Nga Marçel Hila
Pjesa e dytë
“SHKODRA NË VITET E VENDOSJES SË DIKTATURËS KOMUNISTE, 1945-1953″
Memorie.al / Që në fillim të këtij shkrimi, desha të theksoj se na duhet ta marrim si të mirëqenë faktin, se: ata që erdhën me datën 29 nëntor të vitit 1944 në Shkodër, ishin trupa ushtarake që u ishin vënë pas ushtrive pushtuese, për t’i dëbuar nga ky vend. Meqë çlirimi kryhet, forca ushtarake, sapo e mbaron misionin e saj, siç ndodh zakonisht kudo, duhet të çmobilizohet dhe njerëzit e saj të dërgohen në shtëpitë e tyre. Por tek ne kjo nuk ndodhi!
Letërsia dokumentare nuk mjafton t’a paraqesë në formë statistikore e përmes numrave këtë fenomen madhështor rezistence e mirësie. Këtu duhet të na vijë në ndihmë letërsia, kinematografia, filmi. Para se të kalojmë të organet e torturave, po ndaloj tek faza paraprake: ajo e marrjes së shtëpive për t’u bërë qeli hetuesie! Të gjitha këto u morën me dhunë! Me vetëm një fjalë goje banesa sekuestrohej pa asnjë akt noterial apo ligjor e bëhej vend torturash të tmerrshme. Njerëzit nxirreshin jashtë pa asnjë shpjegim e me urgjencë! Studiuesi Kastriot Dervishi, flet për këta shtëpi që ishin marrë e që u bënë biruca hetuesie…! Studiuesi Fritz Rodovani, thotë se në vitit 1945-1946, në Shkodër kishte 26 hetuesi të tilla, kaq i madh ishte numri i të arrestuarve.
Të thotë mendja se nuk kishte mbetur kush jashtë. Unë di dy, të papërmendura nga askush: njëra tek hoteli “Adriatik”, në “Parrucë” e tjetra, në një sallë përballë ambulancës së sotme.
Te kjo e fundit u dënua Myfit Bushati, me akuzën se ka strehuar xhaxhanë e tij plak, Sulçe Begun, që i kishte kërkuar ndihmë, e për këtë krim, Myfitit i dhanë 30 vite burg! Ndërsa te hoteli “Adriatik”, dënohet Valentin Pervizi, me akuzën si bashkëpunëtor i pushtueseve, por në të vërtetë se është i biri i gjeneral Preng Pervizit, edhe pse gjatë të gjithë kohës së luftës kishte qëndruar në Itali, si student. Këtë ma ka thënë vetë zoti Valentin, në vitin 1989.
Po cilat salla u përdorën si vende gjyqesh? Kinema Rozafati, por edhe salla të tjera dhe godina të gjykatës ushtarake. Në fshatin Xhaj të Dukagjinit shtëpia e ipeshkvit bëhet hetuesi për malet! Sa malësorë janë masakruar në ato dhoma! Por, edhe në këto raste, a i shpjegon mjaftueshëm vetëm statistika? Fakti i ftohtë dokumentar, që kuptohet se edhe ky mungon, sepse ka mbetur pak gjë e shkruar, a është i mjaftueshëm, edhe pse i domosdoshëm, për nevoja të studimit? Jo, nuk do të mjaftonte dokumenti të shpjegonte të gjithë dhimbjen e dëbimit e të sekuestrimit të orendive e të kthimit të shtëpisë së dashur në ferr torturash për të tjerë!
Ajo nuk mund të pasqyrohet nga shifrat! Edhe në këtë rast, këtu duhet të na vijë në ndihmë arti! Arti është borxhliu i madh ndaj dhimbjes së këtyre njerëzve. Po ata që u arratisën? Çfarë trimërie deri në vetëmohim ka në largimin e tyre, me pasojë ndarjen nga të afërmit e vet! Sa ishin ata që arratisen? Shumë! Emigracioni i parë klandestin që e varfëroi qytetin e zonën nga shumë të rinj! Çfarë skena dhimbjeje ka në tregimin e Kolec Pikolinit, kur ndahet me nënën e vet, i sigurt se nuk do ta shohë më kurrë.
