Nga Auron Tare
Memorie.al / Kur një prej punëtorëve që pastronte dheun në rrënojat e të ashtuquajturit Pallati Bizantin në buzë të Kanalit të Vivarit në Butrint, gjeti një objekt prej fildishi në sitën e tij paksa të carë, askujt nuk i shkonte mendja se ky objekt i vogël do të ishte epiqendra e një prej debateve më të nxehta të kohëve të fundit në qarqet shkencore europiane. I pastruar me kujdes nga një specialiste e Muzeut Britanik që punonte për ekspeditën anglo-shqiptare në Projektin e Butrintit, objekti në fjalë u vëzhgua nga dy Profesorë Britanikë të cilët brenda disa ditësh konkluduan se kishin në dorë një nga zbulimet më të rëndësishme deri më sot në historinë e lojës së shahut. Një gur shahu, dhe jo vetëm një gur i ardhur nga thellësitë e shekujve, por një gur shahu i shek. të 5 pas krishtit.
Ky lajm i cili i’u shpërnda rrufeshëm të gjitha agjensive të lajmeve në botë, habiti jo pak shqiptarët të cilët papritmas mësuan nga shtypi i huaj se në njërin prej Qyteteve të tyre Antike, aristokratët vendas luanin shah që në antikitet. Ky lajm mbi zbulimin e papritur në Butrint solli jo pak habi në qarqet e arkeologjisë ndërkombëtare, por edhe një kuriozitet të madh për të parë në se objekti në fjalë ishte me të vërtetë një gur fildishi i përdorur për lojën më të njohur në botë.
Deri më sot hipoteza më e pranueshme është se shahu ka ardhur rreth shekullin të XI-XII-të në Europë, nëpërmjet penetrimit arab kryesisht në Sicili dhe Spanjën jugore. Ashtu siç dihet fare mirë rilindja europiane i detyrohet mjaft kulturës arabe, e cila solli të reja mjaft të vlefshme në mjekësi, astrologji, matematikë etj por gjithashtu solli edhe një numër veprash të humbura të autorëve të antikitetit. Nëpërmjet kësaj kulture mendohet se edhe loja e shahut u soll në Europë duke u bërë në pak kohë një nga zbavitjet më të pëlqyera të aristokracisë europiane.
Një gur shahu i shekullit të V-të pas Krishtit do të thotë gjithashtu se të gjitha teoritë e ngritura deri më sot për origjinën e ardhjes së kësaj loje në Europë duhen rishikuar. Por sigurisht një zbulim i tillë nuk mund të kalojë lehtë nga vëmendja a një sërë ekspertësh të kësaj fushe të cilët ishin çuditur për shpejtësinë me të cilën dy Profesorët britanikë kishin arritur në këtë përfundim.
“Le Figaro” gazeta e njohur franceze botoi e para një artikull ku shprehte dyshimin për këtë zbulim të madh në fushën e shahut. Gjithashtu një numër ekspertesh ndërkombëtarë komentuan gjatë për vërtetësinë apo jo të këtij zbulimi, duke shprehur mosbesimin e tyre për mundësinë e ekzistencës së një guri shahu të shekullit të V-të pas Krishtit në Butrint. Por me gjithë debatet e shumta në gazeta dhe revista të ndryshme, Butrinti dhe zbulimi i objektit të çuditshëm ishte duke ngjallur më shumë kërshërinë vizitorëve për këtë Qytet që fsheh kaq të papritura.
Zbulimi i “gurit të shahut” në Butrint ka ngritur edhe një herë pyetjen për të cilën një numër Profesorësh mendonin se i kishin dhënë përgjigje me kohë. A luhej shah në shtëpitë aristokratike të Metropoleve antike të Romës, Kostandinopojës apo Aleksandrisë? Deri më sot nuk ka asnjë të dhënë se aristokratët romanë apo edhe ata provincialë kalonin kohën pas darkave dhe debateve filozofike me ushtrime të komplikuara shahu. Në se guri i gjetur në Pallatin Bizantin të Butrintit vërtetohet nga ekspertët se është me të vërtetë një gur shahu i shekullit të pestë, atëhere do të kemi të parën provë bindëse që aristokratët romanë dinin se si luhej shahu.
