Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, ku bëhet fjalë për Plenumin e 11 të Komitetit Qendror të mbajtur në 26 janar të vitit 1971, ku midis të tjerash u morr në analizë dhe u diskutua gjatë, për raportin e përgatitur nga Byroja Politike e Komitetit Qendror me temë: “Mbi gjendjen dhe masat që duhen marrë për të ngritur në një nivel më të lartë shërbimin shëndetësor, sidomos profilaksinë dhe higjienën”, mbajtur nga anëtari i Byrosë Politike dhe zv/kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, Adil Çarçani. I cili në fjalën e tij, pasi evidentoi “arritjet e mëdha që ishin bërë pas çlirimit, me zhdukjen e disa sëmundjeve infektive si: malaria, sifilizi dhe tuberkulozi, si dhe rritjen e mesatares së moshës e uljen e vdekshmërisë foshnjore, gjë e cila kishte ardhur në sajë të politikës së drejtë marksiste-leniniste të PPSH-së”, shtroi detyrat për të ardhmen, në mënyrë që të ngrihej në një nivel më të lartë, shërbimi shëndetësor për mbrojtjen e shëndetit të popullit.
VENDIM I PLENUMIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
MBI GJENDJEN DHE MASAT QE DUHEN MARRE, PËR TE NGRITUR NE NJË NIVEL ME TE LARTE SHËRBIMIN SHËNDETËSOR SIDOMOS PROFILAKSINË DHE HIGJIENËN
26 janar 1971
Plenumi i 11-të i Komitetit Qendror të PPSH, i mbledhur më 25-26 janar 1971, pasi dëgjoi dhe diskutoi raportin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror “Mbi gjendjen dhe masat që duhen marrë për të ngritur në një nivel më të lartë shërbimin shëndetësor, sidomos profilaksinë dhe higjienën”, mbajtur nga anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave të RPSH, shoku Adil Çarçani, Vërejti:
Gjatë këtyre 26 vjetëve të pushtetit popullor janë arritur suksese të mëdha në fushën e mbrojtjes dhe të forcimit të shëndetit të popullit. Sot jeta mesatare e popullsisë ka arritur 68 vjet, nga 38 që ishte para çlirimit; malaria, sifilizi, që në të kaluarën sfilitnin masat e gjera punonjëse, janë zhdukur përfundimisht, sa tuberkulozi e sëmundje të tjera që ishin shumë të përhapura, sot janë kufizuar mjaft. Vdekjet për një mijë banorë te ne, kanë arritur në nivelet më të ulëta që njihen në Evropë, ndërsa rritja natyrore e popullsisë është nga më të lartat. Të gjitha këto, midis të tjerave, dëshmojnë për politikën e drejtë marksiste-leniniste të Partisë, për përpjekjet e mëdha të masave të gjera të popullit dhe për punën e palodhur e të ndërgjegjshme të punonjësve të shëndetësisë, si të drejtë të rëndësisë së masave profilaktike, si baza për forcimin dhe për mbrojtjen e shëndetit të popullit. Mënyra e jetesës dhe kushtet e punës, sidomos në disa fshatra, nuk u përgjigjen kërkesave higjieno-sanitare. Ka akoma një kujdes të pamjaftueshëm për problemet e nënës e të fëmijës dhe vdekjet e fëmijëve të moshës 0-1 vjeç, në disa zona janë akoma të larta. Në mjaft institucione shëndetësore të profilaksisë e të mjekimit, organizimi i punës dhe niveli i shërbimit shëndetësor nuk janë në lartësinë e duhur. Për të ngritur në një nivel më të lartë luftën për mbrojtjen dhe për forcimin e shëndetit të popullit, Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në çështjen e mbrojtjes dhe të forcimit të shëndetit të popullit, se ka akoma të meta.
Vendosi:
TË VLERËSOHET DHE TË NGRIHET NË NJË NIVEL MË TË LARTË PUNA PROFILAKTIKE PËR MBROJTJEN E PËR FORCIMIN E SHËNDETIT TË POPULLIT
- Problemet e mbrojtjes dhe të forcimit të shëndetit të popullit kanë një karakter të rëndësishëm shoqëror e politik dhe zgjidhja me sukses e tyre kërkon një mobilizim e punë të organizuar në të gjitha drejtimet. Eshtë e nevojshme të kuptohet thellë politikisht dhe shkencërisht nga të gjithë, e në radhë të parë nga punonjësit e shëndetësisë, orientimi profilaktik që Partia i ka dhënë shëndetësisë, i cili kombinon më së miri përsosjen e shërbimit shëndetësor dhe ngritjen e tij në një nivel më të lartë shkencor, me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të masave në mbrojtjen e në forcimin e shëndetit të popullit, që gjithsecili të interesohet për shëndetin e tij, për shëndetin e familjes së tij, për shëndetin e shoqërisë. Prandaj organizatat e Partisë dhe ato të masave, organet ekonomike e shtetërore dhe në veçanti punonjësit e shëndetësisë duhet të zhvillojnë një punë më të gjerë edukative e propagandistike me masat punonjëse për vlerësimin e plotë e të gjithanshëm të masave profilaktike në mbrojtjen e shëndetit, për kalitjen e vazhdueshme fizike të masave, për përmirësimin e mëtejshëm të mënyrës së jetesës e të kushteve të punës, në luftë të papajtueshme me konceptet e me zakonet prapanike kudo, e veçanërisht në fshat.
