Nga Agim Xh. Dëshnica
Pjesa e dytë
– At Gjergj Fishta dhe profesorët mjeranë të realizmit socialist –
Memorie.al / Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare – 1983”, u synua të hidhej poshtë vepra e poetit kombëtar At Gjergj Fishta me fjalë si këto: “Përfaqësuesi kryesor i klerit Gjergj Fishta (1871 – 1940), poet, publicist, pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhrit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike ‘Lahuta e Malësisë’, propagandonte anti-sllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman.
Pas Luftës së Dytë, “Lahuta e Malësísë” dhe krijimet e tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan dhunshëm nga pushteti i ashtuquajtur popullor, ndërkohë u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë, më 1990 dhe sërish në Romë më 1991. Pas përmbysjes së diktaturës, veprat e Fishtës dhe shkrimet përkujtimore botohen vazhdimisht. me titullin “Lahuta e Malësisë”.
Studimet për Gjergj Fishtën, tashmë janë më të thella, shkencë e mirëfilltë, sepse lidhen me vlerësimin e vazhdueshëm e kujtimin e poetit tonë kombëtar. Studiuesit e brezit të ri, si Arben Marku, tashmë kanë shkuar më tej, duke caktuar vendin më të lartë, bie fjala, për poemën epike “Lahuta Malësisë” përballë poemës “Kunora e Malsisë”, të poetit malazez Negoshi.
Me “Lahutën e Malësisë”, poeti ynë tregon historinë e shqiptarëve, zgjon e jep kushtrimin për bashkimin e kombit pa dallim feje, në luftën kundër pushtuesve të atdheut me ndihmën e Europës, ndërsa Negoshi kërkonte bashkimin e malazezve në një fe, në luftë kundër pushtuesve turq, me përkrahjen e Rusisë. Me krijimin e rrallë tridhjetëvjeçar “Lahuta e Malsisë”, Fishta i dha kombit shqiptar një histori të artë, ndërsa Europës, një mësim të qartë për çështjet e pazgjidhura kombëtare, si rrjedhojë e padrejtësive të kohëve.
Ndaj ai meritoi titullin Poet Kombëtar. Në veçanti “Lahuta e Malsisë“, i ngjan një simfonie klasike, ku në rrjedhën e ngjarjeve vargjet, rimat e ritmi, janë notat e saj. Herë të zymta, herë shprehje dhimbjeje, herë si mallkim dhe në çastet e ngadhënjimit, piskamë hareje e luftëtarëve. Mandej dëgjohen zëri i natyrës së bukur shqiptare dhe i zanave, jehona e bjeshkëve, gurgullimat e krojeve dhe e përrenjve, teksa rrëzohen tatëpjetë. Në brendi të kësaj poeme epike, gjejmë edhe vargje lirike, të rralla për nga bukuria e kuptimi, kushtuar vajzës shqiptare, si këto:
“Varza ka e varza s’ka,
porsi asht nji varz’ n’Janinë
kurkund shoqen s’ia ke pa,
kah bje‘ diell e serotinë;
synin diell, ballin si hana,
ardhun shtatit si selvija
Efruazin e quejti nana,
augur t’mir me e pas Shqipnia”!
Autorë të shquar për Fishtën
Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satirik. Si i tillë, me një furi të çuditshme, ai ther e pret aty ku djeg”. Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele D’Anuncio thoshte: “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli…!
Si këtë kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranat Tagora”. Në një kohë, kur Fan S.Noli shprehej nëpër ligjërata: “Fishta është i madh”. Kurse Faik Konica shprehej: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se ‘Lahuta’ e Gjergj Fishtës”.
Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”! Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën, për fuqinë e vet epike.
Krahas tij, Engjëll Sedaj theksonte se; “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit, bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të Eqerem Çabejt, duke përqendruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë, sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, “Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (‘Istoria e Skëndërbeut’) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”.
Aurel Plasari shkruan: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë”. Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë studimet e korrigjuar të para viteve ’90-të.
Fishta për Atdheun
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Fishta e priti me gëzim, por edhe me brengë, për shkak të Luftës Ballkanike e vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës – 1913. Një gjendje e tillë shpirtërore shprehet në poemën “Lahuta e Malsisë“ dhe në artikujt e botuar në revistën “Hylli i Dritës“, të themeluar prej tij në Shkodër më 1913. Në shkrimin me titull: “A jan t’zot shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi”? – Fishta kritikon ashpër, nga një anë veprimet grabitqare të fqinjëve e, nga ana tjetër qëndrimin e shteteve europiane kundër tërësisë tokësore, sidomos të Rusisë. Ndërkohë ai argumenton me fakte historike aftësinë e shqiptarëve për krijimin e drejtimin shtetit të pavarur brenda kufijve etnikë.
