Nga Auron Tare
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në prillin e 1939-s, trupat ushtarakë italianë pushtuan Shqipërinë, e cila pas një rezistence të shkurtër i dorëzoi armët dhe pranoi fatin e një vendi të vogël në prag të një lufte të madhe. Agresioni italian dhe indiferenca europiane ndaj këtij pushtimi, ka qenë pikë debati në shumë shkrime apo analiza historike. Në përgjithësi, të gjithë kanë rënë dakord me faktin se askush në Europë nuk ishte i interesuar të prishte balancat e vendosura në Europën e dominuar nga ngjitja marramendëse e Gjermanisë naziste dhe ëndrrat e Italisë fashiste, për ndërtimin e një perandorie të re romake. Por me sa duket, nga botimi i disa dokumenteve që vijnë nga Arkivi i Zbulimit Ushtarak Amerikan, duket se jo të gjithë kanë qenë indiferentë ndaj pushtimit italian të Shqipërisë.
TOP-SEKRET
DIREKTIVA Nr.29
- Objektivat e operacioneve gjermane në Europën Juglindore:
të zmbrapsë britanikët nga Ballkani, si dhe të krijojë kushtet për operacione ajrore në Lindjen e Mesdheut, si dhe të avancojë më tej nën operacionet e koduara “Merkur”. Me përjashtime të shënuara më poshtë, do të jetë detyra e Italisë për të garantuar sigurinë e territoreve greke në të ardhmen.
Në veçanti, autoritetet gjermane duhet të jenë të kujdesshme për të mos vepruar si ndërmjetës, nëse grekët e kërkojnë këtë gjë. Për shpërndarjen e materialeve, një marrëveshje me forcat ushtarake italiane do të arrihet për të siguruar rrugët e shpërndarjes së tyre.
- Si më poshtë janë detyrat e forcave ushtarake gjermane:
Ushtria:
Forcat e mëposhtme do të qëndrojnë në Greqi.
- Ato forca që janë të nevojshme për të garantuar sigurimin e bazave të furnizimeve të operacionit “Merkuri”. Ato duhet të përqendrohen lokalisht.
- Një divizion afër Selanikut. Ky divizion duhet të mbikëqyrë ishullin Lemnos, si dhe të gjithë ishujt nën okupacionin gjerman. Megjithatë, zona dhe ishujt që do të përdoren si vende nga ku operacioni “Merkuri” do të startojë, duhen ruajtur deri sa ky operacion të mbarojë. Të gjitha forcat gjermane që nuk janë të nevojshme, sipas këtij dokumenti duhet të tërhiqen sa më shpejt të jetë e mundur.
Komanda e Lartë e Forcave ushtarake italiane do të jetë në dijeni të operacionit për marrjen e Greqisë dhe duhet të komunikojë me gjeneralin e komandës së Divizionit të 12 për të gjitha detajet. Si gjeneral i Komandës së Trupave në Ballkan, ai duhet ta lëvizë Komandën e tij në Selanik sapo situata e operacionit “Merkuri” ta lejojë këtë gjë.
Pres që shefat e Komandave përkatëse të më raportojnë mua mbi masat e marra në lidhje me këtë direktivë, si dhe me marrëveshjet e bëra me italianët.
Firmosur
Adolf Hitler
Fakti më interesant në dëshmitë e gjeneral Albert Jodl në Gjyqin e Nurembergut, ishte dëshmia se lideri gjerman, Adolf Hitler, ishte kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Sot, në dëshminë e re që vjen nga dokumentacioni i Zbulimit Amerikan të Ushtrisë, kemi të dhënat e një prej personaliteteve gjermane më të rëndësishëm për çështjet e Ballkanit, Herman Neubaher.
Neubaher, i plotfuqishmi gjerman për Ballkanin, gjatë marrjes në pyetje nga ekspertët e Zbulimit Amerikan, të cilët ishin të interesuar për të marrë të dhëna prej të gjitha personaliteteve ballkanike që kishin bashkëpunuar me autoritetet gjermane, ka dëshmuar edhe mbi disa prej bashkëpunëtorëve shqiptarë.