Edhe daja i im plak, në Kanada, vite më parë, më tregoi skenën sesi ishte ndarë me nënën e tij, gjyshen time, krejt i bindur se nuk do te shihej kurrë më me të, dhe sesi kishte qëndruar në supin e saj duke lotuar për më shumë se një gjysmë ore, i qartë se ai ishte takimi i fundit! Sa janë këta? Vetëm të përpilohet lista e të arratisurve të merr frika.
Nuk mund të rri pa përmendur arratisjen e Martin Camës dhe Lin Delisë, në vitin 1948, nga Qafa e Boshit në Thethit, dy artistë me famë më vonë, por edhe arratisjen e Arshi Pipës e të Sami Rrepishtit, pas burgosjes së tyre, arratisjen e jashtëzakonshme të Kolec Pikolinit që, pasi ikën nga burgu i Tiranës, sorollatet për 32 ditë udhëtim maleve e kodrave, fushave e arave, duke ecur natën e duke fjetur ditën, pa bukë e pa ujë. I shoqëruar gjithë kohës nga ëndrra dhe vegime paralajmëruare.
Një mistikë e veçantë, e panjohur deri më tani, e që e karakterizon krejtësisht librin e tij- Po ikja e Nihat Bakallit, militant i rinisë së Ballit Kombëtar, që duan ta arrestojnë. Ikën nga malet e veriut! Po ata që u vranë në kufi, në përpjekjet për ta kaluar atë! Vrasja e Mark Cacës, Bardhosh Danit dhe Ibrahim Dërgutit! Një trio e djelmoshave të mrekullueshëm, e sa e sa shokëve të tjerë që i pasuan. Sa janë ata që u copëtuan nga plumbat? Po të bëhet një listë, sa e madhe del ajo!
Po tradhtitë jugosllave, që i kthenin të arratisurit! Dom Marin Shkurtin, që sapo e kthejnë, pushkatohet, po Leopold Shkrelin e shumë e shumë të tjerë! Sa vuajtje përcëlluese, të pa shoqe në botë. Çfarë shijet të hidhur ka lënë ky mashtrim. Po skenat mashtruese që krijonin me postat kufitare, që vinin foton e Titos e i linin të arratisurit idenë se ishte tashmë në Jugosllavi. Ata zbrazeshin, në prani të gjoja autoriteteve jugosllave, por që në fakt ishin shqiptarë. Deklaratat u’a merrnin për agjitacion e propagandë, ndërsa arratisjen si tentativë dhe dënoheshin deri në njëzet vite burg.
Kësi rastesh janë me të vërtetë shumë! Po dhimbjet e internimeve për ato familje të cilëve u kishin ikur bijtë e vëllezërit! Sa janë? E kur mendon se nga trupi i këtij komuniteti shkëputen aq shumë njerëz e familje me vlera, degdisën për një jetë sfilitjeje më të vlefshmit, shtëpitë e të cilëve, për dënim, pasi çohen në internim, në Tepelenë apo Porto-Palermo, në Berat apo Gjirokastër, i merr Sigurimi e sjell aty policë nga jugu i largët!
Prandaj, në këtë pikë propozoj hapjen e studimeve dhe të anketave. Anketa do të saktësonte se sa mallra, sa ar, sa vite burgje, sa internime, e sa vuajtje u pësuan! Por edhe cilat shtëpi u bënë hetuesi, e pastaj, të mbledhim kujtimet nga ata që hoqën. Kjo do t’i ishte në ndihmë të madhe studiuesve, që do të përcaktonin vendet, numrin e tyre, kapacitetin bartës, por edhe vështirësitë e panumërta që iu krijuan familjeve që braktisnin banesën e tyre dëboheshin pa e ditur se ku. Unë di dy prej tyre. Marjan Shestani, pak para se të vdiste, më tha se, meqë e kishin pasur shtëpinë pranë Degës së Punëve të Brendshme, një ditë, pak pasi Seminari i ulët Franceskan ishte marrë e u përshtat si seli e Sigurimit, ia bëhen tre oficerë, i dhanë babait urdhër që për një çerek ore të dilnin nga shtëpia e të largoheshin, sepse u duhej atyre, se kishte qëlluar afër Degës.
