Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e dhimbshme të Lekë Vojvodës me origjine nga Shoshaj i Dukagjinit, i cili pasi u diplomua në Akademitë ushtarake të Modenas e Firences u kthye në Shqipëri, duke shërbyer si rreth-komandant i Xhandarmërisë së Lezhës dhe Tuzit, ku dhe u lidh me misionet anglo-amerikane, që shërbenin në atë krahinë nën komandën e majorit, Nils. Si iu përgjigj ai thirrjes së regjimit komunist në vitin 1945, duke u dorëzuar pas amnistisë së bashku me Mark Malën, Gjergj Vatën, Pal Thanin, Lulash Stakën, Mirash Ndoun e Gjocajt e bajraktarin e Dukagjinit, Lulash Gjeloshin me gjithë meshkujt e fisit dhe dënimi i tij me vite të gjata burgu dhe internimi familjarisht…
Në vitin 1944 kur shërbeja si rrethkomandant i xhandarmërisë së Dukagjinit, hyra në lidhje të fshehta me majorin britanik Nils, i cili kryesonte një nga misionet anglo-amerikane, që ishin atashuar asokohe pranë forcave nacionaliste në Veriun e Shqipërisë. Sipas porosive të tij, unë asokohe ndihmova të gjitha ato forca që luftonin kundër gjermanëve, siç ishin komunistët, ballistët dhe legalistët. Aty nga korriku i vitit 1944, unë e braktisa detyrën e rreth komandantit të Tuzit dhe shkova në Shoshaj, ku rrija vazhdimisht nën ankthin e goditjes e arrestimit, si nga partizanët ashtu dhe nga forcat gjermane. Ashtu i arratisur qëndrova për dy vite i fshehur nëpër malet e Dukagjinit, së bashku me Mark Malën, Gjergj Vatën, Pal Thanin, Lulash Stakën, Mirash Ndoun dhe Bajraktarin e Dukagjinit Lulash Gjeloshi me gjithë meshkujt e fisit. Në tetorin e vitit 1946, kur Qeveria Komuniste e Tiranës, shpalli një amnisti për të gjithë personat e arratisur, unë vendosa dhe u dorëzova vetë së bashku me disa shokë të tjerë, duke menduar se komunistët do ta mbanin fjalën për fjalën që nxorën. Por isha gabuar, se komunistët na prenë në besë dhe më dënuan me shtatë vjet burg e internime të gjata, nga të cilat u lirova vetëm në vitin 1984″. Dëshmon për herë të parë për Memorie.al, Lekë Vojvoda nga Shoshaj i Dukagjinit, ish-oficer akademist me gradën e kapitenit i diplomuar në Modena e Firence, i cili tregon gjithë historinë e jetës së tij, që nga bankat e gjimnazit të Shkodrës, studimet në Akademitë e Italisë, fillimin e karrierës ushtarake, gjatë viteve të pushtimit, ndihmesën e madhe ndaj lëvizjes antifashiste, e deri tek arrestimi e dënimi prej komunistëve me vite të gjata burgu e internimi.
Familja Vojvoda, besnike të Zogut
Lekë Vuksani, apo siç njihet ndryshe me mbiemrin Vojvoda, u lind më 7 maj të vitit 1918-të në Shoshaj të Dukagjinit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, një nga më të njohurat e asaj krahine në Veriun e Shqipërisë. Mbiemrin Vojvoda, ajo familje e ka trashëguar që prej pesë brezash, pasi të parët e saj ishin komandantë të malësorëve në luftërat kundër forcave serbo-malazeze, në fundin e shekullit të XIX-të dhe fillimin e shekullit të XX-të. Babai i Lekës, quhej Vuksan Vojvoda dhe ai ka qenë i njohur në atë krahinë, si burrë i urtë për ndarje pleqësie, pasi bashkë me Bajraktarin e Dukagjinit, ai merrej edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe problemeve të ndryshme, që lindnin në mes fshatarëve të asaj krahine. Vuksan Vojvoda, ishte një nga besnikët e Monarkisë së Zogut dhe ai njihej në të gjithë Dukagjinin si një nga mbështetësit kryesor të Mbretit. Në vitin 1926, kur ndodhi Kryengritja e Dukagjinit e udhëhequr prej toger Ndok Gjeloshit dhe Dom Loro Cakës, të cilët synonin rrëzimin e Qeverisë së Zogut, iu bë thirrje edhe Vuksan Vojvodës, për t’u bashkuar me kryengritësit dukagjinas. Synimi i kryengritësve për ta bërë për vete Vuksan Vojvodën, qëndronte në faktin se ai gëzonte një popullaritet në të gjithë atë krahinë. Por Vuksani, nuk pranoi të merrte pjesë në atë kryengritje, pasi ishte fare i qartë për synimet e organizatorët e vërtetë të saj. Ndonëse Vuksani vetë nuk kishte bërë ndonjë shkollë të madhe, ai u kujdes që djalit të tij, Lekës, të mos i mungonte ajo. Kështu në vitin 1928, Vuksani e dërgoi të birin, Lekën, në qytetin e Shkodrës dhe e regjistroi në shkollën fillore të Konviktit “Malet Tona”. Atë shkollë Lekë Vojvoda e mbaroi në vitin 1936, kur mori semimaturën dhe gjatë gjithë periudhës që ai ndoqi mësimet aty, ai vlerësohej si një nga nxënësit më të mirë të saj, pasi gjatë një viti shkollor ai mori dy klasë përnjëherë. Ndër shokët më të afërt të Lekës, në Konviktin “Malet Tona”, ishte Mëhill Marku nga Lotaj e Shalës, (me pas emigroi në SHBA, ku u bë profesor në një universitet të New Yorkut) dhe Kol Prela (profesori që u pushkatua me grupin e deputetëve në 1946-ën) . Përveç Mëhillit dhe Kolës, të cilët ai i kishte shokë dhe bashkëfshatarë, në një klasë me Lekën, asokohe mësonin dhe Fadil Hoxha, Xheladin Hana, Hajrulla Kastrati, Emin Duraku, Ndue Gjergj Pervizi etj. Lidhur me shokët që Leka kishte në Konviktin “Malet Tona”, ai kujton: “Ndonëse unë kisha një miqësi të ngushtë me këta shokët , në bindjet politike, isha kundër tyre sepse ata kishin pikëpamje komuniste” .
