Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. GJIKA
-Vlerësime për veprën ‘PIKA LOTI’ të Sami Repishtit-
Memorie.al / Sami Repishti bashkë me Martin Camajn dhe Arshi Pipën, bën pjesë në treshen e disidentëve të mëdhenj shkodranë. Ky bir i Shkodrës tremijë vjeçare, ish-antifashist e ish-antikomunist, ish-i burgosur dhe i internuar, mbas arratisjes nga Shqipëria, gjeti veten në SHBA-ës, ku arriti të bëhet pedagog i letërsisë, me titullin Asistent Profesor. Ai është personalitet i kompletuar i pedagogut, studiuesit, shkrimtarit dhe politikanit shqiptaro-amerikan. Ai është një figurë shumëdimensionale e kulturës, letërsisë, shkencës dhe veprimtarisë atdhetare politike shqiptare dhe asaj amerikane. Kur të studiohet jeta dhe vepra e plotë e tij, do të shihet se ai me shumë artikuj, esse e, vepra letrare, për nga përmbajtja disidente antikomuniste, pjekuria dhe humanizmi i lartë, të kujtojnë Vaclav Havel-in (1936-2011) dhe Karl Popper-in (1902-1994).
Për fatin tonë të keq, ky i përndjekur, ky personalitet i shquar, kur erdhi në atdhe mbas shkërmoqjes së diktaturës, për të ndihmuar në ecurinë e proceseve, nuk u dëgjua sa dhe si duhej prej qeverisë “demokratike”, për dënimin e krimit komunist, për kthimin e pronës tek i zoti, për zhvillimin e lojës politike midis pozitës dhe opozitës, si një lojë demokratike luajal, pa e ndarë popullin në dy gjysma armiqësore, etj.
Sami Repishti, nuk u dëgjua sepse ai ishte pjesë e atyre forcave shoqërore, që përbënin opozitën e vërtetë kundër komunizmit. Të tilla forca, ishin paracaktuar prej planit të Ramiz Alisë, të mos përfshiheshin në proceset e tranzicionit, e jo më t’i drejtonin ato. Shqipërinë pluraliste me ekonomi tregu, duhej ta ndërtonin dhe trashëgonin bijtë dhe shërbëtorët besnikë të ish-kupolës komuniste, shumica e të cilëve po vijojnë ta sundojnë edhe sot…!
Më vjen keq që dy veprat letrare ‘PIKA LOTI’ (1997 dhe 2009) dhe ‘NËN HIJEN E ROZAFËS’ (2004) të z. Repishti, i lexova vetëm këto javët e fundit, pra me vonesë nga botimi i tyre. Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht, ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur ‘letërsia e burgut’, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh, sepse aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar keqas dhe mbajtur në fshehtësi.
Letërsia realiste shqiptare e krijuar në dhjetëvjeçarët e parë të shek XX-të, prej Andon Z. Çajupit, Zef Skiroit, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Faik Konicës, Migjenit, Nonda Bulkës, etj., etj., gjatë viteve të rënda të diktaturës komuniste (1944-1991) ra në fashë, por nuk u ndërpre. Ajo ra në fashë, sepse pushteti komunist diktatorial, stimuloi në ato vite letërsinë e quajtur “Letërsi e Realizmit Socialist”, veprat e së cilës hartoheshin sipas kërkesave të formuluara prej Vladimir Iliç Leninit dhe rregullave të sajuara prej teoricienit sovjetik A. Zhdanov. Kjo letërsi, mori mbi vete detyrën për t’i shërbyer partive komuniste në pushtet, për krijimin e rendit të ri, përmes sajimit të heroit pozitiv. Ky hero, mishërohej me figurën e një komunisti, a njeriu të thjeshtë, ose të një sekretari partie.
