Nga Tanush Mulleti
Pjesa e dytë
Refleksione: “Si e pashë, e dëgjova dhe e preka 2 prillin ’91 e, si e dëgjoj sot”!
Memorie.al / 2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”). Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.
Vijon nga numri i kaluar
U hap edhe varri i Besnik Cekës!
Në shpinë, ai kishte hyrjen e plumbave, 13 deri 14 centimetër, porsi drejtkëndësh. Nuk iu gjetën plumbat, edhe kërkim me metal-kërkues! Kjo gjë u fol, sipas motrës së tij, (e cila ishte doktoreshë), që, kanë dalë plumbat, bashkë me gjakun nga hemorragjia. Me gjetjen e plumbit, krye-hetuesi Qemal Lame, tha: “Tani gjendet edhe arma që është përdorur”! Unë bëra pyetjen: “Si e gjeni, Ju”?! Ai tha: “Ky është ose plumb pistolete ‘TT’, ose automatik kinez. Nga inventari që është bërë, kanë humbur 4-5 armë automatike, model tjetër”. Bëmë një proçes-verbal, me gati 16 faqe edhe nuk na mbeti gjë tjetër veçse, denoncimi në Prokurori. Lajmëruam nëpërmjet Radio- Shkodrës, të vijnë dëshmitarë okularë, që, kanë dijeni apo kanë parë vrasjet.
Në zyrat e Hetuesisë, Shkodër, kur firmosëm proces-verbalin kam lexuar relacionet e para për ngjarjen. Ndër të tjera, aty thuhej: “Një pjesë e efektivit, humbi kontrollin dhe qëlloi mbi turmë”. Efektivat që u përdorën për shpërndarjen me forcë të demonstruesve ishin shumë heterogjen, përbërë nga Grupet e Ndërhyrjes së Shpejtë, policë dhe ushtarë të Repartit 732, pa eksperiencë. Në një vend tjetër në Raportin e datës 08.04.1991 shkruhej: “Një efektiv hapi zjarr në ajër pa urdhër, por pastaj u humb orientimi nga mungesa e veprimeve kompakte, duke sjellë viktima dhe të plagosur. Nuk u përdorën lëndë kimike pasi atë ditë mungonte shefi i Kimisë dhe një bërthamë e stërvitur për këtë qëllim”.
Pas ngjarjes, u fol për arratisjen e 5 policëve, L.P. nënoficer me origjinë e banim nga fshati Mnelë, P.V., nënoficer nga Boga, F.R., nënoficer nga Grizha, P.O., nënoficer nga Gruemira, N.P., nënoficer nga Klosi, të cilët kanë qenë me shërbim për ruajtjen e godinës së Komitetit të Partisë së rrethit Shkodër.
Sipas një anëtari të Komisionit të Inventarizimit, (ekonomisti A.L.), ai ka deklaruar në shtyp se, gjatë 2 Prillit, janë shpenzuar 59.000 fishekë. Kjo mund të verifikohet. U hap fjala që, do të djegin godinën e Hetuesisë, për humbjen e gjurmëve. Atëherë nisur nga kjo gjë, Sindikata e Pavarur, e ka ruajtur dy ditë e tre netë, godinën e Hetuesisë, ku në krye të atij grupi, ishin: Arben Borshi, Fritz Radovani, Ferdinant Temali, e të tjerë. Atëherë, Prokuroria dhe Hetuesia, kanë qenë afër Kullës së Inglizit, në qendër të qytetit, diku përballë Hotel Turizmit “Rozafa”.
Bashkë me Besnik Komin, morëm takim me përfaqësuesit e Prokurorisë dhe Hetuesisë. “Sipas këshillës së Presidentit, vijmë të denoncojmë masakrën”, thanë ata. Një nga përfaqësuesit e ardhur nga qendra, me mbiemrin Leka, pyetjen e parë, bëri: “Kush e ka djegur Komitetin e Partisë”?! Besniku iu përgjigj: “Protestuesit! Populli i Shkodrës”! Ai tha: “Dëmi ekonomik, është 24 milionë”. Besniku tha: “Do të bëjmë thirrje popullit të Shkodrës dhe do mbledhim 24 milionë lekë! Kështu bëhet zhdëmtimi”.
