Dashnor Kaloçi
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Qemal Stafës sipas dëshmive të Riza Deliallisit me origjinë nga Shijaku, i cili e ka pasur Qemalin shok klase, gjatë kohës që ai ishte në gjimnazin e Shko drës, Tiranës, si dhe në Elbasan ku Qemali shkonte si i deleguar nga Tirana, për të organizuar lëvizjen komuniste dhe për t’ju çuar literaturën komuniste, në grupin që ishte formuar në atë qytet, ku ai kishte lindur. Dëshmitë e rralla të shokut të klasës së Qemalit, për shokët dhe miqtë e ngushtë të tij, si dhe qëndrimin që ai mbajti në gjyqin që u zhvillua në Tiranë ndaj 73 të pandehurve, në shkurtin e vitit 1939, të cilët akuzoheshin për veprimtari subversive komuniste, ku prej tyre vetëm Qemali, pranoi se ishte komunist dhe Rizai ishte i vetmi që u lirua nga salla e gjyqit, si i pafajshëm!
Më 5 maj, ditën e vrasjes së Qemal Stafës, njërit prej komunistëve më të njohur të periudhës së Luftës në Shqipëri, ditë e cila për nder të tij, është shpallur dhe përkujtohet simbolikisht si “Dita e Dëshmorëve”. Lidhur me atë ngjarje të largët të vitit 1942, kur djaloshi i ri komunist Qemal Stafa, mbeti i vrarë në rrethana ende të panjohura, diku në një lagje periferike të Tiranës, janë hedhur mjaft hipoteza dhe dyshime. Një nga ata që e ka njohur nga afër Qemal Stafën, është Riza Xheladin Deliallisi, nga qyteti i Shijakut, njëri prej miqve dhe shokëve më të ngushtë të tij, që nga koha e shkollës në gjimnazet e Shkodrës e Tiranës, si dhe e burgut, i vetmi i mbetur gjallë nga 73 të pandehurit, që dolën në gjyqin e famshëm të zhvilluar në shkurtin e vitit 1939, i cili para pak kohësh, na ka rrëfyer anët e panjohura të atij gjyqi, që nuk u bë publik gjatë viteve të regjimit komunist, të Enver Hoxhës, apo dhe më keq u manipulua nga propaganda dhe historiografia zyrtare e asaj kohe.
Dëshmia e Deliallisit: Qemali ishte orator, bënte debate me trupin gjykues
Riza Xheladin Deliallisi, i cili është i vetmi person që ka jetuar deri para pak vitesh nga 73 të pandehurit e akuzuar si komunistë nga regjimi i Zogut, midis të tjerash na rrëfente edhe për gjyqin e famshëm që u zhvillua për afro 30 ditë me radhë, në muajt janar-shkurt 1939. Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Gjyqi ndaj nesh u zhvillua në sallën e madhe, poshtë në bodrumin e Bashkisë së Tiranës (aty ku sot ndodhet Muzeu Historik Kombëtar) dhe ai zgjati për afro një muaj me radhë. Njerëzit që asistuan aty ishin me ftesa të veçanta dhe masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme. Gjë e cila shihej edhe nga numri i madh i xhandarëve që na shoqëronin nga burgu te salla e gjyqit dhe anasjelltas. Ai gjyq ndiqej me interes të madh edhe nga gazetat kryesore të asaj kohe, të cilat i kushtonin çdo ditë disa faqe të tëra seancave të tij. Qemal Stafa mbajti një qëndrim burrëror në gjyq dhe ai ishte ndër të vetmit që pranoi se ishte komunist dhe kishte kryer e propaganduar idetë komuniste. Në seanca të ndryshme Qemali bënte debate me trupin gjykues dhe prokurorin, duke treguar oratorinë dhe bindjet e tij komuniste. Gjatë një seance, duke iu drejtuar trupit gjykues, midis të tjerash Qemali tha: “Zotërinj, unë jam komunist dhe vetëm komunizmi do e shpëtojë këtë popull nga skamja e vuajtjet ku e ka futur ky regjim”. Kjo deklaratë i ra si bombë trupit gjykues, të cilët e ndërprenë menjëherë seancën dhe pasi e morën më vete Qemalin, i thanë: “Or djalë, thirri mendjes. A e di se çfarë po thua? Ç‘janë këto deklarata që bën këtu publikisht? Kur të rifillojmë seancën, hidhi poshtë ato që the dhe mos prano që je komunist”? Por Qemali ju tha se ato që kishte thënë ishin të vërteta dhe nuk hidhte poshtë asgjë nga ato që kishte deklaruar aty dhe vazhdoi të mbante të njëjtin qëndrim. Edhe Tuk Jakova mbajti qëndrim burrëror gjatë seancave gjyqësore. Me përjashtim të Qemalit, i cili e pranoi se ishte komunist, pothuaj pjesa më e madhe nga ne, 73 personat që u gjykuam aty, nuk i pranuam akuzat që na bëheshin për veprimtari komuniste. Po kështu, as që bëhej fjalë për të sharë regjimin e Zogut në atë gjyq. Qemali mbrohej nga avokati i famshëm Suat Asllani, ndërsa unë nga Vasil Dilo. Pas dhënieve të vendimeve, shumë nga të pandehurit protestuan dhe i konsideruan dënimet si të padrejta”.
