Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952. Filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.
Dokumenti me raportin sekret të hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Metush Qamili, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Korabi”, lidhur me bisedat e zhvilluara nga Myrteza Bajraktari, me emigrantët e tjerë në Kampin e Semanit
Marrë nga Kapiten Metush Qamili
Dhënë nga B.p. “Korabi”.
Fier më 29.7.1965
R A P O R T
Ai, njofton se kohët e fundit Myrteza Bajraktari i ka thënë atij se: nëse vendos që të shkosh në Jugosllavi, do të të jap ca porosi. Ky, i ka thënë se: nuk kam se çfarë të bëjë mbasi këtu, po e kalojmë jetën në kamp, ndërsa lutje akoma s’ka bërë për t’u kthyer në Jugosllavi. Ai pas disa ditësh, i tha se kam vendosur që të kthehem në Jugosllavi, prandaj më ndihmo që t’i bëj lutjen Ministrisë së Brendshme. Këtë ai, ja tha me qëllim që Myrtezai, të ketë besim tek burimi, kështu që Myrtezai, i bëri lutjen dhe ja dha postierit. Pastaj ai i tregoi se kur të shkosh atje, të takohesh me Hasan Bllacën, që banon në Shkup. Pasi ta takosh, do t’i japësh parullën: “Ju jeni nipi i Bajram Currit, pasi ai do të thotë po, atëherë ju, do i thoni që më ka dërguar stërnipi i Bajram Currit”.
Do t’i komunikosh që më ka thënë Myrtezai, se nga Shqipëria, mos prisni ndonjë ndihmë për ato çfarë kemi kërkuar, dhe mua më kanë futur në kamp, por ju lidhuni me Gjermaninë Perëndimore, se ajo do t’ju ndihmojë. Po të pyesin, pse pikërisht Gjermaninë, do t’i thuash se ajo e ka pasur në zemër gjithmonë Kosovën dhe pasi të përmbyset regjimi komunist ajo, do të bashkohet me trojet shqiptare.
Pasi t’i japësh këtë porosi ti, futu në punë dhe mos u përzje me asnjë njeri. Dhe kur të vijë momenti, ta kesh amanet nga unë, ti shko në Shkup, Tetovë, e Gostivar, dhe ngrij flamurin tonë kombëtar. Kur ta bësh këtë gjë, vishu me rroba të këqija dhe me këpucë të mëdha, dhe largohu me tren në ndonjë republikë tjetër, që të mos kapi UDB-ja. Këtë gjë përveç atij, e dinte dhe dikush tjetër (emrin se tregoi).
Veç kësaj, Myrtezai më ka folur mirë dhe për shtetet Perëndimore, veçanërisht për Gjermaninë, ku tregonte se një punëtor atje ka rrogë 30 herë më shumë sesa në Shqipëri, për njëmijë lekë që merr këtu, atje merr tridhjetëmijë lekë. Në Perëndim, populli ka liri, ka demokraci, organizon greva dhe protesta, ndërsa në komunizëm, s’ka liri dhe po të shash partinë, burgosesh. Populli vuan nga regjimi, dhe nga gjendja e keqe ekonomike, thotë Myrtezai, por shumë shpejt komunizmi do të shembet, pasi Gjermania po përgatitet për Luftën e Tretë Botërore dhe do të fitojë.
Ai, e pyet, se në rast se plas lufta, çfarë qëndrimi do mbajë populli këtu. Myrtezai, i thotë se: po shpërtheu lufta, populli do ngrihet kundër qeverisë. Ndërsa në Jugosllavi populli, ka më shumë liri dhe mirëqenie ekonomike sesa në Shqipëri, për shkak të ndihmave që i jep Amerika e cila, ndihmon të gjithë popujt e botës. Këto fjalë, Myrtezai i’a ka thënë burimit shpesh, kohët e fundit.