Në atë moment, ndërhyra unë e i thashë: “Ju, na gjeni tani, se kush i ka vrarë! Kemi një muaj e ca që, sillemi përqark me këto ekspertiza. Fjalë, vetëm fjalë. Deri tani, nuk kemi as edhe një gjë konkrete”. Besniku, shtoi: “Ju e filluat akuzën gabim. Duhet të na thoshit: Çfarë keni bërë deri tani, më pas të na flisnit për ndërtesën. Ju vutë ndërtesën, më me rëndësi sesa, jeta e njeriut”. Atëherë u çuam edhe dolëm jashtë. Kur dolëm, aty po na prisnin shokët e kryesisë edhe 30 vetë që, kërkonin të dëshmonin. E pamë që kjo ishte gjë pa gjë edhe e lamë. Edhe ata 30 vetët, u larguan edhe ikën.
Si konkluzion përfundimtar, ne respektuam të gjitha kërkesat ligjore të shtetit komunist. Ai nuk u përgjigj. Vetëm fjalë edhe sorollatje e sorollatje! Atëherë, nuk mbeti gjë tjetër veçse, greva! Ata nuk jepnin përsëri përgjigje! Atëherë, mbeti veçse greva e urisë. Kryetari i grevës së urisë, u caktua Muhamet Gradeci, intelektual me autoritet edhe reputacion në opinionin shkodran.
Plani mbi zhvillimin e grevës së urisë
Sekretari, Mark Bardeli dha dorëheqjen edhe hyri në grevë të urisë. Gjithashtu kryetari i sindikatës, Ferdinant Temali, hyri në grevë. Sekretar i grevës, mbeti Zefi, por edhe ai ishte i ngarkuar me punë në ndërmarrje. Pak a shumë, atë punë e mbulova unë. Një ditë përpara shpalljes së grevës, më ngarkuan të marr takim me kryesinë e Sindikatës në Tiranë.
Me një makinë “IFA” të Ndërmarrjes së Duhan-Cigareve, kam shkuar direkt edhe në Valias, me një njeri të Sindikatës së fabrikës së Tullave në Shkodër, Mit’hat Çaku. Në sallën e madhe në Valias, ishin mbledhur gazetarë e njerëz të tjerë, si edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Punës, Lufter Xhuveli, nënkryetari i Parlamentit (i PP-së), Lush Përpali, deputet i Partisë së Punës, edhe disa ministra. Edhe këtu, ushtarët e Gardës së Republikës, silleshin përqark kot. Si përfundim, greva e urisë në Valias kishte filluar.
Kur u kthyem në Shkodër, në mbrëmje, ishte një mbledhje e madhe e Sindikatave në sallën e Institutit! Unë u tregova për fillimin e grevës në Valias edhe si ndodhej situata. Të nesërmen, filloi greva e urisë në Shkodër. Çdo gjë u paralizua. Me lejen e Komisionit të Grevës, u lejuan disa shërbime policore, PTT-ja, spitalet, dyqanet e bukës edhe gjërat e domosdoshme jetike. Edhe kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Terezina Marubi, lëvizte me leje të Komisionit të Grevës. Sheshi para grevës në Piacë, ishte mbuluar nga afishet dhe parullat tona, përgatitur nga puna profesionale e Fritz Radovanit. Çdo ditë, populli, pas orës 17:00, mbushte sheshin përpara godinës ku zhvillohej greva e urisë.
Një imam i ri, hipte mbi barakë dhe bënte lutje fetare mbi mbarëvajtjen e grevës. Dua të kujtoj se, në të gjithë pishat dhe akaciet, ishin vënë të gjithë kafshët e allçisë nga Shkolla Veterinare, me emrat përkatës të anëtarëve të Byrosë Politike të PPSh-së. Ishte një situatë shumë entuziaste, pasi përditë dilnin informacione, ishte një gjë shumë e bukur. Vlen të kujtojmë, solidaritetin e qytetit të Shkodrës, në përkrahje të grevës, si edhe solidaritetin e fshatarëve të qytetit të Shkodrës. Si për shembull, me iniciativën e një grupi përfaqësues të Buzëujit, Koplik, filloi një lëvizje ku, nga gjithë fshatrat, sillnin ushqime të ndryshme, vezë, djathë, qumësht.
