Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të shkrimtarit dhe publicistit italian, Antonio Baldacci, i cili në vitit 1933, botoi në Romë një libër voluminoz për Shqipërinë, të titulluar “Studi Speciali Albanesi”. Jehona e madhe e atij libri, në rrethet intelektuale evropiane dhe artikulli i shkencëtarit gjerman, prof. dr. Franc Babinger, për Baldaccin, të cilin Mbreti Zog e emëroi konsull nderi në Itali
Jehona e librit të Baldaccit në Shqipëri
Në gazetën “BESA” të Tiranës (me botues Fiqri Rusin) të datës 4 shkurt 1933 nën titullin, “Rreth botimit të një libri të Z. Antonio Baldacci mbi Shqipërinë”, shkruhet: “Shkrimtari i njohun italian dhe miku i vërtetë i Shqipërisë. Zoti Antonio Baldacci ka botuar tani shpejt një libër me titullin “Studi Speciali Albanesi”, në të cilin përmbahen disa nga veprat e tij që, ai i kishte shkrojtur disa vjet më parë, kur vendi ynë ishte nën sundimin Otoman, dhe ndofta nuk shpresohesh që të fitonte liria e vet, brenda në një kohë kaq të shkurtër në fakt, Zoti Baldacci asht një nga ata studiues që kanë kuptuar ma mirë se të tjerët rëndësinë që ka populli shqiptar në Ballkan dhe në Adriatik; ai ka ngritur zërin e tij dhe i ka kallëzuar popullit italian, se përtej bregut të Adriatikut, asht një komb që meriton respektin e tërë Europës, dhe si stërnip i Ilirianve, duhet që Italia, më parë se të tjerët, t’i hedhi dorën për ta ngritur në shkallën që meriton. Në këtë drejtim Zoti Antonio Baldacci, ka parashikuar interesat e vërteta të Italisë dhe Shqipnis. Në miqësinë e të dy popujve ai beson se do të sigurohet e ardhmja e Adriatikut, që i takon pjesës më delikate të interesave Italiane. Në librin e ri, Zoti Antonio Baldacci, nuk ka bërë gjë tjetër, përveçse ka mbledhur, porsa i duheshin, artikujt e mëparshëm që ka shtypur në rivistat e vendit dhe të huaja si ato të Francës dhe të Gjermanisë, ku shfaq mendime origjinale për të drejtat e popullit shqiptar, dhe mendohet që të formojë një opinion publik, se në mes të kombeve të tjera të Ballkanit, që kanë fituar independencën e tyre, asht dhe populli Shqiptar. Libri “Studi Speciali Albanesi”, përbëhet prej 300 faqesh dhe ndahet në tre pjesë: e para përmban çështje historike dhe politike, e dyta bën fjalë mbi gjendjen ekonomike dhe në pjesën e tretë ka përmbledhur disa nga veprat shkencore. Të tregojmë dhe sendet të pakta. Zoti Antonio Baldacci në vitin 1900 botoi një artikull në rivistën “Bolettino della Società Geografica Italiana” në të cilën mbasi tregon gjerë e gjatë historinë e vjetër të popullit Shqiptar, në faqen 25 të librit në fjalë, thotë se: “Un lutem që ky popull i harruar, pa asnjë arsye, nga shtetet e huaja, muandobare të ruhet për të respektuar gjithë bota si një monument i vetëm dhe i pashembullt i antikitetit, të atij antikiteti që shënon një kufi midis parahistorisë dhe historisë. Ky popull, meriton simpatinë më të shquar të shkencës së sotme, nga pikëpamja jo më të ulët se nga ajo e para, meriton dhe të gjithë simpatinë t’onë mbasi ai përfaqëson potencën e Adriatikut, në kuptimin më të gjerë të fjalës që, ka arritur sot të përmblidhet vetëm në malet e tij të lartë që nuk kapërcehen dhe në fushat e tij ku si trimi i pa frikësuar, asht i plagosur tue i afruar popujt e tjerë fqinj, vdekjen e tija me përkrahjen e Europës”. Në vitin 1903 kur ngjau revolucioni i Maqedonis në Turqi, Evropa vendosi të kërkonte prej Turqisë disa reforma për vilajet e