Megjithatë për historianët skeptikë nuk ka askund deri më sot burime të shkruara të autorëve antikë ku të flitet mbi ekzistencën e kësaj loje në periudhën e Perandorisë Romake. Askush nga Perandorët në kujtimet e tyre nuk thotë se përpara betejave të ashpra me fiset barbare që kërcënonin kufijtë e Perandorisë, zhvillonte taktikat ushtarake mbi fushën e shahut. Asnjë nga eterit e famshëm të Kishës nuk shkruan mbi ekzistencën e kësaj loje në shek. e pestë, një lojë e cila në Mesjetë do të bëhej ndoshta loja e vetme që klerikët do të luanin me dëshirën më të madhe.
Mos ndoshta historia duhet ri shkruar? Apo nxitimi i Profesorëve Britanikë ishte një mënyrë për të tërhequr vëmendje dhe objekti i gjetur është thjesht një objekt që s’ka të bëjë fare me shahun? Pyetje të cilat në mënyra të ndryshme janë bërë gjatë gjithë këtij debati të zjarrtë. Është i njohur fakti se arkeologjia ka kontribuar në jo pak raste për të hedhur dritë mbi tema të cilat janë konsideruar si çështje të zgjidhura. Shumë mite dhe legjenda të debatuara për vërtetësinë e tyre, janë bërë të besueshme si rezultat i zbulimeve arkeologjike. Mos ndoshta edhe kësaj radhe arkeologjia do të ndryshojë historinë?
Po kur është shpikur loja e shahut? Deri më sot është e mundur që nga të gjitha kulturat që kanë lidhje me shahun, vetëm në kulturën Islame të gjejmë një literaturë e cila na tregon në detaje rreth rregullave të lojës. Nga burimet Arabe është e mundur që të njihesh me traktate të shkruara që në vitin 850 pas Krishtit, si dhe me librin e vetëm të njohur deri më sot që trajton lojën e shahut. Përpara kësaj date vetëm referenca të rastësishme njihen për lojën e shahut në Arabisht, Persisht, Sanskrisht dhe literaturën Kineze, por të mjaftueshme për të na lejuar të dimë se loja e shahut ekzistonte.
Këto tekste mund të datojnë rreth viteve 600 pas Krishtit. Përpara kësaj date deri më sot është mjaft e vështirë që të ndriçohet ndonjë gjë e saktë rreth shahut. Arkeologjia dhe referencat e ndryshme nga tekste antike rreth lojërave të përdorura nga ushtarët romake nuk na saktësojnë asgjë në lidhje me origjinën e shahut apo periudhën e saktë se kur njihej kjo lojë. Kërkimet për origjinën e shahut janë pak a shumë si kërkimet për gjetjen e etapave të periudhës së evoluimit të njeriut.
Për këtë arsye vërtetësia e “gurit të Butrintit” merr një rëndësi të jashtëzakonshme për të kuptuar mbërritjen e kësaj loje në Europë si dhe marrëdhëniet kulturore të ndërlikuara midis Lindjes Islame dhe Perëndimit të Krishterë. Traktatet e para për shahun vine nga bota Islame dhe pikërisht nga Oborri i Kalifatit të Abasideve që qeverisnin në Bagdat në shekullin e IX-të dhe të X-të pas Krishtit. Disa ekspertë në historinë e shahut mendojnë se kjo lojë mund të ishte e njohur edhe në oborrin bizantin, por në një formë shumë të limituar.
Deri më sot nuk ka asnjë provë bindëse se shahu njihej në oborret e princërve europianë në shekujt e mësipërm me gjithë ekzistencën e 16 gurëve të gdhendur në oborrin e Perandorit Charlemagne të cilat thuhen se janë një dhuratë nga Kalifi Harun al Rashid. Zbulimi i një fushe së bashku me të gjithë gurët e lojës, datuar në shekullin e XII-të, gjetur nga ekipi i Prof. George B, në Turqi, është prova e parë që shahu luhej në periudhën Bizantine të vonë.