Kjo letërsi në Kinë, krijoi një hero si Laj Feni, në Shqipëri krijoi heroin e ‘Stavri Larës’ (romani Këneta e Fatmir Gjatës) e plot të tjerë…! Kjo lloj letërsie, e cila stimulohej aq shumë prej partisë shtet, solli vetëm dëme në art dhe në psikologjinë e shoqërisë së vendit ku u krijua. Për turpin e tyre, autorët e të tilla veprave, nuk i kanë kërkuar falje popullit për dëmin që i shkaktuan, por vijojnë të mburren me to. Veprat e shkruara sipas parimeve të realizmit socialist, sot nuk na tërheqin më, lexohen me vështirësi dhe me një ndjenjë neverie, sepse në to i thuren lavde politikës dhe moralit që i shërbente vetëm sundimit të partisë shtet.
Mbas vitit 1944, letërsinë realiste, nuk e braktisën të gjithë krijuesit shqiptarë. Atë vijuan ta lëvronin vetëm disa shkrimtarë shqiptarë, që ranë nëpër burgje e kampe pune dhe disa prej të arratisurve në botën e lirë. Për nder të letrave shqipe, pati dhe shkrimtarë të guximshëm, si; Petro Marko, Mitrush Kuteli, etj., të cilët me gjithë pasojat politike për jetën e tyre dhe të familjarëve të vet, nuk e përfillën metodën e realizmit socialist, kurse Lazgush Poradeci, Ali Asllani, etj., e thyen penën dhe nuk krijuan më mbas vitit 1944. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtu dhe ndihmesën e vlefshme që dha plejada e shkrimtarëve të rinj shqiptarë, që u formua në ish-Jugosllavi.
Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si; Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, etj., të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë, si; Sterio Spasse, Sabri Godo, etj., të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist, kur trajtuan ngjarje nga koha aktuale e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare, ose atë të huaj, të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh, i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit, përbëjnë fenomene letrare të komplikuara, që kërkon studime të thelluara, për të zbuluar se deri ku mbritën vlerat dhe dëmet e tyre.
Letërsia realiste shqiptare, e viteve 1945-1991, dallohet prej letërsisë së realizmit socialist, së pari për nga metoda krijuese, sepse ajo nuk i zbatoi rregullat e ngurta të saj dhe së dyti, për nga përmbajtja, sepse me përmbajtjen e vet ideore, ajo nuk u vu në shërbim të së keqes, por e denoncoi atë. Letërsia realiste, nuk ngriti në art politikën e partisë shtet, por humanizmin, moralin e shëndoshë, dashurinë njerëzore, gjithçka që i shërbente përparimit shoqëror. Ajo eci në atë rrugë që kishte ecur letërsia shqiptare dhe ajo botërore para vitit 1944, rrugë në të cilën letërsia ecën edhe sot, pavarësisht nga rrymat e drejtimet letrare, ku mund të bëjë pjesë.
Krijimet poetike të Arshi Pipës (‘Libri i Burgut’, 1959), portretet e Sami Repishtit (‘Pika Loti’, hartuar në vitet 1960-1963), poezitë e Lek Pervizit dhe të disa rapsodëve popullorë, të mbledhura në vëllimin ‘Lahutari Shqiptar’, krijuar nëpër burgjet e kampet e internimit në vitet 1944-1991, përbëjnë themelet, nismat e ‘letërsisë së burgut’. Natyrisht në këto themele, bëjnë pjesë edhe vepra të tjera, që unë si emigrant nuk kam mundur t’i shtie në dorë, mbasi qeveritë shqiptare të mbas vitit 1992, nuk kanë treguar asnjë interes për shpërndarjen e veprave letrare e shkencore, që botohen prej autorëve me sakrifica në tirazhe të vogla.
* * *
Vëllimi ‘Pika Loti’ (botimi i dytë, ‘PEGI’, 2009, 155 f.) është një përmbledhje tregimesh të jetuara, të ndërtuara si portrete letrare, të cilat autori i shkroi mbas arratisjes nga atdheu në vitet 1960-1963, por që i botoi vetëm më 1997, sepse ndruhej mos u shkaktonte pasoja familjarëve të vet dhe të personave që kishte përshkruar në to. Heronjtë e kësaj vepre, janë bashkëvuajtës të autorit, nëpër qelitë e hetuesisë, ose në burgun e Shkodrës dhe në kampet e ndryshme të punës.