Maqedonisë. Në këtë rast Zoti. Baldacci boton një artikull të rreptë në rivistën “L’Italia Coloniale” me dat 1903, në të cilën tregon se “dhe Shqipëria ka të drejtë të kërkojë reforma, dhe po të arrihen që të sigurohen të drejtat e Shqipnisë, atëhere nuk mbetet më vend për të tjerët në Ballkan, se ai popull është zot i katër vilajeteve të Turqisë”. Dhe këtë herë ato që shfaqte zoti Baldacci në vitin 1903, u vërtetuan në luftën Ballkanike e cila rrodhi nga shkaku se Turqia po e njihte më vete Shqipërinë me disa privilegje. Në vitin 1906, në Belgrad dilte një fletore “Albanie”, në të cilën bëhesh fjalë se një prej princërve Gjerman, paskësh në mënd të bëhesh një dit Mbret i Shqipnis, për të cilën kishte filluar të mësonte edhe gjuhën Shqipe. Në një kohë kur bisedohej ikja e Turqisë prej Ballkanit, sillnin parasysh dhe popullin shqiptar, për fronin e të cilit shumë veta mund të kishin shpresë. Në këtë moment Zoti Antonio Baldacci boton një artikull të ashpër në “Espanionisin Cvailes” ku shpjegon në një mënyrë të qartë periudhën e Austrisë dhe të Rusisë që ndiqnin për të arritur qëllimet e tyre, kur të ikte Turqia nga viset në fjalë, dhe tregon mendimin e tij se “Shqipëria do t’a fitojë independencën e saj kur të bëhet lufta e fundit e Ballkanit për ikjen e Turqisë; në atë kohë Shqipëria do të ketë edhe Mbretin e saj, me akordin e fuqive të mëdha. Nuk mund të thuhet se bëjmë ndonjë gjë të çuditur kur them se Fron i Shqipërisë duhet të mbahet prej një mbreti Kombëtar; dhe në qoftë se nuk do të gjendet ndonjë i këtillë, ahere ai që të zërë fronin të mos jetë as Gjerman, as Austriak, as Rus, por nga ndonjë racë tjetër”. Këto fakte dhe të tjera të zotit Antonio Baldacci, janë një provë e qartë që ai ato parashikonte disa vjet më parë, si profet i atyre fakteve, me të vërtetë u realizuan të gjitha; Shqipëria u bë indipendente me Mbretin e Shqiptarëve, që po lartëson Shqipërinë në atë vend të lartë që paralajmëronte zoti Antonio Baldacci, për të qenë zonja e vendit të saj dhe ruajtja e Adriatikut, që është pjesë e ndarë e atdheut Ilirianë. Pjesa tjetër historike dhe shkencore, të librit në fjalë, janë sende me shumë vleftë për t’u studiuar nga brezi i sotëm, se atje do të gjejnë elementë shumë të çmueshëm për pjesët më importonte të historisë s’onë kombëtare si nga çdo pikëpamje. Ngushtësia tiranike e shtyllave të kësaj fletoreje nuk na premton të zgjatemi më shumë me hollësirat e këtij libri, ku përfytyrojmë disa nga problemet më interesante për çështjen Shqiptare. Zoti Antonio Baldacci, ka shkruajtur dhe libra të tjerë mbi Shqipërinë, kur është dërguar prej ish-Kryeministrit Italian, Crosspit, që është prej racës Shqiptare, dhe kështu iu dha rasti zotit Baldacci që të studionte atdhenë e Ilirianve me tërë kuptimin e fjalës, për të cilin tash po mbush shtylla të vlefshme, me qëllim që të njoftoj popullin Italian, rëndësinë e Shqipërisë indipendente dhe nevojën e përkrahjes së tyre prej Italisë. Për të gjitha këto që ka bërë zoti Baldacci, prej një kohe të gjatë prej më shumë se një e katërta e shekullit, në favorin e Shqipërisë, Naltmadhënija e Tij, Mbreti ynë, e ka emnuar Konsull gjeneral honorer i Shqipërisë në Itali. Pra librin e Zotit Antonio Baldacci “Studi Special Albanesi” të shtypur në Romë, e rekomandojmë nxehtësisht se është një vepër ku tregohet zemra e një miku të Shqipërisë, dhe mendimi i tij për mbrojtjen e idealit të Kombit Shqiptar.