Me gojën mbyllur, me një trastë me rroba në dorë, ikëm e shkuam te një dajë i joni, që fatmirësisht, na pranoi, sepse mund edhe të mbetnim në rrugë të madhe. Ndërsa dëshmia tjetër është e zotit Eduard Çurcia, që më tregoi sesi forcat partizane, erdhën një ditë të dhjetorit 1944, te shtëpia dhe me një urdhër me gojë, na thanë që urgjentisht duhen të lëshonim banesën, sepse merrej për nevoja të pushtetit të ri. Na u desh të largoheshim. Drejt e në rrugë të madhe! U bë hetuesia e shtëpisë së Çurcisë, Seksioni i Mbrojtjes së Popullit të Qarkut Ushtarak të Shkodrës.
Në jerevinë e shtëpisë kishin mbetur edhe veglat e punës, njëra prej të cilave, ishte sopat që përdorej për të prerë drurët, por që Vaskë Koleci e Jonuz Mersini, ka shumë mundësi që e kanë përdorur për të copëtuar këmbët dhe krahët e Dom Lazër Shantojës.
Po Tatimet e jashtëzakonshme që dërrmuan me themel jetën ekonomike të qytetit dhe të tregtarëve? E që për mos pagimin e tyre mund të përfundoje i vrarë? Po shkatërrimi i bibliotekave, librave, i dokumenteve me vlerë, i arkivave? Pader Zef Pllumi, flet për rrënimin e Bibliotekës së Fretërve që, pasi u muer, pas torturave çnjerëzore që u bënë mbi At Pal Dodën, nuk dihet se ku përfundoi.
Ku kanë shkuar ata dokumente? Ku janë? Humbën gjithë ata dëshmi me vlera të jashtëzakonshme historike. Po Biblioteka e Jezuitëve, që për ditë e ditë me radhë, punëtorët e ngarkuar me eliminimin e saj, hodhën në zjarr libra të pafund, të të gjitha llojeve, dokumente arkivore, një bibliotekë me rreth 50.000 libra, të gjithë të shkrumbuar e të bërë hi! Ishte formuar ngadalë, për shumë e shumë vite. Ishte ndër bibliotekat më të pasura në Ballkan.
E tani, për torturat e ndryshme në hetuesi?
Ata që përshkruan atë Zef Pllumbi tek libri i tij! Ajo e Dom Anton Muzajt, e Fra Gjon Pantalisë, e Myzafer Pipës, e Paulin Palit, e sa e sa të tjerëve! Po torturat që i bënë një djaloshi të ri, Ahmet Bushatit, vetëm tetëmbëdhjetë vjeçar, që duroi një hetuesi të përbindshme për shtatëmbëdhjetë muaj! E e sa e sa të tjerëve, që nuk mund t’i rreshtoj, sepse janë të panumërt? Për këto lloj torturash a është e mundur të kryhet një studim? Kjo tokë nuk kishte parë kurrë gjëra të tilla! Po për dëshmitarët e rreme, për spiunët që të merrnin në qafë, për sa prej këtyre gjërave mund të flitet! Po për hetuesit dhe maskarenjtë, që nga çlirimtarë atdhedashës ishin kthyer në kriminelë të pashpirt?
A ekziston një listë e të gjithë atyre personazheve që u gjenden bashkë me detyra kaq të kobshme si: Nesti Kopali, Zoi Themeli, Zoi Shkurti, një Karrabec, një xhahil nga fshatrat e Sarandës, që e përmend Ahmet Bushatit tek libri i tij, po Dul Rrjolli, Fadil Kapisyzi, Xhemal Selimi, Shefqet Peçi, Ndreko Rino, Çesk Shoshi, e të tjerë, e të tjerë, të gjithë të thirrur për rrënimin e sa e sa jetëve të pafajshme njerëzore! Po prokurorët e përzgjedhur që pa u mbështetur aspak në ligje, si: Josif Pashko e Aranit Çela, Isuf Mersini e Vaskë Koleci, Siri Çarçani me shokë, që kërkuan dënime me vdekje e ia dolën t’i merrnin nga trupa gjykuese e gjykatës ushtarake të Mustafa Iliazit e të Esat Ndreut. Çfarë llumi njerëzor është ky, që pa asnjë vrarje të ndërgjegjes, i ka hyrë punës të shkatërrojë palcën më të shëndoshë njerëzore të këtij vendi, me pretendimin se po ndërton botën e re?