Vëllimi hapet me shkrimin kushtuar nënës dhe mbyllet me shkrimin ‘Elegji për vëllanë’, i cili dallon prej shkrimeve të tjera, sepse nuk është tregim a portret letrar, por skicë lirike, një elegji në prozë.
Këtë vepër autori e shkroi më 1970, mbasi Sigurimi shqiptar përhapi lajmin e rremë sikur vëllai i autorit, Vehbiu, kishte vdekur. Mbasi u hartua skica, autori mësoi të vërtetën, vëllai i tij ishte gjallë. Tronditja dhe dëshpërimi i thellë që i shkaktoi autorit lajmi dashakeq i Sigurimit shqiptar, nxiti krijimin e kësaj vepre lirike tepër emocionuese e plot dhimbje. Midis bashkëvuajtësve të ndryshëm që autori njohu gjatë viteve të kalvarit të vet, ai ka zgjedhur disa prototipa me të cilët përfaqësoi fatin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të viteve 1946-1956.
Rrëfimi me besnikëri e vërtetësi, i jetës dhe vuajtjeve të këtyre heronjve përmes riprodhimit të ngjarjeve e bisedave të ndodhura konkretisht para syve të autorit, si dhe të shumë hollësirave të ndryshme, krijon një emocionalitet dhe besueshmëri shumë të lartë. Ky emocionalitet dhe kjo besueshmëri, nuk mund të krijoheshin në një nivel të tillë, në rast se këto portrete do të ishin trajtuar thjesht si tregime letrare të mirëfillta. E themi këtë, sepse në tregimet e mirëfillta letrare autorët, për të tipizuar heronjtë e tyre, përdorin material (ngjarje, biseda, mendime e hollësira përshkrimore), të krijuara prej imagjinatës së tyre dhe jo material të marrë konkretisht nga jeta, ashtu si ka ndodhur.
Tipizimi si dukuri letrare, e forcon aspektin artistik të veprës, por dobëson besueshmërinë e ngjarjeve. Duke qenë se besueshmëria, për problemet dhe ngjarjet që trajtohen në këtë vepër, ka rëndësi të veçantë, mbasi aty bëhet fjalë për ngjarje dhe të përvuajtur konkretë, themi se krijimi i këtyre lloj tregimeve, gërshetuar me tiapret e portretit letrar, ka qenë rruga më e mirë që ka ndjekur autori.
Pasqyrimi i jetës shqiptare mbështetur mbi kujtimet e së kaluarës së afërt, duke përzgjedhur ngjarje, biseda, mendime e hollësi të ndryshme thelbësore, për të treguar deformimin e dhunshëm të moralit e të së drejtës, për shkatërrimet dhe plaçkitjet që po i bëheshin pasurisë private, në dhjetëvjeçarët e parë të pas Luftës Antifashiste, ishte rruga që ndoqi ky autor në fillim të viteve 1960-të. Këtë rrugë, ose rrugë të ngjashme me të, ndoqën mbas vitit 1992, edhe shumë të dënuar të tjerë, midis të cilëve, u shqua françeskani At Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, etj.
Ideja themelore e veprës ‘Pika Loti’ është zbulimi i faktit se komunizmi si ideologji dhe praktikë, vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët. Këtë ide, që autori e ka mishëruar artistikisht në këtë vepër letrare, ai e formuloi dhe shprehimisht në një fjalim politik, mbajtur më 1965-ën, gjatë tubimit; “All-American Conference” në Washington D.C., të cilin e citon në shënimin hyrës të veprës (f. 8).
Vrasja e elitës shqiptare (inteligjencës dhe borgjezisë si klasë politike dhe ekonomike), e krijuar gjatë brezave e dhjetëvjeçarëve me mund e sakrifica, shpaloset përmes disa portretesh: Qemali është portreti, që ka në qendër intelektualin e shquar shkodran, Qemal Draçini, liceisti më i dalluar i Shkodrës dhe i gjithë studentëve shqiptarë të Universitetit të Firences, ku ai studioi dy vjet për drejtësi. Këtë intelektual, autori e adhuronte për prirjet e tij, për hapje horizontesh të reja. Ky djalosh biond e shumë simpatik, në rininë e tij të pare, u lidh me lëvizjen komuniste, por kur pa se ideali për krijimin e një bote të re, ishte i mbrujtur me urrejtje dhe dënime deri në anëtarët e familjes dhe të vetë prindërve, u largua me neveri.
