Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e parë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e parë Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Pas këtij plenumi, Komiteti Qendror i PPSh-së, u dërgoi një Letër të hapur të gjithë komiteteve të partisë së rretheve dhe organizatave bazë të të gjitha institucioneve dhe dikastereve të ndryshme, ku si pikë kryesore ishte situata e vështirë në të cilën ndodhej vendi pas ngjarjes së ambasadave, si dhe ajo në kufijtë shtetërore me Greqinë dhe Jugosllavinë, ku kishin filluar arratisjet e shtesave të ndryshëm, gjë e cila e konsiderohej si mjaft alarmante.
Kjo Letër e hapur, pasi analizua dhe u punua në të gjitha organizatat bazë dhe komitetet e partisë së rretheve, të cilat sipas orientimeve të ardhura nga grupi i instruktorëve pranë Komitetit Qendror, informonte çdo javë udhëheqjen e lartë të PPSh-së, me gjithçka ndodhte në rrethet e tyre, duke filluar nga gjendje ekonomike dhe realizimet e planeve, e deri të situata politike, ku kryesisht vendin kryesor e zinin ato të problemeve fetare, fletushkat e parullat e hedhura kundër qeverisë dhe regjimit komunist, e deri te arratisjet nga vendi.
Informacionet e hartuara nga komitetet e partisë së rretheve, (të cilat vazhduan deri kur u mbajt Plenumi i 12 në nëntor), që i dërgoheshin Komitetit Qendror, në krye të faqes së parë kanë shënimet: Shokut Ramiz, shokut Foto, shokut Abdyl Backa, etj., të cilët në pjesën më të madhe të tyre kanë vënd dhe shënimet përkatëse. Lidhur me këtë etj, na njohin dokumente në fjalë të cilat janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë (me faksimilet përkatëse) në disa numra, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT- INFORMACIONIN E KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT TË SHKODRËS, DËRGUAR SEKTORIT TË INFORMACIONIT PRANË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
Shokut Ramiz
Shokut Foto
Shokut Abdyl Backa
PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË Shkodër më 25.9.1990
KOMITETI PARTISË SË RRETHIT SEKRET
Nr. 816 Prot. Ekzemplar. Nr 1
Lënda; Dërgohet informacion, rreth diskutimit të Letrës së Komitetit Qendror të PPSh-së
KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË
Sektorit të Informacionit
Tiranë
INFORMACION NR. 14
DISA PROBLEME QË DALIN NGA PUNIMI I MATERIALEVE TË PLENUMIT TË 12-të TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË NË RRETHIN E SHKODRËS
Organizatat e frontit në fshat, Bashkimet Profesionale në ndërmarrje e sidomos organizatat e rinisë kudo që militojnë, të qëndrojnë kurdoherë në sulm dhe të mos mbetet rast i vjedhjeve pa u diskutuar e goditur pa asnjë lëshim. Probleme të mprehta kohët e fundit kanë dalë në disa zona lidhur me shpërndarjen e tokës si në Vukël, Nikç, Shllak, Theth e tjerë. Zgjerimi i oborrit është një masë e rëndësishme që ka si qëllim të plotësojë më mirë nevojat për ushqim të familjes kooperativiste, por kjo në asnjë mënyrë e në asnjë rast nuk duhet të bëhet shkak për të ulur interesimin e mobilizimin për realizimin e detyrave në ekonominë e përbashkët, aq më keq kur lindin e nuk luftohen mendime; “se po prishen kooperativat bujqësore”.
Prona e përbashkët është bazë e rendit tonë ekonomiko – shoqëror, prandaj ajo duhet e do të zhvillohet e fuqizohet pa ndërprerë. Qëndrime të tilla mbahen dhe nga komunistë, sidomos në zonat malore, ku nën petkun e demokracisë kërkohet që duke mos marrë parasysh tokën e kufizuar të shpërndajnë për oborrin të gjithë tokën pranë shtëpisë, duke i lënë kooperativës vetëm tokat e largëta, kullotat e tjerë. Kështu jo vetëm që dëmtohet prona e përbashkët, por shprehet dhe një kuptim i gabuar për zbatimin e vendimeve të Partisë. Sidoqoftë çdo vonesë në shpërndarjen e tokës krijon shtrat për dyshime e keqinterpretime, prandaj të merren të tëra masat, që brenda muajit shtator të përfundojë ky aksion sipas vendimit të Byrosë Politike. Situatat që po kalojmë dhe detyrat që janë shtruar për zgjidhje kërkojnë forcimin e lidhjeve të Partisë me masat. Kjo ka qenë vijë e përhershme e Partisë, por sot merr një mprehtësi të veçantë.