Myrtezai, para 10 ditësh, veç parullës për Hasan Bllacën, i ka thënë burimit se: po të besoj shumë, prandaj kur të shkosh tek motra ime, që është e martuar me Mehmetali Hoxhën në Shkup, paraqitu me rroba të thjeshta, dhe po qe se shikon njerëz të tjerë në shtëpinë e saj, deklaro se: ke pasur ca punë me burrin e saj, që është kryeredaktor gazete.
Këtë, do ta bësh që të mos dyshojnë njerëzit e tjerë. Pasi ta takosh, do t’i thuash që: mos kini shpresë nga Shqipëria, pasi Myrtezain e mbajnë të izoluar në një kamp dhe shpjegoji gjendjen në të cilën ndodhem, pasi këta po më trajtojnë si armik dhe jo si patriot. T’i thuash motrës, që të merret vesh me farefisin që kemi në Turqi, që të ndërhyjë qeveria turke tek ajo shqiptare, për të më tërhequr mua në Turqi, pasi unë që këtej nuk mund të bëj asgjë.
Turqia, mund ta ndihmojë popullin e Kosovës kundër Jugosllavisë. Në rast se motra ime dyshon, atëherë, ti do ti’ thuash parullën: “Bashkim ose Vdekje”. Dhe më pas, do t’i thuash që Myrtezai, do t’ju dërgojë letra, ku datën do ta vërë në krye të tyre, pasi unë kur shkruaj letra, datën e vë poshtë.
Atëherë, motra do të bindet se je dërguar nga unë. Myrtezai vazhdon se, në Shijak, gjatë hetuesisë, atij i propozuan që të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit Shqiptar dhe organizatën tonë në Jugosllavi, ta vija në dispozicion të tyre. Por unë, nuk pranova, se i thashë që organizata jonë, është patriotike dhe nuk merret me spiunazh. Parullën për Hasan Bllacën, ja kam dërguar Sigurimit, dhe këto të dyja për motrën, nuk i kam thënë.
Unë natyrisht, po të më tradhtonin, do të mohoja gjithçka dhe po të më mbështesnin me shpatulla për muri, atëherë do të detyrohem që të flas haptazi. Myrtezai i tha që do flisja për shtypjen që i bëjnë popullit shqiptar, për tradhtinë që i bënë popullit të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, duke i lënë nën regjimin jugosllav, për provokimet vëllavrasëse në luftën e Drenicës, që bënë partizanët shqiptarë, duke bashkëpunuar me partizanët jugosllavë.
Ai e ka pyetur për të vëllain që e ka Major në Marinë dhe ky i ka thënë që: ai është një ujk deti. Myrtezai, i tha se vëllai i tij, po jep provimet për Nën-Kolonel, por ai nuk di gjë për veprimet e mia, din vetëm që unë jam nacionalist.
“Korabi”
Fier më 29.7.1965
Detyra:
1. Ti qëndroni afër Myrtezait gjatë bisedave dhe kur ai, të flas për Shqipërinë, t’i thoni se: çuditemi nga ty se je i madh nga mosha dhe ç’tu desh që të vije në Shqipëri. Nuk e dije ti, që emigrantët këtu i mbajnë në kampe, se ti ke ardhur vonë, pasi unë kam ardhur i vogël këtu, sepse kam pasur familjen këtu.
Por, ta kisha pasur këtë mëndje që atëherë, nuk do të vija këtu. Këto thuaja me qëllim se çfarë do thotë. Po të thojë, se këtu erdha për ndihmë, do t’i thuash se çfarë ndihme pret nga këta, pasi ti je nacionalist, ndërsa këta janë komunistë!
Gjithashtu, tregohu i gatshëm për të shkuar në Jugosllavi, por thuaji që kam frikë nga UDB-ja, pasi do të krijohen dyshime se unë atje, nuk kam njeri. Dhe po më futi në burg UDB-ja, si duhet të veproj. Këto thuaja me qëllim se çfarë do tët thotë ai.
Sqarim: Myrtezai është në ndjekje 2/A, si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav dhe çështjen e parullës për Hasan Bllacën dhe të organizatës, i ka treguar në hetuesi.