Ai nuk mund ta urrente e ta bënte fajtore nënën e vet, për ekzistencën e shoqërisë borgjeze. Me nota shumë të gjalla, përshkruhet atmosfera e vitit 1945, kur Qemali vuri në skenë në teatrin e Shkodrës, dramën “Përtej horizontit”, vepër e dramaturgut amerikan, Eugjen O’ Neil. Kjo shfaqje me tingëllimin e saj aktual, për gjendjen mbytëse të rinisë intelektuale të kërcënuar prej thatësirës së dogmatizmit marksist, e tronditi rininë shkodrane, po ashtu dhe organet e pushtetit të ri dhe të Sigurimit. Qemalit i shkaktoi burgimin dhe tortura çnjerëzore të padurueshme, prej të cilave ai mundi të shpëtonte me anë të vetëvrasjes plot dhimbje, duke gëlltitur sasi të madhe pluhuri DDT, që roja e burgut hodhi në qelinë e tij për ngordhjen e miliona morrave.
“Nji shok e nji mësues: dy dëshmorë”, i kushtohet luftëtarëve antifashistë vlonjatë, Hamdi Gjoni dhe mësuesit Bego Gjonzeneli, të cilët u burgosën, u torturuan në hetuesi dhe u hodhën të kampet e punës, për të vetmin “mëkat”, se nuk u bashkuan me forcat partizane, që u krijuan më vonë, por luftuan si nacionalistë, kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Inteligjenca e thellë e pedagogut të shkollës së mesme Tregëtare të Vlorës, Bego Gjonzeneli, shpaloset përmes riprodhimit të bisedave të tij me të dënuarit. Dënimi i disa krerëve komunistë prej vetë PKSH-së, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e J. B. Titos, ngjalli tek të burgosurit disa shpresa për zbutje të diktaturës e përmirësim të gjendjes…!
Mirëpo profesori, ua preu hovin hamendjeve naïve me arsyetimet e veta: “Grindjet janë të një natyre inkoherente të sistemit komunist. Do të kemi dhe të tjera, të ngjashme me këtë. Komunistët vrasin njëri tjetrin, me qëllim që të përballojnë pa kundërshtime gjendjet e reja. Për diktaturat absolute, eliminimi i shokëve të luftës, është një parim themelor. Por kjo nuk duhet kuptuar, si një sinjal i fundit të tyre…! Kemi hyrë në një suazë nga e cila është shumë e vështirë të dalim. Ata që thonë se e drejtojnë fatin e vendit tonë, nuk e kanë më këtë fat në duart e tyre. Një tjetër dhespot, sundon sot mbi vendin tonë. Është ariu sovjetik”. I ngjashëm me fatin e profesorit vlonjat Gjonzeneli, është dhe fati i profesorit shkodran të filozofisë, Preng Kaçinari, që përshkruhet në shkrimin ‘Nji vorr i harruem’.
Ky pedagog i filozofisë në gjimnazin ‘At Gjergj Fishta’ të Shkodrës, inteligjent i rrallë, diplomuar në Universitetin e qytetit Monpellie të Francës. Ky profesor, me sjelljen, zgjuarsinë dhe njohuritë e thella, kishte fituar respektin e dashurinë e nxënësve dhe të qytetarëve shkodranë. Pas pushtimit fashist, u bëri thirrje studentëve të vet dhe doli malit bashkë me ta, me të cilët luftoi dhe vetë autori kundër pushtuesit fashist. Mirëpo ai u përçmua, u la pa punë dhe u detyrua të vdiste nga uria, për të vetmin “faj”, se nuk u bashkua me forcat komuniste dhe sepse kishte njohur nga afër në kohën e studimeve, diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, xhelozia dhe paranoja e të cilit, nuk lejonte të mbijetonin më të aftët se ai.