Këto lidhje duhet të jenë të ngrohta, të shërbejnë për njohjen e problemit, halleve e shqetësimeve që ka populli. Efektivitet këto lidhje kanë kur komunisti e kuadri angazhohet për zgjidhjen e plotë të problemeve që ngre masa. Kështu rritet besimi i masës dhe aktiviteti i saj. Por gjatë diskutimit të Letrës, masat me kurajo e besim në vijën e Partisë bënë vërejtje e kritika konkrete për punën e disa kuadrove që nga baza, në rreth e deri në dikastere. Herë pas here anëtarë të forumeve të Partisë, të pushtetit, të organizatave të masave e kuadro të aparateve shkojnë në bazë, bëjnë dhe takime me popullin, mbajnë shënime e japin premtime por premtimet nuk mbahen, shënimet harrohen sirtarëve, pra nuk lënë gjurmë në punën e tyre.
Disa herë janë ngritur probleme për kushtet e punës e të jetesës dhe trajtimin e punëtorëve në ndërmarrjen Minerare, ndërmarrjen e Bonifikimeve, ndërmarrjen Artistike e në Zunkthë Kashtë e tjerë, për zgjerimin e rrjetit tregtar e të shërbimeve, për higjienën e pastërtinë dhe ujësjellësit në qytet e disa fshatra, për kanalizimin e ujërave të zeza në Obot, Bushat, Laç Vau Dejës, por gjendja nuk ka ndryshuar. Zgjidhja e ndonjë problemi ka edhe vështirësi, por është e papranueshme që masave të mos u jepet përgjigje e të sqarohen në kohë. Kur u flet hapur atyre, ato të kuptojnë e të respektojnë. Problemet që ngre Letra dhe punimet e këtij plenumi për tërë komunistët e kuadrot janë një tërheqje vëmendjeje.
Analizat e diskutimet që zhvilluam t’i konsiderojmë vetëm si fillimin e punës. Ata të na shërbejnë për të mbajtur gjithnjë të ndezur debatin, për të njohur në çdo kohë e thellë situatat, për të rritur sedrën politike e patriotizmin, për të plotësuar detyrat në të gjithë sektorët e treguesit, për të mbrojtur lirinë e pavarësinë e Atdheut. Praktika edhe në rrethin tonë vërteton se kur është Partia në krye të punëve asgjë nuk ndodh. Kur nuk ka bazë të brendshme, nga jashtë nuk kanë se çfarë të na bëjnë. Në këto drejtime kërkohet vendosmëri pa mëdyshje. Komiteti Qendror dhe shoku Ramiz Alia na bëjnë thirrje që komunistët dhe masat, çdo qytetar e patriot i ndershëm të zbresë në fushën e betejës, për të ecur të sigurt në rrugën që kemi zgjedhur vet.
Në këtë luftë të ngremë më lart mobilizimin total të tërë punonjësve për realizimin e të gjitha detyrave e në krye të tyre, me vigjilencë të lartë të zotërojmë situatën e të sigurojmë ecjen tonë gjithnjë përpara në rrugën e Partisë, në rrugën e socializmit.
PLENUMI I KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT
Shkodër, më 25.9.1990
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT- INFORMACIONIN E KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT TË SHKODRËS, DËRGUAR SEKTORIT TË INFORMACIONIT PRANË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
INFORMACION NR. 15
DISA PROBLEME QË DALIN NGA PUNIMI I MATERIALEVE TË PLENUMIT TË 12-të TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË NË RRETHIN E SHKODRËS
Vazhdon diskutimi me masat i raportit të Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror të Partisë. Në organizatat-bazë të Partisë, krahas diskutimeve janë vënë edhe detyra e vëmendja po orientohet më mirë në ndjekjen e zbatimit të tyre. Kujdes po tregohet për sqarimin e pyetjeve e të problemeve që ngrejnë komunistët e punonjësit. Megjithatë, komiteti i Partisë në datat 13 e 14.11.1990, në takimet me sekretarët e byrove e të organizatave-bazë të Partisë e të deleguar, tërheqi vëmendjen për një angazhim më të madh në drejtim të realizimit të detyrave e të rritjes efektivitetit të propagandës. Me theks po punohet për ngritjen e opinionit e sqarimin e masave për qëndrimin ndaj fesë, nisur nga fakti i gjallërimit këto ditë të propagandës fetare dhe i nxitimit për të hapur institucionet fetare. Për këtë, krahas aktivizimit të komunistëve të lagjeve e kuadro e intelektualë, po gjallërohet veprimtaria e qendrave të agjitacionit e, po punohet në mënyrë të diferencuar me familje e individë të veçantë.