Objekte të cilat mund të jenë lidhur me këtë lojë nuk ekzistojnë përpara kësaj date dhe gjetja e një “Guri shahu” të shekullit të V-të është një zbulim i cili vë në pikëpyetje bindjen në së Princërit Europianë kishin trashëguar jo vetëm kulturën Romane, por edhe shahun. Nga tekstet e njohura deri më sot të krijohet bindja se loja e shahut në Lindje kishte arritur caqe sofistikimi. Këto traktate nuk flasin vetëm për rregullat e lojës, por për probleme të komplikuara strategji dhe analiza të lojës. Një pjesë e madhe e këtyre dokumenteve që janë ende të ruajtura deri më sot dhe tregojnë se shahu është praktikuar në Oborrin e Abbasideve gjatë gjysmës së parë të shekullit të IX-të.
Është e vështirë të thuhet me siguri se shahu njihej në botën Islame më përpara se kjo periudhë. Një fakt interesant në mbështetje të kësaj ideje është edhe mospërfshirja apo mos komentimi i kësaj loje në Ligjet Islame apo në Kuran. Kjo duhet të ketë ardhur si pasojë e mosnjohjes së lojës së shahut nga Profeti Muhamet. Pozicioni i shahut në këtë sistem të sofistikuar rregullash dhe ligjesh siç është Kurani është shumë i dyshimtë pasi nuk përmendet as gjëkundi si lojë.
Një numër burimesh të autorëve Islamë mundohen ta atribuojnë njohjen e shahut Kalifit Omar (634-644) vjehrri i Profetit, por deri më sot nuk ka asnjë fakt real për ta mbështetur këtë supozim. Ndoshta këta autorë kanë kërkuan një farë legjitimiteti për lojën e shahut e cila mund të ketë qenë në rrezik për tu ndaluar nga interpretuesit e Ligjeve të shenjta. Deri më sot mund të thuhet me siguri nga historianët se nuk ka asnjë fakt real për të vërtetuar se shahu njihej në botën Islame përpara vitit 800.
Megjithatë disa historianë mendojnë se shahu njihej mjaft mirë edhe më përpara se Dinastia e Abbasideve të vinte në pushtet (750). Këta historianë i referohen disa fakteve të cilat nuk mund të konfirmojnë ekzistencën e këtij mendimi, por megjithatë janë interesante për tu diskutuar. Poeti arab al-Farazdaq i cili vdiq më 728 në një nga poezitë e tij përdor shprehje që i referohen mjaft qartë lojës së shahut. Megjithatë është mjaft e vështirë që të mos pranohet fakti se të gjithë autorët arabë të shekullin e IX-X-të kanë qenë të mendimit se shahu erdhi në kulturën Islame nga Persia të cilët e kishin marrë këtë lojë nga India.
Fatkeqësisht për të provuar këtë fakt nuk ka asnjë gjurmë arkeologjike pasi deri më sot nuk është gjetur asnjë gur shahu i kësaj periudhe. Megjithatë linguistika ka vërtetuar se fjala arabe për shahun “shatranj”, vjen nga persishtia “chatrang” e cila vet vjen nga Sanskrishtja “chaturanga”. Gjithashtu një pjesë e madhe e fjalëve të lidhura me shahun në arabisht vinë nga persishtja.
Përpara se Perandoria Persiane të pushtohej nga ushtritë arabe më 640, Persia ishte udhëhequr nga Dinastia Sasanide që në shekullin e III-të. Persia kishte gjuhën e saj, shkrimet si dhe fenë Zoroastran. Pasi Persia u pushtua nga fiset Beduine, kultura persiane kaloi në disa periudha transformimesh, por një pjesë e madhe e literaturës dhe historisë persiane u përkthyen në arabisht. Arabët me mjaft lehtësi duhen të kenë marrë edhe lojën e shahut si pjesë e kulturës persiane së bashku me letërsinë dhe artet e tjera.
