjeç 26, banuese në Ferona të Italisë, ekonomiste e lartë. Pretendojnë se janë detyruar të akostojnë, për arsye se deti ishte i fortë. Po udhëtonin nga Korfuzi për në Dubrovnik të Jugosllavisë. Në kontrollin e motoskafit nuk u gjet gjë e dyshimtë. Pranojnë se kanë bërë gabim dhe presin çdo lloj mase. Shokët e Flotës thonë se ka patur det të fortë, i palundrueshëm për këtë lloj motoskafi.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 8 QERSHOR 1986, PËR DY ANIJE AMERIKANE TË CILAT LUNDRONIN DISA MILJE NË AFËRSI TË DERDHJES SË LUMIT TË SHKUMBINIT DHE SEMANIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, 8.6.1986
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 134
VLORA
Më datën 7.6.1986, ora 13.30, në det u diktuan dy anije amerikane, që lëviznin nga veriu në jugë, në drejtim të lumit Shkumbin, ato kanë qenë 8.5. milje larg bregut, ndërsa në drejtim të derdhjes së Semanit 22 milje. U njoftua Ministria e Mbrojtjes Popullore për të marrë masat e duhura.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 18 TETOR 1986, PËR KAPJEN E NJË MOTOSKAFI ITALIAN NË DERDHJE TË LUMIT TË ISHMIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, 18.10.1986
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 247
DURRËSI
Më datën 17.10.1986, në afërsi të derdhjes së lumit Ishëm, u diktua një motoskaf i huaj që i afrohesh bregut deri në ceki, me motor të shuar. Në vend shkoi grupi operativ i përbërë nga shokë të kufirit, drejtorisë së Portit, del se motoskafi është i Shoqërisë ALB-TRANS, i nisur nga Italia për në Durrës, për të cilin kanë pasur dijeni organet e portit të Durrësit. Motoskafi ka pasur defekt në motor dhe për këtë u rimorkjua.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 27 NËNTOR 1988, PËR NJË ANIJE ME FLAMUR LIBIAN QË U FUT NË PORTIN E VLORËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, 27.11.1988
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 283
VLORA
Më datën 26.11.1988, në portin e Vlorës ka ardhur një anije me flamur libian, me ekuipazh prej 23 vetash, ndërmjet tyre një femër, ku 18 prej tyre ishin izraelitë, 2 rusë, 4 portugezë dhe 1 jugosllav. Qëllimi i ardhjes është për ngarkesë me benzinë. Nga kontrolli i’u gjetën dy pistoleta belge me 100 fishekë, 2 automatikë sovjetik dhe një mitraloz i lehtë me 1092 fishekë. Fillimisht hezituan të dorëzohen, por më vonë armët u morën nën ruajtje dhe u morën masa për sigurimin e anijes.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
FERDI HAXHIU
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 31 DHJETOR 1986, PËR KAPJEN E DY PESHKAREXHAVE ITALIANE NË AFËRSI TË SAZANIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, 31.12.1986
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 134
VLORA
Më datën 30.12.1986, në ora 21.45, kateri silurues i BUD-it, në distancën 280 gradë, ka kapur dy peshkarexha italiane në ujërat tona, 6 milje në perëndim të Sazanit, me ekuipazh prej 8 vetash. U shoqëruan në portin e Vlorës më datën 01.45. të datës 31.12.1986./ Memorie.al
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI














