Sherif Delvina
Memori.al/ publikon historinë e panjohur të Sulejman Delvinës, njërit prej pinjollëve të familjes së famshme delvinjote, i cili pasi u shkollua në Janinë e Stamboll, ku u mbajt edhe si pedagog në Liceun e Gallata Sarajt, ai shërbeu në detyra dhe funksione të larta në administratën e Perandorisë Osmane dhe më pas u kthye në atdhe, duke u angazhuar në Kongresin e Lushnjës, ku atij i’u besua detyra e kryeministrit, zv/ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë. Dokumentet të nxjerra nga Arkivi Qendror i shtetit në Tiranë për ish-kryeministrin shqiptar që kryesoi kabinetin e parë qeveritar të dalë nga Kongresi i Lushnjes, nga karriera politike dhe dhe roli i tij si burrë shteti e patriot i shquar, në themelimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, deri tek dorëheqja e tij nga kreu kabinetit!
Diplomimi në Stamboll ku shërbeu edhe si pedagog në Liceun e Gallata Sarajit
Sulejman Delvina u lind në vitin 1873 në qytezën e Delvinës, në një nga familjet më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindjen e tij, ai shkoi në gjimnazin e Janinës dhe që andej në atë të Mylqijes së Stambollit. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane ai e mbaroi në vitin 1898 dhe pas marrjes së diplomës, ai u emërua menjëherë në detyrën e atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Liceun e Gallata Sarajit dhe në gjimnazin e Vefasë. Duke dhënë mësim në Liceun e Gallata Sarajit, ku frëngjishtja ishte gjuha bazë e atij liceu plot me libra të vlefshëm të asaj kohe, Sulejman Delvina e shfrytëzonte atë mjedis perëndimor, bibliotekën e pasur të liceut dhe me ato libra, ai njihej me të rejat e shkencës së shteteve perëndimore. Më pas, ai u emërua nënshef seksioni dhe shef seksioni në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe pak kohë më vonë, në funksionin e drejtorit të përgjithshëm të punëve lokale të vilajeteve. Pas Luftës së Përgjithshme, Sulejman Delvina, shkoi në Paris si delegat i kolonisë shqiptare të Stambollit, ku bashkë me të ishin edhe Halil Pasha Gjirokastra me Fuat bëj Dibrën.
Kryeministër në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës
Në janarin e vitit 1920, Sulejman Delvina mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku spikati si një nga aktorët kryesorë të asaj ngjarjeje madhore, e cila i hapi rrugë riorganizimit të shtetit shqiptar. Lidhur me këtë, në revistën “Minerva” të vitit 1932, publicisti i njohur, Nebil Çika, në artikullin me titull: “Vdekja e Sulejman Delvinës”, midis të tjerash ka shkruar: “Kongresi i Lushnjës plotësoi qeverinë e re me zgjedhjen e një kabineti prej nëntë anëtarësh të kryesuar nga Sulejmani dhe caktimin e një Senati apo Këshilli Kombëtar prej 37 anëtarësh të veshur me fuqi parlamentare deri në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme. Kabineti përbëhej si më poshtë: Sulejman Bej Delvina, Kryeministër, Mehmet bej Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Ahmet Bej Zogu, Ministër i Brendshëm, Kadri Bej Prishtina- Ministër i Drejtësisë, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Eshref Bej Frashëri, Ministër i Punëve Botore, Idhomene Kosturi, Ministër i Postave dhe Telegrafëve dhe Ali Riza Pasha Kolonja, Ministër i Luftës.
U zgjodh dhe Këshilli i Lartë i Regjencës prej katër vetash: z. Imzot Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani dhe dr. Mihal Turtulli. Në këtë Kongres u formua dhe Këshilli Kombëtar, si dhe u miratua Statuti i Lushnjës, i cili ishte ligji themeltar i shtetit të ri shqiptar. Ai shpalli ndarjen e fesë nga shteti dhe vendosi që më vonë, kur të bëheshin zgjedhjet, Asambleja Kushtetuese të përcaktonte formën e regjimit. Pra, në Lushnjë u sanksionua sovraniteti i shtetit shqiptar me organet që ngriti Kongresi”.
