Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzet e gjashtë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Enver Miloti, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Shpendi”, lidhur me bisedat që ai kishte bërë me Myrteza Bajraktarin
Dhënë B .p. “Shpendi”
Marrë P. Op. Enver Miloti
Sekret
Datë 16.6.1975
R A P O R T
Burimi raporton se në datën 16/VI/1975, në orën 11.00 në afërsi të shtëpisë së tij, u takua me Myrteza Bajraktarin. Kurse të nesërmen burimi, i vajti në shtëpi Myrtezait. Burimi, e pyeti nëse kishte marrë ndonjë letër nga Jugosllavia. Myrtezai i tha: se: “kam marrë letër dhe se më kanë vënë në dijeni se do në Shqipëri si vizitore, motra e vogël dhe jo ajo që ka qënë më parë. Më thanë se do vijë nga muaji Korrik”.
“Shpendi”
Detyrë:
Të vazhdojë kontaktet me Myrteza Bajraktarin ku të bisedojë këto çështje:
a) Nëse ka bërë përpjekje për të hyrë në punë dhe çfarë i kanë thënë. Ti thotë që të hyjë në punë dhe mos të këmbënguli vetëm për arsimtar, sepse po të qëndrojë kështu, bie në sy dhe thonë se si i del nga ana ekonomike.
b) Ti thotë se dëgjova që Abdyl Këllezi, Koco Theodhosi, dhe Ramadan Xhangolli, u shkarkuan nga funksionet e tyre, siç duket kanë gabuar rëndë deri sa u bë kështu.
Sqarim: Myrteza Bajraktari ndiqet në 2/B nga punëtori operativ Haxhi Dashi si agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav. B.P. është drejtuar tek ai, sepse sektori përkatës ka nevojë që të mësojë për qëndrimin aktual.
Masa operative: E dhëna të nxirret dhe ti kalohet P.OP. Haxhi Dashi për Myrteza Bajraktarin në 2/B.
Shefi i Seksionit shënon: B.P. të shtrohet më shumë në bisedë me Myrteza Bajraktarin dhe të hapi biseda me karakter politik dhe jo vetëm gjëra të përgjithshme.
Punëtori Operativ
Enver Miloti
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Haxhi Dashi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vullneti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit dhe miqve e shokëve të tij
Dhënë nga B.p. “Vullneti”
Marrë nga P.Op. Haxhi Dashi
Në Bazën “Shkrimtari”
18.8.1975
R A P O R T
Ai takoi në datën 14 Gusht Idriz Lleshin, afër Komitetit Ekzekutiv të rrethit dhe gjatë bisedës për të birin e tij Pëllumb, tha: “Edhe në punë e kudo s’na lënë rehat. Djalit tim i thonë revizionist, mua më është qepur drejtori i shkollës ku punoj. Se kuptoj ku e ka hallin, s’na lanë rehat”.
Idrizi midis të tjerave tha: “Unë për Myrteza Bajraktarin kam bërë gjithçka. Edhe në burg e kam kujtuar. Atë e kam pasur shok në burgun e Idrizovës në Shkup, por këto janë marrë si anë negative”.
Po kështu ai takon Myrteza Bajraktarin dhe ai i thotë se, i vëllai Xhemal Hyseni, ndodhet në Turqi dhe merret me linguistikë dhe ka kërkuar të vijë. Po më mirë mos të vijë, se jam pa punë e pa shtëpi. Nuk e di si mendojnë, dy vjet kam që kam dalë nga burgu dhe pa punë. Nuk e kuptoj se, shkoj për të takuar për punë, e nuk më dalin në Ministri…!
“Vullneti”
Detyra: Të afrohemi me Myrteza Bajraktarin dhe të interesohemi pse nuk hyn në punë, qoftë dhe një punë do si do.
Masa Operative: E dhëna të shtypet dhe të vendoset në dosjen e Myrteza Bajraktarit.
Punëtori Operativ
Haxhi Dashi
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Rindërtim Arapi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Molla e vogël”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit dhe miqve e shokëve të tij
Marrë nga P.Op. R.Arapi
Dhënë B.p. “Molla e vogël”
Raport i datës 15.11.1975
Burimi njofton se në datën 22.10.1975 ka takuar në afërsi të shtëpisë së saj, Lumturi Sukun dhe gjatë bisedave e pyet sesi ja kalon me gjendjen ekonomike. Lumturia i përgjigjet se; ja ashtu me të keq por më ka dhënë fjalën se do të më ndihmojë ai kosovari, që ka qenë në burg me Qerimin (Qerim Jakupi është i shoqi i Lumturies), ai banon në Tiranë dhe quhet Myrteza Gostivari, kur erdhi herën e fundit në Lushnje, më tha se mua do ti më vijë një shumë e madhe parash nga Jugosllavia dhe do t’ju ndihmojë, pasi karshi teje dhe Qerimit ndihet borxhli, dhe më dha 1000 lekë mua dhe 600 lekë djalit.
Këto si fillim më tha se më vonë do ju ndihmoj më shumë. Unë tha Lumturia nga data 24 do të shkojë në Tiranë të takojë Myrtezain, bashkë me Evgjeni Konon, pasi Evgjenia ka një punë të sajën, do mundohem mos marrë ndonjë plaçkë për fëmijët.
Por Lumturia në datë 24 nuk shkoi në Tiranë, pasi Nuri Gostivari i ka thënë se Myrtezai, ka shkuar në llixhat e Elbasanit.