Me iniciativën tonë, vumë një lajmërim, ku thuhej: “Kush të ketë nevojë, t’i marrë këto ushqime falas”! Nuk vinin, t’i merrnin! I çuam tek Azili i Pleqve edhe tek Shtëpia e Fëmijës. Kujtoj një rast flagrant, duke ndejtur në orën 12 të natës, si dezhurnë, erdhën dy policë dhe thanë: “A mund të marrim nja dy kokrra vezë se, kemi gjithë ditën pa ngrënë”?! “Merrni sa të duash”, i thashë. Ato morën nga 4 kokrra vezë, morën pak djathë e qepë dhe ikën. Pas saj erdhi një vajzë, (me opinion jo të mirë në popull), edhe ajo nuk mori më shumë se 4 kokrra vezë, djathë e qepë dhe iku.
Më pas erdhi një grua e vjetër në moshë e, mori nja 30 kokrra vezë. Më e bukra është se, të nesërmen, vajza e kësaj plakës, erdhi e tha: “Kush është përgjegjësi këtu”? e më tha: “Shiko, nëna ime, ka bërë një gabim dhe ka marrë 30 kokrra vezë. Jo mor zotni, këto vezë janë për ato që s’kanë, ne e kemi një kafshatë bukë”. Domethënë që, populli i Shkodrës, në atë varfëri që ishte, nuk pranonte vjedhjet dhe abuzimet. Edhe me të drejtë është ajo shprehja që: “Peshku qelbet nga koka”. Se kur fillon të vjedhë ai lart, do vjedhin dhe këto poshtë.
Meqenëse u bë problem puna e ushqimeve e zarzavateve, dolëm në përfundimin se, ishte më mirë të grumbullojmë qumësht. Makinat mblidhnin qumësht nëpër fshatra. Kemi shkuar deri në Breg të Lumit. Ky qumësht, grumbullohej në Fabrikë të Qumështit, nën drejtimin e Ardian Cungut, (aktualisht me banim në Kanada), që ka bërë një punë të shkëlqyer në atë kohë. Kemi grumbulluar qumësht sa, vendosëm fëmijëve nga mosha 1-3 vjeç, t’u jepnim qumësht falas për tre muaj.
Ndërmarrja e Bonifikimit në Shkodër, përveç një automjeti kamion, vuri edhe autobusin e punëtorëve në dispozicion të studentëve edhe qytetarëve që, kishin nevojë për të shkuar në spital në Tiranë, pa shpërblim. Autobuzi, nisej në orën 9 dhe kthehej pas orën 16:00. Pas kësaj, filluan të vinin ndihma nga rrethet e tjera dhe jashtë. Mbas një muaj greve, në një mbledhje të madhe të Sindikatave të Shqipërisë, rrethet kërkuan të veprohet ashtu, si të thotë Shkodra. Para këtij fakti, grupi shkodran me kryetar Muhamet Gradeci, e vazhdonte grevën, duke dhënë dhe intervista në Radio-Shkodrën dhe radiot e huaja që, vinin me korrespondentët e tyre, nga gjithë bota.
Nga ndihmat financiare që, erdhën edhe nga rrethe të tjera, me shpenzimet tona, kemi çuar në Hungari të plagosurin Çlirim Bajri, që mbeti invalid pa krah, për jetë. Të gjithë të plagosurve, u kemi dhënë shpërblim financiar modest, që u shpërndanë nga Mark Bardeli, Tanush Mulleti dhe Paulin Pepa i Uzinës së Telave. Listat përfundimtare të të vrarëve edhe të plagosurve, nga shkopinjtë e gomës, i kemi marrë nga avokati Gjoleka, që bashkëpunonte me regjisorin, Kujtim Çashku, si përfaqësues i Komisionit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Gjithsecili kishte kartelën e vetë me fotografi, me ngjyra. Në grevë, ishte edhe vëllai i dëshmorit, Arben Broci, gjimnazist 17 vjeçar, që, u përkeqësua edhe dy-tre herë e dërguam në spital, me rrezik për jetën. Bashkë me Fritz Radovanin, diku nga ora dymbëdhjetë e natës, e bindëm atë të lërë grevën, me konditë që, nëna e tij të shkonte të fliste në stadiumin “Dinamo”, në Tiranë. Kështu u bë. Ajo mbajti një fjalim shumë prekës, e shoqëruar nga Fritz Radovani, ing. Fatlum Nurja dhe kryetari i Bashkimit I Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, ing. Gëzim Shima.