Gjyqi ndaj 73 të akuzuarve si komunist, ku u dënua Qemal Stafa
Cilët ishin ata 73 komunistë që u vunë në bankën e të akuzuarve, në gjyqin e famshëm të zhvilluar në sallën e madhe të ish-bashkisë së kryeqytetit (ish-godina u shemb në fundin e viteve ‘70, aty ku sot ndodhet Muzeu Historik Kombëtar), çfarë aktiviteti kishin zhvilluar ata, kush ishin pjesëtarët e trupit gjykues dhe prokurorisë, si u formulua aktakuza ndaj tyre, cilët ishin dëshmitarët që kishin deponuar kundër të pandehurve, çfarë dënimesh u dhanë në adresë të tyre dhe kush u shpall i pafajshëm? Për të gjitha këto na njeh proces-verbali i vendimit të atij gjyqi, që u botua edhe në pjesën më të madhe të gazetave të asaj kohe, një pjesë të së cilit po e botojmë në këtë shkrim duke e dhënë në gjuhën e shkruar zyrtare të asaj kohe, pa asnjë ndryshim.
Trupi Gjykues dhe Prokuroria e Gjyqit Special
Në emën të Nalt Madhënisë së Tij ZOG i I-rë
Me vullnet të popullit Mbret‘ i Shqiptarëvet
Gjykata e Posaçme për Faje Politike në Tiranë e formume prej Z. Kryetar; Abedin Xhiku, N/Kolonel; Antar Civil; Ekrem Hado, Ndihmës Gjyqtar Filluar; Ndihmës Antar Civil; Hysen Sulo, Prokuror Gjykatës Ushtarake; Antar Ushtarak Shan Vila, Major: Antar Ushtarak; Lan Kraja, Kapiten i kl. I-rë.
Me asistencën e sekretarëve Kozma Toçi e Pandeli Kosova e me ndodhjen gati të Zav. Prokurorit Dhimitër Goda. Në procedimin penal të zhvilluem n‘emën të së drejtës Botnore. Prokuroria e Posaçme të Faje Politike me akt akuzimet e saj Nr. 2 e 3 datë 28.I.1939 dhe 3.II.1939, duke mbështetë në “Ordonancat e Gjykatës Hetuese”, për Faje Politike me Nr. 2 e datë 28.I.1939 dhe 3 datë 2.II.1939, ka dërguar si të pandehur para kësaj Gkykate konform nenit 128 të Pr.Penale si dhunuesa të nenevet 1 e 6 të Ligjës mbi faje kundra rregullit shoqnuer dhe ekonomik datë 30 Prill 1937, të poshtëshënuemit:
- Zef Mala, i biri i Gjonit dhe i Shaqes nga Lagjia Skandërbeg i Shkodrës, 24 vjeç i papunë, me arsim Universitar, i pamartuar dhe i padënuar.
- Niko Xoxi, i biri i Pandos dhe i Antigones, nga Korça, 33 vjeç, këpucar, i martuam me dy fëmijë, i padënuem, arsim fillor.
- Vasil Shanto, i biri i Petrushit dhe Justiankës nga Shkodra banues në Tiranë, vjeç 25, furrxhi me arsim të mesëm, i pamartuar dhe i padënuem.
- Gjovalin Luka, i biri i Angjelinit dhe Lizës, vjeç 15 nga Shkodra, student në klasën e VI-të të Liceut të Shkodrës, i pamartuem dhe i padënuem.
- Vasil Llazari, i biri i Mitros dhe i Nastës, vjeç 20 nga Shkodra, maturant i pamartuem, i padënuem, arsim filluer.
- Petro Duma, i biri i Theodhorit dhe Nastatsis, vjeç 28 nga Bilishti, rrobaqepës, i martuem pa fëmijë, i padënuem, arsim fillor.
- Myzafer Asqeriu, i biri i Avniut dhe i Nuries nga Gjinokastra, vjeç 21 i pamartuem, i padënuem, me arsim të mesëm.
- Emin Duraku, i biri i Rexhepit dhe i Zelihasë, vjeç 21 nga Gjakova banues në Shkodër, student në Kl. VI të të Liceut, i pamartuem i padënuem.