Prof. dr. Franc Babinger: Ja vlerat e librit të Baldaccit
Shkencëtari gjerman rreth librit “Studi Speciali Albanesi”
Libri “Studi Speciali Albanesi”, i shkrimtarit dhe publicistit italian, Antonio Baldacci, i botuar në Itali në vitin 1933, pati një jehonë të madhe jo vetëm në qarqet intelektuale italiane dhe shqiptare, por dhe më gjerë. Madje, ai libër u komentua edhe në rrethet e disa prej shkencëtarëve më të njohur evropianë, si prof. dr. Franc Babinger, i Universitetit të Berlinit, i cili në një shkrim të tij për autorë të ndryshëm gjermanë, që ishin marrë gjatë me studime për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndalet edhe në vlerat e librit “Studi Speciali Albanesi”, të Antonio Baldacci. Shkrimi i shkencëtarit gjerman, prof. dr. Franc Babinger (që po e botojmë të plotë në këtë shkrim), u përkthye dhe u botua edhe në gazetën “BESA” të Tiranës, në vitin 1933. Nën titullin “Literatura gjermane mbi Shqipërinë, Prej Prof. Dr. Franc Babinger, Universiteti i Berlinit”, në atë artikull shkruhet: “Shqipnia asht përshkruem në këto vitet e fundit shumë pak në hollësi dhe me sukses gati në gjitha gjuhnat e Europës. Kryesisht në Itali kanë kallzue prej luftës botore, një interes të veçantë siç e provojnë të shumat e veprave dhe pjesërisht të mëdha, për këtë vend të Ballkanit, i cili deri vonë pothuaj ka qenë i pa njoftun dhe sidomos në disa vite të tij. Kështu p.sh. Antonio Baltaci, i cili i ka dedikue një jetë të gjatë studimit të florës, ka shtuar me botimin e tij “L”ALBANIA” 1929 në Romë, në një mënyrë fort të dobishme numrin e veprave të çmueshme për Shqipërinë, duke dhënë mbi studimet e tij një pikturë e cila le me kuptua esencën e objektit me të cilën merret. Gjermania ka ndihmue jo ma pak se Italia dhe ka plotsue punimet italiane në shumë pika me rëndësi. Pa dyshim veprën gjermane mbi Shqipninë ia dedikojmë privat docentit të Berlinit, Dr. Herbert Louis, i cili si topograf ka marrë pjesë në udhëtimet gjeologjike që bani gjeografi austriak, Dr. Ernest Nowsek si mbas urdhrit të qeverisë shqiptare. Dr. Herbert fitoi në këtë mënyrë një dije të thellë mbi vendin dhe njerëzit. Kështu vepra e tij “L’ALBANIEN”, një studim i vendit duke u mbështetur kryesisht në udhëtimet e veta (Stuttgart J. Engelhorn) jep, megjithëse lakmon kryesisht të vërtetat gjeologjike, një ndihmë fort të frytshme për të njohur Shqipnin. Po këtij dijetari i dedikohet një kartë gjeografike e vendit (1:200.000) shumë e mirë e plotë, një kartë e cila u bashkëngjit së përkohshmes të shoqërisë gjeografike në rastin e njëqindvjetorit në vitin 1028. Shoku i tij në këtë kohë shëtitje, Dr. Ernest Noëak, i cili në shumë artikuj dhe trajtime ka kthjellum gjeologjinë e Shqipnis po me masën e lartpërmendur, kështu që të dy dijetarët gjermanë mund të konsiderohen si ç’përsëritsit e vërtetë të kartografisë shqiptare. Një tjetër dijetar, privat docent për Botanikë në