Shkrimi i Ali Këlcyrës për Sulejman Delvinën
Ndërsa në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” të datës 11 nëntor 1920, në artikullin me titull “Rregulli i Shtetit”, Ali Këlcyra e përcakton kështu Kongresin e Lushnjës: “Mbledhja e Lushnjës, e cila u bë burimi i shpëtimit të Shqipërisë, do meritojë të shkruhet me shkronja të arta në historinë tone”. Ndërsa për Kryeministrin Sulejman Delvina, ai shprehet: “Sulejman Beu, i cili këto kohërat që u ndodh në qeveri dha prova jo vetëm si njeri i mësuar, por akoma dhe si një burrë shteti me karakter”. Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë kompromisin 13-14 janarit të vitit 1920, ku Fuqitë e Mëdha kërkonin copëtimin e Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës gjithashtu rrëzoi qeverinë filo-italiane të Durrësit, duke u zotuar se do të luftonte për çlirimin e vendit. Qeveria e Sulejman Delvinës brenda një kohe prej dhjetë muajsh, zgjidhi me sukses detyrat që i caktoi Kongresi i Lushnjës. Më 11 shkurt, qeveria u vendos në Tiranë, e cila që nga ajo kohë u bë kryeqyteti i Shqipërisë. Më 13 mars të po atij viti, u shpall bashkimi i Shkodrës me qeverinë kombëtare të Tiranës, duke shmangur repartet e armatosura jugosllave që kishin ardhur afër Shkodrës. Lidhur me këtë, në një shkresë të Sulejman Delvinës, thuhet: “Tiranë më 8-IV- 192O. Prokurorisë s‘Apelit Shqypni. Mbas shkresës së Kryeministrisë Nr. 252/1 dhe 4/4/20, Ju njoftohet se Këshilli i Përfaqësuesve, me vullnet e dëshirë të këshilltarëve të vet, mori emrin Këshilli Kombëtar. Zv. Ministri i Drejtësisë. Kryeministër. S. Delvina (d.v.)” (Fondi 249, dosja II-12 viti 1920).
Raporti i Sulejman Delvinës për qeverinë që kryesonte
Më 29 prill të vitit 1920, Sulejman Delvina raportonte në Këshillin Kombëtar se: qeveria ka zbatuar vendimet e Kongresit të Lushnjës. Lidhur me këtë, në atë raport të kryeministrit Delvina, thuhet: “Kongresi i Lushnjës duke i dhënë besimin qeverisë së re, i parashtroi dhe programin politik, të cilin ajo e ka pranuar dhe mbi të cilin është betuar dhe ky program është mbrojtja e indipendencës së plotë me të drejta sovrane i tërësisë tokësore të shtetit shqiptar; kështu që tashti qeverisë i mbetet vetëm me ju paraqit zhvillimin e programit të brendshëm në të gjitha degët e administratës dhe rrugën që ka për të ndjekur për të mbrojtur të drejtat kombëtare, sipas programit të Lushnjës. Për të siguruar indipendencën e plotë qeveria ka vendosur të mos njohë asnjë qeveri të huaj të përzihet në punët shtetërore dhe këtë vendim e ka mbajtur dhe do ta mbajë me çdo teori për sigurimin e tërësisë tokësore, e cila është krejt e dëmtuar nga fuqitë e huaja…” (Fondi 146, dosja 23, vitet 1920-1929, fq. 8).