- Ilo Panduku, i biri i Dhimitrit dhe i Olimpiadhës, vjeç 24 nga Korça, konduktor, me arsim të mesëm, i pamartuem dhe i padënuem.
- Kristo Karanxha, i biri i Sotirit dhe i Vitores, vjeç 24 nga Bilishti, tregtar, me arsim filluer, i pamartuem i padënuem.
- Qemal Stafa i biri i Hasanit dhe i Sabires, vjeç 18 nga Elbasani, student i pamartuem dhe i padënuem.
- Kristo Themelko, i biri i Janit dhe Dones, lindur në katundin Vernik të Bilishtit e banues në Tiranë, 25 vjeç, me arsim fillor, marangoz, i pamartuem, i padënuem.
- Tuk Jakova, i biri i Markut dhe i Çiles, vjeç 25, lindun e banues në Shkodër, marangoz, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Voin Grabova, i biri i Aleksit dhe i Elenës, 22 vjeç, nga Rusi i Vogël Katolik i Shkodrës, marangoz i pamartuem, i padënuem.
- Spaso Trimçiev, i biri i Iljaz dhe i Elefteris, 17 vjeç nga Shkodra, student i Kl. VI të t‘atij qyteti, i pamartuem i padënuem.
- Sadik Bekteshi, i biri i Shabanit dhe i Fatimes, vjeç 18, nga Gucia e banues në Fush-Shtoj, student në Liceun e Shkodrës, i pamartuem dhe i padënuem.
- Ilia Karanxha, i biri i Sotirit dhe i Vitores, 26 vjeç, nga Bilishti, mësues në Kryezotaj, me arsim të mesëm, i martuem, pa fëmijë, i padënuem.
- Sotir Velko, i biri i Llambit dhe i Evanthis, 37 vjeç nga Korça, këpuctar, me arsim fillor, i martuem, i padënuem.
- Perikli Papa Mihali, i biri i Dhimitrit dhe i Elpiniqit, 28 vjeç nga Lagjia Mano e Korçës, elektricist, me arsim fillor, i pamartuem i padënuem.
- Çun Jonuzi, i biri i Naçit dhe i Rokes, nga Kastrati e student i KL. V të të Liceut të Shkodrës, 19 vjeç, i pamartuem, i padënuem.
- Etëhem Boriçi, biri i Jonuzit dhe i Meriemes, 18 vjeç nga Shkodra, student i Kl. III të Liceut, i pamartuem, i padënuem.
- Nazmi Koxhaxhiku, i biri i Rrushitit dhe i Nebies, 18 vjeç nga Dibra e Madhe, student në Kl. e I të Liceut të Shkodrës, i pamartuem i padënuem.
- Qemal Draçini, i biri i Kasëmit dhe i Sanies, 16 vjeç nga lagjia Rus i Vogël i Shkodrës, student në Kl. e VI të Liceut, i pamartuem i padënuem.
- Ramiz Xhabija, i biri i Alushit dhe i Qamiles, 19 vjeç nga Shkodra, maturant, i pamartuem i padënuem.
- Taqi Furxhi, i biri Andreas dhe i Vitores, 20 vjeç, nga Lagjia Penço e Korçës, marangoz, i pamartuem, i padënuem, me arsim fillor.
- Abdul Bega, i bir‘ i Ademit dhe i Zyrasë, 33 vjeç, nga Shkodra, me punë private në fabrikën Tarabosh, me arsim të mesëm, i pamartuem, i padënuem.
- Ndue Gjela, i biri i Vatës nga Thethi e banues në Shkodër, 19 vjeç, puntuer në Fabrikën e Xhibukëvet, i pamartuem, i padënuem.
- Bexhet Barbuta, i biri i Hysenit dhe i Neimes, 38 vjeç, nga Bilishti, pronar, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Llazar Panariti, i biri i Andonit dhe i Angjelinës, 29 vjeç, nga Lagjia Penço e Korçës, rrobaqepës, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Niko Afezolli, i biri i Llambit dhe i Anës, nga katundi Shëndëllias i Hoçishtit (Bilisht), 25 vjeç, me arsim të mesëm, mekanik në Centralin Elektrik të Durrësit, i pamartuem, i padënuem.
- Naqo Kondili, i biri i Stavrit dhe i Anës, nga Grabocka e banues në Korçë, 31 vjeç, këpuctar, me shkrim, i pamartuem, i padënuem.
- Bajram Sinoimeri, i biri i Sadikut dhe i Zadefes, nga Gjinokastra, 22 vjeç, rrobaqepës, me arsim fillor, i padënuem.