Vlerësim: Raporti, ka rëndësi se ky ka shtyrë B.p., që të kthehet në Jugosllavi. Gjatë takimit me B.p., ai i ka folur keq për komunizmin në vendin tonë dhe ka lavdëruar vendet e Perëndimit. Si konkluzion, del se Myrtezai mund të ja ketë thënë këto me qëllim që ai, ta denoncojë këtë akt dhe më pas të nënkuptohet që Myrtezai, nuk është dërguar nga UDB-ja.
Po kështu ka thënë në Hetuesi, se gjoja kemi një organizatë që kërkon ndihmë nga Shqipëria, po dhe kjo lë dyshime, se i thotë B.p. se po më tradhtove ti, unë nuk flas dot haptazi. Nga ana tjetër dhe B.p. nuk i besohet shumë, se nuk ka dhënë prova të qarta, pasi kjo është prova e parë që jep për të.
Megjithëse B.p., ka kërkuar që të shkojë në Jugosllavi, na tha që t’i anulohet lutja, pasi ai nuk ka njeri atje, dhe këtë e bëri që ta besojë Myrtezai. Pasi familja e tij ka ardhur herët në Shqipëri.
Masat operative
- Të shtypet dhe të vendoset në dosje raporti.
- Një kopje, t’i dërgohet Degës së Parë.
- Gjatë raportit, t’i shohim letrat, se ku e vejnë datën.
- Për të vërtetuar këtë, të bëjmë një kombinacion me B.p. “Molla”, në Lushnje, dhe të dëgjohen me T.O.
Punëtori Operativ
Kapiteni i Parë Metush Qamili
Dokumenti ‘Tepër sekret’ i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Bajram Neli dhe i asistuar nga Kapiteni i I-rë, Dedë Zefi, me incizimet e bisedave të bëra në Hotel “Apollonia” në Fier, ndërmjet Myrteza Bajraktarit dhe bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Molla”
DEGA E P. TË BRENDSHME Tepër sekret
FIER Kopja e vetme
Mbi përkthimin e incizimit të bërë më datën 26/VIII/1965. Me objektin Myrteza Bajraktari dhe B.p. “Molla”, në Hotel “Apollonia”, ora 22 e 30.
Incizimi u bë nga P. Operativ, Toger, Bajram Neli, asiston Kapiteni i I-rë, Dedë Zefi.
LEGJENDA:
O – Objekti
B – B. p.
Hyri në dhomë në ora 22 e 30.
O – Qenka hoteli mirë shumë (fillojnë e flasin jugosllavisht).
B – Ke marrë vesh për këtë grupin e fundit që doli?
O – Po, Hamdiu etj., ai thoshte se kjo punë donte shpejtësi, nejse, hajde të lajmë këmbët (fillojnë të flasin jugosllavisht).
O – Na duhet një pjatë.
B – Pse, ç’e don pjatën, ja ku e ke pjatën.
O – Besa, nuk di çka me i tregue vetes, nuk di se sa do të zgjas kjo punë, me Sherafin u takove, apo jo, kishte ardh pa dokumenta me vete, interesant?!
B – Eh, ç’më gjeti me këtë këmbë?
O – A të dhëmb?
B – Tash më është mpi.
O – Kur erdhe ti, mora vesh, të çova të fala në letër, me Mazllumin.
B – Me anë të letrës, apo…?
O – Nuk di vallahi, por kur morra vesh se ke ardh ti, atëhere, u nisa jo vetëm se ke ardh ti, si shoku im i ngushtë, por më tepër për atë që të kam thënë dhe të prisja në Fier, të bisedonim, edhe qëllimin tonë të ardhjes. Unë kam bërë edhe më herët kërkesë për t’u takue, kam bërë dy herë lutje, po atyre shokëve tonë, ju ka ardh ndonjë letër, nuk dua t’u them gjë. More, sa është ora, nuk e kam sahatin, (sa keq i thotë B.p.-ja). Ti, nuk më lajmërove mire, me telegram!