Do të doja të sillja një rast të vetëm. Çfarë sy përbindëshi kishte Shefqet Peçi, ish-komandant i trupave të qarkut ushtarak të Shkodrës. Kur atij, me radiogram, i erdhi një urdhër nga drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Koçi Xoxe dhe eprori i tij Enver Hoxha, që të kryente një vlerësim e të nxirrte një shifër të përafërt sesa kandidatë për burgosje dhe pushkatim kishte zona e qyteti i Shkodrës, e këtë ta bënte sa më parë, Shefqeti, me mendjen prej përbindëshi dhe me syrin kriminal, i ndihmuar nga veglat e tija, erdhi në përfundimin se për pushkatim ishin kandidatë rreth katër mijë veta, ndërsa për burgosje rreth katërmbëdhjetë mijë.
Lajmi u nis me radiogram për Tiranë. Përgjigja erdhi. Do të isha shumë kurioz të dëgjoja ndonjë intuitë prej lexuesve të këtij shkrimi se, cila ishte përgjigja e atyre shefave të mëdhenj që i lexuan këto të dhëna? Për të burgosurit, nuk iu tha se ke deklaruar një numër shumë të lartë, por se për momentin nuk kemi vende ku t’i fusim në birucat, nuk ka mbuloja e ushqime për ta, e prandaj arrestimin e burgosjen e tyre, duhet ta lëmë për një kohë të dytë; ndërsa për pushkatimet, do t’i kemi parasysh. Listat e kandidatëve për varr do t’i ekzekutojmë një e nga një, pak e nga pak. E në fakt, shumë prej fatkeqësive që Shefqet Peçi i kishte vënë në lista, morën rrugën e burgjeve apo të plumbit, gjatë viteve të gjata të diktaturës.
A mund të lihen pa u përmendur llojet e torturave?
Hedhja e të masakruarve në bodrumet, në skutat, në ahure, lënia pa bukë e pa ujë, të lidhur në birucat, të copëtuar, të gjymtuar, me këmbët e këputura me sëpatë të Dom Lazër Shantojës, rrahja makabre e Sulçe beg Bushatit tetëdhjetëvjeçar, që ashtu sikurse e ka dëshmuar Beqir Ajazi në librin e tij, kur i sollën në burg të Tiranës, e meqë i kishin vënë në një batanije bashkë me Dom Lazrin, ishin bashkuar plagët e tyre e, iu ishin ngjitur. “Kur i ndamë, ata të dy lëshuan nga një rënkim kaq të dhimbshëm, saqë, – thotë Ajazi, – nuk do ta harroj deri sa të vdes”!
Po klerikët e të dyja besimeve, si u trajtuan? Nuk kishte parë kjo tokë aso tmerresh. Klerikët Katolikë përjetuan një Kalvar të veçantë, të pa ndodhur ndonjë herë, aq sa e shtyu edhe Papën Gjon Pali i Dytë, i cili me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, në Shkodër, me datën 25 prill 1993, tha se: ajo që ka ndodhur me Kishën Katolike në Shqipëri as është parë e dëgjuar ndonjëherë në histori. Janë gjashtëdhjetë e shtatë të pushkatuarit e pafajshëm, njëzetedy të vdekur në tortura, të gjithë njerëz të dijes, të kulturës e të besimit.
Por s’dua t’ua ha hakun as të penduarve. Pati prej atyre që kur e panë se kush na qenkëshin çlirimtarët, heronjtë e botës së re, dorëzuan teserat, se nuk i honepsën këto metoda kriminale. Por ka edhe më. Po përmend një partizane! E thotë Ahmet Bushati në librin e tij. Ajo u iku komunistëve dhe trimërisht u vu kundër tyre. E kishte kuptuar se kishin tradhtuar idealet e lirisë e të drejtësisë, se u bënë kriminelë bisha, vetëm për pushtetin e tyre. Vdiq në betejë me Forcat e Ndjekjes. Heroizmi i saj është i jashtëzakonshëm. Trimëria e saj e pashoqe. Një figurë simbol. Nuk duhet në asnjë mënyrë të harrohet.
Historia duhet t’ia gjejë emrin e portretin. Arti i detyron figurën! Sami Repishti te libri i tij “Nën hijen e Rozafës”, flet për një oficer sigurimi, i cili bënte sikur e merrte në pyetje, por në të vërtetë, kishte kohë që po e vriste ndërgjegjja për të gjithë sa po ndodhte e pse përdorej e, donte argumente bindëse për pendesën e tij. Vuante se gjendej në anën e gabuar dhe para se të bënte një veprim kokëkrisur, donte të kishte përgjigje. I kërkonte Samiut që t’ia shpjegonte bindshëm e qartë pikëpamjet e tija, ato që ishin të “armiqve të popullit”. Nuk duhet lënë në harresë ky njeri. Zoti Sami Rrepishti është ende gjallë e, mund të na ndriçojë.