Gjithashtu po bashkërendohet më mirë puna e organizatave-bazë të Partisë të lagjeve me ato të ndërmarrjeve, institucioneve, shkollave etj. Megjithatë, në datë 11 nëntor, në orën 11.45 në ish varrezat katolike u mbajt mesha në të cilën morën pjesë afro 5 mijë veta. Për organizimin e saj u muar leje në polici sipas ligjit. Mesha u hap nga ish prifti Simon Jubani, i dënuar disa herë për faje të rënda politike, me një minut heshtje për të vdekurit e atyre varrezave e të tërë Shqipërisë e veçanërisht për ata të vdekur që luftuan për një Shqipëri evropiane.
Gjatë ceremonisë fetare u evokua edhe ndonjë moment nga historia jonë e u përmendën figura të shquara të kombit si Skënderbeu, Fan Noli, vëllezërit Frashëri, duke lënë në heshtje e mos e prekur në asnjë rast periudhën e socializmit. Bëri analogji me fjalët e Skënderbeut: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu në mes jush”, u bëri thirrje për besim tek zoti i vetëm të tre besimeve fetare, me nëntekstin e gjallërimit edhe të feve të tjera. Ai falënderoi për pjesëmarrjen në ceremoni qytetarët nga ish besimet e tjera dhe kureshtarët. Gjatë aktivitetit fetar u dhuruan para, që sipas thënieve shkojnë rreth 200-300 mijë lekë të reja.
Pjesëmarrësit në ceremoni klasifikohen në tre grupe: besimtarët, kureshtarët dhe një grup organizatorësh që vlerësohen pa kulturë fetare dhe me sjellje, vese e të kaluar të keqe. Gjithashtu edhe në objektin e kultit të fesë myslimane, në xhaminë e plumbit, janë grumbulluar njerëz, janë dhuruar para, është kryer ndonjë punim pastrimi e pajisjeje edhe është vendosur në punë një magnetofon me inçizime fetare.
Edhe në fshatrat: Rragam, Sheldi, Kac, Stajkë e Bërdicë e Madhe, janë bërë kërkesa për të liruar vatrat e kulturës për kisha, pasi të tilla kanë qenë më përpara. Në Rragam, Bërdicë etj., vihet re një aktivizim i disa ish anëtarëve të këshillave të kishave. Në Rragam, në datën 13.11.1990, rreth orës 17.00, 18 veta të moshave 45-50 vjeç kanë shpërthyer derën e vatrës së kulturës, kanë hequr stendat dhe yllin në çati. Ky veprim ka si iniciatorë 5-6 veta që kanë qenë anëtarë të këshillit të kishës. Me ngjarjen po merren komunistët dhe shokët e pushtetit. Organizatorët, përgjithësisht janë njerëz me vese, sherrxhinj, kapadai e ish të burgosur. Për të parandaluar dukuri të tilla, kemi aktivizuar drejtues të Partisë, të pushtetit e të ekonomisë dhe persona me influencë tek ata. Në të gjitha rastet, rritja e intensitetit të punës sonë është bërë me kujdes për të mos krijuar eksese.
SEKRETARI I KP TË RRETHIT SHKODËR
Gjorgj Grabova
Tiranë, më 15.11.1990
Marrë me teleks
Arif Rreli
DOKUMENTI ARKIVOR MERR RAPORT- INFORMACIONIN E KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT TË SHKODRËS, DËRGUAR SEKTORIT TË INFORMACIONIT PRANË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
N J O F T I M
MBI DISA PROBLEME NË RRETHIN E SHKODRËS GJATË PUNIMIT E ZBËRTHIMIT TË VENDIMEVE TË PLENUMIT TË 12-TË TË KQ TË PARTISË
Për punimin, zbërthimin dhe zbatimin e vendimeve të Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror, menjëherë plenumi i Komitetit Partisë të rrethit mori përsipër udhëheqjen e organizimin e punës për të njohur partinë e masat. Për vetë problemet e specifikat e rrethit, sidomos në qytet e në disa zona të tij, përveç anëtarëve të plenumit, u gjykua që në formën e grupeve të agjitatorëve të aktivizohen mjaft njerëz me e pa parti. Materialet e plenumit u pritën me shumë interes. Por në të njëjtën kohë të shumta qenë pyetjet, veçanërisht për ruajtjen e forcimin e rolit udhëheqës të Partisë e përsosjen e sistemit politik, për problemet e zhvillimit e sidomos për mundësitë e bashkëpunimit me botën e jashtme e kreditë, për çështjet e fesë e përballimin e problemeve që mund të dalin etj. Për këto janë bërë e po bëhen sqarime. Me interes mu duk edhe forma që u përdor për t’u njohur të zgjedhurit e aparati i Partisë me shqetësimet dhe unifikimin e përgjigjeve për to.
