Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të vëllezërve Alibali me origjinë nga Shkodra, një nga familjet e njohura të atij qyteti, e cila gjatë Luftës ishte e lidhur e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe nisur nga ai kontribut që ata dhanë, pas mbarimit të Luftës u dërguan me studime brenda dhe jashtë vendit, si Jusuf Alibali në Bashkimin Sovjetik, Ylli Alibali në Poloni, etj,. dhe deri në vitin 1974 ata ishin me detyra e funksione jo pak të rëndësishme të atij regjimi, si ushtarakë, etj. Dëshmia e Neritan Alibalit, lidhur me goditjen që pësoi familja Alibali në vitin 1974 pas dënimit të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut”, ku u arrestua babai i tij, Xhevati, ish-shef sektori në Institutin e Studimeve Ushtarake dhe gazetar i shtypit ushtarak si gazeta “Luftëtari” dhe revista “10 Korriku”, të cilin më pas e kaluan me të ashtuquajturin “Grupi i agjentëve polakë”, ku ishte i arrestuar edhe i vëllai i tij, Ylli Alibali, që ishte diplomuar në Poloni. Torturat çnjerëzore fizike dhe psikologjike, si dhe makinacionet e shumta që përdori Sigurimi i Shtetit ndaj Xhevat Alibalit, duke e nxjerrë natën nga burgu dhe duke inskenuar një skenë pushkatimi diku në bregun e lumit para një grope të porsahapur, në mënyrë që ta thyenin dhe të merrnin prej tij deklaratat që ata kërkonin, si dhe qëndrimi që mbajtën ndaj bashkëshortes së tij, Ferial Alibalit, koleget e saja në Teatrin Popullor, si Roza Anagnosti, Drita Pelingu, Mimika Luca, Esma Agolli, etj., kur atë e larguan që andej dhe e dërguan si punëtore në një rrobaqepësi ku ishte dhe aktorja Edi Luarasi!
Zoti Neritan, mund të na flisni shkurtimisht mbi origjinën e familjes suaj?
Babai im, Xhevat Alibali ka lindur në vitin 1933 në Shkodër prej nga është dhe origjina e familjes sonë. I ati i tij dhe njëkohësisht gjyshi im, Sali Alibali, ka qenë një oficer i lartë i Mbretërisë së Zogut dhe ata kanë ardhur në qytetin e Tiranës kur im atë ka qenë diku te 4-5 vjeç duke u vendosur me banim në një shtëpi te rruga “Vllazën Huta”. Familja Alibali ka marrë pjesë totalisht në Luftën Nacionalçlirimtare, dhe ka qenë ndoshta një nga familjet më të mëdha që është përfshirë në këtë luftë, e nisur nga ky fakt, pas çlirimit të gjithë, duke filluar që nga im atë dhe vëllezërit e tij, kanë qenë në nivelet e pushtetit. Kështu xhaja im, Jusuf Alibali, ka qenë zv/ministër i Drejtësisë në kohën e Manol Konomit, im atë Xhevati dhe dy vëllezërit e tjerë, Besniku e Agimi, kanë qenë ushtarakë dhe kështu me radhë.
Kur filloi goditja ndaj familjes Alibali?
Në vitet 1974-‘75, kur ndodhi reprezalja në Ushtri me të ashtuquajturin “Grupi puçist i Beqir Ballukut”, që Enver Hoxha dënoi ata duke i akuzuar për grusht shteti, në atë periudhë, paralel me të, nis edhe fillimi i goditjes së familjes sonë. Fillimisht ata përjashtuan të vetmin anëtar të Partisë që ne kishim në familje, xhaxhain, Jusufin, duke e akuzuar si liberal dhe e çuan punëtor në uzinën “Partizani”. Në 1 shkurt 1974 arrestuan xhaxhain tim, Yllin, (i diplomuar në Poloni për Veterinari) i cili u përfshi në grupin e të ashtuquajturve “agjentët polakë”, dhe në 21 mars kanë arrestuar, babain tim Xhevat Alibalin.
Pas arrestimit, ç’ndodhi me babanë tuaj, Xhevatin, për çfarë e akuzuan?
Fillimisht Xhevatin e futën në “Grupin e puçistëve” dhe ka pasur të njëjtin grup hetuesish si Beqir Balluku dhe grupin e tij. Ka bërë disa muaj hetuesi dhe ata kanë qenë shumë agresivë ndaj tij.
E kanë torturuar…?!
Natyrisht hetuesia ndaj tij ka qenë shumë e rëndë, pasi tim eti i kanë thyer klavikulën, i kanë fikur cigaret dhe ai i ka pasur shenjat deri vonë nëpër duar. Hetuesia u zhvillua te “Burgu 313”, ku ishin dhe krerët kryesorë të ashtuquajturit “Grupi puçist në Ushtri” si Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku, etj. Babanë e kanë mbajtur gjatë natës duke e marrë në pyetje dhe nuk e linin të flinte natën, duke i lënë një prozhektorë te koka. Hetuesia ka pasur edhe element tragjikomikë sepse, vala e dëshmitarëve kanë qenë qesharakë, siç na I ka treguar babai kur u lirua nga burgu.