Një ngjarje e paharruar do të mbetet në histori dita 23 tetor 1913, kur Fishta ngriti Flamurin Kombëtar në Kishën e Gjuadollit dhe e lidhi me drita me Xhaminë e Fushës së Çelës. Ishte ky një veprim i guximshëm për bashkimin e shqiptarëve me disa besime fetare. Në vitet 1916-1917, nën pushtimin austriak, ai boton gazetën “Posta e Shqypnisë” Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, nga prilli i vitit 1919 dhe gjatë vitit 1920, Gjergj Fishta është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Në një nga ligjëratat e vitit 1919, ai tha: “Pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë, asht vendi ynë.
I vjetër sa fosilet, sa stalaktitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të tij. Po qe se përnjëmend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes, si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe për përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete, përbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografik. Por çka, se si mbas teorisë Vilsoniane për me mund nji popull me u sundue në vetë-vete, përpos kombësisë, duhet të merret parasysh edhe ndërgjegjja e tij kombëtare.
Tashti për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri, si edhe ai dëshirë që mund të ketë nji popull për t’u zhvillue, gjithnjë përbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikëpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pavarësinë si edhe sovranitetin e saj. E po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar? Në rast se ata nuk na duan në nji shtet të vetëm, pasi thonë se shqiptarët qenkan Mysliman, atëherë na Kristianët, do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishekë, me mbrojtë vllaznit tanë myslimanë shqiptarë”! Është kjo një shprehje e dalë nga shpirti i At Gjergj Fishtës, e cila tregon shumë për harmoninë fetare ndërmjet shqiptarëve.
Gjithashtu dëshmon, se përjetësisht ndërmjet krerëve të besimeve fetare në Shqipëri, gjithnjë ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare. Në vitin 1922, Fishta pritet në Uashington si personalitet i njohur i kulturës. Takohet e bisedon me sukses me senatorë republikanë për çështjen e kufijve të Shqipërisë.
I ftuar, më 1930, në Nju Jork, pranohet anëtar në Bashkimin Ndërkombëtar të poetëve nga 60 vendet e botës. Fishta përfaqësoi Shqipërinë edhe në mbledhjet ndërkombëtare, më 1930 në Athinë, më 1932 në Stamboll e Bukuresht.
Me prozën e tij të shkëlqyer përshkroi udhëtimin për në Turqi, ndërsa lundrimin përmes dallgëve të oqeanit të trazuar, do ta rrëfente me një prozë plot humor, sipas ndryshimit të motit e gjendjes shpirtërore, duke iu lutur dhe shenjtorëve. Nga leximi me vëmendje i prozës, së Fishtës, vihet re, se ajo rrjedh po ashtu si poezia e tij. Poezia ashtu edhe proza e Fishtës janë burime frymëzimi për poetët e shkrimtarët, madje për gjithë ata, që duan të flasin bukur shqip.
Veprimtaria e Fishtës në vitet ‘20 – ’30-të
Në vitet ’20-të, Fishta merr pjesë edhe ne veprimtari politike. Në dhjetor të atij viti zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar i tij. Po atë vit themelon Gjimnazin Françeskan në Shkodër. Në ngjarjet e Qershorit 1924, mban krahun e demokratëve. Mandej largohet nga atdheu dhe vendoset në Itali. Atje, në vitet 1925 e 1926, krijon, boton e riboton pareshtur. Të atyre viteve janë pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. I kthyer në atdhe, siç u tha më lart, përfundon më 1937 poemën epike “Lahuta e Malsisë“.
Më 1939, Fishta ishte kandidat i çmimit Nobel, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Italiane, ndërmjet poetëve, shkrimtarëve, kompozitorëve dhe shkencëtarëve me famë botërore. Aty nga fundi i jetës, më 1940, pa pritur Fishta do të deklaronte: “Qysh nga kohët romake përgjatë rrjedhës së shekujve, pushtues të ndryshëm kaluen nëpër Shqipni, por asnjeni prej tyne nuk e nënshtroi dhe nuk e pushtoi dot shpirtin e shqiptarit”. Ky zë jehon fuqishëm edhe për profesorët, që rropaten e rrëmojnë më kot nëpër skutat e errëta të arkivave, të gjejnë ndonjë krisje në përmendoren e shenjtë të etërve atdhetarë katolikë me Fishtën në krye dhe letrat e sajuara prej tyre, askush nuk i beson.
