Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e njëmbëdhjetë
Memorie.al/ Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së e gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45 të OKB-së, pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së, gjë e cila nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum të lartë të politikës dhe diplomacisë botërore, me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu.
Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ajo kohe, ende dhe sot vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, pasi me përjashtim të ndonjë dëshmie të pjesëtarëve të atij delegacioni (kujtimet e Reiz Mailes, apo Lisen Bashkurtit), si dhe fare pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, asgjë tjetër nuk dihet rreth vizitës së kreut të shtetit shqiptar të asaj kohe, Ramiz Alia, në sesionin e 45 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, i cili i zhvilloi punimet për rreth tre javë rresht, deri në mesin e muajit tetor 1990.
Si p.sh.; Kur filloi përgatitja dhe përpilimi i protokollit përkatës për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në atë forum të lartë të politikë botërore, kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit që shoqëruan Ramiz Alinë në atë udhëtim të gjatë përtej Atlantikut dhe çfarë funksionesh mbanin ata; prej sa personash përbëhej stafi ndihmës që shoqëroi delegacionin shqiptar dhe cilët ishin ata?! Kur filloi përgatitja dhe çfarë përmbante programi i vizitave dhe takimeve të Ramiz Alisë gjatë gjithë periudhës që ata do të qëndronin në SHBA-ës? A u realizua i gjithë ai program sipas protokollit përkatës dhe cilët ishin krerët e delegacioneve të huaja që takoi Ramiz Alia gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në SHBA-ës e, çfarë bisedoi ai me ta? Kush ishin shqiptarët e “mërgatës së vjetër”, me të cilët u takua kreu i Shqipërisë komuniste gjatë asaj vizite, çfarë u bisedua në ato takime dhe a pati incidente me “mërgatën reaksionare shqiptare”, të arratisur nga Shqipëria pas vitit 1945? Kush e organizoi pritjen që dha Ramiz Alia për bashkatdhetarët në Boston, cilët ishin disa nga eksponentët e mërgatës shqiptare që asistuan aty dhe si shkoi ai takim?
Cili ishte itinerari i udhëtimit të delegacionit shqiptar nga Tirana drejt SHBA-ës, përse u ndanë ata në disa grupe dhe arsyet e qëndrimit një natë në Zvicër? Përse ishte pjesë e delegacionit shqiptar, edhe Arben Alia, i biri i kreut të shtetit, Ramiz Alia dhe si u “justifikua” pjesëmarrja e tij në përbërje të delegacionit në fjalë? Sa dhe cilat ishin dhuratat që mori me vete delegacioni shqiptar me në krye Ramiz Alinë dhe kujt iu dhuruan ato në Zvicër e SHBA-ës? Përse u caktua Hotel “Plaza” (hoteli në pronësi të presidentit të sotëm të SHBA-ës, Donald Trump), për akomodimin e Ramiz Alisë dhe disa pjesëtarëve të tjerë të atij delegacioni? Sa kushtoi nga ana financiare e gjithë ajo vizitë, përse u shtuan fonde të tjera gjatë periudhës që delegacioni ndodhej në SHBA-ës dhe si u justifikuan ato shpenzime?
Përse stafi i diplomatëve shqiptarë që shërbenin në Misionin e OKB-së, u kujdesën që t’i jepnin Ramiz Alisë dhe një planimetri të saktë të sallës ku do mbahej sesioni i 45 i OKB-së, duke i përcaktuar edhe vendin ku do ulej përfaqësuesi kryesor i delegacionit të Republikës Federative të Jugosllavisë?! Kush ishin dy truprojat (mjeku dhe shoferi) që shoqëruan Ramiz Alinë gjatë gjithë asaj vizite dhe si u bë e mundur që ata të udhëtonin në avion me armatim dhe municion me vete? Cilët ishin pjesëtarët e grupit të xhirimit të Radio-Televizionit Shqiptar që shoqëruan delegacionin dhe çfarë detyrash iu dhanë atyre? Lidhur me këto etj., na njohin dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E TAKIMIT TË KREUT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA, ME KRYEMINISTRIN E FINLANDËS, HARRI HOLKER, MË 29 SHTATOR 1990, NË HOTEL “PLAZA”
EKZISTOJNË TË TËRA MUNDËSITË QË MARRËDHËNIET MIDIS
DY VENDEVE TONA TË ZGJEROHEM AKOMA MË SHUMË
Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Ramiz Alia u takua më 29.9.1990 në hotel “Plaza” në Nju Jork me kryeministrin e Finlandës, Harri Holkeri. Midis tyre u zhvillua kjo bisedë:
Shoku Ramiz Alia: Jam shumë i gëzuar që takohem me ju. Konstatojmë me kënaqësi se midis Shqipërisë dhe Finlandës ka marrëdhënie miqësore. Ekzistojnë të tëra mundësitë që, pavarësisht nga largësia, këto marrëdhënie të zgjerohen akoma më shumë në fusha të ndryshme si në ato ekonomike, politike e shoqërore. Ne kemi respekt të veçantë për popullin finlandez dhe për politikën tuaj të pavarur.