Megjithatë historia e shahut në kulturën Persiane është mjaft e lexueshme në një nga kryeveprat e letërsisë persiane Shahnama e kompozuar nga poeti i famshëm persian Firdusi rreth vitit 1011. Në këtë vepër e cila është bazuar në dokumentet e shek të 6 mbi Dinastinë Sasanide, flet për shahun në mënyrë mjaft të qartë në historitë e Vezirit te Mbretit Khusray Nushirëan (531- 579) i cili në bisedimet me delegacionin e dërguar nga Maharaxhi i Indisë arrin të zgjidhë ushtrime të komplikuara të shahut të cilat ishin dërguar nga Mbreti i Indisë.
Një tjetër vepër letrare e ardhur deri në ditët tona nga letërsia perse e quajtur Chatrang-namak flet më në detaje për lojën e shahut duke u bërë ndoshta vepra më e rëndësishme për këtë lojë. Kjo vepër e shkruar përpara vitit 800 pas Krishtit, është vepra e parë para Islame që jep detaje të rëndësishme për shahun ku për herë të parë thuhet se shahu luhej nga dy vetë në një fushë më 64 kuti.
Një tjetër referencë për këtë lojë vjen nga vepra Karnamak i Artakhsher i Papak një libër i shkruar ndoshta rreth shek. të 6. në një pjesë të librit theksohet se themeluesi i Dinastisë Sasanide, Ardashir ishte shumë i zoti në “lojën me top, në kalërim si dhe në chatrang” në këtë vepër nuk kemi detaje të tjera përveç se emrin e lojës së shahut, por megjithatë ne nxjerrim si përfundim se të paktën që nga shekulli i VI-të pas Krishtit, loja e shahut konsiderohej si një nga vlerat e aristokracisë persiane.
Vetëm dy referenca të ardhura nga literatura persiane nuk janë të mjaftueshme për të krijuar një ide të saktë për lojën e shahut, por megjithatë duhet të kemi parasysh se vetëm 5 vepra të letërsisë persiane të asaj kohe kanë arritur të mbi jetojnë deri më sot. Sigurisht është vështirë që për të gjitha këto mite dhe legjenda të gjenden prova historike, por një gjë është mjaft e qartë se të gjitha hipotezat që ekzistojnë të drejtojnë drejt Persisë dhe Indisë. Historianët në përgjithësi kanë pranuar faktin se shahu është sjellë nga India në Persi në kohën e sundimit të Khusrau Nushirëan 531-579.
Origjina e lojës së shahut nga India është debatuar dhe pranuar në një farë mënyrë nga historianët, por fatkeqësisht në shkrimet e hershme Sanskrite nuk ka referenca të qarta për këtë lojë përpara viteve 600. I vetmi burim që mund të kënaqi sadopak historianët që hulumtojnë këtë çështje është Harshacharita apo “Jeta e Harshas” e shkruar në 625 nga Bana i cili përshkruan ushtrinë e Maharaxhit Gupta e “cila ishte rreshtuar si në një lojë chaturanga”.
Të gjitha shkrimet e shenjta Indiane që japin referenca për lojën e shahut janë shkruar pas kësaj date duke e bërë të pamundur depërtimin në misterin e datës së lindjes së kësaj loje, por gjithsesi duke e pranuar faktin se origjina e shahut është India. Hipoteza se Guri i gjetur në Butrint është një gur shahu i datuar në shek. e pestë, do të jetë prova e parë se kjo lojë ka mundur të vijë në territoret romane gati 170 vjet përpara teksteve Sanskrite të njohura deri më tani.
Në se ky fakt do të pranohej nga historianët atëhere objekti i vogël prej fildishi do të ri-shkruante historinë duke sjellë pyetje të reja për marrëdhëniet midis Romës dhe viseve të largëta të Indisë. Sigurisht do të duhen zbulime dhe studime të reja për të provuar diçka të tillë por debatet do të vazhdojnë duke pasur si epiqendër pyetjen në se aristokrati butrintas që banonte në Pallatin Bizantin në buzë të kanalit të Vivarit, luante shah apo jo 600 vjet më parë se shahu të njihej në Europë? / Memorie.al