Në shkollën ushtarake të Romës
Pasi e mbaroi semimaturën në vitin 1936, Lekë Vojvoda kishte dëshirë që të vazhdonte studimet në një nga shkollat ushtarake të Italisë. Lidhur me këtë ai kujton: “Pasi u diplomova në gjimnazin laik të qytetit të Shkodrës, bëra një kërkesë për të ndjekur studimet ushtarake në Itali. Pasi m’u aprovua kërkesa edhe me ndihmën që ma dha ushtaraku Ndoc Kurti, i cili në atë kohë shërbente si adjutant i motrave të Mbretit Zog, unë u paraqita në konkursin që u zhvillua në Tiranë. E fitova atë konkurs me pikë të plota, m’u dha e drejta për të ndjekur shkollën ushtarake në Romë, të cilën e fillova në tetorin e vitit 1936. Bashkë me mua në atë shkollë ushtarake të kryeqytetit italian, asokohe ishin dhe disa studentë të tjerë nga Shqipëria, si Abdyl Këllezi, Abdi Mati, Valentin Pervizi etj. Liceun ushtarak e mbarova me rezultate shumë të mira në vitin 1939, por gjatë asaj kohe që isha student aty, kam kaluar një nga ngjarjet më të dhimbshme të jetës sime”, kujton Leka për këtë histori të largët: “Aty nga pasditja e tetë prillit të vitit 1939, unë ndodhesha në ambientet e shkollës, vetëm me disa shokë shqiptarë, pasi italianët kishin shkuar nëpër shtëpitë e tyre me rastin e festës së pashkëve. Nga që ato ditë ne nuk kishim dalë fare jashtë ambienteve të kapanoneve, nuk kishim dijeni, se çfarë ndodhte jashtë mureve të asaj shkolle. Nga pasdrekja e asaj dite, unë dola dhe takova kapelanin e shkollës (priftin ushtarak) të cilit i thashë se bashkë me dy shokët e m,i kishim dëshirë që te shkonim në kishë me rastin e festave të pashkëve. Kapelani pasi më dëgjoi, m’u përgjigj: “Nuk do të shkoni dot në kishë, pasi në qytet ka trazira të mëdha, sepse këto ditë ka ndodhur bashkimi i Italisë me Shqipërinë”. Unë e kuptova menjëherë se ç’kishte ngjarë, pasi që nga fundi i muajit mars, kishim dëgjuar se diçka pritej të ndodhte në mes Italisë dhe atdheut tonë Shqipërisë. Menjëherë pas fjalëve të kapelanit i mërzitur, ju drejtova duke i thënë: “Padër, që nga ky moment unë nuk besoj më. Si ka mundësi që një shtet i madh të zaptojë një shtet tjetër më të vogël? A nuk është dhe atdheu ynë Shqipëria, një vend që e ka falë zoti si gjithë shtetet e tjera? Përse nuk paskemi të drejtë të jetojmë të lirë edhe ne”. Pas fjalëve të mia kapelani nuk u ndie fare dhe u largua jashtë shkollës, ndërsa unë me shokët e mi u futëm brenda në kapanone”.