- Në kuadrin e profilaksisë një kujdes i veçantë të tregohet për higjienën personale e për atë kolektive. Puna propagandistike dhe edukative të rrënjosë thellë në ndërgjegjen e njerëzve dashurinë për higjienën e pastërtinë dhe të krijojë një atmosferë të papajtueshme me çdo shfaqje papastërtie e shkelje të rregullave higjieno-sanitare. Në këtë drejtim, vënia plotësisht në shfrytëzim dhe frekuentimi i rregullt i objekteve të ngritura në kooperativat bujqësore si banja, lavanteri, marrja e masave të tjera për përmirësimin e kushteve të banimit dhe lufta kundër çdo burimi infeksioni, përbëjnë sot disa prej detyrave më të ngutshme për punonjësit e shëndetësisë, për organet e organizatat e Partisë dhe të masave, për organet e pushtetit e të ekonomisë, sidomos në fshat.
- Në qendrat e punës e të prodhimit, një kujdes më i madh t’u kushtohet higjienës së punës dhe masave profilaktike për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve. Me aksione të vetë punonjësve të këtyre qendrave, duke u mbështetur kryesisht në forcat e veta, të merren masa për përmirësimin e ambienteve të punës, për ajrosjen dhe ndriçimin e mirë të tyre, si dhe për uljen e ndikimeve të dëmshme të proceseve teknologjike që sjellin rritjen e paaftësisë së përkohshme në punë. Institucionet shëndetësore dhe vetë Ministria e Shëndetësisë të bëjnë studime të veçanta që lidhen me një sërë sëmundjesh profesionale, si sëmundjet e mushkërive, të lëkurës, të veshkave. etj., të shkaktuara nga pluhuri e nga substancat kimike dhe të dalin me konkluzione shkencore e me masa konkrete që duhen marrë në këtë drejtim për përmirësimin e gjendjes.
- Organet dhe institucionet e shëndetësisë në qendër e në rrethe t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe luftës kundër një sërë sëmundjesh që ndeshen më dendur si sëmundjet e aparatit tretës, sëmundjet ngjitëse, ato profesionale, si dhe rakiti e distrofitë e tjera në fëmijë, duke bërë për këtë qëllim studime më të plota dhe duke zbatuar një sërë masash profilaktike, si depistimet, kontrollet periodike masive, vaksinimet etj.
- Ndër problemet e veçanta të higjienës e të profilaksisë, sigurimi dhe ruajtja e ujit të pijshëm nga infektimet e dëmtimet e tij të konsiderohet si një problem i dorës së parë, jo vetëm për punonjësit e shëndetësisë, por edhe për ata të shërbimeve komunale dhe për vetë këshillat popullorë e drejtuesit e kooperativave bujqësore, sidomos në zonat fushore e bregdetare. Ministritë dhe ndërmarrjet e ndryshme ekonomike të tregojnë një vëmendje të veçantë dhe të marrin masa konkrete për pastrimin e ujërave industriale përpara se ato të derdhen në rezervuarët e lumenjtë e vendit, për t’i bërë të padëmshme për jetën e njerëzve, të bimëve e të kafshëve.
- Në vargun e masave profilaktike, për mbrojtjen e shëndetit të popullit një vend me rëndësi duhet të zërë kontrolli i vazhdueshëm i organeve përkatëse të shëndetësisë dhe i organizatave të Bashkimeve Profesionale për zbatimin e plotë të rregullave higjieno-sanitare, si në prodhimin e artikujve ushqimorë ashtu dhe në tregtimin e tyre e sidomos në rrjetin e ushqimit social, në mensat e punëtorëve, të konvikteve etj.