Kam parë me sytë e mi, një gjimnazist as 17 vjeçar, Harris Morina, që i ka hyrë plumbi në gjoks e, i ka dalë nga mbas shpinës. (Kur e kam takuar pas 20 vjetësh, ishte bërë 1.85 cm dhe 100 kg…! Fati i njeriut). Ditën e dytë të grevës, Viktor Martini, ish-i burgosur politik, me disa adoleshentë, hoqën bustin e Leninit tek lulishtja afër Zjarrfikëseve edhe e çuan në mes të qytetit (në qendër të Piacës). Njerëzit i hidhnin kopertona biçiklete mi kokën e tij.
Një punë të madhe, kanë bërë grupi i gazetarëve të informacionit të Radio-Televizionit Shqiptar, “Zëri i Amerikës”, ‘RAI’, e disa gazeta të tjera, që patën dalë në atë kohë. Qeveria u paralizua krejtësisht. Autoriteti i Sindikatës së Shkodrës, ishte model. Qeveria, nuk mund të rezistonte më. U bënë shumë ndërhyrje që greva të mbyllej, edhe këtë punë e mori përsipër, pa na pyetur ne, kryetari i Grevës së Sindikatave, Valer Xheka. Xheka, doli në televizor dhe tha: “Kur të them unë, do të mbyllet greva”. Ferdinand Temali, shumë i saktë, i tha: “Kush je ti që mbyll grevën?! Grevën e mbyllim ne që po e bëjmë, jo ti”. Filluan përplasjet.
Sindikata e Tiranës, kishte shmangur z. Gëzim Shima (Doktorin e Shkencave. Ing. i Mineraleve Radioaktive), i cili kishte ardhur dhe kishte përshëndetur grevën, kurse këto të tjerët, nuk erdhën. Si përfundim, pas shumë debatesh, të gjitha rrethet ja lanë Shkodrës të vendoste nësë, do mbyllej apo jo greva. U mblodhëm në Kryesinë e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Në zyrat e tyre, kam parë ambasadorët, Rajerson (i SHBA-së), Torkuado Cardili (i Italisë), si dhe gazetarë të huaj, etj. Aty erdhi dhe Skënder Gjinushi, Abdi Baleta, etj.
Të gjithë pretendonin se, greva duhej të mbyllej pasi, vendi po kalonte në katastrofë. Ben Afizi, tha: “Po çfarë do i themi tash Shkodrës? Kemi bërë një muaj e sa grevë urie, e ça fituam”?! Atëherë, Muhamet Gradeci, tha: “Ne do të mbyllim grevën me dy kondita, që zgjedhjet që do bëhen në vitin 1995, duhet të afrohen dhe të bëhen në vitin ‘92 dhe qeveria të japi dorëheqjen”. Ato qenë të gatshëm për këtë variant, edhe qeveria ishte gati. Me këtë veprim, u kthyem si fitues në Shkodër.
Pas mbledhjes, bashkë me Ben Hafizi, ishim afër zyrës së kryeredaktorit të gazetës “Sindikalisti”, Kozma Vangjeli. Aty ishin mbledhur disa gazetarë të huaj, si dhe ambasadori Rajerson. Më kujtohet se, Rajerson, ishte shumë i gëzuar dhe entuziast, që u mbyll greva. U çuditëm! Aty ishte edhe Dervish Duma, gazetar i gazetës “Sindikalisti”, si dhe përkthyesi i tij Sokol Muça.
Ky i fundit, ishte përthyes i amerikanëve dhe shoqëronte gjithmonë amerikanin sindikalist, Donald Shajmer dhe Ben Hafizi e pyeti ambasadorin: “Pse je kaq i gëzuar”?! Ambasadori, na e ktheu: “Nëse s’do ishte mbyllur greva, unë nesër në Washington (bëri shenjë me dorë). Kjo bisedë u bë duke qeshur dhe ing. Fatlum Nurja, tha duke qeshur: “Kjo do të thotë se, nëse s’është i zoti të mbyllë një grevë të Sindikatës së Shqipërisë, ambasadori i shtetit më të fortë, çfarë bën në Tiranë”?! Kjo bisedë u zhvillua duke qeshur.