Harri Holkeri: Shumë falemnderit për fjalët mjaft të ngrohta në adresë të popullit tim. Jam plotësisht dakord me ju. Do të dëshiroja t’ju uroj përzemërsisht për fjalimin shumë të mirë që mbajtët dje në Asamble. Këtë e them jo vetëm nga përshtypjet e mia, por e pashë edhe nga duartrokitjet në sallë, si dhe nga reagimet në tërësi pozitive të shtypit.
Ne ndjekim me vëmendje politikën tuaj të hapjes, e cila mirëpritet nga të gjithë. Marrëdhëniet midis Finlandës dhe Shqipërisë janë shumë të mira. Delegacioni parlamentar finlandez që ishte pak kohë më parë në Shqipëri dhe që u prit nga parlamenti juaj mbeti shumë i kënaqur. Ai u largua nga vendi juaj me përshtypjet më të mira. Për këtë vizitë më informuan gjerësisht.
Ne dëshirojmë që marrëdhëniet tona t’i çojmë akoma më për-para. Në këtë kuadër Sekretari i Punëve të Jashtme, në bazë të ftesës që i është bërë nga pala shqiptare, me kënaqësi do të vijë për vizitë në Shqipëri.
Shoku Ramiz Alia: Shqipëria ishte në të kaluarën shumë e varfër. Populli vuante për bukë. Analfabetizmi, sëmundjet ishin shumë të përhapura. Shqiptari jetonte 38 vjet në 1945, kurse sot jeton 72. Në fjalimin tim fola edhe për KSBE-në. Në fillim ne kërkuam të ishim vëzhgues, sepse na nevojitej kohë për studimin e dokumenteve të shumta, por edhe që të përshtatnim ligjet tona me disa kërkesa të Aktit të Helsinkit.
Ne bëmë një deklaratë qeveritare, që tashmë janë krijuar kushtet për pjesëmarrje të plotë të Shqipërisë në procesin e KSBE-së. Në këtë drejtim kemi informuar edhe zyrtarisht SHBA-në si vend organizator (pritës) i mbledhjes së tanishme të Ministrave të Jashtëm të KSBE-së, Finlandën si vend depozitor të Aktit të Helsinkit, si dhe qeverinë franceze si vendi pritës të Mbledhjes së Nivelit të Lartë. Ne besojmë se do të gëzojmë përkrahjen e qeverisë finlandeze.
Harri Holkeri: Kemi marrë njoftimin tuaj dhe i kemi njoftuar të gjitha vendet pjesëmarrëse. Në parim qëndrimi i qeverisë finlandeze është pozitiv, por, siç e dini, zoti President, procesi i KSBE-së vazhdon mbi bazën e konsensusit. Pra, duhet marrë vendim mbi këtë bazë.
Dje kur fola në Nju-Jork, në Shoqatën e Nju-Jorkut për politikën e Jashtme, thashë se numri i vendeve në KSBE nuk është fiks. Më falni, desha të bëj një shaka, por tani numri i vendeve është 35, mirëpo pas ribashkimit të dy Gjermanive, numri reduktohet në 34, pra na duhet edhe një që të bëhet 35, dhe kjo është Shqipëria.