Përse?!
P.sh., njëri nga dëshmitarët që i ka dalë në hetuesi, kishte deklaruar se: “Kur kam shkuar në shtëpinë e Xhevat Alibalit, kam hyrë me mënd dhe kam dalë pa mënd, sepse ka qenë një shtëpi moderne, me piktura moderniste”, etj. Dhe kur im atë e pyeti se: ku e kishte ai shtëpinë? Dëshmitari nuk dinte të përgjigjej. Po ashtu një dëshmitar tjetër, nëpërmjet ballafaqimit në hetuesi kishte deklaruar se; ‘kur kam qenë në Moskë, e kam takuar Xhevat Alibalin në kafen “Arakvi” të Moskës, dhe aty ai më ka thënë se në Shqipëri shkrimtarët dhe artistët nuk kanë liri, se atje nuk ka demokraci’ etj. Por im atë iu përgjigj se; nuk kishte qenë asnjë ditë në Bashkimin Sovjetik. Dhe çuditërisht, e vetmja akuzë që Xhevati u dënua 10 vjet burg politik, ishte ajo se ai kishte thënë se: ‘në Shqipëri nuk ka liri dhe demokraci’.
E parandjeu babai juaj arrestimin?
Natyrisht ai e dinte dhe e ndjente paraprakisht që do të arrestohej, sepse ai është përjashtuar nga Ushtria në moshën 42 vjeçare, diku nga dhjetori i vitit 1974.
Çfarë detyre ishte asokohe që u arrestua Xhevati?
Ai kurrë nuk ka qenë ushtarak me trupat, por ka qenë gazetar ushtarak, në gazetën “Luftëtari” dhe shef sektori në Institutin e Studimeve Ushtarake. Prej nga u tha që: ‘nga këtu dolën edhe Materialet e Zeza’, pra nga ky sektor. Dhe u komentua që: ‘ky ishte një nga vartësit e Beqir Ballukut për të helmuar Ushtrinë’.
Në Institutin e Studimeve Ushtarake, çfarë sektori mbulonte babai?
Im atë ka qenë historian i Luftës së Dytë Botërore dhe nisur nga ky fakt, ai e ka njohur shumë mirë historinë e Gestapos hitleriane. Pra, ai i dinte metodat dhe pavarësisht dhunës që i’u ushtrua gjatë procesit hetimor, ai kurrë nuk pranoi që të bënte kompromis me Ushtrinë dhe të pranonte diçka. Parimi i tij ka qenë që; nëse unë do të pranoja atje edhe gjënë më të vogël, atëherë, hetuesia do të më detyronte që të firmosja edhe gjëra të tjera në proçes-verbale. Kështu që edhe kur doli në gjyq, ai nuk pranoi asgjë dhe nuk kërkoi mëshirë por vetëm drejtësi.
Çfarë thoshte ai në shtëpi rreth asaj që mund t’i ndodhte?
Unë e kam dëgjuar me veshët e mi dhe e mbaj mënd shumë mirë (pasi kam qenë 14 vjeç atëhere kur ndodhi arrestimi i tij), që babai, i thoshte një nga miqve të tij më të ngushtë, që: ‘unë ata do t’i pres në shtëpi dhe kur të shoh që do të vijnë, unë kam përgatitur telat me korrent, që të vras veten’.
Ku e arrestuan?
Në fakt atë e arrestuan në kafen “Vollga”, diku andej nga qendra. Ai ishte duke pirë kafen në mëngjes dhe më pas erdhi ajo e famshmja “Pobieda” e bardhë, që dilte nëpër Tiranë dhe arrestonte. Dhe aty e kanë arrestuar, madje nuk e kanë lënë që të paguante as kafen. E kanë tërhequr zvarrë deri te “Pobieda”. Kjo ka ndodhur në 21 mars të vitit 1975. Unë nuk e mbaj mënd se kush e arrestoi, por di të them këtë gjë, që; kur kanë bërë kontrollin e shtëpisë, kanë qenë grupi prej tetë hetuesish të Beqir Ballukut, dhe ata kanë marrë si prova të gjithë literaturën ruse, shqiptare etj. Madje çudia ishte se ata i thanë mamasë që ishte prezent, që: “Këtu në shtëpinë tuaj, nuk shohim asnjë fotografi të Enver Hoxhës dhe asnjë vepër të tij”?! Ndoshta donin nga që i gjithë “grupi i agjentëve polakë” ku ishte dhe xhaxhai, Ylli, ishin civilë, e ata donin t’i gjykonin me një gjyq ushtarak dhe kështu që futën një ushtarak në grupin e tyre në mënyrë që ta bënin fakt të kryer.
Me çfarë akuzash e futën në atë grup?
