Nga Filip Guraziu
-Një ngjarje humanitare që duhet kujtue-
Lufta e Dytë Botnore, Shqipni, 1944
Memorie.al / Djaloshi 22 vjeçar Ludovik Deda, biri i familjes shkodrane me më emër, të Dedjakupve, në vjetin 1944, ishte në shërbim të forcave ushtarake gjermane, në rolin e nënoficerit të një reparti ushtarak shqiptar, kryesisht për ruajtjen e rregullit e të qetësisë në qytetin e Shkodrës e rreth tij.
Në paraditen e një dite dimni me acar, në mes të muajit janar të vjetit 1944, korrieri i shtabit të Whermacht-it të dislokuem në Shkodër, i dorëzoi Ludovik Dedës, një zarf i cili përmbante thirrjen për një takim me komandantin gjerman, në zyrën e tij, po atë mbasdite në orën 15.00.
Në orarin e caktuem, Ludoviku u paraqit në zyrën e Komandantit, i cili e priti me mirësjellje dhe shkurt e me pak fjalë, e urdhëroi që të nesërmen ora 12.00, të ndodhej pranë Bar “Kursal” në Tiranë, ku do të ishte edhe vetë ai, për një çështje që do ta kuptonte kur të takoheshin. Para se të dilte prej zyrës, e porositi: “Kujdes, askush nuk duhet të jetë në dijeni për bisedën e sotme”!
Të nesërmen, fiks në orën 12.00, kur Ludoviku hyni në ambientet e Bar “Kursal”-it në Tiranë, dalloi në një tavolinë, si në qoshe, komandantin gjerman, që e përshëndeti dhe e ftoi të ulej. Mbas pak komandanti, thirri kamerierin dhe pyeti Ludovikun se ç’ka dëshironte t’i servirej. – “Faleminderit, kafe dhe ujë”, ishte përgjigja e shpejtë e Ludovikut, i cili ndihej shumë i emocionuem prej këtij takimi misterioz!
Ndërsa Ludoviku pinte kafen, te tavolina u afrua një burrë i cili e përshëndeti në një gjermanishte me theks ndryshe dhe u ul me qetësi. Menjëherë komandanti bani prezantimin, e Ludoviku kuptoi se personi i tretë në tavolinë, ishte “ish – shefi i shërbimeve sekrete italiane në Shqipni”. Duket se gjermanët, që kishin zënë rob dhe internue drejt “kampeve të vdekjes” (si tradhtar) pothuaj të tanë efektivin e ushtrisë italiane, që gjendej në Shqipni mbas kapitullimit të Italisë fashiste. Më 10.09.1943, kishin pasë mbajtë si këshilltar të veçantë pranë tyne (sepse i duhej për njohuritë dhe përvojën që kishte në mjedisin shqiptar), zotërin që ndodhej përballë Ludovikut në atë takim.
Mbasi ndërruan bisedë ndërmjet tyne, komandanti gjerman paraqiti detyrën, që duhej të kryente Ludoviku: “Me qenë se ushtria gjermane kishte nevojë për lëndë druni, e cila do të transportohej prej Shkodrës, në rrugë ujore nëpërmjet lumit Buna, dilte nevoja e blerjes së një mjeti lundrues detaro-lumor, për ushtrinë gjermane, i cili duhej të lundronte prej Durrësit dhe të ankorohej në portin lumor të Shkodrës”. Në takim, Ludovikut i’u dha porosia, që për veprimin e mësipërm, të takonte një person me eksperiencë në fushën e anijeve lundruese në Durrës. I’u dorëzue edhe shuma monetare për kryemjen e aksionit së bashku me porosinë, që për çdo problem të mundëshem, të merrte kontakt vetëm me komandantin gjerman.
Mbas disa ditëve, Ludoviku takoi personin e rekomanduem në Durrës dhe simbas këshillës së tij, bleu një anije detaro-lumore prej druni, me kapacitet rreth 150 ton me emrin “Papagalli”, pagoi paradhënie edhe dy specialistë të fushës së lundrimit (drejtuesin dhe mekanikun e anijes) për shërbimin që do të bajshin. Së bashku me ta lundroi drejt Shkodrës. Lundrimi shkoi mbarë, anijen e ankoruan në gjiun që krijon shkëmbi i Fabrikës së Çimentos në Shkodër, në lumin Buna, ku po i pritshin dy ushtarë gjermanë, të cilët e morën në ruajtje anijen.