Gjatë takimit të fundit të heroit me autorin, ai i formuloi me pak rreshta thelbin e moralit, thelbin e asaj që kërkonte partia shtet, prej mësuesve dhe edukatorëve: “Falja ndërgjegjen djallit, asgjëso personalitetin tand, humbe dinjitetin si njeri, hidhi poshtë të gjitha parimet morale bazë, atëherë je i përshtatshëm për indoktrinimin që kërkohet n’ arsim”.
Në një situatë të tillë mbytëse, ky intelektual i pastër, besnik i parimit sipas të cilit për kombet, ashtu si për njerëzit, nderi qëndron ma lart se jeta, mbetur i papunë, pa mundësi jetese, i dha fund jetës me vdekje nga uria, në varrezat e Tiranës më 1956.
Edhe më tragjik është fati i avokatit shkodran, Qazim Dani, që përshkruhet në ‘Plaku i numrit 10’, njeriu që ishte burgosur pa më të voglin shkak. Ky burgim e revoltoi të birin 16-vjeçar, Bardhoshin, i cili duke mos e duruar padrejtësinë, vendosi të arratisej bashkë me dy shokë të tjerë, të tre djem të vetëm. Këta djem të papërvojë i vranë rojet kufitare. Mbasi i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit disa ditë me radhë për të tmerruar rininë shkodrane, policia lejoi familjarët e miqtë e tyre t’i varrosnin. Nëna e Bardhoshit u çmend nga tronditja e ngjarjes makabre.
Kur u lirua bashkëshorti, i plakur para kohe, ajo e priti ashpër duke thirrur: “Ti ma ke vra djalin! Ti ma ke vra djalin”!, në një kohë kur ky babë nuk e dinte fundin tragjik të të birit. Të dy, nënë e babë, të mbetur mos më keq, pa triskat e bukës, me tre vajza që mezi nxirrshin bukën e gojës, me punë nga më të rëndat, të damkosur me epitetin ndjellakeq “armik i popullit”, e ndjenë veten të tepërt dhe u shkrinë njëri pas tjetrit ,duke u gdhirë të mbërdhirë nga të ftohtit, në ballkonin e shtëpisë…!
Në ‘Bir i dejë i Shen Françeskut’ portretizohet bashkëvuajtësi i torturave në qelinë e hetuesisë, kleriku At Çiprian Nikaj. Ky klerik i përkushtuar, bashkë me kolegët; At Pal Dodaj, At Mati Prendushi dhe At Bernardin Palaj, ishin arrestuar në mes të nëntorit 1946, me rastin e gjetjes në Kuvendin e Françeskanëve të disa pushkëve të ndryshkura, që kishte lënë një rreshter gjerman, gjatë tërheqjes. Ato pushkë as ishin përdorur e as mund të përdoreshin, por kishin mbetur në Kuvend nga pakujdesia, duke e lënë dorëzimin e tyre në polici, me sot për nesër. Spiunimin e kishte bërë një seminarist i ri, i rekrutuar prej Sigurimit.
Torturimi i këtyre klerikëve, që mbaheshin nëpër qeli të ndryshme, bëhej me qëllim që ata të pranonin se armët ishin fshehur për të organizuar kryengritjen popullore kundër pushtetit, ashtu si u tha nga propaganda komuniste shqiptare, e ajo jugosllave. Për të mos u shtrembëruar e vërteta, At Çipriani, i rrëfen autorit, të vërtetën e pranisë së atyre armëve në Kuvend dhe ia lë si porosi; ta dëshmojë këtë të vërtetë mbas daljes nga burgu. Ky amanet përbën dhe shkakun kryesor të hartimit të këtij portreti.
Thjeshtësia e klerikut të përkushtuar, jepet përmes lutjes së tij të përsëritur drejtuar Zotit: Ati Ynë në Qiell! Më ndihmo të jem i dejë për hirin e dashuninë tande!