- Për të ngritur në një nivel më të lartë profilaksinë në përgjithësi dhe higjienën në veçanti, është e nevojshme të zgjerohet dhe të përmirësohet propaganda sanitare me masat e gjera punonjëse të qytetit e të fshatit, duke e konsideruar atë si një detyrë të dorës së pare, jo vetëm të organeve e të punonjësve të shëndetësisë, por të të gjitha organizatave të Partisë e të masave, të organeve shtetërore dhe ekonomike, të cilat, duke përdorur me efikasitet të gjitha mjetet që disponojnë, duke kërkuar e duke gjetur dhe forma të përshtatshme, të bëjnë që edukata sanitare të futet sa më thellë në mendjen e njerëzve kudo.
- Për realizimin e të gjitha këtyre detyrave, organizatat-bazë të Partisë dhe ato të masave, organet ekonomike shtetërore dhe institucionet shëndetësore, të organizojnë herë pas here dhe të ndërmarrin aksione masive me objektiva konkretë për higjienizimin e plotë të fshatit, të lagjeve dhe të qendrave të punës.
TË PËRMIRËSOHET SHËRBIMI SHËNDETËSOR, TË NGRIHET NIVELI SHKENCOR I NDIHMËS MJEKËSORE DHE TË AFROHET AJO MË PRANË POPULLIT
- T’u kushtohet kujdes më i madh problemeve të oganizimit të shërbimit në institucionet shëndetësore duke forcuar drejtimin, kontrollin, ndërgjegjen në detyrë dhe kujdesin për të sëmurët. Të merren të gjitha masat që metodat e analizave, të diagnostikimit e të mjekimit të ngrihen në një shkallë më të lartë, që t’u përgjigjen mundësive dhe kërkesave të kohës, duke u orientuar nga metodat më të përparuara të arritura në fushën e mjekësisë.
- Të rritet niveli i ndihmës mjekësore duke ngritur, për këtë qëllim, shërbimet e nevojshme të specializuara. Pranë institucioneve qendrore të krijohet shërbimi i veçantë i urgjencës, reanimacionit, i djegieve të mëdha etj., kurse në rrethet kryesore të ngrihen shërbime të sëmundjeve të zemrës, të ortopedi-traumatologjisë, etj. Vëmendje e posaçme t’i kushtohet sidomos shërbimit të pediatrisë në të gjitha institucionet shëndetësore, e veçanërisht në ato të fshatit, duke synuar si në rritjen e numrit të mjekëve pediatër, ashtu edhe në aftësimin e mjekëve të përgjithshëm me njohuritë e domosdoshme të profilit pediatrik. Gjithashtu të organizohet në qendër shërbimi i riaftësimit fizik për punonjësit e aksidentuar ose me sëmundje kronike. Në stacionet termale e hidrominerale të përmirësohet shërbimi dhe të rritet kapaciteti e shfrytëzimi i tyre, duke kryer edhe studimet e nevojshme mbi cilësinë dhe efektin e këtyre burimeve.
- Të merren masa për zgjerimin e mëtejshëm të shërbimit shëndetësor në fshat, me qëllim që ai t’u afrohet sa më shumë nevojave dhe kërkesave të popullit. Të synohet që në çdo kooperativë të ketë një qendër shëndetësore me personel mjekësor të nevojshëm, kurse në çdo fshat një ambulancë-shtëpi lindjeje me mami-infermiere. Këto institucione të pajisen dora-dorës me mjetet dhe me aparaturat e nevojshme për rritjen e cilësisë së ndihmës mjekësore.
- Të fuqizohet shërbimi mjekësor në poliklinika dhe ambulanca. Të forcohen lidhjet e tyre me spitalet dhe veprimtaria e tyre të shtrihet më gjerësisht në drejtim të vizitave në banesë. Për të ndjekur më mirë shëndetin e disa kategorive të sëmurësh, duke filluar nga ky vit, të organizohet më mirë dhe të zgjerohet dispanserizimi i tyre. Në qytetet kryesore të organizohet në nivelin e duhur ndihma mjekësore urgjente, duke siguruar për këtë shërbim kuadrot dhe mjetet e nevojshme.
- Të organizohet më mirë shërbimi shëndetësor në ndërmarrjet e qendrat e punës dhe vajtja e mjekëve të institucioneve shëndetësore për ekzaminimin e punonjësve dhe për kontrollin higjieno-sanitar të masave në ambientet e punës. Organet e shëndetësisë të marrin masa për zgjerimin e numrit të ambulancave në ndërmarrjet dhe për kontrollin periodik shëndetësor në shkolla.
- Të merren masa për organizimin më të mirë të prodhimit të një sërë mjetesh pune, pajisjesh dhe instrumentesh mjekësore e kurative në uzina e në ndërmarrje të ndryshme të vendit, me qëllim që të përballohen nevojat e shtrirjes së shërbimit shëndetësor dhe të rritjes së nivelit teknik e shkencor të tij. Gjithashtu të studiohet e të organizohet puna për zgjerimin e gamës së prodhimeve farmaceutike, duke u mbështetur në florën e pasur të vendit tonë, si dhe në zhvillimin e industrisë sonë kimike.