Në të ka mjaft informacione mbi këndvështrimin gjerman ndaj Ballkanit, ku pa dyshim Shqipëria zë një vend të rëndësishëm. Megjithëse Neubaher ka lënë një libër me kujtime për periudhën e angazhimit të tij në Ballkan, dokumentet që vijnë nga arkivi amerikan janë shumë interesantë dhe mjaft të veçanta, pasi ato janë marrë në kushtet e investigimit të ushtrisë amerikane.
Ndër personalitetet shqiptare për të cilët Neubaher ka dëshmuar përpara autoriteteve të Shërbimit Sekret Ushtarak Amerikan, është edhe një prej njerëzve me histori mjaft të debatueshme mbi rolin e tij në bashkëpunimin me gjermanët. Për Xhafer Devën, janë shkruar një numër artikujsh dhe dëshmi historike, të cilat e fajësojnë atë në sytë e historisë së pasluftës.
Por, ai la gjurmë në histori për dy momente mjaft kulmore në periudhën e pushtimit gjerman: krijimi i Divizionit SS “Skanderbeg” dhe masakra e 4 shkurtit. Interesant është fakti se autoritetet amerikane, me gjithë informacionet mbi Devën, nuk e kanë arrestuar dhe dënuar atë në lidhje me aktivitetin politik në dobi të çështjes gjermane.
Sigurisht që masakra e 4 shkurtit është një njollë e zezë në karrierën politike të Devës, por aktiviteti i tij politik antikomunist dhe në veçanti antiserb, mund të jenë toleruar nga funksionarët e Zbulimit Amerikan, të cilët e kanë parë atë si një person potencial kundër influencës komuniste në Ballkan.
Me de klasifikimin e një sërë dokumentesh të kohës, tashmë kemi një pasqyrë më të saktë të disa prej çështjeve që kanë të bëjnë me personat e arratisur nga Shqipëria dhe me aktivitetin pro-gjerman, siç është rasti i Xhafer Devës.
Amerikanët, duke parë se rreziku komunist do të ishte kërcënimi më serioz i interesave amerikanë në të ardhmen, toleruan apo angazhuan shumë elementë pro-gjermanë, të njohur si antikomunistë, të vendosur në operacione të Kundërzbulimit Amerikan.
Rasti më i njohur është rrjeti i zbulimit i njohur si “Shërbimi i gjeneralit Gehlen”, një rrjet i agjenturës gjermane, i cili pas luftës u vu në shërbim të Zbulimit Amerikan kundër interesave sovjetikë. Mbi aktivitetin e Xhaver Devës në emigracion, nuk ka shumë të dhëna deri më tani, por me sa duket, edhe pse me një të kaluar pro-gjermane, Xhafer Deva u la i lirë.
Ai jetoi në Vjenë për një kohë të gjatë dhe më vonë u transferua në Amerikë, ku edhe vdiq. Bashkëshortja e tij amerikane, ish-drejtuesja e bibliotekës së Universitetit të Kalifornisë, u nda nga jeta vetëm dy vite më parë, duke mos botuar asgjë nga kujtimet e Xhafer Devës, të cilat sipas disa të njohurve të tij janë akoma në dorëshkrim. Megjithëse Xhafer Deva i përket palës humbëse të luftës, përpjekjet e tij për një Kosovë të lirë dhe të pavarur nga regjimi serb, duhen vlerësuar dhe dokumentacioni i kësaj periudhe duhet parë me mjaft interes.
Xhafer Deva i përkiste asaj klase intelektualësh kosovarë, të cilët shpëtimin nga zgjedha serbe e shikonin te mbështetja e Gjermanisë, një këndvështrim që historia e provoi të gabuar, po aq sa edhe zgjidhja internacionaliste, që do t’i jepte komunizmi kësaj çështjeje.
SEKRET
GI Nr.36
KUARTETI
Forcat e Shteteve të Bashkuara
Teatri Europian
Qendra e Shërbimit Inteligjent të Ushtrisë
APO 757
RAPORT I NDËRMJETËM (CI – IIR)
NR.36
I Burgosur: NEUBAHER, HERMAN
29 Janar 1946
DAHAVER DEVA (Xhaver Deva)
Xhaver Deva iu prezantua Herman Neubacher
(i Plotfuqishmi gjerman për Ballkanin) nga Obst von KOHOUTEK (shikoni paragrafin G (9) në Beograd, në shtator të 1943.