- Fori Gjevreku, i biri i Thomait dhe i Athinasë, nga Gjinokastra, 25 vjeç, Rrobaqepës, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Elmaz Xhango, i biri i Aqifit dhe i Hatixhesë, nga Gjinokastra, 23 vjeç, student, i pamartuem.
- Zihni Jaho, i biri i Veizit dhe i Lejlasë, nga Gjinokastra, 22 vjeç, me arsim fillor, sekretar privat, i pamartuem, i padënuem.
- Mihal Trojani, i biri i Janaqit dhe i Janës, nga katundi Tren e banues në Bilisht, 29 vjeç, këpuctar, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Mark Uli, i biri i Gjatos dhe i Trinkos nga Shtoj i Ri e banues në Shkodër, student në Liceun e atij qyteti, 16 vjeç, i pamartuem, i padënuem.
- Faik Boshnjaku, i biri i Ahmetit dhe i Nuries, nga Shkodra, 28 vjeç, me arsim fillor, karrocier, i martuem, pa fëmijë, i padënuem.
- Gjergji Zagora, i biri i Spasos e i Gjyshes, nga Shkodra, 20 vjeç rrobaqepës, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Vasil Marku, i biri i Simonit dhe i Aleksandrës, nga Shkodra, 23 vjeç, marangoz, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Gjon Shapataraku, i biri i Mihalit dhe i Maçes nga Shkodra, 24 vjeç, me arsim fillor, marangoz i pamartuem, i padënuem.
- Ndoc Mazi, i biri i Kolës dhe i Ninës, nga Shkodra, student në Kl. e VII të, 18 vjeç, i pamartuem, i padënuem.
- Niko Konda, i biri i Gjergos dhe i Theodhorës nga Bilishti e banues në Tiranë. Redaktor në gazetën “Drita”, 33 vjeç i martuem pa fëmijë, i padënuem, me arsim të mesëm.
- Thanas Gjoka, i biri i Irakliut e i Dhoksis, nga Korça, 25 vjeç, Konduktor, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Mihal Lako, i biri i Nakos dhe Elenit nga Korça, 37 vjeç, me arsim fillor, këpuctar, i martuem, pa fëmijë, i padënuem.
- Stefo Grabocka, i biri i Nisit dhe i Katrinës, nga Korça, 30 vjeç, me arsim të mesëm, tregtar, i pamartuem, i padënuem.
- Fuat Asqeriu, i biri i Bedriut e i Xhixhes nga Gjinokastra, 23 vjeç, me arsim fillor, shofer, i martuem, e i padënuem.
- Naun Nauni, i biri i Nikollës dhe i Evanthis, nga Korça dhe banues në Tiranë, redaktor i gazetës “Shtypi”, 24 vjeç, me arsim të mesëm, i pamartuem, i padënuem.
- Pandi Gashi, i biri i Kristos dhe i Vitores nga Korça, këpuctar, 25 vjeç, me arsim të mesëm, i pamartuem, i padënuem.
- Pandi Kristo, i biri i Tushit dhe i Vitores nga Korça banues në Tiranë, redaktor i fletores “Drita”, 26 vjeç, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Sadik Stavaleci, i biri i salihut dhe i Shezades, lindur në Gjakovë dhe banues në Tiranë, Nënpunës në Laboratorin Bakteriollogjik, 24 vjeç, me arsim të mesëm, i padënuem, i pamartuem.
- Hajrulla Kastrati, i biri i Rizait dhe i Fatimes nga Shkodra, mësues në Bilisht, 22 vjeç, i pamartuem, i padënuem.
- Reshat Kokona, i biri i Tefikut dhe i Haties nga Gjinokastra, 28 vjeç, Dentist në Spitalin e atij qyteti, i pamartuem, i padënuem.
- Faik Miraku, i biri i Ibrahimit dhe i Salihasë, nga Elbasani, 23 vjeç, student në Klasën e III të Liceut të Shkodrës, i pamartuem, i padënuem.
- Vojo Kushi, i biri i Stefanit dhe i Pavës nga Shkodra, student në Kl. e VIII të Liceut të këtij qyteti, 21 vjeç, i pamartuem, i padënuem.
- Branko Kadia, i biri i Pandos dhe i Dines nga Shkodra, student në Kl. e V të Liceut të këtij qyteti, i pamartuem, i padënuem.
- Sotir Muridhi, i biri i Simonit dhe i Sofies nga katundi Pobicka i Leskovikut, student në Kl. e VI të Liceut të Shkodrës, 24 vjeç, i pamartuem, i padënuem.
- Pashuk Ilia, i biri i Nokës dhe i Diles nga Shkodra e tregtar në (Juban) Qytezë, 47 vjeç, ish-Profesor, i ve, i padënuem.