Kjo qenie modeste, që dukej tepër e tkurrur gjatë lutjeve të veta, ishte shumë e fuqishme në fjalë e mendime. Me këshillat dhe ngushëllimet që i jepte autorit ky bashkëvuajtës para e mbas torturave, ma lehtësonte vuajtjen me frymën e shpresës e ma mbushte zemrën me shpirtin e qëndresës, pohon autori duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike në terrin e qelisë ku njeriu humbiste nocionin e kohës dhe shpesh herë edhe dëshirën për të jetuar…!
Keqtrajtimi që u bëri diktatura njerëzve mesatarë, jepet po ashtu me ngjyra të gjalla në shkrimet ‘Dukagjinasi i pafat’, ‘Djali i Lumës dhe Bajraktari’. Heronjtë e këtyre veprave, janë bij të malësive të Shqipërisë së Veriut, njerëz të ndershëm, atdhetarë antifashistë. Të tillë janë vëllezërit dukagjinas; Mark e Kolë Prela, malësori i sinqertë Mehmet Lumjani dhe bajraktari i një fshati të thellë, Sylë Bajraktari. Të gjithë këta heronj, pa qenë aspak kundërshtarë të pushtetin, dënohen prej tij.
Mark e Kolë Prela, e donin pushtetin e ri, por ata, si njerëz të ndershëm, edhe pse kishin luftuar si antifashistë përkrah forcave partizane, nuk kishin pranuar të zbatonin urdhrat vrastare të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit (forcat e Sigurimit), që shkuan nëpër Malësi, për të masakruar banorët e atjeshëm, me qëllimin e vetëm që të ngjallnin tmerr, frikë e nënshtrim absolut, ndaj pushtetit të ri “popullor”.
Djaloshi i thjeshtë e i sinqertë, i ndershmi Mehmet nga Luma, nuk mund ta kuptonte se si mund të binte burri aq poshtë sa të shpifte kundër bashkëfshatarit të vet. Sigurimsi i fshatit kishte shpifur sikur; Mehmeti nuk e donte pushtetin, sikur ishte “armik i popullit”, gjë që i shkaktoi burgimin dhe dënimin me punë të detyruar në baltrat e kënetës së Maliqit. Pyetja e tij retorike: “Si mund të bjerrë burri kaq poshtë”!?, përdorur si refren gjatë shkrimit, zbulon padrejtësinë e shumë dënimeve dhe rënien poshtë, jo të disa spiunëve, por të vetë pushteti komunist. Ky pushtet që erdhi në fuqi me bujë, si krijues i botës së re dhe i njeriut të ri, shumë shpejt e zbuloi fytyrën e vërtetë diktatoriale antinjerëzore.
Për të justifikuar përdhunën e vet dhe për të krijuar idenë se ‘bota e vjetër’ që ai përmbysi, ishte një botë reaksionare, ky pushtet përmes dënimeve të ndryshme i shpalli armiqësorë, reaksionarë dhe antipopullorë, shumë fjalë, si dhe mbartësit e tyre. Me përdhunë, fjalët; ballist, bajraktar, xhandar, avokat-mbrojtës, prift, etj u ngarkuan me një përmbajtje negative emocionale dhe u shpallën e u luftuan si armiq e tradhtar të gjithë ballistët, bajraktarët, xhandarët, avokat-mbrojtësit, priftërinjtë, etj. Midis këtyre të përndjekurve bëjnë pjesë mjaft të dënuarve që përmendëm më lart, si dhe Sylë Bajraktari, njeriu që nuk e kuptonte dot pse e quanin “armik të popullit”, “gjakpirës të popullit”, kur ai dhe të parët e tij si bajraktar ishte përpjekur të zbatonte Kanunin dhe ligjet e Maleve për të mbajtur rregull në fshatin e vet.
Jeta personale plot mundime dhe njohja nga afër e vuajtjeve dhe e fundit tragjik të jetës së këtyre përfaqësuesve të elitës intelektuale shqiptare, e shtytën autorin të arrinte që në vitet 1959-1962, në një karakterizim shumë të pjekur të epokës së diktaturës qysh atëhere, karakterizim në të cilin shkrimtarët dhe studiuesit tanë të ditëve tona, nuk kanë arritur ende.
