Pjesa e dytë
Memorie.al / Në mars të vitit 1965, një delegacion i lartë kinez i kryesuar nga kryeministri, Çu En Lai, mbërriti për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ajo ishte vizita e tij e dytë zyrtare në vendin e vogël komunist ballkanik dhe u zhvillua nga data 27 deri më 29 mars 1965 në Tiranë, ku ai u prit nga udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Haxhi Lleshi etj., të cilët dolën për ta pritur mikun kinez që në aeroportin e Rinasit, nën tingujt e bandës muzikore dhe truprojave ushtarake të nderit. Takimet zyrtare u mbajtën në selinë e Kryeministrisë, ku përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, morën pjesë edhe anëtarë të tjerë të Byrosë Politike dhe qeverisë shqiptare, si; Beqir Balluku, Hysni Kapo, Spiro Koleka, Adil Çarçani, Gogo Nushi, Haki Toska, Manush Mysfiu, Ramiz Alia, Rita Marko, Spiro Koleka, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Behar Shtylla, dhe ambasadori shqiptar në Kinë, Nesti Nase etj..
Po çfarë u bisedua në takimet me kryeministrin kinez, cilat ishin kërkesat prioritare të bërë nga qeveria shqiptare për ndihma dhe kredi nga Republika Popullore e Kinës dhe përgjigjja e Çu En Lait lidhur me sa i kërkohej? Lidhur me këto etj., na njohin dokumentet arkivore ku ndodhet proces-verbali i takimit në fjalë, i cili është nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilin po e publikojmë me disa shkurtime.
Mars 1965
ÇU EN LAI: Natyrisht, përmenda ato që janë kompletuar deri në fund të vitit të shkuar. Një tjetër çështje është furnizimi me materiale dhe pajisje që ju të nisni futjen në punë të objekteve. Sipas idesë që kemi ne mbi ndërtimin dhe shfrytëzimin e objekteve, do të kërkohet një volum transporti prej rreth 100 000 ton në vit. Ndërsa pas përfundimit të ndërtimit të tyre ju do të keni nevojë për një forcë punëtore prej rreth 15.000 njerëz. Pas përfundimit të objekteve ju do të keni nevojë t’i furnizoni ato me energji, dhe gjatë sezonit të thatësirave, ju nuk mund t’i furnizoni ato.
Sigurisht që për këtë do të ndihmojë ndërtimi i termocentralit në Fier me kapacitet 74.000 kv. Nëse përfundohet shpejt ky termocentral, ju do të keni energji të konsiderueshme, edhe pse shumica e saj është llogaritur për fabrikën e fertilizuesve azotikë. Një çështje tjetër është transporti, e cila nuk do të ekzistojë vetëm në kohën e ndërtimit të objekteve, por dhe gjatë funksionimit të tyre, pasi do të jenë të nevojshme transporte të lëndës së parë dhe materialeve të tjera, si ato të importit dhe aty që vijnë nga zona të ndryshme të vendit.
Nevojat totale të këtyre 37 objekteve kërkojnë një volum prej 66 milionë ton në vit. Hekurudhat në Shqipëri janë të pamjaftueshme, prandaj kjo do të sjellë ngarkesë të madhe të infrastrukturës. Në lidhje me planifikimin për të ardhmen mendoj se për planin e katërt pesë-vjeçar, duhet të përcaktojmë sesa objekte do të ndërtohen dhe nëse këto objekte janë apo jo të favorshme për ndërtimin e socializmit në Shqipëri. Në letrën e shokut Mehmet Shehu thuhet qartë se ju do të përpiqeni të mos e tej ngarkoni shumë planin. Aty përmenden ndërtimi i 13 objekteve të reja dhe zgjerimi i 15 njësive dhe objekteve ekzistuese.
Për tetë objekte studimet do të fillojnë më vonë pasi ndërtimi i tyre do të fillojë në planin e pestë pesëvjeçar. Ndërsa nga pala jonë e marrëveshjes ka gjithashtu probleme që kërkojnë analizë. Nuk ka dyshim që ne do t’ju ndihmojmë për 37 objektet që kemi rënë dakord për të ndërtuar, por shpenzimet do të kalojnë buxhetin dhe ne do të duhet të rrisim huat. Specialistët na kanë thënë se objektet ende nuk kanë përfunduar ndërtimin dhe materialet ende nuk janë dërguar.