Duke grupuar pyetjet, nën drejtimin e sekretarëve të Komitetit të Partisë, me grupe shokësh të zgjedhur e me aparatin, janë shkëmbyer mendime e zhvilluar debate, gjë që u shërbeu mjaft pjesëmarrësve për t’u përgatitur sa më mirë për të sqaruar njerëzit, duke i takuar ata në grupe, zhvilluar biseda të lira dhe tërhequr vëmendjen e nxitur për mobilizimin në punë, forcimin e disiplinës, kujdesin për furnizimin e zgjidhjen e halleve të popullit e forcimin e vigjilencës etj., probleme këto që kanë krijuar shqetësime. Nga ndjekja për disa ditë dhe nga takimet e bisedat me komunistë, kategori të inteligjencës, punëtorë e kooperativistë, studentë të institutit pedagogjik e qytetarë etj., krahas vlerësimeve e optimizmit që shprehet për drejtësinë e masave që po ndërmerr Partia, ka mjaft çështje e probleme që flasin për dobësi të punës së partisë. Aktualisht theks të veçantë ka marrë çështja e fesë, për të cilën mendoj se në punën e partisë u reflektuan disa dobësi:
Së pari, si edhe për mjaft probleme të tjera, çështja e fesë dhe e propagandës ateiste mendoj se është vlerësuar me eufori. Solidarizimi i masave me vendimet e Plenumit të 12-të kam përshtypjen se në fillim krijoi mendimin se edhe problemet e besimit fetar e kërkesat për hapjen e kishave e të xhamive, do të përballoheshin pa shumë vështirësi. Fillimet e veprimtarisë për ushtrimin e fesë që u dukën pas zhvillimit të plenumit të rrethit, për diskutimin e tezave të raportit të Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror, nuk u vlerësuan sa duhet në atë shkallë sa që të organizohej puna me intensitet e ngrihej opinioni. Ish katolikët, duke shfrytëzuar edhe faktin që muaji nëntor është muaji i pëshpëritjeve, e, njerëzit shkojnë dendur në varreza, elementë të njohur si të degjeneruar, një pjesë e tyre të dënuar, u vunë në krye për organizimin e ceremonive fetare dhe përhapen parulla se do të hapen kishat dhe morën masa konkrete për të restauruar objektin e ambientin rrethues tek varrezat.
U shtuan shumë vizitat, njerëzit hidhnin para, nga ndërmarrjet u muar bazë materiale e mjete, specialistë e njerëz të tjerë u vunë në shërbim e kryen punime. Duke parë përpjesëtimet u bënë përpjekje, sidomos me organizatat e Partisë e aktivistët në lagje, por gjendja nuk u përballua. Së dyti, puna e organizatave-bazë të Partisë, e organizatave të masave dhe organeve ekonomike, sidomos në qytetin e Shkodrës, “nuk iu përgjigj me veprimtari energjike për të biseduar e sqaruar njerëzit për kotësinë e besimeve fetare, për ndryshimet që duhen bërë në kushtetutë e ligje pas diskutimit edhe për këtë problem”.
Të pakta qenë ato organizata që u mblodhën për të vlerësuar gjendjen e nxjerr detyra. Në fshatra u bë diçka më mirë, ndërsa në qytet kjo mbeti më shumë problem i punës në lagje dhe i njerëzve të ngarkuar nga rrethi. U desh të tërhiqej vëmendja nga komiteti i Partisë i rrethit me forcë për këtë qëndrim, por që efektiviteti në qytet qe i pakënaqshëm, ndërsa në fshatra ku pati shfaqje e tentativa për të shkuar në vatrat e kulturës, ish kishat, me durim e punë kokë me njerëzit u frenua zhvillimi i manifestimeve fetare, por edhe këtu tendencat e presionet janë të forta e kërkesat në rritje. Në gjithë këtë punë, veçanërisht roli i rinisë nuk u ndje, dhe, kjo mendoj se ndërmjet të tjerash ndikoi që në ditën e meshës me 11 nëntor e në xhami më 16 nëntor, krahas organizatorëve e besimtarëve, pati mjaft pjesëmarrje nga shumë të rinj, pavarësisht nga ish besimi fetar. Së treti, “dobësi manifestuan kuadrot e inteligjencia në ndërmarrje, mjaft prej të cilëve qëndruan indiferent”.