DEVA, rreth 40 vjeç, është një shqiptar mysliman. Ai është nga distrikti i Kosovës, Serbi dhe ka studiuar në Shqipëri. Ai është një nacionalist shqiptar i vendosur dhe me ndjenja të forta antikomuniste. Ai mban syze dhe nga pamja e parë duket jo më shumë se një mësues i një shkolle të mesme. Pas kapitullimit italian, DEVA organizoi Komitetin Nacional Shqiptar, i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë në 14 shtator të 1943.
Komiteti zgjodhi një qeveri të përkohshme dhe DEVA kërkoi njohjen zyrtare gjermane nëpërmjet Neubaher. NEUBAHER thekson se ata lejuan zgjedhje të lira për përfaqësuesit e Parlamentit Kombëtar.
Parlamenti zgjodhi Këshillin e Regjencës, si dhe formoi Qeverinë e Përhershme. DEVA shërbeu si ministër i Brendshëm nën kryeministrin Rexhep Mitrovica në të dyja qeveritë, në atë të përkohshme dhe në atë të përhershme.
Ai konsideronte si objektivin e tij primar revanshin kundër komunistëve. Ai përfaqësonte kosovarët (shqiptarët nga provinca e Kosovës në Serbi) në qeverinë shqiptare.
Sipas Neubaher, popullsia e këtij distrikti furnizoi elementët më aktivë në politikën shqiptare. Ata ishin nacionalistë dhe kundërshtonin çfarëdolloj ndërhyrjeje nga jashtë. Në përgjithësi ishin të pasur dhe, si rrjedhim, ishin kundër komunizmit.
Përveç kreut të Regjencës, Mehdi bej Frashëri, DEVA (dhe jo kryeministri Mitrovica) ishte personi më me influencë në Shqipëri. Kur Fiqiri Dine themeloi një qeveri të re në maj-qershor 1944, Deva dha dorëheqjen si pasojë e një sëmundjeje.
Ai shkoi në Vjenë për t’u mjekuar, si dhe për konsultime mjekësore. Gjatë verës së 1944, DEVA u bë president i “Ligës Kosovare”, një organizatë nacionaliste shqiptare, e cila nuk pranonte Serbinë dhe Malin e Zi.
Ai konsideronte si mision të tij organizimin e një qendre nacionaliste në Shqipëri për “Shqipërinë e Madhe”. Për ta përmbushur këtë mision, atij iu desh që të largonte grupimet e vjetra pro DRAGES dhe të bejlerëve, grupime pro-italiane në Kosovë, të cilat në fakt ishin shumë me influencë.
Këta liderë përfaqësonin një mentalitet të vjetruar levantin, e cila lejonte influencën e shefave të klaneve. DEVA mendonte që të qëndronte në Kosovë pas tërheqjes gjermane, në mënyrë që të luftonte kundër forcave të Titos.
Ai u detyrua të hiqte dorë nga kjo ide, pasi autoritetet gjermane nuk e furnizuan dot në kohën e duhur me materiale dhe municione të nevojshme.
Si rezultat, DEVA erdhi në Zagreb në nëntor të 1944, nga ku më pas fluturoi në Vjenë së bashku me Neubaher. Ai mori pjesë në formimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar në Vjenë, nën KITZBUHEL, si dhe me pjesëtarët e zyrës së Neubaher.
Ai është përpjekur të shkojë në Zvicër në maj të 1945-s dhe, me sa ka dijeni Neubaher, ai ka arritur të kalojë në Zvicër. Përpara se ai të largohej për në Zvicër, DEVA dhe Neubaher kanë biseduar mbi mundësinë e futjes së Devës në Shqipëri nëpërmjet Italisë së Jugut apo Greqisë së Veriut.
Mbi këtë mundësi, Neubaher i ka thënë Devës që; “raporto pranë gjeneralit SCOBIE dhe jepi të falat e mia më të mira dhe mundohu që të shikosh gjendjen e Shqipërisë nga Greqia e Veriut”!/ Memorie.al