Si përfundim, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, e kreu detyrën e saj morale dhe ligjore, duke filluar nga poshtë lart, deri tek Presidenti i saj, për zbardhjen e të vërtetës, për vrasjet e 2 Prillit 1991, në qytetin e Shkodrës dhe dënimin autorëve të tyre. Për herë të parë në historinë botërore, një qeveri komuniste-staliniste, u dorëzua dhe u tërhoq nga drejtimi absolut i shtetit, vetëm në saj të grevës së përgjithshme paqësore, e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Kjo është edhe merita kryesore, madje vendimtare, e Bashkimit të Sindikatave. Në qoftë se, Lëvizja Studentore, solli pluralizmin politik, Greva e Përgjithshme e Sindikatave, solli votimet e lira të vitit 1992 dhe përshpejtimin e ardhjes së lirisë dhe demokracisë, drejt integrimit europian. Në rast se zgjedhjet do bëheshin në vitin ‘95, Partia e Punës, mund të prodhonte president Lukashenko, të përjetshëm.
Këshilli Sindikal, dega Shkodër, ka një meritë të veçantë, me u bë shembull në të gjithë Shqipërinë dhe në botë, nëpërmjet radiove, televizioneve, rrjeteve sociale, etj. Ky Këshill përbëhej nga:
Kryetar: Ferdinand Temali. Sekretar: Arben Borshi. Anëtarë: Muhamet Gradeci, Fritz Radovani, Lela Zorba, Marina Rraposhta, Beniamin Hafizi, Ing. Fatlum Nurja, Mark Bardeli, Besnik Komi, Paulin Pepa, Naim Davidi, Skënder Strica, Ing. Agron Sykja, Halit Haziz Rrustja, Ing. Fatmir Dragoti, Besnik Bekteshi, Xhelal Fejza, Qazim Lika, Namik Mehmeti, Dr. Ramiz Hafizi, Ing. Ndrek Radovani, Smajl Kurtmema, Dr. Nard Shira, Beniamin Ademi, Bep Laloshi, Zef Prela, Bajram Agovi, Vinçens Çefa, Tanush Mulleti, etj.
Është detyrim moral dhe historik që, Bashkia aktuale e Shkodrës, të vendosë një tabelë kujtese, ku u zhvillua Greva e Urisë e sindikalistëve që, rrëzoi Partinë Komuniste të drejtuar nga Ramiz Alia, dhe përshpejtoi proceset demokratike. Një pjesë e mirë e Këshillit Sindikal, duhet të nderohet me titullin “Nderi i Shkodrës”, së paku për ato që e drejtuan si: Ferdinand Temali, Muhamet Gradeci, Fritz Radovani, Lela Zorba, Marina Rraboshta, Ing. Agron Sykja, etj.
Ngjarjet e 2 Prillit 1991, duhen analizuar thellë. Unë i tregova siç i kam parë me sytë e mi dhe përjetuar personalisht. Të tjerët duhet të shkruajnë vetë. Të tregojnë atë që se kam parë unë. Unë marr përsipër dhe i dal zot gjerave që kam parë unë dhe i kam prekur vetë. Për një gjë jam i sigurt që; unë nuk do t’i përgjigjem disa artikujve e botimeve të kujtimeve që, kanë dalë këto vitet e fundit, për 2 Prillin dhe Gjyqin, jo Eduart Përjaku që ka shkruar, as avokat Nazif Bezhani që ka shkruar “Vrasja e shekullit”, apo artikujve të Qemal Lames, Esat Myftarit, Neshat Tozaj, etj., që akuzojnë direkt Policinë.
Unë analizën time, do e fokusoj vetëm në tre botime: Libri i parë është i shkruar nga Aredin Shyti, me titull “Përballë së keqes”, (botim i Shtëpisë Botuese “Naimi”, viti 2022, 576 faqe) të cilit mendoj se ja kanë servirur, pasi ai nuk ka qenë prezent.
Gjithashtu, libri i dytë me titull: “Kush vrau me 2 Prill”? të shkruar nga Gjekë Çelaj, (Shtëpia Botuese “Nervada”, viti 2009, 250 faqe), i cili ka qenë prezent në ato ngjarje, deri sa është braktisur objekti i Komitetit të Partisë të djegur prej protestuesve e popullit të Shkodrës.
Libri i tretë, është ai i Shaqir Vukaj, “Nga gjakosja e Shkodrës Pranverë ‘91 , tek përgjakja e Shqipërisë Pranverë ‘97”, (botimi i Shtëpisë Botuese “Geer”, viti 2022, rreth 700 faqe), ku ai tregon se si e ka parë nga zyrat e Komitetit Ekzekutiv. Shaqir Vukaj, për ngjarjet e 2 Prillit, në kapitullin “Si e pashë unë”, filluar në faqen 69, deri në faqen 80, tregon ecurinë e ngjarjes, e parë nga Komiteti Ekzekutiv, ku midis të tjerash, shkruan:
“…Fillimisht dukej një turmë të rinjsh me çanta në dorë, çka kuptohej se ishin nxënës të shkollave të mesme që vetëm thërrisnin (siç morëm vesh më vonë ishin nxënës të gjimnazit “Jordan Misja”). Me ta filluan të bashkoheshin dhe të tjerë, që vinin kryesisht nga gjimnazi “29 Nëntori”!