Në disa lagje u kërkua ndihma e tyre për të bashkëpunuar, por qenë të paktë ata që shkuan në qendrat e agjitacionet për të rrahur mendime e marrë detyra. Kontrolli e përgjegjësia e tyre për disiplinën, për materialet e mjetet qe mjaft i dobët, duke krijuar kështu mundësinë që ato të përdoreshin për rregullimin e ish kapelës katolike në varreza dhe xhamisë. Ky aktivitet që u zhvillua në qytetin e Shkodrës, pavarësisht se u bë në emër të plotësimit të dëshirave të besimtarëve, forcat që e organizuan dhe që dolën në krye për të dy ish besimet, kryen një veprim politik. Si ngutja dhe nxitja për organizimin e meshës e ashtu më pas në xhami, pati si qëllim të krijonte incidente midis organeve të partisë e të pushtetit, me popullin.
Vërtetë punën konkretë për nxitjen e organizimin e ceremonive fetare e bënë elementë të degjeneruar, të dënuar, të njohur për sjellje e të padenja, por prapa tyre duhet të ketë të tjerë drejtues e organizues. Prifti dhe hafizi që zhvilluan ceremonitë fetare, janë dënuar për veprimtari politike. Përgjegjësia e organeve të Partisë e të pushtetit në rreth e në bazë qëndron se, veç një besimi tej realitetit për zbehjen e rolit të fesë, munguan njohjet për skenarin e organizatorët e vërtetë të tij.
Edhe në fshat iniciativën, në të shumtën e rasteve, e kanë marrë njerëz të dënuar, ish-anëtarë të këshillit të kishës. Këta bëjnë presionet më të mëdha, ndërsa me njerëzit që besojnë me punën që është bërë vihet re dallimi, mbasi janë treguar në përgjithësi të bindur me shpjegimet që u janë bërë.Pas zhvillimit të ceremonive fetare, për të cilat nga organet e pushtetit u tregua kujdes e u muarën masa për të mos u krijuar probleme e konflikte (por edhe organizimi nga organizatorët e ceremonive ishte i lartë, jo vetëm për të siguruar pjesëmarrje, por edhe për të mbajtur rregull.
Organizatorët e ish besimit mysliman, përdorën edhe shpalljet në qytet e fshatra, ku bënin thirrje për pjesëmarrje e kohën e zhvillimit të ceremonisë, të cilat u hoqën duke e shpjeguar si një veprim të parregullt), po punohet që gjendja të analizohet dhe të nxirren detyra për përmirësimin e punës së partisë në ndërmarrje, kooperative, shkolla e institucione. Për këtë arsye një nga problemet që do të analizohet këto ditë në të gjitha organizatat-bazë të partisë, është çështja e qëndrimit ndaj fesë dhe organizimi e zhvillimi i propagandës ateiste. Por për zhvillimin e propagandës ateiste veç përgatitjes dhe rritjes së rolit të komunistëve, po mendohet për të organizuar një punë më të kualifikuar, me forca që mund ta zhvillojnë atë me kulturë e argumente shkencore, sidomos me rininë në shkolla e institucione.
Mendoj se del e nevojshme që edhe organet e propagandës të angazhohen për këtë problem duke dërguar njerëz të përgatitur. Nga ana tjetër Komiteti Qendror i Rinisë lypset ta bëjë objekt të punës së organizatës së rinisë, duke organizuar ndofta një diskutim e debat të gjallë për problemet e fesë e të mobilizimit të saj në punë. Aktualisht me pre-okupacion po ndiqen detyrat për zbatimin e mekanizmit të ri ekonomik, studimi dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit me firmat e huaja, zgjidhja e përputhja e treguesve të planit të vitit të ardhshëm, mbjellja e grurit, problemet e furnizimit të popullit, sepse në treg ka lëkundje e pakësim të furnizimit të qumështit, vezëve, perimeve e ndonjë artikulli tjetër ushqimor e industrial. / Memorie.al
Shyqëri Zeneli
Tiranë, më 21.11.1990
Vijon numrin e ardhshëm