- Riza Tola, i biri i Halitit dhe i Dejës nga Elbasani, 25 vjeç, këpuctar, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Jaui Todri, i biri i Kristos dhe i Efrosinës nga Elbasani, 27 vjeç, këpuctar, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Dhimitër Lala, i biri i Nikollës dhe i Kostandinës nga Elbasani, 26 vjeç, me arsim fillor, rrobaqepës, i pamartuem, i padënuem.
- Tod Peqini, i biri i Ilies dhe i Poliksenit nga Elbasani, 22 vjeç, rrobaqepës, i pamartuem, i padënuem.
- Tod Paparusi, i biri i Anastasit dhe i Fanies nga Elbasani, 22 vjeç, mekanik në Centralin e Elektrikut në Elbasan, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Mehmet Myzyri, i biri i Abdylit dhe i Zengjinesë nga Elbasani, 27 vjeç, Qeleshexhi, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Salih Myzyri, i biri i Aliut dhe i Hamides nga Elbasani, 33 vjeç, Qeleshexhi, me arsim fillor, i pamartuem, i padënuem.
- Shyqëri Selita, i biri i Osmanit dhe i Emines nga Elbasani 20 vjeç, me arsim fillor, Qeleshexhi, i pamartuem, i padënuem.
- Haki Kashari, i biri i Ibrahimit dhe i Haxhiresë nga Elbasani, 26 vjeç, me arsim fillor, shegert, i pamartuem, i padënuem.
- Suhbi ose Mehmet Dedja, i biri i Xhaferrit dhe i Eminesë (konform telegramit të Zyrës së Gjëndjes Civile përkatëse), nga Elbasani, 17 vjeç, student i Normales, i pamartuem, i padënuem.
- Abdyl Myzyri, i biri i Ymerit dhe i Hajries nga Elbasani, 18 vjeç, nxënës në Kl. e V të Normales, i pamartuem, i padënuem.
- Enver Palluqi, i biri i Beqirit dhe i Shegushes nga Elbasani, 21 vjeç, maturant, Normalist, i pamartuem, i padënuem.
- Jorgji Shuteriqi, i biri i Pavlit dhe i Anastasisë nga Elbasani, 24 vjeç, mësues në Bardhush të Peshkopisë, me arsim të mesëm, i pamartuem, i padënuem.
- Kristo Isaku, i biri i Pandit dhe i Evdhoksis, lindun në katundin Dardhë të Korçës e Profesor në qytetin e Elbasanit, me arsim të mesëm, i pamartuem, i padënuem.
- Riza Deliallisi, i biri i Xheladinit e Xharies, nga Shijaku, 19 vjeç, student i Normales, Kl. VI. i pamartuem, i padënuem.
Sepse:
Në tokën e Mbretnis Shqiptare kanë organizua shoqata me qëllim që të vendosin me forcë diktaturën e një klase shoqnore përmbi të tjerat dhe se kanë përhapë me shkrim, me gojë, drejt për së drejti ose tërthurazi idena dhe teorina komuniste në kundërshtim flagrant me gjendjen dhe urdhrat lidhore në fuqi. Në gjyqin që u zhvillua botnisht e faqe gjithë të pandehunve q‘u asistuan në mbrojtje prej av. Z. R. Tartari, H. Bimbashi, A. Totozani, S. Asllani, R. Kokalari, Q. Çelo, A. Erebara, V. Bidoshi e V. K. Dilo, gjykata: Mbasi ndigjoj leximin e akt-akuzimevet të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate: Mbasi ndigjoi leximin e Ordonancavet të Gjykatës Hetuese kompetente, që referon për gjykim të pandehurit para kësaj Gjykate konform akuzave që sipër shënohen; Mbasi ndigjoi Z. Prokurorin që përsëriti përmbajtjen e aktakuzave dhe që kërkojnë për shkak të kontekstit bashkimin e dy çështjeve në nji dosar; Mbasi vendosi bashkimin e dy akt-akuzave në nji dosje, për shkak koneksiteti; mbasi ndigjoi apollogjinë e të gjithë të pandehurve, nga të cilët disa pohojnë veprimtarinë e tyne, n‘ akuzat që u sillen, kurse të tjerët, mohuan pjesëmarrjen e tyne; Mbasi ndigjojë dishmitarët; të së drejtës botnore dhe të mbrojtjes, për rastet q‘u nevojiten Z. Z Sulejman Ganjolla, Dr. Zoi Xoxa, Dr, Mihal Sherko, Gjergj Bubani, Aleks Mavraqi; Mbasi ndigjoi këndimin e gjithë aktevet që i referohen kësaj dosje; Mbasi ndigjoi pretencën përfundimtare të Prokurorit për Faje Politike, i cili në bazë t‘arsyenavet të tregueme në të gjerësisht, kërkoj ndëshkimin në virtyt të nenit I të