Në takimin e radhës me komandantin gjerman në Shkodër, ku Ludoviku kishte shkue për raportimin e kryerjes së detyrës, kuptoi të vërtetën e misionit “Top sekret”: Komandanti gjerman,
së bashku me disa bashkëpunëtorë besnikë (oficerë të Werhmacht-it në Shkodër, në bashkëpunim me…?, kishin marrë përsipër shpëtimin e dhjetra familjeve hebreje prej kthetrave të reparteve famëkeqe “S.S.” naziste. Këto familje me banim të mëparshëm në Serbi, Kosovë e Maqedoni, kishin pasë qenë me “fat”, sepse kishin mbërrit me i shpëtue syrit vigjilentë të S.S-ve dhe tashmë qëndrojshin të mëshehun në shtëpitë e shkodranëve.
Komanda e ushtrisë gjermane në Shkodër “kishte marrë prej kolegëve të tyne në Vlonë, një kërkesë për furnizim me landë druni, për nevojat e ushtrisë” e cila do të transportohej me anijen “Papagalli”. Landa e drunit do të sistemohej në kuvertë, kurse pjesëtarët e familjeve hebre do të vendoseshin të mshehun poshtë druve në barkun e anijes, me tjetër destinacion…! Ludoviku mori detyrën me qëndrue 24 orë pranë anijes dhe me shoqërue grupin e hebrenjve deri në destinacionin përfundimtar.
Aksioni ishte me shumë të papritura, por deri në këtë fazë çdo gjë kishte shkue simbas programit. Vështirësia ma e madhe konsiderohej organizimi i sistemimit klandestin të familjeve hebreje poshtë në barkun e anijes, sepse rruga prej qytetit të Shkodrës, deri te vendi i ankorimit të anijes, kalonte detyrimisht mbi urën e Bunës, ku S.S. nazistë, kishin pikën e kontrollit!
S’pari anija u ngarkue me landën drunore në kuvertë; në një pozicion të msheftë ishte lënë rrugë e lirë për hyrjen në barkun e anijes, poshtë turrës së druve. Meqenëse proçesi i futjes në anije i familjeve hebreje parashikohej i gjatë, mbasi u pat pleqnue që në kalimin e kontrollit të S.S.-ve (te ura e Bunës), hebrejt e veshur si katundarë të zonës e të shoqnuem prej shqiptarëve, të mos ishin ma shumë se dy së bashku, doli problemi se dikujt mund t’i lindte dyshimi, se pse anija për ndihmë ushtrisë gjermane, tashmë e ngarkueme me dru, pra e gatshme për lundrim, nuk nisej drejt destinacionit, por po qëndronte në vend, kaq gjatë?! Për këtë arsye, dy mekanikë të “zgjedhur” të ushtrisë gjermane, filluan sistemimin e motorit e të mekanizmit të anijes “Papagalli” e cila, “për çudi, rezultoi se kishte pasë shumë defekt…”!
Proçesi i programuem i kalimit të kontrollit në urën e Bunës dhe sistemimi i fshehtë i hebrenjve në barkun anijes, rezultoi i gjatë, u deshën gati 27 ditë, që 45 persona, pjesëtarë të familjeve hebreje të strehoheshin në klandestinë në anije. Nga ana tjetër, sa ma shumë persona strehoheshin në barkun e anijes, aq ma i vështirë paraqitej proçesi i plotësimit të nevojave jetike, të tyre në kushtet e klandestinitetit…! Më në fund erdhi dita e nisjes, 25 Shkurt 1944, atë ditë “pasagjerëve të anijes”, iu shtuan edhe dy oficerë gjermanë. Buna kishte plot ujë. Lundrimi filloi mbarë, anija lundronte me shpejtësi e ndihmueme edhe prej rrymës lumore. Disa postblloqe ushtarake gjermane që kontrollojshin dhe pengojshin lundrimin pa leje me anën e rrjetave prej hekuri në lum, u kaluan pa kontroll të hollësishëm, sepse ishin oficerët gjermanë në kuvertë që komunikojshin me kolegët e tyne të kontrollit, të cilëve i paraqitshin edhe dokumentin e urdhrit të komandës gjermane për dërgesën e landës drunore në Vlonë.