Mos të harrojmë edhe Pjerin Kçirën dhe grupin e tij. Mori dënimin me pushkatim për një deklaratë të fortë, fryt i vrasjes së thellë të ndërgjegjes. Tha se fretërit nuk i kishin futur armët në Kishë, por Sigurimi. Ahmet Bushati flet për një roje burgu, që kishte dhembshuri për të, për këtë djalë të ri, që po shkonte drejt vdekjes pa faj. Polici jugor qante me fatin e keq të të riut viktimë. Janë skena unike, që do të bënin të mendohej thellë çdo regjisor të madh të botës. Pra, duhet ta pranojmë: ka pasur pendesa, trazime të brendshme, vuajtje se dikush është gjendur në anën e gabuar. Ka pasur, edhe në organet e dhunës, zemra brenda të cilave kishte dritë, që rrihnin e vuanin për fatin e zi të viktimave, që nuk mund të bënin më shumë për ta, por vetëm të vuanin në heshtje e të shpresonin se të mjerët do të shpëtonin. Janë zemërbutët që ushtrojnë virtytin e shpresës e që provojnë dhembshurinë. Janë miqtë e Zotit, edhe pse të panjohur, të pa kuptuar e që nuk flasin. Një sy qiellor i njeh, ua di emrat. Edhe ne na interesojnë shumë.
A mos janë personazhe të vetëm kësaj toke dhe të këtij qyteti e nuk kanë të përngjashëm? Unë do të sillja shembullin e filozofit gjigant rus, Nikolaj Berdiajev, i dëbuar nga Rusia komuniste në vitin 1922. Meqë donin ta dënonin, i dhanë një persekutor të përzgjedhur, të pamëshirshëm e dinak: vetë Xherxhinskin, shefin GPU-së, Sigurimit Sovjetik. Por, krye spiuni nuk ia doli ta zbërthente filozofin gjeni, e për çudi të jashtëzakonshme, pas disa seanca marrjesh në pyetje, Xherxhinski u dorëzua pa ia kërkuar kush, iu hap e i konfidoi. I tha se kishte një boshllëk të madh në zemër, se përjetonte një kaos kolosal: nuk e dinte se ku ishte e mira dhe cila ishte e keqja. Atëherë, i miri Berdiajev, qartë e thjeshtë, i shpjegoi se: ju na konsideroni ne si e keqja e Rusisë, sikur të ishim djalli, e për të na eliminuar na bëni luftë, por jeni ju që po përdorni metodat e djallit, jeni ju që jeni bërë shërbëtorët e tij.
Xherxhinski e pranoi këtë. E atëherë ia kishte hapur zemrën krejtësisht e i kishte thënë se: “kam ftohtësi, kam qenë dikur student për prift ortodoks, por e lashë, se nuk më bindi ajo rrugë. Idealet e drejtësisë së revolucionit më entuziazmuan, por nuk i gjeta të realizuara. Më duhet të vras e të masakroj në emër të drejtësisë. Kjo nuk më bind. Zhytem çdo ditë në humnerë. Kujtova se revolucioni komunist mund ta sillte drejtësinë, por me këto që po bëjmë e si po sillemi, është krejt e kundërta. Ja, kjo ka rezultuar fatale për mua!”. – “Hiq dorë, ik, largohu nga kjo”! – i kishte sugjeruar filozofi.– “Jo, këtë nuk mundem, sepse, po të iki jam i vdekur, edhe pse përjetoj një ankth shpirtëror të patregueshëm. Jetoj çdo minutë me vdekjen në zemër”!- “Po pse rri atëherë”? -“Unë jam i mbaruar! – kishte përfunduar ai. – “Sa të zgjasë, të zgjasë”! Çfarë misteri! Berdiajevin, si shpërblim të këtij ndriçimi, e dëboi nga Rusia, në vend që ta pushkatonte.