Në fushat e politikës së brendshme, qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina u drejtua në zhvillimin e programit të saj në të gjitha degët e administratës. Po në dosjen 23, (të cituar më lart), flitet edhe për Ministrinë e Brendshme. Aty, midis të tjerave, theksohej se: “Mendimi i ministrive për administratat e vendit është të ngriturit e prefekturave e të qeverisurit të Shqipërisë vetëm me shkallë qeverinash, sigurimi i qetësisë, ruajtje e kufijve të shtetit, mbështetet vetëm në fuqinë e xhandarmërisë, veç një batalion që gjendet në çdo qendër prefekture, kanë për të formuar dhe tre batalione shëtitëse”
Po në dosjen 23 të fondit 146, vitet 1920-1929, me nëntitull “Financat”, shkruhet: “Duhen shtuar të marrurat, që të mos vrasin drejtpërdrejt pasurinë e popullit. Arka e përgjithshme e Financës ka për të paraqitur së bashku të gjithë të marrurat, si dhe prishjet e gjithhershme të shtetit, të rregullohen, të mos i rëndohen shtetit jashtë fuqive financiare që mund të ketë shteti, ndonëse duket se të marrurat sot nuk u bëjnë dot ballë shpenzimeve”. Në kuadër të kësaj, shtojmë se Kryeministri Sulejman Delvina për sigurimin e mjeteve financiare në fillim të marsit 1920, nxori vendimin për të emetuar një hua të brendshme prej dy milionë franga ari, e cila do të shlyhej brenda dy vjetëve. Vlen të theksohet se Korça, në kohën e bashkimit me pjesën tjetër të vendit, i dorëzoi qeverisë qendrore të Tiranës gjendjen e arkës që përfshinte shumën e dy milionë franga franceze, shumë kjo që ishte kursyer nga miradministrimi i administratës franceze gjatë pushtimit francez. Qeveria e Sulejman Delvinës e dalë nga Kongresi i Lushnjës, e qeverisi vendin fill pas Luftës së Parë Botërore, ku dëmet materiale dhe njerëzore në Shqipëri ishin tepër të mëdha. Ajo u përpoq të mirë-administrojë vendin dhe arriti të mos marrë hua nga asnjë shtet i huaj. Kurse për arsimin, gjendja në Shqipëri në kohën e qeverisjes së Sulejman Delvinës ishte e mjeruar, pasi mungonin librat, orenditë, ndërtesat shkollore. Në këtë kuadër, ajo qeveri duhej të krijonte prej asgjëje, gjithçka që i përket arsimit, të përgatiste mësues të aftë, të hartonte libra e të përkujdesej për orendi e ndërtesa. (Parlamenti, Fondi 146, Dosja 23, vitet 1920-1929).
Konsolidimi i organeve të drejtësisë nga qeveria e Delvinës
Për sa u përket organeve të drejtësisë, asokohe u përdor legjislacioni turk, gjë të cilën më parë e kishte bërë edhe qeveria e Vlorës, për interesat e shtetit shqiptar, por në qeverinë e kryesuar nga Sulejman Delvina, u bënë edhe ndryshime në organizimin gjyqësor, në llojet e gjykatave. Kështu, pas Gjykatës së Paqit, (e Faktit, shënimi ynë), vinte Gjykata e Fillimit, e Përtërimit dhe e fundit, Gjykata e Diktimit, (Apelit), ishte instanca më e lartë në sistemin gjyqësor të asaj kohe. Sulejman Delvina ishte jo vetëm Kryeministër, por dhe zv/ministër i Drejtësisë. Mes të tjerash, lidhur me ushtrimin e asaj detyre të dytë, bëjnë fjalë edhe këto dokumente që po citojmë më poshtë, ku thuhet:
“Kryesisë së Këshillit Ministerial. Ministrisë së Drejtësisë, në Tiranë. Po ju dërgojmë këtu ngjit shtojcën e ligjeve të organizimit edhe ligjin e nëpunësve të vërtetuara përkohësisht prej Këshillit Kombëtar, Nr. 51, datë 28-05-1920, e pëlqyer prej Këshillit të Lartë, Nr. 108 më 19-07-1920, për ta vënë në veprim plotësisht.
Tiranë, 11. VIII 1920
Kryeministri.
Sulejman Delvina
(Ministria e Drejtësisë, Kuadër Organizim, Fondi 155, Dosje II-13, vitet 1919-1920).
Ministrisë së Drejtësisë
Kryeministrisë Tiranë
Në përgjigje të shkresës suaj 1346, kemi nderin të lajmërojmë Shkëlqesinë tuaj se trupi gjykues i Përtërimit të Beratit është i plotësuar. Por në ndryshimin që qe bërë, prokurori qe emëruar kryetar dhe zoti Hamid që ka qenë pyetës është emëruar ndihmës-anëtar. Nga shkaku që këta nuk kanë mundur të gjinden në shikimin e disa padirave mbas një shkrese të prokurorisë e Diftimit gojarisht të z. Prefekt të Beratit, u muar vesh se gjyqi i Beratit nuk ka mundur të veprojë rregullisht. Për të mos u shkaktuar vonimi i gjyqeve qe dhënë urdhër i veçantë, të merret si gjyqtar z. Faik Monopati, pyetës që është emëruar rishtas e kështu të plotësohet trupi gjykues. Tiranë 8-8-1920.