B – Unë, hala nuk kam marrë letër, ç’më përgatit?
O – Unë, po përgatitem dhe kam me t’i tregue ato të tre që më the ti, mua.
B – A ke lexuar gjë, neve këtu ku jemi, është fashizëm në fuqi, kapitalizëm apo komunizëm?
O – Na u bënë shumë vjet që kemi ardh dhe po presim gozhdë, në vendet e Perëndimit, është më mirë, unë kur kam ardh këtu, thashë se çfarë vendi i thonë këtu, Seman, më thanë, thashë me vedi, burg.
B – Jo more, ka dhe më keq.
O – Ku, në Goli-Otok, Jugosllavi, unë kur kam ardh këtu, erdha që të gjej një rrugëdalje për Kombin, se po bëhet si në Algjeri dhe në Vietnam, dhe atje Kombet e Bashkuara, as kanë për të ndërhyrë që të ndërpresin luftën, ata po e paguajn 1 me 50. Vendet kapitaliste janë shumë më të zhvilluara.
B – Por, sidoqoftë, këta në një mënyrë do të fitojnë, megjithëse, kanë shumë vështirësi.
O – Po kësaj times, si do t’ja bëjnë?
B.p., – Për Kinën, vështirë e kanë, se edhe ato kukullat, nuk janë gjë.
O – Unë i detyrohem vetes, për Kombin tim, por kjo don punë, edhe gjatë kësaj kohe, kam bërë shumë pak, neve e konsiderojmë veten kosovarë, të marri vesh familja ime, se unë i demoralizoj shokët, kjo është tradhti karshi Kombit, këtë nuk e bëj kurrë, jo, se do më thonë se është tall, kjo punë ka shumë telashe, po më beso, dhe për këtë, se nuk të rrej.
B – Isha në Tiranë, është bërë qytet europian modern, kam ndejt me shokët deri në ora 2.00, s’të bëhesh për gjumë.
O – E, si kujton ti, se komunistët do të na lejnë të veprojmë si të duam neve?
B – Po, po.
O – Ç’po me nxeh, nuk vjen behari me një lule, unë andej kur nuk shkoj, me e dit se i lej shokët këtu.
B – Atëherë, si do të bëjmë?
O – Unë të kam shok ty, ti atë tjetrin, e me radhë, ja mbushim për Tiranë.
B – Unë nuk jam dakord.
O – Ti je provokator, do të thonë.
B – Pse?
O – Jugosllavët, nuk sigurojnë asgjë për këto punë. Unë të siguroj, për këtë punë, unë kur ta them këtë, ta them, me bindje, gjithnjë në çdo orë e në çdo vend, jam gati të ta them këtë, se ti je i gabuar, ke mohuar të drejtat e Kombit, kjo nuk është çështje se po merrem unë me ty dhe të merret nëpërkëmbë.
B – Të kuptoj, nganjëherë, me të vërtetë ashtu është, por tani, mbas 20 vjetësh, të merresh me këtë punë, neve po plakemi dhe një ditë, do të dalim me shkop në dorë.
O – Ashtu…! Po vëllau, që kam unë në Ushtri, etj., unë kam marrë parasysh që për këtë punë, të sakrifikoj jo vetëm veten, por edhe familjen time, për të drejtat e Kombit, unë kam arritur që edhe motra edhe vëllai, të shkojnë e të shkojnë e të kthehen prap, për të drejtat e Kombit tonë, atdheut.
Për këtë punë, bisedojmë tani, është nder të punosh për Kombin tënd, unë kam kërkuar që të shkoj në Turqi, dhe qysh tashti, për të drejtat e Kombit dhe po të jemi sigurt që kthehem, nuk do të mendoj, vetëm për veten. Kam bërë kërkesë, për t’u larguar nga Semani, për në qytete si Fier, Elbasan, Vlorë, Lushnje dhe sa më shumë ta shohësh gjendjen me kosovarët, edhe në katunde, edhe të grumbullohemi. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016