Por po sjell edhe një shembull tjetër, atë të Rudolf Hoessit, komandantit të kampit të Aushvicit, ku mesatarisht vriteshin çdo ditë 1.750 njerëz. Ai, në autobiografinë e tij, të shkruar në Poloni, pasi kishte marrë dënimin me vdekje nga gjyqi i Nurembergut, thotë se: “Rashë në krim për parime të larta. Dhe kjo është fatkeqësia më e madhe. Detyra, Fyhreri dhe Atdheu më bënë kriminel!”. Këta parimet e mëdha, të bëjnë viktimën më ekselente. Kështu ka mundësi që i ka ndodhur edhe ndonjë personazhi tonit.
Propozoj që për këta dhe të gjithë sa thanë e do të thonë kolegët këtu, të ngrihen si çështje që kanë nevojë për thellim e të formohet një komision me rend të organizuar e të nisë studimi. Të jeni të sigurt se rrjeta e hulumtimit do të nxjerrë gjëra të paimagjinueshme për nga interesi dhe rëndësia.
A duhet bërë, pra, një kërkim i thellë, jo vetëm me çfarë ka rekomanduar Këshilli i Qarkut Shkodër, por edhe në këto që thashë unë e në shumë aspekte të tjera, që mund t’i sugjerojnë studiues të tjerë? Them se po. Po si i bëhet të rindërtohet, mundësisht sa më mirë e sa më saktë që të jetë e mundur, ajo që ndodhi? Unë propozoj që të mblidhen të gjithë librat me kujtime, të atyre që na i kanë lënë.
Të përcaktohen ata që duhen studiuar, t’i hyjmë një pune të rëndësishme, që nuk e ka bërë askush. Si gjë të parë, të sigurohet, përmes bibliotekave, e gjithë literatura e kujtimeve, pastaj, shkrimet e ndryshme në gazetat, që janë shumë e që kanë detaje me mjaft interes, të shkruara gjatë viteve, të kryhen anketa e të vihen në dispozicion edhe ata kujtime që kanë familjarët në shtëpitë e tyre e që s’janë bërë të njohura deri tani, si dhe dokumente që mund të gjenden në arkiva. Të lexohen me kujdes, të nxirren fragmentet sipas përcaktimit të fushave. Të jeni të sigurt se do të dalë një pamje e tmerrshme, një makabritet poshtërues, i veçantë i të gjithë botës komuniste.
Jemi në dijeni se studiues të rëndësishëm, si Stefan Kurtua dhe ekipi i tij, kanë hetuar dhe kanë përpiluar “Librin e zi të komunizmit”. Ka edhe një libër të rëndësishëm tjetër: “Libri i zi i revolucionit francez”. Ndërsa, për Bashkimin Sovjetik, i madhi Solxhenincin, i vetëm, iu vu punës dhe hartoi veprën madhore, kolosale, afreskun gjigant të vuajtjes së atyre republikave, “Arqipelagun Gulag”. Ndërsa unë po ju them: nëse do të bëhet një studim i tillë në mënyrë sistematike, rreth këtyre që parashtrova, do të dalë një libër i madh, “Libri i zi i komunizmit në Shkodër”, me vuajtje të mëdha, rrëqethëse, unike, që për nga egërsia, pamëshirësia, kriminaliteti, torturat e ushtruara, do t’ia kalonte disa herë librit të Nobelistit rus. Ky libër do të ishte një risi unike, sepse nuk i përket një kombi, por vetëm një qyteti.
Lënda e parë e librit do të ishte më se e mjaftueshme të trondiste fort këdo. Arqipelagu Gulag i Solxhenicinit është një vepër e madhe në të gjitha drejtimet, një afresk i vuajtjes shtatëdhjetëvjeçare i popujve të ish-Bashkimit Sovjetik, por ajo do të konkurrohej denjësisht nga ky libër i vuajtjeve të një zone, të një qyteti. Pse? Sepse ne ishim rrethi i fundit i ferrit komunist. Studiuesi Kastriot Dervishi, më ka thënë se i dënuari më rëndë politikisht i vendeve të Lindjes Komuniste, ka qenë një në Gjermaninë Lindore, me vetëm nëntë vite burg! Hahaha, sa janë Mandelat e Shqipërisë?