Optimizmi që emocionoi pasagjerët, kur anija doli prej grykës së lumit Buna dhe filloi lundrimin në detin Adriatik, drejt botës së lirë, me destinacion Bari- Itali, në atë periudhë kohore zonë e çlirueme prej forcave aleate, nuk vazhdoi gjatë, sepse papritmas motori i anijes u bllokua! Anija “Papagalli” ishte në mëshirën e dallgëve, që për fat atë ditë ishin mjaft të qeta…! Shqetësimi ishte maksimal; mekanikët punonin vrullshëm për gjetjen e defektit, kurse oficerët gjerman, vunë në përdorim radion “dhanësë e marrëse” dhe me kodet e tyne sekrete, mbërritën me komunikue me “ato…” që ishin të interesuem për aksionin e shpëtimit të hebrenjve. Papritmas në distancë rreth 100 m. prej anijes “mbiu” mbi sipërfaqen e detit një nëndetëse britanike, e cila rimorkioj anijen “Papagalli” deri në destinacion, në Bari, ku të tanë pasagjerët e anijes, fillimisht, gjetën strehim në kampin e refugjatëve të luftës me vend ndodhje, afër qytetit të Barit.
Vlenë të shënohet se kjo ngjarje, aq e veçantë sa humanitare, por dhe me vlerë, sepse nderon jo vetëm moralin e shqiptarëve, por edhe të gjermanëve, tue demostrue se jo të tanë ushtarakët gjermanë ishin kundër hebrenjve, nuk kujtohet prej askujt?! Po pse? Nuk dihet ngjarja? Jo, jo, ajo dihet, por nuk duan me e ditë…, sepse nuk duan me e kujtue…!
Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, rastësisht mora pjesë në një takim të Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro – Izraelite, që u mbajt në sallën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku u kujtuan dhe u nderuen disa familje qytetare shkodrane, që kishin strehue, tue rrezikue edhe jetën e tyre, familjet hebreje gjatë terrorit nazist, në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Më kujtohet se në atë takim, kërkova fjalën dhe shkurtimisht tregova ngjarjen e këtij shkrimi; pata mbet pak i befasuem, sepse drejtuesit e aktivitetit, nuk tregun as një lloj interesimi mbi ç’ka tregova. Mbrapa, kur me mendjen tima bana anlizën psiko-politke, të mjedisit drejtues të aktiviteti, falë eksperiencës së jetës time nën diktaturën komuniste, çdo gjë m’u sqarue! No coment!
Gjithçka flet vetë! Përpunimi dogmatik puritanist ideologjik i një pjese të shoqërisë njerëzore, nuk i lejon të kuptojnë realitetin, të vërtetën që na rrethon: “E mira dhe e keqja bashkëjetojnë, në një binom të pandashëm si në simbiozë; “s’ka të mirë, pa të keqe dhe s’ka të keqe, pa të mirë”, duam apo s’duam, ky është realiteti! “Reddite quae sunt Caesaris Caesari et quae sunt Dei Deo” – Jepni Çezarit atë që është e Çezarit dhe Zotit atë që asht e Zotit.
Mbetet në nderin tonë paraqitja e nderimit dhe e mirënjohjes publike për veprën, humanitare të shpëtimit të familjeve hebreje prej kthetrave të S.S. nazistë, tue rreziku edhe jetën e tyne, në pranverën e 1944-ës, për komandantin dhe disa oficer (besnikë të tij) të Whermacht-it, në Shkodër, për banorët e Shkodrës, si dhe në veçanti për mikun tim, që sot nuk jeton më, të ndjerin Ludovik Deda.
Shënim:
Shkrimi respekton rrëfimin e personazhit kryesor të ngjarjes, z. Ludovik Dedës, i zhvilluam në shtëpinë tij; Pescara, tetor 1997. Atyre që ngjarja e mësipërme mund t’i duket e pabesueshme, i ftoj të verifikojnë arkivat e kampit të refugjatëve të Luftës së Dytë Botërore, në afërsi të qytetit të Barit, ku ruhet e vërteta./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016