Ligjës datë 30 Prill 1937 për faje kundra rregullit shoqnuer dhe ekonomik të; Zef Malës, Niko Xoxit, Vasil Shantos, Gjovalin Lukës, Qemal Stafës, Vasil Llazarit, Mihal Trajanit, Petro Dumës, Muzafer Asqeriut, Emin Durakut, Riza Tolës dhe Jorgji Shuteriqit, dhe për të gjithë të tjerët; në virtyt të nenit 6 të asaj Ligje; Mbasi ndigjoi mbrojtimet e fundit të formuluara prej asistuesave ligjor të të pandehurve, të cilët njëzani në vijë të parë kërkuan pafajsin e t‘asistuemëvet të tyne për mungesë provash bindëse, subornativisht mos aplikueshmërinë e nenit të Ligjës sipër për mungesën e ekstremevt juridike të këtij nenit dhe në vijë të tretë bën apel në urtësinë dhe në mëshirën e trupit-gjykues; Mbasi ndigjoi për herë të fundit vetë të pandehurit që përgjithsisht i‘u shoqnuan mbrojtimevt t‘avoketnëvet të tyne me përjashtim të Zef Malës dhe Niko Xoxit që insistuan në mirësit e doktrinës Marksiste; mbasi shqyrtoi të gjitha aktet e dosjerit, muer parasysh krejt rrjedhën e gjykimit e bisedojë çështjen nga pikëpamja e ligjës dhe e së drejtës.
Observon
Sot të pandehurit Zef Mala, Niko Xoxi, Vasil Shanto, Petro Duma, Gjovalin Luka, Vasil Llazari, Muzafer Asqeriu, Qemal Stafa, Jorgji Shuteriqi, Mihal Trajani, Tuk Jakova, Bexhet Barbuta, Riza Tola, Tod Peqini, Ilo Panduku, Kristo Themelko, Voin Grabova, Çun Jonuzi, Bajram Sinoimeri, Ndoc Kol Mazi, Abdyl Myzyri, Jani Todri, Faik Miraku, Spaso Trimçiev, Nazmi Rushiti, Qemal Draçini, Ramiz Xhabija, Taqi Andre Furrxi, Etëhem Boriçi, Niko Afezolli, Fori Gjevreku, Mark Uli, Gjergj Zagora, Sadik Staveleci, Pandi Kristo, Tod Paparusi, Met Myzyri, Salih Myzyri, Shyqëri Selita, Haki Kashari, Enver Palluqi, në bashkëpunim direkt me njëni tjetrin kanë përhapë në tokën e Mbretnis me gojë dhe me shkrim, teorina dhe idena komuniste në kundërshtim të hapët me rendin shoqnuer dhe ekonomik q‘asht në fuqië. Se, të pandehurit Elmaz Xhango e Zihni Jaho, së bashku me të pandehunit e parafolun, Muzafer Asqeriu kanë mbledhë në shtëpi të Basri Shehut në Gjinokastër e kanë bisedua tue zhvillue teorina komuniste. Se i pandehuni Abdyl Beg Ademi së bashku me të pandehunit e sipërm Tuk Jakova e Zef Mala kanë bisedue mbi teorinë komuniste në shtëpinë e dëshmitarit Sulejman Ganjolla në Shkodër; Se i pandehuni Niko Konda së bashku me të pandehurin Niko Xoxi e Mihal Trajani kanë bisedua në shtëpinë e Petro Dumës në Bilisht mbi komunizmin. Provat dhe faktet e sipërme konsistojnë në; 1) Pohimet e qarta të pandehurve të bëra si në hetimet e para, para hetuesisë dhe të përsëritura pjesërisht para kësaj Gjykate. 2) N‘atribimet që i bajnë njeri tjetrit për bashkëveprim direkt me mënyra të ndryshme në kryerjen e veprave deliktuale. 3) Me zanien e dorën e të pandehurve, të maqinës daktilografike, t‘asaj shaptilografike dhe të landë-shkresinës që shërbenin për shtypjen në ekzemplarë të shumtë të buletineve të tjera, broshurave me tendencë e frymë komuniste, një sasie e mjaftueshme nga të cilat, të zanuna ndër duer të ndryshme, kanë shërbye për propagandimin e këtyne idenavet. 4) Me faktin e mbledhjes së disa ndihmave që shërbenin për blerjen e landë-shkresinës së nevojshme për shtypjen e buletineve dhe broshurave. 