Universitetin e Berlinit, Dr. Friderich Margraf, ka shëtitun për me studiue Shqipnin në fushatën e degës së tij (më 1924) dhe (1928) dhe u kthye me rezultate shumë të mira prej të brendshmesh të këtij vendi. Në pranverën e 1930-ës, botoi një vepër të shkruese në gjuhën popullore dhe të ilustrueme me shumë piktura “In Albanien Bergen” (Stuttgart, Sirecker aud Schroeder) në të cilën përshkruan në një mënyrë të kjartë udhëzimet e tija të brendshme, edhe veçanërisht shëtitjet e tija ndër malet. Shqipnia është një dorado për alpinisti, se malet e saj plot madhështi dhe bukuri, TOMORRI, i dukshëm prej së largu, deri afër 2400 metra lartësi, KORABI bile deri në 2700 metra, lartësohen të fuqishëm në qiell, për të mos përmenduni botën e bukur t’akujve në jugën e Mbretnis. Qysh sot guxojnë shumë udhëtarë me hy në të brendshmen e këtij vendi të tërhequn prej bukurive të natyrës dhe cilësive të rralla të banoret. Auktori i këtij artikulli bani provën e parë duke botuar një libër më 1929 në “BEDEKERS DALMATIEN UNO DIE ADRIA” një tentativë kjo me i shërbye udhëtarëve si udhëheqës, të cilën e ka përsërit unnrechologu francez Leon Rey në një Guidë de Albanie, por duke heshtun mbi veprën e të parit. H.A. Barneizi, i cili asht i njoftun për fotografitë e shkëlqyeshme të AFRIKËS, bani për qëllim me fotografue motive shqiptare dhe pikturat, të cilat ja ka shtuem librit të tij “EUROPAS VERGESSENE LAND” të shkruem me lehtësi, por dhe pak përcipërt, numërojn pa dyshim ndër më të bukurat që janë marrë mbi Shqipnin. Nën titullin “NEULAND ALBANIEN”, botoi vjet i lëvruemi shkrimtar Dr. Felderich Wallisech një libër (FRANCKSCHE VERLAGSHANDLUNG STUTTGART) i cili u ribotue për të dytën herë. Ata që e njohin Shqipnin me të vërtetë mirë, di të jenë në shumë pika të një mendimi të ndryshëm, dhe që duhet të qartohen disa gabime, të cilat shpresojmë do të zhduken në një botim të mëvonshëm. Wallisch i cili asht emnue Konsul i përgjithshëm nderi, asht i mendimit që Shqipnia, që të bëj një zhvillim të papritur dhe të parapamë dhe i shikon punët në mënyrë fort optimiste. Me gjithë këtë, libri i tij, i shkruem në një stil muhabeti, jep një pasqyrë të goditun të vendit dhe të njerëzve. Edhe kur themeluesi i studimeve shkencore mbi Shqipnin, John Georg V. Hann prej Frankfurti (1811-1899) në librin “Albanesische Studen” (Janar 1854) vuni bazat për gjithë studimet e mëvonshme, ky vend konsiderohej edhe si një pikë e bardhë në kartën e Europës. Dhe qoftë se sot asht studiuem në viset ma të rrezikshme dhe përshkruan shkencërisht në gjithë drejtimet, ky rezultat i dedikohet jo ma pak dijetarëve gjermanë. Vitet e fundit kanë dhanë përfundime shumë me rëndësi dhe asht për të shpresuem që s’kan mbaruem njoftimet e fituese qysh nga lufta prej dijetarëve të shumtë gjermanë e austriakë, që kanë shëtitun Shqipnin. /Memorie.al
Tiranë 10.I.1933
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016