Me nderime të posaçme paraqesim këtë anëshkrim.
Kryeministri dhe Zv/ministër i Drejtësisë
Sulejman Delvina
Për të mos me shkaktue vonim gjyqeve me urdhër të veçantë u emërua pyetës në gjyqin e përtërimit të Beratit, Faik Monopati. (A.Q.SH. Fondi 249, Dosja I 223/3, fl. 119)
Roli i Sulejman Delvinës në diplomacinë shqiptare
Më 28 maj të vitit 1920, u nënshkrua “Protokolli i Kapshticës” me qeverinë greke, u njohën kufijtë e 1913-ës, dhe kështu u ndalua hyrja e ushtrisë greke në Jug të Shqipërisë, por atje ngelën 26 fshatra shqiptarë në duart e grekëve. Me akordin e qeverisë së Tiranës u normalizuan marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë. Qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina u përpoq për çlirimin e plotë nga ana e veriut dhe e lindjes, duke u ankuar me notat 12 dhe 14-VIII- 1920 për shkeljen e padrejtë të tokës shqiptare. Po në këto kohë, qeveria bëri çka kishte mundësi për t‘u bërë që Shqipëria të pranohet në Lidhjen e Kombeve. Votimi i favorshëm që dha Asambleja e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor të vitit 1920, ishte një fitore e madhe për diplomacinë shqiptare. Qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina arriti të çlirojë pjesën më të madhe të Shqipërisë, ngriti administratën shqiptare dhe krijoi Ushtrinë Kombëtare për mbrojtjen e atdheut. Qeveria shqiptare nuk pranoi propozimin italian për mbrojtjen e Vlorës për shkaqe “sigurie”, për të mirën edhe të vetë Shqipërisë! Ajo nuk lejoi të cenohej tërësia tokësore e Shqipërisë dhe Sulejman Delvina u përpoq që çlirimi i vëndit të kryhej me mjete diplomatike, me mbrojtje të interesave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ajo nuk u solidarizua haptazi me luftën e Vlorës, por e ndihmonte atë me gjithçka kishte mundësi. Sulejman Delvina dallohej për kulturën e madhe pasi ai kishte kryer shkollën e lartë të Shkencave Politike-Administrative e Ekonomike në Universitetin e Stambollit (më i madhi iPerandorisë Osmane), ku përgatiteshin kuadrot e larta drejtuese në fushat e ndryshme të administratës perandorake, gjë e cila bëri që në Perandorinë Osmane, atij t‘i besoheshin detyrat të rëndësishme.
Puna dhe roli i Sulejman Delvinës si ministër i Brendshëm
Përveç funksionit të Kryeministrit, Sulejman Delvina mbajti edhe postet e zëvendësministrit të Brendshëm dhe të Drejtësisë. Në këto detyra ai u përpoq dhe luftoi me të gjitha mundësitë e tij për krijimin e institucioneve themelore të shtetit të ri shqiptar të riorganizuar pas Kongresit të Lushnjës. Në kuadër të këtyre detyrave, Sulejman Delvina i’u vu punës për konsolidimin e sistemit gjyqësor dhe për mirëfunksionimin e tij. Lidhur me këtë bëjnë fjalë edhe disa dokumente e materiale që po citojmë më poshtë, ku shihet qartë puna dhe roli i madh i tij si nacionalist e diplomat, i cili përpiqej ta drejtonte shtetin shqiptar me drejtësi, sjellje të matura, këshilla të urta dhe të vlefshme, pa shkaktuar konflikte, duke u munduar të shpëtonte shtetin e porsakrijuar shqiptar. Kështu, në dokumentin që mban datën 5 shtator 1920, i cili gjendet në fondin arkivor të Bajram Currit, midis të tjerash shkruhet:
“I nderuari Zotni, Pranimi i armëve të dërguara në emër të Hasan Beut (Hasan Prishtina, shënimi ynë), nga ana e D‘Anuncios (D’Annunzio), politikisht ka shumë inkonveniencë të jashtëzakonshme, po ta marrë vesh Europa se qeveria shqiptare ka marrëdhënie dhe bashkëpunon me D‘Anuncio, të cilin e trajton si një aventurier, kishte për të dhënë një gjykim shumë të keq dhe do ta trajtonte si një element turbullues e ngatërrestar. Mbas lajmeve të fundit, Anglia nuk dëshiron ndonjë shteg të ndizet zjarri i luftës në Ballkan. Amerika, që është më i madhi mbrojtësi ynë, po ta marri vesh se jemi duke bashkëpunuar me D‘Anuncios, i ndërron mendimet dhe qëllimet e mira që ushqen për ne”.