5) Me proces-verbalet e përpiluara prej autoriteteve ndjekëse dhe prej Magjistratit Instruktor si dhe me aso të eksperimentimeve të firmave për disa të pandehur që u çfaqën nevoja. Sado që Prokurorija pranë kësaj Gjykate në pretencën e saj përfundimtare ka abstenuar se faji i kryer prej të pandehurve Zef Mala, Niko Xoxi, Vasil Shanto, Gjovalin Luka, Qemal Stafa, Vasil Llazari, Mihal Trajani, Petro Duma, Myzafer Asqeriu, Emin Duraku, Riza Tola, e Jorgji Shuteriqi, përmbledh ekstremet juridike të nënit të I të Ligjës datë 30 prill 1937 mbi faje kundra rregullit shoqnor dhe ekonomik dhe ka kërkuar ndëshkimin e tyne në virtyt të kësaj dispozite, por tue marrë parasysh përmbajtjen literale dhe frymën e kësaj dispozite për aplikueshmërinë e ndëshkimevet të parapame në të, asht konditë esenciale formimi i një organizate me qëllim të caktuar për të rrëzuar me forcë në vënd të tij nji diktaturë t‘ushtrueme prej një klase tjetër shoqnore. Kurse në rastin konkret nga të gjitha provat e mbledhura nuk rezultojnë në asnjë mënyrë që të pandehurit të kenë pasë organizue një shoqatë në kuptimin e nenit të përfolun dhe të kenë pasë për qëllim çkatërrimin e rregullit shoqnor dhe ekonomik në fuqi, me përdorimin e forcës, mbasi në gjithë përkuizimet dhe investigacionet e bëra prej organevet ndjekëse, nuk u ashtë zanë asnji nga veglat e mjetet që parazupozojnë ushtrimin e një violence në të mirën dhe përmbushjen e idenavet që ka për qëllim të caktuar nji organizatë rregullisht e formueme. Duhet nënvizuar se në rastin konkret në mungesë të ekstremeve juridike të nenit të sipër-cituem nuk qëndron me baza ligjore as figura e një tentative të mbetë ose të plotë të këtij faji, për arsye se, dhe sikur t‘admetohet, për nji moment, me të pandehunit e parafolun kanë pasun për qëllim ndërrimin e rregullit shoqnor dhe ekonomik që asht në fuqi, duhej që për këtë qëllim, për të qenë i ndëshkueshëm në bazë të nenit të cituem, t‘a kishin ekstoritizuar me mjete të përshtatëshme që lënë të kuptohet pa pikë dyshimi forcën dhe violencën në shërbim t‘atij qëllimi. Dhe në mbështetje për sa u tha më sipër, vjen si konsekuencë e domosdoshme që veprimi i të 45 të pandehurve të cituem në paragrafin e parë të pjesës arsyetonjëse të këtij vendimi përmbledhës, ekstremet juridike të nenit 6 të Ligjës parafolun, e pra kanë vend zbatimi ndëshkimet e këtij neni. Me qenë se, për sa i përket të pandehurve; Elmaz Xhango, Zihni Zaho, Abdyl Beg Ademi, Niko Konda e Perikli Papamihali, veprimi i tyne asht kufizue në nji bisedim të thjeshtë, përmban ekstremet juridike të nenit 7 t‘asaj Ligje. Me qenë se nga të pandehurit: Zef Mala, Niko Xoxi, Vasil Shanto, Petro Duma, Gjovalin Luka, Vasil Llazari, Muzafer Asqeriu, Jorgji Shuteriqi, Qemal Stafa, Tuk Jakova, Bexhet Barbuta, Riza Tola, Mihal Trajani, Emin Duraku, Sadik Bekteshi e Ilija Karnaxha, kanë qenë si frymëzuesit e të gjithë të tjerëve dhe veprimtaria e tyre, si mbas radhës që përshkruhet më sipër, asht shfaqë më aktive në favorin e idenavet që kultivonin se ajo e të tjerëve, dhe insistimi i një pjese prej tyre para gjyqit se ndjehen ende të frymëzuem bindësisht prej këtyne idenavet dhe nga ana tjetër qenja e disa prej tyre nëpunës ose në shërbimin e Shtetit, cirkostanca këto që e shtyjnë Gjykatën t‘i çmojë si shkaqe randësore në caktimin e ndëshkimit të tyre. Me qenë se disa nga të pandehurit kanë pas mbushtë të 15 vjetët në kohën e kryemjes së fajit, por jo të 18 vjetët, duhet marrë parasysh edhe neni 56 Nr. 2 i Kodit Penal komun. Me qenë se nga tërsija e argumenteve të mbledhuna, nuk rezultojnë me asnjë mënyrë që të pandehurit: Kristo Karanxha, Sotir Velko, Ndue Vat Gjela, Llazar Panariti, Naqo Kondili, Faik Boshnjaku, Gjon Shpataraku, Vasil Simon Marku, Thanas Gjoka, Mihal Lako, Stefo Grabocka, Fuat Asqeriu, Naum Naumi, Pandi Tushi, Hajrulla Kastrati, Dr. Reshat Kokona, Vojo Kushi, Branko Pando Kadiu, Suhbi Dedej, Kristo Isaku, Riza Deliallisi e Pashuk Ndok Ilija, të kenë marrë pjesë drejt për drejti ose tërthurazi në përhapjen e idemavet të ndaluara në ligjin parafolës. Pra i deklaron të pafajshëm për të gjitha këto arsyena.