Nga llogaritjet tona shihet se ndërtimi, dizajni, përdorimi i objekteve sa bashku me ndihmat tregtare arrijnë të gjitha në shumën 2 miliardë huan. Kjo shumë në krahasim me ndihmat që ne japim për vendet e tjera në Azi dhe Afrikë, është e dyta më larta. Vietnami është në vend të parë dhe Shqipëria vjen e dyta. Asistenca që ju japim, është më e madhe se ajo që i japim Koresë së Veriut. Duke pasur parasysh punën me objektet e tjera që po ndërtojmë, mendoj se duhet të flasim për mangësitë që përmenda më sipër, në mënyrë që çdo projekt ta planifikojmë në mënyrë racionale.
Vitin e kaluar kur unë erdha në Shqipëri, kisha përshtypjen se fokusi kryesor i rindërtimit do të ishte bujqësia dhe industria si një mjet ndihmësi saj. Sigurisht që ndërtimi në një kurs të tillë nuk është i thjeshtë. Nga ajo që kam parë në planin tuaj, objektivi i sigurimit të bukës në vend po ecën me hapa të ngadaltë, megjithëse ju e keni si objektiv parësor të planit. A nuk do të ishte më mirë të prodhonit bukë në tokat që keni planifikuar për duhan?
MEHMET SHEHU: Ne mund të mbjellim drithëra në tokat e duhanit po efiçenca do të ishte e ulët. Ato do të prodhonin vetëm katër kuintalë grurë ose misër, pasi janë toka të varfra, por nëse mbjellim duhan marrim më shumë dhe kemi leverdi.
ENVER HOXHA: Problemi në lidhje me tokat e duhanit e kemi hasur më parë me eksperimentet që kemi kryer, këto toka të varfra nuk prodhojnë shumë drithë. Kemi kryer klasifikime të të gjitha tokave tona.
ÇU EN LAI: Me duhanin që mbillni duket se kërkoni të plotësoni dhe nevojat e eksportit, dhe llojet e duhanit që mbillni korrespondojnë me ato të kërkesës së huaj. Kina për shembull nuk përdor duhanin që ju mbillni, prandaj kur shesim duhanin tuaj në treg, ne duhet ta kompensojmë vetë çmimin. Po mendoja nëse mund të mbillni fara duhani më të larmishme në tokat e duhanit.
ENVER HOXHA: Po, do ta provojmë, mund të mbjellim fara kineze.
ÇU EN LAI: Qëllimi im është të provoni të gjitha mënyrat për të siguruar bukën tuaj, më duket se kjo është një detyrë që vjen para të gjithave. Por sigurisht që duhet të keni parasysh se ka dhe artikuj të tjerë ushqimorë që duhet të prodhoni, si fasule, mish etj., kështu që nëse ndërprisni marrëdhëniet me botën e jashtme të mund të mbështeteni në kapacitete e brendshme. Ashtu siç krijohet rendi i prioriteteve në bujqësi, duhet të krijohet dhe ai i industrisë, duke përcaktuar objektet që të shtyhen për më vonë.
Materialet tuaja kryesore janë nafta, kromi, hekur-nikeli fertilizuesit dhe sektori i energjisë. A mos duhet të ndërtoni fillimisht termocentralet dhe hidrocentralet? Kjo duhet studiuar. Ne sigurisht duhet të zbulojmë cila është qasja më e leverdishme sidomos për objektet më të mëdha. Eksperienca jonë do të jetë e vlefshme për Shqipërinë. Bashkëpunimi mes ndërmarrjeve të reja është gjithashtu i rëndësishëm, por tashmë Shqipëria e ka krijuar bazën e saj mekanike dhe mund të vendosë së shpejti bashkëpunimin mes qendrave industriale.
Prandaj ndërtimi i objekteve duhet të bëhet në ndërthurje me njëra-tjetrën. Ne më Kinë kemi ndërmarrje të mëdha që kombinojnë aktivitetin e tyre me të tjera ndërmarrje të mëdha. Kemi gjithashtu ndërmarrje të mesme e të vogla që kombinojnë aktivitetin me ndërmarrjet e mëdha. Kjo është e nevojshme për të siguruar furnizimin me bazën materiale. Një tjetër çështje është krijimi i kuadrove me specialistë të cilët duhet të perfeksionojnë teknologjinë e re të objekteve. Bashkë me punën teknike duhet vazhduar dhe ajo politike për edukimin e njerëzve.