Shoku Ramiz Alia: Ne mbështetemi tek mendimi juaj. E dimë parimin e konsensusit dhe për të arritur realizimin e këtij parimi ne çmojmë qëndrimin tuaj. Procesi i Helsinkit është një aktivitet i rëndësishëm në të cilin nuk duhet privuar Shqipëria. Shqipëria në rrugën e saj, që disa e quajnë të hapjes, por është e demokratizimit të mëtejshëm të jetës, do të kontribuonte më së miri në këtë proces.
Vënia e kushteve ndaj Shqipërisë influencon negativisht, prandaj në këtë drejtim ne llogaritim mbështetjen tuaj. Në rastin e pjesëmarrjes sonë në deklarojmë se jo vetëm do të nënshkruajmë Aktin e Helsinkit, por angazhohemi edhe për zbatimin e tij.
Harri Holkeri: Kjo është e rëndësishme, zoti President.
Shoku Ramiz Alia: Për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe ato duhen parë sipas interesave reciprokë. Natyrisht janë bërë hapa pozitivë në fushën politike e të tjera. Edhe në të ardhmen mendojmë të bëhen hapa më të mëdhenj. Por mendojmë që të shohim më mirë marrëdhëniet tregtare. Është shumë mirë që populli shqiptar dhe populli finlandez të njihen më mirë me njëri-tjetrin.
Harri Holkeri: Zoti President, jam plotësisht dakord me ju. Një dëshirë të tillë e kemi edhe ne. Popullsia juaj është pak më e vogël se e Finlandës, por që të dy jemi vende të vogla. Edhe ne, ashtu si ju, jemi përpjekur gjithnjë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare. Dhe këtë gjë të dy palët e kemi bërë me përpjekje shumë të mëdha. Me sa di unë, gjuha shqipe është një gjuhë e veçantë.
Shoku Ramiz Alia: Gjuha shqipe është unikale, nuk ka ndonjë motër. Edhe kultura shqiptare është shumë e lashtë. Këtu pra kemi një pikë të rëndësishme kontakti për të njohur njëri-tjetrin.
Harri Holkeri: Jam plotësisht dakord me ju. Ne kemi mundësi të mëdha për të punuar së bashku. Gjërat po lëvizin në Evropë. Këtu nuk ndodhi vetëm bashkimi i Gjermanisë, por edhe ndryshimet në Evropën Lindore ishin të dukshme. Nuk është fort e qartë ajo që po ndodh në Bashkimin Sovjetik, bile mund të them është diçka e errët.
Ne në Finlandë përpiqemi të kemi kontakte me Bashkimin Sovjetik, çka mund të them se ngandonjëherë është edhe e vështirë. Me sa di unë ju me fqinjët keni probleme. Mund t’ju pyes hapur, cili është mendimi juaj për Jugosllavinë?
Shoku Ramiz Alia: Siç keni edhe ju probleme për shembull, me Bashkimin Sovjetik, që e keni fqinjë, edhe ne përpiqemi që me fqinjët tanë të kemi marrëdhënie të mira. Më pyetët për Jugosllavinë. Sipas mendimit tonë, situata atje është e vështirë. Nuk flas thjesht për fushën politike, por ka një krizë kushtetuese në këtë vend.
Ju e dini si është formuar federata jugosllave. Atje ka gjashtë republika dhe dy krahina autonome, që ishin të tilla, sepse dje Serbia shpalli Kushtetutën e re dhe eliminoi totalisht autonomë e Kosovës, ku jetojnë mbi 2 milion shqiptarë. Siç dihet, në Jugosllavi jetojnë rreth 3 milion shqiptarë, sepse krahas atyre që jetojnë në Kosovë, ka edhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë. Në Maqedoni, për shembull, ka mbi 600 mijë shqiptarë, në Mal të Zi mbi 100 mijë.
Pra është një entitet i madh, të cilit tashmë i hiqen të gjitha të drejtat. Në Jugosllavi nuk ka thjesht kontradikta të mëdha midis serbëve dhe shqiptarëve, por edhe midis Serbisë dhe Kroacisë, Serbisë dhe Sllovenisë, Serbisë dhe Maqedonisë dhe bile edhe midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Problemi shtrohet se kush do të dominojë. Serbët nuk janë të kënaqur, por përpiqen gjithnjë të vendosin hegjemoninë në tërë Jugosllavinë. Në qoftë se në Slloveni dhe në Kroaci ka një tendencë për një farë pavarësie, nga ana e Serbisë është tendenca e hegjemonizmit.