Po dokumentet, ç’thonë për jetën e veprimtarinë e tij?
At Gjergj Fishta lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës, më 1871. Për fat të mirë mësimet e para i mori nga mësuesi e poeti Leonardo de Martini. Shkollën e mesme e kreu në Troshan të Shkodrës, kurse studimet e larta për teologji, filozofi e gjuhët e huaja, në institutet e seminaret françeskane në Sutjeskë, Livno e Kreshevo të Bosnjës.
Pas mbarimit të studimeve më 1894, u shugurua meshtar dhe u pranua në Urdhrin Françeskan. Në vitin 1899, së bashku me Abatin e Mirditës, Preng Doçin, me romancierin e parë shqiptar Dom Ndoc Nikajn, At Pashko Bardhin etj., themelon në Shkodër shoqërinë letrare “Bashkimi”. Në vitin 1902, sapo qe caktuar drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, vendosi shqipen në mësime.
Në vitin 1908, përfaqëson shoqërinë “Bashkimi” në Kongresin e Manastirit dhe drejton Komisionin e Alfabetit. Në mbarim të Kongresit, Fishta kreu një veprim fisnik, kur fjalën për njoftimin e vendimit ia dha Mit’hat Frashërit, aso kohë në moshë të re. Dëshira e përkrahja gjuhës shqipe, trimëroi drejtuesin e arsimit në Shkodër, Luigj Gurakuqin, të themelonte më 3 gusht 1916, ‘Komsinë letrare’ nën mbrojtjen e komandës ushtarake të kryesuar nga gjeneral Trollman, i ndikuar dhe nga Dr. R. Nachtigal, studiues i gjuhës sonë, më në zë në Europë si dhe nga Dr. Gjergj Pekmezi.
Në Komsinë Letrare morën pjesë me punimet e tyre, përherë të vlefshme, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci e shumë të tjerë nga Veriu e Jugu. Si rrjedhojë e shtrembërimeve dashakeqe ndaj jetës e veprës së At Gjergj Fishtës, ishin të pakët lexuesit e letërsisë që kaluan çaste hutimi. Kritika shkencore e mirëfilltë e të gjitha kohëve bashkohet në një mendim se vepra e tij është kulm i ndritur që u ngrit madhërisht, për rreth dyzet vjet, mbi hapësirën e letërsisë shqiptare në shërbim të atdheut.
Nderimet nga vendi e bota
At Gjergj Fishta në historinë e Shqipërisë zë një vend me rëndësi si vazhduesi i Rilindjes sonë Kombëtare e, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në gjysmën e parë të shekullit njëzetë. Krejt ndryshe nga shkrimi në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare” -1983, Fishta njihej kudo, si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, satirist, eseist, gjuhëtar, edukator, piktor, arkitekt, drejtues i lartë i fesë françeskane, publicist, politikan demokrat etj.
Më 1941 shkrimtari i shquar Karl Gurakuqi shkruante: “Fishta i la nder gjithkund emnit shqiptar. Jo vetëm bota shqiptare e naltoi edhe për së gjalli tue i dhanë titullin ‘Poeti Kombëtar’, por edhe bota e jashtme, mbasi shijoi e çmoi frytin e pendës së tij, ia njofti vleftën dhe e nderoi me lëvdata, dekorata e tituj.
Klubi ‘Gjuha Shqype’ i dhuroi në vitin 1911 dy basoreljeve simbolike të punuem mjeshtërisht dhe nji kunorë argjandi; më 1917 qyteti i Beratit i dërgoi nji pendë ari, për kujtim të veprimit të tij letrar e politik. Perandoria otomane i dha dekoratën ‘Mearif’ kl. II-të (1912); Mbreti i Austro-Hungarisë e dekoroi me ‘Ritterkreuz’ (1912); Papa Piu XI-të e nderoi me ‘Medaljen e Meritimit’ (1925); Paria e përgjithshme e Urdhnit françeskan me titullin Lector Jubilatus’ (1929): Greqia me dekoratën, ‘Phenix’ (1931), etj.”! / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