Gjithashtu duhet te ekonomizojmë burimet, që është një tipar parësor për ndërtimin e socializmit si në Kinë dhe në Shqipëri. Kjo çështje duhet ngritur gjithmonë me masat dhe për Shqipërinë merr një rëndësi edhe më të madhe prej ekonomisë së dobët. Në lidhje me planin tuaj pesë vjeçar desha të them se Kina po përballet me vështirësi dhe nuk mund të plotësojë të gjitha kërkesat tuaja. Ne e shikojmë se ju kërkoni të ndërtoni shumë objekte, por ne nuk mund t’i plotësojmë të gjitha kërkesat, qofshin ato në çështjet tregtare apo dhe huat.
Nuk ka dyshim se ne do të vazhdojmë të asistojmë në ekonominë tuaj, por ju kërkoni të bëni shumë investime, prandaj ne duhet të bëjmë bisedime konkrete mbi kapacitete tona dhe kërkesat tuaja. Ne mund të zotohemi vetëm për ato që mund të kryejmë dhe për këtë nuk mund t’ju japim një përgjigje konkrete për momentin. Është e qartë se shumë nga 37 objektet e kërkuara nga ju, kërkojnë materiale të importuara. Ne sigurisht që do t’i sigurojmë ato, për ju por duhet të përcaktojmë se cilat do të merrni me këmbime dhe cilat me anë të huave. Si rezultat i importit ne përballemi dhe me çështjen e transportit të tyre.
Kam gjithashtu një pyetje, kur mendoni se shoku Spiro Koleka do të vijë në Kinë? Deri tani grupi i specialistëve tuaj ka kryer dy raunde bisedimesh me specialistët tanë, por nuk janë të përgatitur për të gjitha çështjet prandaj kërkojmë ndryshime. Ju kërkojmë nëse mundeni të dërgoni në Kinë një grup shokësh që të mund të marrin vendime mbi problemet dhe mundësisht të qëndrojnë aty për më shumë kohë, pasi është e vështirë për ne që të vijmë këtu me delegacione të këtij rangu. Vendet që marrin ndihmë ekonomike nga vendi ynë janë më shumë se 30, prandaj nëse reduktojmë barrën e disa çështjeve, do të funksiononte më mirë.
Në këto kushte kreu i komisionit tonë ekonomik me jashtë, Fang Ji, nuk mund të largohet nga Kina për momentin, për të diskutuar në vende të tjera. Ne po përgatitemi për konferencën e dytë të vendeve të Azisë e Afrikës dhe mes të tjerave do të theksojmë nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik me ta, dhe do t’i vëmë në luftë me imperializmin dhe revizionizmin modern. Në lidhje me planin e katërt pesë-vjeçar të Shqipërisë, mendoj se do të na duhet më shumë kohë për ta realizuar.
Për mënyrën e zgjidhjes së problemeve ne ju lutemi shokut Hoxha, Shehu, Koleka dhe shokët e tjerë shqiptarë, të na japin opinionin e tyre mbi çështjen. Dua të them edhe një herë se pikëpamjet tona mund të mos jenë më të leverdishmet për ju, por gabimet mund të riparohen deh ato që nuk ju kënaqin do t’i diskutojmë përsëri, siç e di mirë shoku Balluku. Kaq kisha për të thënë.
ENVER HOXHA: Bëjmë një pushim.
ÇU EN LAI: Jam dakord.
(Pas një pushimi të shkurtër u mbajtën bisedimet e sesionit të fundit, ku fjalën e mbajti kryesisht Enver Hoxha. Ai falënderoi shokun Çu En Lai për diskutimin e gjerë dhe të hapur, por theksoi nevojën e Shqipërisë për investimet kineze në ndërtimin e objekteve industriale dhe pajisjeve ushtarake, prej rrezikut të fqinjëve të saj imperialistë e revizionistë. Dy palët ranë dakord për diskutimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në nivel delegacionesh të larta shqiptare ne Kinë.)/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