Po të shikojmë edhe proceset në Jugosllavi, në Kroaci e në Slloveni, sikur ka demokraci, por Serbia mban unitarizmin, që shkon në kundërshtim me tërë proceset në Evropë. Politika e Serbisë ndaj shqiptarëve është refleks i hegjemonizmit në tërësi në Jugosllavi. Asnjë e drejtë demokratike nuk u njihet shqiptarëve.
U mbyll televizioni shqiptar, u anulua shtypi në gjuhën shqipe, puna shkoi deri atje sa edhe deputetët shqiptarë të Kuvendit Shqiptar, pra të parlamentit, të arrestohen. Kjo padyshim është një situatë tepër e vështirë, me të vërtetë e vështirë, sepse nuk u mjaftua vetëm me këto masa antidemokratike, por ato u shoqëruan edhe me përdorimin e dhunës e të forcës.
Në Kosovë dhe në afërsi të kufijve me Shqipërinë janë grumbulluar forca ushtarake, deri në 15 mijë ushtarë me armë. Pra, në kufi në të tilla raste nuk krijohen situata të favorshme.
Harri Holkeri: Ju pyeta për Jugosllavinë lidhur edhe me zhvillimet e saj të brendshme. Tashmë është fakt që Jugosllavia është një problem i madh. Nuk ka dyshim se kombësi të ndryshme përpiqen të krijojnë republika dhe krahina të tyre autonome.
Siç dihet hungarezët në Transilvani dhe Vojvodinë, minoritetet në Bashkimin Sovjetik, republikat e Baltikut nuk janë të qeta, po përpiqen për pavarësi. Situatat nuk janë të qeta edhe në disa vende të tjera. Pra tërë kontinenti është në turbullira.
Shoku Ramiz Alia: Edhe perspektiva, sidomos në vendet e Evropës Lindore është e errët. Krahas problemeve të tjera të shumta ka edhe probleme ekonomike, të cilat, pa dyshim, influencojnë në marrëdhëniet me vende të ndryshme.
Harri Holkeri: Finlanda po përpiqet që të ketë kontakte sa më të mira me vendet e EFTA-s, që në Evropë të ketë një bashkëpunim sa më të ngushtë midis vendeve të EFTA-s dhe të Komitetit Evropian. Kjo është një detyrë kryesore. Ne do të përpiqemi që vitin që vjen të ndërmarrim edhe hapa të tjerë të rëndësishëm në këtë drejtim.
Shoku Ramiz Alia: E kuptoj pse ju punoni në këtë drejtim, ndërsa ne jemi angazhuar në fushën ballkanike. Më 24 tetor të këtij viti do të bëhet mbledhja e ministrave të Punëve të Jashtme në Tiranë, ku do të diskutohet në frymën e bashkëpunimit, me qëllim marrëdhëniet midis vendeve ballkanike të ecin përpara.
Nuk ka dyshim që Ballkani ka probleme, sidomos ato nacionale janë të mëdha, por kjo nuk do të thotë se këto probleme nuk duhen përballuar. Për çdo problem, sado i madh që të jetë, mund të gjenden rrugët e drejta për zgjidhje. Prandaj politika jonë ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Siç e dini, zona ballkanike është vulnerabël.
Harri Holkeri: Qeveria ime është plotësisht dakord me sa thatë ju, zoti President. Unë do të njoftoj ministrin e Punëve të Jashtme të vendit tim, i cili do të marrë pjesë të hënën e ardhshme në mbledhjen në kuadrin e KSBE-së.
Uroj, dhe jam i sigurt, që marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të zgjerohen më tej. Ju uroj suksese në zhvillimin e vendit tuaj ! Ju falënderoj shumë, zoti President, për këtë takim miqësor.
Shoku Ramiz Alia: Edhe unë nga ana ime ju falënderoj shumë dhe ju uroj juve dhe popullit finlandez të gjitha të mirat!/ Memorie.al
(Marrë me stenograme)
Vijon numrin e ardhshëm




