Vetë zoti Dervishi ka marrë iniciativën dhe publikon hitparaden e të dënuarve klasikë. Sami Dangëllia 43 vjet burg e internim, Osman Kazazi, 40 vjet, disa me 37 vite, Petrit Velaj, me 35 vite, Pjetër Arbnori me vetëm 29 vite burg e shumë të tjerë, që s’po i përmend. Në fund, rrethi i fundit, ai më poshtë se të gjithë për nga krimet, masakrat, varfëria, nga injoranca e drejtuesve, nga torturat, na mbetet neve shqiptarëve. Por ky rreth vjen e ngushtohet e bëhet gjithnjë e më i thellë e përfundon në Shkodër! Ai është rrethi më i fundit, shkalla më e ulët e komunizmit botëror. Pika më e ulët e nivelit.
Prandaj, të marrim këtë iniciativë e ta vërtetojmë me fakte: nuk është “Pavioni i kancerozve” të Solxhenicinit një nyje kancerogjene në trupin e madh të Bashkimit Sovjetik, si ai përpiqet ta përshkruajë në mënyrë alegorike, por Shkodra do të ishte trupi ku u formuan metastazat kancerogjene më të rrezikshme të komunizmit botëror. Për këtë do të fitonim titull! E që afresku të ishte sa më i plotë, do të propozoja që të mos mungonin në këtë vështrim edhe gratë partizane. Janë pjesë e panoramës e nuk është e drejtë t’i lëmë jashtë kuadrit. Ahmet Bushati, flet për një masë të rreckosur partizanësh, mes të cilëve, në parakalimin e datës 29 nëntor, kishte parë edhe disa femra, të ndrojtura e të ngrira, të ngurta, që, “kur i pashë”, – thotë ai – “më erdhi menjëherë dyshimi: a mund të jenë nëna këto një ditë”?!
Ndërsa zoti Eduard Çurçia më ka treguar se kur erdhën në shtëpinë tyre partizanët, në natën e parë të hyrjes në Shkodër kur u shpërndanë e hynë gati njëzet veta, partizanet femra morën katin e tretë, sipër. Habija e jonë ishte se të gjitha qenë shtatzëna, edhe pse jo të martuara. Nëna ime u tmerrua e s’dijti ku të futej me motrat, vajzat e saj. Shtangimin e saj e të babait, që po i shikonte me çudi, ato e morën si shfaqje fanatizmi. Babait tim që po i shikonte me trishtim këto të reja bark fryra, një partizane kokoroçe i foli me arrogancë e pafytyrësi: “Xhaxha, qenke borgjez fanatik ti! Pse shikon kështu? Çka për t’u habitur! Kemi bërë edhe dashuri në mal, nuk kemi shkuar vetëm për luftë”!
Pse po i them këto? Sepse nuk duhet harruar se edhe ky ishte një moral i çlirimtarëve! I këtyre që kishin ardhur të ndërtonin një ‘Botë të Re’. Me datën 26 janar 1945, para bashkisë së Shkodrës, pushkatohen tetë burra, të gjithë të pafajshëm, të akuzuar si “armiq të popullit”, pa asnjë vendim gjyqësor. Viktimave që po vdesin e që janë duke dhënë shpirt, disa vajza të reja partizane, pasi nxjerrin revolverët nga brezat, i gjuajnë në kokë e në gjoks pamëshirësisht e kur ata përsëri nuk japin shpirt, marrin dhe nga toka e ua hedhin në gojët e tyre që fytet t’u bllokohen, në mënyrë që t’ua përshpejtojnë fundin atyre që po agonizojnë. Çfarë skene makabre!
Mërgim Korça, në një dëshmi të tijën të bërë publike, tregon se me datën 25 mars 1945, ndërsa korteu i viktimave të dënuar me pushkatim po kalonte në Piacën për të shkuar tek vendi i ekzekutimit te Varrezat e Rrmajit, mes tyre kishte dalluar viganin Peng Cali, të munduar e të rraskapitur nga torturat e gjata e çnjerëzore të pësuara në hetuesi, të cilit i ishte rritur edhe mjekra. Ndërsa është duke kaluar, dy çlirimtarë e ndalojnë për ta poshtëruar. E ulin për tokë. Një partizane hyri në një berberhane që gjendej aty pranë, thotë zoti Korça, e mori një brisk rroje. Atëherë, luftëtarja e lirisë, filloi t’ia priste me brisk mjekrën burrit në moshë, që i kishte duart e lidhura pas shpine e nuk mund të reagonte e as të ngrihej. I binin qimet në këmishë e bashkë me to edhe copa mishi të rrjepura dhe rrjedhje gjaku. Krejt këmisha i’u mbulua me gjak. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016