Refuzimi i betimit ushtarak në Romë
Ç’ndodhi më pas me Leke Vojvodën dhe shokët e tij studentë ushtarakë, që asokohe vazhdonin mësimet në Liceun Ushtarak të Romës? Lidhur me këtë, ai rrëfen: “Që paraditen e nënte prillit të vitit 1939, në ambientet e shkollës sonë aty në Romë, autoritetet italiane filluan të grumbullonin të gjithë studentët shqiptarë, që asokohe ishin nëpër shkollat e tjera ushtarake të Italisë, si të mesme ashtu dhe ato të larta e të aplikacionit. Qëllimi i atij grumbullimi, ishte se ata kishin vendosur të na dërguar të bënim betimin ushtarak së bashku me studentët italianë. Ndërsa po vazhdonte grumbullimi i studentëve shqiptarë, në ambientet e shkollës sonë, ne që ishim aty vendosëm që të bënim një mbledhje lidhur me situatën që ishte krijuar. Pasi u mblodhëm fshehtas rreth 20 e ca shqiptarë, në një klasë, filluam diskutimet duke rrahur mendimet se ç’duhej të bënim në situatën në të cilën ndodheshim. Disa nga shokët që e morën fjalën në fillim, hodhën idenë, që ne ta linim fare shkollën dhe të ktheheshim në Shqipëri, gjë e cila në fillim u përkrah nga të gjithë në mënyrë unanime. Por ky vendim më pas u hodh poshtë, sepse dikush nga ne tha se do ishte më mirë, që ne ta vazhdonim shkollën, të diplomoheshim dhe kudo që të na çonin të punonim për të mirën e Shqipërisë. Kjo u përkrah nga të gjithë , duke thënë se do ishte më mirë të mbaronim shkollën e të dilnim oficerë, pasi Shqipëria kishte nevojë për kuadro te aftë, që të drejtonin vetë ushtrinë shqiptare. Pas këtij vendimi ne u shpërndamë pa e ditur se pas pak ditësh, italianët do të na dërgonin për të bërë betimin ushtarak. Autoritetet e larta italiane, kishin vendosur që bashkë me studentët italianë, të na çonin për të bërë betimin me armë edhe ne shqiptarët që studionim në atë shkollë të mesme ushtarake të Romës. Për kryerjen e betimit ushtarak, ishte caktuar një kazermë ushtarake e cila ndodhej jo shumë larg shkollës sonë dhe pak pasi mbërritëm ne aty, erdhën dhe autoritetet e larta ushtarake italiane, që do të asistonin në ceremoninë e betimit. Kur filloi të këndohej himni jonë kombëtar, ne studentët shqiptarë, që ishim rreshtuar nëpër kuadrate të veçanta, filluam të qanim dhe si me komandë, të gjithë i lëshuam armët në tokë. Kjo gjë shkaktoi dhe prishjen e gjithë ceremonisë së betimit. Pas kësaj ne na dërguan përsëri në shkollën tonë dhe aty na mblodhën në një sallë, duke na kërkuar llogari se pse e bojkotuam betimin ushtarak . Të gjithë studentët shqiptarë që u ngritëm për të dhënë llogari, aty para autoriteteve ushtarake italiane të shkollës, nxorëm arsye nga më të ndryshmet, lidhur me prishjen e ceremonisë së betimit. Në fund të mbledhjes komanda e shkollës na komunikoi, se do të mblidhej për marrjen e masave ndaj nesh dhe të nesërmen ata morën dhe internuan vetëm shokun tonë Abdyl Këllezin, të cilin e konsideruan si organizatorin e të gjithë asaj çka kishte ndodhur”.
Diplomimi në Modena e Firence
Në fundin e pranverës të vitit 1939, Lekë Vojvoda u diplomua me rezultate të larta në shkollën ushtarake të Romës dhe me pas ai vazhdoi përsëri studimet në Akademinë Ushtarake të Modenas. Ai tregon: “Pasi u diplomova në Liceun Ushtarak të Romës, kisha dëshirë që të vazhdoja përsëri studimet në një nga Akademitë e Italisë, në degën e Karabinierisë. Por edhe pse kisha mbaruar me rezultate të larta, ishte e vështirë dhe nuk kisha siguri, nëse do më jepej e drejta të vazhdoja Akademinë e Modenas. Në atë kohë unë mora takim me Gjeneral, Zef Serreqin, i cili ishte Komandant i Kavalerisë Italiane. Pasi ai më priti mjaft mirë, i thashë se kisha shkuar për t’i kërkuar ndihmë, që të më krijonte mundësinë që unë të ndiqja studimet, pranë Akademisë së Modenas, në degën e Karabinierisë. Gjeneral Serreqi, pasi me dëgjoi me vëmendje deri ne fund, në fillim më pyeti së përse unë insistoja që të shkoja në degën e Karabinierisë, në një kohë që ajo ishte një nga degët më të vështira dhe më me probleme, kur të dilje në jete pas diplomimit. Iu përgjigja se kisha dëshirë që të diplomohesha në atë degë, duke menduar se Italia një ditë do të ikte nga Shqipëria dhe ne oficerët shqiptarë, do ta organizonim e do ta merrnim vetë në dorë formimin e armës së xhandarmërisë. Pas kësaj Gjeneral Serreqi, më ndihmoi që unë të regjistrohesha dhe të filloja studimet, ku bashkë me mua, po në një degë tjetër, ishte dhe shoku im i ngushtë Valentin Pervizi, me origjine nga Skuraj i Kurbinit”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016