E vetmja gjë që unë kam lexuar në komunikatën gjyqësore për lidhjet e tim eti, me ata të ashtuquajturit “Grupi i agjentëve polak”, ishte se: ky kishte qenë mik me të gjithë këta që kishin qenë gjithashtu miq të xhaxhait tim. Dhe është interesante që: të gjithë ata që u dënuan me “Grupin polak”, ishin familje të mëdha me një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë Luftës. Që nga Vedat Buzi, kryeinxhinier e drejtor i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” që kishte vëllanë, Hiqmet Buzi, “Hero i Popullit”, dhe babanë “Dëshmor i atdheut”, e me radhë të gjithë të tjerët, dhe mesa duket, Enver Hoxha kishte vendosur që t’i tregonte popullit shqiptar, që: ‘kur godiste edhe familjet e mëdha të Luftës, të tjerët duhet të heshtnin….’!
Njihej Xhevati me pjesëtarët e të ashtuquajturit “grupi agjentëve polak”?
Xhevati dhe Ylli kishin lidhje dhe njohje me pjesëtarët e “Grupit polak”, sepse Ylli vetë ishte student në Poloni dhe ai njihej nga afër me ta dhe ishin shokë. Ata të gjithë kishin ardhur në shtëpinë tonë. Unë kam qenë i vogël, por di që babai Xhevati, ka mbajtur një qëndrim shumë të fortë në gjyq.
Si e kanë trajtuar?
Di dhe një gjë që ai ma thoshte shpesh, që: përpara se ta kalonin te “Grupi polak”, në mesnatë, e kanë marrë dhe i kanë inskenuar një moment pushkatimi. E kanë çuar te lumi i Tiranës, sikur do ta pushkatonin, madje ka qenë edhe skuadra e pushkatimit aty para një grope që sapo e kishin hapur. Dhe një eksponent i lartë i Sigurimit të Shtetit, përpara se të bëhej akti, i ka ndaluar ata dhe i ka thënë Xhevatit: “Mjafton që të na japësh ca deklarata dhe mund të shkosh në shtëpi, tek të afërmit e tu, ndryshe ne do t’i zhdukim dhe të afërmit e tu”. Dhe babai u ka thënë: “Pushka top t’ju bëhet, unë nuk kam se çfarë të deklaroj”.
Sa vjet e dënuan Xhevatin?
Babain e dënuan 10 vjet dhe ai e ka kryer dënimin në Spaç, për 10 vjet nuk ka lëvizur që aty, ndërsa xhaxhai, Ylli, e ka bërë në Ballsh.
Pas dënimit të babait, ç’ndodhi me pjesën tjetër të familjes, pra me ju fëmijët dhe nënën tuaj?
Nga që babai e parandiente që do të arrestohej, ai i kërkoi mamasë që të bënte ndarjen dhe madje e ka kërkuar me firmë. Mamaja e bëri ndarjen dhe parimi i tij ishte që të shpëtoheshin fëmijët në radhë të parë.
E lëvizën mamanë nga puna?
Mamaja ime, Ferjal Alibali ka qenë aktore në Teatrin Popullor (e njohur sidomos për rolin e plakës Nicë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” etj.) dhe kur ndodhi arrestimi i tim eti, natyrisht që e hoqën nga Teatri dhe e lanë për disa muaj si gardërobiste po atje. Dhe më pas e hoqën nga Teatri dhe e çuan të punonte në ndërmarrje rrobaqepësie, ku ishte bashkë me aktoren e njohur, Edi Luarasin.
Kur e larguan nga Teatri, çfarë qëndrimi mbajtën kolegët e saj?
Në vitin 1993 kur unë u emërova si Drejtor i Teatrit Kombëtar dhe kur pashë dosjen e saj, vura re disa letra, të cilat disa nga shoqet e saj kishin mbajtur një qëndrim përtej ‘cakut’ që duhej mbajtur për të ruajtur veten në atë kohë. Por kishte dhe të tjerë emra të njohur, kolege të saj, si: Drita Pelingu, Mimika Luca, Roza Anagnosti, Esma Agolli, që i kanë qëndruar afër mamasë sime në atë kohë.
Ju fëmijët, patët privacione?
Ne ngelëm pa shkollë, unë kam punuar që 16 vjeç te Ndërmarrja e Ndërtimit “21 Dhjetori” si punëtor me lopatë, ndërsa motra pa punë. Të paktën i shpëtuam internimit dhe arsimin e lartë e kemi bërë pas viteve ’90-të.
Sot pas kaq vitesh, si do ta përcaktonit atë që ka ndodhur me familjen e babait tuaj?
Kjo ishte një tragjikomedi. Problemi është se si “Grupi polak” ka me dhjetëra grupe gjatë gjithë historisë së diktaturës në Shqipëri. Po kështu është fakt se pas viteve ’90-të, askush nuk u morr në përgjegjësi për atë që kishin bërë me “Grupin polak”, pra akuzat e montuara etj. Unë jam jurist dhe logjika që ata, “thjesht kanë zbatuar ligjet e vendit”, nuk mund të qëndrojë. Ligjet edhe në kohën e diktaturës, edhe në ato kushtetuta që ishin formale, por realisht në to ishin shkruar disa gjëra ku thuhej që respektonin jetën dhe të drejtat e njeriut, por ata s’u zbatuan dhe u ushtrua një dhunë e pa-precedentë. Rasti i “Grupit polak” është vërtetë një rast I tillë që duhet marrë si shembull./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016