“Molla e vogël”
Detyrë:
B.p., të takojë Lumturijen dhe t’i thotë se, si i merr paratë nga Jugosllavia, Myrteza Bajraktari, dhe nëse ai vjen tek Lumturija të krijoi mundësi për ta takuar.
Sqarim:
- Lumturi Suku është regjistruar si kontigjente, pasi i shoqi Qerim Jakupi është dënuar për agjitacion e propagandë dhe vuan dënimin në kampin e Ballshit. Ai, është kosovar.
- Myrteza Gostivari është kosovar dhe tani, duhet të ketë dalë nga burgu dhe banon në Tiranë. Adresën nuk ja di, por ai rron me pensionin që ju japim shtetasve të huaj, që nuk kanë mundësi të punojnë.
Masa Operative:
E dhëna të shtypet në dy kopje dhe t’i kalojë P. Op. Shefqet Matrangasi për Lumturi Sukun dhe një kopje t’i dërgohet Drejtorisë së Tiranës për Myrteza Gostivarin. Të sqarohet se nga i merr këto para Myrtezai, se mos ambasada jugosllave në Tiranë financon Lumturinë, pasi i shoqi është kosovar dhe ndodhet në burg.
Puntori Operativ
Rindërtim Arapi
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Isa Lika, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Orges”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit dhe miqve e shokëve të tij
Dhënë B.p. “Orges”
Marrë nga P.Op. Isa Lika
Datë 4.6.1976
R A P O R T
Sulejman Krasniqi, banues në Tiranë i paska treguar atij se, Gani Demiri e paska ftuar që të nënshkruajë një letër-deklaratë, që mesa duket do t’i dërgohej shokut Enver, ku do t’i kërkohej që të ndihmohej Myrteza Bajraktari.
Këtë letër-deklaratë, i paska thënë Ganiu, është mirë ta nënshkruash ti dhe Agim Gjakova, meqë emrat tuaj kanë peshë e rëndësi. Kjo letër në përmbajtjen e saj duhet të shprehte, mendimin se; Myrteza Bajraktari është njeri i ndershëm e patriot dhe se edhe shokët, që do të nënshkruajnë, e njohin si të tillë.
Prandaj dhe duhet trajtuar mire, pavarësisht se ka qenë i dënuar me 3 vjet burg, për agjitacion e propagandë. Sulejmani paska reaguar dhe nuk e paska pranuar një gjë të tillë. Ganiu ka këmbëngulur në të tijën dhe i ka thënë se; pavarësisht se ka qenë në burg, patriotizmi i tij njihet dhe si i tillë ka ardhur këtej.
Ai priti derisa ta dërgonte UDB-ja me mision këtej dhe porsa erdhi ai, e tregoi vetë këtë gjë. Sulejmani ju paska përgjigjur kështu:
- Myrtezain nuk e njoh.
- Ai, ka qenë i dënuar me tre vjet burg, dhe kot nuk kishte pse të dënohej.
- Hero i dyfishtë s’mund të jetë.
- Asnjë shqiptar i ndershëm, s’mund të pranojë rekrutimin nga UDB-ja, pavarësisht qëllimeve patriotike pasi, dihet shumë mirë se UDB-ja, kur të rekruton, i di mirë atë dhe dobësitë e tij.
Këto fjalë të Sulejmanit, i paskan kujtuar atij dhe një bisedë të Sadri Tafilajt (banues në Përmet), lidhur po me Gani Demirin. Sadriu i paska thënë atij, se Ganiu e paska nxitur që ti shkruajë një letër shokut Enver, meqenëse Ganiu dhe Myrtezai i paskan shkruar dhe me këtë rast, puna do të merrte karakter më serioz dhe do të shihej sesi trajtoheshin kosovarët.
Madje Ganiu i paska thënë që t’ja formulonte ai këtë letër. Pastaj Sulejmani i paska thënë atij, se është e çuditshme sesi Myrtezain, ka disa kosovarë që e përkrahin, e që burimit i kishin krijuar bllokadë, e nuk i flisnin, për shkak të Myrtezait, sikur t’i kishte mësuar UDB-ja.
“Orges”
Tiranë me 4.6.1976
Detyrë:
Ju dhanë porosi që të bëjnë përpjekje për të mësuar hollësi të tjera rreth këtij problemi. Kush tjetër ka dijeni dhe çfarë veprimesh ndërmarrin për të ndihmuar Myrteza Bajraktarin.
U udhëzua që ky i pari, të mos e zinte me gojë këtë problem, por ta thellojë në rast se Sulejmani apo ndokush tjetër, do të flasë për këtë çështje.
Shënim: U veprua në këtë mënyrë për të mbrojtur B.p., pasi shumë kosovarë kanë dijeni se B.p. “Orges”, nuk shkon mirë me Myrteza Bajraktarin dhe Sadri Tafilajn, të cilët e akuzojnë si B.p. të organeve tona.
Vlerësimi i të dhënës:
Mendojmë se e dhëna e mësipërme ka vlerë pasi, tregon sesi elementi i dyshimit, në radhët e emigrantëve kosovarë, kërkon të mbrojë Myrteza Bajraktarin. Për këtë arsye, kjo e dhënë duhet të ndiqet me përparësi, pasi ka karakter të organizuar.
Masat operative:
- Të njihet me këtë të dhënë Zv. Kryetari i Degës.
- Të daktilografohet dhe tu dërgohet nga një kopje Degës së I-rë, Degës së I-rë të Drejtorisë së Tiranës, dhe Degës së Punëve të Brendshme Përmet./Memorie. al
Punëtori Operativ
Isa Lika 7.6.1976
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016