“…Sinjali i parë, tregoi se nuk do të ishte protestë paqësore…!
…Nxënësit me çanta në duar, u ulën përballë ndërtesës së Komitetit të Partisë, të vendosur për të mos lëvizur nga vendi. Në këtë kohë, turma sa vinte edhe shtohej, me njerëz që vinin nga të katër anët, kryesisht të rinj…!
…Rreth orës 8 e 30 minuta, në një moment që nuk kuptohej se nga filloi, policia i sul me shkopinj gome mbi nxënësit, ndërsa turma u tërhoq, drejt sheshit, midis dy komiteteve…!
…Herë sulmonin policitë drejt turmës, herë turma drejt policëve. Por turma sa vinte e rritej dhe mbas pak kohësh, sheshi midis dy komiteteve u mbush me njerëz…
…Dua të theksoj se; pushkët e para janë dëgjuar herët, herë të shtëna të shkëputura e, herë breshëri automatiku, por jo me shumicë…! …Nuk vonoi shumë dhe rreth orës 11.00, u pa që dilte tym nga ndërtesa e Komitetit të Partisë…”!
(Shënim: 4 të vrarët dhe të plagosurit, kishin ndodhur para orës 11, para djegies së Komitetit të Partisë).
Vërejtja e parë, për mendimin tim, është: Përse Policia sulmoi gjimnazistët e ulur në shesh? Vërejtja e dytë: Kur filluan krismat e armëve?! Vërejtja e tretë: Përse Policia më 1 Prill, ishte paqësore dhe me 2 Prill, e dhunshme? Nëse do të lexojmë telegramet e ardhura nga qendra, për Degën e Brendshme, Shkodër është mëse e kuptueshme që, sinjali ka qenë që duhej të përgjigjej me dhunë, pa filluar organizimi. Ja çfarë shkruan Aredin Shyti, (Libri I tij, faqe 122) për telegramin e dërguar Degës së Brendshme Shkodër me datë 1 Prill 1990:
“Në kushtet që u krijuan shkrova telegramin me këtë përmbajtje: Në votimet e 31 marsit, fitoi dy të tretat, partia e Ramiz Alisë. Kjo ka rëndësi përcaktuese për të ardhmen. Gjithë të tjerat, si çështja e kushtetutës e presidentit etj., varen nga Partia e Punës. Ajo që kërkohet nga ne, është të shtrëngojmë radhët dhe çelja e syve, për t’u treguar vendin armiqve dhe keqbërësve. Organizoni shërbimet që të jemi të kudondodhur. A. Shyti”
Më pas, lidhur telegramin e dërguar të gjithë Degëve të Brendshme në rrethe, në faqen 127 të librit, ai shkruan: “….në mëngjesin e 2 prill 1991, shkrova për të gjitha Degët e Punëve të Brendshme, telegramin me këtë përmbajtje: Gjatë ditës së djeshme, në qytetet Tiranë, Shkodër dhe Kavajë, janë grumbulluar turma njerëzish në mënyrë të paligjshme, duke hedhur parulla politike dhe fyese për personalitete të kombit. Forcat e policisë kanë ndërhyrë me agjitacion ose nuk kanë ndërhyrë fare.
Qëndrime të tilla, mbas datës 31 mars, janë shumë të gabuara. Policia të ndërhyjë me ashpërsinë e ligjit dhe kurdoherë ushtrimi i forcës, të shoqërohet me ndalimin e fajtorëve. Për të vepruar me forcën e shkopit të gomës, nuk ka askush arsye të pyesë përgjegjësit. Godisni ashpër qysh në fillim të grumbullimeve. Për të paralizuar ata që, nga turma mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur. Forcat tona që përleshen me turmat, të mos shkojnë të armatosur.” (Shënimi im T.M.: Një pjesë e policisë).
Mund të mos ketë nevojë për koment, por zanafillën do e tregoj më vonë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016