Për autorin ajo epokë ishte epoka që vrau arsimtarin e ndershëm, që zhduku klerikun e devotshëm, që kalbi në burgje intelektualët e formuar në Europë, që shtrydhi në tortura tregtarin, që mundoi me uri punëtorin e që varfëroi katundarin deriku, nuk shkonte më. Epokë e cila përdhosi nxënësin, helmoi rininë, lartësoi idiotin, frymëzoi naivët. Ajo bëri kult urrejtjen, kurse karrierën ideal.
Bashkë vuajtja dhe njohja nga afër e jetës dhe e vdekjes së heronjve të tillë, i dha shtysën autorit që të gjente rrugën e shpëtimit, jo në durimin e vuajtjeve, e cila do ta shpinte së shpejti në një vdekje të parakohshme, gjatë një ri burgimi, ri internimi, apo kampi pune, por në arratisjen nga atdheu. Jeta e autorit, deri në arratisjen e tij trajtohet me hollësi në vëllimin autobiografik ‘Nën Hijen e Rozafës’ (‘Onufri’, 2004, 344 f.), ku janë vendosur në qendër jo bëmat dhe bisedat e bashkëvuajtësve, por jeta, vuajtjet, mendimet, meditimet e përgjithësimet e autorit dhe të familjarëve të tij.
Ndërkohë theksojmë se ngritja në pozita të larta e njerëzve inferior, që i shërbenin me besnikëri të verbër pa asnjë vrarje ndërgjegjeje pushtetit në fuqi, jepet duke treguar sesi njerëz injorantë, gati analfabetë, të marrë prej fshatrave u armatosën dhe u vunë në detyra komanduese nëpër burgje e kampe pune, ku keqtrajtonin mizorisht të dënuarit pa faj. Këtyre njerëzve të pashpirt, autori nuk u kushton asnjë portret a shkrim të plotë, por vetëm i përshkruan shkarazi dhe në kontrast me bashkëvuajtësit e vet, njerëzve të dënuar pa faj.
Përjashtim bën autori, vetëm për Xhevahirin, si e quanin të burgosurit tetar Jonuzin nga Berati, të cilin e portretizon brenda portretit ‘Bajraktari’. Ky person, dallonte prej policëve të tjerë, ai ishte zgjuar nga poshtërsitë e partisë shtet dhe përpiqej të lehtësonte me sa i mundej vuajtjet e të dënuarve, herë duke u treguar se cilët ishin të rekrutuarit midis të dënuarve, herë duke u treguar lajme nga jeta jashtë burgut…!
Së fundi, nuk mund të lemë pa theksuar se në të gjitha shkrimet e përmbledhura në librin ‘Pika loti’ ka një karakteristikë të përbashkët artistike. Në to bie në sy përdorimi i një lirizmi shumë të ndjeshëm, përshkrimi me shumë besnikëri dhe me hollësira të zgjedhura mirë për të karakterizuar heronjtë që portretizohen. Ndërhyrjet lirike të autorit, shfrimet e emocioneve, meditimet dhe formulimet e sakta për karakterizimin e epokës, ua rrisin shkrimeve emocionalitetin, besueshmërinë e vërtetësinë dhe sidomos nivelin artistik.
Kjo vepër, si dhe veprat e tjera të tij, shquhen dhe për gjuhën e pasur e të përpunuar, për dialektin shkodran letrar, shumë të afërt me gjuhën letrare të përbashkët shqipe. Kjo dukuri është e rrallë midis atyre që shkruajnë në dialektin shkodran, mbasi shumica e tyre, duke dashur të tregojnë pasurinë e këtij dialekti, theksojnë diferencat nga gjuha letrare dhe përdorin shumë nëndialektalizma të saj.
Si përfundim themi se; vepra ‘Pika loti’ bën pjesë denjësisht në themelet e letërsisë shqiptare së burgut, se ajo paraprin veprën madhore ‘Rrno vetëm për me tregue’ të At Zef Pëllumbit dhe romanet e Visar Zhitit, kurse vepra autobiografike ‘Nën hijen e Rozafës’, është një simotër e tyre. Memorie.al