TË THELLOHET PUNA PËR EDUKIMIN IDEOPOLITIK DHE TEKNIKO-PROFESIONAL TË PUNONJËSVE TË SHËNDETËSISË DHE TË ZGJEROHET PUNA SHKENCORE NË FUSHËN E MBROJTJES E TË FORCIMIT TË SHËNDETIT TË POPULLIT
- Forcimi dhe përsosja e masave mbrojtëse profilaktike, si dhe ngritja e nivelit të shërbimit shëndetësor, varen shumë nga puna e ndërgjegjshme e punonjësve të shëndetësisë, nga përgatitja e tyre ideopolitike, nga formimi dhe kalitja e tyre revolucionare. Prandaj organizatat-bazë të Partisë, organizatat e masave në institucionet shëndetësore, si dhe komitetet e Partisë në rrethe, duhet të punojnë më mirë për ngritjen në një shkallë më të lartë të punës politike, ideologjike dhe organizuese të Partisë në këto institucione, duke bërë një luftë të vendosur kundër shfaqjeve të huaja që duken akoma te disa punonjës të shëndetësisë, si liberalizmi, intelektualizmi, egoizmi profesional e teknokratizmi, për t’i bërë ata gjithmonë më të gatshëm e më të aftë në shërbim të popullit.
- Të merren të gjitha masat e nevojshme për shtimin e ritmit të përgatitjes së kuadrove mjekësorë të lartë e të mesëm, sidomos të dentistëve, farmacistëve dhe specialistëve të tjerë të mesëm të domosdoshëm, për forcimin e shërbimit shëndetësor posaçërisht në fshat.
- Krahas përgatitjes së mjekëve të profilit të përgjithshëm, si profili bazë i shërbimit mjekësor e profilaktik, specializimi dhe kualifikimi i mëtejshëm i kuadrove të shëndetësisë dhe sidomos i mjekëve, të jenë edhe në të ardhmen në qendër të vëmendjes për Ministrinë e Shëndetësisë. Specializimi dhe kualifikimi të kryhen jo vetëm në klinikat e fakultetit, por me këtë çështje të merren edhe spitalet e tjera në qendër dhe në rrethe, ku të kalojnë të gjithë mjekët që punojnë në fshat. Për këtë qëllim të studiohen e të shfrytëzohen më mirë eksperienca e kuadrove tanë më të aftë, si dhe eksperienca pozitive botërore.
- Për të ngritur më lart nivelin e shërbimit shëndetësor, një punë më e gjerë dhe më e thelluar të bëhet në drejtim të studimeve e të kërkimeve shkencore. Në punën studimore e kërkimore të përfshihen jo vetëm kuadrot e institucioneve qendrore të shëndetësisë, por edhe kuadrot që punojnë në institucionet e rrethit dhe të fshatit. Studimet shkencore e kërkimore duhet të synojnë në përforcimin shkencor të metodave sa më të efektshme të diagnostikimit e të kurimit të sëmundjeve që ndeshen më dendur në vendin tonë, duke u përqendruar sidomos në sëmundjet mikrobike, të cilat mund të marrin karakter masiv, në sëmundjet profesionale dhe veçanërisht në ato të fëmijëve. Në grupin e këtyre të fundit theksi duhet të vihet mbi rakitin dhe distrofitë e tjera, që përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve në fëmijët. Vëmendje më e madhe t’i kushtohet studimit të sëmundjeve të grykës, të gojës e të dhëmbëve, për të mënjanuar vatrat e infeksionit dhe për të parandaluar ndërlikimet dhe pasojat që ato sjellin si në moshën e re ashtu dhe në moshën e rritur. Të studiohet me vëmendje përvoja e mjekësisë sonë popullore për t’u përdorur me sukses në shërbim të popullit në kombinim me metodat moderne të shëndetësisë. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se detyrat e mëdha që dalin në fushën e mbrojtjes dhe të forcimit të shëndetit të popullit, do të kuptohen më së miri nga masat e gjera të popullit, nga organizatat e Partisë dhe të masave, si dhe nga organet shtetërore dhe ekonomike e nga të gjithë punonjësit e shëndetësisë. Ata do të mobilizohen dhe do të hidhen në aksione konkrete për përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes dhe përsosjen e profilaksisë, të higjienës, të shërbimit shëndetësor e veçanërisht të mënyrës së jetesës në qytet dhe sidomos në fshatin tonë të ri socialist./Memorie.al
PLENUMI I KOMITETIT QENDROR TE PPSH
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016