Po si qëndronte e vërteta e problemit që Sulejman Delvina i parashtronte Bajram Currit në atë letër? Në atë kohë, Këshilli i Ministrave me në krye Sulejman Delvinën, vendosi mos-shkarkimin në portet shqiptare të një vapori italian, i cili ishte ngarkuar me armë e municion dhe me mjete të tjera luftarake. Kjo anije kishte ardhur në Durrës për të shkarkuar armët e dërguara nga D‘Anuncio për kosovarët, që ata, me të marrë këto armë, të hidheshin në kryengritje. Po të mbërrinin këto armë në Kosovë, serbët, si reprezalje të veprimeve të kosovarëve do të digjnin fshatra të tërë e do të shkaktonin një eksod të ri të kosovarëve. Vapori që u dërgua në Durrës, nuk u pranua atje dhe pasi u dëbua nga aty, ai shkoi në Shëngjin, ku u ndalua me forcë shkarkimi i tij nga ana e xhandarëve. Në këtë kohë, fuqitë jugosllave ishin përqendruar në Grykën e Bunës, gati për të pushtuar Shëngjinin në rast të shkarkimit të armëve.
Delvina: Të mos përlyejmë emrin e Shqipërisë
Lidhur me këtë ngjarje, në letrën e sipërcituar, Sulejman Delvina shkruan: “Respektin që kemi fituar në Europë me ngjarjen e lumtur të Vlorës, po ta përlyejmë me disa sjellje të pamatura, kishte për t‘u zhdukur dëshira që kanë shtetet e Europës për të formuar rishtas një Shqipëri indipendente, e atëherë, atdheu ynë i mjerë, do të jetë fatzi përgjithmonë. Thoshin se deri tashti e shkatërroi Shqipërinë Esat Pasha. Porse këtë herë, në qoftë se Shqipëria shkatërrohet, ajo shkatërrohet me dorën tonë, ka për të qenë një fatkeqësi e një dëm i madh për ne. Po të vijojmë me veprimet tona që t‘i sjellim shqetësime Europës, ju siguroj me nderin dhe ndërgjegjen time se Shqipëria do zhduket …”
Fatkeqësisht, me sigurimin e këtyre armëve dhe zbarkimin e tyre në bregdetin shqiptar, merrej miku i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, D‘Anuncio. Kurse për të treguar se kush ishte fashisti, Gabriele D‘Anuncio, citojmë lajmin e gazetës “Shqipëria e Re”, ku njoftohet se poeti italian, D‘Anuncio, dërgoi në Shqipëri 30 milionë fishekë për të vrarë shqiptarët në Luftën e Vlorës. (Dokumenti Nr. 80. Dokumente e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci 1917-1941, Tiranë, 1959).
Midis të tjerash në ato dokumente, bëhet fjalë edhe për D‘Anuncios, ku ai shfaqte hidhërimin për humbjen e Vlorës: “Si mundeni, mbrojtës të Fiumes, të ndieni dhembje e të hidhërohi që Vlora t‘u kthehet shqiptarëve? Nuk luftoni ju kundër çdo lloj grabitjeje, shtypje? Nuk mbroni si në Fiume me çdo kusht parimin e nacionalitetit dhe të drejtën popullore për t‘u ribashkuar me atdheun e zgjedhur?” (Për D‘Anuncio, atdheu i zgjedhur ishte Italia, më të cilin duhet të ribashkohej Vlora, sepse, siç pohonte vetë D‘Anuncio: “Për shkak të dëbimit nga Vlora, Italia është një kor i madh sopran të tredhurish…”)/Memorie.al
Vijon numrin e ardhsëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016