Vendimi i trupit gjykues
Trupi-Gjykues, me zana të përbashkëta, në kundërshtim me pretencën e Prokurorisë, për sa i përket cilësimit të fajit të nji pjese nga të pandehurit dhe në kundërshtim të plotë me të, për sa i përket pjesës tjetër, në mbështetje të nenit 6 të Ligjës datë 30 prill 1937 për faje kundra rregullit shoqnuer dhe ekonomik në fuqie, vendosi ndëshkimin e: 1) Zef Mala, 2) Niko Xoxi, 3) Vasil Shanto, 4) Petro Duma, me nga dhjetë (10) vjet burgim; 5) Gjovalin Luka, 6) Vasil Llazari, 7) Muazafer Asqeriu, 8) Jorgji Shuteriqi, 9) Qemal Stafa, me nga gjashtë (6) vjet burgim për shoq; 10) Tuk Jakova, 11) Bexhet Barbuta, 12) Riza Tola, 13) Mihal Trajani, me nga katër (4) vjet burg për shoq; 14) Emin Duraku, 15) Sadik Bekteshi, 16) Ilia Karanxha, me nga tre (3) vjet burg për shoq; 17) Dhimitër Lala, 18) Tod Peqini, 19) Ilo Panduku, 20) Sadik Staveleci, me nga dy (2) vjet burgim; 21) Voin Grabova, 22) Spaso Trimçiev, 23) Nazmi Rrushiti, 24) Qemal Draçini, 25) Ramiz Xhabija, 26) Taqi Andrea Furxhi, 27) Niko Afezolli, 28) Gori Gjevreku, 29) Gjergj Zagora, 30) Pandi Kristo, 31) Tod Paparusi, 32) Met Myzyri, 33) Salih Myzyri, 34) Shyqyri Selita, 35) Haki Kashari, 36) Kristo Themelko, 37) Mark Uli, 38) Enver Palluqi, dhe për sa u përket shtatë të tjerëvet 39) Bajram Sinoimeri, 40) Ndoc Kol Mazi, 41) Et‘hem Boriçi, 42) Çun Jonuzi, 43) Abdyl Myzyri, 44) Jan Todri, 45) Faik Miraku, me shumicë votash, mbasi pakica asht e mendimit për pafajsinë e tyne, të gjithë i ndëshkon me nga nji (1) vjet burgim. 46) Elmaz Xhango, 47) Zihni Jaho, 48) Perikli Papamihali, në mbështetje të nenit 7 të Ligjës sipërfolun, bashkarisht, i ndëshkon me nga tre muaj (3) burgim. Përsa i përket: 49) Abdyl Beg Ademit, dhe 50) Niko Kondës, me shumicë votash, mbasi pakica asht e mendimit për deklarimin e pafajësis së tyne për mungesë provash, i ndëshkon me dy (2) muej burgim, të parin, dhe nji (1) muej burgim të dytin, në mbështetje po të nenit 7 të Ligjës që u parafol.
Me qenë se nga të dënuemit; Gjovalin Luka, Qemal Stafa, Nazmi Rrushiti, Mark Uli, Abdyl Myzyri, Etëhem Boriçi, Qemal Draçini e Spaso Trimçiev, në kohën e kryemjes së fajit kishin plotësuar 15 vjetët por jo të 18-tët, n‘aplikim të nenit 56 Nr. 2 të Kodit Penal Komun, ndëshkimet e caktueme u‘a zbret në gjysmën, tue ua përmbledhë: Gjovalin Lukës e Qemal Stafën në nga tre (3) burgim, dhe Nazmi Rrushitit, Mark Gjet Ulit, Abdyl Myzurit, Etëhem Boriçit, Qemal Draçinit e Spase Trimçev në nga gjashtë (6) muej burgim. Ndëshkimet e sipërme për të gjithë të pandehurit e dënuem jepen me të gjitha efektet e caktueme në nenin 6 për ata të ndëshkuem me këtë nen, dhe vuajtja e ndëshkimeve për të gjithë fillon nga data e paraburgimit të secilit. Urdhëron lirimin nga burgu në mos qofshin të ndalur për ndonjë arsye tjetër./Memorie.al
Tiranë më 10.II.1939
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016